– Puna e shqiptarëve në Itali –
Çdo krizë fsheh në gjirin e vet edhe aspekte pozitive, që shndërrohen shpesh në mundësi jo vetëm për t’i kapërcyer vështirësitë e momentit, por edhe për të ecur përpara. Kriza e fundit ekonomiko-financiare, që filloi zyrtarisht në fillim të 2008-s, i ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomisë dhe punësimit në Perëndim. Megjithatë, kjo krizë ka krijuar kushte të favorshme për ta rivizatuar modelin shoqëror, duke filluar nga vëmendja ndaj temave thelbësore siç janë puna, etika, dinjiteti i njeriut dhe vlera e migrantëve në tregun e punës. Kjo vlen si për vendet nga ku nisen emigrantët, ashtu edhe për vendet ku ata vendosin të jetojnë. Ky veprim kërkon para së gjithash një analizë të përthelluar të pranisë së migrantëve në shoqëritë pritëse, veçanërisht të punës së tyre, duke u ndalur tek përmasat e ndikimet që dukuria migratore ka mbi vendet e interesuara.
Që kur Italia është bërë objekt i migracioneve ndërkombëtare, tendenca e rritjes së qytetarëve të huaj ka qenë konstante. Të dhënat e vitit 2010 për praninë e emigrantëve në Itali konfirmuan ngadalësimin e fortë të rritjes së tyre në numër. Sipas vlerësimeve të Dossier Statistico Immigrazione 2012, prania e rregullt e qytetarëve të huaj në Itali, gjatë 2011-s, e kaloi shifrën 5 milionë. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm ku përfshihen edhe migrantët me prejardhje nga vende komunitare.
Është e qartë se mbërritja e imigrantëve në Itali, sidomos 20 vitet e fundit, e ka transformuar rrënjësisht tregun e punës. Gjithashtu, prania e imigrantëve lidhet ngushtë me krizën ekonomike aktuale. Imigrantët vazhdojnë të zënë kategoritë e poshtme të tregut të punës, në një pjesë të madhe low skilled. Midis tyre papunësia është rritur, ndërsa përqindja e aktivitetit, edhe pse mbetet e lartë, ka pësuar ulje. Fuqia punëtore emigrante, nëpërmjet cilësive të saj (moshë e re, disponueshmëri, fleksibilitet, gjendje e mirë shëndetësore, pjesëmarrje në punë, profesionalizëm, etj.) ka rol kyç e të pazëvendësueshëm për sistemin ekonomik italian. Megjithatë, është e domosdoshme të bëhet një analizë serioze e të dhënave që kanë të bëjnë me punonjësit emigrantë dhe ecurinë e pranisë së tyre në sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Ndoshta duhet filluar me pohimin se prania e emigrantëve në Itali paraqitet tashmë gjithnjë e më shumë e stabilizuar. Rasti i shqiptarëve, në këtë kuadër, mbetet emblematik edhe përsa i përket tregut të punës.
Gjatë viteve të fundit, numri i shqiptarëve në Itali ka shënuar rritje të vazhdueshme. Duke filluar nga vitet nëntëdhjetë, me eksodet mbresëlënëse drejt brigjeve italiane, e deri më sot shqiptarët e kanë shtuar gradualisht praninë e tyre, duke arritur në datën 1.1.2012 kuotën 491.495. Ky numër u përket emigrantëve shqiptarë të rregullt në territorin italian, pra të pajisur me lejeqëndrim nga autoritetet përkatëse. Një vit më parë, domethënë në fillim të 2011-s shqiptarët ishin më pak (482.627). Po të shtonim edhe 3.884 shqiptarët që kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me dokumente sipas sanatorias së fundit (15 shtator-15 tetor 2012) dhe rritjen e mundshme fiziologjike që verifikohet tashmë çdo vit, mund të vlerësohet se shqiptarët në fund të këtij viti do të kapin gjysmë milionin.
Puna përbën arsyen kryesore të emigracionit nga Shqipëria. Dy kategoritë kryesore që kanë të bëjnë me punën janë të punësuarit dhe të vetëpunësuarit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë si të punësuar (me kontratë pune të varur) në ndërmarrjet italiane ose të huaja. Por duhet vërejtur se edhe numri i sipërmarrësve shqiptarë, me fjalë të tjera të vetëpunësuarit, po rritet ndjeshëm vitet e fundit.
Në datën 1 janar 2012, sipas të dhënave Inail (Istituto Nazionale Assicurazione contro gli Infortuni sul Lavoro – Instituti Kombëtar i Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë), në Itali punonin gjithsej 260.225 shqiptarë. Kjo e dhënë përfshin të gjithë llojet e punonjësve, si ata me kontratë me kohë të caktuar, ashtu edhe ata me kohë të pacaktuar, përfshirë punonjësit stinorë. Ajo që bie menjëherë në sy është se numri i punonjësve shqiptarë ka pësuar një rritje në krahasim me vitin e mëparshëm. Një vit më parë situata paraqitej në ulje, për shkak të krizës ekonomike.
Gjatë gjithë vitit 2011 janë marrë në punë nga fillimi 15.994 shqiptarë. Tregu italian i punës vijon t’i tërheqë shqiptarët edhe pse me ritme më të ngadalta se përpara. Për të pasur një vizion të saktë e dinamik të situatës së punësimit të shqiptarëve duhet gjetur diferenca midis të punësuarve dhe atyre që kanë dalë nga puna. Shenja, sikurse vitin e kaluar, ka qene negative (-3.953). Pra është e qartë se kriza ka filluar t’i godasë seriozisht shqiptarët. Duhet shtuar se vetëm në pamje të parë duket sikur ka kundërshti midis rritjes së numrit të përgjithshëm dhe shifrës negative të të larguarve nga puna. Janë dy faqe të së njëjtës krizë.
E reja e të dhënave të fundit lidhet me femërzimin e mëtejshëm të emigracionit shqiptar në Itali. Aktualisht 47,1% e emigrantëve janë femra. Kjo statistikë e përgjithshme nuk përkon me praninë në tregun e punës. Në fund të 2011-s pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë ishin meshkuj. Këta përbënin 68,7% e të punësuarve, ndërsa gratë vetëm 31,3%. Kjo përqindje nuk ndryshon prej tre vjetësh, ndonëse shifrat absolute rriten. Emigracioni shqiptar paraqitet aktualisht i ekuilibruar nga pikëpamja gjinore, por jo në tregun e punës.
Shqiptarët në Itali punojnë në të gjithë sektorët makroekonomikë. Në përqindje, rendi i pranisë në sektorët ekonomikë paraqitet kështu: industria (48,5%), shërbimet (40,4%), bujqësia (8,4%). Brenda këtyre përqindjeve vihen re përqendrime që ndryshojnë sipas sektorëve: ndërtim (32,2%), hoteleri e restorante (10,2%), sektori agroushqimor (11,2%), çka tregon se një pjesë e madhe e shqiptarëve punon në ndërtim, por nuk kemi të bëjmë me përqendrime të atilla sa të na bëjnë të flasim për “specializim etnik” në tregun e punës, siç ndodh me bashkësi të tjera.
Kriza ka ndikuar negativisht në punën e shqiptarëve. Që nga viti 2009 punësimi ka pësuar rënie, edhe pse numrat absolutë janë shtuar. Në vitin e parë pas krizës diferenca e shqiptarëve midis punësimeve e shkëputjeve nga puna ishte saktësisht -4.329. Gjatë 2011-s jemi pak a shumë në të njëjtat nivele (-3.953). Për shkak të vitalitetit të tij, diferenca negative nuk e ka prekur sektorin bujqësor, ku për disa vjet radhazi punësimi sfidon krizën me shenjë pozitive.
“Ndërmarrjet: imigrantët e mposhtin krizën”, kështu e titullonte lajmin e vet një nga gazetat italiane (Il Sole 24 ore, 4 nëntor 2012) kur fliste për rritjen e numrit të ndërmarrjeve të të huajve dhe dinamizmin e tyre. Sipas të dhënave të fundit (Confesercenti), në Itali ka gjithsej 300.000 ndërmarrje të huaja, me rritje +6,6% nga viti i kaluar, që prodhojnë rreth 5,7% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto – GDP). Në gjashtëmujorin e dytë të 2012-s rezultojnë mbi 30.000 sipërmarrës shqiptarë (pas marokeneve dhe kinezeve). Përsa u përket ndërmarrjeve shqiptare, pjesa më e madhe e të cilave e ushtrojnë veprimtarinë e tyre kryesisht në ndërtim (mbi 80%), mund të flitet për specializim etnik.
Me punën e emigrantëve lidhen edhe aspekte të tjera. Aksidentet në punë për shembull. Megjithëse ka një farë ulje nga viti 2010, numri i aksidenteve në punë që dëmtojnë shqiptarët në Itali, mbetet ende i lartë (11.715). Gjatë 2011-s, gjithnjë në krahasim me vitin e mëparshëm, janë reduktuar edhe aksidentet vdekjeprurëse (21), ndonëse numri vazhdon të jetë shqetësues e dramatik.
Kapitull të veçantë përbëjnë dërgesat monetare të emigrantëve. Në vitin 2011 janë dërguar nga Italia drejt Shqipërisë 131.099.000 €uro, një shifër jashtëzakonisht e lartë edhe pse më e ulët se ajo e vitit 2010, çka lidhet drejtpërdrejt me krizën ekonomike.
Shqiptarët punojnë në të gjitha fushat e ekonomisë dhe prania e tyre në tregun italian të punës konsiderohet tashmë strukturore. Puna, midis të tjerash, është vektor integrimi e zhvillimi njëkohësisht. Pikërisht për këto arsye kërkon njëkohësisht njohje, vëmendje, politika aktive, sinergji, përfaqësim e tutelë. Njohja e punës së emigrantëve, përfshirë vlerat e jashtëzakonshme dhe pikat e dobëta, është e dobishme sa në vendin e rezidencës, aq edhe në vendlindje, sa në Itali, aq edhe në Shqipëri. Sidomos në periudhë krize.
Ndikimi i migrantëve mbi zhvillimin e vendeve nga vijnë e ku jetojnë është i padiskutueshëm, por që ky ndikim të shndërrohet në kontribut pozitiv, edhe për daljen nga kriza aktuale, lipset menaxhim i kujdesshëm i dukurisë migratore. Por kjo nuk mund të bëhet pa pasur parasysh dinjitetin njerëzor, se prapa numrave e statistikave qëndrojnë persona e familje, që ndoshta më shumë se të tjerët kanë dëshirë, potencial e vullnet për një të ardhme më të mirë.
Shënim:
Ky material u shpërnda gjatë konferencës “PUNA SHQIPTARE NË ITALI. Politikat, Përkujdesjet e Përfaqësimi”, nga INAS-CISL, që u zhvillua në Tiranë, më 8 nëntor 2012, ora 9.30 – 13.00, në sallën e TIRANA INTERNATIONAL HOTEL, Sheshi Skenderbej. Ja programi i plotë i Konferences PUNA SHQIPTARE NE ITALI – Tirane – 8 nentor 2012
Shkrimi eshte me te vertete interesant dhe,c’ka eshte me e rendesishmja, informues per gjendjen e shqiptareve ne Itali, ne kuptimin qe paraqet marredheniet reale te emigranteve me tregun e punes atje,shoqerine italiane vete shtetin italian.
Do te kisha dashur qe shkrime te tilla te kishte edhe per emigrantet shqiptare ne Greqi,por druaj se marredheniet tejet te helmatisura ( aspak te shkelqyera sic mundohen t’i paraqesin politikane e rrufjane te ndryshem) mes Shqiperise dhe Greqise, kane influencuar ne nje shkalle te tille, qe per keso marredheniesh nuk ka ‘interes’ te flitet.
E ne fakt nuk ka sesi te jete ndryshe , kur behet fjale per dy bote te ndryshme, realisht te ndryshme, pavaresisht se politikisht ,gjeopolitikisht(me te shtyre),kulturalisht (akoma edhe me me shume te shtyre, deri ne antikitet, por jo me vone!) , jane nje, dmth bote perendimore.
Megjithate, perhere kur flitet per integrimin e suksesshem te shqiptareve ,me shkon mendja edhe tek asimilimi, apo me mire tek raporti mes tyre. Gjithashtu, me intrigon edhe krahasimi mes integrimit te shqiptareve te Shqiperise dhe atyre te Kosoves, Maqedonise e Malit te Zi.
Kam pershtypjen se ka njefare dallimi ne kete mes.
Shqiptaret e pjeses tjeter jashte Shqiperise , edhe ata jane integruar atje ku kane shkuar,por ,pergjithesisht jane te imunizuar nga asimilimi. Dhe ta mendosh qe ata kane nje ‘eksperience’ emigrimi shume me te hershme se te Shqiperise.
Do te ishte interesante te kishte studime edhe ne kete drejtim,sepse ka lidhje dhe ndikim direkt ose terthorazi me vete ekonomine e vendit tone.
Shkrim Interesant. Gjithsesi shifrat, qe u referohen vetem te dhenave zyrtare, nuk jane reale, sepse nuk marrin parasysh pjesen e paregjistruar zyrtarisht: numrin e emigranteve pa lejeqendrimi, punen e zeze dhe dergesat monetare qe nuk ndjekin kanalet bankare.
Sqarimet statistikore janë gjithnjë të mërzitshme, kur nuk u flitet studiuesve, që janë mësuar me numra e përqindje. Për pikën e statistikave zyrtare u ndala pak minuta edhe në Konferencë. Në fakt ka dallim thelbësor midis shifrave dhe vlerësimeve. Analiza e mësipërme është bazuar në shifra të sakta, që kanë nevojë për lexim e interpretim. Nuk mund të thuhet, gjithsesi, që nuk janë reale. Ato janë të vërteta për çka pasqyrojnë. Kur shkruajmë që ka X shqiptarë në sektorin e ndërtimit, nënkuptojmë, por edhe e deklarojmë, se bëhet fjalë për njerëz që punojnë me dokumente të rregullta e që janë regjistruar nga institucionet përkatëse (zyrat e punës, sigurimet shoqërore, etj.). Këtu nuk mund të futen ata që punojnë në të zezë, pra pa dokumente të rregullta. Për këta mund të bëhen vlerësime, duke u bazuar në disa kritere që duhen shpjeguar. Por vlerësimet janë të përafërta, jo të sakta. Gjithsesi, këto të fundit nuk mund të bëhen pa ndihmën e të dhënave zyrtare të sakta.
Po ju jap një shembull që ka lidhje me grafikun kuqezi të pranisë së shqiptarëve në Itali. Të dhënat për shqiptarët mund të merren nga Istat italian ose nga Ministria e Brendshme. I pari i përllogarit shqiptarët në bazë të rezidencave të bashkive dhe komunave (zyrat e gjendjes civile). E dyta i numëron sipas lejeqëndrimeve. Shifrat nuk përputhen asnjëherë, sepse jo çdo person që ka lejeqëndrim në Itali mund ta marrë rezidencën në vend. Por ka edhe arsye të tjera më të ngatërruara, madje edhe të karakterit teknik lidhur me databazën përkatëse, që nuk është vendi këtu t’i shpjegojmë. Në kësi rastesh, merret shifra e disponueshme, shpjegohet burimi, dallimet përkatëse dhe nxirret kuptimi i numrit.
Puna e zezë, shqiptarët me qëndrim të parregullt, klandestinët, janë të parilevueshëm par excellence. Mund të bëhen gjithsesi vlerësime, duke i deklaruar si të tilla.
Shifrat janë të rëndësishme, por më shumë janë kuptimi dhe interpretimi i tyre. P.sh. ka më shumë rëndësi të kuptohet se dërgesat monetare nga Italia e nga vendet e tjera kanë filluar të bien, se sa shifra e saktë e tyre. Tendenca në këtë rast u shërben atyre që merren me vendimmarrjen politiko-ekonomike, me aktorët publikë e kështu me radhë.
Ne fakt trendet per numrin e emigranteve pa lejeqendrimi, puna e zeze dhe dergesat monetare duhet te jene te njejta me trendet e kategorive simotra te ligjshme (emigracioni i ligjshem, puna e ligjshme, dergesat bankare) nese nuk kemi ndryshime te medha ne parametrat e tjere (policia italiane me efikase, evazioni fiskal luftohet me mire etj.). Pra nga shifrat zyrtare mendoj qe mund te behen hamendesime te mira edhe per shifrat jozyrtare.