Po ç’kanë të veçantë këngët përmetare? Përveç faktit që pëlqehen nga të gjithë dhe përmbajnë Laver Bari, saze dhe gërnetë?
Shumë njerëz i kanë dëgjuar të mirënjohurat “A kanë ujë ato burime”, “Ç’ke moj tambura që s’bie”, ” O dhëndër ku vete kshunë”, “Çu ngrit lulja në mëngjes”, “Të prita mike” apo të tjera akoma. Nuk e di nëse dikush ka hedhur dritë më parë mbi kontekstin social ku lidhej filli i krijuesit me krijimin e vet, ku dhe si ndërtohej fabula. Më duket ide interesante vëzhgimi, përfytyrimi i skenës, idesë pas këngës, ambjentit ku ndodhte ngjarja, lidhja e protagonistëve të këngës me njeri tjetrin e shumë të tjera.
Kështu le të hedhim pak dritë o mik, mbi bandillin dhe sorkadhen, dhe të shohim për shembull…
Ku takoheshin?
Vendet e takimit në këngët përmetare u përgjigjen atyre të një ambjenti rural, baritor, vende të thjeshta, qofshin rastësore takimet, apo me “ftesë”. Me ftesë posi, sepse në këngët përmetare është dukuri e veçantë ftesa… Disa këngë e marrin titullin prej… vendit të takimit. Poshtë nga çairët, Unë tek porta ti tek vija, ndërsa në të tjerat bëhet i dallueshëm vendi nëpërmjet tekstit: në rrugë, në krua (ç’deshe që erdhe), në lëmë, në fushë apo gjerdhe.
Të mos harrojmë ftesat, duke filluar nga ato të thjeshtat, që shprehin thjesht dëshirën për t’u parë – dil pakë në penxhere, pa dil pak të të shoh një çikë. E deri tek ato disi më të komplikuara me nëntekst të qartë: hajde në lëmë; herë të tjera ftesa shprehet thjesht duke thënë: hajde! Apo në formë pyetjeje retorike: pse nuk vjen? pse s’erdhe? Ndonjëherë kjo pyetje e fundit krijon një konflikt të vogël, në disa raste kur bandilli nuk e gjen dot rrugën: po nga të vij o mendjevithisur, nga porta e madhe, apo deriçkë e prishur?
Çfarë bënin kur takoheshin?
Eh! Çfarë bënin… në fakt, si dashuri në mos ilegale, gjysëm ilegale, qëllimet i fshihnin nëpërmjet fjalëve, si për të shtuar intrigën. Kështu gjejmë për shembull eufemizma apo lodra fjalësh shumë të bukura e plot kuptim, si: qajmë hallet, apo lozim. Ndërsa loja e shfaq idenë mirë, kjo “qarja e halleve”, të krijon disa mëdyshje, sepse realisht halle dhe derte quhen veçanërisht këto të dashurisë, a thua se nuk ka të tjera! Dhe mua më duket se në këtë lloj këngësh përmetare, mungesa e dashurisë apo pamundësia për t’u parë është hall i madh! Hall aq i madh është, sa ndonjëherë protagonistin e bën sëmurë! Dhe ky është momenti kur ftesën e lidhim me arsye – Hajde moj se jam sëmurë! Në këngët përmetare, nuk mungon as një ndërgjegjësim protokapitalist i sensit të punës, kur pyetjes çfarë bënin heroi përgjigjet: ca punë.
Cila ishte natyra e lidhjes?
Përmetarët duket se lidhjeve legale femër-mashkull u këndojnë vetëm kur kanë mjaftueshëm raki përpara, domethënë në raste dasmash. Lidhjet e tjera, në mos ilegale, janë gjysëm të tilla. Ndonjëherë natyra e marrëdhënies shfaqet brenda tekstit nëpërmjet një apo dy frazash: mos dëgjo tët ëmë, herë të tjera, si gjykues suprem dhe pengesë e marrëdhënies e madje ajo gjë që na e vërteton statusin e lidhjes… është bota. Mos dëgjo se ç’thonë bota! Më pas ka dhe raste të rralla, kur populli autor vjen shumë në qejf dhe u këndon akoma dhe femrave me status të dyshimtë social, siç është rasti i bredharakes: Ah moj bredharake, ç’e do burrë zinë? Këtu hedonizmi kap majat!
Veçantia tjetër e këngëve përmetare, që më ka bërë shumë përshtypje, është kujdesi për femrën. Përveç krahasimeve të shumta të natyrës pagane; thëllëzë, manushaqe, borzilok, buzëkarafile apo thjesht lule incognito, autori popull është i kujdesshëm dhe mjaft i ndjeshëm ndaj bukurisë, të cilën ose e stimulon me forma të ndryshme: vish fustanin alla-frënga, laji sytë e zes; ose kujdeset që të mos prishet: mos më qaj o yll o dritë, se të prishen bukuritë.
Po mirë, një dolli për dasmat nuk do e ngrejmë?
Do e ngrejmë, posi. Dasmat në këngët përmetare, janë evente sociale ku njerëzit mblidhen së bashku për të festuar dhe respektuar traditën e lashtë të martesës. Në epiqendër të vëmendjes vendoset nusja në ditën e vet më të bukur dhe i këndohet ndërsa hedh valle: nusja jonë në valle, mashalla o moj sa ka lezet. Ndonjëherë dasmorët qëllojnë në nuse nazelie dhe ky fakt nuk i shpëton qortimit të popullit krijues: të martoi babai në Përmet, zotrote kërkon në Vlorë! Gjithashtu babai si figurë qëndrore e dasmës, nuk lihet pa përmendur dhe lavdëruar, meqë ky si personazh i heq dhe shpenzimet eventit – dy fjalë për sponsorin, tha. Por edhe dhëndrit i qëndisen disa vargje, gjithashtu krushqve. Megjithatë, popullit në disa raste nuk i shpëton dot një lloj kurioziteti voyerist jo krejtësisht i pafajshëm ndaj protagonistëve: vajte në burrë a s’vajte? o dhëndër ku vete kshunë?
Nga ana tjetër dhëndri i ri i ngrefosur, nuk e lë të bjerë në shesh, por e mbyll (si unë shkrimin) me një fuck joke: gjer tek nusja kam ca punë!
Julius,
Pa i hequr asnje presje ketij shkrimi qe, sipas meje, eshte shume me i gjere e domethenes sesa pretendon ai vete, do te shtoja se, pertej aspekteve poetike, keto kenge permbajne nje element qe rrallehere e gjejme ne poezine tone popullore: vetironine, piken me te larte te emancipimit social.
Po, besoj dhe unë që tema është shumë më e gjerë se mënyra e trajtimit. Kjo mënyrë i përgjigjet njëfarësoj dhe dijes time mbi ç’ka trajtoj. Humori veç, shërben si katalizator për të grishur njerëzit.
Relapso, të falënderoj për komentin. Është e vërtetë, vetironia është pika më e lartë e emancipimit social. 🙂