Pak ditë pas rënies së totalitarizmit shqiptar, entuziazmit tim të zjarrtë për të ardhmen e Shqipërisë, që sipas meje do të ngrihej në pak kohë falë lirisë së arritur, një profesor i huaj iu përgjigj praktikisht me fikës me shkumë: “Është më e lehtë të administrosh diktaturën sesa lirinë”. Nuk më tha asgjë të re, teorikisht e dija sikurse shumë të tjerë, se liria ka andrallat e veta, por nënvizimi i tij kishte të bënte në një farë mënyre me moskuptimin ose keqinterpretimin e konceptit të lirisë.
Debati që u hap për moderimin ose jo të komenteve në internet, sidomos pas këshillës “Dëbojini para se t’ju dëbojnë” të Xha Xhait, ka të bëjë kryesisht me konceptin e lirisë. Duhet thënë se hapësira virtuale nuk e ndihmon aspak fokusimin e problemit, përkundrazi krijon dykuptimësi problematike. Kur lirinë e shpjegon me metaforën e trafikut, duke shpjeguar se të gjithë duhet t’i respektojnë rregullat e qarkullimit dhe se polici rrugor është një farë rregullatori, ke shanse që bashkëbiseduesi ta kuptojë rëndësinë e moderimit të lëvizjes në internet. Tek e fundit, të gjithë kanë frikë nga aksidentet dhe nga plagët e mundshme.
Për ta kuptuar rëndësinë e moderimit të diskutimit në hapësirën publike të internetit duhet rënë dakord me një premisë thelbësore: “Fjala është gur”. Me fjalën mund të vrasësh, por edhe mund të ndërtosh. Varet nga përdorimi. Që fjala në hapësirën publike shqiptaret vringëllohet si armë e nuk shqiptohet me qetësi, është fakt i pamohueshëm; që fjalët hidhen si gurë për ta goditur tjetrin e nuk përdoren për të ndërtuar ura, është para syve të gjithkujt. Me fjalë të tjera, një takëm shqiptarësh as e perceptojnë e as e konceptojnë fjalën si diçka të çmuar, të fuqishme, hyjnore, për ta përdorur me kujdes e mençuri.
Ka logje në internet që u japin shansin mendjeve të mrizojnë, të ushqehen e të ripërtërihen. Më thonë se në këtë listë mund të përfshihet edhe “Peizazhe të Fjalës”. Mirëpo a mund të ushqehesh në të njëjtin vend ku tjetri lëshon bajgë? A mund të diskutosh me atë që të pështyn? A mund të punosh me dikë që të prish natën murin që ti ngre ditën? Ka komentues që sillen përnjimend si barbarë. Në një shkrim të mëparshëm, pjesët poshtë shkrimeve kryesore, për nga era e qelbur e komenteve, i pata krahasuar me nevojtoret publike, ku çdokush mund të nxjerrë lapsin e t’ua ndyjë muret pa shkarkuar ende ujin. Sa herë që ndaloj në autostradë e futem në banjë, shoh nëpër mure sharje, fjalë të pista, kërcënime, batuta, deri edhe numra telefoni me emra të përveçëm. Përshoqërimi më vjen natyrshëm.
Duke u nisur nga përvoja ime si moderator, u pata sugjeruar gazetave shqiptare që të ndiqnin modelin e blogut tonë, ku liria respektohet derisa nuk cenon lirinë e të tjerëve. Nga ana tjetër, jo vetëm unë por edhe kolegë të tjerë, e kanë vënë re tashmë se liria në internetin shqiptar i ngjason lirisë së xhunglës, e më fortit: zakonisht “fiton” ai që bërtet e shan më shumë.
Puna e moderatorëve shpeshherë ngatërrohet me censurën. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me një keqkuptim kuptimor. E thotë edhe fjala vetë: moderatori është ai që i moderon diskutimet nëpërmjet rregullave. Moderatori ka ekzistuar para se të shpikej diskutimi në linjë. Cilido ka ndjekur konferenca e di fare mirë që, përveç diskutuesve, në podium qëndron dikush që e drejton (moderon) debatin duke u bazuar në rregulla të shkruara ose të pashkruara. Asnjë nga të pranishmit nuk mund ta akuzojë se shkel lirinë e shprehjes, për sa kohë moderatori u përmbahet rregullave dhe nuk diskriminon e/o favorizon dikë në veçanti.
Do të shkoja edhe më tej. Pikërisht ekzistenca e moderatorëve, çka vlen edhe për komentet në internet, madje më shumë për to, mundëson zbatimin e parimit të lirisë së shprehjes. Në rast diskutimi të lirë online, përveç çekuilibrit që krijohet midis figurës publike që shkruan dhe komentuesit anonim që fyen, temë që u trajtua më së miri nga Xha Xhai, mbetet fakt se komentuesit barbarë dëmtojnë edhe kolegët e vet. Shumë kolegë, ftesës sime për të shkruar ose komentuar, i janë përgjigjur me ngritje supesh, pikërisht se nuk duan të futen në debat me komentues të nivelit të ulët. E nuk e kam fjalën vetëm për PTF-në, por për gjithë hapësirën virtuale. Nuk e di nëse kemi të bëjmë me një mazhorancë të heshtur, por di që shumë diskutues nuk ulen pranë tastierës, pra stepen, nga frika se mos përplasen me çakejtë anonimë. Nga ana tjetër nuk duhet harruar se anonimësia jo gjithnjë është pseudonim, në kuptimin që ka njerëz që edhe kur vënë emrin e vet, me çka thonë e si e thonë, janë e do të mbeteshin anonimë përjetë në hapësirën publike, sikur të mos gjendeshin rastësisht të armatosur me kompjuter e me aparat Adsl.
Natyrisht, kjo situatë i demotivon autorët e mirëfilltë, sepse i bën të ndihen të vetmuar, pa asnjë feedback nga të tjerët, përveç ulërimës së qenve endacakë të internetit. Moderatorit i bie detyra që ta fusë diskutimin në kanalin e duhur, për t’i dhënë dinjitet jo vetëm temës, por edhe autorit që e ka ngritur seriozisht. Me punën e tij moderatori e plehëron tokën e dialogut, krijon kushtet për lulëzimin e pasurimin e ideve, pra mundëson zhvillimin e hapësirës publike sipas parimeve qytetare.
Ka komentues që sillen krejt pa edukatë, si ai rrugaçi që lëshon ajër me zhurmë në klasë. Akte të tilla prishin vetë mjedisin ku kryhen. Klasa ia plas gazit me idiotësinë e tipit, vëmendja shpërqendrohet, serioziteti kthehet në gajasje kolektive, niveli i të gjithëve bie. Madje as mësuesi nuk ka qejf të japë mësim në asi kushtesh. Nuk them që nuk mund të ndodhë, por disa akteve u duhet gjendur vendi. Në shkollë shkohet për të studiuar, në PTF shkohet për të diskutuar, në stadium shkohet për të bërtitur, në banjë shkohet për t’u liruar. Shpeshherë autori gjendet në të njëjtën situatë si ata profesorë të shkollave problematike, që përpiqen të shpjegojnë diçka nga dërrasa e zezë, por nga bankat u vijnë topa letrash, shkumësa, fishkëllima, klithma, sharje, nxjerrje gjuhësh.
Pra ku fillon e ku mbaron liria e shprehjes? A nuk ka të drejtë edhe ai nxënës, qoftë edhe i vetëm, që dëshiron ta dëgjojë në heshtje profesorin? Po ai që dëshiron të thotë diçka më shumë? Po vetë profesori? Kam përshtypjen që liria pa kufij i ngjason pak drogës, kur mësohesh me të bëhesh i varur prej saj. Për këtë arsye ka plot komentues, tashmë të mësuar me lirinë e shthurur, që protestojnë kundër rivendosjes së moderimit. Nuk ka asnjë të drejtë që cenohet në këtë rast, përveç rivendosjes së dinjitetit të atyre që ishin nëpërkëmbur nga lukunia fyese.
Ndoshta duhet përsëritur që nuk kemi të bëjmë me censurë, por vetëm me moderim. Për këtë na vjen në ndihmë ana cilësore e diskutimit. Në fakt, moderatorëve u del shpesh detyra që t’ia ruajnë nivelin, pra cilësinë, diskutimit. Normalisht, censura ka vetëm dy lloj reagimesh, po ose jo, kryesisht lidhur me qëndrimin “politik”, në favor ose jo të idesë; në rastin e moderimit komentuesi ftohet që t’i përmbahet temës, fjalorit, edukatës, e kështu me radhë, por jo që të mos e shprehë mendimin e vet.
Komentuesit në Peizazhe të Fjalës u kategorizuan saktë nga Xha Xhai. Përjashto tri kategoritë e para (autorët, miqtë, kolegët), që në fakt përbëjnë limfën vitale të blogut, por edhe komentuesit e rinj e dashamirësit, të tjerët e atentojnë atë me të gjitha mënyrat; kush me armë të lehta, kush me pushkë me dylbi, kush me sulme jo konvencionale nga toka, ajri e deti. Ndoshta duhet shtuar kategoria e komentuesve-mushkonja, që vetëm sa bezdisin, sa për ta prishur mbrëmjen me thumbime të padëmshme, por qejfprishëse. Ka edhe nga ata që sillen ndaj diskutimit si garipat e lagjes, që ia prishin lojën fëmijëve vetëm për gallatë: ua marrin topin, i bien me shkelm kutisë së shahut, e kështu me radhë. Kategoritë e fundit mund të futen në listën e pasur të komentuesve në internet.
E drejta e fjalës, kur evokohet në internet e gjetiu, nuk duhet të harrojë dëgjuesit e lexuesit. Interneti nuk është i përbërë vetëm nga shkrimtarë e shkarravitës. Kam kolegë që nuk janë as autorë të blogut e as komentues të tij; megjithatë ma shprehin hapur indinjatën kur shohin ndonjëherë komente të pahijshme ose të nivelit të ulët. Si të thuash, duhen mbrojtur edhe të drejtat e lexuesve, liria e tyre për të lexuar në paqe e për ta shijuar qytetarisht diskutimin qytetar. Nuk duhet harruar se edhe këta lexues, edhe pse nuk marrin pjesë materialisht në diskutim, e zhvillojnë dialogun në mendjen e tyre, madje e përcjellin atë në vende të tjera, në zyrë, familje, shoqëri. Por për ta bërë këtë kanë nevojë për mjedis të kulturuar, ku nuk mban erë të rëndë injorance.
Gjithsesi, komentet jo gjithnjë janë problematike. Përkundrazi. Në disa raste e pasurojnë temën e trajtuar, ndonjëherë e ngrenë më lart nivelin e diskutimit, në raste të tjera bëhen tharm për përsiatje të mëtejshme. Komentet cilësore i mbajnë larg në mënyrë të natyrshme insektet bezdisëse që enden në moçalet virtuale, duke u shndërruar gjithashtu në barrierë kundër barbarëve dhe xhelatëve të fjalës së lirë, të cilët shtiren shpeshherë si viktima. Këta bëjnë edhe dëmin tjetër: e monopolizojnë vëmendjen e nuk na lenë të flasim për komentet që e pasurojnë debatin, mendimin dhe hapësirën publike.
I nderuar zoti Pishak,
kam pershtypjen se tregoheni pak i ashper me anonimet, apo trullanet nese ju pelqen t’i quani keshtu.
Ata anonime qe komentojne, bie fjala, shkrimet e tua, e bejne kete pasi e lexojne shkrimin.Te gjitha ata qe komentojne i lexojne shkrimet.Edhe ju , besoj, se shkruani qe te tjeret t’i lexojne ato.Imagjino vetem per pak, qe nuk do te kishte komentues te tille, dhe do ta veresh se blogu do ta humbiste krejt kuptimin e tij;juve nuk do t’ju lexonte askush pervec rrethit te miqve(por mos kujto se edhe ata mezi c’presin te te lexojne!);blogu do te kthehej ne nje klub te padurueshem merzie , ku te gjithe i bejne qoka njeri-tjetrit.
Magjie a blogut qendron pikerisht ketu , tek anonimet .Juve ju shqeteson agresiviteti i shume anonimeve, dhe keni te drejte, por duhet te tregoheni me tolerante dhe ta kuptoni se keshtu ndodh gjithandej .Eshte vrulli,agresiviteti i fillestarit.Prandaj cdokush qe pretendon te jete i kulturuar , intelektual , duhet te sillet me takt me kete kategori , ashtu sic sillemi me te egjrit.Nje fjale e mire mjafton.Atehere do te kuptohet se cfare fuqie magjike ka nje fjale e mire;atehere do te kuptohet se te egjrit , ne te vertete, nuk qenkan te egjer ,por ne i paskemi keqkuptuar sepse duam miratim per cdo shkrim tonin!
Shkruani:” A nuk ka te drejte edhe ai nxenes, qofte edhe i vetem, qe deshiron te degjoje ne heshtje profesorin?”-Padyshim qe ka, por edhe profesori nuk duhet te haje inat me nxenesin(ketu nuk po marr parasysh diskutueshmerine e asaj , se kush eshte nxenes e kush pretendon te jete profesor!).
Nuk ka shume qe kam dale nga auditori i universitetit, dhe po me kujtohet nje episod qe perseritej vazhdimisht me nje profesor(shume te nderuar nga publiku), qe pasi i thoja ato qe kerkonte nga une te thosha, i merrja leje nese mund te thosha mendimin tim te vertete!
Nje ndjesi e tille po me krijohet edhe ketu….
Mendoj se ka nje zgjidhje shume te thjeshte: ata ‘trullane’ qe prishin atmosferen e blogut i bllokoni, mos j’ua postoni fare komentet.
Perndryshe, zoti Pishak, mos u ankoni per ‘pisllekun’ qe ju vete lejoni ne shtepine tuaj!
Në shkrim nuk fola në veçanti për komentet në “Peizazhe të Fjalës”, e kisha në përgjithësi. Natyrisht, disa shembuj i kam marrë nga blogu, ku kryej prej vitesh detyrën e moderatorit bashkë me kolegët e tjerë. Një gjë është e sigurtë: Në PTF liria e fjalës nuk është prekur asnjëherë. Mendimi ndryshe është respektuar gjithnjë. Kjo mund të verifikohet lehtë.
Mirëpo si t’ia bësh kur një rrugaç të akuzon se i ke lënduar të drejtën e shprehjes, kur ti nuk i ke botuar një koment me fyerje e sharje? Pastaj jo gjithnjë gjërat priten kollaj me thikë.
Gjithsesi, e përsëris, e kisha fjalën për gjithë hapësirën virtuale shqiptare.
Oskeola ( prijes i Seminoleve – mund ta kem lexuar nja 7-8 here ate liber :))
Meqe spejgove dicka per vehten, do te sugjeroja qe mos te krijosh apo mbash bindjen se PTF eshte nje vend ku duhet te konformohesh apo te jesh “politically correct”, ne menyre qe te marresh pjese ne te. As sesi.
Si orjentim, PTF eshte e majte. Por kjo e majte s`do ngaterruar me idene e se majtes se politikes Shqiptare.
Autoret jane te mire, madje shume mire te edukuar. Kane nje veshtrim kozmopolitan mbi boten ne pergjithesi, dhe Shqiperine ne vecanti.
( ca ketu, e midis tyre edhe une, perpiqemi t’i “bindim” se Shqiperia s`e ka lluksin te tregohet super e kulturuar ne nje lagje, qe ne shkalle Europe i ngjan me teper Babrruse se sa 15 em arrondissement te Parisit :))
Temat qe rrihen shkojne 360 grade, dhe shume shpesh te shtyjne te mendosh, te lexosh,te kerkosh, dhe kur ke per thene, edhe te shkruash per gjera qe ndofta jeta e perditshme nuk do te te stimulonte ta beje.
I “zoti” i shtepise, per sa kohe qe disa norma baze respektohen, e mban deren te hapur per kedo qe eshte kurioz apo ka interes.
Pra tek PTF ka nje larshmeri ne prurje, te cilat po te perdoren e shihen me bonsens, te shtyjne dhe te bejne, qe kur vjen puna tek levrimet e shkurara ne gjuhen shqipe ne internet, te kesh deshiren ta vizitosh perseri e perseri kete vend.
Se pari, liria, si çdo vlere e madhe, ka nje çmim te shtrenjte. Ne rastin e lirise se komenteve kete çmim u takon ta paguajne autoret dhe administratoret e faqeve ne formen e sekelldise qe mund t’u shkaktojne komentet negative.
Se dyti, te ashtuquajturat fjale vulgare e kane nje funksion ne gjuhe. Ato ekzistojne per t’u perdorur ne perputhje me rrethanat dhe nevojat e komunikimit. Me fjale te tjera, nese dikush thote idiotesira, atehere ai s’eshte tjeter veçse idiot. Si mund ta quash ndryshe? Vertet mund te fyhet, por te mos harrojme se ai vete ishte i pari qe me idiotesine e tij ka fyer komentuesin qe e etiketon si idiot. Nga çasti qe administruesi i faqes u jep lexuesve mundesine te komentojne, nuk mund te pretendoje t’u sugjeroje atyre edhe fjalet, regjistrat stilistike, mbiemrat dhe epitetet qe mund te perdorin. Termi “moderator” ne kete rast behet nje sinonim politically correct i termit “censor”.
Se treti, liria e komenteve eshte mjeti me i mire qe kane vete autoret te maten me opinionin e pergjithshem te lexuesve e te marrin edhe nje vleresim vertet objektiv, pozitiv a negativ qofte, per kontributin e tyre. A e keni pyetur veten ndonjehere se pse disa shkrime marrin komente me te ashpra se disa te tjera? Kur e ka fajin ne kete rast, autori i shkrimit apo komentuesi?
Se fundi, nese duhet njefare kontrolli, per mua ai duhet te kufizohet vetem ne ndalimin e shpifjeve, por jo te epiteteve, te cilat, sado te renda qofshin, shprehin mendimin e lire te lexuesit. Thene ndryshe, une do te ndaloja nje koment qe e akuzon pa fakte autorin e shkrimit si spiun te sigurimit, vrases, kurvar etj., por jo nje qe e quan ate, fjala vjen, “mut muti”. Rrofte liria!
Relapso,
Keshtu ne pergjithesi ato pikat e tua duken sikur kane kuptim. Natyrisht qe shpifja kot me kot (pale kur pandeh se e di se per ke po flet, dhe ne fakt ja mbyt ne tym) eshte me e rende dhe e denueshme se nje epitet apo sharje.
Por, dhe mua me duket nje POR i rendesishem, njerezit kane nje lloj standardi personal. Bie fjala, nuk shkojne ne nje mejhane ne nje sgeq ku mblidhen milet me nivel te ulet, qe shajne me fjale te ndyra nga njeri cep tek tjetri. Keshtu eshte edhe puna e blogjeve, gazetave on-line, dhe e PTF posacerisht.
I zoti i shtepise dhe koleget e tjere qe e ndihmojne te moderoje blogun, kane detyrim ndaj autoreve ne rradhe te pare, por edhe ndaj lexuesve qe te mbajne nje ambient te qyteteruar e te paqem. Ne nje fare menyre ata kane vene emrin, nderin, prestigjin e tyre ne kete mes. Nese blogu kthehet nga nje kafene intelektualesh ne mejhane marinaresh, as ne nuk kemi kenaqesi te vijme ketu, as mund ti rekomandojme njeriu te vije.
Nese ajo shprehja qe perdor ti ne fund te postimit tend, me fyen mua apo shumekend ne kete blog, ti nuk mund ta ushtrosh lirine tende per ta shkruar, sipas parimit “liria jote mbaron atje ku fillon liria e tjetrit.”
Une qe nga fjalia jote e fundit do ta kisha nisur LG. Keq qe s’mundem. Duhet te kem te pakten qe nga pranvera e 2009 mbas nje teme lidhja e te ciles nuk eshte sjelle, qe me ka shkuar ndermend.
Shprehja origjinale, e Zechariah Chafee Jr. tek “Freedom of Speech in War Time” qe gjendet online, (diku rrotull faqes 956 aty ku e kam lexuar une- e mbaj mend se e rilexova serish), e shqiperuar thote se, liria juaj per te tundur duart mbaron aty ku fillon hunda e tjetrit.
Por duhet te jete nje gjykates mbi palet ai qe do ti jape dum ceshtjes.