Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

THANËT E NASTRADINIT

Tema që hapëm para pak ditësh, për raportin mes përshkrimit dhe parashkrimit në gjuhësi dhe veçanërisht në leksikografi – ose në kriteret e zgjedhjes dhe paraqitjes së fjalëve në fjalorët – m’u kujtua sot, kur vura re, rastësisht, se fjalorët e shqipes, si ai drejtshkrimor në MS Word, ashtu edhe Fjalori i Shqipes së Sotme dhe disa fjalorë dygjuhësh që kam, nuk e pëlqejnë fjalën kinezçe, por rekomandojnë, tërthorazi, të përdoret kinezisht në vend të saj.

Tani, unë gjithë jetën nuk e kam përdorur ndonjëherë këtë kinezisht në ligjërimin e folur; sikurse nuk kam përdorur as koreanisht, bie fjala; dhe nuk kam dyshim se në regjistrin e folur mbizotëron forma kinezçe; mirëpo ja që qëndrimi “zyrtar” i leksikografëve paska qenë që këtë fjalë ta shpërfillin deri në atë pikë, sa ta lënë krejt jashtë fjalësit – unë do ta kisha futur, me shënimin bised., për ta orientuar përdoruesin e fjalorit, të paktën, për regjistrin.

Kur lihet jashtë një fjalë e përdorur shumë dhe rëndom, zakonisht pret që dikush të ngrejë zërin dhe të protestojë për varfërim të qëllimshëm të shqipes standard; këtë e kanë bërë, për mendimin tim në mënyrë të tepruar, me fjalët kinse me burim nga gegërishtja, që nuk kanë përgjegjëse në toskërishte. Megjithatë, nuk pres që të protestojë kush për kinezçen, dhe jo ngaqë ekziston krahas saj fjala kinezisht, po për arsye thjesht ideologjike.

Që nuk kanë të bëjnë me maocedunidenë, natyrisht.

E fshehta e këtij qëndrimi përjashtues qëndron te prapashtesa çe, e cila është me burim nga turqishtja (osmanishtja); dhe në shqipe përdoret jo vetëm për të shënuar ndajfolje (dhe emra) gjuhësh, si kinezçe, koreançe, turçe ose dialektesh (tironçe, dibrançe, shkodrançe, beratçe, dogançe), por edhe për ndajfolje të tjera të ngjashme, si labçe, vendçe, fshatçe, hajdutçe, katundçe, derrçe, etj.*

Kjo prapashtesë në shqipe ka bërë dy mëkate: jo vetëm ka hyrë nga një gjuhë e padëshiruar dhe ka mbetur ashtu sans papier, por edhe është treguar produktive në gjuhë, duke “u martuar” dhe “bërë fëmijë” me tema shqipe – sikurse në shembujt e mësipërm, të cilat janë fjalë të formuara brenda shqipes, ndoshta me përjashtim të turçe.

Qëndrimi i ka disa analogji me racizmin, sa kohë që ua mohon qytetarinë jo vetëm elementeve gjuhësore “të huaja”, por edhe fryteve të martesave të përziera.

Të kish qenë për puristët, këta do të kishin dëbuar nga gjuha jo vetëm kinezçen dhe turçen, por edhe ndajfoljet e tjera; po të mos ishte për një konflikt interesash, të natyrshëm, midis dëshirës për pastrim dhe vullnetit për t’u dhënë prominencë, në ligjërim dhe mendim, elementeve me burim thjesht popullor ose të tabanit (obobo, më shpëtoi një tjetër orientalizëm). Fjalë si labçe, vendçe, fshatçe shpëtuan pa u internuar jo sepse ishin “të bukura”, por ngaqë lidheshin me mendësinë tipike populiste, duke përshkruar veprime dhe mendësi karateristike për njerëzit e thjeshtë, të bazës, mundësisht të fshatit që rrethonte qytetin. Nëse kjo i vlente anti-intelektualizmit të regjimit dje, atëherë do të toleroheshin edhe mercenarët, si kjo prapashtesë –çe, e vënë papritur në shërbim të çështjes. S’ka rëndësi se ç’ngjyrë kanë macet, pat thënë Ten Hsiao Pin-i; mjaft që të na hanë minjtë.

E keqja me ndërhyrjet në gjuhë, sipas një kriteri jo funksional, por ideologjik, mbijeton edhe kur kriteri vetë vjetërohet; edhe sikur një fjalor përshkrues i shqipes, nesër dhe në emër të besnikërisë ndaj usus-it, të pranojë forma të tilla si kinezçe ose koreançe, krahas atyre librore kinezisht dhe koreanisht, qoftë edhe duke i pajisur me shënimin përkatës për regjistrin, shumëkush që do ta pikasë këtë dhe që do të ketë përgatitjen e duhur në fushën gjuhësore, mund ta interpretojë këtë si “hapje” ndaj orientalizmave në shqipe; madje edhe të kërkojë dorën e islamikëve në leksikografi. Një ideologji më kollaj ia lë vendin ideologjisë së përkundërt, sesa pranon të vyshket dhe të zhduket krejt.

Në të vërtetë, –çe u ka rezistuar përpjekjeve për ta dëbuar nga shqipja e njësuar, duke u fortifikuar më shumë në ligjërimin bisedor, aty ku shqipja e njësuar jep e merr rrjedhshëm dhe lirshëm me të folmet. Përpjekjet për ta zëvendësuar me –isht janë ndërlikuar edhe ngaqë –isht si prapashtesë ndajfoljesh është e mbingarkuar në shqipe. Të krahasohet kjo, për shembull, me suksesin e zëvendësimit të disa emrave të vepruesit me -xhi, si hekurxhi (këtu po kufizohem vetëm në format hibride, ose në martesat e përziera), falë ekzistencës në shqipe të një numri alternativash (-ar, -tar, -or, -tor, -(ë)s, etj.) për emra vepruesish dhe profesionesh.

Nëse ­–çe i përket tashmë regjistrit bisedor, aq më mirë; shqipja ka nevojë të ngutshme për kristalizim të mjeteve gjuhësore të këtij regjistri, që janë të pavarura nga të folmet; ose që e dallojnë regjistrin si bisedor pa iu referuar doemos elementit dialektor ose nëndialektor atje; sepse këto mjete gjuhësore do të përdoreshin lirisht, paskëtaj, në tekste letrare, që nuk kanë të bëjnë me dialektin, sidomos në përkthimet. Kështu, në ligjërimin bisedor të Tiranës ka shumë elemente të të folmes së Tiranës (nëndialektit); por do të ishte tej mase qesharake, që ta vije një personazh të një romani të përkthyer të fliste tironçe, vetëm e vetëm ngaqë në origjinal ai fliste në regjistrin bisedor të shtresës dhe të kohës së vet.

Fjalët dhe format gjuhësore të huazuara nga osmanishtja (turqishtja + arabishtja + persishtja) mund ta luanin për bukuri këtë rol pasurues, sepse ato nuk i lidh dot me këtë apo atë dialekt ose gjeografi kulturore – në një kuptim, sado paradoksale të lexohet kjo, ato e bashkojnë shqipen njëlloj sa edhe fondi i përbashkët leksikor dhe gramatikor i dialekteve (bakllava, pilaf, dyshek, tenxhere, sheqer dhe barut ka edhe në veri edhe në jug, edhe në mal edhe në fushë, edhe në qytet edhe në fshat).

* Shënim: kjo prapashtesë nuk duhet ngatërruar me homonimin e saj, çe, që ndeshet në emra të tillë si birçe, nipçe, topçe, Lamçe (nga Islam), Braçe (nga Ibrahim) dhe që, sipas Xhuvani-Çabej ka hyrë në shqipe nga bullgarishtja, si prapashtesë zvogëluese.

Pa Komente

  1. Italisht: coriandoli (kotijone, copa letrash të vogla ngjyra-ngjyra që hidhen në ajër për festa, në karnavale p.sh.) = anglisht, confetti.
    Italisht: confetti (sheqerka, bonbone) = anglisht, coriandoli.
    Është e qartë këtu që anglezët, kur i thonë, kanë ngatërruar kekun me byrekun. Megjithatë, askush nuk “guxon” t’i korrigjojë këto fjalë, por i kanë lënë ashtu edhe sot e kësaj dite!

  2. Ndofta eshte ceshtje eponimi.

    Coriander eshte nje lloj majdanozi – kinez e quajne ne pergjithesi, por e kam pare te perdoret me teper ne guzhinen europiane se sa ate kineze

  3. ”E keqja me ndërhyrjet në gjuhë, sipas një kriteri jo funksional, por ideologjik, mbijeton edhe kur kriteri vetë vjetërohet; ”

    Po gjuha eshte produkt i ideologjive dhe jo i funksionalizmit, si mund te jete funksionlja>ideologjikja ?

    A nuk hyne ato fjalet turke sepse ideologjia shekullore ishte e atille ?
    A nuk debuan ato shume fjale paraturke ?
    A nuk po debohen sot shume fjale, pavaresisht prejardhjes nga ideologjia sunduese ?

    Ideologjia vepron ne nivel funksional, sepse eshte funksionale t’i bindesh ideologjise.
    Gjuha nuk hecen per hesap te vet, ne baze te nje funksionalizmi abstrakt si motor, kur dihet fare mire qe funksionalizem do te thote ‘ne funksion te’.

    Gjuhet jane pasuruar me shume kur kane qene ne funksion te nje ideologjie shteterore apo fetare, e cila ka qene mbeshtetur tek ajo gjuhe.

    Elementi i huaj nuk hyn si funksional por si ideologjik. Nuk ka kuptim te thuhet se nje fjale hyn si funksionale ne vetvete, nqs ajo fjale ka hyre si pasoje e nje hegjemonie politike, ekonomike apo kulturore. Ajo hyn si funksionale per vete, dmth behet funksionale sepse nevojitet ne marredheniet me fuqine hegjemone.

    Ne mund te marrim sot fjalen ‘mouse’ (megjithese as e kam idene si shkruhet zyrtarisht), qe mund te duket si kryefunksionale se kompjuteri eshte teknologji e re, por ama ne mund ta zevendesojme edhe me kinezçen/kinezishten nqs Kina behet neser fuqia hegjemone.

    Ruajtja e huazimeve qe burojne nje ish-ideologji sunduese, rrjedh jo ngaqe ato jane funksionale ne vetvete, sepse s’ka asnje fjale funksionale ne vetvete dhe kete e deshmojne asimilimet gjuhesore qe kane sjelle zhdukjen e gjuheve te shumta pergjate historise, por sepse ato arrijne te integrohen si pjese e tradites.

    Dime fare mire se zhvillimi i nje gjuhe lidhet perpjestimisht me fuqine politike te bartesve te asaj gjuhe, sa me e dobet fuqia politike aq me e varfer dhe pre e huazimeve eshte, sa me e madhe fuqia politike aq me e pasur dhe huadhenese eshte ajo gjuhe.
    Perveç ndonje rasti te rralle (qe s’po e gje dot) gjithe gjuhet me te zhvilluara te gjalla apo te vedukura, si fazen me te sukseshme kane ate ku bartesit e saj formojne nje polis hegjemon.

    Varferia leksikore e shqipes lidhet me historine e te qenit vend pesues i hegjemonise dhe jo vend hegjemon. Mund te rreshtohen nje thes me shembuj qe vertetojne tezen.
    Cdo trajtim tjeter mua me duket i tepert, si tip ushtrimi intelektual per te mbajtur trurin ne forme.

    Prandaj, si perfundim, ne duam shqipe me fjalor te pasur, te behemi politikisht te fuqishem. Meqe s’kemi takat, atehere te bejme minimumin e duhur per shqipen, ta ruajme nga ideologjite sunduese dhe gjuhet me te cilat ato ideologji vijne, si dhe te nxisim filozofine dhe poezine, qe jane mjetet kryesore te pasurimit te gjuhes nga perpunimi i saj e jo nga importi ( i cili eshte gjithnje ideologjik, llafi qe bie ,s’kam pare ndonjehere import fjalesh nga eskimezçja,- per peshkun do e kene fjalen ata-).

    1. Nuk ma ke kuptuar mirë argumentin.

      Ja edhe një herë: e dimë si hynë orientalizmat në shqipe. E dimë edhe si u luftuan.

      Tani, krijohet një mundësi për t’i rekuperuar disa nga këto orientalizma, nga ligjërimi bisedor dialektor, në ligjërimin bisedor letrar, kryesisht ngaqë i përdorim të gjithë, anembanë Shqipërisë dhe pavarësisht nga dialekti që flasim.

      Kjo mundësi s’ka lidhje as me anti-purizmin, as me filo-orientalizmin; por vetëm me nevojën për të kristalizuar një regjistër bisedor të shqipes letrare, që të mos jetë dialektor, siç ka qenë deri më sot.

      Statusin bisedor orientalizmat e kanë tashmë; por unë flas për statusin bisedor edhe brenda ligjërimit letrar, p.sh. në një roman.

      Megjithatë, kushdo që do të futë orientalizma në tekstet e veta rrezikon të tregohet me gisht si filo-oriental, sepse statusi i këtyre fjalëve tashmë është ideologjizuar krejt, por edhe pa ndonjë arsye.

      Këtë kisha parasysh, kur shkrova se “E keqja me ndërhyrjet në gjuhë, sipas një kriteri jo funksional, por ideologjik, mbijeton edhe kur kriteri vetë vjetërohet.”

      1. Ne fakt, une edhe kete e kam thene, qe gjuha e shkruar (zyrtare) s’ka gjasa t’i shpetoje efektit ideologjik, prandaj orientalizmat nuk mund te integrohen, sado mbarekombetare te jene.

        Sikunder e kemi biseduar edhe me pare, lufta ndaj tyre ( e cila behet edhe me venien e gishtit ndaj perdoruesit) gjen mbeshtetje te gjere per shkak te ndryshimit te boshtit ideologjik nga Lindja drejt Perendimit, ku purizmi nacionalist, thjesht gjendet ne anen e Perendimit, jo se i mbivendoset dot atij.

        Ne s’kemi aftesi per te treguar subjektivitetin tone, prandaj si çdo vartes i zellshem, do te mbajme anen e eprorit. Eprori na kerkon heqjen e orientalizmave, ne i bindemi. Perpjekjet tona kunder eprorit, qofte ne kendveshtrimin purist e qofte ne riperfshirjen e orientalizmave, jane te deshtuara qe ne lindje.

        Ideologjia sunduese riprodhohet nepermjet zoterimit te anes formale te gjuhes, sepse nepermjet saj kalon elita/paria. Se ç’ben populli i thjeshte, sa orientalizma e kinezerira perdor eshte pa interes, persa kohe qe keto nuk cenojne anen formale. As per sherret dialektore nuk ia ndien.

        Avantazhi qe ka shkodranishtja eshte ne dy nivele ideologjike, ate te epermin, si gjithnje properendimore dhe ate te poshtmin si patriotike dhe antikomuniste. Prandaj, edhepse ka pak foles e me pak shkrues, po perparon gjithnje e me tej ne luften ndaj standartit.
        Nese do te zoteronte anen formale, do te arrinte deri ne gjueti shtrigash ndaj orientalizmave.

        Pasurimi i gjuhes, pavaresisht se paraqitet gjithnje si argument i painteresuar ideologjikisht ne shumicen derrmuese te rasteve, shfrytezon te qenit argument i lavderueshem e i pranueshem nga te gjithe, per te shprehur anesine ideologjike.

        Ky do te skualifikohej menjehere si argument retorik, ne rast se nuk do te ndiqej me menyren e pasurimit. Ketu pastaj shihet se mbi ç’baza ideologjike mbeshtetet pasurimi.

        Tani, ne rastin tend, nqs nuk ke vertet baza ideologjike atehere nuk ke per te ndikuar ne opinionin publik, ne rastin me te keq per ty, do te te perdore njera pale per interesat e veta, duke te te cituar poshte e perpjete. Meqe kjo eshte nje fushe me interes, kane per te te perdorur prolindoret dhe kane per te rrudhur buzet properendimoret ( po xha xhai ç’i ka keto, ose duke bere muhabet per majdanozin).

        Per mendimin tim gjuha e shkruar eshte nje kurth per pershkruesin qe del jashte mjedisit akademik.

        1. P.s ne rast se do e perdoresh argumentimin kunder purizmit do te te mbeshtesin shume nga kozmopolitet, pavaresisht se jane properendimore, e do behet nje gjullurdi ideologjike, ku s’merr vesh i pari te dytin.
          Pershkruesi ndodhet ne nje gjendje te ndere, ku duhet te vere duart para, me premisa pas premisash, me shpresen qe te te mos e perdorin per interesa ideologjike, nje shprese e vaket, me thene te drejten.

        2. Thua:

          “Ideologjia sunduese riprodhohet nepermjet zoterimit te anes formale te gjuhes”.

          E zeme se eshte keshtu. Problemi qe shtrohet eshte me natyre historike dhe per pasoje IDEOLOGJIKE. Sipas ketij pohimi tendit, toskerishtja eshte posedimi i komunizmit ne perpjekjen e tij rigjeneruese dhe riprodhuese. Pra Shqipja Totalitare eshte nje toskerishte zyrtare? Ky eshte nje fakt me natyre politike te pamohueshme perderisa ti dhe shume si ty e thone kete. Si atehere bartesit e ideologjise se re sunduese, ne zoterimin e anes formale te gjuhes tjeter- gegnishtes- do te arrijne objektivat themelore per te cilat edhe kane ardhur ne ekzistence historike? Si pra shkodranistet filoperendimore dhe patriotet e Zanafilles do te arrijne qe edhe te vendosin sundimin gjuhesor, por edhe te rikompozojne permasen e kombit shqiptar dhe te krijojne Shqiperine etnike? Si do t’i pajtojne keto objektiva qe kane ne themel nje kunderti tashme imanente meqe historia ka shenjuar ndergjegjen tone? Si, nje shkodranist si ty, apelon per unitet dhe rinovim kombetar kur i drejtohet nje tosku, vetem pse eshte i tille, si bartes i veseve politike te Diktatures komuniste? Po flas me parametrat e tu. Nese eshte keshtu, atehere shkodranishtja eshte subversion ndaj toskerishtes ne planin ideologjik dhe neser toskerishtja eshte radikalisht kunder shkodranishtes se ngritur ne nje piedestal qe nuk ta jep gjuha. Thashe me lart gegnishtja si gjuhe tjeter. Dhe ajo e fiton kete natyre nese mvishet me mantelin ideologjik. Une mendoj se gjuha ka si te thuash stratigrafine, shtresezimin e vet historik dhe aktualiteti i saj eshte ne parim nje kapitull historik. E ke pare ate shqiponjen me dy krere? Keshtu si flet ti, vendoset nje vize ne mes te saj, e holle si lumi ne harte.

          1. Shiko xha xhai mori çmimin ”Gjergj Fishta” nga nje juri qe kish ne krye Mark Markun, nuk mori çmimin ”Naim Frasheri” nga nje juri qe kish ne krye Celo Picarin .
            Pastaj xha xhai u perpoq t’i jepte drejtim neper intervista, po ehe e kish marre ferra uraten, nja 99% e gjuhetareve toske ia bënë benë.
            Po nuk eshte gje e re per te, dmth i ka ndodhur dhe do t’i ndodhe qe punimet e veta, do t’i perdore dynjaja per konsum ideologjik.

            Une ne fakt verej, nuk mbaj qendrim, je ti qe po supozon qendrimin tim. Qe t’i jap edhe une drejtim, qendrimi im eshte asnjanes dmth per mua le te fitoje kush te doje, mjaft qe te mos u jepen rremave kunder bashkimit kombetar.

            Tani a eshte standarti i sotem produkt ideologjik ? Patjeter, ashtu do te jete edhe ai i nesermi e i pasnesermi. Per mua filli i fundit moral qe e mban gjalle, pertej politikes se forces kuptohet, eshte ai i te qenit standart i kombit, sikunder e kam shpjeguar ne temen pararendese.
            Nderkaq, peshen e madhe te garancise se tij per mbijetese e mban politika e forces, dmth revoltimi masiv e i gjithanshem sa here qe flitet per ndonje modifikim te tij.

            Problemi qe kam une me politiken e forces si garante eshte se forca eshte ne parim antikombetare, qe jo vetem rihap e thellon plage te vjetra, por hap edhe te reja.

            Problemi i shkodranishtes si standart i kombit eshte separatizmi katolik, i cili e pengon te kete sukses mbarekombetar. Separatistet nuk jane te besueshem si udherrefyes te kombit, megjithate sa me shume bie pesha e ideologjise nacionaliste, aq me shume fuqizohen separatistet.
            Nqs ne vend te udherrefyesve te kombit na nevojiten udherrefyesit e shtetit ne rrugen drejt asgjesimit te tij brenda Europes, shkodranishtja do ishte kandidate teper serioze. Ne fakt, une vetem brenda kesaj hipoteze e shoh shkodranishten triumfuese. Eshte per t’u pare nese Eproret tane kane vendosur t’i asgjesojne shtetet apo jo.

  4. Vetëm sa për informim: Te ne këndej nga Kosova nuk e përdor kush variantin “kinezçe”. Kinezët tanë veç kinezisht flasin…

    1. Informim i panevojshëm.
      Në Kosovë thonë edhe “turqilesha” apo “gjermanesha”. Unë kur e kam dëgjuar për herë të parë jam pataksur dhe mendova se po talleshin. Po të mos e kisha dëgjuar, nuk do ta kisha besuar. Ndoshta Gjini duhet të familjarizohet me përfytyrimin, se hapësira shqipfolëse është aq e madhe dhe e larmishme, sa që çka për të është re për Gjinin, ekziston dhe ka ekzistuar pavarësisht nga mundësitë perceptive të tij.
      Edhe diçka jashtë gjuhësisë. Nëse në kryeqendrat e lëvrimit të shqipes së folur si Tirana dhe Prishtina do të duhej të vërehet, se si kanë evoluar fjalë, që rrënjët e tyre i kanë në Kinë dhe për më tepër si si janë ngarkuar ato emocionalisht ne vijim të përvojës shqiptaro-kineze të viteve ’60 e ’70, kush pretendon të jetë i informuar historikisht e politikisht do të duhej të dinte, se shqipja bisedore e Tiranës dhe ajo e Prishtinës janë jashtëzakonisht larg njëra – tjetrës.
      Pastaj pse gjithë ky negativizëm dhe kjo armiqësi. Shkrimi ishte i mirë dhe kishte një pikësynim tjetër. Madje vëzhgimi i autorit ishte i hollë, origjinal, shkencërisht i përfaqsueshëm dhe në përgjithësi me një largpamje afatgjate. Së fundi, e thënë shkurt: “E ç’ë pastaj se në Kosovë i thonë kinezisht?”

      1. Fjalen ”turqilesha” e kam degjuar vetem nje here, tani vone.Jo ne Kosove por ne Gjermani.E pyeta gruan se a e kishte degjuar fjalen ”turqilesha”,me tha se askush nuk thote keshtu, kurre nuk e kishte degjuar.
        Fjala ”turqeli” perdoret. Si duket dikush ka dashur t’ia gjeje partneren kesaj fjale dhe keshtu kane krijuar formen ”turqilesha”.

        Nuk e perjashtoj aspak se ne Kosove thone edhe kinezçe, siç thone ”pejonçe”.

        Shqiptaret e te gjitha viseve ku shtriheshin ata ne Jugosllavi, takoheshin kur kryenin sherbimin ushtarak. Aty degjonin njeri tjetrin si flasin dhe qeshnin e perqeshnin njeri tjetrin. Takime ne ”nivel kombetar” ndermjet shqiptareve beheshin edhe ne burgje. Por keto takime ishin takime burrash.Kontakti me i rendesishem dhe me i perzgjedhuri, ku merrnin pjese te dy gjinite, behej ne Universitetin e Prishtines.Aty, per te paren here, ishin edhe vellezerit shqiptare nga Shqiperia meme, profesoret e Universitetit Shteteror te Tiranes.

        Ne nje regjion te Kosoves, ne Llap, e perdorin tingullin ö, siç e ka gjermanishtja.
        Nje student nga Peja e pyet nje studente nga Podujeva:

        – a thuani ju te Llapit pö?
        – jö! – i pergjigjet llapjanja.

        Qe nga vitet ’90,shqiptaret nga te gjitha viset jane takuar ne diaspore.

        Dhe, me ne fund, kontakti me i gjere i mundshem, behet ne internet.

        A pö jö?

      2. Ç’armiqësi, pifto? Unë thjesht shpreha një mendim, pa më të voglin qëllim të keq. Në asnjë çast nuk thashë që njëra është më shumë, e tjetra më pak legjitime. Armiqësitë dhe paragjykimet kërkoji te vetja jote. Miqësisht!

        1. Gjini,

          Mua më vjen shumë keq, që një artikull, që kishte për qëllim evidentimin e orientalizmave të përbashkëta në të folurën bisedore në disa dialekte të shqipes degjeneroi falë ndërhyrjes tënde të gabuar dhe jashtë teme, që shpërdorua pastaj në maksimum nga një askush për të shkatërruar diskutimin.

          Konstatimi yt:
          “Vetëm sa për informim: Te ne këndej nga Kosova nuk e përdor kush variantin “kinezçe”. Kinezët tanë veç kinezisht flasin…” ishte një kundërvënie frontale ndaj autorit, pasi ti i hoqe një argument bazë, ku ai mbështeste tezën e tij. Jo se nuk duhej ta bëje; për hatër të Zotit!

          Megjithatë nuk mund të deklarohesh që nuk kishe asnjë qëllim të keq, pasi të mirin nuk po e shoh kund, ndërkohë që edhe informacioni që përcolle nuk ishte i saktë. Pastaj vërtetë që nuk është më koha, që dikush të shkruaj dot me siguri absolute: “te ne këtej nga Kosova…”, pasi Kosovën nuk e ke vetëm ti përpara shtëpisë, por edhe unë dhe këta kosovarët e mi thonë edhe “kinezçe”. Ja që Gjini e ka gabim!

          Këtu e ke “kinezçen” si emërtim gjuhe në tekste nga Kosova:
          http://kosovaliks.com/kurioziteteee/3084.html
          http://kosova.wikia.com/wiki/%C3%87am%C3%ABri
          http://kosova.wikia.com/wiki/Anglishte

          Ja ku e ke edhe këtë pejanin që përdor “kinezçe”:
          http://www.trepca.net/kultura/zemaj_2/0_parathenja_zemaj_libri2.htm

          Mirë do të ishte, që t’i heqësh këpucët tek dera e blogut (u çorr i zoti për këtë) si dhe bëji vend vetes atje përpara se të kërkosh qimen në vezë.

          1. Nese me lejohet nje verejtje e vogel.

            Thote Pifto : “..degjeneroi falë ndërhyrjes tënde të gabuar dhe jashtë teme…”

            Dhe me pas thote : “…ishte një kundërvënie frontale ndaj autorit, pasi ti i hoqe një argument bazë, ku ai mbështeste tezën e tij. Jo se nuk duhej ta bëje; për hatër të Zotit!”

            Tani mua me duket sikur keto te dyja bashke nuk shkojne. Ose ke dale nga tema, ose ke luftuar ARGUMENTIN BAZE te autorit, qe per hater te Zotit nuk ke pse nuk e ben.

            Vetem nese te luftosh argumentin baze te autorit na qenkerka dalje nga tema…

            A pö jö?

            1. pëshpëritës,
              ishte diçka që kuptohet lehtë, po të më mos më lexosh anapolla.
              Unë nuk tërhoqa vëmendjen, se Gjini “luftoi” argumentin por që “e hoqi” atë. Të luftosh një argument do të thotë të rendisësh diçka logjike për ta kundërshtuar. Ndoshta mua më ka shpëtuar e mbase ma tregon ti, se ku dhe kur ka ndodhur kjo.
              Tani, po qe se edhe ti do të kërkosh qimen në vezë, të lutem përqendrohu pak tek dallimi thelbësor midis asaj ç’them unë dhe asaj që më vë ti në gojë. Gjini shkoi dhe i hoqi një tullë nga themeli ngrehinës dhe për rezultat ajo erdhi dhe u shemb.
              E hoqi pa lidhje përshpëritës. E hoqi pa kompetencën e nevojshme lëndore. E hoqi se ashtu ju tek. Autori e ftoi që ky të shprehej diçka më gjerësisht (kur i kërkoi të uruarat “kredenciale”), por ai heshti. Pse e bëri, puna e tij. “rechthaberisch” ju kthye diskutimit pa reflektuar, megjithëse u shkëlyem ne të tjerët duke i thënë: “shiko i dashur, se po nuk ke dëgjuar ndonjëherë “kinezçe” në Kosovë, ka mundësi të jesh shurdh, ngaqë faktet tregojnë diçka tjetër”.
              Mua personalisht më vjen keq shumë kur dikush që i bie rruga këtej prish ç’ngrihet. Më duket mungesë kulture qytetare.
              Natyrisht që u stërzgjat si diskutim, por ama ca gjëra nuk mund të lihen pa u quajtur të paktën me emrin e vet, ndër të tjera edhe për hir të respektit për punën e tjetrit.
              Tani më bëj edhe ti një nder dhe ose me cito ato ç’kam shkruar, ose mos shpik sepse sinqerisht nuk ta kam ngenë.
              Më e mira do të ishte, sikur mos thuash asgjë, se nuk po më dukesh si me Hënë të mirë.

            2. Kurse une jam i mendimit qe argumenti ra se lufta ishte e panevojshme.

              Tani, vertete ndonje edhe mund te thoje kinezce ne Kosove, pohimi absolutist i Gjinit mund te quhet i nxituar, por me thuaj ti, a nuk eshte kjo te kerkosh qimen ne veze ?

              Vete Xhaxhai shprehet ne shkrim : “Kur lihet jashtë një fjalë e përdorur shumë dhe rëndom, zakonisht pret që dikush të ngrejë zërin dhe të protestojë për varfërim të qëllimshëm të shqipes standard”

              Edhe nje here, ndonje edhe mund ta perdore ne Kosove, por qe nuk eshte fjale e perdorur shume dhe rendom besoj se biem dakort apo jo ?

              Dhe me vjen keq qe po ta them, sinqerisht, por ndryshe nga ti qe nuk ke kredenciale dhe shprehesh “E ç’ë pastaj se në Kosovë i thonë kinezisht?”, Xhaxhai, qe kredencialet i ka me bollek, e di mire sesa peshe ka Kosova ne zhvillimet gjuhesore te shqipes.

              Ne fund te fundit po flisnim per nje fjale qe i tejkalon dialektizmat e me the te thashe, dhe ishim te regjistri bisedor, apo jo ? Ja qe kjo nuk i permbushka kushtet.

            3. Në fakt, unë ende nuk jam bindur që format e tipit kinezisht nuk janë futur në shqipen e Kosovës nga lart dhe relativisht vonë, si letrarizma ose neologjizma. Për këtë do t’i besoja një gjuhëtari të mirëfilltë vetëm; p.sh. sikur të ma shpjegonte këtë Besim Bokshi ose Rexhep Ismajli – sa kohë që s’i kam mundësitë të kërkoj vetë në ndonjë korpus leksikor përfaqësues.

            4. Plotesisht dakort Xhaxha, mund te jete keshtu. Nje mendim nga Shefkije Islamaj gjithashtu do kishte qene shume i vlefshem.

              Ti me kete te ishe marre keto 3 dite o i uruar, jo te kerkoje kinezce ne google per ti ulur hunden Gjinit dhe Anit 🙂

            5. Nese me lejohet … edhe mua… nje verejtje po aq e vogel.

              Ne gjithe kete “mesele” kemi te bejme me:
              -kualitetin e argumentit
              -paraqitjen (paketimin) e argumentit

              Xhaxhai u ofrohet temave, qofte ato te pergjithshme apo ato qe mbeshteten ne ekspertizen e tij, ne nje menyre te kthjellet, te rrjedhshme, shpesh deri ne elokuence, duke u perpjekur per ta bere diskursin e tij te kuptueshem per nje numer sa me te madh lexuesish apo diskutuesish.
              Madje, une do te shkoja me tej dhe do shtoja se metodologjia qe ndjek ai ne funksionimin e ketij blogu nuk eshte e rastesishme, dhe me duket se eshte pak e vleresuar.

              Besoj se eshte e drejte qe te kihet nje lloj pritshmerie edhe nga retorika e lexuesit dhe komentuesit. Jo nevojshmerisht ne argument, qe jo rralle mund te jete pertej ekspertizes apo kultures se tyre, por te pakten ne afrimin ndaj subjektit/ temes/ idese.
              Menyra e te shkruarit flet shume per menyren e te menduarit te shkruesit.

  5. Gjini, kur artikullshkruesi thote se “gjithë jetën nuk e kam përdorur ndonjëherë këtë kinezisht në ligjërimin e folur” dhe mandej e rreshton fjalen te regjistri libror, tregon se e merr vec veten per kriter mates, dhe jo ty. Per ty, kinezisht eshte bisedore sa s’ka, per te – librore.

    1. Shkruan:

      tregon se e merr vec veten per kriter mates

      Jo, i nderuar: unë nuk kam folur me veten.

      Vërtet, kam marrë si referim ligjërimin bisedor të Tiranës, kryesisht (ku kam lindur dhe jam rritur). Duke qenë Tirana kryeqytet i Shqipërisë, ose vend ku puqeshin shumë të folme dhe dialekte, zgjedhja ime është, të paktën, e arsyeshme. Dhe, gjithashtu, nuk di sa kredenciale ka Gjini në lëmin e gjuhësisë së zbatuar, që t’ia konsideroj ato që thotë si po aq të vlefshme sa edhe konstatimet e mia.

      P.S. Ani, të lutem mos shkruaj me pseudonime të ndryshme, sidomos kur futesh në polemika.

    2. Ani, e ke gabim kur shkruan “Per ty, kinezisht eshte bisedore sa s’ka, per te – librore.” Per mua “kinezisht” ishte edhe bisedore edhe librore.

  6. Gjini te tregoi se ne Kosove thone ‘kinezisht’. Kaq. Nuk do t’i besosh? Mire. Vazhdo me ‘kredencialet’.

    1. Jo, nuk i besoj – nuk operoj ashtu. Nuk e di kush është Gjini, nuk di se ç’kërkon (dhe nuk është se më intereson). Opinione ka gjithkush, po për fakte dhe përgjithësime duhen kritere të tjera. Dhe “kaq” konsiderohet fjalë e ndyrë në këto mjedise – prandaj kufizohu ta përdorësh atje ku ta pranojnë.

    2. Ani,
      autori e ftoi Gjinin tënd të shprehej me një kompetencë profesionale për temën në diskutim, për sa kohë ky ju kundërvu frontalisht pa u thelluar në argumente. Gjini yt vuri në dyshim pohimin kryesor të artikullit.
      Në Gjini nuk do t’i përgjigjet, apo nuk është i aftë për këtë, mbetet i pakuptueshëm kontributi yt. Prishja e diskutimit?
      Përpara si nja tre javëve u diskutua thellësisht lidhur me obsesionet destruktive të trollëve dhe konsensusi për momentin (të paktën në këtë blog) është, që gjithkush ka të drejtë ta prishë diskutimin, por jashtë gardhit ama.

  7. Nejse, mosdija se ne Kosove thuhet vetem ‘kinezisht’ flet mjaft per kredencialet e tua. KAQ kete here.

    1. Po unë as ty nuk të besoj, dhe ty madje më pak se Gjinin (që të më falë, se nuk më ka asgjë borxh); sepse ti, përveçse inatçor, je edhe kapadai, dhe kapadaiu është gjithnjë i paditur.

  8. More, mos i beso askujt, kjo tregon se nuk je per zanatin e gjuhetarit, kot i ke hyre kesaj pune. E diskuton fjalen ‘kinezisht’ dhe nuk di me themeloren: se ne Kosove, Maqedoni, Serbi jugore e Mal te Zi, shqiptaret gjithandej keshtu i thone gjuhes se kinezeve. Kjo eshte njohuri themelore per secilin shqiptar sot, nuk ka nevoje te jete fare i futur ne ujrat e gjuhesise i futur. Ti ke marre me vete shqipen e periudhes se izolimit dhe si duket te ka mbetur ora ne ate periudhe. Te tjeret nuk kane nge per nostalgjite e tua.

    1. Sot një kalama, me një motor kërkimi rudimentar, mund ta përgënjeshtronte këtë që thua: “që shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Serbi Jugore etj., gjithandej i thënkan kështu ose ashtu…” Do të përpiqem të ta faktoj edhe unë pak më vonë, që kalama s’jam – por më pëlqen t’ia nxjerr bojën kapadaillëkut tënd, si ushtrim aerobik.

      Edhe një vërejtje tjetër, disi më teorike: kurrë mos u përpiq, sidomos në këto tryeza, që të vërtetosh një negative: “në Kosovë nuk thuhet kështu…”. Negativet nuk mund të vërtetohen dot, sikurse e mësoi, me pasoja të hidhura, edhe Sadam Husseini, këtu e ca vjet të shkuara, kur i thanë që ta vërtetonte se në Irak nuk ka armë të shkatërrimit në masë.

      1. Mire, vertetoje me nje makine kerkimi qe NUK thone ‘kinezisht’ andej.
        Mundohu ta vertetosh negativen. Po pres.

        1. Gjini tha:

          Te ne këndej nga Kosova nuk e përdor kush variantin “kinezçe”. Kinezët tanë veç kinezisht flasin…

          Ani pastaj tha:

          Nejse, mosdija se ne Kosove thuhet vetem ‘kinezisht’ flet mjaft per kredencialet e tua. KAQ kete here.

          Si Gjini, ashtu edhe Ani, më thanë se në Kosovë thuhet vetëm kinezisht.

          Shpresoj të jemi dakord deri këtu: flasim për shtrirjen e fjalës “kinezçe”, si fjalë të ligjërimit bisedor.

          Unë këtë ekskluzivitetin tuaj nuk e besova dhe as tani nuk e besoj. Dhe për këtë do të sjell shembuj – të cilët vërtetojnë se në Kosovë thuhet edhe “kinezçe”. Kjo nuk e përjashton që në Kosovë të thuhet edhe “kinezisht”, madje kryesisht “kinezisht”; meqë “kinezisht” thuhet edhe në Shqipëri, madje është forma e rekomanduar nga fjalori. Shkrimi im kish të bënte me statusin e fjalës “kinezçe”, që unë e kujtoja si të mbarë shqipes.

          Ani pastaj tha sërish:

          E diskuton fjalen ‘kinezisht’ dhe nuk di me themeloren: se ne Kosove, Maqedoni, Serbi jugore e Mal te Zi, shqiptaret gjithandej keshtu i thone gjuhes se kinezeve

          Siç thashë, unë s’kundërshtoj që kjo fjalë mund të përdoret – është fjalë shqipe, madje e ka edhe Fjalori! Meraku im është te statusi i fjalës “kinezçe” – të cilën, sikurse më thatë, Kosova nuk e njihka.

          Ja, p.sh. në këtë faqe të “Koha.net”, që është media e Kosovës, do ta gjeni të përdorur fjalën kinezçe: Victoria Beckham, kinezçe.

          Ja edhe një faqe tjetër (http://kosovaliks.com/kurioziteteee/3084.html), nga Kosova, ku gjuha e kinezëve identifikohet qartë si “kinezisht”.

          Një shkrim nga Tahir Zemaj (besoj se është nga Kosova) ku përdoret gjithashtu fjala “kinezçe”, jo “kinezisht.”

          Kjo faqe e fesë islame, përdor gjithashtu fjalën “kinezçe”.

          Në fakt, unë nuk e kundërshtoj që “kinezisht” mund të përdoret gjerësisht në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kushedi ku tjetër (mbase edhe në koloninë arbëreshe të Zarës). Përkundrazi, ishit ju, Gjini dhe Ani, që më kundërshtuat çfarë thashë për kinezçen.

          Në fakt, me sa shoh unë, fjala “kinezçe” tashmë po përdoret; kushedi edhe nga trysnia që vjen prej kontakteve të vëllezërve nga Kosova me vëllezërit nga Shqipëria. Nga ana tjetër, nuk më rezulton që “kinezisht” të përdoret gjëkundi në ligjërimin bisedor në Shqipëri – por mund ta kem gabim; në një kohë që “kinezçe” ka hyrë tashmë në dialektet e Kosovës dhe jo vetëm në shqipen e njësuar që përdoret aty (ku ndikimi nga shqipja e Shqipërisë mund të jetë më i drejtpërdrejtë).

          Këtë ma mbështet komenti i mëposhtëm, i shkruar nga një kosovar (ashtu duket), edhe pse me banim n) anonim, i cili, nga sa duket, nuk e zotëron shqipen e njësuar (ai shkruan “qivilizimi”, jo “civilizimi”); dhe menjëherë më pas përdor formën “kinezçe”:

          Ne shtetet USA vetet ka demokracci, po nuk pretedoj te kemi dhe kusove,Mbasi nje shtet ka njerzit dhe nje kombe,nje gjuhe,prandaj asaj itakon te bashkoj kufijt me token Mam(albenia)dhe jo me SERBIN.Rofte Baca i madhe Clinton.Boll e kishin 4 vjet,Dhe tani vendosen hapur nje ambasad UTB ne tiran, te vjen per te qeshur, dhe per te qare.Ky esht shkombetarizimi qivilizimi Evropjan, Dmth njerzit te flasin Kinezce

          Për mua, ky koment është “the smoking gun”, ose provë që “kinezçja” flitet tash në Kosovë, pavarësisht kinezishtes.

          Tani ma provo ti atë negativen, Ani, se jam kurioz të marr vesh; por jo duke më sjellë shembuj të “kinezishtes” – se të tillë të sjell edhe unë për shqipen, që nga Fjalori i Akademisë.

          Google jep 51,100 hite për “kinezçe” dhe dhe gati 1,800,000 për “kinezisht”; kjo lidhet, besoj, me atë që “kinezisht” është e vetmja formë e sanksionuar si normative; por kushedi lidhet edhe me mbizotërimin e formës në mediat kosovare. Tani, nëse kjo formë, në shqiptarët e ish-Jugosllavisë, i detyrohet ndonjë forme hiperkorrekte, apo është vërtet burimore, unë nuk them dot gjë; as kam ndonjë të dhënë historike. Thjesht nuk e di.

          Por, që ta përmbledh se u hapa shumë: fjala “kinezçe” në Kosovë, Maqedoni e gjetiu po përdoret, pavarësisht se si e si pse (ngaqë kopjohen mediat e Tiranës, ngaqë fjala ka qenë përdorur gjithnjë, ngaqë pëlqehet, etj.); dhe sa kohë që përdoret, edhe në shqipen e atjeshme ekziston një mundësi për diferencim stilistik mes dy trajtave. Kur them që ndeshet, e them në kuptimin që një tiranas, bie fjala, vështirë se do të thotë ndonjëherë “qfarë.” Për fat të mirë, shkëmbimi i formave mes dy trevave po ndodh kryesisht në nivelin bisedor qytetar, jo në atë dialektor.

          Ani, negativen u mundove ta provosh ti (së bashku me Gjinin), kur mohuat që “kinezçe” përdoret në Kosovë. Nga shembujt që solla, më rezulton se përdoret. Ti fare mirë mund t’i kishe diskutuar këto përdorime (unë vetë do ta kisha mirëpritur atë prurje), në vend që të hidheshe për të më profilizuar mua (duke profilizuar ashtu veten).

          Si thua tani? Do vazhdosh më me ato kaq-et dhe ad hominem-et, që nga ferra, duke përfituar nga fakti që unë e vë reputacionin tim në linjë me çdo fjalë që shkruaj, ndërsa ti ngushëllohesh me statusin zero që të jep anonimiteti?

          1. Pasi kërkova pak në Google, më doli që artikulli te http://kosovaliks.com/kurioziteteee/3084.html është i huazuar, ndërsa për herë të parë është publikuar te http://albstroka.com/?p=16991 me autor Leonard Alikadriu, i cili ka gjasë të mos jetë nga Kosova.

            Përdorimi te “Koha Ditore” (“Victoria Beckham kinezçe”) më duket shumë interesant, meqë e shoh si tentim diferencimi në mes “kinezishtes” si emërtim gjuhe dhe kinezçes si ndajfolje. Victoria nuk flet kinezisht por vishet kinezçe. Edhe “kinezçja” që përdorin Tahir Zemaj dhe ajo faqja islame duket që nuk kanë të bëjnë me gjuhën e kinezëve. Dosido është vrojtim interesant, edhepse të gjithë këta shembuj janë nga gjuha e shkruar.

            Sa i përket atij komentit (“smoking gun”), mua nuk më duket edhe aq “smoking” përderisa nuk mund ta dijmë me siguri nëse shkruesi vërtetë është kosovar. Unë madje, pasi e lexova disa herë, mendoj që shkruesi i atij komenti shqipen ose nuk e ka gjuhë amëtare, ose së paku e ka mësuar si gjuhë të dytë.

            Sidoqoftë, shpresoj të mos ketë përsëri keqkuptime. Hoqa zi t’u bie mbrapa linqeve që ke postuar si shembuj, mirëpo jo që t’i zhvlerësoj ato, por vetëm nga bindja e bazuar në përvojën time që ai kosovar që e përdor fjalën “kinezçe”, ose nuk është kosovar, ose e përdor atë me një qëllim të caktuar para fjalës “kinezisht”.

            Vetëm mendimin tim po jap.

  9. Ju grinduni sa te doni per kinezçen e kinezishten, po mua me duket se edhe ne rast te shembullit te pagoditur, teza nuk bie poshte.

    Teza do binte poshte ne rast se s’ka asnje -çe ne Kosove.

    Sidoqofte, shqipja e kulluar jashte ndikimeve te huaja, s’do kishte as kinezçe e as kinezisht, por kinisht.
    Themi frengjisht, bullgarisht, greqisht, serbisht etj, e jo francezçe/francezisht bullgarezçe/bullgarezisht, grekezçe/grekezisht, serbezçe-serbçe/ serbezisht etj.

    Ne kete kendveshtrim, forma kinezisht nuk me duket as mish, as peshk, as sipas logjikes se shqipes e as si huazim, po nje perzierje e pakuptimte. Logjika e shqipes nuk ia jep qytetarine asaj fjale.

    Keto masat gjysmake, respektojme ca logjiken e shqipes e ca logjiken e shqiptareve, prodhojne rezultate gjysmake.
    Ne fakt, kemi nje lemsh te papare ne kete fushe, tani me ndikimin e anglishtes ka gjasa qe edhe bullgareve t’u themi bullgariane, hungareve/hungarezeve, hungariane etj.

    Nqs duam te zgjidhim lemshin e te tjerrim si duhet leshin, atehere logjiken e shqiptareve ta mbajme ne frigorifer per ca kohe e t’i japim perparesi logjikes se shqipes, se mesa duket te vjetrit qe i dhane jete logjikes se shqipes paskan qene me te logjikshem se brezat pasardhes, perfshire te sotmin.

    1. Loje e mire kjo qe provove. Vertetove se disa kosovare shkruajne ‘kinezce’, e mbase disa kane nisur edhe ta thone. Por te kthehemi te pohimi yt i pare se ‘kinezisht’ eshte fjale ‘librore’ e ‘kinezce’ fjale ‘bisedore’, pretendim ky qe del nga artikulli yt. Ketu ishte reagimi im fillestar. Gjini te tregoi se ‘kinezisht’ eshte krejt bisedore ne Kosove, e ti me keto kerkime po deshmon se edhe ‘kinezce’ del si fjale librore, derisa e gjen neper artikuj ne internet. Nese eshte me rendesi absolutizimi ‘vetem’ qe ben Gjini, e te cilin ia paskam marre edhe une, pse te mos jete me rendesi absolutizimi ‘bisedor’ kundrejt ‘libror’ i dy fjaleve qe emertojne gjuhen e kinezeve, te cilin e ben ti? Ti tani pohon “unë nuk e kundërshtoj që “kinezisht” mund të përdoret gjerësisht në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi”. Si pra, me gjithe kete njohuri, arrite ta perkufizoje fjalen ‘kinezisht’ si librore? Vetem pse ajo keshtu te duket ty? Ketu reagova une, thashe se ke veten si pikenisje. Na servir bindje te diktuara nga realitete gjuhesore qe i ke jetuar ne kohen e diktatures, duke vene veten ne qender. Me thuaj me c’kriter te del njera bisedore e tjetra librore, kur te dyja perdoren edhe ne shkrime edhe ne te folur. KAQ.

      1. Unë veç kundërshtova një pohim tëndin, krejt ekskluziv, se në Kosovë, në Maqedoni dhe në vise të tjera shqiptare në Ballkan nuk përdoret forma “kinezçe.”

        Sa për “kinezisht”, po t’i kthehemi fillit të arsyetimit tim, unë e quajta “librore” në kundërvënie me “kinezçe”, madje duke e futur në një sistem, brenda të cilit format me –çe deri më sot ishin luftuar deri në zhdukje, në një kohë që unë sugjeroja (edhe pse nuk ishte ky qëllimi i shkrimit tim) që të ruheshin dhe të nxiteshin si bisedore, për të ndihmuar kristalizimin e një leksiku bisedor në shqipen e shkruar, i cili ende është i brishtë, sidomos përballë dialektit.

        Leksiku bisedor në shqipen e shkruar – kjo është çështje kryesisht shkrimtarësh. Për dekada me radhë shkrimtarët, më shumë në Shqipëri por edhe gjetiu, kanë ndjekur rrymën realiste: “ta japim realitetin ashtu siç është”; duke i sjellë personazhet në dialekt (mimesis): dajë Ceni, bacë Hysa, xha Brahua, barba Jorgoja… nuk ka shkrimtar të respektuar të letërsisë shqipe, sidomos romancier, që të mos ketë kultivuar personazhe të tilla dialektore, fshatarë që rrethojnë qytetin, sidomos me urtësinë e tyre proverbiale.

        Sot kjo nuk shkon më, sepse dajave, bacave, xhajave dhe barbave ua kanë pirë lexuesit lëngun, sikurse ia kanë pirë lëngun romaneve që fillojnë kështu: “dielli ishte ngjitur dy hostenë, kur xha Hasani ia vuri kaut kularin.” Letërsia shqipe ka nevojë për leksik bisedor, të cilin duhet ta gjejë diku, dhe ta gjejë të tillë, që të mos i referohet pa tjetër dialektit. Dialekti (e folmja) tradhton origjinën, por sot origjina nuk pi ujë më. Sot duhet një formë gjuhësore që t’i përgjigjet statusit social, jo origjinës (nga ç’katund a krahinë vjen ti). Tema është shumë e gjerë, por sugjerimi im për rehabilitimin e orientalizmave të shqipes, për të ndihmuar në kristalizimin e ligjërimit bisedor, aty rrihte. Le të themi edhe “kinezçe” edhe “kinezisht”, jo vetëm “kinezisht,” si na këshillon Fjalori i shqipes së sotme.

        Një gjuhë e lëvruar, ashtu siç kërkon të jetë shqipja, i diferencon sinonimet absolute, edhe duke i vënë në rafte të ndryshme – kjo bisedore, ajo tjetra librore. Për mua, nëse do të diferencojmë mes “kinezçe” dhe “kinezisht”, nga kjo pikëpamje, sistemi e kërkon që ta trajtojmë “kinezisht” si më librore se “kinezçe”, edhe sikur “kinezisht” të jetë formuar spontanisht brenda të folmeve të Kosovës, gjë që unë e kam të vështirë ta besoj (gjithnjë më duket si formim neologjik i Rilindjes, që ka hyrë vonë në shqipen e Kosovës; them “më duket”, nuk kam argument). Por, edhe po të jetë ashtu, historia jo vetëm e shqipes, por e të gjitha gjuhëve, sjell shembuj sa të duash fjalësh popullore, që janë specializuar në përdorime librore. P.sh., vetëm nga shqipja, fjala “nen” (i Kodit Penal) është fjalë popullore, lidhet me “nyje”; por tani është specializuar si term juridik, pa çka se mbase gjendet ndonjë katund ose krahinë (pse jo, edhe në Kosovë), ku “nen” përdoret sot e kësaj dite me kuptimin “nyje” (ose artikulacion, p.sh. “neni i këmbës”).

        Sikurse e sheh, diskutojmë vërtet, por ti në një nivel, unë në një tjetër. Ishe që ngule këmbë se “kinezçe” në Kosovë nuk përdoret; të solla ca shembuj që i mblodha online, të cilat të provojnë se përdoret. Inati me siguri të ka mbetur, por argumenti yt u shfry tashmë. Nuk ishte as argument, por vetëm një opinion i rastit; prandaj u ktheve të më bësh biografinë intelektuale – burrni e madhe, të dalësh me maskë, dhe t’i drejtohesh tjetrit ad hominem; ekuivalenti post-modern i pusisë. Ca tradita komitësh sikur qenkan ruajtur vetëm për këtë ditë.

        1. Po, Xha Xha,eshte e vertete se fjala “nen” ka kuptimin “nyje”, kjo fjale haset gjithandej ne treven e Drenices,ndersa per “neni i kembes”,perdoret “nyelli i kembes”(dialektore).Po ashtu,jam plotesisht dakort se “kinezisht”, eshte futur brenda te folmes se Kosoves si nje produkt libror dhe relativisht vone.
          Nderkaq, fjalet me prapashtesen -çe ,jane me te rralla,p.sh:
          -Popullorçe
          -Pejançe, etj.

      2. Xhaxha,

        bëj sevap e lërë këtë njeriun në punë të vet. Ai e prishi diskutimin, humbi, tregon se është një humbës i keq dhe po i duket vetja i rëndësishëm, që dikush po i përgjigjet. Lërë të besojë ç’të dojë. Në qoftë se ti arrin ta bindësh këtë njeri me bindjen tënde, atëherë ai pushon edhe së ekzistuari, pasi vetmja mënyrë për të rënë në sy është që të ngulë këmbë që ai ka të drejtë.

        Natyrisht që në Kosovë e përdorin në formën bisedore “kinezçe”. Unë kam mbi 20 vjet që punoj si përkthyes dhe megjithëse “kinezçe” nuk kam dëgjuar ndonjëherë, kam dëgjuar “pejançe”, “gjakovarçe”, “turçe” madje rëndom edhe”gjermonçe”, që në Shqipëri nuk e përdorin. Sidoqoftë, dje më telefoni një bacë për punë përkthimi të ca dokumenteve dhe e pyeta: “ore, si i thoni ju gjuhës që flasin njerëzit në Kinë?” “Kinezçe” më tha (natyrisht pasi ja përsërita pyetjen nja 5 herë se nuk u orientua dot shpejt). Pastaj fola në telefon me Sevdeten nga Ohri, që e njoh prej shumë vitesh dhe e kam mike. “Kinezçe” më tha, ndërkohë që për “kinezisht” se është “pa lidhje”. Kolegun Xhorxho nga Mali i Zi nuk e kapa dot, por e njoh aq mirë dhe kemi punuar aq shpesh e gjatë bashkë, sa po të kishte përdorur ndonjë formë të tillë të pazakonshme, do të ma kishte vrarë veshin, si dikur kolegu P., gjuhëtar nga Tirana, i cili një herë në fillim të viteve ’90 përdori “shkodranisht” e më la aq mbresa, sa më kujtohet edhe sot.

        Megjithatë, megjithatë, megjithatë, ka një njeri, i cili e ruan përgjigjen ultimative të kësaj pyetje dhe që mund të shikohet në videon paraçerekshekullore të mëposhtme.

        http://www.youtube.com/watch?v=TsiylfEBUd8

        1. Unë asnjehere nuk isha ai që kembenguli per ndonje pohim. Nderhyra thjesht sepse kategorizimi i fjales ‘kinezisht’ ekskluzivisht si ‘librore’ nga ana jote, m’u duk qesharak. Madje edhe insistimi per ta cilesuar ‘kinezçen’ si ‘bisedore’, tashme qe vete gjete shembuj te perdorimit libror te saj, me duket krejt i pavend.
          Kur u kufizuam ne sasine e fjaleve qe regjiston fjalori? Me siper ti flet me “duhet”, nderkohe qe pranon se “leksiku bisedor eshte ceshtje shkrimtaresh”. Mos valle me kete “duhet” do t’u diktosh leksikun qe do perzgjedhin? Nese do te merresh me gjuhen e letersise, studioje. Nese leksik i tille shfaqet, evidentoje. Me duket tejet tendecioz vete mendimi se do te duheshe ta orientoje ti shijen e shkrimtareve ne perzgjedhjen e fjaleve. Fundja, sot verejme se mjaft nga letraret e veriut dhe te Kosoves po i kthehen dialektit ne krijimet e tyre. Kthim ne origjine?
          Nese i gjithe artikulli yt paska synuar te na thoshte “Le te themi edhe “kinezçe” edhe “kinezisht”, jo vetëm “kinezisht,” si na këshillon Fjalori i shqipes së sotme”, perse kete kerkimin me Google nuk e bere me pare, per ta kuptuar edhe vete se jo vetem i “themi”, por edhe i shkruajme qe te dyja?
          “Një gjuhë e lëvruar, ashtu siç kërkon të jetë shqipja, i diferencon sinonimet absolute, edhe duke i vënë në rafte të ndryshme – kjo bisedore, ajo tjetra librore”.
          Jo doemos.
          Nese njeri nga sinonimet eshte i nje zanafille orientale, rendom radhitet me poshte, sidomos kur kjo zanafille i shquhet lehtesisht: -çe<-isht; -li/-lli<-as; sabahcilësi; parlament>kuvend…
          Radhiten rendom me poshte sinonimet absolute te zanafilles veriore: katund<fshat; katerdhete<dyzet, kallamboq<miser…
          Per te tjerat, ku kjo lloj zanafille eshte e papercaktueshme, zor te flitet per ndonje diferencim vertikal: nis=filloj; mbaroj=përfundoj=kryej…
          Ky kategorizim i sinonimeve, tekefundit, shpalos vete mendesine shqiptare: po u hetua si orientalizem ose veriorizem, fjala perceptohet menjehere si e nenrenditur. Po qe zanafille perendimore, mirepritet, shpesh ne dem te vete kundervleres shqipe.
          Prandaj, kujdes, mos fol me terma abosuliste, se gjuha i diferencoka paperjashtimisht sinonimet absolute. Sepse, edhe Sadam Huseini e provoi kete por bla-bla-bla… (te tjerat i di ti vete). Dhe mjaft me kete vetevajtim. Te shkruaka dikush me pseudonim, e çfare pastaj? Nese nuk e ke vene re, te gjithe komentuesit e artikullit me pseudonim te shkruajne. Une problemin e kam me pohimet qe serviren ketu, packa se serviren nga ti.

          1. Ani, më vjen keq që po ta them, por me këtë koment konfirmove dy gjëra: 1) Ke njohuri gjuhësore të përcipta, gjithsesi të kufizuara, për të përballuar një diskutim disi të specializuar; 2) Spekulon shumë, çka do të thotë se nuk ke hyrë në debat me mirëbesim.

            Për pikën e parë, më mjaftoi saktësimi yt për sinoniminë absolute, ose të përkryer. Je ca konfuz, edhe me shembujt që jep, duket qartë që përdor terminologji të gabuar. Nuk të vë faj (unë vetë jam injorant në fushën e mekanikës kuantike), por mos u fut në diskutime ku lipsen këllqe. Cilido ka studiuar gjuhë-letërsi e di fare mirë se sinonimia absolute është shumë e rrallë, kufizohet në disa sektorë të caktuar, e përgjithësisht mund të konsiderohet teorike. Kjo për faktin se gjuha vetë ia specializon përdorimet fjalëve, çka vihet re sidomos në gjuhët e lëvruara. E këtu shënimi i Xhaxhait ka vërtet kuptim të thellë.

            Spekulimet e tua janë të pajustifikueshme, e këtu hymë në pikën e dytë. Ç’do të thuash me tonin që përdor tek fjalitë:

            Mos valle me kete “duhet” do t’u diktosh leksikun qe do perzgjedhin? Nese do te merresh me gjuhen e letersise, studioje. Nese leksik i tille shfaqet, evidentoje. Me duket tejet tendecioz vete mendimi se do te duheshe ta orientoje ti shijen e shkrimtareve ne perzgjedhjen e fjaleve.

            Nga ana tjetër, duket qartë që po e zhvendos diskutimin (qëllimisht) në një plan tjetër, duke i vënë në gojë autorit fjalë që nuk i ka shprehur. Këtu ne nuk lëshojmë direktiva, diskutojmë. Si rrjedhim, edhe toni urdhërues që përdor zotrote rezulton absolutisht i huaj.
            Sa për pseudonimin, mos harro se pozita e anonimit është shumë e rehatshme. Ki të paktën respekt për ata që ekspozohen në vetë të parë, me emër e mbiemër, kur shkruajnë diçka publikisht.

  10. Kjo nuk di si u nda nga postimi i mesiperm: Nese njeri nga sinonimet eshte me zanafille perendimore, rendom radhitet me lart sesa barasvlera ne shqipe: kualitet>cilësi; parlament>kuvend…

  11. Me rehatine qe krijove duke kaluar vete ne pseudonim te ri, (te shkoka me fort ky i riu), me trego tani pse shembujt qe solla qenkan te gabuar. Flm.

    1. Ani, qe te ta heq merakun, vetem anonima si puna jote jane te detyruar ti rrine besnik anonimitetit. Te tjeret e dine dhe dihet se kush jane edhe nen pseudonim. U vjen arome qytetarie! Ah, dhe Pishaku nuk eshte Xha Xhai dhe Xha Xhai nuk eshte Pishaku. Keta te dy rralle i largohen vetes.

    2. Ani, je duke u sjellë shumë trashë.

      Erdhe në blog, dhe pa e hapur gojën mirë, fillove të kritikosh dhe të gjesh gabime, edhe pse – tani po e shoh më mirë – ti s’e paske kuptuar fare shkrimin tim (që nisej të kritikonte Fjalorin normativ, pse tepër parashkrues; jo të parashkruante vetë). The gjëra të cilat pastaj u faktuan se nuk qëndronin. Iu drejtove pastaj autorit me “ad hominem”. Më në fund, e akuzove se po të shkruan me pseudonim tjetër, në një kohë që Pishaku (nëse e ke fjalën për Pishakun) është po aq i vjetër në blog sa edhe Xha Xhai (një nga autorët, që në vitin 2007); çka tregon jo vetëm paranojë, por edhe padije, përtaci, mungesë respekti për tjetrin dhe – më e rënda akoma – që ti po flet në këtë forum pa e pasur fare idenë për natyrën e tij dhe njerëzit që shkruajnë atje rregullisht.

      Pse kaq egër, o njeri? Pse sillesh sikur je rritur në pyll dhe të kanë kapur me leqe? Se e gjete derën time të hapur, kjo nuk do të thotë të hysh e të bësh ujët e trashë në odën time të mysafirëve!

      Ngaqë e ngatërrove Pishakun dhe e more për pseudonimin tim rezervë, po kuptoj që je i ri në blog; dhe si i ri në blog, komenti yt i parë duhej të ishte diçka si:

      “sapo kam ardhur në këtë blog, materialet e të cilit i gjej me shumë interes. I falënderoj paraprakisht autorët dhe komentuesit e tjerë, që më japin mundësi të mësoj prej tyre dhe që më vënë në dispozicion, falas, njohuritë dhe opinionet e tyre. Dëshiroj të jem edhe unë pjesë e këtij grupi. Të më falni nëse bëj ndonjë gabim tani në fillim, sa pa u familjarizuar ende me forumin, por ju siguroj se gjithnjë nisem nga e mira. Tani në lidhje me shkrimin e mësipërm, nëse e kam kuptuar mirë, kam përshtypjen se autorit i ka shpëtuar fakti që […].”

      Vërtet të duket e tepërt që të sillesh kështu në një forum virtual? Do t’i bëje nder vetes dhe odës, dhe ashtu edhe nga debati do të kishim përfituar të gjithë…

      Më vjen keq, por “Peizazhe të fjalës” nuk është qendër rehabilitimi për të vrazhdët. Kërkoje fatin në ndonjë forum tjetër, ku mund të gjesh edhe të tjerë si veten.

    1. This is the way the world ends
      Not with a bang but a whimper.

  12. Më vjen keq për pluhurin që paskam çuar. E konsideroj këtë blog shumë të vlefshëm dhe e lexoj rregullisht sa herë që kam kohë, e në veçanti postimet dhe gjuhën e pasur të Xha Xhait. Unë thjesht u habita kur lexova që “gjithë jetën nuk e kam përdorur ndonjëherë këtë kinezisht në ligjërimin e folur”, meqë unë formën “kinezçe” s’e kisha dëgjuar shumë shpesh dhe nuk po më vinte çudi që Xha Xhai nuk e kishte gjetur në fjalor. Jo pse nuk e kishte vendin aty (përkundrazi, kjo flet për varfërinë e FGJSSH), por pse unë s’e kisha dëgjuar aq shpesh.

  13. Perfundova ne kete faqe permes nje linku ne Respublica. Pershtypja e pare: shkrimet e Xhaxhait qenkan mjaft interesante, ndersa komentet me duken ca banale, kohabjerrese e te pafrytshme.

    1. Relapso, duke të falënderuar për vlerësimin, unë shpresoj dhe uroj që ti të ndihmosh drejtpërdrejt, me komentet e tua, që t’ia ngresh nivelin edhe kësaj hapësire, e cila ka luhatjet e veta; në një kohë që unë mendoj se, në tërësinë e tyre, komentet në PTF mbeten të nivelit të lartë, në krahasim me faqe të tjera dhe në vetvete. Gjithsesi, kjo varet edhe nga temat – ka tema të nxehta që e ulin nivelin vetvetiu.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin