Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Sociologji

BALLKANI ME NJË PËRMASË

nga Julius

Lexova së fundi në media transkriptimin e një debati të Rudina Xhungës në Top Channel. Tek emisioni i vet “Shqip”, moderatorja e njohur, kishte ftuar dy gazetarë ballkanas, përkatësisht një malazes dhe një kroate, për të biseduar rreth temës së kriminalitetit (përgjithësisht) në Ballkan dhe rolin e medias në dënimin e politikanëve që merren me këto aktivitete konkretisht.

Ideja se krimi i organizuar e ka mbështjellë në qerthullin e vet rajonin e Ballkanit, nuk është diçka e re apo e papritur. Shumë të dhëna të botuara në shtypin shqiptar, kanë hedhur dritë mbi këto marrëdhënie dhe afera korruptive. Emra të njohur sipërmarrësish ballkanas me reputacion të dyshimtë, shfaqen periodikisht në shtyp dhe kronika televizive.

Ajo çka i bën interesante sa s’ka dëshmitë e gazetarëve të ftuar, është ideja e krimit me tipare internacionale. Konkretisht citoj:

Rudina Xhunga – Krimi bashkëpunon kudo në rajon. Çfarë i pengon gazetarët që të bëjnë të njëjtën gjë?

Drago Hedl – Problemi qëndron tek redaktorët. Janë ata që nuk kanë atë feeling, që nuk ndiejnë nevojën e një bashkëpunimi më të mirë. Do të ishte shumë më e lehtë të shpjegonim se grupet kriminale janë shumë më bashkëpunues dhe nuk shqetësohen shumë për kufijtë apo nuk kanë sentimente. Kriminelët luajnë një lojë direkte, bëjnë fiks atë që duan të bëjnë. Në Serbi kam kolegë që punojnë atje. Nëse i thotë kryeredaktorit ose redaktorit se duan të shkojnë në një vend tjetër të shohin cfarë ndodh, i thonë jo ose në rastin më të mirë, se mund të shkojnë, por se nuk ka ndonjë gjë të rëndësishme që mund të përbëjë interes. Problemi ynë është se nuk shohim që përtej vendeve tona ka një panoramë më të gjerë të krimit dhe trafikut rajonal.

Milka Tadiç – Unë nuk besoj se kemi shoqëri të hapura në Ballkan. Kemi pra këtë shoqëri të mbyllur, shoqëri që nuk shohin përtej kufirit të tyre se çfarë ndodh në vende të tjera. Funksionojmë në këto shoqëri të mbyllura dhe ky është problemi i parë. E dyta, varet për kë punon, kush të paguan në fund të fundit. Ka shumë media në Ballkan që financohen nga para të pista, nga para të mafias. Ka shumë media në rajon që nuk kanë shumë lexues dhe audiencë, por që funksionojnë, e diku i marrin paratë. Nga i marrin, kjo është një pyetje e madhe. Gazetaria në përgjithësi, problem i tretë, është në krizë. Duke qenë në ndikimin e biznesit dhe politikanëve, janë këta që nuk duan që ne të bashkëpunojmë.

Ballkani duket se vuan nga sëmundje të përbashkëta, të cilat me vonesë po i zbulon dhe vetë. Që sëmundja përparon dhe është më e zhvilluar sesa kura, është diçka që duhet të na bëjë të mendohemi…

Për t’i dhënë një përgjigje, i referohem librit Revolutionary Wealth, ku Alvin Toffler mbështet idenë se globalizmi është një rrugë pa kthim, megjithëse forma e termit globalizëm do duhet rikonceptuar. Ndër të tjera ai flet sesi më parë globalizohen veset sesa virtytet. Një Ballkan i izoluar nga forma civile, por global nga niveli i kriminalitetit, është vërtetimi më i mirë i shprehjes më lart.

Shkruan Toffler:

… por ndërsa institucionet private dhe OJQ-të e ngjashme janë dukshëm globale, shumë organizata të sektorit publik, operojnë veç në rang kombëtar dhe lokal. Shkurt, sa më shpejt që komunikimi ndërlidh botën, të mira materiale, shërbime, ide, krime, sëmundje, ndotje dhe terroristë, të gjithë i kapërcejnë kufijtë nacionalë, duke shpërfillur nocionet tradicionale të sovranitetit ata tejkalojnë, shmangin dhe i pushtojnë institucionet publike, të dizenjuara vetëm për qëllime lokale dhe nacionale.

Toffler jep shumë shembuj të kësaj manovre ndërkombëtare, sesi bizneset dhe institucionet e llojit të tillë, i përlajnë ato institucione lokale dhe kombëtare kur përballen me to. Po nëse eksporti ynë, apo prania e Shqipërisë në tregun global është kryesisht ajo e krimit të organizuar, pra një sub-produkt i standarteve të ulëta, po kështu del të jetë edhe importi. Një shoqëri pa institucione të forta dhe të konsoliduara, është preja më e lehtë e organizatave kriminale të globalizuara.

Gjithë investimet e mundshme në Shqipëri që vijnë nga jashtë, duket të jenë të këtij lloji, çështja e importit të mbetjeve urbane, një shoqëri anonime që kërkon të privatizojë asetet e Albpetrolit, lidhjet e ndërsjellta përtej kufijve me organizata kriminale si Ndragheta etj, duken të jenë “ofertat” e globalizmit posaçërisht për ne. Këto i përgjigjen po kështu asaj shprehjes së mirënjohur të fillim-viteve 90′, kur produkteve të ardhura në Shqipëri nga jashtë u vihej etiketa denigruese “buono per Albania”. Në këtë prizëm, në masat e njerëzve, shfaqet një dilemë false (false dilemma): përderisa globalizmi këto produkte ka të na ofrojë, ne duhet ta refuzojmë atë.

(Në lidhje me të njëjtën temë, më kujtohet një shkrim i Xhaxhait pak kohë më parë, që tentonte t’i jepte një kuptim më shumë sesa simbolik asaj shprehjes së famshme të shkrimtarit tonë të mirënjohur Ismail Kadare, në kohën e eksodit të madh.)

Kjo dilemë false, i përgjigjet tipizimit të reagimeve të mundshme që Toffler ka prezantuar me termin future shock. Reagimi konservator i tkurrjes në guackat ekzistenciale qoftë të mitologjisë kombëtare, qoftë në refuzimin e bashkëpunimit me organizata analoge në mbarë Ballkanin si rajon e mandej më gjerë, është një kosto shtesë të cilën shoqëri të mbyllura dhe konservatore e vuajnë si pasojë.

Në emisionin e sipërpërmendur, vlen të theksohet se gazetarët ballkanas, japin të dhëna nga shoqëritë e tyre kur këto ndodhen të përfshira nga future shock. Kështu përgjigjia e pyetjes së Rudina Xhungës:

– A besoni se mund të prekni ndërgjegjen e njerëzve dhe dëshirën e tyre për të protestuar për të përmirësuar vendin ku jetojnë? A besoni se mund ta ndryshoni realisht situatën? Të paktën në Shqipëri, të krijohet përshtypja se sado të flasësh apo të shkruash, askush nuk të dëgjon çfarë thua.
nga dy gazetarët ishte:

Drago Hedl – Në Kroaci, problem është se përshembull një ditë kemi një artikull të madh për korrupsionin dhe është edhe shumë vështirë t’i ndjekësh historitë pas tyre. Ka gjëra të mëdha, por që ditën tjetër të duken aq të parëndësishme. Problemi është se kemi aq shumë histori për korrupsionin në Kroaci, sa që ndonjëherë mund të mos krijojë qëllimin e dëshiruar.

Belgzim Kamberi – Ka kaq shumë informacione për korrupsionin sa të heq besueshmërinë e materialit të saktë. Edhe vetë qeveritë e ndjekin këtë taktikë. Kjo është një dukuri që ndodh në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri, ky është sot problemi më i madh, si dhe kriminalizimi i vetë mediave.
Volumi i madh i informacionit për këto çështje, sidomos të korrupsionit, duket të jetë problem madhor, i përmendur nga të dy gazetarët. Mungesat e filtrimit të informacionit, mungesa e autoritetit mediatik, mungesa e institucioneve përgjegjëse që merren me rastet e korrupsionit, është tabloja kaotike në të cilën janë zhytur shoqëritë ballkanase. Dhe për t’i shtuar kësaj gjendjeje një dozë të mirë ironie, konservatorizmi,  shoqëritë e mbyllura, paragjykimet, reagimet reaksionare, e bëjnë të pamundur që mbidoza e informacioneve të kalojë kufirin pa paguar një doganë të rëndë për shkak të prapambetjes së ndërsjelltë komunitare.

Që të bëj një parantezë, mediat shpesh bien viktimë e përzgjedhjes së keqe të informacionit. Karakteristik është përshkrimi mediatik në shqip i temave që trajtojnë gjendjen në Greqi. Kryesisht përzgjidhen artikuj scoop, mbi Agimin e Artë apo përshkrime vetëkritikuese në tone të rënda të autorëve grekë, që përkthehen dhe përcillen më pas me shumë zell. Pothuaj askund nuk kam parë në shqip një analizë të thellë të tipareve të kësaj krize, dhe mundësinë e paralelizimit të saj me gjendjen në Shqipëri. Shembulli i fundit, është ai i një shqiptar-i* që bën pjesë në organizatën tashmë famëkeqe të Agimit të Artë – i denjë gjithsesi për të zënë faqet e para të gazetave në Shqipëri.

*”një shqiptar”-i, është kthyer në qenie mitologjike për botën mediatike të shumë shqiptarëve…

“një shqiptar”-in e gjejmë të punojë si sanitar në një universitet të huaj dhe njëkohësisht të marrë diplomë në moshë të thyer, e gjejmë të bëjë dush në një fushë futbolli në Francë, të gatuajë në një restorant të vlerësuar me 5 yje, të ndëshkojë kombëtaren e futbollit ndërsa luan për një tjetër kombëtare.

“një shqiptar”-i gjysëm anonim, është super hit në google! Ka 6,410,000 rezultate kërkimi në emrin e tij!

Pa Komente

  1. Alvin Toffler mbështet idenë se globalizmi është një rrugë pa kthim.. ai flet sesi më parë globalizohen veset sesa virtytet. Një Ballkan i izoluar nga forma civile, por global nga niveli i kriminalitetit, është vërtetimi më i mirë i shprehjes më lart.

    …Reagimi konservator i tkurrjes në guackat ekzistenciale qoftë të mitologjisë kombëtare, qoftë në refuzimin e bashkëpunimit me organizata analoge në mbarë Ballkanin si rajon e mandej më gjerë, është një kosto shtesë të cilën shoqëri të mbyllura dhe konservatore e vuajnë si pasojë.

    Globalizimi eshte kthyer ne nje dicka tejet banale, kaotike dhe elitare tashme. Eshte nje sistem shume kompleks qe ka nyje nevralgjike te paizoluara dhe pambrojtuara qe rrezikojne tere sistemin, dhe ‘hapja’ e shoqerise perben ne vetvete nje rrezik per te. Psh. nqs globalizohet vesi e jo virtyti a ja vlen t’i futesh vertet kesaj pune? C’i duhet kjo pune atij katundarit ne Korce qe cdo vit hedh tonelata qepe ne lume se nuk gjen treg? Ne rastin me te mire ne Shqiperi vetem 100,000 vete mund te perfitojne nga globalizmi (ky numer perkon me ata qe duhet te mbushin ‘tax returns’ kete vit).

    Mua me duket se dilema qe ka ballkanasi nuk eshte aq false sa propozon

    1. Ne shkrim duket qarte se nje shoqeri e mbyllur, per shkak te mentalitetit, konservatorizmit etj, ajo cka mund te perfitoje prej globalizmit jane vec mbetjet. Mbetje urbane, mbetje sociale, mbetje mendore etj.

      Nese hapet ka mundesi te perfitoje ide dhe te mira materiale. Gjithe libri i shkrimtarit ne fjale, prej vete titullit “Revolutionary Wealth”, sugjeron pikerisht kete gje. Ajo shprehje e shkeputur jep trendin e situates. Globalizohemi po, por marrim fillimisht veset. Psh Toffler parashikon edhe nje dekadence dhe rrenim vlerash te vjetra.

      Nuk e di se cfare kuptimi i jep “globalizmit” ti vete. Po pyetja pse te globalizohet, eshte e veshtire per t’iu pergjigjur. Po njesoj e veshtire si do ishte, pse te industrializohet vendi, pse te elektrifikohet? etj.

    2. Pyetja jote ne shek. 19-20 mund te ishte keshtu: cfare i duhet teneqexhiut, samarxhiut, leshpunuesit, mullixhiut, kallajxhiut, kovacit, xherahut, industrializmi? Nuk i duhet asgje. As industrializmit nuk iu deshen keta, fare.

  2. Krimi, ne vendin tone, eshte aq sheshit , sa nuk ka nevoje per ndonje investigim te thelle.Per aferat me te medha kriminale dhe korruptive , shqiptaret e thjeshte dine po aq sa prokuroret dhe gjykatesit.
    Per gazetari te mirfillte investigative as qe behet fjale, te pakten, tani per tani.
    Nese nje gazetar do ta merrte persiper nje gje te tille, piksepari do te bojkotohej nga gjithe ata qe konsiderohen si burime te domosdoshme .Por , arsyeja kryesore eshte ndeshkimi, duke filluar nga ai rrugaceror deri tek ai shteteror.

    Kontributi i zonjes se nderuar Rudina Xhunga eshte i lavderueshem.
    Gjithsesi do te doja, qe zonja Xhunga ta kursente publikun nga cinizmi i disa individeve qe fton ,ndonjehre, ne studion e saj, medemek per te shpjeguar “rrenjet sociologjike te krimit” ; kur vete keta cipeplasur jane shembelltyra e korrupsionit ne nivelet me te larta te tij, ne nivel akademik.

    Tipa te tille , qe ia kane nxjerre bojen shtetit shqiptar aty ku duhej te perfaqesonin vlerat me te mira te tij, marrin guximin te flasin pafund neper studio televizive apo te shkarravisin perdit neper gazeta, ku ju bejne moral shqiptareve!

    E si mund te flasesh per krimin , korrupsionin , luften kunder tyre, kur vete ata qe duhej te krijonin premisat morale per nje shoqeri te shendetshme , jane shembuj ulerites te korrupsionit?!
    E si mund te kete gazetare investigative, kur universitetet , ne te cilet diplomohen “investiguesit” , drejtohen nga sharlatane te tille te korruptuar ?!!

    E solla kete shembull(pa permendur emer) per te thene ,se kur korrupsioni arrin nivele akademike, atehere krimi dhe korrupsioni ne nivele te tjera, e humbet ngjyren e zakonshme, zbehet. Kjo per arsyen me te thjeshte: sepse sherben si alibi morale per te gjithe te korruptuarit dhe kriminelet e zakonshem.

  3. Lajmi dhe sensacioni, skupi, jane te nje familjeje. Kujt i plasi per nje shqiptar qe punon infermier apo pjatalares ne Greqi, nderkaq nje shqiptar me Agimin e Arte, normal qe perben lajm, se nuk eshte nje gje normale.

    Pra normaliteti nuk perben lajm, anormalja po. Te thuash qe sot nuk vdiqen 4,3 milion shqiptare, nuk eshte lajm, te thuash qe vdiq Aqif Kopertoni se e vrau Bexhet Daberdini per x arsye, perben lajm.

    Lajmi eshte si puna e datelindjes, askush nuk feston 364 ditet e jodatelindjes.

    Analiza serioze e gjendjes ne Greqi nuk ekziston sepse realisht shqiptaret nuk e çajne koken per gjendjen ne Greqi, kane plot halle brenda vendit, per t’u marre me hallet e grekeve. Do mjaftohen me ato lajme rreth krizes qe lidhen me ndonje dem qe kjo krize i ben Shqiperise.

    Nuk ka ndonje polis qe quhet Ballkan, qe dynjaja te merret me hallet e polisit Ballkan, secili merret me hallet e polisit te vet, qe jane gjithnje jo shume, por te teperta, per ato 16 ore zgjuar qe ka dita.

    Globalizmit i ka dale boja, kush ka fituar deri tani jane korporatat e medha dhe krimi i organizuar, se Europa s’po di as si te dale nga kriza 5 vjeçare dhe kush e ha jane gjithnje te varferit.

    Ne kapitalizem nuk ka ekzistuar asnjehere ndonje publicizim i nje ideje, koncepti apo ideologjie qe favor te te varferve, sepse mjetet e publicitetit i kane te pasurit. Ngaqe 1+1=2 kuptohet se kujt i intereson publicizimi i globalizmit dhe ne e dime shume mire sot se kush ka perfituar.

    1. citoj:
      “Kujt i plasi…”

      “… shqiptaret nuk e çajne koken… ”

      “… secili merret me hallet e polisit te vet…”

      Jo, jo, nuk është kaq e lehtë dhe e thjeshtë. Fare.

  4. Julius
    Që të bëj një parantezë, mediat shpesh bien viktimë e përzgjedhjes së keqe të informacionit. Karakteristik është përshkrimi mediatik në shqip i temave që trajtojnë gjendjen në Greqi. Kryesisht përzgjidhen artikuj scoop, mbi Agimin e Artë apo përshkrime vetëkritikuese në tone të rënda të autorëve grekë, që përkthehen dhe përcillen më pas me shumë zell.

    E drejtë, por unë nuk do ndalesha vetëm tek medjat. I njëjti zell përshkruan edhe shtëpitë botuese që botojnë jo vetëm vepra kritike kundër Greqisë (aq më paq nëse autorët janë grekë) por edhe armiqësore ndaj saj. Nuk do ishte ekzagjeruese të them se çdo gjë që qarkullon si antigreke në literaturën botërore sot të gjendet e përkthyer në shqip. Mua personalisht më kishte bërë përshtypje përkthimi në shqip i vëllimit të parë (nuk di nëse janë përkthyer ende dy vëllimet e tjera) të Black Athena të Martin Bernal (Athina e Zezë, Rrënjët afro-aziatike të qytetërimit klasik; Fabrikimi i Greqisë Antike (1785-1985), botimet 55, Tiranë 2009, përkth., D. Thomollari, I. Angoni). Nuk them se vepra është antigreke, me kuptimin që do i jepte një shqiptar sot, por mendoj se qëllimi i përkthimit në shqip është pikërisht sepse menduan se vepra është antigreke ose tregon se Greqia antike nuk ishte diçka e lavdishme sui generis dhe grekët e sotëm kot e kanë që mburen me të. Natyrisht, nuk shprehem as kundër përkthimit të librit. Si bibliofil, nuk do bëja diçka të tillë, madje edhe e bleva (edhe pse kam origjinalin), por motivi më duket i dyshimtë. Nuk besoj se ka me të vërtetë një publik në Shqipëri që interesohet për një temë kaq provokuese dhe relativisht të panjohur në lidhje me klasicitetin. Në greqisht psh që do kishte interes të përkthehej vepra e Bernal-it nuk është përkthyer, edhe pse janë përkthyer veprat e kundështarëve të tij, dhe nga pyetjet që kam bërë unë në librari këto libra ngelen ekskluzivisht në interesin e historjanëve apo filologëve dhe nuk gjejnë interes në publikun e gjerë.

    1. Sa e çuditshme është që përkthehet dhe botohet Athina e Zezë, në një kohë që publiku shqiptar me siguri ka nevojë për histori pak a shumë standard të Greqisë së Lashtë – të cilën breza të tërë janë rritur pa e njohur fare (aq sa edhe Sokratin nga Mirush Kabashi e njohin shumica, dhe Eskilin kushedi nga Kadareja; ndërsa Homerin kushedi nga filmi “Helena e Trojës”). More po qoftë edhe Plutarkun të kishin përkthyer – po kanë vajtur dhe trazuar Martin Bernalin, një vepër nga e cila nuk mund të kuptosh dot asgjë, po nuk e pate një bazë solide në njohjen e botës klasike dhe të Greqisë arkaike. Unë e kam lexuar Bernalin, të paktën vëllimin e parë (dhe diçka nga i treti); autori është erudit i madh, por edhe pak si magjistar, për të mos thënë sharlatan – ka një vizion aq të fuqishëm, sa të bën pothuajse ta besosh. Megjithatë, s’më takon mua ta gjykoj; në një kohë që më duhet të them se ky “zhvlerësim” i Greqisë klasike dhe kulturës indo-europiane nuk është aq i pafajshëm dhe akademik sa ç’mund të duket. Por në Shqipëri nuk kanë lënë vepër “alternative” pa përkthyer, dhe jo vetëm për Greqinë. Ka një etje absurde për t’i sjellë publikut gjithfarë teorish komploti, vepra për masonerinë dhe okultizmin, piramidat (edhe atë të Bosnjes kushedi), protokollet e Zionit, Atlantidën, madame Blavatsky-in, gjepura për nazistët dhe Tibetin dhe sekrete të tjerat nga më të thellat. Unë edhe Mein Kampf këtu do ta futja: ironike, megjithatë, që një hebre si Martin Bernali të përfundojë në të njëjtin raft kuriozitetesh të dorës së dytë me Hitlerin… Only in Albania, only in Albania. Se efekti në këto raste është gjithnjë rrafshues, edhe pse Bernali, siç e thashë, është autor shumë i ditur dhe i mençur dhe, sidomos, ka një stil parashtrues të jashtëzakonshëm; aq sa ia kam lexuar hipotezat me kërshëri zbavitëse, si të lexoja një roman të historisë alternative: po sikur Greqia e Lashtë të ishte nënprodukt i egjiptasve dhe fenikasve? What if? Por jo më tepër, natyrisht.

    2. Tanhauser, nuk jam njohur me gjendjen e librarive në Tiranë, mbase edhe po të njihesha me siguri ky vëzhgim do më kishte shpëtuar; por pohimi juaj nuk më habit.

    3. Para disa ditesh e lexova librin e filozofit bashkekohor grek Nikos Dimou.E kisha pare edhe me heret ne librari, por meqe e permendi Julius, e bleva.
      Me beri pershtypje se libri ishte botuar per te paren here ne vitin 1975, kurse ne gjermanisht tek tani, ne vitin 1912.Librin e ka botuar shtepia botuese ”Kunstmann” e München-nit, ku edhe ka studiuar autori.

      Duket qarte se libri eshte botuar ne kontekst te krizes qe po kalon Greqia, por edhe per shkak te nje perkeqesimi te raporteve greko-gjermane.Derisa demonstruesit greke ia vizatojne mustaqet e Hitlerit kancelares Merkel, shtypi gjerman vlon nga komentet per krizen greke.Nuk mungojne edhe komente te tilla si ”Tua mesojme heleneve virtytet gjermane”, qe bente gazeta me e madhe gjermane. Tek gjermanet e thjeshte ekziston ndjesia e fuqishme se po punojne angari per Greqine.

      Se libri eshte botuar per shkak te aktualitetit, nuk e fsheh as botuesi.Ne mbeshtjellesen e kopertinave citohen pjese nga libri si ”Kur nje grek flet per Europen, ai automatikisht e perjashton Greqine.Kur nje i huaj flet per Europen, eshte e paimagjinueshme per ne,qe ai mos ta perfshij Greqine.” Pas ketij dhe disa citateve tjera vie komenti i botuesit: ”Kete nuk po e thone kontrolloret e BE-se, por nje nga intelektualet me te njohur grek.”

      Perndryshe, libri me pelqeu (Autori vete e thot, enkas per botimin gjerman, se ata qe e lexojne me kenaqesi, nuk jane greke.Per nje grek, libri eshte nje torture), perveç tjerash, sepse shume gjera qe thuhen aty, vlejne edhe per shqiptaret, jo vetem te Shqiperise.Do te thoja se vlejne per gjithe popujt e Ballkanit.

      Poashtu me beri pershtypje se autori ia kishte kushtuar librin shkrimtarit grek Emmanoil Roidis (1836-1904), te cilin e kishte çkisheruar kisha orthodhokse greke.

      1. Zgjim, më bëhet qejfi që e ke lexuar, sidomos prej përshtypjeve që të ka lënë libri (janë shumë të ngjashme me të miat). Mua më ka ndihmuar shumë ai libër për ta parë gjendjen e Ballkanit të përgjithësuar, apo me karakteristika të ngjashme. Në një shkëmbim me autorin, po më përmendte pikërisht këtë gjë, bullgarë, sllavomaqedonë, turq, po i thoshin të njëjtat gjëra; është sikur këtë libër ta kesh shkruar për ne!

        Gjithë Evropa, jo vetëm gjermanët, kërkonin një pikë referimi për të kuptuar se çfarë po ndodh në Greqi kete kohe krize, një pikë referimi të tillë gjetën tek Nikos Dimou.

        “Fatkeqësinë” nuk do e konsideronte dot njeri si libër antikombëtar, apo antigrek. Në Greqi ka pasur sukses komercial të jashtëzakonshëm, është ribotuar 18 herë. Madje edhe koha që autori zgjodhi ta botonte, ishte ajo menjëherë pas Juntës, çka i solli dhe sukses, sepse njerëzit ishin më të prirur për autokritikë, kështu e pranuan. Ka megjithatë, një lloj karakteri intim në një farë mënyre. Ballkani ka njerëz me namuz, distanca nga njeri tjetri i vesh njerëzit. Buzët do rrudhen nëse i supozuari “armik” të sheh të “zhveshur”. Ose është ajo çka e përshkruan vetë autori, dhe që ia atribon Roides-it- guximi për të parë veten në pasqyrë.
        Po është gjithashtu dhe ana tjetër e medaljes, që më ka ndodh së fundmi. Një shkrim kritik i botuar këtu, është marrë dhe shtrembëruar duke u përdorur ndryshe gjetkë.

  5. Ata, “komplotiste”, qe duan te helmojne marredheniet shqiptaro-greke bejne nje gabim taktik.Nuk eshte nevoja te perkthehen studiues qe vene ne dyshim kulturen greke;kjo eshte nje sipermarrje sa qesharake aq e mjere ne thelb.
    Nese ka nje prirje te tille, nuk e di se pse nuk perkthejne e botojne vete autoret greke.Ka historiane bizantine , qe vetem po ti perkthesh e botosh aty ku flitet , bie fjala, per Skenderbeun , mjaftojne per te mbajtur gjalle nje mllef antigrek.

    Kronikanet osmane perdorin nje mori fjalesh, figurash e shprehjesh te ndryshme per te poshteruar heroin , por gjithmone duke pasur parasysh edhe armikun e afte dhe te zot ne zanatin e vet(si ushtar, gjeneral ).Pra ata , si te thuash, nuk e shpien poshterimin deri ne fund.Duket se kete gje e paten marre persiper ndoca historiane bizantine ;dhe habitesh se nga gjithe ajo urrejtje per heroin e krishterimit, qe per habine akoma edhe me te madhe, ne ndonje rast tjeter ,duan ti gjejne origjinen greke!!

    Nuk besoj se kemi te bejme me ndonje “perbetim” antigrek.Perkthehen e botohen ata libra qe mendohet se pelqehen e shiten.
    Po pse pelqehen nga publiku shqiptare libra te tille?
    Kush e ka krijuar kete atmosfere te tille pelqimi?Cili eshte shkaku?
    Pergjigjja eshte e “veshtire”, sepse shkakun e kerkojme aty ku e kerkojne perhere te dobetit : tek vetja!

    1. Nuk është punë komploti kjo, afërmendsh është çështje pikë së pari mentaliteti. Duket situatë mjerane po ta mendosh, me përkthyesa dhe media që angazhohen të përcjellin prej fqinjëve pjesën e tyre më të keqe. Një lloj reagimi reaksionar dhe denigrues.

      E keqja e kësaj situate është e dyfishtë… harxhohet mund dhe energji për denigrim të tjetrit, me një lloj sensi vetmjaftueshmërie, apo kënaqësie dashakeqëse. Është si të thuash, një mishërim i asaj thënies: një sy mua, dy gjitonit. Po nëse qëllimi i dikujt është t’ia nxjerrë sytë gjitonit, qorrohet vetë. Mediat shqiptare në këtë mënyrë helmojnë veten, se mbështeten tek negativiteti. Ofrojnë negativitet në shoqëri dhe kjo më pas e “përkthen” atë në nivelet e marrëdhëniet komunitare të brendshme.

      Ironia e situatës, është që ka autorë grekë të cilët i vënë re tiparet e ngjashme të shoqërisë së tyre, kryesisht ndaj të huajve “të tjerë”, dmth perëndimorëve. Sjellja është e ngjashme…

      Kush duhet ta ketë fajin sipas teje, kur këta përkthyes dhe gazetarë mediash me vullnetin e tyre të lirë shkojnë e përkthejnë vepra dhe lajme që denigrojnë fqinjët? Janë këta parësisht që e ndërmarrin aktin, askush tjetër. Qoftë si formë reaksionare, është kundërprodhuese.

    2. Shkruan:

      Perkthehen e botohen ata libra qe mendohet se pelqehen e shiten.

      Ke harruar, besoj, që botuesit kanë edhe një mision kulturor; dhe që librat nuk mund të shiten si të ishin prerëse thonjsh ose pompa për zhbllokim të lavapjatës.

      Aq më e vërtetë është kjo për publikun shqiptar, të sakatosur nga padija dhe censura e regjimit totalitar.

      Publiku nuk është e dhënë primare, por një grup i shumëllojshëm njerëzish, të cilët veprojnë në bazë të interesave vetjake dhe të grupit, por edhe në bazë të edukimit që kanë.

      Pjesë e misionit të botuesit është edhe të kontribuojë në edukimin e publikut – duke e ndërgjegjësuar deri në atë shkallë, sa t’i japë mundësitë maksimale për të qenë i lirë.

      Libri kultivon mendjen; mendja i nuk qaset librit tashmë e kultivuar.

      Modelimi i demokracisë dhe i kulturës sipas tregut, në Perëndim, u zhvillua mbi një truall të mbarsur prej kohësh me idetë e iluminizmit (ndonëse, edhe ashtu, dështoi). Ndër shqiptarët, pornografia i ofrohet po atij lexuesi që deri dje ngrysej dhe gdhihej me letërsi ideologjike, pedagogjike dhe imtësisht të kontrolluar.

      Në qoftë se botuesit e përdorin librin për të bërë para, dhe lexuesit e përdorin për të shfryrë komplekset e tyre të inferioritetit dhe mëritë ekzistenciale, kjo ndihmon të përftohet një shoqëri të sëmurë – pikërisht si ajo e sotmja, e krimbur nga korrupsioni, krimi, mafiet dhe padija.

      Asnjë liri nuk ka në padije; edhe pse kushdo është i lirë të mbetet i paditur. Historia tregon se të paditurit janë kontingjenti kryesor që i mban demagogët në pushtet.

      1. Yha çfar nuk tregon historia. Psh tregon edhe te kunderten qe me te diturit kane qene oborrtare. E gjithe urtesia konfuciane bazohet mbi kete dituri. Nga Greqia e Lashte e deri ne formimin e profilit te intelektualit shembujt jane kapice ne sherbim te pushtetit ne fuqi. Ka nje leter te shen Palit qe flet per te paditurine e te diturve te greqise se lashte. Eshte edhe nje shembull tjeter tipik i nje ebreu te njohur (e kam harruar emrin, me duket psikanalist), qe kur konstatoi se SS qe e torturonin dinin shume gjera shkencore me mire se ai, tha se e kishte humbur besimin tek njeriu me kyltyre.

        1. Unë besoj se, edhe kur të diturit bëjnë keq, mund ta bëjnë vetëm sa kohë që ekzistojnë të paditurit në masë. E keqja është kategori etike, jo intelektuale; dija nuk është se e imunizon individin nga e keqja, as e bën të virtytshëm; por të paktën e ndihmon të dallojë virtytin ose vesin tek tjetri; si dhe të njohë veten.

  6. “Ironia e situates, eshte qe ka autore greke te cilet i vene re tiparet e ngjashme te shoqerise se tyre….”, jam shume shume dakord me kete , pikerisht keshtu si thua ti ndodh. Por, ajo qe verej, eshte nje teprim kur flitet per denigrimin qe i behet fqinjit nga ana jone.
    E quaj teprim sepse eshte thjeshte reagim ; reagim i individesh dhe vetem kaq.
    Ne nuk e kemi te zhvilluar fobine ndaj fqinjit ne nivel institucional, shteteror.

    Roli i misionarit ne Ballkan eshte i deshtuar, dhe keshtu do te jete per nje kohe te gjate, vec ne ndodhte ndonje mutacion panballkanik.
    Deshira per te shtene dashuri me popujve tane eshte padyshim tejet fisnike,por duhet te kemi parasysh, se sentimentalizmat jorralle sherbejne(padashje) edhe si nje mjegull e bute, e embel qe na pengon te shohim me qarte , dhe ti themi me troc ca te verteta.

    Shqiptaret dhe greket , me shume se per sentimentalizma, kane nevoje per te verteten,per te vertetat , dhe jo ti anashkalojme ato per hir te dashurise mes popujve.E verteta te ben te lire thuhet ne Bibel , fjale me vend , fjale perendie.

    1. Yha çfar nuk eshte shkruar ne Bibel.
      E verteta do ju beje te lire! thoshte Jezui.
      E çfar eshte e verteta? thoshte Ponz Pilati duke lare duart.
      Jua tregoj une thoshte Marksi te verteten, se deri tani filozofet na kane treguar te verteten e sapunit te marre per djathe, kurse puna eshte si ta ndryshojme boten. Dhe e ndryshum boten, dhe vazhdojme ta ndryshojme, gjithsekush sipas te vertetes se vet ose shtetit te vet, galaktikes se vet, etj.

  7. Xha Xhai,
    kur shkrova se “perkthehen e botohen ata libra qe mendohet se pelqehen e shiten”, kisha parasysh faktin dhe jo moralin mbi te.Ndoshta jam gabim , por une e di se keshtu funksionon.
    Sa i perket misionit kulturor qe duhet te kene botuesit jam plotesisht dakord.
    Ju permendni lexuesin ne pergjithesi, dhe andrrallat qe kane lidhje me ate cka ai lexon dhe cka atij i ofrohet.

    Mua me ben pershtypje nje kategori tjeter lexuesish, ajo qe konsiderohet me e kultivuar, qe nuk varet edhe aq nga ofertat ne treg, sepse kane aq kulture dhe njohuri sa te mund te perzgjedhin vete “mallin” e tyre, dmth edhe ne origjinal.

    Intelektuale te shquar shqiptare, shume , tmerresisht shume, me tituj akademike, ne librat e tyre ,ne punimet e tyre shkencore citojne pafund presidente te ndryshem amerikane.Tmerr.
    A thua se behet fjale per mendimtare e filozofe te medhenj, e jo thjeshte per politikane!
    Eshte per te ardhur keq kur shikon studiues, publiciste,shkrimtare e filozofe tek citojne (duket sikur jane ne gare per kete) nje sere filozofesh e mendimtaresh te modes, nga ata qe serviren per nje shoqeri te hapur,e qe ne fakt me shume po sherbejne si trushpelares te radhes.

    Rralle , shume rralle, e kam degjuar te permendet apo citohet nje njeri si Noam Chomsky.Njerez te tille ka jo pak, por bojkotohen nga studiues e intelektuale ;e ky nuk eshte vetem faji i botuesve, lexuesve e shijeve te tyre.

  8. Shkrim shumë shumë i mirë nga Adriatik Kelmendi. Përshkruan një realitet krejt tjetër, dhe një gjendje mendore shumë të ndryshme, por përfundimet i ka të njëjta me çka po shkruhet këtu:

    “Pa ia njohur dhimbjen njëri-tjetrit – pavarësisht se kush me më shumë e kush me më pak përgjegjësi – e zorshme duket çfarëdo jetese normale, çfarëdo normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e çfarëdo përparimi e zhvillimi i rajonit në përgjithësi.

    E mezokohën gjithmonë do ta përdorin matrapazët dhe kriminelët për përfitime të veta.”

    http://www.respublica.al/permbajtje/2012/09/25/cila-eshte-e-verteta-mbi-luften

  9. Si A.Kelmendi kane shkruar edhe shume gazetare e opinioniste te tjere ne Kosove.Gjithsesi, asnje krim i vertete(ka shume mundesi qe te kete dicka te vertete ne ate ceshtjen e bujshme te organeve) apo i supozuar nga ana e shqiptareve nuk mund te relativizoje horrorin e pales tjeter.
    Mjafton vetem te kujtojme perdhunimin e mijera e mijera femrave shqiptare ne menyren me shtazarake e horror te mundshme,per te te ikur deshira per cdo lloj fisnikerie fqinjerore.
    Autoret e vertete te ketyre makabriteteve nuk jane as ushtaret, as paraushtaraket, bile as vete Milloshevici;keta jane thjeshte zbatues te nje platforme kriminale, ku kane dhene kontributin e tyre intelektualet me ne ze te Serbise, ajka e kombit serb.Eshte nje ligesi e shtazeri e pafund;nga ato qe mund te te trondisin seriozisht besimin ne idete e larta dhe fisnike te humanizmit.

    J.
    ju citoni:”Pa ia njohur dhimbjen njeri-tjetrit…”

    Kushti i pare, parakushti, eshte qe te kerkohet falje per mizorite nga pala serbe , ashtu sic beri presidenti i tyre deri diku me kroatet, pastaj mund te flitet ne menyre te sinqerte per dhimbje dypaleshe.
    Po a do ta bejne nje gje te tille valle?Ne ka kohe qe po presim me shprese se mos ndodh nje gje e tille me greket e kulturuar dhe europiane, por as qe behet fjale( e kam fjalen per genocidin ndaj cameve).
    Sa u perket zerave te vecuar, si serbe edhe greke, ata jane thjeshte zera te vecuar, qe nderojne individet ;perjashtime ,qe ne fund te fundit vec sa te kujtojne traditen e kobshme, horror .

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin