Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

LIRI VËRTET, POR E KUJT DHE PËR ÇFARË?

Këto ditë mora pjesë në një forum në revistën “Java”, ku u fol për çështjen e moderimit të komenteve në mediat shqip në Internet. Forumi mund të shfletohet këtu, ndërsa kontributi im, që në revistë ka dalë me shkurtime, mund të lexohet i plotë në vijim.

Kur lexon ndonjë editorial ose opinion, në gazetat e mëdha globale, si The New York Times, ose The Guardian, një nga kënaqësitë më të mëdha është të kalosh minuta, madje edhe orë, me komentet e lexuesve, të cilat e plotësojnë temën e artikullit, e analizojnë në hollësi, e pasurojnë, e shfaqin në anë të ndryshme, shpesh në kundërti mes tyre; dhe e shndërrojnë në një katalizator të fuqishëm të mendimit.

Sekreti i këtij efekti të mrekullueshëm ka të bëjë me faktin që komentet, në këto gazeta elektronike, moderohen rigorozisht, nga redaktorët e komenteve, të cilët i ofrojnë një shërbim shumë të vyer lexuesit, duke e bërë pjesë të një dialektike prodhimtare të mendimit.

Të pakta janë mediat serioze në Perëndim që i lënë krejt të lira faqet ndaj ndërhyrjes së lexuesit; madje edhe kur një gjë e tillë ndodh, komentet nuk mund të lexohen më, sepse hapësira është pushtuar prej troll-ëve, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me dialogun, debatin dhe shprehjen e lirë të mendimit.

Menjëherë e përshëndeta vendimin e ResPublica-s për t’i kontrolluar tash e tutje komentet, dhe jam i bindur se ashtu faqja veç do të përfitojë, në leximtari dhe në cilësinë e debateve.

Unë administroj prej kohësh një blog, Peizazhe të fjalës, ku gjithashtu prej kohësh kam theksuar nevojën për mbikëqyrje të debatit në komentet. Natyrisht, blogu im është jokomercial dhe unë si pronar përfitoj jo nga lexuesit e shumtë, por nga lexuesit cilësorë, të cilët u qasen debateve jo me armiqësi, por me dashamirësi.

Megjithatë, besoj se edhe ato media të cilat i kanë lënë krejt të lira komentet, e kanë vënë tashmë re se liria asisoj e shprehur është kundërprodhuese.

Jo rrallë, monitorimi i komenteve online kritikohet, nga palët e prekura, si formë e censurës, ose si cenim i lirisë së fjalës. Këtu, besoj, kemi të bëjmë me një keqkuptim.

Liria e fjalës është e drejtë themelore e njeriut; por, e theksoj, e njeriut, si individ dhe si person, që konsiston në një buqetë të drejtash dhe përgjegjësish.

Përkundrazi, shumica dërrmuese e atyre që komentojnë online e bëjnë këtë në formë anonime, nëpërmjet pseudonimesh të cilat, po të duan, mund t’i ndërrojnë çdo ditë. Pseudonimi, ose komenti anonim, i vendos komentuesit një maskë komode, duke e zëvendësuar identitetin e personit me një identitet personazhi, ose fiksional.

Këto identitete fiktive, të cilat janë më shumë ankorime për ligjërata dhe opinione të çfarëdoshme brenda debateve, gëzojnë po aq të drejta sa edhe personazhet e veprave letrare ose të filmave.

Me fjalë të tjera, një individ që vullnetarisht heq dorë nga prerogativa për të qenë person, me të drejtat dhe përgjegjësitë përkatëse, ka hequr vetvetiu dorë edhe nga pretendimi për moscenim të së drejtës së fjalës.

Dua të them, me këtë, se e drejta e fjalës ose e shprehjes nuk mund të ndahet nga përgjegjshmëria e personit për fjalën e vet; e shkëputur nga subjekti, e ndarë prej tij nëpërmjet maskës së pseudonimit, ligjërata nuk i përket më atij që e ka përftuar, as mund të gëzojë mbrojtjen e të drejtave që gëzon autori i saj, si person, në jetën reale.

Faqet e komenteve në mediat tona online, ku mbizotërojnë anonimët, nuk mund të shihen si hapësira të ushtrimit të së drejtës së fjalës ose të lirisë së shprehjes, por më tepër si vende karnavalesh, ku njerëzit përkohësisht dalin nga zhgualli i personit, ose nga trualli ku vepron rregulli etik.

Karnavalet luajnë rol të rëndësishëm në dinamikat sociale, madje edhe në raportet midis lirisë dhe statusit të individit, por problematikën e karnavaleve nuk duhet ta ngatërrojmë kurrsesi me atë të lirisë së fjalës.

Situata asimetrike, që krijohet në të gjitha ato raste kur një autor i identifikuar përballet me gjithfarë sulmesh ad hominem, akuzash, insinuatash, shigjetash të helmatisura, shpifjesh, provokimesh dhe pështymash, që i vijnë nga maskat, tash e tutje nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet më – pse nuk i shërben lirisë së fjalës, por përkundrazi, censurës së fjalës nëpërmjet kakofonisë totale.

 

Pa Komente

  1. Ironia me shkrimin më lart, i cili m’u porosit nga revista si kontribut për debatin në fjalë, është se vetë shkrimin ma shkurtuan pa shumë ceremoni (dhe pa më ardhur mua gjë keq), në një kohë që disa prej kolegëve në forum ende e konsiderojnë sakrilegj të vënë dorë mbi komentet e anonimëve! Vox populi vox dei vërtet.

  2. Shume i mbrapshte ky argument.

    E vertete qe komentuesit nuk gezojne te drejta te pakufizuara, perfshi ketu edhe te drejten e fjales (e cila nuk eshte e pakufizuar, gjithsesi). Te drejtat kufizohen nga pergjegjesite. Kaq eshte e gjitha.

    Apo nese beson se ulja e anonimitetit ul papergjegjshmerine, atehere kerko uljen e anonimitetit.

    Por kujdes kur e trajton anonimin si jo person, pasi per hir te kufizimit te lirise se fjales, kufizohet gjithashtu edhe pergjegjesia mbi fjalen. Pasi i njejti argument mund te shtrohet ndryshe: Nje anonim fal te qenit anonim heq dore nga te qenit person; duke hequr dore nga te qenit person, heq dore edhe nga pergjegjesite qe mbart si person: rrjedhimisht, duke qene se ka hequr dore nga pergjegjesia, mund te thote cdo gje te papergjegjshme qe i vjen ne mendje.

    Po ne u nisem per te vene vetulla, tha.

    Pra kujdes: nuk eshte anonimiteti ajo qe nenkupton heqjen dore nga prerogativa per te qene person, por papergjegjshmeria ajo qe nenkupton heqjen dore nga te drejtat. Anonimi eshte person me te drejta dhe pergjegjesi te plota, i cili heq dore nga te drejtat (perfshi te drejten e fjales) duke hequr dore nga pergjegjesia.

    1. Po ti mirë se u ktheve, një herë.

      Mua s’më intereson shumë se ç’thotë njëri dhe tjetri, sa kohë që në komunikim zbatohen disa rregulla të caktuara; dhe natyrisht, unë e shoh anonimin nga këndvështrimi im si administrator i faqes.

      Me fjalë të tjera, anonimi për mua është person sa kohë që s’e ka hapur gojën; që nga momenti kur nis të flasë, është krijesë fiktive, maskë karnavali.

      Edhe vetë Xha Xhai ka qenë maskë e tillë, në fillimet e veta; por me kohë u shndërrua në pen name.

    2. Përfytyro situatën hipotetike të mëposhtme: unë botoj një artikull në një faqe ku komentet nuk moderohen; ti, që ke një inat çfarëdo me mua, dhe kohë sa të duash në dispozicion, përdor një shërbim anonimizues dhe poston aty 50 komente me 50 pseudonime të ndryshme, për të thënë, në thelb, se artikulli është paçavure, se autorin e paguan Soros-i (madje duke ia shkruar emrin këtij të fundit Sorros-i, me rr të fortë), se autori ‘ia ka futë kot’, madje edhe duke shtuar aty një bejte të vogël, sa për lezet. Tani, më thuaj mua, ç’kuptim e ç’vlerë ka, për komunikimin publik, t’i trajtosh këto 50 karaktere si “persona” dhe t’u njohësh të drejtën e fjalës, etj.? Po ta bësh këtë marifet kur voton në zgjedhjet, për shembull, të futin në burg. Atëherë pse u dashka të lejojmë që fjala e lirë, publike, të ketë më pak peshë se vota?

  3. Xha Xhai,
    jam plotesisht dakord me ato qe keni shkruar keto dite, per nje lloj kontrolli te komenteve.
    Mirepo , kam vene re se tregoheni si shume tolerante ndaj disave, qe kane nje fjalor fyes, ofendues, deri deri rrugaceror. Nuk e kam fjalen per fyerje te karakterit personal, sepse keto dihet qe censurohen nga te gjithe, por per fyerje te karakterit etnik, religjioz, krahinor etj.
    Ndoshta ju i toleroni tipa te tille thjesht per testim , per kuriozitet, apo thjesht per ti dhene njefare gjallerie debatit mes komentuesve (cdo ambient e ka nje gaztor) , kete nuk e di. Ndoshta e kam gabim.
    Gjithsesi, e them kete se tipa te tille kane aftesine te te terheqin ne ligatinen e tyre , dhe aty natyrisht, as nuk mund te flitet per debat te cliret , te ndershem dhe te shendoshe.

    1. Shumë e drejtë kjo vërejtje; por edhe unë bëj aq sa mundem. Me ndihmën tuaj – p.sh. duke i injoruar provokatorët, ose duke ua treguar vendin shkurt – do të siguronim një atmosferë pa dyshim shumë më të shëndetshme.

  4. Më vjen më tepër keq që nuk kam aq kohë sa do të desha për të shtjelluar sa mendoj për këtë problem se sa më erdhi kur lexova titullin: Dëbojini, para se t’ju dëbojnë!- edhe pse shprehje me të tillë lloje shqetësimesh, po të ndjekësh fillin e Arianës gjen qysh herët. E para që më shkon në mendje është se intelektuali nuk duhet të shqiptohet kështu, sepse ndërsa gjen mendjendritur që e kanë thënë gjen mendjeterrët që e kanë zbatuar krejt në të kundërt. Mbase kjo thënie përdoret edhe thjesht si mjet për të hapur e nxitur debat mbi një fushë e cila akoma nuk ka as sjelljet as rregullat as ligjet që do ta vetëmirëmbanin.
    Për analogji, një dasmë. I zoti i dasmës nuk ka si të ngrihet e të shpallë “Dëbojini, para se t’ju dëbojnë!” për ata fakirë që kërcejnë në trotuar tek dera kryesore apo ata të tjerët që kërkojnë ndonjë copë nga dera tjetër. As ftesat nuk i ka bërë me poshtëshënimin, se po u dehët, ja morrët këngës tuaj, valles tuaj, u zutë mes vedi, …; shkurt po tentuat të ma prishni dasmën ju flak zhelesh. Për analogji, një qytet. Qytetërimi i tij nuk sigurohet duke ndaluar katundarët (më falni bashkëvuajtës) të hyjnë në qytet sepse ata ndyjnë ku të mundin, por duke ndërtuar ambiente publike, nevojtore për të largmit, e banjo për, siç do ti quante dikush, morracakët (rrënjëthellë të) e qytetit. Si për dasmat si për nevojat personale, them se përmirësimit i janë dashur dekada, të tilla duhet ti duhen edhe komunikimit nëpër faqe.
    Të dy analogjitë i zgjodha njërën për të anuar nga privatja tjetrën për të anuar nga publikja për ti paraprirë argumentit se blogu, blogjet apo faqet e tjera janë private. Mendoj se privatja dhe privatësia e faqeve mbaron atëhere kur ato merren me punë publike që prekin të gjithë. Apartamenti është privat e i pacënueshëm por jo kur atje ti kujdesesh për 10 mace e 100 kotele. Ashtu si shëndeti i Bujarit mbaron së qëni vetëm i tij kur ai bëhet president. Në të fundit, ta mendosh se do ketë ndonjë hundëlesh që një ndër faqet nuk e pranon e nuk e pranon të komentojë, ky i drejtohet gjykatës, them se kjo e fundit, deri në shkallën më të lartë do ti japë të drejtë këtij të fundit të shprehet atje ku i është ndaluar, ASHTU, si po këto gjykata mund ta dënojnë atë nëse shprehja e tij ka cënuar hundën e tjetrit. (Por jam i sigurt ama se faqet tona NUK kanë për ta zbatuar vendimin e gjykatave e nuk ka për tu ndodhur gjë.) Nuk e mbaj mend ku e kush, por kam lexuar se M.Nanos tek Respublica i kanë thënë se përgjegjësi mban edhe ai vete për çaprashitjet e gjithkujt në faqen e tij. Kjo është hëm e gënjeshtërt hëm presion. Budallai më i fundit që kërcënoi presidentin Obama e bëri a nga Twitteri a nga Facebooku; i pandehur u mor ai e askush nga ndonjë prej rrjeteve shoqërore më popullore të botës.
    Ndërsa për sa mbështetje sjell nëpër këtij shkrimi apo pjesmarrjes në forumin e Javës, ja disa të plasura. Gazetat që cilave ua pëlqen komentet janë globale siç e thua vetë; kujto se ndryshimet sasiore sjellin ndryshime cilësore, apo ver përballë 3 milion lexuesit e komentuesit tyre me 3 mijë të këtyre shqiptareve ashtu si mund ta bësh edhe për grupet e popullsisë nga dalin autorët respektivë.
    Me rëndësi më duket të sqarohet edhe pikpamja e emrave dhe mbiemrave, pseudonimeve, maskave, mbivlerësimi i të parave ndaj të dytave. Nuk ka arsye për një të paanshëm të verë në pikëpyetje integritetin e fjala vjen, L. Kodrës, krahasuar me atë të G. Bendajt; bile duhet të të ketë ndodhur që personin nën pseudonim ta kesh takuar e atë nën emër as mos e takosh kurrë. Të jesh i sigurt se pas një Filan Fistëku më emër e mbiemër, qëndron një dashamirës e mbas CD (fjala vjen) këtu qëndron një dashakeq, thjesht sepse i pari miraton, ngre në qiell, gjithë sa lexon nuk bind. Sa emra kanë ndyshuar shqiptarët aq të mira u qofshin. Mbase ata me shumë kanë ndërrar emrat se pseudonimet. Por edhe nëse duhen krasitur komentet ato duhen bërë barabar për ekstremet e dy llojit, si për ato me superlativa ashtu edhe ato me mospëlqyeshmëri. Ndryshe kërraba tërheq nga vetja njëlloj si edhe aty ku thua se komentet negative mund të shumfishohen; edhe pozitivet kanë të njëjtat veti.
    Ndoshta faqet duhet të përcaktojnë murret e tyre rrethuese. Sot ato janë fare të tejdukshme, shtëpi xhami. Në disfavor të pub-eve le të shkohet (ai që dëshiron) tek club-et. Por jo ta lesh tjetrin të hyjë, të ndyjë e ti thuash pastaj shko laj gojën. Nuk është e drejtë. Meritë në shfrenimin e gjuhëve e ka edhe heqja prej moderatorëve e yjeve të vlerësimit, të cilat do të shërbenin si pritë për përrenjtë e papërmbajtshëm, e do ti kursenin gjithkujt kohë.
    Një faktor që duhet marrë në konsideratë është edhe evoluimi i sistemit që dallon individin nga indidvidi. Pa ja ditur fiks e pa ja kërkuar historinë dikur, x- quhej x-i i y-së sipas atit, dikur me emër e mbiemër, diku me emër mbiemër e emër të mesit, dikur me emër e dy mbiemra, diku emri ka rëndësi e diku mbiemri, e ja edhe kjo kohë ku si emrat e penës dolën edhe këta të internetit. Nuk ke si të minimizosh sjelljen e një bote të tërë, ta quash atë të pavlefshme, sepse individë të saj e keqpërdorin.
    …për të tjerat tjetër herë

    1. Për mua, CD, e keqja më e madhe publike, më e madhe edhe se anonimët që lyejnë muret e hapësirave të komenteve me bajga, janë njerëz si zotrote, që nuk ju shoh kurrë të merrni mundimin për t’i vënë fre një abuzimi me tjetrin, një nëpërkëmbjeje, një orvatjeje për të shpifur, për të hedhur baltë, për të provokuar, për të insinuuar; gjë që nuk e bëni, me përligjjen që ua jep vetëdija se “s’është puna ime, ç’më duhet mua”; edhe pse hapësira publike nuk mund të mbijetojë dot pa angazhimin eksplicit të të gjithë atyre që e shkelin, e përdorin dhe përfitojnë prej saj; dhe këtu s’e kam fjalën për lavdërime, për të cilat s’kam vend në raft, por thjesht për një solidaritet prej kolegësh, ose një shqiptim, një përkujtesë se je edhe ti aty, që nuk pajtohesh me këtë apo atë stil fekal – gjë që për fat të keq ndodh shumë rrallë, dhe kjo i pezmaton autorët si unë, sepse i bën të mendojnë se po flasin me muret; dhe kjo farë censure është ku e ku më e efektshme se ajo tjetra, që kërkon t’u mbyllë dyert rrugeçërve, kapadaijve dhe parazitëve; pa folur pastaj për faktin e thjeshtë se edhe ti, që hyn e del në këtë blog që prej 5-6 vjetësh, ke marrë që këtej shumë më tepër se ç’ke dhënë. Pak simpati vetëm do të të nderonte – por vetëm duhet të jetë njeriu i vrazhdë shumë nga mendja, që ta interpretojë këtë kërkesë për simpati e solidaritet si nevojë të vanitozit për ta lëvduar (dhe duhet të jesh vërtet vanitoz, që të kërkosh lëvdata nga njerëz që s’i ke parë kurrë në jetë e që kushedi, nuk do të doje as t’i kishe në lagje, e jo më si bashkëfolës e kolegë në debatet).

      1. CD-ja, e keqja me e madhe publike?

        Perderi sa po te shkruaj, eshte puna ime, por brenda kohes sime. Une jam punetor Xha Xhai, kohen per tu ulur para kompjuterit e ndaj me ate te kafese apo ja heq ores se gjumit. Kesisoji as kam hyre as kam ndermend te hyj neper komentet e blogjeve e gazetave, te lexoj te ndyrat neper mure, bile edhe ne gazeta vete (per faj te tyre e jo timin) titujt po lexoj.
        Por as une si e keqja as lavderimet qe i ke marre ndryshe ngase i perdor, nuk jane thelbi i gjese.
        Thirrja jote e atij titulli, nuk kerkon as perkrahje e as simpati kolegesh e lexuesish. Ajo ngrihet mbi nivelin e nje analisti, bloguesi apo te ngjashmish ne thirrjen e nje ideologu: Dëbojini, para se t’ju dëbojnë! Eshte drastike, ekstreme, nuk ka asgje te perbashket me edukojini, para se… apo ndalojini, apo moderojini. Vertet do te te jete sosur durimi, deri sa e ke thene, por per metrin tim e ke kaluar masen; gje qe e perforcon edhe forumi i Javes e bashkerendimi i forcave me faqet e tjera. Tashme problemi nuk e ngre vetem tek blogu jot, apo aty ku botohesh por gjithandej.
        Meqe lexoj dy blogje, e shkruaj ne nje, nuk u dua te keqen atyre, nuk dua te pres degen ku jam ulur. Nuk me duket se e mira e tyre u vjen me menyren e ofruar. Meqe e kemi rrahur me pare kete pune, sugjerimi im ka qene afrimi i me shume autoreve (e me vjen mire te shoh te tjere), te tjera ke me siper (qe i drejtohen blogut e jo autorit) kane te bejne me menyren si mund ta organizoni faqen; ja te them disa te tjera hiqeni ate butonin like, ndajini komentet nga temat kryesore, – qe mund te jene efektive. Tani ketu mund te vije si dashakeqi si i padituri, veshtire te thuash kush eshte kush, por ky i dyti duhet ruajtur.
        Ja ta zeme se u tha dhe u be. U mbyllen komentet (fyese e neperkembese). Po sikur te hapen po aq blogje sa komente te tilla, qe fyerje dhe neperkembja te jete ne balline papushim? Me mire nje koment se nje blog. Me mire nje mije komente te shperndara gjithandej se njemije blogje si trup i vetem.
        Por edhe moderimin e premtuar nuk e keshilloj. Ju shtohet angaria, ju prishet gjaku, ju i lexoni qe i lexoni, por edhe e futni blogun, faqen, ne pozicion te papershtatshem, duke ruajtur sekret gjera qe nuk do donit e qe me ligj do duhet ti kallzoni. Nese ai budallai i fundit do te kishte shkruar tek nje nga faqet me komente te redaktuara sa shkroi ndaj Obames, komenti ti ishte hequr lehtesisht (moderuar) atehere besoj se te zoterit e faqes do kishin probleme te verteta me ligjin (konspiraci) nese nuk do ta kallzonin.
        Zgjidhjen e duan te gjithe, patjeter ju me shume, por ajo nuk vjen me nje te rene te shpates, me debime, pa i shoshitur te gjitha anet, e pa marre kohen e duhur.
        Si autor, problemi nuk eshte i ri. Autoret gjithmone kane lene lexues te pakenaqur dhe kane punesuar kritike. Ne s’ka patur komente, ka patur letra anonime, letra nga populli. Eshte nje barre per autorin, te ciles ai duhet ti dale zot. Autori yne me i shquar shkoi aq larg sa kerkoi prej nje kritiku (me gjithe kuptimin e mire te fjales, perkthyesit te tij etj, etj,) luajalitet.

        1. Dëbojini para se t’ju dëbojnë – kjo ishte këshilla ime, për kolegët.

          Në fakt, ndyrësitë që shkruhen në faqet e lëna pa zot janë censura më eficiente kundër autorëve; dhe unë që e ngre zërin, e ngre në fakt kundër kësaj censure. Njerëzit lodhen, fillojnë të binden se nuk ia vlen. Jo ngaqë i shajnë, jo ngaqë i përgojojnë dhe shpifin për ta, por ngaqë mungon pothuajse krejt reaksioni i të tjerëve – atyre që duhej të ngrinin zërin.

          Masa e komentuesve të shfrenuar nuk pranon asnjë lloj mendimi që të jetë sado pak kontroversial, kundër rrymës, ose pak më i sofistikuar se sahati me rërë.

          Besoj se i ke parë ndonjëherë komentet te “Tema”; nuk është se të kanë mbushur me krenari që je shqiptar, apo jo?

          Nuk di pse kam përshtypjen që ti nuk e njeh problemin. Provo të shkruash një artikull, të cilit mund t’i kesh kushtuar shumë kohë, mund dhe pasion. Provo edhe të shohësh, në faqen ku është botuar ky artikull, komentin më të parë, që thotë: “Ja, shkroi edhe ky budallai.” Provo edhe që një koleg yti, me të cilin deri dje ke ndarë mendime të holla, të ngrihet dhe ta mbrojë komentin dhe komentuesin, kundër propozimit tënd për të mos i lënë hapësirë brutalitetit dhe vandalizmit në komunikimin publik.

          Nuk flas vetëm për veten. Nuk di nëse ke parë se çfarë kanë shkruar, te ResPublica, për nja dy artikuj të guximshëm të Eda Derhemit.

          Janë gjëra që të heqin dëshirën të flasësh – sidomos kur ke gjëra për të thënë.

          Bëje një krahasim me dasmën: krahasim pa vend. Krahasimi duhet bërë, mendoj unë, me komunikimin publik tradicional. Do të kesh qenë ndonjëherë i ftuar, besoj unë, në një konferencë publike; dhe kur ke pasur për të bërë ndonjë pyetje, nuk është se je ngritur të flasësh me maskë, apo jo? As ia ke bërë biografinë folësit dhe as ke recituar vjersha; as e ke qëlluar me vezë ose domate.

          Ose më saktë: sikur të ishe ngritur të flisje me maskë, ose me balaklava, nuk do të të vinte e papritur, sikur një roje të të nxirrte përjashta pa të dhënë shpjegime.

          Fjala, që të jetë e lirë, ka nevojë për një kontekst komunikimi të rregulluar. Ti, që s’e ke vrarë kurrë mendjen si të më mbrosh ndaj sulmeve, ndonjëherë të ndyra, që më janë bërë poshtë e lart, dhe që e cenojnë drejtpërdrejt lirinë time për ta nyjëtuar mendimin tim të plotë, të paktën mos më pengo tani që po kërkoj të mbrohem vetë, duke u përpjekur ta rregulloj disi atë kontekst, për vete dhe për të gjithë të tjerët në pozitën time. Qëndroji konsistent indiferencës sate, zotëri.

          1. Për të mos lënë mëdyshje. Kur lexoj një shkrim në kompjuter e ngre shkrimin lart deri tek fundi, lirisht, që më shfaq një, dy apo tre komente. Më poshtë komenteve nuk shkoj. Komentet që lexoj janë këto këtu, dhe vetëm ato të temave letrare tek një blog tjetër. Para këtyre 5-6 viteve të këtushme kanë qënë 5-6 vite të tjera që kam bërë të gjitha ato që mi këshillon me provo, duke provuar të gjitha ato që supozon se do provoj, mbase dhe më keq. Them se e njoh problemin, njeriu e njeh ruleten ruse dhe pa e provuar, por mendimi im mbetet i pandryshuar, si atëhere edhe sot.
            Unë nuk e shoh zgjidhjen e problemit me dëbim qoftë kjo platformë qoftë këshillë. Shembujt për mbështetje që merr me sa shkruhet tek Respublica apo Tema qëndrojnë për aq sa i lejon ndërtimi, konstrukti, që ata mendojnë se ju duhet faqeve të tyre, krejt ndryshe nga PtF, ku prioritar është nisja e një diskutimi dhe debati.
            Krahasimi me dasmën është po aq me vend sa është edhe krahasimi me komunikimin publik, ai vë ne dukje anën shoqërore. Sjellja shoqërore për secilin aktivitet arrin në atë stad të zhvillimi të pranueshëm nga të gjithë ku ajo bëhet zakon dhe normë pa pasur nevojë të forcohet me ligje të çuditëshme. Që të kesh komentet normale, ashtu si dasmat pa dyfekë, konferencat pa maska, (të lutem, mos themi se s’kanë qënë ndonjëherë me maska) shoqërisë i duhet kohë, mbase kjo tona e ka aparatin ripërtypës e do ti duhet dyfishi i kohës, por kjo kohë i duhet dhënë.
            Ashtu si të prekurit nga sharje e fyerje, të bindur se liria e tyre është prekur drejpërdrejt, duhet ti drejtohen gjykatës. Vetëgjyqësisë më 2012 i ikur koha.
            Mbrëmë mbas mesnate, ndesha për herë të parë në aktivitet – në metro – beretat e kuqe të Guardian Angels. Mbresa ime për to nuk është pozitive. Oferta jote ndaj meje është e ngjashme, pjesmarrje vullnetare në patrullimin e komenteve shqip të internetit e mbërthimi i zullumqarëve. Po të më kërkohet ti bashkohem beretave mund të më thuhet se ti e përdor metronë, kriminaliteti ulet, ndaj mos rri indiferent. Mirëpo ti më kërkon mua t’ju mbroj aty ku unë s’shkel fare, njëlloj si të më kërkohet të mbroj spektatorët e një stadiumi se ca aty hanë fara luledielli e ja u mbështyjnë komentatorëve mbi kokë. Unë ndeshjen e shoh nga televizori. Por kjo nuk është indiferencë. Është zgjidhja ime. Gjithë qyteti nuk futet në stadium.
            Qytetaria ime është aktive atje ku është prezenca ime. Një malësor nuk e akuzon dot për indiferentizëm se plazhet janë të qelbura me gjithfarë mbeturinash, për sa kohë prej përroit të tij nuk të vijnë mbeturina, e për sa kohë pyjeve pranë tij nuk u ka rënë flaka. Të mos zgjatem. Meqë më thua se kam 5-6 vjet këtu, sipas kësaj logjike, kam 5-6 vjet që të mbroj prej sulmeve.

            1. Po mirë, o zotëri, nëse ti nuk shkel në ato gjirize, dhe nuk e ke idenë se çfarë ndodh aty, atëherë pse ndërhyn kot, në një debat të hapur prej meje, që shkel ndonjëherë aty dhe, ndonjëherë tjetër, jam drejtpërdrejt objekt i përbaltjeve?

              Unë s’të kërkoj të angazhohesh qytetarisht atje ku ti s’ke interes ose nuk do; por ndërhyrja jote në këtë debat më krijoi përshtypjen se ti edhe doje, edhe kishe interes për çështjen në fjalë.

              Tani më thua se ti nuk shkel atje – aferim! Kurrë mos shkelsh. Dëgjo atëherë të flasin ata që gjirizin e kanë shkelur, dhe m’i kurse predikimet të lutem.

              Të solla një shembull flagrant pak më lart; kam edhe të tjerë, në arkivin e bajgave. Jam kurioz të di ç’dum do t’i jepje ti kësaj pune.

            2. Si individ, bej ate qe do te beje po ti degjoje ato fjale mbrapa kraheve.

            3. Shkruan:

              Ashtu si të prekurit nga sharje e fyerje, të bindur se liria e tyre është prekur drejpërdrejt, duhet ti drejtohen gjykatës.

              Të prekurve nga sharjet dhe fyerjet nuk u preket vetëm liria, por së bashku me lirinë edhe dinjiteti (dhe dinjitetin nuk e restauron dot gjykata).

              Ti e di që ligji vepron mbi njerëzit, jo mbi maskat; ligji nuk vepron mbi personazhet fiktive. Kriminelin në një roman policor e arreston një komisar policie po aq fiksional sa edhe krimineli.

              Ti gjithashtu e di se krimi ose kundërvajtja është më mirë të parandalohen, sesa të dënohen. Moderimi nuk e lë aktin e fyerjes të konsumohet, ndër të tjera edhe duke ia kursyer shoqërisë dhe palëve shpenzimet e zgjidhjes legale të konflikteve (litigation).

              Moderimi nuk është vetëgjyqësi, por civilizim. Nuk mund të ekzistojë asnjë debat publik, pa funksionin e moderimit. Në shoqëri të emancipuara, moderimin e kryejnë normat sociale të interiorizuara nga qytetarët – kushedi një ditë do t’ia arrijmë kësaj edhe ne shqiptarët.

            4. Krahasimi me dasmën është i gabuar.

              Edhe sikur të sforcohemi dhe ta perceptojmë për një moment blogun si dasmë pronari i tij nuk ka çuar ftesa. Në këtë dasmë njerëzit vijnë të paftuar, pra nuk është e nevojshme që ata të kërcejnë në trotuar. Mund të hyjnë në çdo moment e të kërcejnë deri sa t’ju bjerë të fikët nga kjo punë. Autori ka një problem me ata njerëz, të cilët të pakënaqur nga mënyra se si i Zoti i Dasmës ka vendosur se si të vijojë dasma, fillojnë e i thyejnë xhamat e lokalit. Në këtë moment ai thotë, përderisa rrotull lokalit të dasmës time ka pafundësisht lokale të tjera dasme BOSH e pa para, ku ju të pakënaqurit e dasmës time të festoni ato tuajat si tua dojë qejfi, mos m’u bëni mua havale, por ikni e thyejini qafën në punën tuaj.

              Shkruan më herët:

              “Mendoj se privatja dhe privatësia e faqeve mbaron atëhere kur ato merren me punë publike që prekin të gjithë.”

              Ti CD e paske vendosur të mos e kuptosh thelbin e problemit. Privatja dhe privatësia që autori mundohet të mbrojë nuk është gjë ajo e faqeve por ajo e tija personale. Pastaj faqja vërtetë është publike por si ngrehinë ajo është produkt i një pune gjigante e personave privatë. Ai nuk do, që ajo ngrehinë tashmë aq komplekse, që ai dhe kolegë të tjerë kanë ngritur me aq mund në këto vite, duke ngritur çdo tullë (ndër ato miliona tashmë të vendosura) e duke e menduar të paktën tre herë se si e ku duhet vënë të bjerë viktime e pasionit të dikujt, i cili nuk është në gjendje ta shprehë mospëlqimin e tij në mënyre më të artikuluar sesa “po ti qeke rrotë k***!”.

              Nëse autori fton për një diskutim për një temë publike kjo nuk do të thotë se automatikisht të gjithëve individëve u ka lindur e drejta për të marrë pjesë në diskutim, por vetëm se atyre u është krijuar mundësia. Të drejtën duhet ta fitojnë pasi të bien dakord me rregullat e diskutimit.

              Kjo histori nuk është e re. Jo çdokush mund të hyjë në një ambient publik dhe të sillet sipas dëshirës. Në një stadium mund të bërtasësh e të shash çfarë të duash, por në parlamentin shqiptar mundesh edhe më shumë.

            5. pifto,

              krahasimet, ketu e kemi pranuar se do ti marrim per aq sa mbajne.
              E rishpjegova edhe nje here, por ja edhe nje here tjeter. Si vajtja ne dasme si ardhja ne blog jane te dyja pjesemarrje, aktivitete qe i kryen njeriu. Ndersa per dasmen shoqeria i ka konsoliduar kodet, per komentet online jo, ndersa askush nuk guxon ti thote nje nuseje e shemtuar, gjithkush guxon ti thote nje titulli i keq. Shoqerise ju dashka kohe per kete, qe presioni i saj te mos lejoje shfaqje te papalqyera.
              Per pjesen tjeter, mbi privaten e publiken. Nuk po ju hy sa shkruan se s’kane te bejne fare me sa kam thene. Guaska mbrojtese e kujtdo qe shkruan e s’do komente mbaron kur ai shkruan per pune publike, per pune qe prekin interesin e shoqerise. Kjo nuk eshte nje faqe ku shkruhen novela e poezi, ku shkruhet c’i do qefi autoreve per hir te qefit, por nje faqe qe i ben radiografine, anatomine, a c’ti thuash, shqiptareve dhe problemeve qe lidhen me ta. Ajo duhet te jete e hapur ne komente per kete veti te saj.
              Nese ti prek nje grup te caktuar shoqeror, mban komentet mbyllur per reagimin e tyre, ata do te deshirojne te lene gjurmet e tyre, dije se kane mundesi ta bejne. Nje nga menyrat si fitohet e drejta eshte dhe me vendim gjykate.

            6. Unë nuk e shikoj kështu.

              Natyrisht që edhe për komentet online ka rregulla sjelljeje të mirënjohura, të cilat nuk kanë nevojë të jenë sanksionuar në një akt për këtë qëllim. Ato burojnë nga “zakonet e mira”, të cilat na shërbejnë sa herë që gjendemi në një situatë të re, në të cilën rregullat e sjelljes ende nuk janë kristalizuar dukshëm. Sigurisht që për zbatimin e e tyre (“zakoneve të mira”) kërkohet një predispozicion miqësor karshi hapësirës publike dhe një farë kulture e përgjithshme komunikimi. Unë dhe ti mund të udhëtojmë të vetëm si të marrë në mes të shkretëtirës me automjetet tona, por sapo e vëmë re njëri – tjetrin fillojmë të tregojmë kujdes, që të mos përplasemi. Krahasimi me dasmën nuk më duket i qëlluar, pasi ajo është diçka e njëhershme dhe sigurisht që nuses nuk mund t’i thuhet që ke dalë e shëmtuar. Blogu lipset të ketë mbi 1000 shkrime ma do mendja dhe autorët nuk më duket gjë që nusërojnë. Pastaj problemi i tyre nuk është që dikush ju thotë sa të shëmtuar që jeni, por që dikush ju hyn në brekë ndonjëherë.

              shkruan:

              “Guaska mbrojtese e kujtdo qe shkruan e s’do komente mbaron kur ai shkruan per pune publike, per pune qe prekin interesin e shoqerise. Kjo nuk eshte nje faqe ku shkruhen novela e poezi, ku shkruhet c’i do qefi autoreve per hir te qefit, por nje faqe qe i ben radiografine, anatomine, a c’ti thuash, shqiptareve dhe problemeve qe lidhen me ta. Ajo duhet te jete e hapur ne komente per kete veti te saj.”

              Për mendimin tim gabon. Në se lexuesi nuk është i kënaqur me një shkrim publik është e vetëkuptueshme që ai ka të drejtë të shprehë hapur përshtypjen e tij, pavarësisht nëse është fjalë për gazetari të mirëfilltë apo për literaturë fiktive. Problemi është, që ai duhet ta bëjë këtë sipas disa rregullave, të cilat vendosen e ndryshohen kohë pas kohe si rezultat i një kulture dialogu publik të vazhdueshëm. Në vijim të tyre luhatjet e intesitetit të mjeteve të përdorura nuk mund të jenë ekstreme. Konkretisht nëse një autor shpreh bindjen e tij se “Shqipëria nuk është vend malor” ky nuk mund të akuzohet se e bën këtë ngaqë paguhet nga Moska, Athina dhe Beogradi njëkohësisht, sepse këtu ky po prish dasmën (po të përdorim krahasimin tënd).

              Megjithatë, nga që e shikoj që kërkon një shembull për të krahasuar jetën e blogut me diçka më të njohur për lexuesin e tij kur kërkon të zbatosh me analogji disa rregulla sjellje nga zhvillime të tjera sociale, unë do të të ftoja, që komunikimin në botën virtuale ta krahasoje ndoshta më mirë me trafikun rrugor. Me miliona janë njerëzit që qarkullojnë në të dhe të shumta janë edhe rregullat. Pa ato do të kishte vetëm kaos, dëme të paimagjinueshme dhe askush nuk do të arrinte në destinacion.

              Edhe kur sugjeron “injorimin” e dhunës verbale në blog nuk vë re, se kjo e fundit është një ndotje e ambientit etik për të gjithë. Merr për shembull metronë dhe le të qëndrojmë atje. Sigurisht edhe unë i mbyll sytë dhe madje më shumë edhe veshët për shqetësime të vogla, të pandërprera dhe të përhershme, por si do të dukej ty vetja, nëse pranë teje një person do t’i shurronte një tjetri në kokë. Duke lënë më një anë bezdinë për ndotjen e ambientit në kuptimin fizik të fjalës, nuk kemi të bëjmë një një dhunim publik të dinjitetit të një personi, i cili kur kryhet në praninë të të tjerëve ka dhunuar edhe dinjitetin e të gjithë atyre bashkë? Po sikur jo një person, por 50 persona ta kryenin atë poshtërim pikërisht kaq afër teje dhe meje?

              Unë besoj se përplasja midis personave që marrin pjesë në diskutim publik është e pashmangshme, madje e gjykoj këtë si një forcë lëvizëse të një mendimi pandërprershmërisht në progres. Por palët që përplasin mendimet e tyre duhet të ruajnë një farë përpjesëtueshmërie në mjetet verbale që përdorin për këtë qëllim dhe para së gjithash duhet të shërbehen në mjete të ngjashme në natyrë. Nëse autorët e këtij bllogu do të na turreshin çdo mëngjes me hanxhar në dorë, natyrisht që o do të duhet të merrnim arratinë, o të nxirrnim edhe ne të paktën topuzët. Por këtu kultivohen vetëm mendime, të cilat na bindim apo jo, janë vetëm të tilla, që lëshohen në hapësirë për të vjelur të tjera, prej të cilave lindin mendime të reja. Në këtë kuptim është e nevojshme të ndërhyhet mekanikisht për të të larguar (dëbuar) vandalët.
              Shkruan:

              “Nese ti prek nje grup te caktuar shoqeror, mban komentet mbyllur per reagimin e tyre, ata do te deshirojne te lene gjurmet e tyre, dije se kane mundesi ta bejne. Nje nga menyrat si fitohet e drejta eshte dhe me vendim gjykate.”

              Nëse xhaxhai i lë jashtë vandalët, ata mund të organizohen (nëse dinë ta bëjnë këtë, që dyshoj shumë) në një blog të tyren, por unë nuk do të shkoja të lexoja se ç’thonë. Një bindje, të cilën nuk mund ta argumentoj, më thotë, që kushdo që është i urtë dhe njëkohësisht i shqetësuar për moderimin e blogut do të shkonte atje ndoshta vetëm për të të bërë ndoshta vëzhgime për sjelljen e njerëzve në “egërsi”, por jo për të pasuruar shpirtin.

  5. Duhet të më falni paraprakisht, por po e them… Irritim të ngjashëm tek e lexoj CD-në, kam ndjerë kur bëhej debat këtu për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

    Tani që të rinjtë i sheh rrugëve tek u këputin nga qafat e nga veshët varëset dhe vathët grave, besoj se nuk ka ndryshuar qëndrim.

    Të më falni prapë, aludim është… Ky lloj qëndrimi (i CD) është i thekshëm oportunist. Nuk ka asnjë llogjikë, asnjë argument. Thjesht i ofron një kaste përfitime të momentit me kosto të pamatë për të gjithë në të ardhmen.

    Ia kuptoj insistimin Xhaxhait, sepse kam qënë dhe vetë në një pozitë të tillë, është detyrim i brendshëm që ndjen dikush kur vlerat që kërkon të transmetojë janë ato të qytetarisë. Vështirësitë e kësaj pune, i ka ilustruar A.Lame në një artikull sot tek Shqip. “Nuk kemi çfarë të bëjmë, po mund ta hani dhe ju ambasadorin tonë”.

  6. Shëmbulli i komentuesve të gazetave The New York Times dhe The Guardian është sigurisht domethënës për nivelin e shkëlqyer të komenteve, por është para së gjithash domethënës për nivelin e vetë gazetave në fjalë.

    Në rastin e gazetave të mësipërme, ndërsa nivelin e mrekullueshëm të gazetarisë e marrim si të mirëqenë, këtë e kemi krejtësisht të pamundur ta bëjmë në rastin e gazetarisë shqipe.

    Faqet e gazetave shqiptare, përtej shëmtisë së skajshme grafike që përçojnë, mbushen më së shumti me gazetarë e autorë anonimë, niveli etik i shqiptimit të të cilëve rivalizon ethshëm vetëm me shëmtinë e grafikës së logut nga i cili kuvendojnë.

    Po kursej këtu, jo pa qëllim, nivelin e shqipes së gazetave tona; kush ruan ende ndonjë mëdyshje, t’i referohet blogut Gastare, i cili, theksoj, merret kryesisht vetëm me titujt.

    Është e vështirë, në këto kushte, të presësh prej anonimëve nivel më të lartë gjuhësor, etik apo arsyetimi se vetë anonimi që zhgarravit gazetat tona me helmin e përditshëm për përtypje masive.

    Kësisoj, autori anonim dhe anonimi komentues formojnë në gezetat tona një trup, një njësi të vetme dhe të pandashme; shëmtia e njërit reflekton atë të tjetrit besnikërisht, si në një lojë pasqyrash.

    Gjithë sikundër Autori dhe Komentuesi në The Guardian apo The New York Times formësojnë edhe ata një trup të vetëm, dhe reflektojnë mrekullisht njëri-njetrin, duke ofruar përditë e pagabueshëm spektaklin e pritur, të krahueshëm vetëm me veten, për kënaqësinë tonë të madhe.

    Krahasimi midis logjeve ku nyjëtohet mendimi më i rafinuar i qytetërimit njerëzor, dhe letrave me lyrë të bakallëve, që njohin për gazeta periferitë e largëta të qytetërimeve, lipset më së pari të shërbejë si udhërrëfyes për vetë logjet e kuvendeve tona publike, gazetat.

    Shembulli më i mirë i kësaj është ky log; përmes dëshirës dhe mundit për të tentuar sa më lart drejt etikes, kjo e fundit, diku më mirë e diku më pak, e ruan thuajse vetëvetiu edhe nivelin e komenteve, megjithëse helmi i kudondodhur dhe në rritje në hapësirën publike po e sulmon edhe këtë shembull.

    Përfundimisht, ata katër a pesë autorë që shfaqen në tribuna rallë e për mall, e bien viktimë e hamonisë së shëmtisë jo vetëm nëpër komente, nuk janë çare as për gazetarinë e as për gazetat tona.

    Këta pak njerëz të mirë që mbajnë me gajret shpresën për kulturën tonë, e bashkë me të edhe të gjithë ne, nuk bëjnë tjetër veçse na kujtojnë batakun e pakalueshëm në të cilin kemi ngecur, e që nuk po paska fund.

  7. Une mendoj se gazetaria te ciles i referohen ketu nuk ka mundesi te kultivoje kulturen apo edhe te terheqe para procese emancipuese. Per te gjitha arsyet e kesaj bote. Dhe ne fakt me aq sa di, as nuk kane pretenduar ta bejne kete gje. Natyrisht kjo nuk u heq pergjegjesine qe kane per shume lajthitje dhe shkarje. Per te gjithe ata qe shqetesohen seriozisht lajmi i mire eshte se thuajse te gjithe ne Tirane kane nisur te mendojne seriozisht per mbylljen e versionit leter dhe kalimit ne ate online. Pune pak vitesh dhe kjo lyre bakalli do te marre fund. Te pakten do te ule profilin konkurues per te hyre ne gare te barabarte me blogosferen. Interneti eshte decentralizuesi me i madh i njohur deri me tani, keshtu qe bajgat do kene vendin e vet ashtu si edhe lustra dhe prurjet fine e te rafinuara.
    Sa i perket ceshtjes se moderimit te komenteve dhe problemit qe eshte krijuar me Babelin e sharjeve dhe fyrjeve brutale, sjelljes primitive etj, une modestisht mendoj se ne thelb shqetesimi nuk ka shume sens. Nje person publik, qe flet shkruan, apo edhe hap udhe te reja per problemet qe shqetesojne shoqerine perhere ka per t’u gjykuar bardh e zi, apo permes kontrasteve. Por atij peshen dhe dinjitetin nuk ja ulin dhe ngrene llurbat e sharjeve dhe akuzave me natyre primitive, ndonese ato krijojne mjedis te patolerueshem. Rruga e vetme eshte moderimi dhe ketu nuk ka pse te kerkojme censuren; fundja opsioni i moderimit eshte ide e Perendimit.
    Lidhur me blogun e ketushem, meqenese shqetesimet jane ne rritje, rruga me e mire do te ishte qe vete i zoti te shprehet hapur dhe konkretisht se kush eshte i paftuar, kush nuk eshte i mirepritur dhe kush e ka mbushur kupen. Eshte me e ndershme them une dhe me e dobishme. Askush nuk ka pse te fyhet. Aq me teper qe pas kaq kohesh si kolege, sic edhe ka deshire xha xhai te quaje disa prej komentuesve, e folura e drejtperdrejte eshte detyrim. Eshte shume me mire madje, qe te mos vijohet me gjuhe te terthorte dhe me leksione morale se jane per kedo te teperta plus qe mundet edhe te kete njerez qe nuk i kuptojne. Apeli i te skualifikuarve duhet bere publik, s’ka pse jo mendoj une. Te gjithe kane ardhur vete dhe me deshire; vjen koha dhe te thone: boll. Nuk ka asgje te keqe.

    1. Komentuesit në PTF unë do t’i ndaja në disa grupe: (1) autorët e blogut; (2) miq të mi, njerëz që unë i njoh mirë prej kohësh dhe që u besoj praktikisht gjithçka; (3) kolegë të cilët komentojnë këtu prej kohësh dhe të cilëve gjithashtu u besoj gjithçka, pavarësisht se nuk i njoh realisht; (4) komentues të rinj, që vijnë në blog me rrugë të ndryshme dhe i tërheq mjedisi ose temat që trajtohen; (5) kamikaze, ose njerëz që vijnë këtu rastësisht dhe që, sapo vënë këmbën, fillojnë të qëllojnë si të marrë me mitraloz, ngaqë ashtu kanë parë të bëhet gjetiu; (6) provokatorë, njerëz që kanë mëri personale me autorët ose blogun, njerëz të shtyrë ose të paguar nga institucione të ndryshme, për të bërë propagandë ose për të sabotuar tema të caktuara; (7) njerëz që vërtet mendojnë se po kryejnë detyrën e tyre qytetare, duke e goditur blogun me artileri fushore. Kuptohet se problem këtu përbëjnë kryesisht tri kategoritë e fundit; sidomos ata komentues që unë do t’i quaja meteorë: që shfaqen vetëm një herë, lëshojnë zakonisht një kritikë ad hominem (si rregull, në trajtën e një cold fart), dhe pastaj zhduken. Natyrisht, unë mund t’i moderoj këta dhe mos t’ua nxjerr asnjëherë komentet; por gjithnjë më mundon dyshimi se mos janë thjesht viktima të një stili komunikimi të përpunuar gjetiu – p.sh. një komentues që vjen këtu nga “Tema”, në fillim, thjesht edhe vetëm për instinkt, do të vazhdojë të këlthasë si mace, por me kalimin e kohës do të zbutet. Ka edhe ca të tjerë që qasen me paragjykimin që kanë krijuar për autorin, në bazë të vrerit që kanë lexuar për të në forume ose blogje ose faqe të tjera komentesh; këta vijnë përnjëmend që të luftojnë, të armatosur gjer në dhëmbë, dhe në fillim është vështirë të arsyetosh me ta. Mirëpo këtu pengojnë edhe disa norma elementare të komunikimit, sepse një pjesë e komentuesve të tillë të panjohur janë edhe shumë të pagdhendur, përdorin një ton të tillë që duket sikur sapo kanë dalë prej shpellave (të më falin shpellarët e mirëfilltë, të cilëve ua respektoj shpellat). Në fakt blogu u ofron atyre një përfitim (benefit), për të cilin nuk paguajnë asgjë; por ata këtë përfitim e perceptojnë si të drejtën e tyre; dhe, për të parafrazuar publicistin anglez Dalrymple, kur përfitimi shndërrohet në të drejtë, zhduket nevoja edhe për mirënjohje, edhe për mirësjellje. Me një fjalë, shpellarët jo vetëm futen këtu (mirë se vijnë), por edhe futen me synimin për ta shndërruar blogun në shpellë (por atë nuk i lëmë që ta bëjnë).

  8. Them se nuk ka asgje posacerisht interesante per t’u debatuar ne faktin se edhe ne shqip, si kudo ne rrjet, do kete faqe qe kerkojne prej perdoruesve nje minimum pergjegjesie, apo, me teknikisht, nje minimum perqendrimi, kur perdoruesit vendosin te kontribuojne me shkrim ne keto faqet. Asgje revolucionare, kunderthenese, apo ne nevoje per mbrojtje nuk mund te kete ne nje praktike te perditshme, shumevjecare, jo thjesht te pjeses me te respektuar e serioze te rrjetit, nga ku na vijne gjithe shembujt qe imitojme, po fundja te vete ketij blogu, ku po perpiqemi te kundershtojme si pro-censure te njetat ide qe i ‘perdorim’ dhe pranojme te aplikuara ne praktiken ditore te diskutimeve ketu. Ne muaj, kemi vene re sesi eshte percjelle prej ketu, pa dhimbje, pa protesta, gati pa u ndjere, ndonje sha(sh)kaxhi vetmitar e perserites: pse atehere gjithe ky debat, kur edhe per ata qe nuk do dinin te shkokolepsnin fjale e kumte te autorit mbi censuren a lirine e fjales, ka nje ilustrim me figura ketu, ditor, te kuptueshem mire fare? Te njejtin koncept qe miremban kete faqe, Xhaxhai thjesht e propozon edhe per faqet me tej; dhe pse revolta pastaj? Paska ndonje krim tek propozimi per t’iu hequr, rast pas rasti, perkohesisht, te drejten e botimit shkruesve ne kerkim emocionesh te forta, te tilleve qe nuk formulojne dot argument pa kercenuar, fyer a zhurmuar? A nuk ka te drejte redaksia, apo perdoruesit e tjere, te neveriten, te tremben, te skandalizohen nga shemtia, mu ashtu si na ndodh me te njejtat fjale te shemtise kur i degjojme ne rruge? Them se ngushtimi i territorit per shemtine ne rrjet, delegjitimimi i saj, ndoshta e copezon apo delegjitimon edhe gjetke. A s’jane esencialisht te njejta keto fjalet, si ne rruge, si ne rrjet, e ndonjehere te njejte edhe shqiptuesit, per te cilet ne nje rast therrasim policine, po ne tjetrin po hezitokemi thjesht t’u refuzojme botimin? Apo kur duam te ndihemi ndryshe, jemi vete keta njerezit, dhe lirojme kravaten qe perdorim per tek ‘Peizazhet e Fjales’, e shkojme te pijme elektronikisht ndonje birre “ke tymi”, ku mund te shajme lirshem maloket, me shoket, a mund t’u fishkellejme pa qeder femrave, nga pertej xhamave me lyre. Po mbase nuk bekemi dot pa rezervate, parqe tematike per shtendosje, tip bordellesh te ‘fjales se lire’, poligone ku mundemi te jemi vetja me e keqe, tribalja, hormonalja, ajo qe ne fakt nuk beson tek shumecka nga keto formalitetet me asfalt te qyteterimit, dhe e do, se paku ‘on line, nje cope katund ku mes kamuflazhit bio mund te peshtyhet ende krenarisht pertoke, apo t’u shtihet me gure makinave poshte ne xhade.

    Mediat elektronike shqiptare mund te kene shume gjynahe, por nder me te pafalshmit eshte tradhetia ndaj autoreve, pikerisht atyre qe e bejne te gelltitshme sadopak corben e tyre, po ate qe pershkruan si batak koleget me siper. Ato jo vetem qe nuk respektojne te drejtat e autorit, duke vjedhur e sakatuar shkrime lart e poshte, por nuk kujdesen as te mbrojne se paku pjesen e mbetur te dinjitetit tek autoret, duke i ekspozuar ndaj komenteve perlyese, shantazhuese. Kurse ne anen tjeter, po deshem shembuj domethenes, tek dekalogu qe rregullon postimet ne progresisten ‘The Guardian’, lere me qe nuk behet fjale te tolerohet kercenimi, gjuha e urrejtjes, qemtimet personale mbi autoret, por nuk lejohen as prurje qe thjesht devijojne temen, apo keqprezantojne artikullin qe po komentohet!

  9. Krejt rastësisht, duke shfletuar një fill komentesh të disave, në një forum, që ankoheshin se pse po ua fshinin komentet, më shkoi mendja se për një takëm komentuesish nuk ka aq rëndësi se çfarë po thonë pikërisht (tek e fundit, ca prej tyre nuk thonë absolutisht asgjë, përveçse sokëllijnë), sesa që po thonë, po shprehen; kanë kapur një ngastër të hapësirës publike dhe po shkruajnë atje, po vizatojnë graffiti-it e tyre, (Kilroy was here); me një fjalë, po shënjojnë territorin, si daci që spërkat barin me urinë aromatike, për të lajmëruar të tjerët se ajo pjesë e universit i përket atij tashmë. Të jetë fjala, pra, jo për ndonjë shkelje të perceptuar të së drejtës së fjalës, sesa për shkelje, njëlloj të perceptuar, të së drejtës së pronës?

    1. Apo mos duhen krahasuar, përkundrazi, me fëmijën që fillon të qajë, kur ia marrin kakën që sapo ka prodhuar, për t’ia hedhur tutje?

      1. Ne te dyja rastet, si me dacin, ashtu edhe me femijen, po tek prona jemi; me dallimin e vetem se me dacin, prona del mashkullore, objet trouvé, si pronesim autoritar “xan!” vetem me nje firmosje (R.Mutt); po tek femija femerore, prona vjen si nevoje e brendshme, prodhim autorial naiv ose artizanat i vogel.

        Per ata te llojit te dyte, edhe ne blogje, ka njeriu me teper keqardhje, se mundohen pak per t’ia futur kot; po ai lloji i pare s’meriton meshire fare, ai i policeve vullnetare, qe vijne te te fusin ne rresht me nje autoritet te mbeshtetur aty per aty, vetem mbi ca pikecuditese

  10. Une jam nder personat qe prej 4 muajsh i kam kerkuar Respublica-s te moderonte debatet pasi sa here qe dikush nuk mendonte si Edi Rama futej, anetare te stafit te Respublica-s dhe qe dihet qe jene cunat e mjaftg99, dhe te tjere militante e shanin me liber shpie personin perkates dhe kur ai ishte me emer, sharjet dhe fyerjet e benin shkrimin hit ne rubriken ‘ME TE KOMENTUARAT”. Kjo praktike sharjesh dhe fyerjesh kishte nje prapavije te paster politike pasi targeti dhe qellimi ishte i qarte: RESPUBLICA TREGONTE NEPERMJET KOMENTEVE SE “VIJA POLITIKE E RAMES BRENDA DHE JASHTE PS ISHTE E DREJTE KURSE DIKTATORI BERISHA DUHEJ SHPORRUR ME CDO KUSH NGA PUSHTETI”. Kur une postoja (dhe kete e beja gjithmone me emer) ndonje koment normal fillonte lukunia e zarave te me shante dhe shpifte me liber shpie per cdo detaj te shpikur te jetes sime dhe une fillova te pergjigjesha me zhargonin e kerkuar nga sharesit dhe shpifesit e rekrutuar por me kapacitet “me te larte”;-) Dhe nderkohe nuk harroja cdo rast ti kujtoja Mucit dhe Zaloshnjes se Repsublica kishte perfunduar ne nje WC publike nga kjo praktike gjoja lirie te orientuara politikisht te komenteve. Me pas u vu moderimi dhe aty filloi nje fushate shpifjesh dhe sharjesh deri edhe shpikjesh raciste te cilat Muci dhe Zaloshnja i botonin ndersa une cfaredo kujdesi etik te tregoja mu bllokua cdo e drejte komenti. Sepse moderimi i Mucit dhe Zaloshnjes dhe cunave te MJAFTG99 nuk synon etiken por perdorimin e komenteve si intrument shpifjeje dhe sharjeje ndaj kujtdo qe mendon ndryshe. Gjths une kam ca dite qe e kam perfunduar nje studim per etiken e rrjeteve sociale dhe dhunen verbale qe po i paraprin fushates elektorale te 2013 ku Respublica eshte ne krye te listes se provokimit te dhunes verbale dhe te shpifjeve ne Shqiperi dhe kjo lidhet shume ngushte edhe me financimin sorosian qe ka marre nga Remzi Lani;-)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin