Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

PËRSHKRIME DHE PARASHKRIME

Tradicionalisht, gjuhëtarin e kanë përfytyruar si njeriun me laps në dorë, që harton rregulla të drejtshkrimit dhe të gramatikës, dhe u ndreq gabimet gjuhësore të tjerëve, me shkrim dhe me gojë – pak a shumë, si një lloj korrektori teknik i armatosur me pushtet; duke ofruar edhe, sipas rastit, këshilla për t’u shprehur saktë dhe bukur.

Ky imazh, që i shkon gjuhëtarit parashkrues (preskriptiv) ka dalë tashmë nga moda, teksa shumë prej gjuhëtarëve po priren t’i largohen rolit të autoritetit gjuhësor dhe mbikëqyrësit të ligjërimit, për t’iu afruar rolit tjetër, më “shkencor” të vëzhguesit dhe të përshkruesit të gjuhës ose të manifestimeve të saj.

Gjuhëtari i djeshëm ishte krahu i armatosur i pushtetit kulturor, edhe kur nuk ishte prifti që bekonte dhe shenjtëronte, me autoritetin e tij akademik, politikat gjuhësore të parive; ky i sotmi parapëlqen të mbajë distancë ndaj zhvillimeve gjuhësore dhe veç t’i regjistrojë ose filmojë ato, duke e reduktuar rolin e vet në atë të një kronikani ose antropologu të gjuhës.

Në terma diturorë, ky nuk është veçse kalimi paradigmatik nga preskriptivizmi në deskriptivizëm.

Në terma praktikë, kjo do të thotë se gjuhëtarët, sidomos ata që duan të respektohen në mjediset universitare dhe akademike, kanë hequr dorë nga fjala dhe koncepti i “gabimit”, përveçse kur është fjala për “gabime” të kolegëve të tyre, ose të njëri-tjetrit.

Megjithatë, ky shndërrim i rolit të gjuhëtarit, së paku në Perëndim, nuk mund të shihet veçmas nga shndërrime të tjera në kulturë dhe në dije – duke filluar nga pluralizmi, e duke vazhduar pastaj me krizën e autoritetit dhe alergjinë ndaj hierarkive dhe meritës, ose shkallëve të vlerave.

Sidomos është për t’u pasur parasysh se shndërrimi në fjalë ka ndodhur në kushtet kur vetë gjuha me të cilën deri dje merreshin gjuhëtarët parashkrues ka qenë konsoliduar përfundimisht, së paku në drejtshkrim dhe në gramatikë.

Edhe në kultura policentrike, si ajo anglofone, drejtshkrimi dhe gramatika e anglishtes nuk mbrohen më nga gjuhëtarët, as nga akademikët gjuhëtarë, por nga redaktorët teknikë të mediave të ndryshme, të cilët janë përgjegjës për zbatimin e të ashtuquajturave style guides, të cilat ofrojnë zgjidhje të gatshme për të gjitha rastet problematike të përdorimit (që nga shkrimi i fjalëve me shkronjë të madhe e deri te shenjat e pikësimit).

Natyrisht, çfarë e mban të paprekur drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e anglishtes është prestigji i formave të saj normative, përkundrejt formave alternative.

Edhe mes gjuhëtarëve shqiptarë të brezit të ri, të cilët kanë studiuar në Perëndim, është përhapur tashmë neveria ndaj qëndrimeve parashkruese; meqë një pjesë e këtyre e konsiderojnë si “të padenjë” denoncimin e shmangieve nga norma dhe të “gabimeve” gjuhësore, duke ia lënë këtë mësuesve dhe korrektorëve gjithfarësh. Mbrojtja e normës nuk është më cool, madje edhe për ata kolegë që normën ekzistuese nuk e shoqërojnë doemos me imponimin e standardit toskë, prej regjimit komunist totalitar.

Atje ku gjuhëtari i djeshëm do të dënonte një shmangie nga norma, i sotmi do të priret ta shpjegojë atë, ta përligjë, në mos edhe ta lëvdojë. Tout comprendre, c’est tout pardonner.

I vetmi parim parashkrimor që ende ka mbetur në këmbë është ai i “mbrojtjes” së shqipes nga fjalët e huaja – i cili i ka rrënjët në patriotizmin Rilindës dhe në zellin voluntarist të pastrimit leksikor.

Gjithsesi, kontradikta mbetet e dukshme, midis gjuhëtarëve të formuar profesionalisht në vende me gjuhë zyrtare të konsoliduara, si ShBA, Gjermania, Franca, Italia dhe problemeve që ka shqipja, si gjuhë ende e pakonsoliduar, e cila më shumë se për kameramanë që t’ia filmojnë dhe përjetësojnë vështirësitë e rritjes, ka nevojë për edukatorë dhe prashitës.

*          *          *

Për të sqaruar këtë koncept, do të sjell një shembull nga përvoja ime me Gastaren.

Më shumë se një herë vërej në shtyp që fjalë të huaja ose terma teknikë shfaqen me kuptim të shtrembëruar, në mos të masakruar. Kështu, fjala snajper, e cila shënjon një ushtar të specializuar për të goditur me pushkë të posaçme, nga distanca të mëdha, ka filluar të përdoret rëndom për të shënjuar armën përkatëse.

Deputeti Gjoni, i cili edhe ka qenë dikur ministër i Mbrojtjes, pyeste sot, sipas mediave të Tiranës, se “Përse i duhen snajperët SHIU-t të Imamit.” Nga teksti i fjalës së Gjonit, të cilin e përcjell të plotë gazeta Shqip, dhe nga referencat eksplicite dhe implicite që gjenden atje, del sheshit se termi snajper, me kuptimin pushkë për qitje të saktë në largësi, ka hyrë dhe përdoret tashmë gjerësisht në shqipe.

Gjuhëtari parashkrues tek unë do të kërcente përpjetë, për të vërejtur se ky përdorim është i gabuar; meqë fjala snajper në shqipe ka qenë përdorur, korrektësisht, për të shënjuar qitësin special, jo armën e këtij qitësi; sikurse përdoret edhe në zanafillë, në anglishte: sniper, që është fjalë e prejardhur nga folja to snipe, “qëlloj dikë nga një vend i fshehtë, zakonisht në distancë të madhe.” Etimologjikisht, fjala e ka prejardhjen nga emri i një zogu, snipe, meqë sniper ishte, në krye, gjuetari i atij zogu.

Përveç snajper, që është huazim relativisht i ri i në shqipe (pas gjase nëpërmjet rusishtes снайпер, po të kemi parasysh rrethanat kulturore të huazimit të kësaj teknike ushtarake moderne), shqipja përdor, me të njëjtin kuptim, edhe fjalë të tjera si shenjëtar dhe nishanxhi, të cilat kanë mbetur në periferi të ligjërimit, si të vjetra (historizma) ose poetike.

Natyrisht, kalimi nga përdoruesi tek arma është dukuri fare e vonë, e cila pas gjase ka lidhje me nevojën për t’i gjetur një emër të përshtatshëm atij lloji pushke që përdor snajperi. Mekanizmi i kalimit, në këtë rast, është i llojit metonimik, edhe pse i pazakontë (nga një emër vepruesi, te vegla përkatëse).

Duke pasur parasysh se shqipja e ka pasur tashmë këtë fjalë, snajper, në kuptimin e vet “të rregullt”, atëherë mund të supozojmë se kalimi nga ushtari tek pushka ka ndodhur në ligjërimin e thjeshtë, dhe është kryer nga folës (ligjërues) të cilët nuk e kanë ditur kuptimin origjinal të fjalës snajper.

Në këtë pikë, gjuhëtari parashkrues dhe gjuhëtari përshkrues duhet të merren vesh, nëse është e pranueshme, për një kulturë si jona, që zhvillimet gjuhësore të lihen në dorë të pjesës më pak të arsimuar të folësve.

Gjuhëtari përshkrues mund të shtojë, në këtë mes, se zhvillimi në fjalë, sado “i padëshiruar”, ka ndodhur nën ndikimin e fjalës snajperist, e cila ka hyrë në shqipen standard nëpërmjet ligjëratës kosovare (ku duhet të ketë hyrë nëpërmjet serbishtes); dhe ka qenë pikërisht snajperisti, që ka çuar në ri-analizimin e snajperit si emër i armës (snajperisti – ushtari i specializuar për të përdorur snajperin).

Gjuhëtarit parashkrues, ndërkaq, nuk i intereson dhe aq historia, shkaqet, rrethanat dhe domethënia e kësaj dukurie; sesa fakti që snajper, me kuptimin e ri, është një përçudnim i shqipes, i shkaktuar nga padija.

Çfarë duhet bërë, pra?

Përshkruesi, në këtë kontekst, edhe vetë përdorimin e foljes duhet do ta kundërshtonte; meqë sipas tij detyrë e gjuhëtarit është të shpjegojë dhe të kuptojë, jo të ligjësojë dhe të policojë gjuhën.

Megjithatë, as ai nuk do të mund të mbyllte sytë ndaj problemit që krijohet, kur zhvillimet në leksikun e përditshëm, pak a shumë teknik ose libror, u lihen në dorë të paditurve ose gjysmakëve.

Në fakt, shqipja duhej t’i kish krijuar dhe aktivizuar, në stadin e sotëm, mekanizmat e nevojshëm për të trajtuar probleme të tilla, si çdo gjuhë tjetër që ka (së paku në teori) mbështetjen e një shteti modern.

Duhej t’i kish krijuar, duhej t’i kish aktivizuar – por në fakt këta mekanizma sot, edhe kur mbahen ende në këmbë, veprojnë vetëm për inerci ose falë përkushtimit të pak idealistëve.

Metafora dhe metonimia, si mjete të përshtatjes dhe të adoptimit leksikor, janë tipike për kulturat gojore, joshkrimore; ku sendet emërtohen në mënyrë poetike. Kështu, edhe pse vetë fjala avion është një krijim poetik mbi rrënjën latine avis “shpend”, shumë gjuhë europiane në përgjithësi nuk e kanë quajtur avionin “shpend të hekurt”, “zog metalik”, etj.; por kanë parapëlqyer të përdorin huazimin ndërkombëtar, sipas rastit avion ose aeroplan. Çka është edhe më domethënëse për argumentin tonë, fjalë si avion ose aeroplan, kur janë huazuar, e kanë ruajtur kuptimin origjinal, sepse procesin huazues e kanë nisur dhe pastaj administruar njerëz relativisht të ditur, ose të familjarizuar me gjuhët dhënëse, përkatësisht marrëse.

*          *          *

Çfarë ka ndodhur me fjalën snajper, do të mund të krahasohej me atë situatë hipotetike, ku avionin në shqipe do ta quanim pilot, kudhrën kovaç, ose penelin piktor.

Një procesi të ngjashëm po i nënshtrohet sot edhe fjala skafandër, e cila ka shënjuar tradicionalisht kostumin special të zhytësit, por që tani po përdoret rëndom për të shënjuar kaskën e motoçiklistit ose të automobilistit (të garave).

Ja një citim prej një lajmi të botuar te Shqiptarja:

Një person i armatosur dhe me skafandër në kokë ka hyrë në një argjendari përballë kinoteatrit me qëllim grabitjen e saj.

Dhe një lajm tjetër, këtë herë nga Shekulli:

Ka qenë ora 08 50, kur dy persona me motor dhe me skafandër në kokë kanë ndaluar në rrugën kryesore Vlorë-Skelë në afërsi të teatrit “P.Marko”, ku ndodhet një argjendari Gold. Sapo pronari i argjendarisë, Sokol Beqiraj, ka hyrë dhe ishte duke hapur kasafortën e dyqanit, ku dhe mbante mallin, një i ri me skafandrën e motorit në kokë ka hyrë në ambjentet e argjendarisë dhe nën kërcënimin e armës tip pistoletë i ka kërkuar pronarit të dyqanit t’i dorëzonte florinjtë që kishte në kasafortë.

Ja edhe një lajm i tretë, nga Gazeta Shqiptare:

Një person i veshur civil, por i prezantuar më pas si polici, rreth orës 13:30 ka hyrë në autobus, në kohën që ky i fundit sapo kishte ndaluar në stacion dhe ka qëlluar disa herë me mjete të forta në kokë fatorinon e autobusit. Sipas dëshmitarëve, personi që e ka qëlluar ka qenë me skafandër në kokë dhe me syze dhe ka ngritur pretendimin se fatorino i kishte ngacmuar vajzën 14-vjeçare.

Përdorimi është konsoliduar tashmë; aq sa shumë përdorues të shqipes nuk shohin kurrfarë problemi me të.

Çfarë të bëjë gjuhëtari përballë një zhvillimi të tillë? Ta kundërshtojë, duke argumentuar se skafandër në shqipe ka kuptim tjetër, specifik dhe të bashkëlidhur me kuptimin e fjalës skafandër si term ndërkombëtar specifik, apo vetëm të mbajë shënim rrethanat e këtij zhvillimi të vetvetishëm dhe ta pranojë atë pa kushte, madje ta përshëndesë?

Kalimi nga “kostum i zhytësit” në “kaskë motoçiklisti” është i llojit metaforik; dhe sikurse në rastin e snajperit, ka ndodhur brenda një komuniteti ligjëruesish që nuk e kanë ditur mirë kuptimin e fjalës shqipe.

Kush e ka quajtur dhe vazhdon ta quajë kaskën e motoçiklistit skafandër me siguri nuk e di se çfarë është skafandri pikërisht; ose e quan këtë të fundit kostum palombari.

Edhe një herë: a mund të lëmë që zhvillimet në leksikun shqip të mbeten në dorë të bartësve më pak të edukuar të gjuhës?

Këtu gjuhëtari përshkrues do të ndërhynte, për të vërejtur se janë pikërisht bartësit më pak të edukuar, ose ata që nuk e njohin dhe nuk e respektojnë normativitetin e termit, ose në përgjithësi nuk i binden autoritetit të gjuhës zyrtare (të shkruar) si sistem shtypës ose të paktën disiplinues ose “gramatikës” si një formë rreshtoreje të ligjërimit; pra se janë pikërisht këta bartës, që i shkaktojnë dhe i përshpejtojnë, si rregull, ndryshimet në gjuhë; meqë ndryshime të tilla do të shfaqen – për ta thënë duke parafrazuar Leninin – pikërisht në hallkën më të dobët të sistemit gjuhësor.

E megjithatë, do të përgjigjej gjuhëtari parashkrues, kjo nuk do të thotë se çdo ndryshim gjuhësor është për t’u përshëndetur; madje, përkundrazi, shqipja e sotme është provë e gjallë se ka ende shumë nevojë për parashkrim, krahas përshkrimit.

Tani, edhe nga pikëpamja formale, çdo ndryshim në një sistem të kodifikuar, si gjuha, është largim ose devijim nga një rregull i dhënë; dhe një person ose komunitet i formuar gjuhësisht në bazë të atij sistemi rregullash ose përkimesh (kjo formë tingullore i bashkëlidhet këtij kuptimi), ose që e ka kompetencën e vet gjuhësore të themeluar mbi atë sistem rregullash, doemos do t’i kundërvihet një zhvillimi të tillë; sepse edhe vetë kundërvënia, si mekanizëm mbrojtës, është pjesë e kompetencës gjuhësore të atij personi ose komuniteti. Prandaj, thjesht fakti që disave, përfshi këtu edhe mua, zhvillime të tilla u vrasin veshin, nuk do të thotë vetvetiu se ato janë objektivisht të qortueshme, madje të censurueshme; ose që janë duke e prishur ose rrëgjuar gjuhën shqipe.

Madje, ka raste kur, aty ku gjuhëtari parashkrues sheh një shkelje ose dhunim të normës, kolegu i vet përshkrues entuziazmohet me vetvetishmërinë e një metafore të papritur, ose manifestimin e krijimtarisë së mendjes së lirë, ose të pabërë zap nga disiplina e normës.

*          *          *

Të paktë janë ata shqipfolës, që e dinë si ta quajnë shqip atë vegël grafike të njohur në anglishte si scrollbar. Faqja e Microsoft-it në shqipe e quan “shiriti për lëvizje”, një përkthim i ndershëm, edhe pse pak i thatë.

Ky përkthim është tipik prej terminologu – i cili ia ruan termit atë që semanticienët e quajnë “formë të brendshme”, ose mënyrën e emërtimit. Në rastin konkret, vetë termi anglisht, scrollbar, përmban dy metafora fosile (scroll dhe bar, të cilat përdoren figurativisht); dhe këto metafora janë ruajtur edhe në shqipe, ku nuk janë gjithsesi fosile, meqë s’kanë pasur kohë të fosilizohen.

Jam çuditur, pra, kur kam parë një dokument të përkthyer nga një amator, dhe plot gabime, por ku termi vertical scrollbar ishte përkthyer si “ashensori.” Në fakt metafora është e mrekullueshme: ajo “tesha” vërtet ulet e ngrihet, në anë të ekranit, si të ishte ashensor.

Krahasoni shiritin për lëvizje me ashensorin, për të parë kontrastin mes qasjes racionale dhe qasjes poetike ndaj terminologjisë. Atje ku specialisti e ka “përkthyer” termin, folësi i zakonshëm i është drejtuar metaforës, duke e themeluar emërtimin mbi një ngjashmëri elementare.

Për fat të keq, sikurse e ka vërejtur edhe Calvino-ja në leksionet e veta amerikane, shpejtësia është tashmë sëmundje kronike e modernitetit; dhe oraliteti, së bashku me motrën vet poezinë, janë të çarmatosur ndaj kësaj sëmundjeje, nuk i bëjnë dot ballë, nuk kanë kohë dhe mundësi të riorganizohen dhe ta përvetësojnë pa u shkatërruar në proces e sipër.

Në një botë ideale, gjuhët do të duheshin lënë të reagonin ndaj teknologjisë siç reagon shqipja e vetvetishme ndaj fjalës vertical scrollbar, kur e jep atë si ashensor; por kësaj poezie i ka kaluar tashmë vakti; dhe ia kemi mbërritur ditës kur gjuhët komunikojnë mes tyre veç të veshura me uniformë dhe me radhë të shtrënguara.

Përgjigjja ime për dilemën e ndërhyrjes apo jo në zhvillimet gjuhësore të vetvetishme nuk mund të jetë veçse e llojit konservativ: le të ruajmë, të paktën, atë shqipe që kemi; duke ua ruajtur specifikën dhe vlerën e përdorimit termave të tillë pak a shumë të specializuar si snajper dhe skafandër; çka do të thotë edhe se fjalëve të tilla duhet të guxojë t’ua “zhvillojë” kuptimin vetëm një folës që këtë kuptim ua njeh paraprakisht – çka nuk mund të ndodhë, sepse është vetvetiu kontradiktore.

Edhe pse mes këtyre metaforizimeve gjen ndonjëherë ndonjë margaritar, si ai “ashensori” më lart, në nivelin e ligjërimit të thjeshtë mutacionet gjuhësore janë zakonisht të dëmshme, ose gjithsesi të padobishme; dhe reagimit, po aq të vetvetishëm, i kompetencës gjuhësore normative ndaj tyre nuk ka pse t’i vijë turp nga vetja.

Tek e fundit, sa kohë që publiku ende pret, madje duke e shprehur haptazi, që të ndriçohet prej gjuhëtarëve në çështje të normës, atëherë do të ishte burracakëri t’i vidheshim këtij misioni, në emër të parimit aq cool të mosndërhyrjes, ose – më keq akoma – të abstenimit ndaj gjykimeve të vlerës, në lidhje me variacionin gjuhësor.

Pa Komente

  1. “Përshkruesi, në këtë kontekst, edhe vetë përdorimin e foljes duhet do ta kundërshtonte; meqë sipas tij detyrë e gjuhëtarit është të shpjegojë dhe të kuptojë, jo të ligjësojë dhe të policojë gjuhën.”

    Xhaxha, nuk e kuptova kete.
    Pershkruesi e shpjegoi dhe e kuptoi gjuhen, po me pas cfare ? Dmth cila eshte vlera praktike e kesaj ? Normalisht, pasi ka ndodhur kjo, a nuk duhet qe pershkruesi t’a reflektoje ne model, e per pasoje te shnderrohet ai vete ne parashkrues ?

    1. Sipas atij këndvështrimi, vlera praktike e studimit as që vjen në vështrim fare – gjuhësia është shkencë, dhe si shkencë kërkon të zbulojë të vërtetën. Meqë objekti i gjuhësisë është gjuha, atëherë gjuhëtari i kulluar duhet të studiojë gjuhën dhe ta kuptojë në të gjitha aspektet e saj; pra të merret me gjuhësi, jo me policim të gjuhës. Për shembull, gjuhëtarit akademik i del përpara e ardhmja e cunguar, e tipit “do punoj”, dhe ai shpjegon se ‘të’-ja ka rënë, në këtë të ardhme, meqë është redundante; por nuk shqiptohet nëse kjo formë është e pranueshme për standardin ose jo (duke ia lënë këtë punë një qenieje më të përulët në hierarkinë e dijes: parashkruesit, i cili merr trajtat e një lloj rreshteri të gjuhës).

      1. Ne fakt, te zbulosh qe te-ja ka rene ne folur, nuk eshte ndonje shkence e madhe, se eshte si te thuash pas shiut; sot ka rene shi. Ajo qe duan robte eshte te dine se ç’duhet bere me kete te-ne.

        Qe fjala Arben hyn tek kategoria e emrave dhe jo e foljeve, nuk eshte se zbulove rroten, se pyetjen ta bejne si e ke emrin, jo si e ke foljen, por ama rreth fjales Altin ka shume te verteta, qe nuk lidhen domosdoshmerisht me pershkrimin.
        Mire qe shkenca eshte sehirxheshke, por ama arsyeja e ekzistences se saj eshte dobia per njeriun, prandaj s’mund vetem te beje sehir, i duhet te ofrohet.

  2. Sa i perket shembujve kur perdorimi i nje fjale gjen vend me kuptim te permbysur ndaj atij qe realisht ajo shenjon apo perkufizon mendoj se rasti me i perhapur eshte ai i fjales apo koncpetit te peshes. Pesha me perkufizim ekuivalentohet me energjine potenciale ku masa eshte variabel themelor i ekuacionit baze. Madje edhe njesine e matjes e ka te ndryshme nga ai qe rendom i mvishet nga perdorimi i saj i perditshem. Sa peshon? -2 kg. Gabim plotesisht ne konceptin rigoroz, pasi kg ketu jane masa, por ne kuptimin ligjerimor mendoj se nuk ka operacion gjuhesor qe mund ta crrenjose. Nga nje pikepamje mund te thuhet se ligjerimi dhe gjuha “sillen” shpesh si autonome ne raport me kuptimin e vertete te objekteve dhe koncepteve qe shenjohen dhe pershkruhen ndryshe po prej tyre, por gjithsesi nuk krijojne kaos. Ketu evidentohet karakteristika arbitrare e ligjerimit qe krijon shkeputje nga shenjimi fillestar i objekteve. Them se ligjerimi me korrekt dhe i kristalte eshte belbezimi i femijes: dada, tptptp (uji), papa, mama, dodo, aladuddodole, uiakoko. Kryesisht zanore qe artikulohen bute, si mjaullime lumturie. C’e do, humbet rruges. Leqe nuk e mban as mend sa mire ke kaluar.

  3. Nderhymja e leksikografit ne rastin konkret te ‘snajper’ nuk asht me caktu se me kete shenjues quhet personi e jo arma e tij, por me i radhite te dyja kuptimet nen leksemen perkatese ne fjalor. Se cila vjen e para e cila e dyta nga kuptimet, ai per personin apo per armen, duhet te caktohet prap nga rezultatet qe mund te dalin prej hulumtimeve mbi perdorimet e fjales nga perdoruesit.

    1. Tani pa shaka – ka leksikografi përshkruese, ka edhe leksikografi normative. Një fjalor i terminologjisë ushtarake nuk do të mbante të njëjtin qëndrim ndaj zhvillimeve të tilla si edhe një fjalor i zhargonit qytetar shqip të viteve 2010. Nga sa shkruan, duket sikur ti ke një problem me ndërhyrjet në favor të normës (të çfarëdo norme), edhe pse e pranon, këtë herë pa problem, rolin e folësve në konsolidimin e normës. A nuk ka një kontradiktë këtu?

  4. me thuj si kishe me vepru ti ne rastin e ‘snajper’ te ishe leksikoraf. Me ia shenu vec njanin kuptim?

    1. Si leksikograf, unë do të punoja në bazë të kritereve të fjalorit. Gjithsesi, në qoftë se përdorimi i snajper me kuptimin “armë e snajperit…” do të më dilte në korpus aq shpesh, sa të përligjte përfshirjen në fjalor, atëherë natyrisht do ta përfshija këtë kuptim, duke bërë një shënim stilistik, sipas rastit (p.sh. thjeshtligjërim, ose bisedor). Në qoftë se do ta ndeshja fjalën me këtë kuptim edhe në dokumente të tilla si rregullore ose shkresa, ose në një fjalor terminologjik të NATO-s; dhe në qoftë se do të vëreja se kjo nuk ishte një “modë” ose lajthitje e momentit por një dukuri e konsoliduar, atëherë do ta përfshija përdorimin pa shënim stilistik, me të vetmin kusht që do të lija pak kohë midis këtij përdorimi dhe “sanksionimit” të tij në fjalor. Ashtu, kuptimi “i vjetër” i fjalës do të ndiqej nga kuptimi “më i ri.” Sado e trashë që të tingëllojë metonimia në këtë rast, duhet pranuar se ajo përmbush për folësit, me mënyrën e vet, një nevojë reale dhe të arsyeshme, për të pasur një emër në gjuhë për llojin specifik të armës që përdor snajperi – krahas karabinës, automatikut, etj.

  5. Flm per pergjegjen. Kam edhe disa pyetje. Thashe, meqe i hyna me pyetje, ta mbaroj. Po keto perdorime, qe si duket qenkan konsolidu, perderisa me dalin kaq shpesh ne kerkimet me Google (shih ma poshte), a do t’i shenoje? Kjo sikur po e nxjerr jashte domenit ‘bisedor’ kuptimin e dyte te fjales.

    Altintop ne snajperin e Real Madrid Top Channel 2011-05-06

    NE SNAJPERIN TONE KA RENE DAFINA REXHEPI.

    Juventusi është në kërkim të edhe një sulmuesi, ndërsa tani nën snajperin e Bianconerëve besohet të ketë rënë sulmuesi uruguaian.

    Një prej banorëve më kontravers në të gjitha pesë edicionet e Big Brother Albania, Petriti, edhe njëherë ka vënë nën snajperin e tij zgjedhjet e …

    Mandej, nese kosovaret thone ‘snajperist’ per personin, kjo dmth se atje ‘snajper’ emerton ekskluzivisht vetem armen. Kjo do te jete e vertete jo vetem per gjuhen bisedore te atjeshme, por edhe per shkresat ne shqipen e kosoves, madje edhe te Maqedonise. Apo shqipja e tyre duhet shperfille nga leksikografia e sotme, sic shperfillej ne vitet e vetizolimit?

    Po ‘snajperist’ meriton te hyje ne fjalorin e shqipes?

    Te falenderoj paraprakisht.

    1. Shqipja e Kosovës nuk shpërfillej gjë, në kohën e totalitarizmit; të paktën jo nga leksikografët.

      Unë kam zbarkuar në sektorin e leksikografisë, të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në vjeshtë të vitit 1982, në kohën kur atje punohej për Fjalorin e Shqipes së Sotme (që u botua në vitin 1984).

      Në atë kohë, Fjalori i fjalëve të rralla i Abdullah Zymberit kalohej nga tryeza në tryezë, si të ishte pjatë me sheqerpare. Nuk pashë kurrfarë armiqësie, as politike përjashtuese, ndaj gegërishtes, të Kosovës dhe të krahinave të tjera.

      Përndryshe, sa për snajperin, unë do të prisja pak, për t’u siguruar se nuk është një fad, ose një flakë kashte. Nëse vijon të përdoret me atë kuptim, në leksikun bisedor dhe aq më tepër në terminologji, nuk ka arsye pse ta mbaj jashtë, së bashku me snajperistin.

    2. Pasurimi i shqipes në epokën hiperteknologjike

      Citoj nga një shkrim i Nexhmedin Spahiut sot në MAPO:

      Në atë kohë, derisa përpilohej marrëveshja, amerikanët paskëshin insistuar që Kosova të ketë edhe Ombudspersonin e vet (Avokatin e Popullit). Për anëtarët e delegacionit kosovar fjala ombudsperson paskësh qenë tërësisht e panjohur. Njëri nga anëtarët e delegacionit paskësh pyetur se, a e di kush çfarë na qenka ky farë Ombudspersoni? Një tjetër, me shumë seriozitet por me hamendje paskësh thënë që sigurisht, duhet të jetë njëfarë avioni i NATO-s.

      Ashtu edhe do t’i bëjmë fjalorët tërheqës dhe argëtues për përdoruesit nesër.

  6. Me dhe pergjegje deri diku, por a nuk deshmon ‘snajperisti’ se ne shqipen e Kosoves ‘snajperi’ ka vetem kuptimin e armes? Nese ne Shqiperi e perdorkemi edhe me kuptim te armes edhe te personit, kurse ne Kosove vetem me kuptimin e armes, cili mendon se do te duhej me qene kuptimi i pare ne fjalor i ketij zeri ne fjalor?
    Kjoj eshte pyetja e fundit, me fal per shqetesimin.

    1. Më vjen keq, muhabet po bëjmë. Problemi im është se ne mund të gjykojmë vetëm nga mediat, dhe mediat nuk janë shumë të besueshme, ngaqë shpesh ia marrin materialet njëra-tjetrës; prandaj edhe të dhënat e motorëve të kërkimit nuk i merr dot si raw data. Duke punuar me Gastaren kam parë si i njëjti gabim përcillet menjëherë nga njëra faqe në tjetrën, i paprekur; thua se këto nuk i sheh njeri i gjallë me sy. Sidomos me mediat kosovare kjo ndodh në mënyrë tipike: të njëjtët tituj, të njëjtat tekste, dalin edhe te Express, edhe te Zëri, edhe te Koha ditore, edhe te Bota sot. Nuk e di pse ndodh kjo, sikurse nuk di nëse burimi i këtyre teksteve është i njëjtë – ndonjë agjenci lajmesh. Tek e fundit, edhe ATSh-ja e ka faqen të mbyllur për vizitorët dhe nuk verifikoj dot gjë.

    2. Sa për kuptimin e parë – kjo gjithnjë varet nga natyra e fjalorit dhe nga kriteret e vendosura prej autorëve. Ma merr mendja se snajper, me kuptimin “nishanxhi” del megjithatë në shumë më tepër tekste shqipe sesa me kuptimin “armë e nishanxhiut.” Kriterin historik e plotëson kështu edhe kriteri statistikor, të paktën hë për hë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin