Gjithnjë më tërhiqte vëmendjen shprehja: Rrah si gomari në duhan, por më interesante tingëllonte kur e dëgjoja nga të moshuarit tiranas. Me këtë rast shfaqej në formën: … me rraf si gamori n’dahônt! Në të vërtetë gjithçka mbetej si një kërcënim i frikshëm, se asnjëherë nuk pata rast të shoh ndonjë që të rrihej asisoj. Me përjashtim të vetë gomerve, por jo në duhan. Për shkak të vendimit të gabuar që merrnin në çastin e gabuar e në vendin e gabuar (të qëndrojnë në mes të rrugës e të mos lëvizin nga vendi).
Kureshtja ime nuk binte më fort mbi “gamorin” se sa mbi “dahônin”. Pse një ndëshkim i tillë lidhej me të? Pse jo me grurin apo edhe misrin që ishin prodhime të një rëndësie më jetike? Po bostani me ato aromat e tij “që qelbnin dynjonë”? (ka mundësi që folja me qelb në fillm të ketë patur kuptimin me mbajt erë, që me kohë do të jetë tërhequr në përfitim të mbaj erë të keqe.). Tiransit ishin merakli dhe zemëroheshin fort po tua prishje kopshtet. E, pra, jo aty. Shprehja lokalizohet te duhani. Si gomari në duhan!
Nuk di që qytetarët safi tiranas të mbanin gomerë. Për shkak të konsumit të arsyeshëm dhe kostos së ulët të mirëmbajtjes, gomari (hajvôni) parapëlqehej më fort nga fshatarët. Kur ua donte puna qytetarët mbanin kalë. Portat e shtëpive të vjetra ndërtoheshin të larta pikërisht për të lejuar kalimin lirshëm të kuajve.
Qytetarët e Tiranës nuk kanë qenë prodhues të mëdhenj duhani. Duke vjelur taksën e kumbullave apo hurmave nëpër kopshtet e tyre, rrallë më qëllonte të shihja ndonjë parcelë me duhan. Natyrisht, kishte edhe nga ata që mbillnin, por kjo në sasi të kufizuara, sa për vete, për konsum personal. Teriarqijtë e vërtetë e porosisnin duhanin në Shkodër, i cili gëzonte emër të mirë. Por, mjaft më vonë kur mu dha rasti të interesohem për shprehjen e mësipërme, më dilte se ajo nuk para njihej nga shkodranët. Ndonjëri që e përdorte e kishte mësuar në Tiranë.
Sot ka ndryshuar. Shprehja ka mundësi të jetë përhapur me ritme të mëdha dhe ajo me sa kuptoj jeton kombëtarisht, pra bën jetë mbikrahinore, standartore. Ditët e fundit një dashamirës sporti komentonte se Spanja e rrahu Italinë si gomari në duhan!
Më tej mësova se edhe frëngjishtja njihte një gjësendi të përafërt që formohej edhe ajo me fjalën duhan (tabac). Forma më e zakonshme është : passer à tabac, që fjalë për fjalë është ta kalosh në duhan, por që mirëfilli përkthehet: t’i hysh në dajak, ta shkrish në hu!
Ndërtimi i shprehjes në fjalë ka natyrë disi kokëçarse edhe për vetë gjuhëtarët frëngë. Në kushte normale shprehjet frazeologjike me foljen passer kanë trajtën passer à la moulinette (e bluaj, e kaloj në mulli, por edhe e shqyrtoj imtësisht etj.), njihet forma passer au fil de l’épée (e vras, i pres kokën me shpatë etj), pra e gjithë kjo traditë ndërtimesh gjuhësore kishte për tendencë t’i shtynte të mendonin se shprehja passer à tabac kishte në origjinë gjësendi që lidhej me natyrën e duhanit, i cili përjetoi një periudhë përdorimi si bimë mjekësore, pasi Jean Nicot, ambasadori francez në Portugali ia paraqiti dikur mbretëreshës së Francës, Katerinës së Mediçëve. Diçka të përafërt me një si: mbështjellje a kalim nëpër tymin e duhanit (që praktikohet për të luftuar ca parazitë te bimë të ndryshme).
Pista qe e gabuar. Në atë kohë nuk njihej një gjë e tillë. Molieri te Don Zhuani thotë: … dhe kush jeton pa tabac nuk është i denjë të jetojë!
Pra, kujtesa popullore ka rregjistruar natyrën e tij të tymosjes për qejf.
Në dialektin Tiranës ka disa izoglosa turbulluese të frëngjishtes, por në rastin tonë shprehja në fjalë edhe në gjuhën frënge është shfaqur jo në kohën e normanëve (gjë që mund të në shtynte në hamendje të ndryshme), por diku nga fillimi i shek. XIX-të.
Dikur studiuesit hoqën dorë nga “bari i Nikotit” dhe duke kërkuar pista të tjera u përqendruan te rrënja tabb e oksitanishtes (gjuhë rajonale) në të cilon ajo shpreh idenë e të goditurit, të të rrahurit. Se si ka hyrë ajo në “standart” askush nuk merr përsipër ta shpjegojë. Dihet vetëm se në shek. XV-të është shfaqur folja tabuster që do të thotë as më pak e as më shumë, por godas.
Frëngjishtja ka përfituar mjaft nga gjuhët lokale që ishin të shumta e mjaft të ndryshme nga njëra tjetra. Kujtoj se kur La Fonteni dilte Parisi, merrte një përkthyes me vet, se nuk kuptonte më asgjë.
Megjithatë, ndërtimi me passer duket se ka një lloj konstruksioni jo fort korrekt, por nuk është as i vetmi dhe as cilësi unike e frëngjishtes. Gjuha vendos rregulla për ne, jo për veten e saj (rivendikoj autorësinë e kësaj shprehjeje). Tekat e saj neve na lejohet vetëm t’i pranojmë ashtu siç na i ofron ajo, gjuha. Pra passer à tabac duhet marrë ashtu siç është : i hyj në dru, rrah!
Po gomari ynë nga ka dalë?
Nuk e di. E shoh që shumë prej jush do të thonë se ky që na solli deri këtu, diçka do të na thotë, por nuk është ashtu. Nuk kam asnjë ide për mënyrën si ka lindur një frazeologji të tillë, si ka hyrë gomari në atë shprehje.
Veç në mos qoftë rasti që atë do ta kenë sjellë në Tiranë fshatarët e krahinës rrotull saj.
Ka mundësi, që në një kohë të caktuar, në kushtet e mungesës së tokave të bukës, mbjellja e duhanit në gurishtat e periferisë së Tiranës do të kenë përbërë një minierë në qiell të hapur për ta. Garnizonet ushtarake për ta konsumuar nuk kanë munguar kurrë aty.
Vetëm atëherë mund të merret me mend se çfarë i priste gomarët e gjorë kur gabimisht, në kërkim të gjetheve nëpër gardhe, të kenë vënë këmbët në tokat e mbjella me duhan.
Po ky akt i pafajshëm (i shtyrë nga uria) a e meriton një dajak aq shembullor e proverbial?
Në parim, jo! Veç në mos pastë ndonjë lidhje të largët me atë shprehjen tjetër që thotë: Të rreh ai që të do.