Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

LUNDËRTARË TË SHKALLUAR

“A po na çmend interneti?” Pyetjen ia kam bërë vetes para se ta megafononte revista Newsweek. Lojën nuk e hapi revista amerikane, vetëm sa i bëri jehonë në botë. Natyrisht, tema na përket të gjithëve, meqë të gjithë, për një arsye ose një tjetër, e shkrepim kompjuterin, hartojmë ndonjë e-mail, zëmë shokë në facebook, cicërojmë aforizma mbresëlënëse, shëmbëllehemi në kamerën e uebit. Për këtë arsye, pyetja nuk mbeti vetëm në Amerikë por fluturoi sa andej këndej, derisa u shfaq përballë ekranit tim.

Kemi kohë që e vrasim mendjen nëse interneti po na luan mendtë e kokës, nëse gishtat nëpër tastierë po na shkallojnë, nëse kontrolli obsesiv i postës elektronike po na çmend kolektivisht. Tani mësuam se të njëjtën pyetje paskan bërë edhe shkencëtarët, psikologët, sociologët, e kështu me radhë, d.m.th. ekspertët e fushave që prekin një farë soji internetin. Në të vërtetë, mjafton ky lajm, pra që edhe psikiatrët po na hetojnë tek blejmë çikërrima në E-bay e luajmë lojëra në linjë, që të na çmendë fare. Pyetja pra është retorike. Deri diku.

Ekspertët janë të çuditshëm. Flasin vështirë për gjëra të thjeshta. Fjalë të mëdha për koncepte të vogla. Mjekët janë edhe më keq. Të japin recetë për çdo vizitë. Në vend të shtrëngimit të dorës të rrasin një tufë me ilaçe, në vend të buzëqeshjes të recitojnë emra barnash ekzotike, në vend të rrahjes së shpatullave të japin sentenca në latinisht.

Qëndrimin e gjatë përballë kompjuterit tani po e quajnë toksikomani, kurse internetin drogë. Po modemi Dsl është një lloj shiringe? Përkufizimet në gjuhë të huaj po i lë mënjanë edhe pse tingëllojnë bukur (p.sh. Internet Addiction Disorder). Si të thuash, ta mbush gojën. Është vërtetë, tani u bërtasim fëmijëve që kalojnë orë të tëra përballë kompjuterit, duke harruar se po i qortojmë duke përdorur Skype-n, ose ndonjë djallëzi tjetër teknologjike me tastierë ose touchscreen. Duke harruar se nëna, ose gjyshja, na gërthisnin nga penxherja kur e tepronim me top, me pinca, me shah, ose thjesht me cingla. Gabimet trashëgohen nga brezi në brez.

Po pasojat ndaj vëmendjes? Interneti ka faj, natyrisht. Çrregullime të kësaj natyre (attention-deficit disorders) janë bërë karakteristikë e rinisë së sotme. Edhe pse mua më kujtohet Turi, një shok klase, që para se të përfundonte si statujë përballë ekranit të televizorit Iliria, rreptësisht bardhezi, e kishte mendjen të shikonte nga dritaret e fqinjëve. Derisa dikush ia futi me shpullë ngaqë u pa me benevrekë. Ose më keq.

Ja, djaloshit të sotëm, do t’i jepnin ndonjë tabletë Ritalin, meqë ka çrregullime edhe në mësime. Turin, i ati e trajtonte vetëm me rrip meshini; ia kishte rekomanduar një koleg ushtarak nga Ndroqi, i cili emrin e fshatit e lidhte etimologjikisht me ndreqjen. E këtë të fundit me dajakun.

Nuk mund të mohohet se obsesioni i SMS-ve, i mesazheve në Twitter, i e-maileve me iPhone, po e rëndon situatën. Po krijon ankthe e depresion në popullatë. Të gjithë janë të fiksuar. Duan të komunikojnë vazhdimisht, përherë në linjë, gjithnjë me telat në prizë. Goni, një shok tjetër i lagjes, e pati pësuar paq nga e ëma. Përfundoi në banjë për një javë rresht. Ndoshta edhe natën, por ai nuk e mbante mend se flinte. Aso kohe nuk kishim as telefon. Patëm formuluar disa komunikime me fishkëllima. Meloditë që përdornim ishin të ndryshme nga ato të bllokut tjetër. Goni fishkëllente gjithë kohës. Në fund, bëri gabimin e hatashëm sepse i fishkëlleu shoqes së mamit, që e interpretoi shumë seksualisht tingullin dhe e denoncoi tek e ëma me formulën: “Po rritet mbrapsht ai djalë”. Mbaj mend, që në atë kohë më dukej gjithnjë sikur më fishkëllenin shokët. E mbaja frymën në dritare, për të parë përjashta. Paskam pasur “phantom-vibration syndrome”, me tipare tingullore, por që në atë kohë thuhej ndryshe në dialekt.

Që diçka nuk shkonte tek Beni e kishim vënë re të gjithë. E kalonte gjithë kohën nëpër tarracat e pallateve. Ndihmonte ose shoqëronte shokë e komshinj tek rregullonin antenat. Nuk kishte asnjë kompetencë antenisti, por trafikonte skema antenash që edhe jashtëtokësorët nuk i kishin. Qejfin e kishte tek antenat, jo tek sinjali që kapnin. Ishte i vetmi që gjente elementë bakri. Qarkullonin fjalë që televizori i tij i kapte të gjitha kanalet e Rai-t e të jugosllavit. E kishim zili, mirëpo Beni e kalonte të gjithë kohën nëpër tarraca, derisa errësohej. Ajo ishte bota e tij. Do kishte përfunduar në burg, për shkak të ndonjë denoncimi, të Kryetarit të Frontit ose të ndonjë pensionisti “veteran”, sikur mos t’ia kishte hequr veshin vëllai i madh, duke i thënë: “Shko more pizeveng, se të kaloi jeta nëpër tarracat e të tjerëve!”. Që atëherë, tarracat nuk e panë më Benin sipër tyre.

Lagjja ime ka pasur plot njerëz me çrregullime të tilla. Artani, p.sh. kur bënim biologji, sillte kafshë të gjalla: bretkosa, zhapikë, kakzoza, breshka. Ato në formalinë, në kavanozët e fryrë, i dukeshin jo të vërteta, prej plastike. E donte shumë natyrën, dilte në pikë të mëngjesit andej nga parku, për të gjuajtur zogj me llastiqe. Pastaj vinte në shkollë e u kallte datën gocave me lloj lloj kafshësh. Kur nuk kishte ç’të gjuante, e kapte inatin me poçet e shtyllave të rrugës. E jona ishte në errësirë të përhershme. Kishte sëmundjen e kundërt të asaj që mund të quhet virtual reality syndrome. Gjithsesi, normal nuk ishte.

Tani, unë internetin e kam qejf sa kam çekiçin, në kuptimin që i përdor për çka më duhen. Të parin e përdor shumë, të dytin gjithnjë e më pak, derisa t’ua gjej adresat atyre që shkruajnë nëpër forume, ose redaktorëve të gazetave shqiptare, që t’ua zgërlaq laptopet, sepse e ndjejnë veten të plotfuqishëm e shkruajnë idiotësira pa fund. Flasin edhe kur s’kanë ç’të thonë. Internetin e kam frikë aq sa e kam çekiçin. Kur ky i fundit përdoret mirë, d.m.th. vetëm me gozhdët, nuk më krijon kurrfarë ankthi. Kur i drejtohet kokës sime atëherë më shkojnë shtatë e nuk kam kohë të pyes përse i dukem si gozhdë.

Ndoshta interneti po na çmend të gjithëve, si dikur fishkëllimat, antenat, kafshët, llastiqet, e kështu me radhë. Vetëm që kësaj radhe çrregullimeve ua gjen emrin kollaj duke lundruar me Google. Kurse terapia nuk gjendet lehtë. Dikur vuanim nga e kundërta. Terapinë e njihnin të gjithë, emrat e vështirë kurrsesi.

Po çaprashitjet e mia a kanë lidhje me internetin? Patjetër, madje edhe përkufizim, në mos në latinisht, në anglisht me siguri. Por edhe ti që po lexon, nuk je pa gjë.

Pa Komente

  1. do te ishte interesante te vezhgoheshin komunikimet ne facebook ndermjet bashkeshorteve… sic vijne lajme se punemarres jane pushuar per komente ndaj ndermarrjeve apo eproreve, do te shihnim se facebook p.sh. eshte bere sebep per ndarje te perkohshme, sherr apo edhe divorce.. “komentues te pandreqshem” … sec ka qene nje shkrim i dikujt ketu tek xhaxhai mbi tipet e komentuesve ne internet … do sjellur per reference e per percaktim diagnoze mjekesore…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin