Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Teknologji

KUR TË EMANCIPON TJETRI (X)

Në romanin Contact, të Carl Sagan-it, astronomët në Tokë arrijnë të deshifrojnë një mesazh nga jashtëtokësorët, i cili përmban, në thelb, një varg udhëzimesh për të ndërtuar një makinë. Para Sagan-it, të njëjtën ide e ka shfrytëzuar më parë Fred Hoyle (A for Andromeda), dhe më pas Stanislav Lem (His Master’s Voice), ky i fundit në mënyrën e vet post-moderne.

Kur dy qytetërime ose kultura, përndryshe të ndara mes tyre nga vite dritë hapësire ose hendeku ideologjik, komunikojnë mes tyre nëpërmjet mesazhesh ose valësh, teknologjia vjen e bëhet protagoniste, në të dy krahët. Përveçse në fantashkencë, hipotezën e gjejmë të konfirmuar në marrëdhëniet mes qytetarëve të Shqipërisë dhe botës përtej, në vitet e errëta të autarkisë komuniste, 1945-1990.

Me këtë nuk dua të them se emisionet e Radio Londrës dhe të Zërit të Amerikës gjatë atyre viteve bartnin udhëzime për të ndërtuar ndonjë aparat marrës më të sofistikuar, ose qoftë edhe ndonjë makinë për t’i çuar dëgjuesit magjishëm në Perëndim; por edhe ato emisione programonin, në mënyrën e tyre, individin perëndimor, mendjehapur, mes shqiptarëve.

Në fakt, mesazhe të tilla gjithnjë vijnë së bashku me udhëzimet për të inxhinieruar diçka: një shpresë, një mendësi, një iluzion. Për këtë arsye, regjimi totalitar kish arsye të alarmohej deri në histeri, sa kohë që hapësira ajrore e Shqipërisë mbetej e pambrojtur, ndaj provokimeve elektromagnetike nga Perëndimi.

Përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut, fëmijët e shkollave dëgjonin muzikën italiane të Radio RAI-t dhe pastaj argaliseshin darkave me filmat vizatimorë të Looney Tunes, ose me flokët fluturues të Raffaella Carrà-së e me pyetjet dramatike të Mike Buongiorno-s në Rischia Tutto; në qytetet e mëdha të Shqipërisë po rritej një brez i kapur mendërisht peng në Itali.

Çuditërisht, Tiranës televizive i dhurohej sinjali i dy kanaleve të RAI-t, i amplifikuar nga një ripetitor në malin e Dajtit; gjithsesi, në atë kohë televizorët i gjeje vetëm në pak shtëpi elitash, të cilat supozohej se njëfarësoj duhej t’i mbanin lidhjet me Perëndimin.

Sapo uzina e re e prodhimit të televizorëve, në Durrës, filloi të prodhonte aparate në masë, në 1972 (me sa mbaj mend), ia behu edhe Plenumi IV, lufta kundër liberalizmit dhe shfaqjeve të huaja, koncepti i rrethimit revizionist dhe – sa i përket jetës shpirtërore në Tiranë – fikja brutale, e paparalajmëruar e ripetitorit në Dajt.

Paskëtaj, vitet 1970 u shndërruan, së paku për rripin bregdetar, në një periudhë sfidash teknologjike për qytetarin, i cili nuk mund të pajtohej lehtë me këtë blackout dhe refuzonte të hiqte dorë së paku nga e drejta për t’u zbavitur e trullosur pak mbrëmjeve.

Sinjalet prej qytetërimeve të tjera nuk është se u ndërprenë krejt; por veç u bënë më të vështira, më problematike, më kapricioze për t’u kapur. Tash e tutje duhej marrë parasysh pozicioni i shtëpisë, lartësia mbi nivelin e detit, zonat e mira dhe të këqija (për marrje), reliefi, stinët, moti, nëntoka, jonosfera, stuhitë diellore; dhe sidomos teknologjia e antenës.

Për të marrë sinjalin budalla të televizionit shqiptar, mjaftonte një vibrator i thjeshtë, gati revoltues në përthyerjen e vet shalëgjatë dhe idiote; për sinjale të tjera, më të largëta e më të holla, duhej shumë më tepër. Anembanë Tiranës flitej për kabllo koaksiale, amplifikatorë sinjali dhe tuba bakri ose alumini. Gjithsekush e mbante në xhep një skemë antene, me përmasat e elementeve, në milimetra, të zhgarravitura me dorë; si të kopjuara nga ndonjë dorëshkrim ezoterik.

Regjimi, ndërkohë, nuk rrinte e vështronte, por kish lëshuar rrugëve e sokakëve të mëhallave grupet e kontrollit, gjithfarë veteranësh e pensionistësh e aktivistësh lagjesh, një racë e urryer parazitare, që inspektonin çatitë dhe ballkonet me ligësi të pafshehur, për të pikasur dhe ndëshkuar antenat subversive. Njerëzit, nga ana e tyre, kundërvepronin, duke i ulur antenat ditën dhe duke i ngritur natën, ose duke i fshehur nën trarët e çative, e duke i rrotulluar befasisht, orëve të vona, mes shiut e suferinës, në drejtime të ndaluara. Kjo ishte më tepër një luftë manovrash, midis njërës palë dhe tjetrës, që ende shpresonin për armëpushim, mirëkuptim dhe paqe.

Çdo skemë antene, pavarësisht nga burimi, kish natyrë magjike, si formulë kriptike, gjeometrike përpjesëtimesh. Kushdo që mundej, vidhte tuba nga shteti – dhe tubat dihej pse vidheshin. Ndonjëherë të qëllonte të shihje dikë që ecte në rrugë, me një antenë të gatshme nën sqetull, të mbështjellë me çarçaf, si të ishte ndonjë raketë antitanke ose armë tjetër fatale – që duhej mbrojtur disi nga vështrimi shpërmiratues i shtetit.

Dobësimi deri në zhdukje i sinjalit të RAI-t u kompensua me një kthim vëmendjeje, sado të padëshirë, nga televizioni jugosllav – çka për regjimin do të ketë qenë edhe më alarmante. Zëvendësimi i Papës me Titon, në ekranet e mbrëmjes, nuk është se premtonte ndonjë zhvillim pozitiv, as në ideologji as në liturgji.

Që këtej, edhe vendimi për të instaluar në Tiranë zhurmuesit (jammers), këto aparatura që lëshonin sinjale të vrazhda, që nuk përcillnin informacion, por përkundrazi, e shkatërronin atë. Zhurmuesit synonin të mbytnin valët prej Beogradit, Zagrebit, Titogradit dhe Sarajevës – dhe shpesh ia dilnin mbanë, duke i mbushur dhomat e qytetarëve me gërvima elektrike që gërvishnin.

Kishte mënyra për ta mposhtur ose të paktën mashtruar zhurmimin, megjithatë: baballarët silleshin nëpër shtëpi me pizhame, duke mbajtur pezull mbi kokë një vibrator, bebe mashkull të porsalindur – njëlloj si në planimetritë e tempujve të dikurshëm, pozicioni ishte gjithçka. Sinjali duhej kontekstualizuar në raport me konfigurimin gjeografik dhe topografik, vetitë elektromagnetike të territorit, vijat e forcës, ndikimin në distancë të Hënës dhe të yllësive, interferencat elektroshtëpiake. Kish nga ata, prej nesh, që e mbështillnin kabllon me letër varaku, të cilën pastaj e zhvendosnin poshtë e lart kabllos, me një teknikë pothuajse masturbatore, derisa sinjali të kthjellohej për një çast dhe mendjet tona të risinkronizoheshin me imazhet.

E çuditshmja në këtë mes ishte se të gjitha këto teknika njëfarësoj funksiononin.

Nuk më ka qëlluar të shoh kurrë nga afër ndonjë zhurmues televiziv; por gjithnjë i kam përfytyruar të shkurtra dhe të rënda, me butona rrotullues prej bakeliti, si aparatura radari sovjetike, ose me me një pamje prej diçkaje ushtarake, ose prej spitali të vjetër; të ndërtuar për jetëgjatësi; radiodhënëse satanike të kaosit, të entropisë, të anti-informacionit.

Jam munduar edhe të përfytyroj kthinat ku i kishte instaluar shteti, papafingo të mykura e kërkëllitëse shtëpish të sigurta të Sigurimit, ose dhoma spartane shërbimi në pallatet e ngritura me punë vullnetare; hapësira të mbushura me elektricitet ultravjollcë, si krahët e mizës; me dyshemenë të mbjellë me letra karamelesh, fara luledielli dhe bishta cigaresh Partizani, dëshmi e mërzisë të teknikëve – sepse edhe ato makina djallëzore do të kenë pasur teknikët e tyre, siç kishin teknikë edhe antenat dhe televizorët (ndonjëherë të njëjtët bënin edhe atë, edhe këtë; duke ndrequr natën çfarë kishin prishur ditën); e që vinin për t’u kontrolluar temperaturën, për t’u fërkuar ballin e për t’ua lëmuar me dorë shpinat e tyre eshtake e zjarrduruese; ose fundja edhe për të shtrirë mbi to, sipas rrethanave, ndonjë dashnore të sertë, me çizme të shkurtra, të etur për emocione të forta.

Këto ishin armët sekrete me të cilat do të fitohej beteja ideologjike për kontroll të eterit, në qiellin mbi Tiranë: një betejë që gjente të rreshtuara nga njëra anë antenat, kanoçet dhe konfigurimet magjike, si veshë thithës e përgjues radioteleskopikë të kthyer nga Perëndimi; e nga ana tjetër zhurmuesit, trumpeta të Jerikos, që shurdhonin e thërrmonin gjithçka. Një përleshje sa titanike, aq edhe e padukshme, e pandjeshme, e paperceptueshme prej njerëzve që ecnin kuturu në qytetin poshtë; mes teknologjish nga më të fundit dhe mendjesh nga më të ndriturat që kish nxjerrë vendi; ëngjëjt nga njëra anë, djajtë nga ana tjetër; një luftë për shpirtin e qytetarit shqiptar, por edhe për fatet e revolucionit botëror.

Dikur nga mesi i viteve 1970, filloi transmetimin kanali i dytë i televizionit jugosllav, në bandën UHF, ose në “valët e shkurtra”, sikurse thuhej atëbotë. Televizorët e prodhuar në Durrës nuk e kishin këtë bandë, prandaj të fituarit, në këtë mes, ishin vetëm ata që, me mënyra të ndryshme, i kishin siguruar aparatet e tyre nga jashtë. Që nga ajo kohë, “dyshi i sllavit”, sikurse quhej ky kanal, u shndërrua në një sfidë të re teknologjike, për të gjithë ata që u punonte mendja për keq.

U shpik, kësisoj, “kanoçja” – ajo pajisje e thjeshtë dhe e mrekullueshme, që i lejonte televizorët “Iliria” të komunikonin me armikun; vetëm se për ta ndërtuar këtë pajisje, lypej një tranzistor i posaçëm, i cili mund të sigurohej veç në tregun e zi.

Kur kam udhëtuar në Itali, në vitin 1987, më patën porositur të paktën pesë vetë për t’ua blerë këtë tranzistor – porosia vinte së bashku me adresën e një dyqani modest, në Romë, ku shiteshin pajisje të tilla. Vetë tranzistori kushtonte fare pak, një mijë ose dy mijë lira; dhe kalohej pa problem në doganë –imcak, më i vogël edhe se një tartabik, me këmbë të gjata të holla, si të pilivesës. Edhe për nga forma, edhe për nga funksioni, u ngjante tabletave të drogës, që shiten sot rrugëve – por ndryshe nga tabletat, të cilat i gëlltitim me pak ujë ose lëng frutash, tranzistorët ia jepnim televizorit që t’i gëlltiste. Por efekti ishte gjithsesi i njëjtë – arratisja nga realiteti.

Dikur në vitet 1980 filloi transmetimin një ripetitor i fuqishëm i RAI Uno-s diku në bregdetin e Malit të Zi, sinjali i të cilit mbërrinte deri në Tiranë, me cilësi të mirë. I gjendur përballë këtij sulmi të ri nga kapitali ndërkombëtar, regjimi në Tiranë u kundërpërgjigj edhe ai në mënyrë krijuese – në vend që të mbushte kryeqytetin me një aradhe të re zhurmuesish, e mbuloi sinjalin e atij ripetitori me sinjalin, më të fortë, të televizionit shqiptar; si derrin maç që e mbulon asi, në sofrën e pesëkatëshit.

Tani, televizioni shqiptar transmetonte zakonisht nga ora 5:30 pasdite, deri në 10:30 të darkës dhe pastaj i fikte llambat, që të ftoheshin aparatet dhe të shplodheshin makineritë propagandistike – ndërkohë, pjesën tjetër të ditës dhe të natës, qytetarët mund të shihnin programet e RAI-t. Kështu, Tirana e netëve të vona u familjarizua, ndoshta edhe më fort se italianët vetë, të ndiqte programet e fashës së dytë, “di seconda serata”, të menduara për një publik më të përzgjedhur, më serioz, më elitar: filma dokumentarë, debate në studio, emisione videosh muzikore, që asokohe ishin ende duke u kristalizuar si formë e artit pop (Notte Rock), emisione të tjera për historinë dhe të tjera kontribute, nga më cilësoret, që degdiseshin natën vonë thjesht ngaqë, nga vetë natyra, e përzgjidhnin ashpër publikun.

Publiku kryeqytetas i viteve 1970-1980 nuk e kish harruar dot që dikur, i njëjti regjim totalitar dhe ksenofobik, e kish mbuluar kryeqytetin me sinjalin televiziv italian nëpërmjet ripetitorit shtetëror në Dajt. Edhe pas fikjes fatale dikur në 1973 ose 1974, ripetitori kish mbetur në funksionim dhe po përdorej tani kryesisht për ta përçuar sinjalin e RAI-t, nëpërmjet një kablloje, drejtpërdrejt e në vilat e udhëheqjes totalitare; ky do të ketë qenë ndoshta edhe transmetimi i parë televiziv me kabllo në Ballkan. Ndërkohë, Tiranës i lejohej të ndiqte lajmet – të drekës dhe të mbrëmjes, të RAI1 dhe RAI2; si edhe ndonjë ndeshje ndërkombëtare futbolli.

Arsyet pse, nga krejt palimpsesti televiziv shtetëror i fqinjit, vetëm lajmet ishin zgjedhur si të përshtatshme për publikun e vendit të vetëm socialist në botë, mbeten të pakuptueshme, madje enigmatike, të hapura për gjithfarë spekulimesh. Një tjetër paradoks: RAI3, i kontrolluar prej së majtës komuniste italiane, nuk u lejua kurrë – edhe pse, në teori, do të ishte më i përshtatshmi (por, nga ana tjetër, sikurse e kish shpjeguar edhe Enver Hoxha, eurokomunizmi është antikomunizëm); edhe pse, bie fjala, i përcilleshin publikut, pa paralajmërim, emisione të tilla si “Qui Stalin piace ancora,” të një reporteri të RAI2 (i transmetuar më 16 shkurt 1979), që natyrisht nuk shprehte ndonjë simpati për regjimin Hoxha, as për komunizmin made in Albania.

Fakti që diçka, megjithatë, lejohej; qoftë edhe thjesht lajmet për lëvizjet e Andreotti-t në fushën e shahut, ishte tërbues në vetvete. Nesër mund të lejohej diçka tjetër, diçka më shumë, më thellë, më larg. Herë pas here gumëzhinin, në kafenetë e Tiranës, zërat se RAI-n “do ta linin”. Edhe unë vetë, si gjimnazist e më pas student i atyre viteve, shihja rregullisht në ëndërr sikur RAI-n “e kishin lënë (hapur).” Thuhej se këtë mund ta kish urdhëruar kryeministri, Mehmet Shehu, kushedi i shqetësuar ngaqë njerëzit, në mungesë të RAI-t, i ishin kthyer jugosllavit. Shumë tiranas, po t’u kërkohej të zgjidhnin midis alternativës së hapjes së RAI-t dhe ndërrimit të regjimit në Shqipëri, do të kishin zgjedhur pa ngurim opsionin e parë. Ndoshta kjo do të ketë qenë edhe arsyeja kryesore, që regjimi i tundonte masat e vdekura urie me këtë mirazh – më mirë të shpresonin njerëzit për legalizimin e drogës televizive, sesa për reforma politike dhe përmbysje. Tek e fundit, në ato vite, arbitrariteti i “atyre lart” nuk habiste kënd, as shihej gjë si shenjë dobësie.

Një thashethem tjetër, i pandryshkshëm, ishte ai i “satelitit”; thuhej se një ditë do të fillonte transmetimi i sinjalit televiziv italian me satelit, dhe se sinjalit satelitar “këta asgjë s’kanë ç’t’i bëjnë”; edhe pse askush nuk dinte të thoshte si do të funksiononte pikërisht televizioni satelitar. Mirëpo ëndrra ndërkohë pasurohej edhe me një element tjetër: një televizor ku çdo kanal, në vend të “mizave”, kish sinjal dhe informacion, në gjuhë të ndryshme, për botën; si dritare ndaj një galaktike ku qytetërimet merreshin vesh mes tyre.

Televizorë vendi dhe të huaj, bardhezi dhe me ngjyra, antena, stabilizatorë tensioni, grupe UHF, kanoçe, amplifikatorë, tranzistorë, satelitë, kineskopë, ripetitorë, zhurmues… të gjitha këto ishin pjesë e një sistemi teknologjik elektronik, që synonte komunikimin në rastin më të mirë, arratisjen nga realiteti në rastin më të keq; ose parafernalia të një feje aktive dhe të suksesshme në çdo aspekt, me përjashtim të emrit. Kjo ishte një fe moderne dhe teknologjike, që tërhiqte edhe pjesën më moderne dhe elitare të shoqërisë – edhe pse premtimi i saj nuk dallonte shumë nga premtimi tradicional i çdo feje në histori: shelbimi.

Feja kish përftuar edhe priftërinjtë e vet: teknikët e televizorit, ose një esnaf shamanësh e të iniciuarish në sekretet teknologjike të drogës nga Perëndimi. Teknikët, sipas rastit, të sugjeronin skema antenash, të skicuara mbi fletë ambalazhi me laps kopjativ, ose mbi letër të milimetruar me bojë kine; dhe dinin të interpretonin skemat që ua ofronin besimtarët, kjo bën kjo s’bën e kështu me radhë; dinin të shëronin televizorët e sëmurë, edhe pse ndonjëherë sëmurnin televizorët e shëndoshë, në përpjekje për t’i detyruar të kapërcenin veten. Njëlloj si mjekët më të famshëm, edhe teknikët respektoheshin,  përshëndeteshin në bulevard, ftoheshin në tavolina, qeraseshin te “Peza”; njerëzit i kapnin nga mënga dhe u flisnin me emër; edhe pse ata i gjeje gjithnjë të fokusuar, me mendjen tjetërkund, te misioni i ditës; te një urgjencë e papranueshme, te një televizor që kish dhënë shpirt mu përpara finales, te një fëmijë që nuk pushonte së qari, pse një defekt ia kish mohuar crtani film-in e vet të preferuar të mbrëmjes. Mbanin xhaketa lëkure të vjetruara e të rrjepura, me xhepat të rënduara nga veglat delikate; ndonjëherë të shigjetonin pranë rrufeshëm, me motoçikleta; por jo aq për ekzibicionizëm, sesa për shpejtësi dhe eficiencë. Hakun e punës e pranonin dhe e futnin në xhep pa shumë llafe. E vizitonin televizorin si të ishte ky pacient i mikluar i një klinike ultramoderne; ia matnin tensionin dhe rezistencën, ia lidhnin serumet për ta ushqyer, i merrnin gjak, ia nxirrnin zorrët sheshit, ia transplantonin organet e dala jashtë përdorimit nga puna e tepërt – organet llamba me ballin të nxehtë nga ethet e mbilodhjes, të cilat të vinte keq t’i flakje në plehra, edhe kur ishin djegur tashmë. Teksa operonin mbi të sëmurin, përcillnin edhe thashethemet më të fundit, për ripetitorët, satelitët dhe humoret televizive të udhëheqjes.

Si të gjithë priftërinjtë, këta teknikë përbënin një kastë ndërmjetësish midis kësaj bote dhe asaj tjetrës; vetë prania e tyre rrugëve dhe shtëpive premtonte për mirë, sillte një gëzim të heshtur, ose një vetëdije se jo gjithçka kishte marrë fund.

Pa Komente

  1. Kujtoni PC 900 e famshme qe perndryshe quhej edhe llampa finale e figures te blloku i frekuences se larte te Iliria. Ajo ishte nje triode e vockel qe me kalimin e kohes filamenti dobesonte emetimin e elektroneve drejt katodes dhe si rezultat binte edhe sinjali. Ketu fillonte edhe sfida me tekniket. C’beni ata? Mbanin neper canta llampa te perdorura dhe i vendosnin per te reja. Ne vitet e mevonshme kur importet shteruan nuk kishte aspak shanse qe ne televizorin tend te vendosej nje llampe e pa perdorur.

    Terbimi im arinte kulmin kur une prisja me padurim te shikoja sado pak nga filmi i te henes te RAI UNO kur ne fund te programit te TVSH-se shfaqej spikerja per te lajmeruar se “ne vazhdim do te ndiqni ndeshjen e volejbollit per femra midis Dinamos dhe Traktorit te Lushnjes (ekipi i Krutjes) ne komentin e zerit monoton dhe torturues te Vladimir Grillos.

    Sidoqofte per ata qe deshironin magjine e RAI-it mund ta ndiqnin edhe ne oret e vona. Kenaqesia ime e vecante. Quark nga Piero Angela emision te cilin per fatin tim e shikoja qe nga fillimi ne mbarim pasi fillonte pas edicionit te TG1 Notte mesa mbaj mend.

    ..dhe ne fund do kujtoj te famshmin cikel filmash erotik dhe aspak pornografik te programit “kucni bioskop” te dyshi i sllavit cdo te premte shume vone. Grumbulloheshim ne shtepine e cilitdo qe rrethanat i lejonin te ishim sebashku dhe mezi’ prisnim kur te thuhej shprehja “idemo u krevetu”. Fikej drita asnje aksion. Ata filma me metrin e sotem jane R13.

    Eh. Kohe te tjera. Vertet na ka emancipuar tjetri pa dashje.

  2. Varaku aluminit qe rreshqitej ne kabllin simetrik me rrezistence valore 300 Ohm (petashuqi) kishte kuptim pasi sherbente si element LC ku elementI kapacitiv ishte varaku dhe induktivi (bobina) sherbente vete kablli. Pra ky element ndikonte ne kompensimin e kapacitetit variabel te ndarjes se frekuencave.

    Kjo nuk ishte e vlefshme per koaksialin pasi skerma e tij e mohonte elementin LC.

    1. Koleg, ma kujton dot si quhej një lloj tubi që përdorej për antena, me një veshje të hollë metalike nga jashtë (alumin?), ndërsa brenda me një si lloj pushi ose leshi të zi, si qymyr? Ishte i butë në prekje dhe lehtësisht i përkulshëm. Ky tub preferohej herët në vitet 1970; pastaj u zhduk nga qarkullimi, ndoshta ngaqë nuk u importua më…

      1. Po Xhaxha. Ai ishte nje materjal izolues qe perdorej per termoizolimin e tubave te gazit ne frigoriferet e NTUS-it por qe nuk i kishte vetite fizike/elektromagnetike te tubit te aluminit kurresesi’. Ai materjal perdorej nga halli si zevendesues i tubit te bakrrit kryesisht pastaj ne vend te dyte aluminit qe ne ato kohera ishin metale te rralla.

        Bakrri kishte te keqen se duke patur shkallen e oksidimit me te larte se alumini shkaktonte rritjen e rrezistences (sidomos ne kontaktet e vibratorit me kabllin televiziv) dhe si rrjedhim dobesimin e sinjalit. Ne te kundert alumini ne fillim nuk kishte te njejtin rrezultat ne sinjal (ndryshime te pakapshme) por shkalle oksidimi te ulet pra jetgjatesi me te madhe krahasuar me bakrrin. Rendi i rezistences valore ishte i vlerave shume te ulta por kur behej fjale per sinjale shume te dobta atehere gjithshka ndikonte sado pak qe te ishte.

        Kanocet. Skemat dhe blueprint-in e tyre ne e gjenim ne periodike elektronik te B.S. Pra nga lindja. Kishte skema me nje dhe dy tranzistore. Gjenerata e pare ishte me AF-ne dhe me pas BF-ne. Ne i blimin me 700 leke te vjetra copa dhe me pas e shisnim kanocen e perfunduar se bashku me montim 4500 leke. Kostua i dilte diku te 2500 leke.

        Do bej edhe nje shtese te vogel. Kete nuk ma solle ti ne mend. Heret me ka shkuar ne mend krahasimi midis nje televizori pa skeme dhe une para doktorit. Asokohe kishte shume Phonola, Grundig dhe Philips pa skeme. Sot shume njerez te semure.

        1. Po postoj këtu, me dy konsiderata për temën.
          1. Me një krahasim me të sotmen, gjithmonë tjetri të emancipon, sot janë kompjutera e telefone, e “tjetri” gjeni e korporata, ne po ata që grabim Ë, unlock-im e hack-im.
          2. Emancipimi i djeshëm ishte dy krahësh. Për shumicën siç përshkruhet nëpër këto kapituj. Për pakicën, (e cila Xha Xhai nuk mbyllet brenda teknikëve) i quajturi emancipim ishte edhe si konsumator i programeve, por edhe si studiues apo novator.

          Sic thotë Recidivism, skemat merreshin dhe kuptoheshin, krej ndryshe të themi nga kulti i kargove. Unë këto punë i bëja në gjimnaz, e fjala vjen librin e fizikës, elektronikës (a si quheshin zyrtarisht), i kisha zotëruar edhe ndonjë vit më parë se ti kisha në program. Por që të bëja kanaçe kisha bërë edhe kolitir (që ishte 100 më i mirë se këta që ble te RSH).

          Recidivism, nja nga kanacet time kapte dhe ç’thoshin policët në radiot e tyre.

          Phonola, kur shitej atëhere, ndryshe nga sa shitet tekonogjia sot, shitej me të gjithë skemën e qarqeve të detajuar. Mbaj mend se ishte në letër të shkëlqyer, e se njëri nga ata më mjeshtrat që njihja, e huazonte, e hidhte në letër (deri sa ja merrnin dhe e rikopjonte sërish – si të tjerët letërsinë e ndaluar) ishte aktor teatri dhe filmi.

  3. Mua s’me duket si pjesa X, perveçse nese X nenkupton e panjohur.

    Ne vitet ’70 televizioni ka qene i magjishem edhe per vete italianet. rigorozisht bardhezi, biles jam habitur kur kam degjuar se ne Itali edhe ne vitet ’90 ka pasur bardhezi ne qarkullim, sepse gjate atyre viteve ne Shqiperi, njerezit rrinin pa buke, frigorifer e lavatriçe vetem per nje televizor me ngjyra.

    Nuk besoj se magjia e televizorit eshte e lidhur ngushte me emancipimin nga tjetri, perkundrazi besoj se nje nga demet madhore qe kane kushtezuar gjendjen e tashme, ka ardhur nga televizioni italian. U krijua nje gjendje utopike dhe nje mendesi e shtrembert per realitetin, saqe vetem tani pas 20 vjetesh duket te kete marre fund.

    Per shkalafitjen e Shqiperise, pergjegjesi madhore mban iluzioni ose magjia televizive.

    As regjimin nuk e demtoi televizioni i huaj,te ishte per te, regjimi do kish rrojtur 1000 vjet. E vetmja gje qe demtoi ishin neuronet e 2 brezave shqiptaresh.
    Pasojat pozitive jane ku e ku me te parendesishme sesa pasojat negative. Perceptimi kaq i shtremberuar i realitetit ka qene edhe ne themel te mashtrimit politik gjate ketyre 20 vjeteve.

    Tani duket sikur shqiptaret jane ca me realiste. ne lidhje me veten dhe Perendimin, kjo mund te perkthehet ne shprese per te ardhmen.

    1. Rezistence e heshtur? Keshtu tha edhe Bamiri, une flas me heshtjen.

      Ajo qe donte shqiptari mesatar ishte magjia e televizorit, jo te dilte nga sistemi. Po ngaterrohet kenaqesia me rezistencen. Kenaqesia ishte me e madhe se frika, nderkaq regjimi nuk e shihte edhe aq problematik per kostot e larta qe donte asgjesimi i dukurise, dhe kishte te drejte.
      Me problematik do ishte arrestimi pse sheh raiunon sesa vete shikimi i raiunos. Prandaj edhe u perpoq ta ndalonte dukurine me ane te mjeteve te terthorta.

      U vuri friken njerezve te flisnin lirisht per ç’shihnin ne tv, aty ai ndalonte edhe demet, se nuk krijoheshin dot grupime, por ishte individi i vetem perballe shtetit. Nderkaq individi mjaftohej me kenaqesine individuale qe i jepte televizori.

      Kjo shumesi individesh krijoi utopine e Perendimit, mbi te cilen u ndertua mashtrimi politik i ketyre 20 vjeteve, me njerez qe thonin hajde se pas ca vjetesh do na fusin ne Europe dhe do rregullohemi si me magji. Volumi i punes se kryer nga emigrantet jashte por edhe brenda(ata qe jane kthyer) ia kalon shumefish volumit te punes se kryer ne Shqiperi. Ata jashte dolen nga magjia dhe iu futen punes per te ngrene buke e vene dy kacidhe menjane.

      Ende sot ke nje mase te madhe njerezish qe punojne me copa, here me pune e here papune, 4 vjet ne pune e 4 papune, nderkaq asnje emigrant nuk kthehet po s’pati garancine e punes, se eshte shkeputur nga magjia e Perendimit dhe thote ka pune a s’ka pune, te tjerat rregullohen.

      Televizioni i huaj ka shtuar eksponencialisht pertacine dhe idene e pergjithshme se gjerat behen lehte. Jo se ne jemi popull punetor, se me endrra kemi rrojtur dhe me pune sa per te ushqyer kalamajte, por kesaj radhe dolem fare jashte realitetit.

  4. Pata lexuar ne ”Zeri i Kosoves” memuaret e Nexhmijes qe i shkruante sa ishte ne burg.Ne ato kujtime, ajo shkruante se Enveri i shikonte rregullisht lajmet ne RAI UNO.(”Keshtu, nje dite, duke shikuar lajmet se bashku me Enverin, u dha edhe buletini shendetesor i Titos, qe RAI UNO e jepte rregullisht.Enveri, pasi e degjoi, per nje çast tha: sikur te jetonte edhe ndonje vit.”)
    Shqiptaret e ketej kufirit se kishin hallin e Perendimit sepse pothuajse çdo gje qe krijohej atje vinte edhe te ne ne menyre krejt legale.Muzika, filmat, romanet,stripat,etj. Ne kino, perveç filmave te rendomte, shfaqeshin edhe filmat pornografik.Mbaj mend kur ne vitin 1984 u popullarizua shume romani i Orwellit ”1984”. Te gjithe e lexonin. Ishte perkthyer edhe ne gjuhen shqipe.
    Shume vete punonin ne Gjermani, Austri, Zvicer. Mund t’i hipje trenit ”Akropolis” qe qarkullonte nga Athina deri ne München, dhe kalonte neper Kosove. Ne Gjermani mund te shkoje pa viza.
    Shume nga ne kishin hallin si ta shikonin RTSh-ne. Sidomos pas demonstratave te vitit 1981.Jo se na mungonte TV-ja shqip. RTP kishte filluar programin e rregullt ne gjuhen shqipe qe nga 26 nentori 1976.Emisioni i pare ne gjuhen shqipe eshte emituar nga RTV Beogradi ne vitin 1967.Njerezit e ndryshem mund te kishin motive te ndryshme pse deshironin ta shikonin televizionin shqiptar.Ndoshta kishim nevoje per diçka ndryshe.Deshironim gjithashtu ta degjonim zerin e shtetit shqiptar, ti shihnim njerezit qe i takonin te njejtit komb, por e kishim te ndaluar te kontaktonim.Ne Peje, ne pjesen me te madhe, nuk e kapnim sinjalin e RTSh, deri ne vitin 1981. Ne kete vit RTSh futi teknologjine me ngjyra. Shteti jugosllav reagoi shpejt dhe e pengoi sinjalin. Flitej se ne Gjakove qytetaret filluan ti shesin shtepite nga pjesa e qytetit ku nuk kishte sinjal te RTSh-se dhe blenin ose ndertonin shtepi ne pjesen ku kishte sinjal.
    Kam lexuar diku se Italia futi mjaft vone teknologjine me ngjyra diku ne vitin 1978. Kjo me pat befasuar sepse ne Jugosllavi ishte futur jo me vone se ne vitin 1974.Ne kete vit e kam pare ndeshjen futbollistike Jugosllavia-Irlanda, nga boterori qe mbahej ne Gjermani, ne TV me ngjyra qe e kishte nje i aferm i imi.Pastaj TV me ngjyra shpejt u be i rendomte.Para demonstratave te 81-shit, vinin edhe grupe muzikore-artistike nga Shqiperia ne Kosove dhe disa prej tyre e kane pare veten ne TV me ngjyra pikerisht ne Prishtine.Me tregonte halla ime per nje kengetare te njohur e cila kishte ardhur ne shtepi te saj dhe se bashku kishin shikuar koncertin qe sapo kishte mbajtur.Halla me thoshte se kengetarja ishte magjepsur duke pare veten ne TV me ngjyra.
    Ndoshta komunizmi u shemb ne kohen e duhur, pikerisht kur lindi interneti.

  5. Kush ka pase televizor ka pare televizion te huaj, nderkaq ne emigrim shumica jane nga fshatrat qe pergjithesisht kane pasur 1 televizor çdo 100 shtepi.
    Ne ish-pallatin tim, ka pase 24 shtepi- 24 televizore (ai qe mbante çelsat e tarraces ishte VIP, por edhe mazokist do shtoja), 2 me ngjyra, nga keta 80-90 banore, vetem 10% kane perfunduar jashte, shume poshte 30-35% ne nivel kombetar.

    Do thuash ti, pervoja vetjake s’perben argument, dakort jam, por me lejo te kem dyshimet e mia, persa kohe te dhenat jane spekullative nga te dyja palet.

    Mua ajo qe me shqeteson ne kete mes, eshte ‘volumi i punes’, sepse realisht volumi i punes se emigranteve ia kalon shumefish ‘volumit vendas’, jo vetem ne qytete por edhe ne fshatra, sepse fshataret e emigruar punon 48 – 60 ore ne jave 300 dite ne vit, ndersa fshataret qe ngelen ne Shqiperi kane punuar sezonalisht( ashtu e kemi bujqesine) dhe puna e vetme e perditshme ka qene dhe eshte korrja e jonxhes per lopet dhe ushqimi i pulave.

    Kush ngeli brenda iu fut kryesisht punes se lehte ne tregti apo administrate shteterore, pune ku dridhet zinxhiri gjithe diten, ndersa jashte punet me te veshtira kane qene dhe jane per emigrantet.

    1. Në vitet 1960-1980, televizioni i huaj, kryesisht ai italian, kishte meritën edhe që ofronte temat mbizotëruese të bisedave të ditës.

      Njerëzit bisedonin për filmat, për futbollin, për boksin.

      Edhe pse kam qenë fëmijë në 1969, mbaj mend që zbritja e LEM-it amerikan në Hënë e elektrizoi krejt Tiranën.

      E kështu me radhë, muzika, Sanremoja, Senza Rete, Canzonissima, Cantagiro-ja, Rischia Tutto.

      Mund të duket qesharake, por unë ende mbaj mend një pyetje që ia bënë, në Rischia Tutto, njërit prej kampionëve, dr. Rinaldi-t – i cili ishte i specializuar në muzikën klasike.

      Transmetuan një pjesë muzikore dhe i kërkuan ta identifikonte – dhe ky e identifikoi, me saktësi, si një simfoni të Franz Joseph Haydn-it (i cili ka shkruar 106 të tilla).

      Mua kjo më bëri përshtypje të hatashme; dhe dyshoj se ka luajtur një rol në interesin tim pothuajse obsesiv, që më vazhdon edhe sot, për muzikën klasike.

      Televizioni italian aso kohe ishte shumë larg këtij të tanishmit, të mbytur në trash.

      Atëherë deri edhe një emision reklamash, si Carosello, kishte një nivel artistik të tillë që të bënte të rrije ngulur pas ekranit; në fakt, klipet e Carosello-s i drejtonin regjisorë nga më të shquarit.

      Nuk ishte vetëm konsumi i programeve pra; por edhe krejt përfshirja jonë në atë sferë kulturore.

      Deri edhe ndeshjet e futbollit i përjetonim si drama, me heronj dhe antiheronj, të mirë dhe të ligj.

      Një shtesë loje si ajo e gjysmëfinales Itali-Gjermani, të kampionatit botëror të vitit 1970, mbahet mend sot e kësaj dite.

      Përmenda Hënën më lart; ato ditë RAI transmetonte non-stop programe shkencore, filma fantashkencorë, biseda në studio, shpjegime për orbitat, planetët, sistemet e propulsionit të raketave.

      Të gjitha këto bëheshin pjesë jona, e asaj çfarë ishim dhe çfarë ëndërronim.

      Edhe të rriturit rreth meje, kur mblidheshin, bisedonin për këngëtarë dhe filma; kur nuk bisedonin për politikë.

      Për krahasim, kur shkon sot në Tiranë, e ke vështirë t’u shpëtosh bisedave për pará (niveli zero i komunikimit), edhe kur u shpëton atyre të tjerave, për kurvní gjithfarësoj dhe thashetheme.

      Pas 1990-ës, Shqipëria vërtet është hapur dhe shqiptarët kanë shkuar anembanë Europës dhe botës; por përndryshe mendja e shqiptarit ka ardhur duke u mbyllur.

      Dhe kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një vendi të vogël, që nuk ka asgjë çfarë të konsumojë prej vetes, veç identitetit.

      Është degradim dhe regres, një farë Alzheimer-i kolektiv.

      Dikur identitetin tonë, si shqiptarë e formonim duke u përballur me të huajën dhe nëpërmjet përvetësimit të kësaj të huaje.

      Sot ia kemi lënë në dorë demagogjisë dhe valëvitësve profesionistë të flamurit.

      Asnjë e mirë nuk na vjen prej kësaj, pra.

  6. Seç mu kujtua diçka per ”dyshin e sllavit”.
    Pasi policia serbe kishte pushtuar RTV e Prishtines, ne korrik te 1990, dualen tonet te ankohen neper Europe.Nje spikere e Radio Prishtines kishte kerkuar te takohej me gruan e presidentit te Frances, me gruan e Miteranit, dhe ajo e kishte pranuar.Para se te takohej me te kishte vizituar edhe çiftin Kadare, Elenen dhe Ismailin. qe qendronin ne Paris, por ende nuk e kishin shpallur vendimin per arratisje.Kadarenjte e kishin pritur mire.Ismaili i kishte dhene keshilla asaj. Ajo e kishte verejte nje keqardhje shume te madhe te Ismailit dhe kishte pasur nje pershtypje sikur donte te thoshte edhe diçka por hezitonte.Pasi ishin ndare Ismaili ishte kthyer edhe nje here dhe i kishte dhene keshillen e fundit: ”konsideroje veten plotesisht te barabarte me te, pa asnje kompleks”.
    Por Spikerja ishte zhgenjyer me Elenen.Kur e kishte pyetur se ku informohet per gjendjen ne Kosove, Elena ishte pergjigjur ”nga kanali i dyte i TV Beogradit”. Spikerja: ”Uaaaa…”

    Meqe ra fjala edhe per arratisje, besoj se televizionet e huaja qe shikoheshin ne Shqiperi, kane tunduar shumekend qe te ndermarrin nje hap te tille te rrezikshem.
    Krejt rastesisht, ne kohen kur Gjermania dhe Italia luanin ne gjysmefinale te kampionatit europian, bisedova me nje rumun qe jeton ne Freiburg te Gjermanise.Me pyeti se cilit nacionalitet i perkas. Pasi i thashe se jam shqiptar, deshiroi te dij saktesisht se a jam nga Shqiperia apo Kosova, Me tregoi se ai ishte arratisur nga Rumania ne Jugosllavi, ne vitin 1984.Ne kampin ku ishte vendosur kishte edhe te arratisur nga Shqiperia.Aty – tha rumuni- kam takuar nje shqiptar qe quhej Fahri Balliu.E perseriti 2-3 here kete emer, dhe u binda qe e thoshte emrin pa gabuar. ”A ka emer te tille ne Shqiperi” me pyeti.
    ”Po, ka” i thashe.Nga ai kishte degjuar per gjendjen ne Shqiperi.I kishte bere pershtypje Fahri Balliu si rrobaqepes shume i mire.Me dukej se e kisha degjuar kete emer diku por nuk me kujtohej atyperaty.E permenda kete rast sepse kete emer, Fahri Balliu, e lexova ne Peizazhe. Ne nje koment thuhej se Fahri Balliu kishte ndertuar nje rruge.Ndoshta eshte i njejti person.
    Bota eshte e vogel, tha.

    1. Zgjim, falemnderit për këto hollësi kaq pikante që sjell.

      Ky Fahri Balliu rrobaqepës do te ketë qenë njeri tjetër nga Fahri Balliu që njohim të gjithë, i cili ka studiuar për gjuhën bullgarishte në UT dhe ka bërë emër gjatë viteve 1980 si tregimtar, gazetar dhe dramaturg.

      Ju lutem kolegëve të mos e vazhdojnë këtë diskutim kaq interesant, duke biseduar për Fahriun.

  7. Xhaxhai……Mund të duket qesharake, por unë ende mbaj mend një pyetje që ia bënë, në Rischia Tutto, njërit prej kampionëve, dr. Rinaldi-t – i cili ishte i specializuar në muzikën klasike……..

    Po kjo te kujtohet?

    Mbyllen kabinat e xhamit dhe vendosin kufjet ne vesh. Ishin pyetjet (me duket tre) nga ku merte emrin emisioni.

    Mike Buongiorno: Ne cilin vend ndodhet nje krahine qe mban mbiemrin tim.

    Dr. Rinaldi: Mirdite in Albania.

    Shtangem te gjithe.

  8. Unë madje do të shtoja se njerëzit kanë ikur (dhe do të ikin) nga Shqipëria, për të njëjtën arsye pse kukësiani ose gramshioti ngrihet dhe vjen të jetojë në Tiranë.

    Shqipëria është në periferi të gjërave, ose Bregu i Lumit i Europës – dhe shumë nuk duan t’i nënshtrohen këtij fataliteti.

    1. Po njerëzve më shpesh u qëllon të ikin nga diku, sesa të shkojnë diku; që do të thotë se këta lirinë e tyre e perceptojnë si mundësi për t’u larguar, për të lënë pas krahëve, për t’u zhdukur. Natyrisht, asnjë prej shqiptarëve që ikën në vitet 1990 nuk e dinin se çfarë i priste andej – por dinin se nuk mund të jetonin më në Shqipëri.

      Kush e ka analizuar dukurinë, ka vënë në dukje si faktor lehtësues të emigrimit masiv mungesën e pronës private. Zakonisht është prona që të mban të lidhur me territorin dhe nuk të lë të largohesh madje edhe në kushtet më kritike. Duke i dhënë dërrmën pronës private, regjimi komunist e përgatiti në përsosmëri ekzodin post-komunist.

  9. Le te jete ne periferi per te gjithe jeten; nuk me duhet qendra e asnje qyteti, nuk deshiroj te konkuroj per te kapercyer sistemin diellor. Nuk imagjinoj te jetoj dot me mire, me ne paqe me klimen sesa ne qytetin tim. Aty ne qoshe te qosheve, ne jug te jugut. Nuk ma sfidon dot qetesine dhe prehjen asnje metropol. Por eshte pikerisht kjo mania jone per te kalkuar imazhe dhe spote publicitare ne treg idesh per vendin tone, qe na coi ne kete depresion kapilar. Fshtari qe kerkon te tjetersohet duke dalldisur zhvillimin, permes imitimit, e felliq identitetin e vet me arna te nje qyteterimi dhe konteksti te cilit ai i perket vetem permes kompleksit te inferioritetit. Jo endrres, se ashtu dicka do ishte bere me mire. Qyteti nuk eshte vetem nje hapesire ku themelohet publiku, por edhe nje beteje qe duhet fituar. Nuk mund te transferohesh ne qytet, duhet te jetosh dhe si qelize e tij dhe organ i tij. Asnje prej nesh nuk e ka kapur dot kete ndjesi. Mundet njeriu fare mire ta mbroje identitetin e vet, te ndihet mire me te edhe nese vlerat e tij jane modeste dhe ne pamje te pare mund te lihen ne medyshje nga qyteterimi teknologjik. Por puna eshte se ne shqiptaret mesa duket nuk kemi patur nje identitet apo nje menyre jetese, rite dhe zakone qe te kene zene vend si vetedije e te qenit filiz i nje kulture. Ne kemi jetuar se ashtu si kemi mundur dhe perceptimi i identitetit si kaliber ekzistence, e con kulturen, apo nenkulturen qe krijohet ne nje proces mohimi permanent. Eshte koha qe sfidon, eshte kontakti qe te corienton, eshte shkelqimi i tjetrit ai qe te gerryen paqen e brendshme. Paradoksalisht jane popujt paqesore ata qe jane me rezistente, ndoshta ngaqe kane te zhvilluar mekanizmat e komunikimit dhe enklavizimit te heshtur qe e ben disi inerte nje shoqeri ne raport me asimilimin e pritshem. Shoqerite me natyre luftarake thjesht jane variabel i nje kohe; pertej ato humbasin. Japonezet ne raport me kinezet ta zeme jane nje shembull qe mund te vleje. Kapushcinski ne reportazhin e tij nga Bashkimi Sovjetik veren tjetersimin e fiseve bashkire, luftetare dhe kalores. Ata humben identitetin e tyre te lidhur thjesht dhe vetem me nje kohe, per tu kthyer ne qytetare sovjetike. Ndonese pushtues, sipas Kapushcinskit, sovjetiket jane streha e fundit e bashkirit; fshatra mund te kete, por nuk ka me njerez me vokacion kaloresi dhe predispozite per te bere mbrapa rroten e historise. Nga ana tjeter, asgje nuk mund te krijoje bashkiri saqe te arrije te quhet shtet apo dicka afer me te. C’te beje? Rri e qan ikjen e BS-se se lavdine e dikurshme e sheh si pamundesi kozmike. Qendrat dhe qyteterimet aty kane qene po ashtu edhe periferite. Puna eshte se po krijohet nje proces sikur qytetaret e dikurshem te qyteteve te dikurshme do ta ripopullojne ate ne varreza dhe si pensioniste teksa ne kerkim te kujtimeve te dikurshme do gjejne bashkeqytetare energjike, por qe sa i sheh te prishin gjakun dhe te asfiksojne edhe ate liri qe i jep dielli hijes.

  10. Nuk e di nese se ky idilizmi i qoshit te qoshes se Shqiperise se jugut qe pershkruan Theo eshte nje tropizem i yni, i krijuar prej ngacmimeve gjithefare ngjyrash se jetes sone apo ekziston vertet. Une kam deshire te besoj se ekziston. Dhe me thene te drejten kam krijuar edhe variantin apo imazhin tim ne koke.
    Atje ne Jug te Jugut, afer Syrit te Kalter, eshte nje shtepi qe me perket, ku gjysma e catise se se ciles, po ta shohesh me google Earth, duket se nuk ekziston me. Sa here qe me behet koka daulle nga puna apo sa here qe me behet shikim i dyfishte nga nervat per rritjen pa fund te taksave cdo vit, pa asnje arsye, shpjegim, apo sherbim shtese, sa here qe me vene gjobe se grepi im i peshkimit duhet te jete pa ate kundergrepin e vockel, ne menyre qe peshku te jete mundesisht i barabarte ne “luften” kunder meje, une shkoj ne google image dhe per inat te te gjitheve, te manaxherit tim, te bashkise se qytetit, qe me ngjan me ata personazhet e mitit te Minosit, per inat te big brother, i cili nga Hamburgu, kontrollon cdo stroke ne tastieren time, dhe me con email sa here qe e kaloj kuoten e band width, duke me kujtuar se kam vene firmen per perdorimin e computerit simbas kushteve te vena nga kompania, dhe se nje shkelje e tille eshte nje firing offence, pra per inate ” te sime vjerre”, filloj e livadhis mendjen nga Syri i Kalter e deri ne Mece te Pukes ( edhe atje eshte nje shtepi po aq e rrenuar, me nje perrua afer, qe ka disa pishina te vogla natyrale, dhe ku ne shtator te duhet te besh gare me ketrat, te cilat ti hane te gjitha arrat qe bien nga pemet gjigande, po i le pa mbledhur me shume se nje dite) Dhe e mbaj veten me gajret. “Hajt se nje dite…” i them vetes, pavaresisht se kjo dite munde te mos vije kurre. Por rendesi ka qe une e di se si do te mund te jete ajo dite. Dhe kaq me mjafton… tha. Ishalla nuk tepron.

    Theo – popujt luftarake mbijetojen. Kam pare plot gjerman dhe japoneze. ( te cilet cuditerisht ngjajne jo pak me njeri-tjetrin ne natyre, pavaresisht nga detet dhe tokat qe i ndajne)

  11. Ka qenë e dyanshme. Me aq sa kemi patur mundësi edhe ne diçka kemi bere per te emancipuar Italinë. Një gazetare e ANSA-s që vinte shpesh në Shqipëri, më tregonte se në fëmininë e saj e mbante mend të atin (banonte diku pranë Mesinës) që dilte mbasditeve për ndonjë kafe me shokët e tij, por papritur diku nga ora 18.30, që të gjithë ngriheshin e zhdukeshin dhe shfaqeshin përsëri në të njëjtin vend ndonjë gjysmë ore më vonë.
    Nuk iknin bashke, iknin secili veç e veç duke gjetur ndonjë pretekst koti.
    Vonë, thoshte ajo, shumë vonë kam marrë vesh se ata shkonin të dëgjonin Radio Tiranën e pastaj ktheheshin të vazhdonin kafen e tyre. Dhe kjo punë me vite të tëra.

    Isha nga ana tjetër dhe e di se cilet ishin Mike Bongiorno-t e asaj ane, cilët i përgatisnin ato komente dhe cilët i miratonin për transmetim.
    Habiteshin si nuk po binte telefoni të njoftonte se Italia u ngrit më këmbë!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin