Qëkur ngritën foletë në Internet, mediat e Tiranës janë shquar për përdorimin jashtëzakonisht joprofesional të fotografisë – sidomos në funksionin e saj ilustrues për lajmet.
Te blogu simotër Gastare, kemi sinjalizuar disa herë shembuj flagrantë fotosh pa lidhje me tekstin, fotosh të ripërdorura nga lajmi në lajm (si p.sh. ambulanca që shfaqet sa herë ndodh ndonjë aksident rrugor), fotosh “të marra hua” poshtë e lart në Internet pa kurrfarë njoftimi për të drejtat e autorit, fotosh të denja për tabloidë vetëm, e kështu me radhë.
Nëpërmjet aktesh të tilla të papërgjegjshme, mediat jo vetëm dëmtojnë raportin që kanë me publikun e tyre, por shkaktojnë edhe interferenca në konfliktet politike.
Këto ditë, gazeta Tema dhe media të tjera njoftuan gjerësisht për një aparat përgjimi pas gjase të instaluar në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, dhe që mund të ketë qenë përdorur për të përgjuar bisedat telefonike të personaliteteve të ndryshme politike dhe diplomatike në Tiranë.
Ja një pamje e lajmit, ashtu siç u botua në faqen online të gazetës Tema.
Në tekst ndër të tjera thuhet:
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes ka mundur të fotografojë me celular pajisjen e përgjimit, montuar në një zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes, 100 metra larg murit të ndërtesës së Partisë Socialiste. Në këtë distancë kjo pajisje arrin të interceptojë çdo bisedë telefoni celular që vihet në përgjim. Kjo pajisje është e lëvizshme dhe ajo mund të pozicionohet edhe pranë ndërtesave të institucioneve të tjera.
Meqenëse ky tekst është vendosur përbri fotos së aparaturës në fjalë dhe poshtë një titulli që thotë: Ja pajisja e përgjimit të Arben Imamit, lexuesi ka të drejtë të supozojë se fotoja në ilustrim është pikërisht ajo që ka arritur të shkrepë zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, në mjediset e këtij institucioni.
Krejt rastësisht, sonte, në një koment anonim në ResPublica (te kjo faqe, në orën 22:44), lexova se fotoja ilustruese e artikullit të Temës qenka nxjerrë nga një blog i çfarëdoshëm i WordPress, kushtuar teknologjisë së zbulimit:
Në të vërtetë, mjafton një kërkim i thjeshtë në Google për termat GSM Monitor, për të konstatuar se fotoja e përdorur nga Tema shfaqet e para në listën e imazheve përkatëse (rezultate të ngjashme jep edhe kërkimi për GSM Interceptor).
Çfarë ka ndodhur pikërisht?
Nuk jemi në gjendje të formulojmë ndonjë hipotezë më bindëse se të tjerat, por veç të spekulojmë, duke e ftuar lexuesin që t’i krahasojë vetë këto dy foto.
Mund të ketë ndodhur që Temës t’i jetë “ushqyer” një foto e rreme (sting), nga i njëjti subjekt që po pikon tani përgënjeshtrimin. Këtë version duket ta mbështetë, tërthorazi, edhe lehtësia dhe shpejtësia me të cilën u identifikua fotoja burimore online nga komentuesi John te ResPublica-s, i cili po e përsërit njoftimin edhe në sajte të tjera mediash shqip (p.sh. në BalkanWeb).
Mundet që Tema ta ketë foton origjinale, por ta ketë zëvendësuar me një foto “stock” për arsye që nuk i marrim dot me mend; dhe ky fakt është pikuar nga një i brendshëm i Temës.
Mundet që fotoja nuk ekziston; ose ekziston diku, por ende nuk i është dorëzuar Temës, prandaj redaktori i artikullit e ka zëvendësuar me një foto çfarëdo të aparaturës në fjalë.
Mundet që fotoja e Temës të jetë autentike, dhe të jetë “mbjellë” në Google nga SHIU, për të turbulluar ujërat (duke e pasdatuar foton stock të sistemit interceptues SecPro Cell si të publikuar në dhjetor 2009; gjithsesi, në Google qarkullojnë edhe foto të tjera të këtij sistemi).
E përsërit – me të dhënat që kemi në dorë, mund vetëm të qortojmë Temën për përdorim të pakujdesshëm të burimit; edhe pse, në të vërtetë, nuk ka asgjë në tekst që të konfirmojë, haptazi, se fotoja e përdorur si ilustrim është e njëjtë me foton e shkrepur nga zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë.
Është rasti të theksohet se fotot, sidomos kur janë kaq delikate si kjo e tanishmja, nuk mund të trajtohen si ilustrime të abetares, por gjithnjë duhen shoqëruar me informacion për burimin dhe, sipas rrethanave, edhe copyright-in; përndryshe, fotoja mund të mashtrojë njëlloj si edhe fjala.
Vetëm kaq; nuk mundemi as duam të shqiptohemi më tej për natyrën e këtij operacioni, as do të dëshironim që qortimet tona për përdorimin e fotove ilustruese nga mediat shqip në Internet të keqpërdoren nga palë të treta për qëllime politike.
Kjo është jashtëzakonisht shumë joprofesionale. Por pa dëm deri këtu. Unë kam hasur, dhe i kam arkivuar sigurisht, bëma më të mëdha se kaq. Shpresoj të shkruaj këto ditë diçka për këtë temë meqë u hap këtu.