Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

PLOJË E HESHTUR

Kolec Topalli thotë se Këshilli Ndërakademik ka diskutuar vetëm disa raste të përdorimit të ë-së së patheksuar; Rahmi Memushaj thotë se ë-së së standardit iu bë gjyq komunist; ndërkohë nga baza dëgjon zëra entuziastë, radikalë, revolucionarë, për heqjen e kësaj shkronje jopraktike nga alfabeti.

Cilëve t’u besojmë?

Pikësëpari, këtu është fjala për të paktën dy probleme të ndryshme: (1) reforma drejtshkrimore, ose rishikimi i disa rregullave të përdorimit të ë–së së patheksuar dhe (2) shkrimi i shqipes pa ë-të (dhe pa ç-të), për shkak se këto shkronja mungojnë në shumë prej tastierave që përdorin shqipshkruesit.

Në vështrim sipërfaqësor, reforma drejtshkrimore kërkon ta rregullojë përdorimin e ë-së në shqipe; jo ta heqë qafe, siç bëjnë shumica e atyre që shkruajnë shqipen në Internet.

Për fat të keq, shqipja sot shkruhet masivisht online, përfshi këtu edhe SMS-të; dhe teksa akademikët diskutojnë për numrin e ë-ve që mund të kalojnë në një vrimë gjilpëre, populli jo vetëm që nuk po e përdor më këtë shkronjë, por edhe po harron si dhe ku ta përdorë.

Çfarë i bashkon këto dukuri, është efekti i tyre gërryes në statusin e shqipes së shkruar dhe të standardit në përgjithësi.

Natyrisht, problemi i ë-së së patheksuar sot është krejt i parëndësishëm, në krahasim me dukurinë masive të mënjanimit të kësaj shkronje nga shqipja e shkruar, për një arsye krejt të rastit, ose që nuk ka lidhje me natyrën dhe funksionimin e shqipes në komunikim.

Duket qesharake që akademikët merren me çikërrima, në një kohë që duhej të kishin vënë alarmin për thjeshtimin brutal të shkrimit dhe të alfabetit shqip; dhe të diskutonin për mënyrat si mund të pengohet kjo nekrozë.

Dukuria tashmë nxjerr krye edhe në faqet e mediave online; dhe mes këtyre, gazeta Koha Jonë do të mbahet mend si një nga pionieret e masakrimit publik të grafisë shqipe:

Nga profanët, dëgjon ndonjëherë argumentin se shqipja funksionon për bukuri, edhe kur ë-të i zëvendësohen me e. Në fakt, edhe unë vetë, kur komunikoj privatisht, nuk i shkruaj ë-të; meqë nuk dua të humb shumë kohë me zëvendësime.

Megjithatë, ë-ja në shqipe është fonemë; çka do të thotë se kundërvënia e saj me e-në (edhe kjo fonemë) luan rol funksional në nyjëtimin e dytë të ligjërimit.

Nëse shkrirja e e-së me ë-në, në formën e shkruar, sikurse po ndodh sot rëndom, nuk duket ta pengojë megjithatë komunikimin, kjo pjesërisht shpjegohet me atë që përdoruesit i rindërtojnë format me ë mendërisht, meqë ato i kanë mësuar në shkollë dhe i zotërojnë.

Paradoksalisht, shkrimi i shqipes me ë-të të shndërruara në e funksionon në atë masë që shkruesit e zotërojnë përdorimin e ë-së.

Mirëpo dukuria është alarmante; dhe nëse vazhdon kështu, pa e frenuar kush, do t’ia dëmtojë rëndë integritetin shqipes së shkruar.

Nga pikëpamja fonologjike, do të ishte më e pranueshme të zhdukej krejt ë-ja nga forma e shkruar, sesa të shkrihej një fonemë me një tjetër, sikurse po ndodh sot me shqipen.

Fonemat zakonisht i shquajmë nëpërmjet çka njihet si çifte minimale, ose fjalë që dallojnë mes tyre vetëm ngaqë njëra përdor njërën fonemë, ndërsa tjetra fonemën tjetër (përkufizim i thjeshtuar, por që më mjafton për argumentin).

Sa i përket ë-së dhe e-së, në shqipe, çiftet minimale përfshijnë fjalë nga më të shpeshtat në ligjërimin shqip: te/të, me/më, se/së, ke/kë, qe/që, ne/në.

Dhe jo vetëm kaq – kundërvënia mes këtyre dy zanoreve është e vetmja që na lejon të dallojmë midis emërore/kallëzores dhe gjinore/dhanore/rrjedhores njëjës të pashquar të një klase të madhe emrash femërorë me temë në –ë: mollë/molle, dhomë/dhome, rrotë/rrote etj. Kështu, një gotë verë tregon një sasi vere; por një gotë vere tregon llojin e gotës.

Më tej akoma, kundërvënia e/ë është e vetmja që mundëson dallimin midis shumësit mashkullor dhe shumësit femëror të një numëri të madh emrash si punëtorë/punëtore, malësorë/malësore, fshatarë/fshatare, qytetarë/qytetare, aktorë/aktore, artistë/artiste, deputetë/deputete, etj.

Në sistemin foljor, e njëjta kundërvënie ndihmon për të dalluar vetën e tretë njëjës së lidhores së tashme të foljeve me temë zanore, nga urdhërorja me trajtë të shkurtër kallëzore njëjës: bëjë/bëje, lexojë/lexoje, kapërcejë/kapërceje, ujitë/ujite, kapë/kape, etj.

Mund të sillen edhe shembuj të tjerë.

Nëse e zëvendësojmë ë-në me e, sikurse po veprojmë sot, atëherë e detyrojmë lexuesin (marrësin e mesazhit) që të shpenzojë energji mendore për t’i marrë me mend të gjitha këto dallime gramatikore nga konteksti – dhe, ç’është e vërteta, konteksti shpesh ndihmon në raste të tilla, falë teprisë (redondancës) në mesazhet; sikurse në raste të tjera dallimi është i panevojshëm.

Sikurse e kam vënë në dukje qëkur, lehtësia e zëvendësimit të ë-së me e, gjatë shkrimit, përkthehet në vështirësi gjatë fazës së leximit (dekodimit) të mesazhit; prandaj edhe i kam quajtur eliminuesit e ë-ve free riders, sepse edhe këta kostot që mënjanojnë në shkrim duke hequr dorë nga ë-ja ua kalojnë lexuesve të tyre.

Ironikisht, do të ishte më e logjikshme dhe më funksionale, nga pikëpamja thjesht gjuhësore, sikur ë-ja në shqipe të ishte zëvendësuar nga një shkronjë që t’i përgjigjej një foneme tjetër (p.sh. x; duke e shkruar pastaj fonemën ‘x’ si dz), sa më të largët, tipologjikisht, prej e-së (meqë e-ja dhe ë-ja, nga pikëpamja e fonetikës artikulatore, janë vërtet të afërta mes tyre).

Se sa e pranueshme është bërë dukuria, këtë e sheh përditë në faqet shqip online, ku botohet letërsi e shkruar rishtas, nga autorë që nuk e përdorin ë-në; prozë dhe poezi. Që këta autorë ndihen mirë me formën shkrimore të gjymtuar që kanë zgjedhur, dëshmon se nekroza, për të cilën flisja, vende-vende ka shkuar thellë, deri në kockë.

Cungimi i vetëdijshëm i alfabetit, për arsye triviale, është në vetvete dukuri e dëmshme; e cila vjen e bëhet edhe më alarmante, kur prek një nga fonemat themelore të gjuhës shqipe, si ë-ja; por që ky cungim të shoqërohet me shkrirjen, në grafi, të dy fonemave më të shpeshta të shqipes, të cilat absolutisht duhej të dalloheshin mes tyre në shkrim meqë përbëjnë një çift fonematik minimal, këtë nuk mund ta shoh ndryshe përveçse si fatalitet; që të mos e shoh si shprehje të kulluar të idiotizmit tonë kolektiv; meqë duke e zëvendësuar ë-në me e, kemi masakruar jo vetëm ë-në, por edhe e-në.

Çfarë epshi paskemi pasur, për t’u vënë sëpatën pemëve mbjellur prej të tjerëve…

Pa Komente

  1. Ok, unë personalisht, si frekuentues i PTF, që këtej e tutje marr përsipër të shkruaj në komente dhe kudo tek ky blog me të gjitha shkronjat e shqipes. Problemi është se jemi të gjithë fajtorë, qoftë ne që komentojmë, qoftë administruesit e faqeve internetare, që nga blogjet më të mira si ky, e deri tek ato më masivet si PPU a të tjera, qoftë këshillet ndërakademike që merren me çikërrima, qoftë këdo nuk ka qënë i aftë të financojë një program të hajrit autokorreksioni të shqipes në Word, apo prodhimin e tastierave për konsum shqip. Megjithatë, që të flasim praktikisht, e duke e filluar autokritikën nga vetja, ky angazhimi im për të përdorur ë-në në këtë faqe, megjithë kohën që më ha, vjen me një kusht: që PTF-ja të ndalojë krejt komentet që nuk e përdorin ë-në, po njësoj si dhe ndalon komentet në gjuhë të huaja. Besoj se është eksperiment më se i vlefshëm ë bën kompromis me pjesmarrjen e komentuesve, por që përbën shembull të vlefshëm për këdo tjetër që i intereson.

    1. Lulian, sikurse e more ti këtë vendim pa të detyruar kush, por vetëm me arsye, le të shpresojmë se ashtu do të veprojnë edhe të tjerë komentues, nëse argumentet e mia i gjejnë bindëse.

      Përndryshe, ne gjithnjë kemi zbatuar rregullën që, në shkrimet kryesore, shqipja do të shkruhet me alfabetin e vet normal.

      Nga zotimi yt je ti që do të përfitosh i pari; sidomos nesër, kur ta zgjerosh publikun dhe lexuesit, përtej Internetit.

      1. Xha Xha, unë besoj se ky fenomen, si shumë të tjerë, nuk është pa lidhje me një lloj lirie të tepruar që mund të konsiderohet si anarki në raport me shtetin; hajdutllëk në raport me privatin; mungesë autoriteti në raport me shkencën; dhe çmenduri, a më keq, budallallepsje në raport me pjesmarrjen në sferën publike.

        Është ky keqkuptim i lirisë që dhe ka sjellë këtë fenomen ndër shumë të tjerë: liria për të komentuar, apo për të marrë pjesë nëpër diskutime në internet pa asnjë lloj kriteri apo kufiri, leksikor, etik, apo drejtshkrimor qofshin këto kritere dhe kufinj.

        Shto këtu se problemi nuk është aq individual sa ç’e shtron ti. Nuk është pra çështje shprese se edhe të tjerëve do u vinë mendtë siç më erdhën mua. Pasi edhe mua do më kishin ardhur mendtë më herët nëse do isha shtrënguar që më parë që të shkruaja sipas disa rregullave të dhëna, e po të këmbëngulja me arrogancën e profanit kundër argumenteve të tua, ndoshta edhe s’o më kishin ardhur fare.

        Problemi pra, bëhet edhe më i theksuar po të kihet parasysh që mungesa e kufinjve të jashtëm përbrëndësohet; thënë ndryshe, po të kihet parasysh se anarkia e shfrenuar e shoqërisë shqiptare, perceptimi i gabuar i lirisë, mungesa e autoritetit, etj, shndërrohet në çrregullime të tilla individuale, ku nuk mund të presësh apo të shpresosh që ndryshimi të vijë nga individi.

        Ndryshimi, që te mos jetë thjeshtë simbolik, apo më keq, njue tundje koke në mirkuptim mes joprofanëve, mund të vijë vetëm nga ndërgjegjësimi në masë në lidhje me problemin. E për këtë nuk mjaftojnë as artikujt e shkruar deri tani, dhe as edhe një artikull, sa do të mira qofshin argumentet. Nuk mjafton madje as edhe shembulli i mirë i ndonjë individi të ndërgjegjësuar, pasi kush trapin është Lulian Kodra që të pretendohet për efikasitet të gjesteve simbolike, në fund të fundit. Ndryshimi i kësaj gjëndjeje që do e quaja reaksionare pa asnjë hezitim, mund të vijë vetëm nga një veprim autoritar prej një personi që edhe e gëzon autoritetin e duhur.

        Dhe për mendimin tim, ti, si administrator i kësaj hapësire private/publike nga njëra anë, dhe si studiues e kritik i përdorimit të shqipes nga ana tjetër, je i pozicionuar idealisht për të krijuar një hapësirë ku t’i thuhet jo kësaj lirie të shfrenuar. Të paktën në lidhje me çfarë po flasim, më dukesh personi me “target-in” e duhur.

        Gjithsesi, çfarëdo qoftë ajo që do vendosësh, më duket e pamundur që të paktën të mos tundohesh nga ideja e shndërrimit përkohësisht të PTF-së në një laborator ku mund të kryhet një eksperiment si ky që po flasim, dhe jo thjeshtë në nivel shkrimesh kryesore, por edhe në nivel komentesh. Të paktën kjo është intuita ime këtu, e në fund të fundit, si çdo eksperiment, you go by the ear. Është e kot të shtroj të mirat që mund të vijnë nga ky eksperiment; ndërkohë që, përsëris, i vetmi kompromis, do të ishte rënia e pjesmarrjes në komente.

        p.s. Koha që më hëngri shkrimi i këtij komenti me alfabet të plotë, duke qënë se edhe po eksperimentoj me [option] + [u] pastaj [e] në tastierën e MAC-ut, të them të drejtën, më futi në sherr me gruan. Hëhëhë! Prandaj edhe kompromisi i këtij eksperimenti, besoj se do ishte goxha i lartë.

        1. Nuk jam ende krejt i bindur… por do të mirëprisja mendime nga komentues të tjerë, në këtë pikë.

  2. Te jemi realiste: distancimet si ky nga mosperdorimi (dhe mosperdoruesit) e ë-së (m’u desh te beja nji cope-paste nga siper), nuk eshte se do ta risjellin ate ne gjuhen e shkruar te internetit. Menyra per te menduar nuk eshte qe te ruajme cfaredo lloj forme te pranuar dikur te shqipes, por si ta pershtasim ate ne raport me realitetet e epokes qe po jetojme.

    Ciftet e mesiperme minimale nuk jane te mirefilta, meqe nuk paraqesin pjese te njejta te ligjerates qe te mund te krijojne ngaterrese ne deshifrim. Shembujt e tjere me ngaterrimet te rasave jane me vend, dhe tregojne se me mosperdorim te ë-së po shtohen mundesite e ambiguitetit, cka veshtireson deshifrimin e .
    mesazhit gjuhesor. Sa per zevendesimin me x, kjo jo vec x-në do ta detyronte te jepej si dz, por do te krijonte probleme me xh-në, sepse do te lexohej si “ëh”, pra edhe xh-ja do te duhej dhene mandej si dzh, nje tregraf, i padeshmuar me pare ne shqipe.

    Kuptohet, menyra me e lehte per t’i ike ketij peshtjellimi do t’ishte zevendesimi me i ë-së me w, te cilen shqipja nuk e ka, por tastierat nga te cilat shkruajme e kane. Kjo do te kerkonte nje ndryshim te vetem. Por edhe kjo do te behej ndermarrje e pamundshme sikur ta propozonim perpara gjuhetareve, qe nuk po merren vesh ta korrigjojne drejtshkrimin e ë-së edhe per hir te thjeshtimit te rregullave ortogafike.

    1. Zëvendësimin e ë-së me x e solla vetëm si kundërshembull – jo si sugjerim praktik. Nëse do të duhet zëvendësuar ndonjëherë ë-ja, për këtë duhet zgjedhur një grafemë zanore, p.sh. é.

      Sa për gjuhëtarët që merren me këto punë, ata janë kompetentë në fushat e tyre, por ndonjëri kompjuterin e përdor vetëm për të luajtur Solitaire. Jo se kompjuteri duhet përdorur patjetër; por kur nuk e përdor, e ke të vështirë ta kuptosh se çfarë po ndodh me shqipen e shkruar.

  3. >Nëse do të duhet zëvendësuar ndonjëherë ë-ja, për këtë duhet zgjedhur një >grafemë zanore, p.sh. é.

    Seriozisht e ke? E gjithe rrumpalla me ë-në behet pikerisht sepse nuk ofrohet lehtas ne tastiere. Ku ta gjesh kete é-ne tende, dhe c’te ben te mendosh se ajo do te ofrohet me gjeresisht e me lehte sesa ë-ja?

    1. E kam seriozisht. Në fakt, unë mendoj se ë-ja nuk duhet zëvendësuar. Prandaj edhe shkrova: “nëse do të duhet…”
      Gjithsesi, é-në e ka tastiera e frëngjishtes (dhe e italishtes, edhe pse kjo e dyta në pozicion jo shumë praktik); nuk ka pse ta trajtojmë tastierën e anglishtes sikur ia ka dhënë shqipes Perëndia.

  4. Ne fakt nuk e trajtojme. Nga internet-kafete e Tiranes, po dhe gjetiu, shoh se shqiptaret fusin tastiera nga me te ndryshmet, mjaft te sherbejne per te radhitur tekst me to. Kur e mendoj se edhe laptopin privat njeri e ka te blere ne Itali e tjetri ne Greqi e tjeti ne Gjermani e kushedi ku, s’para duket sikur kjo gjendje do te ndryshoje me ndonje uniformim tastierash. Ky pra eshte realiteti kundrejt te cilit eshte vene drejtshkrimi i shqipes, cka edhe po e sjell mungesen e pikave mbi ë.

    Mbase teknologjia ruse qe perdorej ne kohen e komunizmit, qe nuk jepte pika mbi Ë-në e madhe te shtypit, e qe solli besimin e perhapur se Ë-se se madhe nuk i duhen vene pikat, po sjell realitetin e pikave te munguara edhe tek ë-të e vogla.

  5. Nuk e shoh si problem te madh, sepse edukimi merret i rregullt, mediat jane relativisht te rregullta, por sidomos, sepse per mua eshte problem i perkohshem.

    Sapo numri i perdoruesve te arrije cakun e siperm, mendoj se do te kujdeset vete shteti per te mos e lejuar shitjen e prektorave pa ë dhe ç.

    Mjafton qe shteti te ndaloje shitblerjen e ketyre te sotme dhe vete prodhuesit e huaj do te fillojne te prodhojne per tregun shqiptar. Rrjedhimisht edhe perdoruesit ne emigrim, do te fillojne te shkruajne me ë dhe ç duke sakrifikuar pak nga koha e tyre.

    Gjithsesi, pas 20 vjetesh roli i mergates ne volumin e pergjithshem te shqipes se shkruar do te bjere ndjeshem, se do te nderrohen brezat dhe i riu s’do t’ia kete me ngene Shqiperise, nemos s’do te dije fare te shkruaje. Kjo do te beje qe shqipshkruesit e ngelur jashte Shqiperise Etnike, t’i pershtaten pa nje pa dy, volumit te stermadh qe do te krijohet ne Shqiperine Etnike.

    Shteti nuk ka treguar interes, se Shqiperia eshte shtet rrumpalle apo se mund te ekzistoje ndonje vullnet kercenues ndaj ë-se (ta zeme Koha Jone, dihet se ne ç’krah fle), por ngadale kur problemet me madhore te natyres ekonomike te jene zgjidhur, atehere do t’i vije radha edhe ketij problemi.

    Zgjidhja e ketij problemi nga poshte me vullnet popullor, mendoj se eshte e pamundur, nderkaq shteti brenda 24 oreve, me ca gjoba te majme atyre qe vazhdojne te tregtojne mall te ndaluar, hedh hapa gjigande ne zgjidhjen e problemit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin