Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Fotografi

GRATË QË NUK

Duke shfletuar një libër-album për dinastinë e Marubëve të Shkodrës, të përgatitur nga Loïc Chauvin dhe Christian Raby, më mbetën sytë te një foto e dy grave, prej Kel Marubit, nxjerrë dikur në fillim të viteve 1900.

Gratë në foto janë krejt të mbuluara, nga koka në këmbë; me përjashtim të majës së hundës që i duket pak figurës majtas, dhe ndoshta një vetulle e një mollëze figurës majtas.

Përndryshe, shumë prej fotove të Marubëve, në mos të gjitha, sikurse duket edhe në materialet e bëra publike, janë foto të pozuara; me subjektet të vendosura para kamerës si në një skenë, duke vështruar drejt fotografit ose ndonjëherë njëri-tjetrin. Foto të tilla, karakteristike për periudhën, përfaqësojnë edhe një lloj pakti midis autorit dhe personit të fotografuar; një lloj shkëmbimi vështrimesh midis objektivit dhe “subjektivit”; një mirëkuptim që lejon transferimin e imazhit nga hapësira e mbyllur, gjysmë-private e studios, në hapësirën publike të shikimeve anonime.

Kjo foto, megjithatë, e shkel këtë pakt; sepse vërtet na prezantohet si foto e dy grave – por në të vërtetë është foto e dy figurave të mbuluara, të cilat i thonë JO në mos kamerës së Marubit, së paku syrit të publikut.

Më shumë se fotografi, kjo është një kundërfotografi, ose një rast i rrallë i një imazhi i cili arrin të shprehë konceptin e mohimit, përndryshe prerogativë e gjuhës.

Gruaja e mbuluar është edhe më shumë edhe më pak se person; nga pikëpamja e syrit që (nuk) e sheh, ajo nuk është veçse shenja vendmbajtëse e gruas.

Përndryshe, gruaja e mbuluar nuk mund të jetë veçse grua e mbuluar – ose personazh i reduktuar në emrin e vet identifikues, i gëlltitur nga roli.

Për një moment, m’u përhi fotoja e këtyre dy grave si një faqe – surreale sa të duam – e një katalogu veshjesh për gra të mefshta; në ç’rast fotoja do të ishte pikërisht e veshjeve, jo e grave antimodele.

Çfarë e shqetëson publikun e sotëm të fotos, në vetvete – por edhe në kontekstin e sintaksës së lirshme të fototekës Marubi, ku shumica e subjekteve flasin nëpërmjet vështrimit – është mungesa e fytyrës, ose modestia gati-gati e shndërruar në arrogancë.

Kjo tërheqje e vetëdijshme e fytyrës, ose e maskës me të cilën kemi lindur (persona), sikur i jep të drejtë vetvetiu të gjithë atyre që flasin për epshin e kamerës (Sontag); pa çka se vetë mbulimi është ftesë për zbulim, zhveshje dhe dëshirë të mëtejshme.

Prapa këtyre perçeve të rënda, të rëndomta, me vija si prej pizhameje, mund të fshihet Mona Lisa, sikurse mund të fshihet edhe vetë Shën Mëria, ose Kurva e Babilonit.

Duke e mohuar vetë thelbin e fotografisë, ose provën e një realiteti që ka qenë (Barthes), mbulimi i fytyrës e shndërron imazhin në një algjebër të gruas abstrakte.

Enigmatike edhe vetë prania e dy figurave para kamerës; pas gjase të kthyera nga njëra-tjetra dhe në mënyrë të tillë që ta ruajnë një kontakt vizual mes tyre, teksa ia refuzojnë atë kamerës, fotografit dhe publikut që do të vijë më pas.

Një figurë e vetme, do ta mbante të ngrehur tensionin erotik mes objektivit dhe mishit të fshehur nën mbulesat; dy figura, përkundrazi, e shkarkojnë këtë tension në indiferencën – sado të studiuar – ndaj fotografit.

Të mos harroj: gratë në foto janë katolike.

Shënim: Një version i albumit të përmendur më sipër mund të shfletohet në këtë link: Marubi, une dynastie de photographes albanais (versioni anglisht këtu). Kureshtarët do të gjejnë aty edhe foto të tjera grash qytetare të Shkodrës, myslimane dhe katolike, të mbuluara. Perçja nuk paska dashur shumë t’ia dijë për dasitë fetare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin