Sa peshë ngre teksti i një kënge, në përvetësimin e saj nga publiku?
Do të thoja: peshë të vogël, në raport me muzikën (zërin e këngëtarit, orkestrimin); sa kohë që me miliona, në mos miliarda njerëz anembanë globit shijojnë këngë në gjuhë që nuk i kuptojnë; në një kohë që publiku i së kundërtës, ose i një recitimi poetik në gjuhë të panjohur është i paktë dhe i zgjedhur.
Për t’u mjaftuar me Shqipërinë, breza të tërë janë rritur duke u lektisur pas këngëve të huaja: italiane, angleze (ose në anglishte) dhe “jugosllave”, edhe pse jo shumë kanë qenë në gjendje t’ua kuptojnë tekstet.
Pa folur pastaj për të gjithë ata që nuk i kapin dot tekstet edhe kur i kuptojnë; dhe ata të tjerët që tekstet nuk i dëgjojnë fare.
E megjithatë, teksti në një këngë nuk është ‘opsional’, por po aq i rëndësishëm sa edhe, ta zëmë, subjekti në pikturë ose narracioni në balet.
Prandaj mund të supozohet se publiku që nuk i kupton tekstet e ndërmjetëson këtë boshllëk me mënyra të ndryshme.
Vite më parë, tek flisnim për këngën We Love You, të Rolling Stones, një shok më pyeti nëse mendoja se kjo ishte këngë dashurie. Unë nuk e dija për çfarë fliste kënga pikërisht, as e deshifroja dot (madje edhe tani që i kam para syve vargjet, nuk e kuptoj mirë); por me intuitë thashë se jo, nuk më dukej si këngë dashurie. Në fakt, kënga ka lidhje me episodin e burgimit të Jagger dhe Richards, për shkak përdorimi të drogës.
(Kjo këngë ka hyrë në histori edhe si e vetmja e Stones-ave, ku kanë kënduar, në kor, edhe Beatles-at Lennon dhe McCartney).
Në përgjithësi, kënga ka histori të ngatërruar; por mund të shijohet në vetvete, madje edhe si këngë për dashurinë.
Meqë muzika pop vjen gjithnjë e ndërmjetësuar nga konteksti dhe ritualet rinore të përkatësimit, atëherë rëndësi nuk ka aq teksti (përfshi këtu edhe vargjet ose historinë e këngës dhe referencat jashtëmuzikore), sesa konteksti: fakti që këngën e këndojnë pikërisht The Rolling Stones, etj.
Dhe meqë flasim për vitet 1960, shembullin ndoshta më elokuent i tekstit të pakuptueshëm do ta gjejmë te kënga Sun King e Beatles, në anën B të albumit Abbey Road (1969), refreni i së cilës, i kënguar në një kor me nuanca të forta latine-kishtare, tingëllon pak a shumë kështu:
Quando paramucho mi amore defelice corazon
Mundo paparazzi mi amore chicka ferdy parasol
Questo obrigado tanta mucho que can eat it carousel
Online gjenden versione të ndryshme të këtij transkriptimi (me sa di, nuk ekziston një version ‘zyrtar’ i formës së shkruar).
Vargjet tingëllojnë si një përzierje e spanjishtes dhe e italishtes, me ndonjë fjalë portugalishte tek-tuk (obrigado). Për nga teknika, kompozimi i tyre i ngjan të shkruarit automatik të surrealistëve: ligjëratës nuk i nënvendoset ndonjë kod koherent, por vetëm fragmente intertekstualiteti, ose kodesh të gjymtuara; të cilat njësohen në një ritëm katërrokësh të llojit tertius paeon.
Edhe pse vargjet vetë janë pa kuptim, fjalë si quando, mucho, amore, felice, corazon, mundo dëgjohen rëndom në këngët italiane dhe spanjolle të traditës pop, prandaj mund të themi se refreni i Sun King i referohet, sado parodikisht, kësaj tradite – duke e shprehur atë përtej mënyrës si funksionon ligjërimi normal.
Duke lëvizur në kohë, gjejmë një shembull të ngjashëm te një këngë që këndon Charlie Chaplin, në filmin “Modern Times” (1936).
Në këtë film, Chaplin-i punon si kamerier në një restorant dhe i duhet, ndër të tjera, të interpretojë një këngë, tekstin e së cilës e pat shkruar në mëngën e këmishës, e cila i fluturon tutje në momentin që hyn në skenë. Pasi e kërkon një copë herë, nën tingujt e hyrjes jashtëzakonisht të zgjatur të orkestrës, më në fund ai detyrohet të improvizojë:
[youtube=http://www.youtube.com/watch?v=it3uxJtySbA&feature=related]
Ja edhe “teksti” fatal i Chaplinit:
Se bella giu satore
Je notre so cafore
Je notre si cavore
Je la tu la ti la twah
La spinash o la bouchon
Cigaretto Portabello
Si rakish spaghaletto
Ti la tu la ti la twah
Senora pilasina
Voulez-vous le taximeter?
Le zionta su la seata
Tu la tu la tu la wa
Sa montia si n’amora
La sontia so gravora
La zontcha con sora
Je la possa ti la twah
Je notre so lamina
Je notre so cosina
Je le se tro savita
Je la tossa vi la twah
Se motra so la sonta
Chi vossa l’otra volta
Li zoscha si catonta
Tra la la la la la la
Edhe këtu, pseudo-ligjërata në këngë (që ndjek melodinë e Je cherche après Titine, këngë e njohur e kohës), e mirorganizuar nga pikëpamja ritmike, i referohet një ‘romaniteti’ italian, francez dhe spanjoll të përzier; ku mbizotëron frëngjishtja, me je notre, voulez-vous, bouchon; por edhe italishtja, me sigaretto, portobello, s’innamora, cosina, volta, ndoshta edhe pilasina etj.
Kënga i përcjell publikut një romanitet të përgjithshëm, në trajta intertekstualiteti, ose referimi ndaj korpusit të muzikës së lehtë të asaj kohe (vaudeville, cabaret, etj.); dhe në këtë kontekst kuptimi i vargjeve, përtej këngës vetë dhe mjedisit ku ekzekutohet nuk ngre dhe aq peshë; meqë një anglisht-folës standard (publiku target i filmave të Chaplinit) nuk do ta kuptonte frëngjishten dhe italishten e Titine-s gjithsesi.
Me këtë këngë, publiku e dëgjoi zërin e Chaplin-it për herë të parë në kinema; dhe më duket emblematike që ky i foli botës në këtë mish-mash gjuhësh.
Në fakt, kalimi nga kinemaja pa zë në atë me zë dhe popullarizimi i artit të shtatë, bëri që njerëzit, anembanë botës së qytetëruar, të mësoheshin dalë nga dalë me tingullin e ligjërimit në gjuhën Tjetër, si dukuri të shkëputur nga kuptimi intrinsek i atij ligjërimi (si i ndryshëm nga kuptimi i ndërmjetësuar prej përkthimit me titra). Ky farë fetishizimi i ligjërimit ishte nga shenjat e para të globalizimit.
Një herë kam biseduar me një gjyqtar për çështje administrative në një qytet të vogël në jugperëndim të Gjermanisë, i cili me tregoi se kishte pasur një kërkesë për strehim politik të një artisti shqiptar në vitet ’90, në seancën gjyqësore të së cilit ky i fundit, për arsye që i pari nuk i kishte kuptuar mirë, kishte mbajtur një ligjëratë disaminutëshe në një gjuhë që tingëllonte për gjyqtarin gjerman relativisht familjare, por krejtësisht të pakuptueshme. Për arsye të etikës profesionale gjyqtari në fjalë nuk pranoi as të konfirmonte e as të mohonte, nëse azilkërkuesi ishte Zef Deda, por përshkrimi i tij i detajuar më kujtoi disa parodi të Dedës të viteve ’80.