Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Urbanistikë

QOFTË, BIRRË DHE EVROPIAN

nga Xhabyni

Kur rrugën Murat Toptani vendosën ta kthenin në një shëtitore vetëm për këmbësorët ishin jashtëzakonisht të pakët ato qytetarë që e kundërshtuan këtë vendim (them të pakët sepse me siguri ka pas ndonjë “antikonformist” që e ka kundërshtuar këtë punë, si zakonisht!) arsyet janë shumë të kuptueshme, mungesa e shëtitorëve vetëm për këmbësorë  të asaj qetësie në mes të qytetit ishte (është) aq e madhe sa që edhe vetë institucionet shtetërore (Bashki vs MTKRS) bënin garë me njëra tjetrën se kujt i takon lavdia.

Ironikisht lavdia nuk i takonte as njërës dhe as tjetrës sepse të ishte për të dy këto institucione ajo rrugë nuk do të bëhej shëtitore. Lavdia u takonte ndërtuesve të kalasë të Tiranës, rrënojat e të cilës u zbuluan pikërisht aty ku do të kalonte e ashtuquajtura Unazë e Vogël e qytetit dhe pikërisht këto rrënoja u bënë sebepi për të ndërtuar një shëtitore që fillon nga Ura e Tabakëve dhe përfundon mu në buzë të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Zona përreth kalasë është monument i mbrojtur nga shteti dhe financimet për të ndërtuar këtë shëtitore kanë ardhur nga Bashkimi Evropian dhe u mirëadministruan një pjesë nga MTKRS dhe një pjesë nga Bashkia Tiranë.

Struktura e kësaj shëtitoreje, me godinat dhe ndërtesat për rreth saj, të jep tërësisht pamjen e vetë shoqërisë sonë prej anakronisë së godinave. Një shëtitore që shtrihet mu në zemrën kulturore të qytetit sepse në krahun e saj të djathtë (nëse hyn nga Bulevardi) ke Galerinë e Arteve pas të cilës vjen Kinemaja (që kohët e fundit është shumuar duke prodhuar nja tre lokale nate brënda saj), Kalaja e Tiranës,  pastaj Akademia e Shkencave (të paktën godina se shkencë nuk ka më!), vazhdon me një park përpara djepit të Demir-kacisë (më lejoni ta thërras kështu të paktën kësaj rradhe), që pasohet nga insituti i të përndjekurve politikë dhe përfundon me Urën e Tabakëve.

Nga ana e majtë e shëtitores (po duke hyrë nga Bulevardi) ka disa ndërtesa më allasojshe (do thosh ime gjyshe), kemi Teatrin Kombëtar (sallën e vogël) që pasohet me disa lokale që s’kanë pikën e lidhjes me strukturën e shëtitores apo vetë rrugës, pastaj vjen një ndërtesë shumëkatëshe që ngrihet si një kunj mes ndërtesave dy katëshe, një gropë e madhe që premton një tjetër godinë shumëkatëshe dhe më pas përfundon me të njëjtën panoramë si krahu i djathtë.

Mirëpo edhe pse e shtrirë në një atmosferë kaq të çuditshme shëtitores nuk i ndahen befasitë sepse këto kohë asaj i është shfaqur një tjetër aftësi, ajo e të paraqiturit si një vend i mirë për qofte, birrë, yndyrë dhe dyqane të mallrave kinezë (shenjë e miqësisë së fortë mes dy kombeve kjo e fundit).

Kur në ditët e para të dhjetorit 2011 vërejta se si në këtë shëtitore zbarkuan furishëm disa kioska në formë druri e paraqita këtë ankim tek disa të njohur të mi pranë bashkisë, këta më thanë që një praktikë e tillë do të ndodhte vetëm një herë në vit (pra gjatë Dhjetorit) dhe se ishte praktikë e njohur dhe në Perëndim.

Aspak i bindur nga këto argumente fëminore por me shpresën që vërtetë kjo të ishte diçka  që do të ndodhte një herë në vit mundova të bind sytë e mi që mos ta shohin si stonim atë pamje që shëtitorja mori. Mirëpo me sa duket kthimi i shëtitores në një vend ku mund të vendosim çdo dy muaj kioska prej dërrase apo plastmasi duket se ka tunduar më së shumti kryeqytarin e Tiranës (i cili për ironi gjatë fushatës mbante sloganin “Qytetarët janë të parët, Tirana është e para”).

Kësaj rradhe (sepse gjithmonë ka një arsye – sikurse pohon Celentano) zhvillimi i një kampionati Evropian risolli edhe një herë në skenë kioskat prej plastmasi dhe nëse dikush mund të pyesë “Përse?” përgjigja është “që qytetarët e Tiranës të shohin ndeshjet e Evropianit”. A thua se në Tiranë nuk ka lokale apo bare që të transmetojnë këto ndeshje! A thua vallë se këta qytetarë do t’i shohin këto ndeshje falas?

Përkundrazi kioskat janë vendosur në atë formë që nëse ulesh në tavolinat e tyre dhe nuk merr asgjë për të ngrënë apo për të pirë automatikisht je i përjashtuar nga tavolina (duke qenë se konsumi është në fokus dhe jo qytetari). Pastaj nëse realisht Bashkia do të dëshironte t’u ngjante homologeve të saj përse nuk e ndërtoi këtë televizor të madh në një vend të hapur (jo shëtitore) dhe t’u jepte mundësi personave të vinin e ta shihnin pa blerë diçka nga bizneset që në shëtitore kanë zaptuar vendin?

Pastaj si ka mundësi që kjo shëtitore që u ndërtua për të parë rrënojat e kalasë të shndërrohet në një trampolinë nga ku hidhen pisllëqet tek rrënojat e kalasë? Madje jo vetëm kaq por kohët e fundit kjo shëtitore ka filluar të marrë ngjyrën e yndyrës dhe vajit të qofteve dhe duket e ndërmarrjet po harxhojnë gjithnjë e më shumë në mirëmbajtjen e një shëtitore që po keqpërdoret dita e ditës.

Por mes gjithë këtyre pyetjeve ndonjë prej jush mund të pyesë se cilat do të ishin zgjidhjet më të mira?

Së pari dua të them që zgjidhja më e mirë do të ishte që në atë shëtitore, ku për ironi do na hapet dhe galeria e piktorëve të rinj (imagjinoni piktorë që frymëzohen nga qoftet, vaji dhe kërrnackat!), të mos kishim asnjë nga këto kioska të shëmtuara që i humbasin bukurinë dhe lezetin asaj.

Së dyti, mund të ndërtohen kioskat e birrave dhe qofteve (edhe pse mendoj që janë hap aq shumë qebaptore saqë nuk ngeli me u shit birra e qoftja në mes të Tiranës) në ndonjë ambjent të hapur ku edhe mund të shijohet diçka tjetër përpos ndeshjes. Apo mund të vendoseshin këto kioska në pjesë të qytetit që ndihen të harruara nga Bashkia, në mënyrë të tillë që policentrizmi të mos jetë vetëm një slogan për TV apo një plan që nuk zbatohet kurrë nga kryetarët e Bashkisë.

Sikur këto evenimente me qoftë e birra (që në vetvete nuk është se nuk sjellin gjallëri) le të ndërtohen në zonat si Kombinati, Kinostudio (natyrisht edhe atje në vende ku nuk bëjnë dëme, pra jo shëtitore apo parqe ku përdoren nga një numër i madh njerëzish) që në këtë mënyrë mos ta izolojmë Tiranën vetëm në qendër duke shndërruar pjesët e tjera në geto.

Me aq njohuri sa kam nga historia nuk di të them që Murat Toptani të ketë qenë nga ato pinjollë pijedashës të Toptanëve, madje e tregojnë shumë besimtar dhe shumë të përkushtuar në besimin e tij ndaj mendoj që asaj shëtitore t’i ndryshojmë emrin dhe ta quajme “Shëtitorja e Birrës dhe Kërnackave”.

Pa Komente

  1. per te paren here ne fundvit nuk ishte problem te hapeshin te tilla kioska, sikur edhe ne disa vende te botes “Tregjet e Krishtlindjes”. Percudnimi vjen kur ne vend qe te shiten produkte vendase, pse jo edhe gjasme-organike, shiten kinkanlerira (kin-kancelarira?).

    Fakti eshte qe qendra e Tiranes eshte e vdekur nga veprimtarite dhe dyndja e njerezve. Tek Kinema Millenium eshte nje lloj oazi mbushur me aspi-karallonj dhe te rinj te rendomte kafexhinj, por perndryshe qendra eshte thjeshte nje nyje kalimi. Kafexhinjte qe frekuentojne klubet te TOB-i nuk jane te njejtet qe frekuentojne TOB-in, edhe ata qe frekuentojne klubet tek Millenium, nuk jane te njejtet qe hyne ne kinema.

    Nuk e di se c’mund te thone teoricienet e urbanistikes, porse nese ne qender mbizoterojne godina zyrtare, eshte me mire te mos terheqe te tjere njerez, se perndryshe pengojne dhe shperqendrojne levizjet e burokrateve te administrates qendrore apo te te interesuareve.

    Perpjekja e Bashes per ta rigjeneruar qendren edhe njehere (si dikur shetitjet ne bulevard apo kafja tek Parku Rinia) jane deri diku te suksesshme per segmentin e rruges ‘M toptani”. Motivet e tij mund te jene thjeshte ekonomike, dhe mund te gjykohet qe jane perjashtimisht ekonomike nisur nga perpjekja e tij e izoluar per te rigjalleruar nje segment te qendres dhe jo gjithe qendren dhe qendrat e tjera te Tiranes (motoja e fushates “Tirana poli-centrike”).

    Jane bere qindra studime dhe paguar miliona per Tiranen. Ajo e Rames nuk kuptohej fare nga nje vezhgues i thjeshte, kjo e Bashes duket futuriste dhe nje tallje me ne qe ndeshimi dita-dites me tjeter realitet: psikologjine e ndertuesve, te konsumatorit idiot dhe te pafuqise se shtetit per te vendosur rregull. Pervecse te rrise cmimin e truallit te disa zonave te Tiranes (besoj motivi kryesor i ketyre qindra planeve), ky i Bashes eshte nje shaka e keqe pasi eshte vetem nje “draft”.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading