Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

TË NGECUR NË ROL

Një ngjarje e çuditshme ka pushtuar këto ditë faqet “e lehta” të mediave. Një çift skocez në moshë të shtyrë gjatë një udhëtimi për qejf në Afrikën e Jugut, vizitojnë rezervën e Kragga Kamma, e cila njihet, mes të tjerash, edhe për dy vëllezër çita (cheetah ose gepardë), aq të zbutur sa i lejojnë turistët t’i prekin, t’i përkëdhelin dhe të dalin në fotografi me ta.

Ashtu bën edhe Violet D’Mello, gruaja skoceze, e cila feston 60-vjetorin e saj duke u fotografuar me super-macen.

Megjithatë, diçka nuk shkon ashtu siç duhej, çitat egërsohen dhe e sulmojnë gruan, e cila shtrihet përdhe, që të mbrohet më mirë. Kujdestari i parkut nuk di si të veprojë, ndërkohë sekondat kalojnë dhe bëhen minuta, dhe jeta e gruas është në rrezik.

E çuditshmja e lajmit është se, gjatë gjithë kohës që vazhdon sulmi, i shoqi i Violetës vazhdon të shkrepë aparatin, në vend që të ndërhyjë për të shpëtuar të shoqen (që megjithatë shpëtoi paq).

Si rezultat, sulmin e kemi të dokumentuar me imtësi, pa çka se bashkëshortit do t’i jetë dashur të japë disa shpjegime, darkën e mëpasme.

Të ndodhur para një rreziku të papritur, të kapur në befasi, njerëzit reagojnë në mënyra nga më të çuditshmet. Mua vetë më ka ndodhur dikur që, i kapur në mes të një ‘sparatoria’ në qendër të Napolit, teksa të gjithë vraponin për të gjetur strehë në dyqanet përreth, unë kisha mbetur në mes të rrugës, duke ndjekur gojëhapur spektaklin e dy vetëve të hipur në Vespa, si pasagjerë, që i shtinin me pistoletë njëri-tjetrit.

Archie d’Mello, që megjithatë nuk e humbi toruan si fotograf, por vetëm si bashkëshort, vetëm sa dëshmoi se ishte përpirë krejt nga roli i tij si turist, teksa u përpoq të dokumentojë eksperiencën e vet të jashtëzakonshme, për t’ua treguar më pas miqve e të afërmve; dhe nuk i shkoi në mendje të ndërhynte, për ta modifikuar atë eksperiencë (dhe për të shpëtuar të shoqen).

Në fakt, turisti nuk e ndien veten pjesë e mjedisit ku ndodhet, madje botën përreth priret ta perceptojë si irreale e të sajuar për dëfrimin e tij, sa kohë që ka paguar. Arma e turistit është aparati fotografik, videokamera, ose ndonjë vegël tjetër regjistruese; eksperienca e tij ka vlerë, gjithnjë e më shpesh, në atë masë që arkivohet, për t’u shijuar më pas, në një mjedis tjetër, të shkëputur dhe të distancuar. Kjo e modifikon edhe vetë perceptimin – meqë e dobëson integritetin e lidhjeve midis inputit shqisor dhe reagimit të menjëhershëm.

Para pak javësh, shkova të shoh një ndeshje futbolli të ligës amerikane, në NJ. Kisha kohë pa shkuar në stadium, edhe pse futboll shoh shpesh në TV (më saktë: në kompjuter). Çuditërisht, edhe pse sytë i kisha në fushë, kur Red Bulls shënuan një gol, unë nuk isha në gjendje ta riprodhoj mendërisht aksionin, dhe vetvetiu prita për replay-n në ekranin e madh, që të përvetësoja se çfarë kishte ndodhur. Ndërkohë, arrij të kujtoj gola që kam parë në stadium këtu e tridhjetë vjet të shkuara…

Po ato media që na ndihmojnë ta rrokim më mirë realitetin, bëjnë që të mos ndihemi më pjesë e këtij realiteti dhe perceptimet shqisore t’i trajtojmë si informacion të manipulueshëm.

Për t’u kthyer te Archie D’Mello, ai nuk është se e humbi kontrollin ndaj situatës kur të shoqen po ia shqyenin më katërsh dy çita; por vetëm se e ushtroi atë kontroll nëpërmjet kamerës, ose duke fotografuar.

Kush nuk i ka parë, dhe nuk është habitur, me turistët zakonisht aziatikë, që i fotografojnë të gjitha pikturat në muzeum? Kur i shoh të shkrepin aparatet e tyre para një Picasso-je ose një De Chirico, gjithnjë vras mendjen nëse këta janë duke regjistruar në imazh pikturën vetë, apo eksperiencën e tyre, ose dëshminë e pakundërshtueshme që kanë qenë aty. Nëse është më me gjasë alternativa e dytë, atëherë do të themi se, si efekt anësor i kamerës, perceptimi ia ka lëshuar vendin pranisë; ndërsa vetë është tërhequr ‘në të ardhmen’ ose në një moment hipotetik kur vizita në muzeum do t’u tregohet të tjerëve, në Facebook ose e projektuar në mur ose e postuar me e-mail.

Nuk do të na shpëtojë as aspekti thjesht fetishist i kësaj eksperience, në epokën kur arti ka zëvendësuar, për elitat shekullare, reliket e shenjtëve në katedralet mesjetare.

Të vijmë sërish te çifti skocez, të cilët tek e fundit i arritën, madje me tepri, emocionet e forta të aventurës, për të cilat edhe kishin marrë rrugën e Afrikës. Unë nuk do ta qortoja shumë të ziun Archie turist, i cili sulmin e bishave ndaj së shoqes do ta ketë përjetuar si diçka spektakolare, të paharrueshme dhe të meritueshme për t’iu treguar botës mbarë.

Pa Komente

  1. Ka dicka, le te themi, ‘te vecante’ tek keta njrez qe shkojne dhe lozin me kafshet e egra. Mbase kjo shpjegon dhe perhumbjen kaq te madhe te te shoqit tek roli i turistit, sic thote xhaxhai, sa ky nuk reagoi as kur te shoqen po ja sulmonin citat dhe po i rridhte gjak nga qafa? S’e di…instikti gjithsesi eshte te sulesh te shpetosh personin e dashur nga rreziku, dhe kjo duhet te ndodhte tek i shoqi sic ndodh tek shumica e njerezve ne raste te tilla, si refleks, pa menduar fare. Ne kete rast eshte interesante, te themi, nga ana obzervuese ne kete prizem, se si dhe pse keto mekanizma nuk funksionuan.

    P.S. E shoqja sipas disa artikujve qe lexova, te ciles citat midis te tjerash ne nje pjese ja kishin ndare skalpin nga koka, kishte thene pas sulmit dicka tip “Citat nuk eshte se u treguan agresive ne kuptimin e keq te fjales, thjesht duket se u eksituan nga prezenca jone”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin