Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

PARASHIKIME TË MOTIT

Tani që u sqarua se atentatori i Tuluzës paska qenë fondamentalist islamik (po a u sqarua vërtet? nga filmat e dimë që, kur vritet fajtori nga policia, kjo ndodh ngase autoritetet kishin shumëçka për të humbur, po të mbetej fajtori gjallë), shpresoj që simpatizantët e së djathtës ekstreme të mos jenë duke u bërë gati për të festuar pafajësinë.

Çfarë e bashkon nazizmin dhe ekstremin e djathtë, me fundamentalizmin islamik, është më e rëndësishme se çfarë i ndan – meqë ne të tjerëve nuk na intereson aq nëse këta njerëz e presin shpëtimin nga Kalorësit Teutonë apo nga shkronja e Kuranit; por në radhë të parë që edhe njëra palë, edhe tjetra, duan t’i zgjidhin punët me forcë, me dhunë dhe autoritarizëm, meqë e dinë tashmë se ku qëndron e mira, e drejta dhe e virtytshmja.

Shqipëria deri më sot e ka njohur autoritarizmin kryesisht në formë të totalitarizmit komunist; por edhe ky i fundit kishte shumëçka të përbashkët me autoritarizmin fashist. Përkundrazi, fanatizmi fetar ndër shqiptarë është shprehur më pak dhe nuk ka gjetur ndonjë mbështetje në masë.

Edhe pse fundamentalizmi fetar, në të gjitha format, dhe veçanërisht si fundamentalizëm islamik është gjithnjë rrezik për t’u pasur parasysh, nuk më duket se ekziston, së paku në Shqipëri, baza sociale për një dukuri të tillë.

Çfarë ekziston ende, dhe kërcënon të pjellë orë e çast autoritarizëm, është patriarkalizmi ynë dhe intoleranca ndaj pluralizmit, ose mendimit ndryshe. Ky farë patriarkalizmi, i rrënjosur mirë në shoqërinë shqiptare, mund të përftojë, sipas rrethanave, edhe totalitarizëm komunist, edhe fashizëm, edhe nazizëm, edhe kombëtarizëm ballkanik folklorik, edhe fundamentalizëm fetar.

Gjithsesi, e keqja madhore në këtë moment nuk është patriarkalizmi, madje as intoleranca ndaj pluralizmit – aq karakteristike për shoqëri të prapambetura si jona; por dështimi i modelit modernizues të përqafuar nga elitat e tanishme në Tiranë (dështimi i dytë katastrofik, pas dështimit të modelit modernizues komunist).

Faktorët për këtë dështim janë të shumtë, e nuk reduktohen dot vetëm te patriarkalizmi tradicional, qoftë edhe folklorik i shqiptarëve.

Për mua, arsyeja kryesore që nxit tundimet totalitare në politikën shqiptare dhe miratimin e tyre nga poshtë ka të bëjë me faktin që sistemi politik i zbatuar në Shqipëri pas 1990-ës u importua në mënyrë mekanike nga Perëndimi, pa kurrfarë përpjekjeje për ta përshtatur me realitetin shqiptar.

Meqë Shqipërisë i mungonte, më shumë se çdo vendi tjetër në Lindje, shoqëria civile, atëherë nuk pati asnjë rezistencë ndaj këtij importimi; madje njerëzit besuan, në masë, se sistemi në vetvete do të ishte në gjendje të krijonte themelet sociale të vetvetes.

Ne kujtuam se ndërtesat institucionale që na i fali Europa do t’i gërmonin vetë themelet e tyre; çka natyrisht nuk ndodhi. Kështu siç janë sot, ato vlejnë vetëm si faltore të kultit të kargove, jo për gjë tjetër.

Prandaj rreziku i një kombëtarizmi folklorik, i cili përpiqet të nxjerrë kokë në dukuri të tilla si AKZ-ja, është rreziku default, meqë ndjenja, vlera ose virtyti kombëtar është i vetmi që ka mbetur relativisht i pacenuar brenda etikës sociale. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, një prononcim kombëtarist, i nivelit të ulët, ka shumë më tepër gjasë të ndodhë sesa një zgjim i fundamentalizmit islamik, ose rizgjim i lëvizjes komuniste.

Pa Komente

  1. E ku eshte rreziku i AK-se nuk e mora vesh ?
    C’lidhje ka AK-ja me terrorizmin islamik apo ate komunist ?
    C’lidhje ka Ak-ja me naziskinet e Frances ?

    Ti xha xha me duket se ato qe thuhen verdalle pro AK-se, i merr e i kthen kunder AK-se duke i keputur ad hitlerum-in e zakonshem dhe e nxorre publikimin e dites.

    1. Hyllin, ke bërë tri pyetje më lart, njëra më e cekët se tjetra. Unë nuk kam mundësi, as kohë që të merrem me një cektësi të tillë të hatashme – prandaj përpiqu të marrësh ndonjë ditë pushim edhe ti, po të duash (ty nuk të dëboj nga blogu, sepse ndryshe nga ca të tjerë, ti nuk ke ligësi; vetëm se e ke marrë me shumë yrysh këtë punën e AKZ-së).

      Përndryshe: AKZ-ja është dukuri sipërfaqësore, ose simptomë. Në shkrimin më lart unë përpiqem të shkoj më thellë – thashë “përpiqem”, ndoshta nuk ia kam dalë mbanë; por nuk besoj se e meritoj të shpërblehem me pyetje si ato më lart. Dhe një lutje të fundit: sa të mundesh, kurseje tastin e pikëpyetjes në tastierë.

      1. Xha xha, lidhjet ne artikull po i ben ti, jo une. Prandaj meqe nuk e kuptoj se ç’lidhje kane keto dukuri me njera-tjetren po te shtroj pyetje.

        Mua me duket se pa Hitlerin e naziskinet, ti s’gjen dot kritika te vlefshme, prandaj dhe i perdor vazhdimisht, qofsha i gabuar.

        Sa per yrysh-in, une e mbaj mend shkrimin tim te pare ne kete blog, me akuza ndaj teje per fryme shkombetarizuese, keshtu qe nuk besoj se ka ndonje yrysh kjo puna e AK-se, kam qene gjithnje koherent ne besimin tim, ashtu sikunder ti ke qene gjithnje koherent ne besimin tend.

        Kurse me kete punen e debimit nga blogu, ke humbur koherencen, se jo per gje, por po ben çensure ideologjike duke perdorur gjethen e fikut te ‘cilesise’, dhe them gjethe fiku, sepse verdalle po postohen gjera pa kurrfare cilesie, qe kane te vetmen merite qe jane kunder nacionalizmit.

        Une pushimin e marr pa problem, sidomos ne keto kohe kur edhe kritika nuk eshte stimuluese, por krejtesisht denigruese, jam i sigurte qe nuk humbas gje.

        1. Unë kam dëbuar nga blogu njerëz që e kanë penguar debatin, ca me kokëfortësi, të tjerët me dashakeqësi (dhe do të vazhdoj të dëboj). Për fat të keq, këto cilësi i ndesh te kombëtaristët më shpesh, sepse këta janë 100% të sigurt se e kanë të drejtën me vete, çka i bën edhe intolerantë. Në fakt, këta prandaj edhe vijnë këtu, se në forumet e tyre debati nuk ekziston, as mund të ekzistojë (përveçse në lidhje me si do ta quajnë Malin e Zi, kur ta bëjnë pjesë të Shqipërisë extra large). Pastaj, nëse ti mendon se në blog po “postohen” gjëra pa kurrfarë cilësie, atëherë ç’dreqin bën ti këtu akoma?

    2. Sinqerisht, mire e ka xha xhai, ik ca kohë. Se edhe me këtë obsesionin për të kundërshtuar çdo herë i pari je prej kohësh i bezdisshëm. Shkrimet në këtë blog janë shumë të mira dhe është vërtetë gjynah që menjëherë të banalizohen nga ndërhyrjet e tua aq të cekëta, që e largojnë shpejt vëmendjen e lexuesit për ta devijuar në një diskutim banal, se ku fshihet autori, apo se çfarë e shtyn atë të shkruajë. Siç mund ta vësh edhe re vetë, nuk është gjë se me ato ndërhyrje e ngre gjë nivelin e diskutimeve. Ndonjëherë dukesh si një lloj stalkëri i autorit dhe me këtë vërtetë që bezdis këdo tjetër që nuk të ka dhe nuk do të të ketë kaq shumë prezent përpara syve.
      Sinqerisht. Hesht ca kohë.

      1. Pifto, shih punen tende me mire, mos t’ia rifillojme kot avazit te vjeter.

  2. “Tani që u sqarua se atentatori i Tuluzës paska qenë fondamentalist islamik (po a u sqarua vërtet? nga filmat e dimë që, kur vritet fajtori nga policia, kjo ndodh ngase autoritetet kishin shumëçka për të humbur, po të mbetej fajtori gjallë), shpresoj që simpatizantët e së djathtës ekstreme të mos jenë duke u bërë gati për të festuar pafajësinë.”

    arsenali ala gerdec qe zoteronte i ndjeri besoj se nuk le dhe shume dyshime. natyrisht disa hollesira rreth ceshtjes do ngelen ne erresire meqe autori nuk eshte ne gjendje te pergjigjet, por per kete nuk duhen bere me faj doemos autoritetet franceze. sarkozy e deshi te gjalle, policia po ashtu. kete e tregon fakti qe eliminimi i autorit dhe perfundimi i incidentit zgjati kaq shume. por edhe perdorimi i forcave te raid ne vend te gign tregon se francezet donin nje zgjidhje pa viktima.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin