Letrat e lexuesve që botoheshin dikur nga gazetat, ndonjëherë në polemikë me shkrimet e botuara, nuk u ngjajnë aspak komenteve të sotme që lexohen në linjë. Dallimi nuk ka përse të habisë askënd, përderisa gazeta që del në internet ndryshon si medium nga gazeta e botuar në letër.
Gazetat tradicionale, nëpërmjet rubrikave të llojit “Lexuesit na shkruajnë”, vazhdojnë edhe sot t’i qëmtojnë letrat që iu vijnë në redaksi, t’i lexojnë me kujdes e t’u përgjigjen sipas kuvendit. Si të thuash, ka ende një farë filtri që jo gjithnjë vepron si censurë, por si rregullator i informacionit dhe i fluksit të tij.
Gazetat shqiptare në internet mund të ndahen në dy kategori madhore. Ato që i lejojnë komentet për shkrimet që botojnë gazetarët ose editorialistët dhe ato që nuk e parashikojnë fare hapësirën e komentit. Kategoria e dytë vijon ta respektojë traditën e mediumit të letrës, duke u paraqitur me të njëjtën veshje e filozofi, si një lloj shtrirjeje e mediumit të vjetër drejt të riut: i njëjti trup me veshje të reja, e njëjta përmbajtje me formë të re. Me fjalë të tjera, në thelb ka ndryshuar vetëm celuloza e letrës, që tashmë jepet me html, pa harruar gjithë ndërlikimet e risitë e pashmangshme. Këtu mund të fusim, sa për të dhënë një shembull, gazetën “Shqip”, që nuk lejon komente për shkrimet e veta, madje ngarkon deri edhe versionin e plotë të gazetës në pdf.
Në kategorinë e parë mund të përfshijmë gazetën “Shekulli”, ku çdo artikull ose lajm mund të komentohet sipas qejfit. Në këtë rast, mund të themi pa frikë se mediumi e ka ndryshuar thelbësisht gazetën, e cila nuk paraqitet vetëm si mjet informacioni por edhe si hapësirë diskutimi për të gjithë. Kemi të bëjmë me dy zgjedhje, sa të ndryshme aq edhe të ligjshme. Tek e fundit, edhe në vende perëndimore, regjistrohen të njëjtat tipologji organesh informative online.
Cila është zgjedhja më e mirë? E bërë në këtë mënyrë, pyetja nuk ka shumë kuptim, sepse gazetat duhen parë në kuadrin e misionit e të objektivave të veta. Kategoria e parë mund të thotë se ka për synim informimin e publikut, e dyta mund të shtojë se dëshiron ta përfshijë publikun në debate të ndryshme. Të dyja zgjedhjet kanë koherencën e vet të brendshme, në përputhje me projektin fillestar kur kanë hartuar për gazetën. Nuk është e thënë gjithashtu, që me kalimin e kohës organet e shtypit të mos i ndryshojnë kostumin grafik e konceptimin e marrëdhënies me publikun.
Zgjedhjet e mësipërme bien në kundërshti në çastin kur komentohen editorialistët ose opinionistët. Kategoria e parë nuk e ka këtë problem, sepse nuk ia lejon publikut a priori; e dyta u jep lexuesve liri të plotë për të komentuar shkrimet e editorialistëve, duke i vënë këta të fundit përballë gurëve të turmës. Problemi i parë lidhet me editorialistët, të cilët gjenden të pambrojtur përballë furisë së vulgut (pavarësisht se ka editorialistë që shkruajnë më keq se komentuesit; kjo është çështje tjetër). Gjithsesi, editorialistët nuk mund të përgjigjen, sepse nuk mund t’i bëjnë ballë histerisë kolektive, ngaqë komentet nuk moderohen e ngaqë vetë autori nuk mund të identifikohet dot nga anonimët e internetit. Problemi i dytë lidhet me vetë gazetën, e cila lejon përdhosjen e atyre figurave të cilave u ka deleguar interpretimin e çështjeve më të mprehta të aktualitetit.
Këtu lipset një parantezë e veçantë. Gazetat, për mendimin tim, e kanë për detyrë t’i mbrojnë editorialistët e vet, sepse kështu mbrojnë vetveten. Në fakt, orgnet e shtypit shpeshherë identifikohen nga publiku pikërisht nga opinionistët që shkruajnë aty. Pra lidhja e gazetës me editorialistët është shumë më e ngushtë seç mund të duket në pamje të parë. Përkundrazi, anarkia totale që vihet re në hapësirën e diskutimit nëpër internet, lë të nënkuptojë se gazeta sikur distancohet nga mendimi i editorialistëve të vet, përderisa i braktis në mëshirën e bishave virtuale. Çka përbën, në rastin më të mirë, diçka të pazakontë.
Liria që eksperimentohet në faqet në linjë të gazetave është liria e xhunglës, ku secili mund të bëjë çdo gjë, pa kurrfarë rregulli. Pjesa poshtë shkrimeve, për nga era e qelbur e komenteve, ngjason më shumë me nevojtoret publike, madje nga ato pa pastrues brenda, ku çdokush mund të nxjerrë lapsin e të ndyjë muret pa shkarkuar ende ujin. Autori i shkrimit as që mund t’i afrohet pa u pajisur me kundërgaz të posaçëm. Si i bëhet? Moderimi i përgjegjshëm, sipas modelit të blogut, do të ishte rruga e mesme e atyre që nuk duan ta modelojnë gazetën sipas standardeve klasike, por t’u japin mundësi lexuesve ta shprehin mendimin e tyre.
Dikush mund të thotë se u takon komentuesve t’i respektojnë rregullat minimale të debatit e të mirësjelljes. Dakord, por ndërkohë që komentuesit vetëedukohen, mirë është që disa rregulla të vihen.
Pishak, bëre kaq mirë që e ceke këtë çështje – dhe këtë ta them edhe nga pozitat e “viktimës”.
Shumë komente për shkrime të miat në “Shekulli” dhe në “ResPublica” kanë qenë nga më të neveritshmet. Natyrisht, unë nuk pres të më lavdërojnë, por as të më gjuajnë me baltë; sidomos kur baltën e hedhin anonimë pas anonimësh, ose njerëz që do të mbeteshin anonimë edhe sikur të përdornin emrat e tyre të gjendjes civile.
Zgjidhja? Disa përpjekje që kam bërë me redaksitë përkatëse nuk kanë dhënë rezultat; ata nuk është se nuk duan, por nuk arrijnë dot t’i kontrollojnë komentet, pa i ndalur krejt – ne këtu në PTF, që arrijmë ta bëjmë, e kemi më të lehtë, sepse nuk kemi dhe aq shumë.
Atëherë unë i bie shkurt dhe nuk i lexoj fare komentet për shkrimet e mia. Kush e pëson në këtë rast? Ata pak lexues që vërtet kërkojnë të nisin një dialog me mua; shpesh me mirësjellje të madhe, dhe që kanë vërtet gjëra për të thënë.
Dua të them: efekti i tërthortë i gjirizit është censurimi i zërave të arsyeshëm, të cilët nuk mundin të dëgjohen më. Përndryshe, mua si autor, nuk është se më vjen ndonjë rrezik i madh nga ushtria e të paditurve, zelltarëve, fanatikëve dhe provokatorëve, që shëtisin sa nga një gazetë në tjetrën, duke spërkatur me vrer. Efektin censurues e ndiejnë të tjerët, ose ata lexues të mi idealë, për të cilët duhej të ishte mirëmbajtur hapësira e komenteve.
Ne gazetat e huaja online ka disa menyra per te “censuruar” gojevreret (e kush nuk ka qene vete ndonjehere i tille ne kete anonimitet qe te ofron mundesine te shash e te kenaqesh?)
P.sh. “Die Zeit” fton edhe lexuesit te vleresojne komentet.. nese nje lexuesi komenti i duket teper jashte-temes ose i ndyre, ai klikon per te sinjalizuar redaktorin ta heqi komentin.. kjo i ul volumin e punes dhe koston e gadishmerise redaktorit te faqes…
Nje tjeter menyre eshte qe nje grup fjalesh te pista te vendosura ne database e bejne komentin automatikisht te pavlefshem…(mund te perdoren asterix e pika, por sidoqofte me ndryshe).
Ose vete autori ka te drejte te nderhyje te faqja e gazetes dhe te eleminoje komentet e “ndyra”, megjithe rrezikun qe sjell ky censurim..
Sot ResPublica botonte një deklaratë të kryetarit të opozitës Edi Rama, në lidhje me vonesat për reformën zgjedhore.
Komenti i parë, menjëherë në vazhdim të kësaj deklarate ishte:
Kjo nuk shkon – dhe nëse teoria e “xhamit të thyer” ka ndonjë vlerë në komunikimin publik, atëherë më bën të nxjerr përfundimin se media shqiptare i është dorëzuar përfundimisht harbutllëkut.
Berisha dhe mbrojtësit e tij në mediat nuk u ndalën as para vrasjes në 21 janar, për të mbrojtur “institucionet.” Pa iu kthyer asaj çështjeje këtu, dua vetëm të kujtoj se institucionet – ndryshe nga ç’mund të kujtojë ende ndonjë kokëtrashë, nuk janë godina; dhe hapësira publike e komunikimit meriton të mbrohet njëlloj sa edhe oborri i një ndërtese në bulevardin kryesor të Tiranës.
Jo se kam shpresë që kryeministri të dërgojë gardën për të mbrojtur integritetin e medias së lirë; as mendoj se vandalë si ky anonimi më lart meritojnë plumbin – JO JO JO; vetëm dua të vë në dukje se ne nuk i mbrojmë dot institucionet, pikërisht ato institucione ‘pe gjasme’ që kemi ngritur, duke luajtur shtëpiash, nën mbikëqyrjen e dados europiane.
E drejta e fjalës (liria e shprehjes) është vërtet e shenjtë, por si e drejtë qytetare. Po sa qytetarë janë këta që e abuzojnë? Kjo duhet të na bëjë të mendojmë.
Xhaxha, media shqiptare i eshte dorezuar harbutlleku se pari qe nga standartet qe ka vene per veten e vete; qofshin keto te aftesive profesionale te gazetareve te tyre, apo politikave redaksionale te organeve te ndryshme, apo rrepektimit te etikave te gazetarise, te cilat jane qe te gjitha pertoke ne shumicen e rasteve.
Po shikoni bre burra se kjo puna e komenteve eshte me perfitim te dyanshem (ne fakt lexuesi s’ka ndonje perfitim te drejtperdrejt). Nje gazete ose edhe nje tv qe ka faqe online kerkon te dije opinionin e lexuesve te vet dhe t’i mbaje e terheqe ata duke ju dhene mundesine qe edhe te kundershtojne kur nuk bien dakort me nje shkrim a opinion. Nuk e kuptoj kete mentalitetin e autorit qe kerkon te mbyllet ne nje kulle qelqi dhe prej andej te shaje ke te doje, te perdhose ke te doje, te veje ne dyshim themelet qe mbajne nje komb a bashkesi bashke dhe te kerkoje qe te mos komentohet nga te tjeret! Sot, shyqyr Zotit, kemi mundesine e zgjedhjes, nese dikush do te shkruaje po te mos marre mbrapsht mendimin e atyre qe ju drejtohet, fare mire mund ta beje duke mos publikuar ne mediat qe lejojne feedback. Nese i intereson reagimi i lexuesve atehere duhet te pergatitet edhe per gure jo vetem per lule. Sigurisht qe nga komentuesit kerkohet edukata minimale qe te mos ofendojne me fjalor rrugesh e banal ose edhe te respektohen ca gjera duke mos prekur sensibilitete e ngjallur urrejtje ose edhe duke mos bere thirrje per dhune etj. dhe kjo per mendimin tim mund te arrihet me ate qe permendet edhe me lart, duke ju dhene mundesine komentuesve te tjere qe nje koment te caktuar ta “raportojne” tek moderatori si te papershtatashem.
Me aq sa di une Shekulli i moderon rreptesisht komentet qe behen aty. Me sakte asgje nuk publikohet pa u miratuar me pare nga nje moderator pastaj nese moderatori lejon komente me fjalor banal te publikohen, kjo eshte pune e gazetes jo e komentuesve.
Per mua me e mira do te ishte nje “rregullim ne liri”. Asnje censure, asnje kufizim, ata qe shkelin rregullat elementare kur shumica nuk e ben kete, do te ndjehen vete te tepert.
Ne duam te behemi vete kryecensore pastaj flasim per liri nga qeveria a politika ne pergjithesi. Kur ne jemi tirane ne nje hapesire modeste po themi, si gazete, tv, blog, forum etj. vaj halli po te kemi me shume ne dore, mund te nxjerrim ndonje ligj qe kush i thote trap Berishes a Rames denohet me 10 vite burg.
Shkruan:
Nëse e ke për mua këtë, ki parasysh se në Peizazhe të Fjalës, deri më sot, janë bërë mbi 20 mijë komente. Shumica e tyre kanë qenë për shkrime të miat; dhe nga këto, shumica kanë qenë haptazi kritike. Në këtë diskutim që ka hapur Pishaku, është fjala për t’i administruar komentet në mënyrë të tillë, që të arrihet maksimumi i lirisë së shprehjes për të gjithë – sepse kështu siç po lejohen tani, nga shumë media, në fakt janë duke ia zënë frymën kësaj lirie.
Po edhe per ju edhe per te tjere. Po flas ne parim si i thone fjales.
Komentet e lexuesve me shqetesojne shume me pak se sa mediat qe kane shkarravites harbute dhe i therrasin editorialiste a opinioniste dhe qe te gjithe hapesiren e komenteve e shnderrojne ne nje nevojtore ku behen pis me qellim kundershtaret politike te asaj gazete. Aty rregulli eshte te sharet dhe banaliteti, ndersa diskutimi normal eshte jashte rregullave dhe kete standard e kane vendosur ata vete. Shiko se cfare behet tek Tema psh..
Nëse e ke për mua, dhe sa kohë që e ke për mua, e ke gabim. Çdo gazetë online ka politikën e vet me komentet dhe kjo është çështje që nuk e vendos dot autori që boton atje; por Peizazhe të Fjalës është blog privat, ku administratorët vendosin çfarë t’ju dëshirojë e bardha zemër dhe i vetmi detyrim që kanë ndaj publikut është korrektesa. Ti, si i djathtë që je, duhet ta kuptosh këtë më mirë se të tjerët. Gazetat, edhe në faqet e tyre online, kanë interes të mbajnë afër lexuesin, sepse numri i vizitave lidhet me fitimet nga reklamat, por edhe me shitjen e gazetës në treg; pa folur për interesat politike, për të përpunuar mendërisht një kategori lexuesish. Peizazhe të Fjalës nuk ka as interesa ekonomike as interesa politike; lexuesit materialet i ofrohen gratis; dhe mua, që jam autori më i shpeshtë këtu, të më paguajnë me flori nuk i qasem politikës shqiptare aktivisht (në kuptimin që nuk është se po kërkoj të përpunoj ndonjë elektorat potencial). Me fjalë të tjera, ne këtu mund t’ia lejojmë vetes luksin që të mos ia krehim bishtin lexuesit-konsumator, të cilin e kanë krijuar dhe e kultivojnë mediat e sotme, për interesa ekskluzivisht fitimi; madje jo vetëm të mos ia krehim, por edhe t’i tregojmë, nëse është nevoja dhe sipas rastit, se ku e ka katandisur padija, mendja e ngushtë, zilia përvëluese, fodullëku dhe negativizmi. Përshtypja ime është se asnjë përfitim nuk ka pasur blogu, as debati, nga politikat tolerante me komentet dhe komentuesit; gërshërët duhej t’i kishim zgjedhur të mëdha dhe t’i kishim përdorur më shpesh.
Pershtypja ime eshte qe blogu eshte i ngopur prej kohesh dhe e pret renia fiziologjike, ka depertuar mjaftueshem ne Shqiperi po ka humbur apo s’ka perfituar dot mediumin e mergates dhe te shqiptareve ne Kosove e Maqedoni.
Ndoshta do kish qene me mire te kthehej ne nje si tip protoreviste me kontribute vullnetare, e s’besoj se keto te fundit do mungonin. Tashme rrjeti i blogjeve eshte shkaterruar krejt nga Facebook-u.
Në fakt – tani po flas thjesht në emrin tim – unë nuk e kam dashur ndonjëherë që blogu të bëhej shumë popullor; sepse popullariteti vjen me përgjegjësitë dhe angaritë e veta, të cilat unë nuk i përballoj dot, meqë kjo punë qejfi është.
Pastaj, unë po të kem ndonjë mesazh për lexuesin e gjerë, kam se ku e nxjerr; për fat të mirë, dyert i kam të hapura në mediat.
Prandaj blogu nisi më tepër si një laborator i mendimit, ose ditar idesh; një vend ku të hidheshin në letër dhe të organizoheshin mendime në kërkim të strukturës, e cila do të vinte me kohë, qoftë edhe nëpërmjet një debati me kolegët.
Ndodhi që numrat më përgënjeshtruan; meqë vizitorët janë në rritje, ndërsa komentet kanë marrë tatëpjetën. Për zhvillimin e parë, ky ka shumë arsye – gjithnjë e më shumë njerëz hyjnë në Internet, pastaj blogu është i pranishëm, në mënyrën e vet, edhe në FB dhe në media të tjera sociale. Edhe unë kam botuar disa libra ndërkohë, prandaj ka njerëz që bëhen kuriozë.
Sa për tatëpjetën e komenteve, unë fajin nuk di nëse ta marr të gjithin për sipër, ose t’ua faturoj sajteve të tjera, ku praktikohet vandalizmi prej kohësh. Më vjen keq jo për një qyqar të rastit, që i bie rruga këtej dhe ndihet i detyruar të markojë territorin me një “kush të paguan ty more” sikurse ka parë të bëjnë gjetiu; por për miq dhe kolegë të mitë, ca të njohur e ca të panjohur, që nuk shkruajnë më.
Por midis alternativës që t’i mbyll krejt komentet dhe (të përpiqem dhe të investoj që) ta bëj blogun më popullor se tani, pa asnjë ngurrim do të zgjidhja të parën.
Përndryshe, s’do të më bënte përshtypje edhe sikur në blog të vinin 10 vetë në ditë gjithsej – por këta të ishin njerëz që t’i vlerësoja për çfarë janë dhe çfarë thonë. Unë nuk shes gjë dhe s’më lënë ndonjë mbresë numrat e mëdhenj; ndërsa bashkëbiseduesit janë si librat që duhet të lexojë njeriu – pochi, ma buoni, thotë një proverb italian.
Nuk vej ne dyshim qe me blogun personal mund te besh c’te duash, por nga menyra se si e shoh une dhe nuk i kundervihet te drejtes tende si pronar i blogut, eshte qe ti perderisa publikon kerkon lexues dhe perderisa publikon ne nje blog interaktiv, kerkon jo vetem lexues por edhe komentues e bashkebisedues. Kjo vlen per te gjithe, autore e komentues qe nuk vijne vetem te shkruajne por edhe te bashkebisedojne. Keshtu qe duhet te kete njefare respekti te ndersjelle. Nuk e kam me PTF ne vecanti pasi ketu ka nje shkalle te larte pluraliteti mendimesh e te pakten une nuk jam censuruar (vetecensuruar po) por ka blogje te tjera qe censurojne oponentin politik dhe jo banalitetin dhe kete e shesin per rregulla. Ata mund ta bejne edhe kete dhe nuk ka te drejte dikush te ankohet, por te pakten mos te varin etiketa pavaresia e pluralizmi qe nuk i kane.
Nuk e di pse kam pershtypje te kundert, dmth qe autoret ne pergjithesi e shohin debatin e nxitur nga numri i komenteve, prandaj pranojne edhe hedhjen e baltes.
Me duket edhe njerezore qe sa me i madh e me i rende te jete numri e lloji i kritikave aq me pak i kenaqur eshte autori nga kjo nxitje debati., perndryshe nje nr i madh komentesh pa kritika te renda ndaj tij, pavaresisht se komentuesit mund te shahen mesvedi, duhet te jete burim kenaqesie, meqe qellimi kryesor i publicistikes duhet te jete nxitja e debatit e jo dhenia e mendve. Per kete sherbejne zakonisht librat.
Ndryshe eshte pastaj publicistika e njerezve qe merren aktivisht me politike, qofshin politikane apo opinioniste te pavarur (per mungese litari dhe peme), keta nuk mund te pranojne dot kundershtimin sepse ajo qe thone duhet te jete e vertete absolute, prandaj nepermjet duartrokitjeve te komentuesve i shtohet besueshmeria e shkrimit dhe keshtu kryejne me sukses detyren.
Per mua ketyre opinionisteve te pavarur per mungese litari e peme, mire t’u behet sepse jane te pandershem me lexuesin, pasi evokojne pavaresine po parate indirekt me ane te ‘rrjetit’ nga partite politike u vijne.
Futu ne parti mo vlla e shkruaj sa te duash e si te duash ne organet e partise apo ku te mundesh.
Psh Preç Zogaj ka qendrim politik, e di njeriu se ky nuk eshte i pavarur, eshte koordinator i opozites politike, kjo nuk ia ul vleren po ia ngre, se ai nuk e mashtron lexuesin.
Ky stan kete bulmet ka, per mire a per keq. Keto jane mediat shqiptare, keta jane dhe lexuesit e komentuesit. Mbase behen me mire gjerat me kalimin e kohes…
Ne kohen e sotme gjithnje e me-dixhitale eshte vendim i veshtire per nje gazete a organ tjeter mediatik qe te mos kete lejoje asnjefare nderveprimi me lexuesit (komente) ne nje apo te gjitha kategorite qe botohen ne faqen e vet. Njesoj dhe per reklamat dixhitale, dhe kjo vihet re dhe ne gazeta etalon, si fjala vjen New York Times.
Per mediat tona pastaj eshte gjithmone nje realitet disi jashtetokesor, se nuk eshte se jane tamam biznese te mirfillta mediatike (si ne bote) keshtu qe ligjet e tregut, po dhe te medias, jo gjithmone aplikohen apo jane te rendesishme.
Sa per blogjet publike, eshte akoma me e pamundur qe te mos lejojne komentet, persa jane ne ate kategori, do ishte dialog me veten. Nese do behej fjale per nje ditar a faqe personale eshte krejt e kuptueshme, por dhe tjeter gje/kategori.