Në kolonën e vet te Panorama, Edmond Tupja ndalet sot në ligjërimin e TVSh-së, duke vajtuar, ndër të tjera, përdorimin e “huazimeve të panevojshme.”
Tema është me interes, edhe ngaqë i kam kushtuar jo pak shkrime në këtë blog dhe gjetiu.
Për fat të keq, Tupja gabon që te emërtimi “huazime të panevojshme” – meqë ato fjalë janë patjetër të nevojshme për ata që i kanë përdorur, edhe pse Tupes mund t’i duken të panevojshme.
Si shumë e shumë të tjerë, autori quan të panevojshme ato huazime, për të cilat ekzistojnë, sipas tij, barasvlera shqipe.
Ja çfarë ka dalluar ai:
“aplikim” e “aplikoj” në vend të “kërkesë” e “bëj kërkesë”, “menaxhim” e “menaxhoj” në vend të “administrim” e “administroj”, “limit” në vend të “cak, kufi”, “ekstrem” në vend të “skaj” apo në vend të “i skajshëm”, “evitim” e “evitoj” në vend të “shmangie” dhe “shmang”, “siguracion” në vend të “sigurim”, “benefit” në vend të “përfitim”, “skonto” në vend të “ulje, zbritje (çmimesh)”, “prioritet” në vend të “përparësi”, “prioritar” në vend të “(për)parësor”, “demarsh” në vend të “përçapje”, “evakuoj” në vend të “a) zbraz b) largoj, shpërngul, “akordoj” në vend të “jap”, “fiskal” në vend të “tatimor”, “minoren” në vend të “i mitur”, “maxhorancë” në vend të “shumicë”, “minorancë” në vend të “pakicë”, “resurse” në vend të “burime”, “implementim” dhe “implementoj” në vend të “zbatim” dhe “zbatoj”, “impresion” në vend të “përshtypje, mbresë”, “komod” në vend të “i volitshëm, i përshtatshëm”, “akomodim” dhe “akomodohem” në vend të “sistemim” dhe “sistemohem”, “suport” dhe “suportoj” në vend të “mbështetje, përkrahje” dhe “mbështes, përkrah”, “kooperim” dhe “kooperoj” në vend të “bashkëpunim” dhe “bashkëpunoj”, “kredibël” dhe “kredibilitet” në vend të “i besueshëm” dhe “besueshmëri”, “perfekt” në vend të “i përsosur, i përkryer” etj., etj.
Mirëpo edhe këta shembuj mjaftojnë për të treguar se huazimet që ia vrasin veshin Tupes, janë në të vërtetë të nevojshme, meqë barasvlerat e tyre në shqip nuk arrijnë t’i zëvendësojnë plotësisht.
Kështu, aplikim dhe aplikoj nuk zëvendësohen dot me kërkesë dhe kërkoj, meqë kërkesë në shqipe mbulon edhe demand, edhe request (po mjaftohem me fjalë anglishte); ndërsa kërkoj, përveçse demand dhe request, mbulon edhe search, look for dhe seek.
Po ashtu, menaxhim dhe menaxhoj shprehin diçka të ndryshme nga administroj (pa përmendur pastaj që kjo fjalë e fundit është po aq “e huaj” se edhe ajo tjetra, që mëton të zëvendësojë).
Për limit, nuk do të ishte keq të zëvendësohej me cak, vetëm se limit ka një përdorim specifik në shkencat (matematikë) të cilin cak nuk e ka; ndërsa kufi shërben për të përkthyer edhe border, edhe boundary, edhe demarcation; prandaj mbingarkimi edhe me kuptimin “limit” nuk i shërben kujt, përveç puristëve, të cilët nuk duan t’ia dinë fare për funksionin komunikativ të gjuhës, por e trajtojnë këtë të fundit si të ishte ndonjë dekoratë, ose ornament i kombit.
Më tej, shmang dhe evitoj në shqipe kanë kuptime të ndryshme, meqë e para vijon t’i referohet një konteksti hapësinor (fizik), por nuk e pranon lehtë kuptimin abstrakt; ndërsa shmangie, në vend që të përdoret për evitim, ka përfunduar në krahët e kuptimit “devijim”, si në statistikë (shmangia nga mesatarja, etj.).
Edhe skaj nuk ka arritur të pastrohet, tërësisht, nga referencat hapësinore, së bashku me mbiemrin i skajshëm; dhe folësit e kanë të vështirë të shprehin, me fjalën skaj, konceptin e një madhësie që arrin maksimumin ose minimumin e vet, prandaj edhe pëlqejnë fjalën ekstrem; në një kohë që kjo e fundit nuk para përdoret për skajet e një litari ose të një dukurie tjetër, që mund të përfytyrohet si drejtvizore.
Po ashtu, siguracion parapëlqehet ndaj sigurim, sepse sigurim përdoret tashmë për të përkthyer edhe security edhe ndonjëherë safety, pa folur fare për ato kontekste ku përkthen anglishten approvisioning ose procurement (si në sigurimi i mjeteve të jetesës); ndërsa benefit ka përparësi ndaj përfitim, ngaqë përfitim perceptohet, nga shumica e shqipfolësve, si me kuptimet gain, profit, që janë gjëra të ndryshme nga benefiti.
Më tej, ulja dhe zbritja e çmimeve mund të bëhen ose të ndodhin për arsye të ndryshme, ndërsa skontoja është një nismë specifike e një njësie tregtare ose gjatë një stine të caktuar; ka kuptim specifik, duke qenë një lloj uljeje dhe zbritjeje, por jo çdo ulje ose zbritje. Edhe në italishte, nga e cila e kemi marrë fjalën, flitet për sconti, për saldi dhe për ribassi, që dallojnë mes tyre.
Përndryshe, përparësi është vërtet e barasvlershme me prioritet, por ndoshta zëvendësimin e pengon mbiemri prioritar, meqë përparësor duket sikur ka të bëjë me përparësen, jo me përparësinë.
Më tej akoma, evakuoj dhe zbraz nuk kanë kuptim të njëjtë; dhe aq më pak mund të sillen si barasvlera të asaj foljeje shqipet largoj dhe shpërngul, të cilat kanë kuptime të tjera.
Po ashtu, akordoj është shumë specifike në kuptim, në krahasim me jap, e cila është një folje me kuptim jashtëzakonisht të përgjithshëm.
Fiskal parapëlqehet ndaj tatimor, meqë kjo e fundit me siguri perceptohet si burokratizëm, ose term shumë specifik (aq më tepër që fjala tatim ka mbetur gjithnjë mënjanë në shqipe, sa kohë që shumë shqipfolës nuk e dinë se ç’dallim ka mes tatimit dhe taksës, duke e konsideruar termin e parë si të zhargonit të agjencive taksambledhëse – apo duhet thënë tagrambledhëse?).
Gjithashtu, minoren përdoret në kontekste juridike dhe policore, meqë i mitur tingëllon sikur ka dalë nga përrallat e Mitrush Kutelit, është fjalë e vjetëruar në mos librore; njëlloj sikurse maxhorancë parapëlqehet ndaj shumicë, sepse e para është specializuar në përdorimin parlamentar, ndërsa shumicë luan tani rolin e një hiperonimi, ose të një fjale më të përgjithshme (maxhoranca është një lloj shumice); kjo është aq e vërtetë, sa askush nuk thotë maxhoranca e klasës e mori provimin… etj.; arsyetim që vlen edhe për minorancë, në raport me pakicë.
Te resurse dhe burime problemi ka të bëjë me mbingarkesën kuptimore të fjalës burim, e cila shënjon edhe source, edhe resource, edhe origin, edhe provenance (italisht: fonte, risorsa, origine, provenienza).
Implementoj nuk është e njëjtë me zbatoj, sa kohë që zbatoj është përdorur për të përkthyer aplikoj (në kuptimin “vë në jetë”); dhe implementoj nuk është njëlloj me aplikoj, sikurse e dinë edhe redaktorët e TV-së, edhe Tupja vetë; dhe po ashtu, komod nuk është njëlloj me i volitshëm dhe i përshtatshëm.
Kalimi nga akomodoj në sistemoj etj. nuk është se i sjell ndonjë shërbim pastërtisë së leksikut; aq më tepër që sistemoj përdoret edhe me kuptimin “vë rregull,” etj.
Edhe kooperoj dhe kooperim nuk mund të zëvendësohen me bashkëpunoj dhe bashkëpunim, sa kohë që këto të fundit përballojnë tashmë kolaboroj dhe kolaborim (kolaboracion).
Nga ana tjetër, kredibël dhe kredibilitet ndoshta mbijetojnë, përkundrejt i besueshëm dhe besueshmëri, ngaqë folësit duan ta ruajnë lidhjen me fjalën kredi (si në njeri me shumë kredi, i ka humbur kredia, etj.).
Të gjithë shembujt më sipër tregojnë, ose të paktën më tregojnë mua, sa shtrembër e ka shtruar çështjen Tupja dhe puristët në përgjithësi, të cilët shqetësohen më shumë për biografinë dhe gjenealogjinë e fjalëve, sesa për aftësinë e tyre që të përcjellin saktë kuptimin që ka në mendje folësi.
Është faj i rëndë edhe i këtyre policëve vullnetarë të leksikut, që shqipja abstrakte sot është mbingarkuar kaq shumë me kuptime, saqë fjalët shqipe e kanë humbur qartësinë, mprehtësinë, përpikmërinë; deri në atë shkallë sa t’u jenë mërzitur folësve, të cilët edhe kur nuk janë gjuhëtarë e semanticienë, e kuptojnë se ka diçka që nuk shkon me poliseminë e sforcuar dhe artificiale.
Kjo do të thotë që, sot për sot, përpjekjet e puristëve e varfërojnë shqipen; dhe unë do të parapëlqeja një shqipe me fjalë të huaja, ndaj një shqipeje të turbullt, si fasule të ziera shumë, që nuk funksionon dot mirë, sepse nuk ka pasurinë e duhur leksikore; dhe ato pak fjalë që i lejohen, i mbingarkohen kuptimisht deri në atë shkallë, sa nuk mbajnë dot më.
Gabimi i studiuesve të përgatitur si Tupja është që, në vend që të arsyetojnë se pse ndodh që folësit vijojnë të sjellin prurje të huaja në ligjërim, megjithë një vetëdije pak a shumë difuze për nevojën që të mbahet shqipja “e pastër”, këta mbeten në nivelin elementar të protestës, dhe ankohen për gjuhën që po bdaret e po bastardohet, me të njëjtin patos si edhe Gjon Buzuku dikur.
A ka përmbytje fjalësh të huaja në ligjërimin publik? Natyrisht që ka – por për ta konstatuar këtë nuk duhet ndonjë mjeshtëri e madhe. Çështja është të gjenden rrënjët e kësaj dukurie, dhe jo t’i mvishet ajo padijes së përdoruesve, ose, më keq akoma, patriotizmit të mangët, ose ksenomanisë së ligjëruesve.
Puristët dhe rilindësit e vonuar kujdesen veç të luftojnë një dukuri, e cila që nga momenti që është shfaqur, nuk mund të luftohet më – është njëlloj si të ndalësh një rrufé pasi ka shkrepur.
Në fakt, arsyet e këtij labërgimi leksikor të shqipes publike janë më të thella; dhe kanë të bëjnë pjesërisht me varfërinë e shqipes vetë, dhe pjesërisht me vetë përpjekjet e puristëve për të ndërhyrë vazhdimisht në sistem dhe për të zëvendësuar fjalë të padëshiruara me të tjera.
Ky efekt i dytë, që mund të duket paradoksal, në fakt shpjegohet me dobësimin që ia bën pastrimi i gjuhës normës leksikore, ose përshtypjen që u jep folësve se leksiku i një gjuhe është lëmi ku mund të ushtrojnë ideologjitë dhe patriotizmin e tyre.
Nga ana e vet, varfëria e shqipes shprehet sidomos në ato rrethana, kur asaj i kërkohet të shprehë koncepte të cilat kanë të bëjnë me dukuri të reja, të cilat kanë hyrë në jetën shqiptare relativisht vonë; dhe që lidhen jo vetëm me teknologjinë, por edhe me aspekte të tjera të modernizimit, të cilin e dëshirojmë aq shumë.
Ky ballafaqim nuk mund të përballohet dot nëpërmjet polisemisë artificiale (të programuar në tavolinë), ose duke mbingarkuar kuptimisht fjalët ekzistuese – meqë folësit e ndiejnë sëkëlldinë dhe menjëherë përdorin një fjalë të huaj – sa kohë që ligjërimi i tyre synon të kumtojë, jo të simbolizojë shqiptarinë.
Kjo do të thotë se fjalët shqipe barasvlera të fjalëve të huaja ekzistojnë në teori, dhe në fjalorët e puristëve, por folësit u shmangen; dhe zakonisht jo ngaqë janë snobë, as ngaqë duan të sabotojnë shqipen me çdo kusht dhe strukturën leksikore të ligjërimit; por për shkak të pikërisht polisemisë (që është aftësia e një fjale për të shprehur disa kuptime njëherësh dhe që, në fjalorët, shprehet me kuptimet e numëruara).
Si dukuri, polisemia ndodh natyrshëm në gjuhë, por ajo nuk mund të shërbejë si mjeti kryesor i pasurimit të leksikut – meqë vjen një moment dhe folësit u kthejnë krahët fjalëve të mbingarkuara, siç edhe po ndodh sot me shqipen. Një dështim tjetër i puristëve, të cilët në fakt po shkatërrojnë pikërisht atë që duan të mbrojnë me çdo kusht…
Tupja kryen pune vullnetare dhe ate pak degjueshmeri qe ka e gezon fale tipologjise se vet mediatike dhe profilit origjinal qe ka perftuar ne opinion. Ndaj edhe keto grimca sugjerimesh ne qellim, pozitive, shperfaqen si pa kuptim ne furine e papermbajtshme te problemeve madhore qe ka sot vendi. Ai ka dhe nje emision ne TV Planet ku ben te njejten gje. E pashe nje nate, se isha duke zier makaronat dhe po i ruaja mos derdheshin; ne kesi rastesh ku koha qe kalon merr vlere vetem nga raporti i saj me punen e dobishme, emisione si i Tupes ku nuk te duhet as vemendje, e as angazhim mendor i madh per ti kuptuar jane sfondi i pershtatshem. E njejta histori me kembim fjalesh; kembengules deri sa te krijohet ideja se dikur mund ta shese si patente te veten kete gje. Gjithsesi fakt eshte se sa me i ngritur cilesisht te jete ligjerimi ne shqip dhe sa me i vetedijshem te jete subjekti qe e bart ate per pritmerite e audiences qe e degjon, aq me kerkuese behet nevoja e pasurimit me fjale te huazuara. Ka kontekste te caktuara kur ato jane kripa e te folurit dhe ketu reagimi eshte i pavend. P.sh ka nje seri anglicizmash dhe latinizmash te shqiperuara ne theksim qe rendom i degjon ne akademike kosovare. Eshte tipikisht e tyrja kjo e folur, por nese dikush tjeter do ta inkuadronte te njejten gje, me siguri do te ngjallte reagim. Ndoshta kulturat e ndryshme te maredhenieve publike ne Shqiperi dhe Kosove ne periudhen e Luftes se Ftohte, sollen diferencim edhe ne ligjerim. Kjo mund te vihet re edhe ne perkthimet e te dyja paleve, ku une personalisht do te vecoja p.sh nje perkthim te Northrop Frye te vitie 90, nga Avni Hoxha, meqe fusha e kritikes dhe me tej akoma e teorise se kritikes moderne eshte fare e palevruar ende ne Shqiperi. Per mua shqiperimi i termave nga kosovaret ne disa raste eshte me i qelluar, ndonese tingellon mire vetem ne te folmen e tyre. Ta zeme, me sa di, ka nje fjale zhargoni-kulleret- c’ka me sa mund te kuptoj ndoshta lidhet me anglishten cool ne te folur. Ne ndryshim nga shqipja e Shqiperise, huazimet ne Kosove jane me te natyrshme ne perdorim, e per pasoje i japin folesit liri ne te shprehur pa cenuar aspak integritetin e gjuhes, por edhe vleren e komunikimit. Natyrisht keto une i them si degjues i dyanshem, jo si profesionist i komunikimit.
Ne shqipen tone, ketej gardhit, huazimet, sidomos pas viteve ’90 depertuan qofte si nevoje e zhvillimeve, qofte si shprehje e nje kompleksi inferiotiteti kulturor qe e importon fjalen ne menyre shabllonike. Per te vjedhur idene e z. Autor se katundar eshte ai qe rithemelon katundin aty ku shkon, ne kete rast procesi i ngjan atyre ndertimeve me cati te kuqe model alpin, ne fshatra te Jugut, ku rendom eshte perdourur guri dhe rasa per catite. Ne emer te se rese si force rigjeneruese kemi imitimin shabllonik, fotokopjimin imazherik te nje kulture, per ta transplantuar ne trungun e derrmuar te kultures sone. Ketu une mendoj se proceset ne vetevte shoqerohen edhe me ndryshime psikike te shoqerise duke sjelle nje model konsumizmi qe si i tille ka si premise vetem perceptimin dhe jo refleksionin apo analizen. Ndaj edhe sot jemi perpara faktit kokeforte te nje Shqiperie qe transformohet duke u shemtuar. Por zhvillim ama ka, te pakten ne nivel investimesh.
Edhe krahasimi me vitet e para ’90-s, ka nje paradoks me sa mund te kuptoj. Keshtu ne vepren e tij kryesore, Studime Etimologjike ne fushe te shqipes, Cabej rendit nder te tjera edhe nje numer fjalesh te kirjuara rishtas ne gjuhe, e qe gjeten mandej perdorim te pergjithshem. Pra nje proces krijimi, jo doemos i suksesshem perhere, por qe gjithsesi deshmon nje prirje te gjuhes ne nje kohe me shume me teper kufizime sesa e sotmja, perballe nje procesi te sotshem le te themi restriksioni te shqipes, qe po kalon edhe ne vete konceptimin e gjuhetareve ne difensive. Ketu une personalisht shtroj nevojen per te veshtruar nje pike te dobet te shqipes standarde. Cfare mund te behet? Ne nje shkrim te para disa koheve gjuhetari Gjjinari sillte nje shembull nga nje ekspedite gjuhesore ne Kosove ne vitet ’70 kur ne kontakt me nje fshatar kosovar ky i fundit u kishte thene me keqardhje per veten se “ju flisni gjuhen e shtetit”. Ne vetvete kjo deshmon jo aq per kompleksin e nje gegu apo te nje fshatari qe me kete percaktim e dha kontributin e vet per politiken gjuhesore te shqipes, sesa per vullnetin per asimilim te projekteve dhe politikave shteteore pa ankthin e shuarjes se identitetit lokal. Por sot ky optimizem nuk e pershkron me boten shqiptare qe eshte policentrike ne ndryshim nga para viteve ’90 kur kerkesat nacionale krijonin qasje te pergjithshme unifikuese.
Se fundmi e njejta gje qe manifestohet me huazimet e pavenda mund te perdoret fare mire si analogji e atyre folesve publike qe kerkojne rehabilitimin e genishtes, si permase te shqipes standarde. Te ujitesh me fjale apo forma te gegnishtes standardin aktual thjesht ben bllof ne ligjerim, pa harruar se thekson nje kontrast qe priret te jete subversv dhe me kerkesa rishikimi kapital te standardit te tanishem. Ketu te vihet re p.sh edhe shkrimi i Ledi Shamku Shkrelit ne PTF para disa kohesh niste me nje hyrje gegnisht per te kaluar ne standard gjate diskutimit te temes kryesore. Dicka artificiale dhe qe stonon. Liria dhe lehtesia ne komunikim, peneterimi i dyanshem i nje folesi nga standardi ne dialekt per te ndihmuar veten, afirmuar identitetin e vet, apo edhe per te sugjeruar zgjidhje qe tentojne te behen zgjedhje leksikore jane te papertypshme per audienca te gjera kur prezantohet si proces qe sanksionon nje qasje politike ndaj gjuhes. Ne te kundert mendoj sene perpjekje per t’u integruar te njeri-tjetri, thjesht rikonfirmojme kufij te rinj te periferive gjuhesore dhe kulturore, per ta katandisur standardin apo te perbashketen ne toke te askujt, apo ne kordon sanitar.
“Ne ndryshim nga shqipja e Shqiperise, huazimet ne Kosove jane me te natyrshme ne perdorim, e per pasoje i japin folesit liri ne te shprehur pa cenuar aspak integritetin e gjuhes, por edhe vleren e komunikimit”- Theollogos
Jam dakort me gjithe komentin tend pervec kesaj pike. Sepse jo te gjitha huazimet ne Kosove jane me te natyrshme se ne Shqiperi. Psh te qendrojme ne rastin e fjales “kuller”. Ajo qe e lehteson huazimin e saj ne dialektin e Kosoves eshte fakti se nga aspekti fonetik L-ja dhe LL-ja jane me afer menyres se si i shqipton keto nje anglishtfoles. Ndersa ne standartin shqip, L dhe LL jane qartesisht te ndara. Kjo e ben perdorimin e fjaleve si “kuller” apo “diller” te sikletshme. Gjithashtu mendoj se edhe theksimi ne shqipen standart e veshtireson kete. Sepse kur kur arrin tek fjala “kuller” shqiptarit te Shqiperise i duhet edhe te nderroj theksimin, gje qe e ben fjalen e huazuar tye qendroje sikletshem ne fjali.
Ndersa persa i perket huazimeve latine besoj se shqipja e Shqiperise i akomodon me lehtesisht se ajo qe perdoret ne Kosove.
Natyrshem pastaj eshte edhe aspekti kulturor kontekstual qe nuk eshte gjithnje i njejte ne te dyja anet.
Xhaxha, në diskutimin tuaj, ku spiegonit mjaft mirë kuptimin e secili shembull të Tupes, nuk thonit nëse, në stadin aktual të evolucionit të gjuhës, ato termat e huaj janë të nevojshëm apo… të domosdoshëm.
Përveç kësaj do shtoja dhe diçka tjetër; Përdorimi i fjalëve të huaja në ligjërimin publik nuk ka ardhur prej studiuesëve të gjuhës që kanë ligjëruar°°°, në mungesë të një fjale të përshtatëshme, përdorimin e një fjale të huaj që spiegon më mirë konceptin.
Për mendimin tim janë dy arsye që bëjnë që kjo të ndodhë:
1-Këto fjalë kanë hyrë në përdorimin e përditshëm prej ndokujt që mungesat, e formimit kulturor në gjuhën shqipe, i ka plotësuar në një gjuhë tjetër. Mjafton një deputet, opinionist apo gazetar e/o redaktor, që ka qënë qoftë dhe 6 muaj në USA apo Itali, që të bëjë “gjëmën”. .. kur duhet të ishin këta, sipas propozimit që i bëja Pishakut tek diskutimi për të mbrojtur disa fjalë të veçanta, që, nëse do përdornin terminologjinë korrekte dhe fjalët që po humbasin, nuk do bëheshin pre’ e “sulmeve të puristëve”.
2-Ashtu si përdorimi i emotikoneve, edhe përdorimi i këtyre fjalëve mund të justifikohet në një muhabet kafenesh, ku nuk ke kohë që të rrish e të ndërtosh/shprehësh një frazë korrekte, por i bije shkurt…por, që të ndodhë kjo, duhet që si folësi, si dëgjuesit, ta dinë se përse bëhet fjalë (kusht që në dëgjimin e këtyre fjalëve në media prej spektatorëve, jo shpeshherë kënaqet)
E megjithatë, unë s’besoj tek kjo e dyta… jam i prirë që të besoj tek injoranca që rrjedh nga e para. Injorancë që është pasojë e një sistemi shkollor të lënë pas dore, sipas meje. Për këtë mjafton të shikohet, jo vetëm përdorimi i fjalës prej Xhaxhait, por dhe i shumicës dërrmuese të komentuesve të këtij blogu (dhe mos më akuzoni për nostaligjik, por kjo shumicë është formuar në periudhën antedemokratike)
°°° e ka fajin mbingarkimi kuptimor 🙂 Në këtë rast, jo në kuptimin që kanë folur, por në kuptimin e ligj=legalizimit.
P.s: Diçka tjetër që më bën përshtypje është fakti që, nëse ligjërimi publik është mbushur me fjalë nga anglishtja dhe italishtja, mungojnë ose janë të rralla fjalët greke. Në ktë rast më lind pyetja: A janë ata që shul kanë vajtur e lloz janë kthyer nga Greqia, apo greqishtja moderne, ndryshe nga ajo antike, nuk është më në gjendje që të “furnizojë” më me fjalë, jo vetëm ligjërimin botëror, por as edhe atë “të varfrën” e gjuhës shqipe?
”kolonën” pse kolonen e jo shtyllen, kur kolone eshte po aq e mbingarkuar sa shtylle, nemos me teper ?
‘për të cilat ekzistojnë’, nuk do te qe me mire ‘per te cilat gjenden’ ?
Fjalet aplikim e aplikoj, kane si kuptimin kerkese/kerkoje ashtu edhe zbatim, zbatoj, ketu me e mira do te ishte qe ne vend te kesaj mbingarkese, kjo fjale te hiqej fare dhe te perdoreshin sipas nevojes, kerkoj apo zbatoj, pra aplikoj eshte thjesht e tepert dhe mbi te gjitha me kuptime krejt te ndryshme (kerkoj e zbatoj ).
Po aplikoj(zbatoj) programin per te cilin aplikova (bera kerkese)!
Ja tek shqipja behet peshesh.
Une do thoja qe zbatoj si fjale nuk ka asnje perkatese ne anglisht e italisht, sepse çdo fjale qe do mbahet si e tille, ne fakt nuk e rrok plotesisht kuptimin e fjales zbatoj dhe nuk eshte aq e qarte sa ajo.
Nese me sjell si shembull aplikoj, si do e perktheje ne italisht apo anglisht ‘zbatoj urdherin’ duke futur fjalen aplikoj ne perkthim ?
””Te resurse dhe burime problemi ka të bëjë me mbingarkesën kuptimore të fjalës burim, e cila shënjon edhe source, edhe resource, edhe origin, edhe provenance (italisht: fonte, risorsa, origine, provenienza).””
ne fakt origjine e prejardhje e zevendesojne shume mire fjalen burim, per origine e provenienza, keshtu qe fjala burim mund te perdoret si fonte e risorsa, pa i sjelle ndonje siklet te madh dykuptimi qe merr, psh ne vend te resurse njerezore mund te perdoret pa problem burime njerezore.
Nga ana tjeter si e perkthen ne anglisht apo italisht ‘gurra popullore’ duke i qendruar besnik arsyetimit tend ?
Ta sjell si shembull per te thene qe shume kuptime te fjaleve te huaja kane kuptime metaforike ose me prejardhje metarofike, normal qe shqipja nuk ka si t’i rroke ne plotesine e tyre dhe kete ti e din shume mire.
Ne rastin tone, nga gurra popullore, fjala gurre mund te merrte nje kuptim tjeter, te cilin ne nuk ia kemi dhene ende, por qe mund t’ia japim.ne menyre qe ta riciklojme ose ta pershtasim me tashmerine, ku perndryshe fjala gurre do te zhdukej.
Ja psh meqe te sjell problem fjala burim per risorse, mund te shkepusnim fjalen gurre dhe ta perdornim per risorse, nepermjet nje perdorimi metaforik.
Perdor fjalen ‘leksik’, per kete fjale sot 90% e shqiptareve duan perkthyes, nuk e di se me ç’tager kjo quhet shqip, kur 90% e shqiptareve duan perkthyes.
Ndersa po te perdoresh ne vend te leksik, fjalen ‘fjalesi’ edhe pse nuk ekziston ne shqip ai 90% qe do perkthyes ketu s’ka nevoje fare, se ne kategorite e tij te mendimit gjen mundesine qe ta percaktoje si teresia e fjaleve.
Do thuash ti po sa fjale jane shqip e qe 90% e shqiptareve duan perkthyes aq te mira qofshin, edhe kjo eshte e vertete, mirepo une mendoj se ketu qendron problemi themelor, pse dreqin kemi kaq shume fjale shqip per te cilat 90% e shqiptareve duan perkthyes ?
Me nje veshtrim te shpejte, kupton qe jane pothuaj te gjitha fjale te huaja.
Tani a nuk do te ishte shume me funksionale (meqe e ke kapur me funksionalitetin) qe sa me shume prej ketyre fjaleve shqip qe shqiptaret nuk i dine, t’u pershtaten shqiptareve, kategorive te tyre te mendimit, si ta zeme fjala e mesiperme ‘fjalesi’.
Ti me mbron fjalen aplikoj kur kjo eshte krejt e panevojshme dhe biles shton peshtjellimin gjuhesor, mirepo sa shqiptare mund ta kene degjuar dhe as ia kane idene si mund ta perdorin ne fjali ?
Mua me duket se ti kerkon nje shqipe funksionale per veten tende dhe 10% te popullsise, mirepo ne puristet duam nje shqipe funksionale per 100 % te shqiptareve (ose me sakte sa me shume te jete e mundur).
Prandaj hapat duhet te jene te ngadalte e te matur dhe meqe fjaleve shqip kuptimin ua japim ne shqiptaret, se fjala s’mund te kete kuptim te pavarur prej nesh.
Jemi ne qe u pranojme kuptimin fjaleve te huaja, nuk jane ato qe na detyrojne t’i pranojme. Atehere le veprojme ne, shqiptaret, si te zotet e fjales dhe jo si te nenshtruarit e saj.
Ketu ka nje problem te thelle, do e quaja filozofik, se ne i nenshtrohemi vetem huazimit dhe jo fjales ne vetvete (dmth po qe shqip e shkelim me kembe, po qe e huaj e perkedhelim).
Puristët flasin për “huazime të panevojshme” të shqipes; meqë këto huazime janë të nevojshme për ata që i përdorin, unë do të propozoja që t’i quanim “huazime të reja” për t’i dalluar nga “huazimet e vjetra” ose “të rrënjosura”; meqë statusi i tyre ende i paqendrueshëm në sistem mund të ndihmojë për t’ua ndaluar anëtarësimin.
Sa për huazimet e tjera, ato që kanë zënë vend tashmë, vetëm puristët e ndërkryer do të kërkonin t’i largonin nga leksiku; ja edhe ti vetë përdor dhe sugjeron më lart fjalën shtyllë, duke e konsideruar si zëvendësim ‘shqip’ për kolonë, ndoshta pa e ditur se është huazim nga greqishtja e re (στήλη) njëlloj si zarf dhe zyrë që vijnë nga turqishtja, por të cilat nuk kam dëgjuar njeri të dëshirojë t’i zëvendësojë.
Kur thonë se shqipja i ka mundësitë për t’i zëvendësuar këto ‘huazime të panevojshme’, puristët gabojnë dyfish. Së pari, ngaqë shqipja nuk i ka mundësitë për t’i zëvendësuar huazimet e reja, meqë i mungojnë edhe fjalët alternative, edhe strukturat organizative për promovimin e fjalëve alternative; dhe mbingarkimi kuptimor i pak fjalëve nuk është rrugë për t’u përshëndetur, meqë po i konsumon edhe ato pak fjalë të mira që kemi. Së dyti, gabojnë meqë praktika i përgënjeshtron, meqë folësit vijojnë të përdorin rëndom fjalë të huaja, dhe nuk është e hijshme që të gjithë këta t’i akuzojmë si snobë, ngaqë shumë pak prej tyre janë vërtet. Por nuk ka dyshim se përdorimi i huazimeve të reja nuk vjen nga snobizmi, as nga mania për t’u dukur – i ka rrënjët më shumë në gjuhë sesa në psikologji.
Puristët kanë dështuar edhe nga një pikëpamje tjetër: nuk kanë arritur t’i ndalojnë huazimet e reja (dhe të vjetra), por ia kanë dalë që t’i bëjnë shumë njerëz të vetëdijshëm për prejardhjen e fjalëve që përdorin ata vetë dhe sidomos të tjerët. Kjo do të thotë se ti e përdor fjalën e huaj, kur flet pa teklif, por ta vret syrin kur e sheh në një tekst, sepse e ke bërë tënden tezën kryesore të puristëve, sipas së cilës ajo fjalë nuk duhet përdorur. Në komentet poshtë e lart në Internet tipikisht ndesh në pedantë të tillë, të cilët qortojnë autorin për këtë apo atë fjalë që ka përdorur – diçka e paparë dhe përtej etiketës më elementare të komunikimit.
Tani, nuk ka linguist që të mos e dijë se folësi, ose përdoruesi i gjuhës si rregull nuk është i vetëdijshëm për prejardhjen e fjalës që përdor; fjala gjykohet dhe vlerësohet për nga funksioni i saj, ose aftësia për ta përcjellë me saktësi sa më të madhe synimin e folësit, jo për nga prejardhja. Prandaj kjo vetëdijë e shtuar (nuk po e quaj e gënjeshtërt) për prejardhjen e fjalëve, që shpesh nuk është as e bazuar në dije të shëndoshë, vepron si makinë faji, në përdoruesit, duke i shtuar kontekstit ligjërimor një përmasë që, për mua, vetëm sa pështjellon.
Përndryshe unë nuk i përshëndet huazimet e reja, por vetëm besoj se ato janë të pashmangshme; madje më tej besoj edhe se për hyrjen e tyre aq masive fajin më të madh e kanë puristët, të cilët, me ndërhyrjet e tyre prej pedantësh, llafazanërinë e tyre dhe përpjekjet maniakale për ta martuar leksikun me ideologjinë kombëtariste, veç e kanë dobësuar normën leksikore, sistemin imunitar të leksikut shqip ose stabilitetin e fjalëve në ligjërim.
Përgjegjësinë e ka, për mua, kultura e zëvendësimit, e cila duhet shporrur një herë e përgjithmonë nga mendësitë e përdoruesve të shqipes. Që ta përballojë me sukses dukurinë e huazimeve të reja, shqipes i duhet një arsenal i gatshëm dhe lehtësisht i përdorshëm alternativash – meqë huazimi i ri duhet ndalur “në kufi”, jo të zëvendësohet pasi ka hyrë dhe është përdorur nga një numër njerëzish. Ky arsenal nuk mund të ndërtohet, në kompetencën leksikore të individit, veçse në shkollë.
Shkruhet diku tek gazeta Shekulli,
… kostoja për ndërtimin e një aeroporti “green field” (pra pa asnjë strukturë të mëparshme)…
Nuk i shoh televizionet shqiptare prandaj nuk e di nëse edhe folësit në to kanë kumtuar me të tillë gjuhë, shqipe. Në shtyp e ndesh për herë të parë, dhe ndër gjërat që vërej është se shkruesi ka përdorur dy fjalë të anglishtes, po e pranoj meqë s’bën dëm se ai (apo ajo) i ka pasur të nevojshme për të kumtuar, por të pamjaftueshme përderisa ai ka përdorur një shpjegim të tijin, të domosdoshëm për të bërë të kuptueshme atë që ai sapo ka kumtuar. Një strukturë ajrore, e ngjashme me balonat, bishti i gjatë nga pas ndihmon ekuilibrin, rrjedhimisht fluturimin e fjalës a togfjalëshit. Për fat të mirë aeroportit i është mbyllur dera, e shpresoj dhe green field-it gjithashtu. Këtu, secili prej nesh do ta kishte shkruar me sa e sa mënyra të ndryshme këtë togfjalësh, nis me në fushë (të gjelbër/blertë/jeshile) arë, tokë buke, etj.
Disa nga arsyet e ndërlidhura, brenda shkruesit, që shpjegojnë pse ai apo ajo e ka pasur të nevojshme të shkruajë kështu, është se ai apo ajo, nuk është autoritar në atë që kumton, ai është lajmësi që sjell, përcjell fjalët e të tjerëve, që i privon vetes të mendojë me kokën e vet. Fundja, pse jo, është me e lehtë të mendosh me kokën e tjetrit. Kjo është një nga rrugët ku fjalë të gjuhëve të tjera vërshojnë në shqipe, folësit dhe shkruesit i sjellin së pari me shpjegime, e pastaj në fjala bën vend, këto shpjegime bien; sipas shembullit të balonës, bishti këputet, fjalën e merr era, e kontrolli i saj është i pamundur – nëse nuk je pantonimist.
Duke e ngjitur aktin e sjelljes së fjalëve të huaja të nevojshme prej folësve dhe shkruesve në skenë, do të kishim një grup njerëzish të gjithë duke kënduar këngën e tyre. Fjalët e huaja të nevojshme që njerëzit e skenës të këndojnë vijnë kryesisht prej tre gjuhësh, anglishtes, italishtes dhe greqishtes. Kemi të paktën tre zëra kryesore, e ndërsa e kam të vështirë të them se ajo që dëgjohet është polifoni apo kakofoni, e kam të lehtë të them se kërkesa e ndonjë drejtues kori ti bëjë këta zëra të këndojnë në kompleks a kor është e pamundur.
Por ç’është një purist në gjithë këtë? Një drejtues kori? Po i kundërti i këtij puristi kush është? Me kë duhet të debatojë ky purist? Kritikun? Admiruesin e polifonisë? Apo do ta kërkojmë brenda gjuhës, nga antonimet.
Iso djema! Dhe vajzat e djemtë e isos vazhdojnë eeee në skenë e spektatorët ëëëë në sallë.
Një rrugë tjetër, e faktit të kryer, ndiqet për të futur fjalë në shqipe. Një nga këto fjalë, me duket tek gazeta RD ishte stratifikim, për stratification, sjellë me krizën ekonomike të Europës së sotme. Shkruesi nuk e kishte marë mundimin tu shpjegonte lexuesve fjalën, balonës i mungonte bishti. Ky shkrues është pretencioz në të qënit autoritar. Sipas një kënge që e japin radiot këto ditë, kjo (fjala) s’ka asnjë kuptim por është provokative. Shqipëria nuk ka krizë ekonomike por ka krizë për fjalë. Të them të drejtën, edhe pse kam mbi një dekadë që e njoh fjalën nga anglishtja dhe e përdor në të, një të barasvlefshme me të në shqipe nuk kam pasur nevojë ta kem në kokë, për arsyen e thjeshtë se këtë fjalë ashtu dhe aty ku e përdorin anglishtfolësit nuk kanë për ta përdorur shqiptarët e Shqipërisë edhe për shumë kohë. Bëhet fjalë për financat se shtresat e tokës dhe të byrekut s’ka shqiptar të mos i dijë.
Në retropsektivë, librat e financave të kohës sime mund ti ndaje edhe në dy grupe, në ato që sillnin fjalë të huazuara dhe në ato që sillnin fjalë të reja tok me lëndën. Vështrim i largët e pa të dhëna, por kam përshtypjen se librat me fjalë të huazara kishin ardhur prej përkthyesish, ndërsa librat me fjalë të reja prej autoritetesh në lëndë. Nuk gjykoj cilësinë e përkthimeve, vetëm dua të theksoj se, fjala vjen, një libër me autor drejtorin e përgjithshëm të Bankës Kombëtare, kishte më shumë fjalë të reja sepse autoriteti atij ja lejonte ti impononte këto fjalë, strukturave në varësi, studentëve, e deri në një farë mase gjithë aparatit burokratik shtetëror. Nga ana tjetër një përkthyes shumë i mirë edhe si pedagog apo edhe si punonjës i aparatit shtetëror i privuar nga ky imponim do të shikonte për alternativa, apo meqë për alternativë as që mendohej do të linte të paprekur vijën m-l edhe në gjuhën me të cilën do të kumtonte, rrjedhimisht do ti nevojiteshin më shumë fjalë të huazuara.
Për serinë gjëra që mund të ndodhin vetëm në Shqipëri… ku ngrihet mileti që të frenojë parinë.
Purizmi, në gjuhë/letërsi, si rrymë mendimi dhe veprimi, ka lindur, është përfaqësuar dhe mbështetur në rradhë të parë nga gjuhëtarë dhe shkrimtarë, të cilët me veprat dhe shembullin e tyre përpiqeshin të edukonin atë piusmilet injorant që të flisnin gjuhën e të parëve.
Natyrisht, jam kundër puristëve fondamentalistë që nuk do lejonin jo vetëm hyrjen e fjalëve të huaja, por edhe krijimin e fjalve të reja, ashtu siç jam kundër edhe ndaj atyre puristëve që kundërshtojnë çdo fjalë të huaj (vetëm sepse është e tillë), por që të shikoj që të dalësh me shpatë kundër puristëve, më duket e çuditshme (për ta thënë me një fjalë të ëmbël).
Edrus, purizmin unë ka kohë që e ndjek – dhe e konsideroj sëmundje foshnjore të politikës gjuhësore. Që është foshnjore, nuk do të thotë se nuk bën dëme, gjithsesi.
Pikërisht këtu qëndron problemi dhe nuk mund t’Ju justifikoj Xhaxha, sepse nuk kini përballë NJË Politikë gjuhësore.
Do e merrja edhe unë shpatën bashkë me ju, nëse purizmi do vinte i diktuar “nga lart”, për nacionalizma të sëmurë apo ku di unë, ashtu siç jam me ju gjithë ditën përsa i përket nevojës (dhe nganjëherë domosdoshmërisë) së futjes së fjalëve të reja, të formuara rishtas apo të huazuara nga gjuhët e tjera që kanë patur shancin t’i fusin në përdorim më parë.
Mos më keqkuptoni!
Kritikat tuaja mundet (dhe janë të drejta), por nganjëherë më duken si kritikat e një Doktori (me D të madhe) që në vënd që të alarmojë doktorët e tjerë për rreziqet e një epidemije, sëmundjeje, ose edhe shenjave elemetare tek e fundit, ta dëgjoj të kritikojë miletin se pse ndjek praktika të gabuara për kurim.
Prej jush pritet diçka në Makro… e jo të bini në detaje..
Tupja shkruan nga halli, pra per te rembyer ndonje leke, ndaj mos i vini shume re cilesise se shkrimeve te tij. Thuaj shyqyr zotit qe ka shkruar dicka tjeter, se kur kerkon te shkruaj per politike apo sidomos kur merret me kritiken ndaj opozites (eshte per te qeshur por e vertete ) te perzihet stomaku.
[Si ilustrim të konceptit popullor të pastërtisë (së gjuhës), më dërguan privatisht historinë e mëposhtme, që po e përcjell me shumë gaz:]
Njaj dejt (dite) shkojke prefti shtegut termal tuj u avllu vrek-e-vrek me mbrrejt e-n’qele. I bjen copa rruugs njata rrshan konakut t’Prendes qi e kish njaj pus me ouj t’mejr boll. E i fol prefti: A ma mosh i gjastare ouj oj Krajshnike?
Ja moush plaka me gjygym e i shperderdhet ouji per nahije t’gjots. E merr plaka m’e ter me bokshen (perpajren) e vet, qi prej zdrales (zhulit) i kesh ngri e i qem ba kiçmill.
Vranet prefti e i thot: Mo e cyt oj nane, mo u kastigo zatet, ma nep njashtu!
Ja vrret nana tuj e pertha me zdrale: Heu, shka po thou he zotnej preft, po no kjo pastertej na ka pajt (majt) zhaall (gjall).
HAHAHAHA!!!
Gegnishtja e rrefimit po ashtu fantastike!!
Do doja te dija kush e ka shkruar/transkriptuar rrefimin nese ka mundesi!
Shume ” John Steinbeck”!
Bravo
Ledi Shamku-Shkreli. Ma kish dërguar privatisht, prandaj nuk e zbulova që në fillim, por tani ma dha lejen.
”’Puristët flasin për “huazime të panevojshme” të shqipes; meqë këto huazime janë të nevojshme për ata që i përdorin, unë do të propozoja që t’i quanim “huazime të reja””’
Ne fakt huazime te panevojshme nenkupton barbarizem, si fjala aplikoj.
Ata qe i perdorin nuk merren ne konsiderate fare, dmth nuk merren nevojat e tyre, meqenese gjuha nuk eshte prone private me te cilen mund te besh ç’te duash (po edhe tek prona private kjo eshte shume relative, se ta zeme pa leje ndertimi s’nderton dot shtepi).
Per keto huazimet , mund te sjell nje shembull, u hap njehere nje debat tek peshku per nje koncept te Hegelit (superamento ne italisht), si perfundim gjej tek Hysamendin Feraj fjalen ‘pernaltesim’ qe kish propozuar Zaimi.
Sa kjo fjale do hyje ne shqip, nuk e di, mua s’me pelqen po ama me mire kjo sesa ndonje huazim.
Tani si ka mundesi, qe per koncept kaq te koklavitur shqipja ofron mjete, ndersa per koncepte me pak te koklavitur nuk ofroka ?
Pra ti e shtron shume gabim çeshtjen, tek mundesite apo jo te shqipes, e vetmja menyre qe mund ta shtrosh çeshtjen eshte tek energjia qe duhet per operacione te tilla.
Mund ta quash foshnjor sa te duash, po ne rastin e mesiperm une shoh:
Zaimi/Feraj vs xha xhai 1 – 0
Ti do kundeshtosh si te duash duke vene ne dukje kete e ate, mirepo fakt ngelet qe sado ta kontestosh, asnje alternative jotja nuk e perballon dot kritiken. Pse ?
Sepse qellimi i tyre nuk eshte purist, ata thjesht duan qe koncepti te jete i pershtatshem per lexuesin, pra qe ne kategorite e tyre mendore e logjike ata te gjejne mundesine per te perthithur konceptin i cili gjithsesi ka shpjegim me vete.
Ti kete nuk e kundershton dot ideologjikisht, siç do beje ndaj ta zeme çdo propozimi prej atyre qe i perqasen ideologjikisht.
Kur them se problemi eshte i thelle, filozofik, nenkuptoj pikerisht kete, qe perqasja duhet rregulluar njehere ne plan ideologjik, ne rastin tone , metafizik, sepse eshte çeshtje ekzistenciale.
Ti e pranon kete gjendje ku shqiptari duhet ti nenshtrohet fjales se huaj, biles ti e nxit, ty s’te hyn fare ne xhep nese keto fjale per popullin ngelen fjale per perkthyes, se ti i tregon fjalorin e shqipes, ku e ke futur vete (ne kuptimin gjuhetaret e perkthyesit).
Gjithe çeshtja qendron tek energjia e shpenzuar dhe meqe sot objektivisht nuk kemi mundesi te germojme shqipen(se duam para), atehere le te mbajme ne ajer me ane te ideologjise gjithe keto fjale, ne pritje te brezave qe do te kene me shume energji per te shpenzuar(duke shpresuar se do kene me shume para se te sotmit).
Po te shikojme shqipen e viteve 20, gjejme shume huazime (nga keto qe na duken barbarizma) te cilat me kalimin e kohes, nen komunizem u larguan, shume mbijetuan natyrisht se aq energji iu kushtua, por Kosova e sotme eshte nje shembull i mire per gjendjen e shqipes ne vitet 20 apo ne pergjithesi per shqipen gjate viteve 1912-1945.
Shqiptaret e Shqiperise kane te drejte te reagojne ndaj nje kosovarizimi (ne kuptimin e huazimeve te frikshme) te shqipes dhe nje rikthimi ne vitet pas Pavaresise (ate gjendje e ironizonte bukur Konica).
Nga ana tjeter keto ankesa per shqipen s’i degjoj nga letraret, hiq xha xhain e ndonje tjeter, as perkthyesat e gjuhetaret nuk shprehin ndonje shqetesim te madh per funksionalitetin e shqipes.
Ti xha xha me duket se po kaleron nje kale ne shkretetire.
Shkruan:
Qëndrimi yt është tipik, prandaj po i harxhoj ca rreshta me të – meqë e ndesh jo vetëm në amatorë dhe fanatikë, por edhe në gjuhëtarë profesionistë.
Në kuptimet e veta tradicionale (“vë në jetë, zbatoj, realizoj, etj.”) kjo fjalë i ka sinonimet e veta në shqip dhe në fakt është zëvendësuar.
Nëse ka një gjallërim të saj kohët e fundit, ky i detyrohet një zhvillimi leksikor të papritur.
Deri dje, aplikoj ia detyronim trysnisë së italishtes dhe frëngjishtes; por sot ajo hyn në gjuhë nga anglishtja.
E kam fjalën për përdorime të tilla si: aplikoj për një vend pune. Këto i përgjigjen anglishtes apply for a job.
Këtu nuk është vetëm fjala që është zgjuar nga letargjia; meqë së bashku me fjalën ka hyrë në kulturën e punësimit edhe një praktikë specifike, që përfshin (1) shpalljen publike të një vendi të lirë pune; (2) kërkesën, nga ana e një të interesuari për atë vend pune, zakonisht duke plotësuar një formular specifik.
Kur ti kërkon që nipit tënd t’i gjesh një punë te kasapi afër shtëpisë, ti nuk shkon atje “të aplikosh” për një vend pune.
Përkundrazi, nëse dëshiron që nipi yt të punojë te Sorosi, atëherë do të aplikosh.
Folja përdoret jo vetëm për praktikën e kërkesës formale për një vend pune, por edhe të një kërkese të ngjashme për kredi, për ndihmë financiare, etj., ku gjithnjë duhet të aplikosh, duke plotësuar një formular, i cili s’është çudi që të quhet pastaj aplikim.
Ndodh që kjo praktikë ka hyrë në shoqërinë shqiptare dhe është përhapur me shpejtësi të madhe, dhe folësit (që ti, me obtuzitet karakteristik, nuk i përfill) kanë nevojnë ta quajnë me një fjalë, dhe nuk mund të presin për jastëqet e Akademisë që të prononcohen… dhe ndodh edhe që shqipja ta ketë gati, edhe pse pak të përgjumur, fjalën aplikoj: voilà. U kry, do të thoshte Hysamedin Ferraj yt.
Pse aplikoj? Sepse emërton një dukuri specifike; e cila është e rëndësishme jo vetëm në vetvete (vend pune!) por edhe e rëndësishme në specifikën e saj – duhet të dish të aplikosh. Hë për hë, këtë fjalë nuk e zëvendëson dot me “bëj kërkesë formale”, sepse nuk mund të zëvendësosh fjalë duke i parafrazuar. (Një lexues më sugjeronte, në komentet te një shkrim i paradokohshëm, që ta zëvendësoja fjalën eskalator me “shkallë e lëvizshme elektrike” – çfarë më kujtoi të famshmin kolonel Friedrich Kraus von Zillergut, te Shvejku).
Natyrisht, Muji dhe Halili nuk kishin nevojë për këtë fjalë – meqë ishin me përkufizim të papunë. Shqipja rurale, pastorale, idilike e halucinacioneve kombëtariste, nuk ka nevojë për fjalë të huaja, sepse i ka të gjitha vetvetiu… Por këtu nuk flasim për raste që lypin trajtim mjekësor, por për praktikën gjuhësore si praktikë sociale, ku aplikoj përdoret gjerësisht; dhe nuk u krijon as më të voglin problem folësve dhe gjuhës vetë: as fonetik, as gramatikor, as leksikor.
Fjalën e mban gjallë edhe një dukuri tjetër, në zanafillë e palidhur me krejt procesin e kërkimit formal të një vendi pune. Shumë prej atyre që aplikojnë për vende pune, përdorin edhe pajisje elektronike, ku kanë të instaluar aplikacione. Fjala ka hyrë tashmë dhe është sanksionuar edhe në fjalorët terminologjikë; ka shumë mundësi që brezi i ri ta përdorë si “ap” (më e shkurtër). Unë pata propozuar dikur “program aplikativ”, por kjo nuk ngjiti, për arsye që nuk i di.
Asnjë lidhje kuptimore nuk ka midis aplikacionit në celular dhe aplikimit për vend pune – përveç faktit që morfoleksemat (ose tema aplik-), duke qarkulluar, mbështetin njëra-tjetrën. Folësi vetë s’është në gjendje të shpjegojë se ç’i lidh fjalët mes tyre, por e ndien që aplik– është në bazë të të dyjave dhe kaq i mjafton.
A janë për t’u përshëndetur këto gjëra? Jo, nuk janë; por as kërkojnë që t’i përshëndesim. Gjuha bën të vetën, pavarësisht nga korbat që krakërrijnë në degët e selvisë – sepse gjuha u shërben njerëzve për nevojat e komunikimit, para se t’u kënaqë epshet kombëtaristëve.
Shqipja ka një problem – është e papërgatitur për t’i bërë ballë modernitetit. Kjo papërgatitje nuk shfaqet vetëm në leksik dhe në dukurinë e huazimit, por aty mishërohet në trajta të tilla që të mund t’i pikasin edhe profanët. Përgjigjja institucionale, ndaj sfidës së tanishme, ka qenë zero – ose, më mirë, ne kemi vepruar si polakët në Luftën e Dytë Botërore, që i sulmuan trupat naziste me kavaleri.
Edhe ne, masën e huazimeve që shoqërojnë modernizimin duam ta luftojmë me kavaleri, ose me mjetet e Rilindjes… Dhe e bëjmë këtë sepse janë të vetmet që kemi. Ne i gjuajmë tankut me shigjetë – madje jo, më mirë akoma, u gjuajmë avionëve me llastiqe.
p.s shqipja nuk eshte gjuhe e varfer, eshte gjuhe e pasur me fjalor te palevruar.
Eshte gjuhe e pasur, sepse zoteron shume kategori gramatikore, parashtesa e prapashtesa, qe jane te nevojshme per fjaleformim.
Pra potencialin e ka, por per arsye historike nuk e ka zhvilluar potencialin e vet, nderkaq disa nga parashtesat per arsye te pakuptueshme jane lene ne harrese nga levruesit ( psh ge, mbe, pe ) duke pakesuar potencialin e saj.
Fjalori ka aq sa eshte levruar, nuk ka aq sa eshte potenciali i shqipes, se jo per gje po te thuash gjuhe e varfer, po thua qe ka shfrytezuar potencialin e vet, po kaq e ka takatin, prandaj tani qe te pasurohet duhet ‘te vjedhe’ fjalet e huaja.
Pa asnje dyshim fjalori i Kadarese eshte me i pasur (me fjale shqip) sesa ta zeme i De Rades, kjo eshte rrjedhoje e levrimit te shqipes, keshtu qe rruga eshte e shtruar, nuk e kuptoj pse u dashka futur ne pyll.
Shkruan:
Po ky është edhe përkufizimi i të varfrit: atij që nuk i ka ato që i duhen. Tani, sa për potencialin, atë le ta lëmë më mirë të pafilozofuar.
Elokuenca pa interruksione testimon një erudiksion të svilupuar universal, ose të paktën speçifik në materien e prezantuar, të oratorit
Jam i bindur që të gjithë këtu e kuptojnë se ç’është thënë në frazën e mësipërme. Ndoshta MUND të dukej normale në një konferencë shkencore o në një ambjent të caktuar, por kur gegët dhe ortodoksët qahen edhe nga standarti, si mund të marrin vesh një të folur të tillë?!
Problemi është se sa e ka të nevojshme shqipja të “pasurohet” me fjalë të tilla? Fjalë që jo vetëm nuk e bëjnë më të rëndësishëm snob-in e rradhës, por dëshmojnë për injorancën (mungesën e formimit) të këtij lloj folësi në gjuhën shqipe.
Problemi është se problemet nuk janë zgjidhur kurrë në skenën e estradës. Më gjej një shembull të dikujt që flet ashtu, dhe diskutojmë; përndryshe, nuk mund të sajojmë shembuj, për të vërtetuar drejtësinë e tezës sonë!
Xhaxha, të betohem, dhe e them me sinqeritet, unë kam probleme me gjuhën e folur në televizionin shqiptar gjatë lajmeve. Jo se kam probleme me veshët, por shpesh, nuk arrij të kuptoj se përse bëhet fjalë (deri sa shikoj figurat) apo sa të pyes mbesat se çfarë u tha.
Jo se do ta kisha më kollaj po të transmetoheshin lajmet në gjuhën e Mujit, se as atë nuk do e kuptoja xhanëm, por dreqi ta hajë, me aq serbisht sa di arrij të kuptoj se ç’thuhet në lajmet e Beogradit dhe të kem probleme me “zhvillimin” e shqipes?
Edhe unë shqetësohem! Dhe vras mendjen se ç’mund të bëhet… Por rrugëdalja që propozojnë puristët nuk më bind, përkundrazi – më duket se veç do ta rëndojë gjendjen. Unë vetë problemin e fjalëve të huaja e zgjidh në rrafshin vetjak, ose në ligjërimin tim, me aq sa mundem. Rezultati që arrij varet, në analizë të fundit, nga kompetenca ime leksikore, ose nga njohja që kam për shqipen. Për ta thënë ndryshe: unë mendoj se fjala duhet të dalë shqip, jo të dalë e huaj dhe pastaj të zëvendësohet, me një operacion të llojit kozmetik. Zëvendësimi, i kryer në nivelin e ligjërimit, më duket pervers, ose përçudnues për gjuhën; sepse e kthen shqiptarinë gjuhësore në fasadë, ose suva.