Në kumtesën e saj me titull A JANË TË LIRË TË SHKRUAJNË GJITHË SHQIPTARËT? mbajtur në Konferencën “Gegnishtja sot”, të organizuar nga Instituti për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe, Ledi Shamku-Shkreli u ndal në disa çështje kritike të qasjes së fëmijëve të shkollës ndaj gjuhës së shkruar. Kumtesën, e cila është relativisht e gjatë dhe teknike, e kam ngarkuar në blog dhe mund ta lexoni duke klikuar në linkun më lart; ndërkohë, dua të tërheq vëmendjen tuaj dhe, mundësisht, të nxis një debat në lidhje me pasazhin e mëposhtëm, i cili më duket veçanërisht me interes, në raport edhe me disa tema të cilave u jemi kthyer e rikthyer këtu në PTF.
Thotë autorja:
Mund të thuhet pa mëdyshje se te nxënësit liria e shkrimit nuk ekziston asfare. Pavarësisht nga përkatësia e tyre gjuhësore parashkollore, shkolla i edukon ata vetëm dhe vetëm me Gjuhën Standarde. Afërmendsh kështu duhet të jetë për lëndët si fizika, matematika, apo biologjia, por jo kur është fjala për lëndën e gjuhës e të letërsisë. Nxënësi shqiptar duhet t’i njohë mjetet burimore të shqipes, vlerat shprehëse, standard ose jo, që kanë formuar shtratin historik të gjuhës së tij amtare, pasi kësisoj mund të kuptojë e të shijojë përftesën artistike dhe dokumentore që kjo gjuhë ka sendërtuar ndër shekuj, pra vetëm kështu mund të njohë qetë dhe saktë, pa romanticizëm me sfond ksenofobik apo pragmatizëm të tipit kozmopolit, identitetin e tij historiko-kulturor. Atë identitet vijimor që nuk lind as me “njeriun e ri” të socializmit, e as me fitoren e pluralizmit në vitet ’90. Lidhur me këtë, politikat gjuhësore në Europë janë të qarta. Ilustrim i kësaj është edhe vërejtja që bëri gjuhëtari Tullio De Mauro në takimin e mbajtur në Akademinë e Shkencave në tetor 2005 në Tiranë, kur duke folur për aspekte të edukimit gjuhësor ndër shkolla, tha se: “Duhet të jemi të kujdesshëm për të njohur realisht se cila është pasuria gjuhësore me të cilën fëmijët nisin shkollën. Është thelbësore të mos u kërkojmë atyre që të flakin tutje si të ishte një faj atë çka ka qenë mënyra e tyre e parë e të folurit. Vetëm kjo mënyrë do t’u ofrojë në të ardhmen burime për të luftuar mungesën e të shprehurit”[1]. Fjalët e mësipërme, të shoqëruara aty për aty me lëvizje pohuese koke, u pasuan nga mosveprimi (si përgjigje e problemit).
Shkojmë më tej. Për një edukim gjuhësor sa më efikas, sikundër e kërkon gjuha amtare, nuk mjafton vetëm që nxënësi t’i njohë mjetet e mbarëshqipes, por ai duhet lejuar e madje nxitur që të provojë t’i përdorë ato në kodin e tij të shkruar – fjala vjen gjatë një hartimi apo sprove letrare, pasi të praktikuarit vë në provë aftësitë e tij të lira përzgjedhëse.
Këtu del faqeza një tjetër problem i cili qëndron para shkollës sonë, kësaj radhe i formimit universitar të studentëve – kandidatë për mësues të gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Ta zemë se nxënësi, duke u nisur nga njohuritë vetjake apo nga përkatësia e tij krahinore, zgjedh të shkruajë në normën parastandarde toskë, apo në normën parastandarde gegë, apo gjithë sipas shijeve personale të shtjerë në punë një sistem të përzier normativ, të cilin n’atë rast e gjykon më efikas për të formësuar krijimin artistik. Ta zëmë pra se nxënësi mundet prej vetiu; cili mësues i sotëm do të ish në gjendje t’ia korrigjonte gjuhësisht krijimin?
Sot kjo është e pamundur, pasi në formimin universitar të mësuesve të ardhshëm ka munguar krejt dhe mungon sot e gjithë ditën lënda e Filologjisë Shqipe. Studentëve të Gjuhës dhe të Letërsisë u jepet dhe u kërkohet vetëm Praktikumi Drejtshkrimor i Gjuhës së Sotme Shqipe. Natyrisht që diturinë në fjalë nuk mund t’ua përmbushë as lënda e Dialektologjisë e as ajo e Gramatikës Historike, pasi gjithkund në botë këtë formim e realizon Filologjia. Jo më kot studentët e Shqipes pranë Universiteteve të Shën Petërburgut apo gjetiu, gjatë gjithë vitit të fundit të studimeve universitare kryejnë (në një cikël të plotë njëvjeçar) lëndën e filogjisë së gjuhës shqipe, përmes së cilës mbërrijnë të njohin në teori dhe praktikë të dyja koinetë letrare parastandarde: toskë dhe gegë. Kësisoj studentët në Rusi, në këtë kuptim, e njohin gjuhën tonë më mirë se studentët në Shqipëri (?!)
Në përfundim të kësaj parashtrese, del vetiu se shqiptarët nuk janë ende të lirë të shkruajnë. Jo vetëm kaq, por shkolla shqipe vijon të rrisë qenie gjuhësisht të kufizuara, që do të thotë edhe kulturalisht, estetikisht edhe etikisht të kufizuara, dhe ky është dëmi më i madh i një politike gjuhësore, në rastin më të mirë, indiferente. Duke kufizuar gjuhën, kufizohet vetiu edhe mendimi, se, sikundër thotë edhe Nietzche, “nëse duam të dalim jashtë qelës së gjuhës, duhet të reshtim së menduari”.
Kështu, mënyra e vetme për t’u kthyer shqiptarëve lirinë e shkrimit është rikalibrimi i kursit të politikës gjuhësore ndaj shqipes-gjuhë amtare nëpërmjet :
- Organizimit të kurseve të riaftësimit për mësuesit e gjuhës dhe të letërsisë, sidomos për ata që japin mësim ndër shkollat e trevave gegë, ku nxënësit e nisin edukimin e tyre arsimor nga një bazë gjuhësore tipologjikisht e ndryshme nga gjuha standarde.
- Themelimi i lëndës së Filologjisë së Gjuhës Shqipe pranë departamenteve të shqipes në universitet e vendit e ku të përfshihet studimi i tri koineve letrare të shqipes: gege, toske dhe arbëreshe.
- Rishikimi i teksteve shkollore të gjuhës, të leximit, të letërsisë si edhe antologjitë letrare, në mënyrë që të mos mbushen fletët, sikundër sot, me stërhollime të tepërta metagjuhësore apo me pragmatizëm vorfnor e të njëanshëm (në aparatet shpjeguese të copave letrare).
Në vështrim të parë, shumëkush do të ketë të njëjtin reaksion epidermik si unë ndaj kësaj analize dhe do të kundërshtojë me argumentin se shkolla nuk është vendi më i përshtatshëm për të ushtruar lirinë e shkrimit, meqë në shkollë nxënësit shkojnë, ndër të tjera, edhe për t’u disiplinuar nga ana gjuhësore, duke qenë kjo disiplinë një nga hallkat e kalimit nga komuniteti lokal në qytetari; dhe se, nga pikëpamja thjesht teorike, një fëmijë ose edhe nxënës qoftë, nuk mund ta ushtrojë lirinë e të shkruarit, sa kohë që të shkruarit vetë nuk është ndonjë aspekt i natyrshëm i gjuhës, por një veprimtari kodifikuese artificiale, e cila në raste të caktuara (gjuhët ideografike, si kinezçja e deri diku japonishtja, por edhe gjuhët që ndjekin parimin historik të drejtshkrimit, si anglishtja e frëngjishtja) nuk ka shumë lidhje me ligjërimin e folur, lokal dhe kombëtar; por është një sistem paralel, i cili synon jo vetëm t’u japë mundësi fëmijëve të fillojnë të shprehen me shkrim dhe sidomos të lexojnë tekstet shkollore dhe në përgjithësi informacionin e shkruar, por edhe t’i “zdrukthtojë” këta fëmijë, në mënyrë të tillë që të komunikojnë aktivisht dhe pasivisht në bazë të një standardi gjuhësor çfarëdo (çfarëdo, në kuptimin që të pasurit e një standardi është më i rëndësishëm, shoqërisht dhe kulturorisht, sesa natyra e atij standardi; sikurse në një organizatë adoptimi i një bashkësie rregullash nga anëtarët, qofshin ato edhe të këqia ose të mangëta, është më i mirë për organizatën vetë dhe statusin e anëtarëve të saj sesa të mospasurit e ndonjë sistemi rregullash).
Nga ana tjetër, autorja ka doemos të drejtë kur përshkruan vështirësitë relative të bashkësive gege, sidomos gege verilindore dhe veriperëndimore, për të përvetësuar shkrimin e shqipes standard, i cili nga njëra anë pretendon të jetë fonetik nga natyra, por nga ana tjetër i largohet mjaft mënyrës si shqiptohet e në përgjithësi si flitet shqipja nga ato bashkësi. Paradoksalisht, parimi fonetik i drejtshkrimit të shqipes, i cili duhej të ndihmonte dhe në fakt ka ndihmuar shqiptarët që të mësojnë shpejt e pa vështirësi shkrim e këndim, fillon të pengojë kalimin e rrjedhshëm nga dialekti në standard, për ato dialekte që i shmangen standardit jo vetëm në forma individuale, por edhe në strukturë (p.sh. gegërishtja me hundoret, ose grupin -ue, ose ekonomizimin e theksuar të ë-ve, sa për të sjellë ndonjë shembull të shpejtë).
Në këto rrethana, Ledi Shamku-Shkreli propozon një sistem të diferencuar të alfabetizimit shkollor, sipas krahinave dhe veçorive dialektore, i cili nuk mund të zbatohet, veçse nga një shtresë mësuesish të përgatitur në filologji të krahasuar dhe me njohuri të mira për historinë e shkrimit shqip dhe të varianteve letrare – shtresë e cila sot për sot nuk ekziston në Shqipëri, çka e bën propozimin e autores të pazbatueshëm në praktikë.
Megjithatë, sistemi i diferencuar mund të testohet në shkolla eksperimentale, në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, meqë 4-5 mësues të përgatitur dhe të përkushtuar do të gjenden. Ashtu do të shihet edhe nëse kalimi i ngadalshëm nga e folmja në standard, me ndërmjetësinë e formave variante dhe të teksteve në variante letrare alternative, do të ndihmojë apo jo integrimin e fëmijëve në kulturën dhe qytetarinë kombëtare, e cila parakupton edhe përvetësimin e plotë funksional të standardit vetë.
Gjithnjë për mendimin tim personal, vështirësitë për përvetësimin e standardit janë më shumë kulturore sesa gjuhësore, veçanërisht në rrethanat kur fëmijët u ekspozohen mass mediave (televizionit) i cili u flet pareshtur në gjuhën e njësuar të Tiranës dhe u shërben si ndërfaqe për t’u lidhur me qendrën. Them vështirësi kulturore, madje edhe sociale, pasi ato zona të gegërishtes veriore (përfshi këtu edhe Kosovën) ku ndeshet edhe rezistenca më e madhe ndaj standardit, janë zonat më të izoluara dhe më të prapambetura të trevave shqiptare në Ballkan. Këtu bën përjashtim, natyrisht, qyteti i Shkodrës dhe shkodranishtja, si e folme dhe si variant letrar, meqë bartësit e kësaj alternative jo vetëm gjuhësore, por edhe kulturore ndaj standardit, nuk mund të gjykohen si të prapambetur; refraktarë dhe kulturorisht subversivë ndoshta po, por të prapambetur kurrsesi jo. Në rastin e tyre është më tepër fryma e theksuar lokaliste, e kombinuar me një traditë nga më të spikaturat, madje të shkëlqyerat në kulturën shqiptare (ndonëse edhe ajo shpesh po aq lokaliste sa edhe bartësit e vet), që e ushqen rezistencën dhe refuzimin herë të arsyetuar dhe herë emocional të standardit. Prandaj Shkodra dhe shkodranishtja duan trajtuar më vete, madje edhe në vështrimin e reformës eksperimentale të alfabetizimit, që kërkon të promovojë Ledi Shamku-Shkreli, në kumtesën e vet.
Gjithsesi mendimet tuaja do të ndihmojnë për ta çuar më tej këtë debat; dhe unë veçanërisht do të isha i interesuar të mësoja diçka për eksperienca të ngjashme, në vendet ku jetoni – meqë unë vetë, edhe në Itali dje, edhe në ShBA sot, nuk kam ndeshur në diferencime të tilla.
[1] T. De Mauro në përmbledhjen “Dukuri të shqipes bashkëkohore”, Botime Çabej, Tiranë 2006
Kërkimi i të shkuarit në ekstrem, sidomos kur rrjedha (e gjërave) ka demonstruar që në shtratin aktual funksionon pa krijuar (makro)probleme, në rastin më të mirë mund të na shkaktojë ndonjë buzëqeshje nostalgjike (e kush do ishte ai që nuk do t’i vinin ndërmend fëmijëria e hershme dhe mënyra e komunikimit të përdorur në ato kohëra?!), por që, me gjithë respektin për L.Sh (që nuk është në rangun e analistëve të përditshëm të TCH), këto pretendime për të ngritur në nivel mbarëkombëtar problemet lokale, më duken absurde.
Në çdo sistem, bashkësi, fenomen apo dukuri , entropia e çon atë drejt një farë ekuilibri të qëndrueshëm… procesi i arritjes së këtij ekuilibri, i natyrshëm apo i sforcuar qoftë, ka kërkuar një farë energjie, energji e cila, në bazë të ligjeve të termodinamikës, jo e tëra mund të shndërrohet në punë të dobishme(një pjesë e energjisë humbet në formë nxehtësie për shkak të forcave të fërkimit, p.sh)
Duke i ndenjur asaj çka thoja më sipër, në atë “energji të humbur” gjatë procesit të ekuilibrimit të entropisë në rastin e gjuhës standarte, bën pjesë (me, apo pa keqardhje) edhe ndonjë lokalizëm, sado i çmuar qoftë.
P.s: Meqë qënkam zgjuar me fizikë sot, propozimin e L.Sh, do e krahasoja me dëshirën e ndonjë romantiku që ka në dorë një cope metali e të dëshironte/ëndërronte që ta rikthente në një copë gur/minerali… vetëm sepse aspekti/pamja e gurit të mineralit mund të jetë shumë më e bukur se ftohtësia me të cilën paraqitet sopa e metalit.
Natyrisht, propozimet e L.Sh nuk shkojnë deri në absurditetin e kërkimit të rikthimit në gjëndjen fillestare (metal-mineral) sepse do ishte e pamundur, por gjithsesi, edhe sikur propozimet e saj të merreshin me ndonjë shembull tjetër (p.sh: rikthimin e grimcave të parfumit të shpërndarë në një ambient në kontenitorin që i mbante), jo dhe aq të parealizueshëm teknikisht, ato do të kërkonin një energji shumë herë më të madhe se ajo që ka çuar në ekuilibrin aktual.
Në këtë pikë lind pyetja: A ja vlen barra qeranë?!
Meqe mua me intereson me shume premisa ideologjike, po veçoj keto pjese:
1- Nxënësi shqiptar duhet t’i njohë mjetet burimore të shqipes, vlerat shprehëse, standard ose jo, që kanë formuar shtratin historik të gjuhës së tij amtare, pasi kësisoj mund të kuptojë e të shijojë përftesën artistike dhe dokumentore që kjo gjuhë ka sendërtuar ndër shekuj, pra vetëm kështu mund të njohë qetë dhe saktë, pa romanticizëm me sfond ksenofobik apo pragmatizëm të tipit kozmopolit, identitetin e tij historiko-kulturor.
2- Duke kufizuar gjuhën, kufizohet vetiu edhe mendimi, se, sikundër thotë edhe Nietzche, “nëse duam të dalim jashtë qelës së gjuhës, duhet të reshtim së menduari”.
Me duket se kemi nje perpjekje per rikthim tek rrenjet, jo vetem para soserizmit kozmopolit por edhe para Rilindjes.
Niçen e ka futur si pyke, se mund ta niste me Aristotelin duke e perfunduar tek Hajdegeri pa futur fare Niçen, i cili nuk e ka patur si shqetesim paresor gjuhen, per me teper qe kjo shprehje e veçuar, jashte konteksit, ngjan si me fjalet e urta te Maos.
Tani nese duhet te flasim per rrenjet, atehere duhet te nisemi nga aksioma se shqipja ishte ‘nje’, pastaj u nda ne dy dialekte e keto ne nendialekte apo te folura, te folme.
Ne çeshtjen e rrenjeve, zonja Shkreli, tregohet tendencioze dhe sofistike, pasi e ndal kerkimin tek nendialektet.
Mirepo nese do ta krahasonim gjuhen me nje bime, nendialektet jane deget, keto nga vete natyra e ‘se kultivuares’ (si kundervenie ndaj se egres) duhet te shartohen, qe bima te rritet e shendetshme, ose thjesht per qellimin qe kemi(nese e duam te larte do i presim deget anesore, qe te mos zgjerohet, nese e duam te gjere do i presim kercellin ose deget e larta qe te mos marre perpjete).
Zonja Shkreli ne fakt, duke ngaterruar rrenjet me deget, na çon tek pranimi i gjese se eger, sepse nese do te lejohej zhvillimi i çdo nendialekti te shqipes, atehere do te krijohej nje mish-mash letrar, sikunder do te ishte Rilindja nese ne vend te zhvillimit te disa nendialekteve, do te kishim vepra nga te gjitha krahinat e Shqiperise.
Sot, kur te gjitha krahinat mund te perfaqesohen ne letrat shqip, sepse ka njerez nga çdo krahine qe dine te shkruajne, ky rikthim tek nendialektet do te ishte nje rikthim ne te egren, ose devoluim.
Mua me duket se gjithe kjo mbrojtje e nendialekteve shqiptare, sado te mira te jene qellimet, nuk do beje gje tjeter, perpos rikthimit te çeshtjes se cili nga nendialektet e zhvilluara, duhet te kete perparesi politike.
Deget qe luftojne me njera-tjetren se cila do perfaqesoje politikisht bimen, pemen.
Nderkaq, sipas te gjitha gjasave meqe rolet e qyteteve kane ndryshuar, nje zhvillim i lire i degeve, shkodranishtja brenda nje kohe shume te shkurter, do i nenshtrohej nga sasia e cilesia e se shkruares, gegerishtes se Tiranes e asaj te Prishtines, sepse keto si qytete qe kane kapercyer 500 mije banore, kane aq shume foles e njerez te pergatitur saqe prodhimi i shkodranishtes do ishte i paperfillshem.
Brenda 20 vjetesh, shkodranishtja do mbahej me emrat e se shkuares dhe do ngriheshin intelektualet e Tiranes e Prishtines duke pretenduar qe nendialektet perkatese te kishin perfaqesimin e tyre ne standart, ne mos te ishin vete standarti.
Pastaj, si reaksion do te kishim laberishten, myzeqarçen e korçarçen, qe si te folura secila nga qindra mije banore e te perfaqesuara nga qytetet e medha te jugut, Vlora, Korça,Berati, Fieri, do pretendonin futjen e specifikave te tyre ne standart (kolonjarçja e gjirokastritçja, pavaresisht prestigjit historik, ashtu si shkodranishtja, do i nenshtroheshin ligjit te numrit).
Hajde pastaj te flisje me per standart.
Prandaj per mua premisa ideologjike eshte per t’u hedhur poshte (sikunder e kane hedhur poshte ata qe merren me kete pune si ne Shqiperi ashtu edhe ne Kosove).
Nga ana tjeter, lidhja e gjuhes me mendimin, vertet eshte e pazgjidhshme, mirepo nuk mund te thuash dua nendialektin tim qe te mendoj ne plotesine e fjales mendoj.
Kur filozofet lidhin fjalen me mendimin, nuk e drejtojne çeshtjen tek ai qe ne populli i thjeshte quajme mendim, por tek mendimi filozofik (apo artistik) origjinal, keto qe ne populli i thjeshte quajme mendim, i kane menduar ata para nesh, aq sa mendim origjinal pothuaj s’ka fare, ta kerkosh me qiri, ne pothuaj jemi surrogate te atyre qe qene apo qe jane, ne thelb pergatitja e njeriut eshte nje proçes kopjimi.
Prandaj e gjej te pavend, thirrjen ne teme te lidhjes filozofike te gjuhes me mendimin, kur flitet per masat.
Si perfundim, nese duam te flasim per identitet historiko-kulturor, duhet te kemi parasysh qe ai krahinor, nese nuk kultivohet si pjese perberese dhe e neshtruar ndaj atij kombetar, i ngjan qenit te terbuar qe s’njeh te zone e normalisht i zoti e kap, e fut ne thes dhe e hedh ne lume (gjtihnje nese s’ka çifte ne shtepi).
“Duhet të jemi të kujdesshëm për të njohur realisht se cila është pasuria gjuhësore me të cilën fëmijët nisin shkollën. Është thelbësore të mos u kërkojmë atyre që të flakin tutje si të ishte një faj atë çka ka qenë mënyra e tyre e parë e të folurit. Vetëm kjo mënyrë do t’u ofrojë në të ardhmen burime për të luftuar mungesën e të shprehurit”
Megjithse autoria e citon si diçka mjaft të rëndësishme, mua s’më duket se shkolla shqipe mund të ketë krijuar permesa alarmante për ta përligjur një shqetësim të tillë ( siç mund të kenë qënë gjobat 50liretëshe për ata që përdornin dialektin në shkollat italiane, apo kërcënimet/ndëshkimet fizike/psikologjike që ju bëheshin fëmijëve shqiptarë, që shprehnin ndonjë element të kulturës shqiptare që nuk pranohej nga ortodoksia, në shkollat greke).
Edhe diçka tjetër. Që të pretendosh që të fusësh studimin e dialekteve në shkolla, me këtë nuk bën gjë tjetër vetëm vrasjen (ose vetvrasjen) e dialektit. Kjo për të vetmen arsye, sepse, edhe sikur ta marrim të mirqënë që një dialekt i veçantë do të kishte mundësitë (kulturore e financiare) të hidhte bazat shkencore leksikale, pra, të ngurtësohej në një standart të dytë, ai sërish nuk do ishte përfaqësuesi besnik i dialektit të të gjithë dialektfolësve. Dhe këtu nuk e kam me ndryshimin dialektor ndërmjet gegëve të Tiranës me ata të Shkodrës, por edhe ndërmjet vetë shkodranishtes qytetare me shkodranishten e dikujt që jeton në rrethinat e Shkodrës apo në Luf të Pukës.
Kjo që thotë Shamku është e dobët për t’u pranuar dhe për ta bërë më të qartë po sjell një shembull më ekstrem: është si t’ju thuash minoritarëve që në shkolla duhet të studiojnë në dropullitshe dhe jo në gjuhën greke.
Do të pajtohesha me Shamkun, dhe cilido qoftë, që përkrah, mbështet dhe përpiqet që traditat kulturore lokale si dialekti, shprehjet e urta dhe proverbat, letërsia e gojdhënat, këngët dhe pse jo dhe lojërat e humori, të ndërthureshin në programet shkollore e/o jashtëshkollore, si elementë pasurues që janë në formimin kulturor të përgjithshëm.
Zotërinj bashkëbisedues,njohës të blogut
ndijimi,dija,ndërgjegjia,mendimi,klithma,artikulimi,qipërimi(shqiptimi)shkrimi,numërimi GJUHA etj….etj janë stacione,vendqendrime te informacionit në ecurinë e tij ,të përhapjes në kohë dhe në hapsirë ne forme kodesh.
Kodet te cilat bartin 99.99% të informacionit në gjuhën shqipe njihen si bashkëtingëllore.
Gegnishtja ,tedenca fonetike e të cilës është me na gëlltitë këto burime informacioni (bashktingëlloret ) dalëngadalë ,pas ndonjë shekulli do të shkëputet krejtësisht nga pikënisja e saj.
shikoni nji krahasim
duke kënduar (toskërisht)
tui knue (gegënisht)
Prej këtyre kodeve të cilat ruhen sot vetëm në gjuhën në formën fillestare kanë derivuar gjuhët latine,sllave,dhe ajo greke ose ato I.E
Ky…..
Nuk di se c’behet tani me tekstet neper shkolla, por mbaj mend qe ne lenden e letersise shqipe, ne gjithe ciklin shkollor, ishin te perfshira ne program poezi dhe proza te shkruara jo ne standard. Kam parasysh poezite e Mjedes apo prozen e Migjenit. Asgje nuk pengon (dhe ma merr mendja duhet te jete bere deri tani) qe ne programet e letersise te perfshihen autore te tjere, edhe me te spikatur ne perdorimin e dialekteve ne letersi. Them se kaq njohje me dialektet eshte mese e mjaftueshme per gjithe ato “shqetesime” per njohjen e femijeve me dialektet dhe aftesine e tyre per te shkruar eventualisht ne to. Perndryshe i bie qe ne cdo fshat a lokalitet te mesohet gjuha qe i pelqen kushedi se kujt ne seksionin e arsimit.
Katedrat e Dialektologjise jane tjeter gje fare, nuk kane lidhje me arsimimin e femijeve ne gjuhen standarde. Sic nuk kane lidhje as citimet e Nices, apo gjuhetareve italiane, a ku di une kush tjeter. Per cdo argument mund te sillen citime e shembuj. Logjika ta do qe nje komb i unifikuar ka nevoje per gjuhe te unifikuar ne sistemin e arsimit, medias etj. Letersi dhe teorizime mund te behen ne cdo lloj dialekti, nuk i pengon asgje. Standardi jo, te pakten.