Me rastin e suksesit të sopranos Ermonela Jaho në Britaninë e Madhe, gazeta MAPO kish botuar, të përkthyer, një shkrim të Michael Church, nga The Independent, ku ndër të tjera gjendej ky xhevahir:
“Kur Anna Netrebko të rikthehet në këtë rol më 17 janar do të ketë këpucë të mëdha për të mbushur.
Një komentues te PPU e kapi menjëherë notën rëndshëm të stonuar të tekstit më sipër, duke kërkuar, me të drejtë, “mëshirë për shqipen.”
Në vështrim të parë, edhe unë kujtova se përkthyesi kishte dhënë, fjalë për fjalë ose literalisht, shprehjen frazeologjike have big shoes to fill, e cila do të thotë “të përballesh, në detyrën e re, me arritjet e pazakonshme të kujt të ka paraprirë”.
Mirëpo mbeta pa fjalë, kur lexova origjinalin, te faqja e The Independent:
When Anna Netrebko returns to this role on January 17, she’ll have a hard act to follow.
Meqë përkthyesi anonim i MAPO-s kish marrë një shprehje idiomatike të anglishtes: to have a hard act to follow dhe e kish përkthyer me një shprehje pseudoshqipe, kam këpucë të mëdha për të mbushur, që rimerr, literalisht, një shprehje tjetër idiomatike të anglishtes, have big shoes to fill, e cila luan në këtë mes rolin e një ndërmjetësi fantazmë.
Natyrisht, në shqipe nuk themi kam këpucë të mëdha për të mbushur, sepse në shqipe këpucët mund t’i mbushim me rërë, me verë, me guriçka ose me karamele, por jo me “këmbë”; dhe në përgjithësi, nuk e kemi kryemetaforën KËPUCË = ROL, e cila në anglishten moderne shfaqet, përveç se në fill someone’s shoes, edhe në in someone else’s shoes, waiting for dead men’s shoes, put oneself in someone else’s shoes, step into someone’s shoes, wouldn’t want to be in someone’s shoes, the shoe is on the other foot etj.
Edhe ky është një lloj huazimi – vetëm se jo leksikor, por kuptimor; marrim nga gjuha tjetër, si të thuash, teknikën e përfytyrimit të sendeve, jo emrat e tyre. Ndonjëherë, përftesa quhet kalk, edhe pse ne më shpesh quajmë kalk përkthimin pjesë-pjesë të një fjale nga një gjuhë tjetër: sotto-scrivere -> nën-shkruaj.
Ndoshta më mirë ta quajmë sindroma olio con mare këtë lloj kalku të metaforës gjuhësore.
Natyrisht, të thuash që dikush “do të ketë këpucë të mëdha për të mbushur” do të thotë që të të mungojë edhe ndjesia më elementare e gjuhës shqipe; mirëpo lexuesi që nuk e bën lidhjen me anglishten, mund ta kapë shëmtinë nga sikleti që e përfshin, por jo përtacinë e huazimit kuptimor.
Në të vërtetë, këto farë huazimesh nuk janë aq të dukshme sa ato leksikoret, që rregullisht u tërheqin vëmendjen zelltarëve dhe inkuizitorëve në miniaturë, të cilët rrallëherë ngurrojnë që t’ua vënë autorëve në dukje (“ke përdorur një fjalë të huaj!”). Mirëpo fjala e huaj, të paktën, ka meritën që e deklaron haptazi identitetin e vet; nuk futet në gjuhë me dokumente të falsifikuara, ose me këpucët e mëdha të Ermonela Jahos.
Madje unë do të shtyhesha deri aty sa të thoja se dukuri si kjo më lart e gjymtojnë shqipen më thellë e më tradhtisht, sesa huazimet leksikore; meqë sistemi imunitar i gjuhës, për ta thënë me një metaforë nga biologjia, nuk i njeh dot si të huaja e nuk i lufton dot aq lehtë.
Me interes të veçantë është edhe përkthimi i një idiome të anglishtes, në shembullin më lart me një idiomë tjetër, sërish të anglishtes, por të maskuar si shqipe; por me interes ngaqë na thotë diçka për përkthyesin qyq, që me siguri jeton, ose të paktën ka jetuar gjatë, në një mjedis të nginjur me anglishte; dhe aq shumë është depërtuar, kolonizuar dhe “folur” prej anglishtes, sa kjo i ka depërtuar tashmë përfundimisht në strukturat metaforike të mendimit; në një kohë që shqipja i është degraduar në stuko të rrjepur.
Ky përkthyes është i pashpresë – edhe pse mund të kontribuojë diçka duke përkthyer në kah të kundërt, duke iu ruajtur dukurisë komike të olio con mare ose cane figlio di cane, me të cilën jemi lodhur së qeshuri të gjithë.
Tani po qesh duke keputur koken time…
ndoshta me mire dhe me e holle si loje do ishte:
I am laughing with tears.
Pavaresisht nga shakate, besoj se problemi i perkthimeve ne shqip eshte nga problemet me te medha qe kane botimet tona sot. Ne shumicen e rasteve eshte absurde te lexosh letersi te perkthyer.
Diskutim i vjetër, i bërë edhe këtu në PTF, rreth diatribës përkthyes-shqipërues.
Kjo nxjerr në pah edhe një herë, se, një përkthyes i mirë nuk është ai që zotëron shumë mirë gjuhën e huaj, por ai që i zotëron mirë që të dyja gjuhët… madje, edhe kjo në vetvete është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm, nëse kultura e përgjithshme e përkthyesit/interpretuesit nuk ka një bagazh të mjaftueshëm për të ditur/kuptuar atë çka po thotë/trajton në përkthimin e tij, atëhere kemi vetëm një përkthim automatik të thatë e të pakuptueshëm .
Përndrysh, përveç se me olio con mare do të ndeshnim edhe qindra raste të tjera … për vehte qesh gjithnjë si budalla me një përkthim të bërë dhe në gjuhën shqipe të një paralajmërimi në hyrjen e një firme ku shkoj për punë dhe që thotë: “Çdo gjysëm duhet të manovrohet nga një person beqar” (“Ogni mezzo deve essere adoperato da una singola persona”, ku shqipërimi duhet të ishte: “Çdo mjet duhet të përdoret vetëm nga një person”)
Dikur mora ta shfletoj ne nje librari botimin shqip te romanit “The kite runner” – perkthyer me titullin “Gjuetari i balonave” – dhe nder faqet e para lexoj perkushtimin e autorit: […per filanin, qe eshte noor i syve te mi!]. “Noor” me shkrim kursiv. Nori i sat’eme! – thashe. Vaj halli t’i ishte kushtuar “Nooriya-s, bijes se Nooreddin-it, qe ndriti ne kete jete si noor-i i kometes hallej e shpirti iu be noor asaj nate vere nen noor-in e henes katermbedhjeteshe”! Te gjitha me kursive.
Ambassadorial Italian ne nje takim me nje minister I shpjegon pse filan projekt nuk do financohet dhe pastaj shton “l’ambasciatore non porta pena” ndersa perkthyesja thote gjithe gezim “ambasadori nuk ka stilograf”
Nje gazete listonte nje numer gjerash qe grave nuk ju pelqenin kur I benin burrat. Pika 24 thoshte “nuk na pelqen kur na vishni nga poshte” Ashtu ju kish dale perkthimi per “dress down.
Dhe e fundit qe me thone eshte ne mode tani “went for wool.” Qe I shkon shume mire cilesise se perkthimeve sot.
Keto jane barcaleta, por realisht eshte shume veshtire te hapesh nje perkthim tani dhe mos te te marre te qaret.
Sapo lexova kete perkthim shqip te “have a better understanding” (ne fuqi te trete) , nga nje interviste e Arvizu-t per ‘Top Story’.
“Mendoj që një nga gjërat që jam i kënaqur është se zoti Rama dhe unë kemi një kuptim më të mirë për njëri-tjetrin dhe mendoj se Rama ka një kuptim shumë më të mirë se si SHBA sheh situatën, pritshmërinë e SHBA-së prej tij si lideri i opozitës, mendoj që ka një kuptim më të mirë në marrëdhëniet tona.”
Ja edhe përkthimi i shqipes më lart nga Google Translate:
Anglishtja e Google-it është më e qartë se shqipja.
xhaxha…vertet interesant e qartesues eksperimenti yt me lart. Nje prove si kjo madje mund t’u sherbente fare mire perkthyesve per te pare se c’pune kane bere.
Para pak castesh miku im me solli kete shembull po ashtu interesant qe lidhet me kercimin e tekstit nga nje dyshek gjuhesor tek tjetri, dhe me cudirat qe mund te ndodhin ne procesin e perkthimit:
“We had just come out of the tunnel of Bunga Bunga,” writes blogger Caterina Soffici on Il Fatto Quotidiano and quoted in the Guardian. “We were just drawing that little, relieved breath that would enable us to toil again up the hill to international credibility. But [now] … We’ve gone straight into the Titanic nightmare [and] Italy is once again the laughing stocking of foreign newspapers.”
Pra, me siper kemi nje perkthim nga It. ne angl. bere nga The Guardian. Do duhet te mendonim se perkthimi ne angl. eshte bere ose nga nje anglishtfoles i lindur ose nga nje qe e njeh mire gjuhen. Por jo: ka shume mundesi te jete bere nga dikush qe njeh mire italishten, por jo edhe aq anglishten. Keshtu “laughingstock” ne anglisht, eshte transformuar ne “corapen qe qesh”, sespe perkthyesi e di kete shprehje/fjale angl. gabim. Kjo u ndodh te gjithe folesve te nje gjuhe te huaj, por kur nje perkthyes serioz ben dicka te tille, behet vertet “corapja qe qesh” pastaj. Ne fakt, personi qe me terhoqi vemendjen eshte anglishtfoles i lindur, dhe po shkrihej me imazhin realist per Italine qe i krijoi ne mendje kjo humbje ne perkthim.