Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

AI NUK ISHTE AJO

Vetëm Google u tregua i vëmendshëm ndaj tij dhe i kushtoi një doddle në fillim të këtij muaji. (Imazhi i Emës në motorin e kërkimit, këtu majtas). E megjithatë u mbushën 190 vjet nga lindja e Gustav Floberit. Një nderim madhështor, që ai e meriton.

Thuhet se për librin e tij Madame Bovary, ai shkroi 4456 faqe, nga të cilat në vepër mbetën 470.

Dhe kur flasim për personazhin e tij të famshëm në mënyrë të përbotshme njihet shprehja:  Madame Bovary, jam unë. Dhe kjo kudo. Në çdo vend të botës. Edhe në Francë. Pyetni francezin e parë që do të ndeshni në rrugë dhe ai do të hiqet sikur ju rrëfen një sekret të familjes se shprehja është tamam e Floberit.

E megjithatë, ai jo vetëm që nuk e ka shkruar, por ka të ngjarë që as e ka thënë një gjë të tillë.

Eshtë René Descharmes biografi i tij i parë, që e përmend një gjë të tillë, plot njëqind vjet më parë. Megjithatë ai jep një burim të informacionit të tij. Flet për një grua që njihte, e cila nga ana e saj e kishte dëgjuar nga goja e Amelie Bosquet, një grua tjetër që kishte korrespondencë me Floberin, e cila nga ana e saj thotë se e kishte pyetur disa herë stilistin e madh se cila ishte personazhi i tij. Dhe ai i qe përgjigjur : « Zonja Bovari… jam unë ! … Sipas meje ! »

Më 1935 historiani i  letërsisë , Albert Thibaudet e rimerr këtë shprehje dhe e paraqit si të « sigurtë ».

Një vit më vonë një studiues tjetër, J. Nathan shprehet se e ka gjetur këtë shprehje te korrespondenca e Floberit, por pa dhënë asnjë referencë. E çfarë të jepte, nuk kishte asgjeë për tê dhënë.

Diku në mesin e viteve ‘80 André Maurois e paraqit thënien e përfolur  si të vërtetë dhe në sajë të autoritetit akademik që gëzonte, askush nuk e vuri në dyshim.

Natyrisht, sot ka shumë që e dinë se nuk ka asnjë të dhënë të besueshme që shprehja t’i atribuohet Gustav Floberit, e megjithatë ajo vazhdon të përcillet nga antologjia në antologji.

Pierre-Marc de Biasi, mbase specialisti më i mirë i tij, njohës gjenetik i Floberit,  siç e quajnë disa, përpiqet t’i gjejë një bazë logjike kësaj thënieje që bën jetë mondane planetare, kur thotë se : …Erotizmi i Zonjës Bovari  që vjen duke u dobësuar, nga dorëshkrimi në tekstet origjinale (ai është i vetimi që i ka kaluar me lupë çdo rresht të dalë nga dora e Floberit) duket i frymëzuar nga përvojat dashurore (të vërteta a të fantazmuara, është e vështirë t’i dallosh, shënim i PMB) të njeriut Gustav Flober… »

Kaq mund t’i afrohesh këtij problemi, jo më shumë.

Së fundi më pëlqen të sjell këtu një shprehje të kritikut Pjer Asulin, që shkruante te Le Monde, para disa vjetësh : Zonja Bovari e vërtetë ekziston dhe …  janë të shumta. Janë të gjitha ato lexuese që turbullohen, madje tronditen nga ky roman.

Pak cinik me gratë, por një mënyrë për të shprehur universialitetin e personazhit.

Pa Komente

  1. Lyss, me sa di une Floberit i atribuohet edhe ajo thenia tjeter:

    “Une do vdes, ndersa ajo kurva Bovari do te jetoje!”

    Nese eshte e vertet atehere nje arsye me teper se ai nuk ishte ajo.

    1. Dhe e keqja eshte se nese per shprehjen e pare ka aq dyshime, per te dyten nuk ka asnje. E shqiptoi me shume maraz ne shtratin e vdekjes dhe e degjuan aq vete!

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading