Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

FJALA E VITIT (II)

Në fillim të vitit të ardhshëm, Shoqata Amerikane e Dialekteve do të shpallë “fjalën e vitit”: ngjarje me rëndësi jo aq për anglishten e Botës së Re, sesa për të kuptuar më mirë natyrën e viruseve (memeve) që kanë infektuar mendjet e amerikanëve gjatë 2011-ës.

Mes fjalëve kandidate për këtë titull të shquar, është edhe occupy, e cila e ka marrë shkëlqimin falë protestave të bujshme në New York City (Wall Street) dhe në qytete të tjera të mëdha anembanë Amerikës dhe botës.

Kur mora vesh për këtë fjalë, më shkoi mendja menjëherë në debatet tona për pushtimin osman dhe sundimin që i erdhi pas, edhe pse këto debate nuk kanë qenë të tilla, që ta bënin foljen pushtoj kandidate për fjalën shqipe të vitit.

Sa për këtë të fundit, po të më linin përnjëmend të zgjidhja, do ta kisha vënë gishtin te vjedhje: si në vjedhje e votës, vjedhje e parave, vjedhje e fondeve, vjedhje e ikonave, vjedhje e shtetit, vjedhje e doktoraturave, vjedhje e energjisë, vjedhje e eshtrave, vjedhje e ideve. Në fakt, po të gjykosh nga mediat, vjedhja është normalizuar tashmë si emërues i përbashkët i marrëdhënieve tona me hapësirën publike, duke fituar gjithnjë e më shumë respekt, në kontekstin antietik të suksesit bashkëkohor. Në fakt, sot po vidhet kaq masivisht edhe sepse mekanizmat e ligjshëm për shkëmbimin e parave, mallrave dhe informacionit janë sabotuar ose prishur tashmë nga “të fortët”.

Krahas vjedhjes, një tjetër kandidate për fjalën shqipe të vitit do të ishte kurban; fjalë që u bë e njohur falë librit best-seller të ish-kryebashkiakut të Tiranës E. Rama. Lexuesi standard ende nuk e ka shumë të qartë se çfarë shënjon pikërisht kjo fjalë me nota e jehona orientale në titullin e librit: kurbanin e përkrahësve folklorikë të L. Bashës me rastin e hyrjes së këtij në Bashki, apo vetë Ramën kryebashkiak dhe kryeopozitar të zgjedhjeve të fundit lokale, që u flijua në altarin e normalitetit dhe të stabilitetit politik të vendit. Shoqërimet mendore herë të vetëdijshme e herë të pavetëdijshme me Qengjin e Zotit (Krishtin), të përforcuara edhe nga fotoja e mrekullueshme e qengjit qerpikbardhë në kopertinë të vëllimit, e shtojnë edhe më pështjellimin ndërfetar – për të mirën e librit vetë.

Përtej festave dhe riteve pagane të kryeqytetit, një tjetër fjalë (ose më mirë togfjalësh) me shanse për protagonizëm do të ishte Rruga e Kombit: edhe për ata që e shohin si çlirim përfundimtar të shqiptarëve në Ballkan dhe katalizator të bashkimit kombëtar, edhe për ata të tjerët, që e shohin më shumë si monument të korrupsionit gjigant të qeverisë Berisha (vjedhje). Kjo vepër ambicioze dhe e rëndësishme ende nuk e ka të përcaktuar statusin e vet: Infrastrukturë apo përmendore? Aortë e shqiptarizmit apo  katedrale në shkretëtirë? Ata që flasin për të, dhe që zihen për të, janë ku e ku më të shumtë se ata që ia kanë parë të mirën.

Një tjetër fjalë që i ka kartat në rregull për t’u marrë në shqyrtim është Piramida; ose ndërtesa e lënë pa zot, në qendër të kryeqytetit, dhe që tashmë shërben veç si shenjë paralajmëruese e një prishjeje iminente. Në imagjinatën kolektive, piramida u referohet strukturave autoritare të pushtetit dhe faraonëve të Egjiptit të lashtë; sikurse u referohet edhe skemave financiare të vjedhjes së parave, në vitet 1990. Mbështetjen kësaj fjale ia sjell, në fakt pak papritur, edhe përmendja e një piramide tjetër, këtë herë të butë, që do të ishte ngritur në sheshin Skënderbej sipas planit rregullues të miratuar, po të mos kishte ndërhyrë kryebashkiaku i tanishëm dhe ta kishte shndërruar sheshin në truall, me një operacion blitz, të cilit i kemi pasë thënë aksion me goditje të përqendruar dikur, e që e la qytetin gojëhapur si për nga shpejtësia e mobilizimi, ashtu edhe për nga mediokriteti i hatashëm i konceptit.

Edhe fjala ambasador ka marrë forcë dhe vlerë të paparë, në mediat dhe në kulturën politike të ditës; duke ia shpërthyer hekurat kafazit tradicional të kuptimit, për të fluturuar drejt kuptimesh dhe përdorimesh të reja. Nëse ambasadori tradicionalisht është përfaqësuesi zyrtar i një shteti të huaj i akredituar pranë shtetit tënd, ky i sotmi në Tiranë është shndërruar më tepër në një gjysmë-perëndi, ose një kimerë e babait imagjinar, mëkëmbësit perandorak, arbitrit të një ndeshjeje wrestling dhe garantit finok të paligjshmërisë së sanksionuar. Në atë masë që liderët politikë shqiptarë mbrojnë e shërbejnë interesa të ndryshme nga ato të zgjedhësve që i mbajnë në pushtet, ndonjëherë madje edhe të fuqive të huaja me interesa në Shqipëri, është afërmendsh që ambasadorët të fillojnë të trajtohen si përfaqësuesit e vërtetë të interesave të qytetarit shqiptar.

Do të ndalesha me kaq; edhe pse ka plot fjalë e shprehje të tjera, si votë, lipotimi, pallat, kapje, shkatërrim, krizë, shantazh, bleu, riciklim, sëmësë, aksident rrugor, euro, vizë, i fortë dhe malok që mund të vinin njëlloj në vështrim. Të gjitha së bashku, këto fjalë kandidate do të na vlenin jo aq për të përpiluar fjalorin e bashkëkohësisë shqiptare të sotme, sesa për të hartuar një tekst të thjeshtë dhe të kuptueshëm, që të na vlente si përmbledhje doracake e monologut të shqiptarëve me vetveten.

Shënim: botuar fillimisht në ResPublica. Për një temë të ngjashme, vjet si në këtë kohë, ka shkruar edhe Pishak Zhgaba.

Pa Komente

  1. Ky shkrim, siç e sqarova në shënimin më lart, u botua në krye te ResPublica. Lexuesi mund ta shohë vetë se është një shkrim i lehtë, publicistik, pa ndonjë pretendim për të trandur dheun, as për ta shpëtuar Shqipërinë. Megjithatë, e çuditërisht, ma pritën me disa komente tepër armiqësore, nga të cilët njërin po e riprodhoj më poshtë (autori është, doemos, Anonim):

    fjala e vitit perzgjidhet jo sipas preferencave ideologjike te opinionisteve por nga gjuhetaret, pasi keta nepermjet programeve speciale kane shoshuar gjithe mediat e shtypura (elektronike) dhe kane perzgjedhur fjalen qe eshte perdorur me shume. Kurban nuk mund te jete kjo fjale. Vete ne librin kurban fjala me e shpeshte nuk eshte kurban por Saliu. E cuditshme qe nej gjuhetar qe jeton ne Amerike, eshte kapur kaq keq ne konstruktet e provinces shqiptare e ne klanet e politkes shqiptare. Si te thuash, me shume mesojme per autorin sesa per fjalen e vitit.

    Sa per fjalen e vitit, ate do vazhdojme ta gjejme me opinione, keto jane te lehta per t’u shkruar, terheqin njerezit, krijojne polemika dhe i rrisin vleren ne tregun e opinionisteve opinionistit. Per te gjetur fjalen e vitit duhet te perdorej programi i permendur ne fillim, nga gjuhetare te specializuar. Por kjo do te thote pune, e puna sot duket gjeja me pavlere: nuk te jep nje vend ne skenen e projektoreve.

    Autori i këtij komenti nuk e vë re, me dashje, se në shkrimin më sipër unë nuk kam përzgjedhur fjalën e vitit, por vetëm kam sugjeruar ndonjë fjalë që, sipas mendimit tim, e meriton të jetë e tillë; dhe për të sugjeruar, nuk ka nevojë për “programe speciale” – mjafton vëmendje, informim dhe intuitë. Nga ana tjetër, metoda që propozon ky komentues kaq kapadai është e gabuar. Programet që “shoshitin” mediat për të gjetur fjalën që përdoret më shumë do të nxjerrin në krye disa fjalë pa interes: Partia Socialiste, Ilir Meta, Partia Demokratike, Bamir Topi, Jozefina, Europa, zgjedhjet, Greqia etj., në një kohë që fjala e vitit është diçka krejt tjetër.

    Edhe sikur të përdornim një program statistikor për të gjetur fjalën e vitit, ky program nuk do të llogariste dendurinë e fjalëve në përgjithësi (pa interes), por ndryshimin relativ në denduri; duke u përqendruar në ato fjalë, denduria e të cilave ka ndryshuar brenda vitit në mënyrë dramatike. Kështu, në librin “Kurban” fjala “Saliu” mund të përdoret vërtet shpesh, por kjo është pa interes, si e dhënë në vetvete; sepse “Saliu” gjithnjë është përdorur shpesh në mediat shqiptare – dhe viti 2011 nuk është se bën këtu ndonjë përjashtim, në krahasim me 5-6 vjetët e fundit (të paktën). Përkundrazi, në leksikun publicistik të vitit 2010, fjala “kurban” nuk është përdorur pothuajse fare; dhe në këtë pikë, rritja eksponenciale e dendurisë së kësaj fjale, në vjeshtë të vitit 2011, përbën interes për vëzhguesin e mediave, sepse i thotë diçka të re; ose pikërisht atë që kërkonte. Prandaj komentuesi Anonim tregohet këtu jo vetëm keqdashës, por edhe pak i cekët.

    Ka edhe më. Një shkrimi që sugjeron disa fjalë kandidate për “fjalën e vitit”, ky komentues i përgjigjet me një koment ku vë në diskutim jo ato çfarë thuhet në shkrim, por gjithçka tjetër: metodën për të përzgjedhur fjalën e vitit, madje edhe profilin e autorit të shkrimit, të dhëna nga jeta dhe rrethanat e tij personale; madje nuk ngurron as edhe të japë disa direktiva për “gjuhëtarët e specializuar” që u dashkan marrë me përzgjedhjen e kësaj fjale të bekuar.

    Pozicioni nga vijnë këto kinse kritika është ai i ekspertit teknik, ose më mirë, i një tekniku laboratorik, që e adhuron modestisht epruvetën (nuk kam gjë kundër teknikëve laboratorikë; por më irritojnë kur pozicionohen si avokatë të shkencës dhe të ekspertizës). Njëlloj duhet kuptuar edhe avokatimi i “punës” që u nevojitka për të gjetur këtë “fjalë të vitit”, punë të cilën opinionistët, mes të cilëve edhe unë, nuk duan ta bëjnë, sepse e kanë mendjen te “skena e projektorëve”. Anonimi e ndan kështu botën në punëtorë dhe në parazitë, njëlloj si në fabulën e gjinkallës dhe të milingonës, dhe për dështimet e veta profesionale, prej milingone, ua mban mërinë gjinkallave, të cilat mbakan përgjegjësi që bota sot është kaq e padrejtë.

    Dua t’i kujtoj këtij Anonimi, që përmend me kaq zell “programet” dhe analizat statistikore të teksteve, se këto mund të ndihmojnë vërtet për të përzgjedhur (dhe shpërblyer) fjalën e vitit; sikurse mund të ndihmojnë për të identifikuar autorin e një komenti. Unë për detyrën e parë nuk kam as këllqe, as ekspertizë, as nge; por të dytën e kryej me kënaqësi dhe, më duhet të them se intuita këtë herë nuk më ka gabuar. E njoh personin. Teksti i shkruar nga dikush e sjell identitetin me vete – mjaft të dish ta kërkosh. Prandaj këtij njeriu të dënuar për të mbetur anonim dua t’i them vetëm kaq: pse je katandisur kështu, çfarë ka ndodhur me ty, pse nuk kërkon ndihmë?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin