Këto ditë u kremtua, aty-këtu, përvjetori i Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908), i njohur ndryshe edhe si kongres i Alfabetit, meqë aty delegatë nga të gjitha viset shqiptare vendosën se me ç’alfabet do të shkruhej gjuha shqipe.
Alfabeti i dalë de facto prej kongresit dhe që e përdorim sot e kësaj dite e ka treguar veten si një zgjedhje e mirë për shqipen; i lehtë për t’u mësuar nga fëmijët dhe pa kosto shtesë për shtypshkronjat. Njëqind e kusur vjet që kanë kaluar nga ajo kohë janë të mjaftueshme për ta nxjerrë këtë përfundim.
Në të vërtetë, një nga arsyet kryesore të alfabetizimit të suksesshëm të shqiptarëve, gjatë shekullit XX, lidhet pikërisht me natyrën e këtij alfabeti, i cili arrin të ruajë baraspeshën në marrëdhëniet e shqipes së shkruar me shqipen e folur.
Megjithatë, sot një rrezik i madh i kërcënohet stabilitetit të alfabetit shqip: teknologjia e tastierave të kompjuterëve dhe të telefonave celularë, e cila e vështirëson përdorimin e shkronjave ë dhe ç.
Tekstet shqipe ku këto dy shkronja zëvendësohen nga e dhe c i gjen kudo – jo vetëm në kontekste informale të Internetit dhe në miliona SMS-të që i dërgojnë shqiptarët shoku-shokut, por ndonjëherë edhe në mediat e shtypura; dhe jo rrallë fjalë të tilla si çështje dhe është i ndesh të shkruara si ceshtje dhe eshte.
Shumë prej nesh e kanë sakrifikuar me lehtësi integritetin e alfabetit, për hir të lehtësisë së shtypshkrimit dhe përballë vështirësive objektive që nxjerr një teknologji e cila nuk është dizajnuar, as realizuar me shqipen në mendje.
Një shtet që kujdeset për punët e veta dhe, ndër të tjera, për gjuhën dhe kulturën, duhej të paktën të kish ngulur këmbë që kompjuterët e përdorur në Shqipëri të vinin me tastiera të shqipes, në të cilat shkronjat ë dhe ç të përftoheshin drejtpërdrejt. Kjo nuk ka ndodhur, as ka gjasa të ndodhë në të ardhmen; sikurse shumë të mira të tjera publike, mbarëshkrimi i shqipes është lënë në mëshirë të fatit, ose të vandalëve.
Përdoruesit e shqipes së shkruar nuk e kuptojnë vetvetiu dëmin që shkaktohet nëse ia reduktojmë shqipes alfabetin arbitrarisht, ose për arsye të kufizimeve teknologjike në tastierat; meqë shumë prej tyre janë alfabetizuar në një kulturë ku tekstet kanë qenë të shkruara, si rregull, me alfabet të plotë. Megjithatë, brezat që po vijnë do të komunikojnë me shkrim, gjithnjë e më tepër, në hapësira dixhitale, ku ë-të dhe ç-të po përdoren gjithnjë e më rrallë. Me kalimin e kohës, kjo do ta vështirësojë e problematizojë komunikimin në fazën e marrjes ose të leximit, ashtu siç ndodh me çdo teknikë stenografike.
Disa autorë, zakonisht amatorë, kanë propozuar zgjidhje nga më të larmishmet, për këtë sfidë të paparashikuar teknologjike ndaj integritetit të shqipes së shkruar – nga këto zgjidhje, zëvendësimi i ç-së me ch është më se i pranueshëm nga çdo pikëpamje; por zgjidhje të ngjashme për zëvendësimin e ë-së janë jopraktike, i zgjasin tekstet tej mase, dhe nuk do të pranohen ndonjëherë nga masa e përdoruesve kompjuterikë.
Shumë prej nesh, që ende e respektojmë alfabetin e shqipes, arrijmë t’ia përftojmë të gjitha shkronjat edhe kur shkruajmë në kompjuter, me fare pak mundim shtesë. Megjithatë, për masën e shqipshkruesve, e vetmja zgjidhje e pranueshme do të ishte imponimi me ligj i tastierave shqipe, në kompjuterët që importohen.
Sa për telefoninë celulare, kjo zgjidhje duket problematike, jo vetëm për ata me tastierë numerike, por edhe me pajisjet me tastierë të plotë (të llojit Blackberry); ndërsa për pajisjet e tjera, me fushëprekje, alfabeti i plotë i shqipes mund të sugjerohet në trajtë të një aplikacioni të posaçëm, lehtësisht të instalueshëm para shitjes, nga kompanitë e komunikimit celular.
Ideja është e thjeshtë: vështirësitë teknologjike me alfabetin shqip nuk do t’i zgjidhë dot masa e përdoruesve, por ofruesit e teknologjisë, të detyruar dhe të rregulluar nga autoriteti publik. Ideologjia e laissez-faire, e trumbetuar me bujë si zgjidhje universale për të gjitha problemet e tregut, nuk ka punë në fushën e komunikimit shqip, ku, përkundrazi, disiplina mbetet kusht për suksesin; dhe rregullimi i niveleve elementare të komunikimit, si alfabeti, kusht për lirinë e të njëjtit komunikim, në nivele më të larta.
Për gjuhën shqipe, shkronjat ë dhe ç nuk janë ornamentale, as opsionale; por të domosdoshme – të paktën për mënyrën si komunikon sot shqipja e shkruar me shqipen e folur. Mjaft të kujtoj këtu se dallimi ë/e është i domosdoshëm për të dalluar midis rasave emërore/kallëzore dhe rasave gjinore/dhanore/rrjedhore të emrave femërorë të pashquar të tipit mollë, punë, shkollë, etj., dallim që vjen e rrafshohet, që nga momenti kur vendosim ta zëvendësojmë ë-në me e në të shkruar. I njëjti dallim është themelor dhe i vetmi, për çiftet e fjalëzave të/te, më/me, së/se, lë/le, në/ne, kë/ke, që/qe, që kanë denduri përdorimi jashtëzakonisht të lartë në gjuhë.
Deri më sot, përdoruesit e shqipes së shkruar u janë përshtatur, herë me sukses e herë pa sukses, kufizimeve të teknologjisë kompjuterike dhe telefonike; dhe rezultat i këtij kaosi improvizimesh është dobësimi i mënyrës si funksionon, në marrje (receptim), shqipja e shkruar. Për këtë arsye, alfabeti i shqipes mund të mirëmbahet dhe të ruhet vetëm në nivelin e raporteve të autoritetit publik me teknologjinë, ose me ndërhyrjen e legjislatorit.
Shënim: ky shkrim u botua në Shekulli, dt. 27 nëntor 2011. Në vijim (nesër) do të sjell një shkrim të Ledi Shamku-Shkrelit për çështjen e alfabetit, ripunim i një shkrimi të saj të botuar në Peizazhe të Fjalës.
Përsa i përket telefonave celularë mjafton që në çast të zgjedhim opsionin e të shkruarit në frëngjisht por duke mos aktivizuar metodën t9 dhe mrekullisht do ta gjejmë veten duke përdorur një shqipe korrekte.
Për ata që përdorin Google Chrome si shfletues: te dritarja e adresës, mund të përftohen shkronjat ë dhe ç me të njëjtat shkurtore si edhe në MS Word (CTRL PRESJE + C dhe CTRL DYPIKËSH + E).