Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Sociologji

IDIOLEKTI I KRYETARES

Pashë, të regjistruar, një pjesë të intervistës që ia dha Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, Blendi Fevziut këtë javë.

Jo se kisha ndonjë kureshtje të madhe të dëgjoja çfarë kishte për të thënë z. Topalli, sesa për të dëgjuar si do ta fliste ajo shqipen, pas polemikave të fundit në shtyp.

Sikurse e kisha vënë re edhe më parë, Kryetarja e Parlamentit e zotëron standardin dhe e flet atë, me timbrin (akcentin) e gegërishtes. Timbrin nuk mund ta shmangësh, përveçse po të marrësh trajner të posaçëm; prandaj askush nuk pret prej folësve të standardit që ta shlyejnë timbrin nga ligjërimi.

Megjithatë, z. Topalli gjatë intervistës kalonte rregullisht nga standardi në substandard, i cili megjithatë nuk ishte aq i plotë, sa ta quaj dialekt. Ky substandard shfaqej kryesisht në pjesoret e foljeve (kemi punu, në vend të kemi punuar; kemi shku, në vend të kemi shkuar; kemi hapë, në vend të kemi hapur); në ndonjë paskajore të tipit me punu (rrallë); në ndonjë formë përemrore (kët, në vend të këtë); si dhe në forma fonetike karakteristike, p.sh. thjeshtimi i diftongjeve (shlyj në vend të shlyej), etj.

Më me interes se të përshkruash, gjuhësisht, substandardin e Kryetares është të identifikosh kontekstet e kalimit nga standardi në substandard, ose të ndërrimit të marshit ligjërimor.

Si rregull, zonja Topalli përdorte standardin kur i fliste publikut, ose kameras; dhe substandardin gegërisht kur i drejtohej intervistuesit Fevziu.

Standardi, kështu, i shërbente asaj si gjuhë publike, në rolin e saj shtetëror institucional; ndërsa substandardi i shfaqej sa herë që Kryetares së Parlamentit ia zinte vendin Jozefina njeri dhe individ.

Kjo ndodh rëndom, sa kohë që standardi perceptohet, nga folësit, si gjuha me të cilën flasin institucionet dhe me të cilën u flitet atyre. Përkundrazi, regjistri bisedor mbetet i spërkatur me forma nëndialektore, deri edhe në zotëruesit më të përkushtuar të standardit. Aq e vërtetë është kjo, sa paaftësia për të ndërruar regjistër është simptomë e një lloj ngurtësimi mendor patologjik.

Për fat të keq, pjesët e intervistës ku Kryetarja Topalli fliste në standard, ishin edhe ato ku ajo dukej sikur recitonte një vijë politike të gatshme, në mos të mësuar përmendsh; në një kohë që pjesët e tjera, ku në ligjërim i nxirrte kokën shkodranishtja, ishin edhe më autentike, më të besueshme, deri edhe më njerëzore.

Kjo s’ka të bëjë me personin e Kryetares dhe idiolektin e saj; për fat të keq, në gojën e personave zyrtarë, standardi po shndërrohet në ligjërimin e bullshit-it, të formulave dhe klisheve, si prej nxënësi që ia reciton mësuesit.

Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe, në rrethanat ku dhe si vepron shteti shqiptar sot.

Shënim: me idiolekt kam parasysh atë lloj gjuhe që është karakteristik për një individ, ose person unik.

Pa Komente

  1. Jozefina u be rreth 2 dekada qe ka zbritur ne Tirane e akoma nuk ka arritur te mesoje te flase. Duhet ti sugjerohet doktorit qe te perpunohet ndonje TOEFL per gjuhen shqipe e te behet i obligueshem per cdo person qe kerkon te punesohet ne institucione shteterore, ashtu sic veprojne edhe anglo-amerikanet qe perpara se te te pranojne ne shkolle te kerkojne TOEFL-in, IELT-sin apo te kesh kryer anglishte per universitet.

    Mesuesit qe i kane mesuar shqipen Jozefines, duhet te pezullohen nga puna mendoj. Kane bere shume pune te dobet.

    1. Une do sugjeroja qe doktori te bente te detyrueshme per maxhorancen e tij, leximin e monografise se Blendi Fevziut per Enver Hoxhen. Edhe te verteten e mesojne, edhe lexojne sadopak literature oborri (flas per nga tematika qe trajton jo per pavaresine e autorit), por edhe mbajne ne shina gjuhen e folur. Ja, nje shembull qe pajton te vjetren me te rene ne ligjerimin publik ishte fjalimi i sotshem i Hysni Milloshit para bustit te Qemal Stafes. “Kot e kane ata bandite dhe rrugace qe gjakun e kuq te deshmoreve e nderrojne ne ngjyren Pink…”. Ngjyra Pink e deshmoreve?! Po ky qenka kreativ ne kulm, apo ja ka shkruar ndonje shakaxhi nga PD-ja fjalimin thua?

    2. Po e ngaterron konkursin per punesimin ne administrate publike me konkursin per pranim ne trupen Teatrit te Operas dhe Baletit…

      Z. Topalli e njeh mire fare gjuhen letrare, sic deshmon (nga pozita e profesionistit) edhe autori me lart:

      “Kryetarja e Parlamentit e zotëron standardin dhe e flet atë, me timbrin (akcentin) e gegërishtes. Timbrin nuk mund ta shmangësh, përveçse po të marrësh trajner të posaçëm”

      Qe te te mos shkoje ironia dem, propozoi doktorit nje konkurs per trajnere cirku, se vetem mund ta zbusin tonsilen deri ne ate pike

  2. Jozefina Topalli e flet gjuhën shqipe shumë bukur dhe jashtëzakonisht rrjedhshëm.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin