Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Sociologji

TRURI NË DET

Në tryezë çështja duket e thjeshtë. Shqipëria vuan prej kohësh nga ikja e trurit. Dihet nga të gjithë se emigracioni, tashmë prej më shumë se dy dekadash, ka qenë zgjidhja e parapëlqyer e shumë shqiptarëve të kualifikuar në fushat e tyre. Gjithashtu, pranohet nga gjithkush se rrjedhja e trurit është negative për vendin, sepse e lë atë pa klasë drejtuese e në thelb pa perspektivë.

Diagnoza është e saktë: vuajmë nga brain drain (rrjedhja, ikja e trurit). Edhe terapia e gjetur nga studiuesit, e ashtuquajtura brain gain (kthimi i trurit), nuk duket e keqe në teori. Aq më tepër që në anglisht tingëllojnë edhe bukur. Brain gain është veprimi i përkundërt i rrjedhjes, meqë synon ta përftojë trurin, ta tërheqë, ta kthejë atë. Bëhet fjalë për ato masa që synojnë thithjen e trurit, çka në rastin shqiptar do të thotë kthimin e kapitalit njerëzor në vend.

Ka diçka hidraulike në terminologjinë e mësipërme, më shumë për tiparin mekanik të cilësimit se sa për fushën semantike që lidhet në një farë mënyre me lëngjet. Ka edhe një term tjetër që qarkullon nëpër tubat e institucioneve kërkimore: brain waste, në shqip harxhim, humbje truri, që s’ka të bëjë aspak me dashurinë, as me zemëratën, por me dijet e njerëzve që humbasin pa u përdorur dhe shkojnë e derdhen në det si uji i pijshëm i pashfrytëzuar.

Nga tre termat e mësipërm, tashmë pothuajse të inflacionuar nëpër pamje rrëshqitëse e simpoziume ndërkombëtare, vetëm e para nuk lë shteg për keqkuptime. Studimet e kërkimet e ndryshme shkencore kanë konfirmuar vetëm atë që bonsensi thotë: largimi i trurit e dëmton shoqërinë. Afrika ofron për fat të keq raste negative, siç janë pasojat e ikjes së personelit mjekësor vendas, që do ta kishte përballuar ndryshe përhapjen e sëmundjeve në ato vise të vuajtura. Duhet shtuar se rasti i mungesës së personelit mjekësor afrikan është i thjeshtë për t’u verifikuar. Pak më i vështirë paraqitet verifikimi i dëmeve të ikjes së trurit në vende si Shqipëria, ku truri nuk mund të matet me diplomat e marra, por nëpërmjet cilësisë së tij. Sikur të merreshin parasysh vetëm të ikurit me diploma universitare, pra thjesht nga pikëpamja sasiore, numri nuk do ta jepte saktësisht madhësinë e dëmit, për sa kohë universitetet në Shqipëri prodhojnë çdo vit me mijëra të diplomuar.

Ndryshe nga rrjedhja klasike e trurit, përftimi i trurit kërkon medoemos shpjegime, sepse ka një fushë të gjerë veprimi. Brain gain si tërësi masash mund të bëhet nga vende që nuk e kanë njohur rrjedhjen e trurit, sikurse nga vende që prej saj vuajnë aktualisht. Me fjalë të tjera, Kanadaja e Shtetet e Bashkuara ndjekin politika që synojnë thithjen e trurit të të gjithë botës, por nuk mund të krahasohen me Shqipërinë, e cila po përpiqet të ndjekë disa projekte për tërheqjen e trurit, por ndërkohë po zhuritet për dije, sepse emigracioni vazhdon të tërheqë me vete përgatitje të çmuar njerëzore. Duhet thënë se përftimi i trurit ka diçka egoiste, gjithsesi kontradiktore, po të shikohet nga pikëpamja e vendeve të ndryshme. Nëse Shqipëria përpiqet ta tërheqë trurin e vet dhe Kanadaja përpiqet ta tërheqë trurin shqiptar, është e qartë se krijohet një kundërshti e pamohueshme, që zgjidhet kryesisht me ligjet e tregut.

Megjithëse pa rezultate të prekshme, në Shqipëri nismat për brain gain nuk kanë munguar. Janë zhvilluar disa projekte në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare, me synim kthimin e trurit në Shqipëri. Kush i lexon objektivat e projekteve bie menjëherë dakord me to. Projektet janë përnjimend vullnetmira, si p.sh. ajo e IOM-it me titull Migration for Development in the Western Balkans ose si ajo e Acli-t Sportello Lavoro Albania; porse zbatimi i tyre duhet t’i bëjë llogaritë me situatën aktuale të vendit, që në realitet nuk i krijon kushtet as për mbajtjen e trurit, as për kthimin e vërtetë të trurit të vërtetë.

Brain waste, gjithashtu, kërkon sqarime si dukuri. Në pamje të parë, humbja e trurit ndodh vetëm në vendet e pazhvilluara, nga ku largohen njerëz të përgatitur. Shqipëria mund të jetë emblematike në këtë pikë, meqë po e pëson humbjen e trurit prej vitesh. Mjafton të marrim kategorinë e studentëve dhe do të shohim se pjesa më e madhe e atyre që studiojnë jashtë shtetit mbesin andej ku kanë bërë provimet, pavarësisht nga dëshira e mirë për t’u kthyer. Tendencialisht e njëjta gjë mund të thuhet për ata që studiojnë brenda vendit. Si të thuash, rruga e trurit duket sikur është njëkalimshme.

Mirëpo nuk duhet harruar se humbja e trurit vihet re si në baret e Shqipërisë (kur takon ndonjë kamerier me shkollë të lartë), ashtu edhe në baret e Italisë (ku takon po ndonjë kamerier shqiptar me shkollë të lartë). Nuk ka shumë kuptim që të krahasohet se cila humbje del më e rëndë: ajo e Shqipërisë apo ajo e Italisë. Të dy vendet, po të bëhet bilanci, dalin me të kuqe. E para ndoshta dëmtohet më shumë përderisa trurin, pasi e përgatit deri në një farë pike, e përdor për baret e të tjerëve; por edhe e dyta nuk duket ekonomiqare, meqë truri duhet përdorur sipas aftësive, në të mirë të komunitetit, e pavarësisht nga pasaporta.

Në qoftë se Italia përbën një nga rastet më domethënëse të keqpërdorimit të imigracionit, Shqipëria përbën një nga rastet më kuptimplote të keqpërdorimit të emigracionit. Sipas të dhënave të European Migration Network Italia (2010), rreth 54% e të huajve që punojnë në Itali kanë diplomë të shkollës së mesme ose të lartë. Përqindja është e lartë, por duket skandaloze kur mësohet se si 73,4% e të huajve në Itali bëjnë punë të rëndomta e të pakualifikuara. Këtu më shumë se me humbje kemi të bëjmë me një harxhim të kotë të burimeve njerëzore. Mëkat i vërtetë, nga të gjitha pikëpamjet.

Humbja e trurit është pra dypalëshe. Pavarësisht se kjo humbje mund të shpjegohet me karakteristikat e tregjeve të punës, është e qartë se për ekonomitë e dy vendeve të lart përmendura keqpërdorimi i trurit përbën luks të palejueshëm. Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes që ta përdorë trurin për punë të rëndomta, Italia nuk mund t’ia lejojë vetes që ta përdorë kapitalin njerëzor si letër pa vlerë. Pavarësisht nga masat sporadike, nga një anë e Adriatikut strategji e përgjithshme për emigracionin e ndonjë projekt specifik për kthimin e trurit, nga bregu tjetër lejeqëndrime për ata që mbarojnë studimet e ndonjë program universitar për thithjen e trurit, në realitet nuk ka ndonjë përparim të dukshëm. Nuk duhet harruar, gjithashtu, se Italia po njeh këto vitet e krizës një emigracion të ri: mijëra të rinj italianë të përgatitur që e kërkojnë të ardhmen jashtë shtetit, në Europë ose në Amerikë.

Në qoftë se truri i dy vendeve derdhet kot në det, atëherë duhet gjetur një mënyrë për ta bllokuar rrjedhjen e tij. Edhe pse në thelb sërish hidraulike, zgjidhja e qarkullimit të trurit (brain circulation) teorikisht nuk duket e pazbatueshme. Qarkullimi i trurit ka kohë që është pikasur si dukuri nga studiuesit, të cilët kanë vënë re se globalizimi, zhvillimi ekonomiko-teknologjik, ndërvarësia ekonomike, lëvizja e lirë, dyshtetësitë, organizimi i diasporës, përhapja e kulturës, e kanë rritur shkëmbimin e njerëzve me aftësi të kualifikuar. Mirëpo, duhet kujtuar se kur filloi emigracioni shqiptar disa nga këto kushte nuk ishin në rend të ditës. Globalizimi ishte në fillesat e veta, ekonomia shqiptare trashëgonte tiparet e autarkisë totalitare, muri i Berlinit zëvendësohej nga kufijtë modernë, dyshtetësitë numëroheshin si të thuash me gishtat e duarve. Në periudhën e parë të emigracionit shqiptar nuk mund të bëhej fjalë për qarkullim të trurit. Ky ishte pjesë e fluksit të përgjithshëm të emigracionit drejt vendeve të tjera dhe kishim të bënin me humbje të trurit.

Po sot, ekzistojnë kushtet për qarkullimin e trurit midis Shqipërisë e vendeve të tjera? Natyrisht, diçka ka ndryshuar nga fillimi i viteve nëntëdhjetë. Shumë pengesa të dikurshme kanë rënë. Shkëmbimi me Perëndimin është rritur progresivisht, në të gjitha fushat e disa kushte mund ta favorizojnë lëvizjen e trurit. Mirëpo, ajo që mungon, përveç kulturës së meritokracisë, është pikërisht zhvillimi ekonomiko-teknologjik, një conditio sine qua non për qarkullimin e trurit. Në këtë situatë, njerëzit e përgatitur mund të lëvizin vetëm në disa fusha, kryesisht në fushat humaniste, atje ku nuk kërkohen investime të mëdha teknologjike e industriale. Mirëpo, në këta sektorë vetë lëvizja është e kufizuar me shkëmbime të shkurtra midis qendrave studimore e universitare, pa marrë tiparet e qarkullimit të vërtetë.

Qarkullimi i trurit kërkon gjithashtu harmonizimin e ekonomisë, tregut të punës, legjislacionit dhe të sistemit të sigurimeve shoqërore me vendet e zhvilluara. Mund të merren edhe masa të tjera për ta favorizuar qarkullimin e trurit, i cili mund të konsiderohet si më moderne se formulat e tjera, meqë nuk e konsideron trurin nga pikëpamje të ngushta kombëtariste. Në fakt, lëvizja e trurit duket sikur e merr më shumë parasysh vullnetin e njerëzve të kualifikuar, meqë ua jep lirinë personale të zgjedhjes e nuk i konsideron si pronë shtetërore. Mirëpo, fakti që qarkullimi i trurit është shpikur si model lëvizjeje pas përpjekjeve dështuese për ta ndaluar rrjedhjen dhe humbjen e trurit, i vë pikëpyetje vetë recetës. Me pak fjalë, mund të thuhet se një vend që nuk di ta thithë trurin e vet, ose më mirë që nuk di t’i mbajë qytetarët e kualifikuar, atëherë nuk di as ta pranojë modelin e qarkullimit të trurit. Për ta thënë me vendet buzë Adriatikut, nëse Italia e Shqipëria nuk dinë ta trajtojnë trurin brenda vendit, nuk ka gjasa ta trajtojnë as për zhvillimin e rajonit, nëpërmjet qarkullimit.

Gjithsesi, një nga rrugët që të çojnë drejt zhvillimit është pikërisht përgatitja e trajtimi i duhur i kapitalit njerëzor, si në rang vendi, ashtu edhe na rang rajoni, duke krijuar hapësira të gjera begatie. Nuk është e thënë që formulat e krijuara në tryezë të funksionojnë në shoqëri siç dalin në laborator. Projektet e bëra deri më sot kanë vuajtur nga një farë artificialiteti, si ai i powerpoint-it me të cilin paraqiten objektivat e “rezultatet” nëpër seminare me shumë përkthyes. Ndoshta kanë vuajtur edhe nga parakohshmëria. Vetë dukuria e brain circulation nuk paraqitet në realitet me të njëjtat karakteristika, as përbën ndonjë praktikë shumë të përhapur në botë. Aq më pak duhet paraqitur, me retorikën që e rrethon zakonisht temën, si ilaçi i problemeve që shkakton emigracioni i kualifikuar, i cili duhet vlerësuar me çdo mënyrë. Rëndësi kanë përpjekjet autentike që shkojnë në këtë drejtim, duke i dhënë perspektivë jo vetëm trurit, por edhe vendit.

Pa Komente

  1. Ne Albanistanin tone, asnje parti politike, nuk deshiron perfaqesi te diaspores. Keta duan vetem injorante qe tu vene pas. Nuk pranojne kritika ose debate, as kundershti por edhe argumenta. Parapelqejne llucen e tyre dhe se ndonjeri prej diaspore, futet anonime, ja presin kembet ose edhe ai bie ne batakun e lluces.

  2. Kjo puna e humbjes/thithjes/qarkullimit te trurit mua me kujtoi ato enet komunikuese qe mesonim ne oren e kimise/fizikes dikur. Disa ligje funksionojne edhe ne shoqeri ashtu si ne fizike. Po qelloi njeri vend me nivel me te larte teknologjik, infrastrukture me te zhvilluar, etike/edukate pune me te larte, nuk e shmang dot rrjedhjen e trurit. Mund te qarkullojne tru Gjermania me Francen apo me Angline a Zvicren, por jo Shqiperia me Francen, apo Maqedonia me Angline.

    Ka deshire te te shkolluarve jashte per tu kthyer. Edhe jane kthyer disa prej tyre. Dhe nuk kane patur pretendime rrogash apo sigurimesh apo logjistike. Por si i behet qe ke shef direkt gruan e deputetit X, drejtor mbi shefin vellain e ministrit Y e keshtu me rradhe. Njerez qe mund te qellojne ne shumicen e rasteve jo vetem te paafte, por edhe mendjengushte e dashakeqes. Keta lloj njerzish kane zene zyrat e qeverise dhe te privateve, se ashtu jane nderthurur interesat, si ne pazar te kuajve. Dhe ikin nga syte kembet te shkolluarit jashte. Dhe mbreteron meritokracia ne Shqiperi.

  3. Gjithnjë e më tepër bindem se Shqipërisë i duhej, pas 1990-ës, një universitet qendror elitar, me përzgjedhje të rreptë talentesh, ku të formohej elita teknokratike e vendit, e cila pastaj të punonte me prioritet në administratën publike.

    Është ndjekur një rrugë e kundërt – demokratizimi i arsimit të lartë, i cili po e shkatërron atë hierarki vlerash që i duhet shoqërisë për të administruar vetveten në mënyrë të kënaqshme.

    Nuk mund të pretendojmë zhvillim, në një kohë që klasa drejtuese – në politikë, në ekonomi, në arsim dhe kulturë – të jetë formuar jashtë Shqipërisë; dhe aq më keq në këto punishtet e diplomave, që po mbijnë tani nga të gjitha anët.

    Ende nuk është vonë, për ta krijuar atë universitet elitar; por kam frikë se tani nuk ka se kush ta krijojë. Studentët elitarë do të kenë nevojë për profesorë elitarë, jo gjysmakë të formuar në kurset profesionale që kanë qenë dhe mbeten universitetet shqiptare.

    Rruga ku kemi hyrë, na e garanton që do të mbetemi, ndoshta përjetësisht, në nivelin e Afrikës sub-saharane; jo se ka ndonjë gjë të keqe, me Afrikën sub-saharane, por edhe ndonjë gjë për t’u marrë shembull nuk ka.

  4. Për të qenë i sinqertë mua problemi më duket fiktiv. Flas për problemin jo për shkrimin e Pishakut. Ashtu siç paraqiten rrethanat, shkrimi jep alternativat e tij.

    Për Shqipërinë problem nuk janë ata që ikin, por ata që mbeten.

    Emigrimi i trurit është fenomen botëror dhe në kushtet e transferimit të shpejtë të teknologjisë asnjëherë nuk ka qenë pengesë për zhvillimin e vendeve të caktuara. Rasti më emblematik është ai i Gjermanisë së pasluftës. Të diplomuarit më të mirë të Belgjikës ikin në Francë, por kjo nuk e ka penguar Belgjikën të jetë prodhuesi më i madh i pajisjeve të raketave kozmike të programit Ariane dhe të reaktorëve atomikë. Specialistët më të mirë francezë në matematikë shkojnë Angli, në Citi, të tjerët i gjen në NASA. (Edhe ai miku që zbuloi virusin e Sidës, prej kohësh iku në Amerikë, i pakënaqur për trajtimin që i bëhej në Francë.
    Para ca ditësh lexoja te La Republica se shumë të diplomuar italianë sot i gjen në Kinë e veçanërisht në Indi, ku ndihen mirë dhe janë mjaft të paguar.

    Po Shqipëria? Për të shkoqitur më mirë idenë time, po pyes përse INTEL-i shkoi para do kohësh dhe investoi në Vietnam më shumë se një miliardë për prodhimin e mikroprocesorëve? Se kishte shkencëtarë të mirë? Nuk besoj. Edhe po nuk pati të tillë INTEL- i merr dhe i specializon vetë. Problemi është gjetiu. Ata nuk ndeshin në atë që i bën të kenë dyshim të për të investuar në Shqipëri. Kulturën e ulët të komunikimit që është porta e hyrjes, mentalitetin prej provinciali dhe se ne jemi aq te zotet sa tallim b. me te huajt, siç u mburr dikush këtu, mungesën e rendit, pasigurinë e jetës e të pasurisë, dhe mbi të gjithë korrupsionin. Janë këto gjëra që e gërryejnë Shqipërinë, e jo ata djem e vajza të diplomuar që ikin. Dhe për mua ky problem është të paktën dymijë e pesëqind vjeçar dhe nuk ka dalë sot. Çfarë ndodhi që u gjendëm midis dy kulturave më të mëdha të njerëzimit dhe mbetëm me një nivel zhvillimi që fjala vjen do ta bënte të skuqej dy pëllëmbë vend aziatik si Singapori?
    Rrugët sot janë të njohura, nuk u ka mbetur shqiptareve të sajojnë mikroprocesorë më të shpejtë apo të gjejnë një terapi tjetër për sidën, nuk u ka mbetur aty që gjejë ligje të reja të zhvillimit ekonomisë a të shtimit të sasisë së qumështit për lopë.
    Për të tjerat pastaj e rëndësishme është soliditeti i arsimimin masiv të popullsisë dhe jo vetëm i elitave. Po pati edhe nivel elitash, përse jo, por nuk është kjo që pengon.
    Këtë e kanë në dorë vetë shqiptarët, por të gjithë e kanë të qartë se kurrë nuk do të ndodhim mrrekullira…

    1. Lyss, mendoj se largimi i trurit për Shqipërinë është vërtet problem. Me tru kam parasysh më të mirët e çdo fushe, d.m.th. më të talentuarit e më të përgatiturit. Kapitali njerëzor, them unë, ka më shumë rëndësi se vetë kapitali financiar ose burimet natyrore.
      Ikjen e trurit e konsiderojnë problem të madh jo vetëm studiuesit, por edhe politikëbërësit. Pavarësisht nga shembulli i Belgjikës, largimi i trurit e pengon gjithsesi zhvillimin, qoftë ky i shkallës së lartë. Nuk është e rastit që novacionet bëhen kryesisht në vendet që dinë ta thithin trurin e të tjerëve. Investitorët mund t’i vënë paratë e tyre edhe në shkretëtirë, por jo atje ku mungon materiali i mirë njerëzor. E kam fjalën për investimet me mbivlerë të madhe dhe që kanë perspektivë.
      Gjithsesi, ti ke shumë të drejtë kur përmend faktorët e tjerë pengues të zhvillimit të Shqipërisë. Flisje për “mentalitetin, mungesën e rendit, pasigurinë e jetës e të pasurisë, dhe mbi të gjithë korrupsionin”. Të gjitha këto përbëjnë faktorë realë e natyrisht duhen renditur sipas përparësisë.

  5. Vëzhgim shumë i mirë, urime autorit.
    Përshtypja ime është se ikja e trurit shqiptar vijon në një plan dytësor, pasi shkaku përcaktues që i detyron shqiptarët e arsimuar të ikin duhet gjetur në strukturat tejet të korruptuara në shtresën e lartë të shoqërisë. Shqiptari i shkolluar mirë (ai për të cilin flet Pishaku), i kultivuar tashmë sipas një modeli perëndimor, ikën se nuk e përballon dot mënyrën orientale mbizotëruese të komunikimit, trajtimit, vlerësimit në shtresën e lartë të shoqërisë shqiptare. Ikja ndërmerret kryesisht jo më për të jetuar ekonomikisht më mirë, por për të jetuar në një paqe me shoqërinë përreth, që shumë herë, parë në planin e ngushtë personal, është shumë e rëndësishme. I shkolluari mirë sot, nëse kryen vetëm punë të ndershme, mund t’i mbulojë nevojat e veta ekonomike njësoj si në Shqipëri ashtu edhe në perëndim, por nevojat intelektuale aspak. Shumëkush ikën dhe punon si recepsionist në Hamburg, por e di shoqëria përreth i siguron respektimin e të drejtave të pakta personale që ja ka garantuar si emigrant. Një gjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri, ku mund të jesh profesionist i mirë, por që nuk është aspak problem, që dinjitetin tënd të ta nëpërkëmbë politikani apo gangsteri i radhës, që shpesh janë edhe i njëjti person.
    Ma do mendja se truri do të rikthehet në Shqipëri vetëm kur ndërmarrjet ekonomike ta thërrasin. Për sa i përket strukturave publike apo skenës politike do të ishte një iluzion naiv të pritej, që këto të ndërmerrnin iniciativën në këtë drejtim, kur është evidente, se pikërisht kasta drejtuese është e interesuar vetëm në rekrutimin e trushplarëve pa principe morale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin