Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

SHPULLA TË FTOHTA

Kam lexuar dikur, nuk di se ku, që fëmija ia duron prindit të rrahurën, por nuk ia fal kurrë shpullën që ky ia jep me gjakftohtësi.

Fëmija, si të thuash, e pranon më mirë të rrahurën si reagim emocional të një prindi të nxehur ose të munduar, sesa si ndëshkim të kalkuluar.

Kur vjen puna për ndëshkim prej prindit, ne edhe e pranojmë dhunën si shprehje të një emocioni negativ, por kurrë nuk e pranojmë dhunën e arsyetuar.

Emocioni i gjallë, ose i pandërmjetësuar nga arsyeja, sikur e shndërron njeriun në kafshë; dhe këtu më kujtohet Schopenhauer-i, kur shpjegon sesi kurrë nuk fyhemi, kur qëllon të na godasë një kalë me shkelm. Na dhëmb sa s’ka, por të fyer nuk ndihemi.

Nga përvoja ime, mbaj mend nga fëminia të kem ngrënë shpulla edhe të nxehta edhe të akullta, por këto të fundit nuk i fal dot.

Ka një logjikë pas këtij arsyetimi: që prindi nuk duhet kurrë t’i shkaktojë dhimbje fëmijës me gjak të ftohtë, ose pasi e ka gjykuar çështjen në distancë. Zemërimi, hidhërimi, frustrimi – këto janë kontekste të tjera, ku shkëmbimi i dhimbjeve bëhet në një fushë elektrike të ngarkuar negativisht.

M’u kujtuan të gjitha këto, kur mendoja këto ditë për politikat e Ramiz Alisë, pas vdekjes së Enverit, në prill të vitit 1985.

Nuk mund të them si e vështronin Alinë në provincat, por ne në Tiranë – dhe kur them “ne”, kam parasysh ato pak elemente liberale soft, që gjëllinin aty-këtu në hapësirat e kryeqytetit – ishim të sigurt që Alia nuk ishte fanatik i kauzës.

Ka liderë politikë që, edhe pse janë të butë përbrenda, duan të japin një imazh të një personaliteti të vrazhdë dhe të pamëshirshëm; me Alinë, mësuam edhe që paska pasur liderë që duan të japin një imazh të një personaliteti të dëgjueshëm, të hapur ndaj pyetjeve dhe kundërshtimit, të arsyeshëm.

Për pesë vjet, Alia i qëndroi besës që i kishte dhënë Enverit për së gjalli dhe në arkivol, dhe nuk u la shkas envertarëve që kishte rrotull të mbeteshin të zhgënjyer me të. Tani, në këtë proces e sipër, rrënoi një shtet të tërë; por ç’është një katrahurë sociale, si ajo që përfshiu Shqipërinë e asaj kohe, në krahasim me vetullat e ngrysura të Nexhmijes ose të Shefqet Peçit?

Teza ime është se Alia u soll në këtë mënyrë pikërisht ngaqë e dinte se, sa herë që hapte gojën, gënjente. Ishte kjo ndjenjë e lehtë, por e pashlyeshme faji; ky turp i përzier me frikë; kjo pasiguri e kujt kërkon t’i bindë të tjerët se është diçka tjetër nga ç’e kujtojnë, që ia kushtëzuan sjelljen dhe qëndrimin pasardhësit të Enverit.

Ky arsyetim më solli kështu tek “arsyeja cinike” e filozofit gjerman Peter Sloterdijk, i cili subjektin cinik e përkufizon si të vetëdijshëm për distancën mes maskës ideologjike që mban dhe realitetit social, por megjithatë, ngul këmbë me maskën. “Ata e dinë mirë se çfarë po bëjnë, por megjithatë po e bëjnë,” – kjo formulë do ta përmblidhte thelbin e arsyes cinike, sipas atij filozofi. “Vetëdije e rreme e ndriçuar”, e quan Sloterdijk këtë arsye.*

Ndryshe nga Hoxha, i cili vdiq i bindur në marrëzinë e vet, tek Alia ishte e dukshme tashmë plasa fatale midis ideologjisë dhe vetëdijes; çka e komprometonte rregullisht motivimin e politikave.

Duke qenë 100% dypërmasor në botëkuptimin e vet, Hoxha kryepatriark nuk e vuante kurrë turpin e vetëdijes së dyzuar si Alia; prandaj edhe ishte në gjendje të ndërmerrte kthesa edhe 180-gradëshe në politikë.

Hoxha e kishte krijuar sistemin totalitar, por vetë i kishte qëndruar jashtë, madje duke i shërbyer si kontrapunkt hap pas hapi. Alia, përkundrazi, ishte jo vetëm brenda sistemit, por edhe i kushtëzuar nga inercitë e sistemit.

Njerëzit kishin të drejtë kur thonin se Hoxha nuk do ta kishte lënë Shqipërinë të degradonte deri në atë pikë ku e la Alia; meqë e kishte edhe autoritetin, dhe sidomos pafajësinë e brendshme për të ndërmarrë ndryshime ndonjëherë edhe drastike.

Për shembull, siç e vërejti edhe Zaloshnja në një shkrim të tanishëm, rrethanat e krizës ekonomike do të kishin ftuar për një riformatim rrënjësor të pronës kooperativiste, ose kthim të tokës fshatarëve; përkundrazi, Alia zgjodhi pikërisht atë kohë për ta thelluar edhe më revolucionin në fshat.

Arsyeja e tij cinike, si të thuash, ua shton një përmasë të përbuzjes të gjitha gabimeve dhe fajeve të tij; dhe njerëzit ashtu e trajtuan, me përbuzje, kur e panë se njeriu Alia kishte ngecur në hapësirën mes vetëdijes së tij dhe ideologjisë false të maskës që mbante.

Në vitet e fundit të regjimit, Alia u kërkoi njerëzve sakrifica – në emër të gjakut, të së ardhmes, të socializmit, të luftës së klasave, të Enverit… Njerëzit, të cilëve u kish shkuar tashmë thika në kockë, i përjetonin liturgjitë totalitare të Alisë si fëmija shpullat e ftohta të një prindi tashmë të jetërsuar.

Të tilla shpulla të ftohta ishin, bie fjala, vrasjet në kufi pikërisht kur ishte deklaruar haptazi se kalimi i kufirit pa leje do të konsiderohej tash e tutje si kundërvajtje; ose dyqanet ushqimore bosh, përbri dyqaneve ku u shiteshin atlete të këqija importi revolucionarëve.

Një shpullë që ia jep prindi fëmijës mund të jetë edhe shpullë e një dëshpërimi të cilin e shkakton dot vetëm dashuria; sikurse mund të jetë edhe provë dhe konfirmim se prindi është kthyer, për fëmijën, në një makinë shpërndarëse të dhimbjes.

Gjatë pesë vjetëve që qëndroi në krye të regjimit totalitar, Alia kujtoi se gjithçka do të shkonte mirë, me kusht që sistemi vetë të mbetej i kënaqur, ose që ai vetë të mbetej pjesë e sistemit deri në fund.

Ironike, që këtë bindje ta kishte bërë të vetën Alia, ose përfaqësuesi më brilant i arsyes cinike në sytë e një publiku si si shqiptar, i cili ndërkohë po lante hesapet me arsyen e vet cinike, të paktën që prej histerisë kolektive në ditën e varrimit të patriarkut Hoxha.

*Full disclosure: më duhet ta pranoj se formulimet e mësipërme të arsyes cinike i kam marrë nga Zhizheku; edhe pse librin e Sloterdijk e kam lexuar ndërkohë.

Pa Komente

  1. Ne vijim te sa thote Zaloshnja dhe qe besoj I bashkangjiteni edhe ju, kam nje pyetje: manovra imagjinare e futjes ne burg te Nexhmijes, dhe ndryshimit te Kushtetutes per te marre borxh e per te hyre kapital I huaj kohe mund te zgjaste?

    Nji kjo, e dyta po flasim per nje Parti qe pati forcen testikulare ti kerkonte hesap Partise Komuniste te Kines pse nuk u konsultua me te para se te normalizonte marrdheniet me ShBA, dhe vrik nderroi kushtetuten ne menyre qe ky skenar kinez te mos kishte kurre asnje shans. Edhe nje here pyes: a e ben dot nje I vdekshem kete veper lapidare?

  2. Ne kete shkrim shikoj nje perpjekje per te shpjeguar gjithe dinamiken e ngjarjeve ne vitet 1985-1990 me vecori te personalitetit te R.Alise, me natyren e tij te bute dhe vetedijen e dyzuar. I rritur nen hijen e rende te kultit te E.Hoxhes per 45 vjet , nga rastesia (apo kalkulimet) R.Alise “i mbeti ne dore” pesha e pushtetit me detyrimin e vazhduesit te kursit te E.Hoxhes. Eshte e sakte kjo qe thote xha xhai: personaliteti i R.Alise ishte i dyzuar por kjo vinte jo aq nga maska qe mbante se sa nga dilema ndermjet vazhdimesise dhe inferioritetit per pamundesine e ngjitjes ne staturen e E.Hoxhes.Nqs E.H ishte Ati dhe shpirti i sistemit qe krijoi, R.Alia ishte Biri i cili nuk arriti te kryente aktin e vrasjes se Atit shpirteror. Nqs sot te djathtet e kritikojne se nuk u be dot nje Gorbacov shqiptar, konservatoret e majtet e mallkojne si djalin plangprishes.
    Me kete natyre te dyzuar , te kushtezuar jo vetem nga personaliteti, por edhe nga rrethanat, R.Alia ndoqi kursin “dy hapa para, nje hap mbrapa”.Ndersa ne publik jepte pershtypjen se ishte per demokratizim dhe reforma, ne mbledhjet e mbyllura te kupoles se kuqe, R.Alia bente thirrje per shterngimin e radheve, per mbrojtjen e socializmit dhe pushtetit popullor, pra e njeta retorike qe ushqente turmat dhe besniket.
    Kur gjykon sot perpjekjet e tij per te reformuar dicka nga sistemi , te duket si ai shoferi qe drejton nje makine karakatine, qe edhe pse ben ndonje riparim te pjeseshem, e ka vetedijen se ajo karakatine nga casti ne cast mund te rrokulliset ne gremine bashke ate vete.
    Ne prag te ndryshimeve demokratike, diktatura i kishte dhembet dhe instrumentat e represionit por R.Alia nuk u kap mbas tyre per te mbytyr me force eren e ndryshimeve. Nese kete e beri nga frika apo se po shikonte qarte fundin e pashmangshem te sistemit qe po jepte shpirt, mbetet jo fort e qarte.Por indikacionet jane se te dyja motivet nderthureshin ne aksionin e tij politik.vitet e sundimit te R.Alise jane vitet e Diktatures pa Diktatorin tipik.Eshte krijuar nje mit urban se E.Hoxha po te ishte gjalle, ndoshta do te realizonte nje kthese spektakolare sepse sic thote xha xhai ai qendronte jashte dhe mbi sistemin, pra ishte vete sistemi. Dyshoj ne kete “sikur”
    Po ndiqja mbreme Opinion ku nje nga eksponentet e PD ,nder te tjera tha se, R.Alise nuk duhet ti atribuoet merita e kalimit paqesor nga diktatura ne demokraci sepse ai ishte frikacak prandaj evitoi gjakderdhjen.Ta gjykosh sot R.Aline si frikacak, pikerisht se nuk beri ate qe nuk duhej te bente (pra maskren dhe pergjakjen ne dhjetor 1990) eshte vertet cinike.

    1. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, Ramiz Alia, që e njihte situatën ekonomike të dëshpëruar në Shqipëri, mund të kishte kërkuar kredi, ose të ishte anëtarësuar në FMN, ose të kishte lidhur një marrëveshje me ndonjë shtet të BE-së, p.sh. Gjermaninë Perëndimore, që dukej e interesuar në atë kohë.

      Alternativisht, mund të kishte shpërbërë kooperativat bujqësore, të cilat dihej në atë kohë se nuk funksiononin, përveçse si kampe të punës së detyruar për fshatarët. Madje ky hap i fundit ishte edhe më i lehtë për t’u ndërmarrë – mjaftonte të citohej precedenti i NEP-it në Bashkimin Sovjetik të Leninit.

      Ose mund t’i bënte të dyja këto njëkohësisht, në fund të fundit; se nuk është se e përjashtojnë njëra-tjetrën.

      Popullin e kishte me vete, për reforma të tilla; së bashku me të gjithë brezin e kuadrove që kishin lindur në vitet 1930 dhe 1940, dhe tani kishin poste “të mesme” në parti dhe në pushtet.

      Pengesat mund t’i vinin nga envertarët në byro dhe në KQ – por këta, në thelb, nuk mund të bënin dot asgjë. Asnjëri prej tyre nuk guxonte të synonte për të dalë në krye të Partisë dhe të shtetit. Ramiz Alia mund të ndeshte në qëndresë, por nuk kishte rivalë për postin e vet.

      Pse nuk i hodhi Alia këto hapa?

      Sepse Alia nuk ishte mësuar të hidhte hapa. Alia ishte mësuar që hapat t’i hidhnin gjithnjë të tjerët. Ai kishte frikë të ndërmerrte reforma radikale, meqë në mendjen e tij ai vazhdonte t’i jepte llogari dhe t’i kërkonte miratim kufomës së Enverit.

      Si njeri, gjithë jetën ishte mësuar që të ruhej nga gabimet; çfarë edhe e kishte bërë të mbijetonte, në një kohë që shumë të tjerë kishin përfunduar para togës së pushkatimit.

      Natyrisht, reformat që duheshin bërë urgjentisht vinin me disa rreziqe. Edhe pse unë nuk besoj se mund të ndodhte gjë, Alia vetë nuk mund ta përjashtonte që ndonjë segment i opingave të përdorura të Enverit të reagonte dhe t’ia hidhte hekurat për tradhti (ndoshta ai vetë do të kishte vepruar ashtu; ndoshta ai vetë kishte vepruar ashtu, në kohë të tjera).

      Mirëpo një lider i vërtetë, të cilit i dhimbset vendi dhe populli i vet, duhet të jetë gati edhe të rrezikojë. Ka momente kur gjithë finokëria e botës nuk vlen, para një grime virtyti. Ky i mungoi Alisë: virtyti i të guxuarit në momente kritike.

      Do të thonë: ai s’e kishte autoritetin, për të ndërmarrë reforma radikale. Ashtu vërtet, nuk e kishte: por ashtu do ta kishte fituar autoritetin që i mungonte. Njerëzit e vlerësojnë virtytin te lideri, edhe kur nuk e kanë vetë. Veç kësaj, ngjarjet e 1990-ës, dhe fakti që studentët u ngritën në protestë me emrin e tij në gojë, tregon se publiku kishte ende shpresë se Alia do të reagonte me arsye.

      Alia s’e bëri këtë. Parapëlqeu të ruante kokën, të vetën dhe të klasës së vet; përkundrejt rreziqeve më shumë imagjinare sesa reale. Unë s’e përfytyroj dot Nexhmijen dhe Muho Asllanin dhe Zylyftar Ramizin të organizonin një komplot kundër tij, në Komitetin Qendror! Aq më tepër kur Alia kishte me vete gjithë kastën e teknokratëve, sikurse kishte me vete edhe ministrin e Brendshëm, Hekuran Isain (që, veç të tjerave, ishte edhe geg).

      Siç thashë, Alia parapëlqeu mbijetesën e vet, ndaj mbijetesës së shoqërisë shqiptare. Kjo më pas u interpretua si “evitoi gjakderdhjen”. Vërtet, po gjakderdhjen e kujt? Se, sikur policia dhe sigurimi të kishin reaguar me dhunë ndaj protestuesve, bllokut nuk do t’i kish mbetur gur mbi këmbë… dhe Alia vetë mund të përfundonte si Çaushesku. Prandaj, le të tregohemi më të kujdesshëm e më të kursyer me lëvdatat për Alinë paqedashës: jo se nuk ishte i tillë, por sepse prudenca e tij i shërbeu, edhe këtë herë, mbijetesës së tij.

      1. Mese i vertete paragrafi i fundit. Flitet shpesh qe regjimi i kishte mundesite per represion te dhunshem, por ishte Alia qe s’i perdori keto dhe evitoi gjakderdhjen. Regjimi ne ate grahme te fundit te jetes se tij mund te kishte sigurimin, policine, garden e republikes e mbase nje pjese te aparatit ushtarak por ushtria ne teresi perballe zgjidhjes te shtypjes se bashkeqytetareve te tyre, farefisit e familjareve te tyre do kishte dale ne ane e protestuesve e Alia do perfundonte si Caushesku me gjithe bllokun bashke.

      2. Kur vleresohen/gjykohen figurat historike, vihen ne kandar dy gjera: cfare beri drejt/gabim per kohen qe jetoi dhe gjykimi tjeter : cfare mund te kishte bere ne raport me mundesite dhe kerkesat e kohes. Ka nje prirje sot per ta gjykuar R.Aline me teper per ate qe nuk beri dot dhe sfumohet ajo pako gje qe beri edhe ashtu i dyzuar dhe cale cale. A.Kasoruho kishte sot tek Panormama nje analize shume te mire, te balancuar dhe kritike ndaj asaj se kush ishte dhe cfare beri e nuk beri dot R.Alia.
        Sot eshte kaq e lehte per ti dhene mend te shkuares. Gjykimet aposteriori jane ushtrim i mire i fantazise por nuk e ndryshojne dot te shkuaren. Bie fjala, thuhet se politikat e NEP-it mund te perdoreshin si argument per shperberjen e koperativave bujqesore.Kjo do ishte vetevrasje ideologjike. Dakort, R.Alia kujdesej te ishte korrekt me doktrinen dhe Enverin se sa me gjetjen e rrugeve per te evituar boshatisjen e rafteve nga ushqimet elementare.Ky eshte fati dogmatikut dhe jo guximtarit. Por te jemi te kujdeshem sepse edhe per ato “tufezat” dhe “arrezat” i rrinte si cekan ne koke qortimi Leninit se “nga prona e vogel lind cdo dite, cdo ore…prona e madhe dhe kapitalizmi..”
        Ate kohe e kemi jetuar, kemi qene deshmitare dhe gjerat nuk mund t`i relativizojme kaq shume.
        Lidhur me levdatat per R.Alin si paqedashes…fakti eshte fakt…kalimi u be i bute dhe kete fakt e citojne te gjithe ata qe duan te jene korrekt me historine.

        1. Sa kohë që NEP-i kishte mbështetjen teorike të leninizmit, nuk e kuptoj pse do të ishte vetëvrasje ideologjike. Statuja e Leninit ende mbretëronte, në bulevard të Tiranës. Nëse R. Alia do të kishte dalë në plenum të KQ dhe do të thoshte se duhet të lirojmë dorën në bujqësi, se njerëzit nuk kanë se ç’të hanë, kush do ta kundërshtonte dhe si?

          1. Se pari, nga pikpamja ideologjike,nje hap i tille i hiqte sistemit nje nga shtyllat baze-pronen socialiste dhe prona kooperativiste ishte nje nga format e saj.Nqs kjo shtylle shkerrmoqej, cfare mbetej per te mos u bere tjeter?Te shperbeje koop.bujqesore do te thoshte te dekretoje fundin e SISTEMIT.
            Kush do ta kundershtonte? Nuk mund ta di se kush dhe ne c`mase do ishte kundershtimi. Di qe statuja e Leninit nuk i vinte dot ne mbrojtje ne rast kundershtimi.Per R.Alise dogma prevalonte mbi realitetin dhe kjo ishte pengesa te cilen nuk e kaperceu dot deri diten e fundit qe ishte gjalle.
            Nga pikpamja historike, ka patur nje politike te grumbullimit dhe furnizimit ne vitet 46-47.Madje Hoxha i ka shkruar nje leter nje fare rreshteri nga Lapuleci Mallkastres ku e sqaronte gjate e gjere per kete politike qe i perngjante NEP-it. Praktikisht tollonat e fundit te viteve 80 ishin kthim mbrapa ne sistemin e triskave te viteve te para pas luftes. Po dogmatiku nuk ka sy te shikoje realitetin.
            Ndoshta ky eshte kundershtari me i madh-vetvetja.

            1. Në fakt, nuk besoj se do të kishte shumë probleme. Mund të propozohej, bie fjala, që të shkriheshin ato kooperativa ku dita e punës ishte nën një vlerë të caktuar – ose ato që nuk arrinin të mbijetonin ekonomikisht, si bashkësi prodhuese dhe si komunitet. Ose mund t’u propozohej fshatarëve që të vendosnin vetë, nëse dëshironin t’i mbanin kooperativat apo jo. Mund të tre ose të katërfishohej oborri kooperativist, në një kohë që kooperativat të ruheshin, sa për sy e faqe, por të reduktuara në çdo pikëpamje. Të siguroj se R. Alia i kishte ekspertët që do t’i gjenin menjëherë justifikimet teorike për këto veprime – tek e fundit, kooperativat ishin shkrirë edhe gjetiu në Lindjen Socialiste (p.sh. në Poloni që në fillim të viteve 1950), pa sjellë kjo ndonjë pështjellim “teorik”.

            2. NQS se ti sheh dike duke vdekur, e di qe je ne gjendje te ndihmosh,dhe nuk e ben, ne mos ligja, te pakten opinioni publik ta mban mend dhe nuk ta fal kollaj.
              Shqiperia po shkonte pa ndalese drejt gremines ekonomike qe mbas nderprerjes se ndimave kineze ne 1978. Kina na mbulonte nje pjese shume te madhe te buxhetit nga 1966 deri ne 1978. Nje fare “rilindje” te jetes kulturore, sociale, dhe intelektuale ne Shqiperi perputhet dhe i do faturuar kesaj periudhe.

              Por rreshqitja ekonomike nga 78 e lart ishte e panderprere. Deri sa ne 1985-90 arriti kulmin. Une nuk kam pare ndonjehere nje mefshtje te nje shoqerie si ajo e shoqerise shqiptare te viteve 1987-1990. Shenjat “vitale” po dobesoheshin drejt zerosh. Njerez te merosur. Po shprese e pa enderra. Te shkoje ne kufi te vrisnin. Te shkoje ne dyqan, edhe me para s`kishe cfare te bleje. Te hapje gojen, te burgosnin. Te mbillje ndonje parcele toke, apo te vije ndonje koke bageti, per qumesht, djath e kos ne fshat, te denonconin.

              Durimi i popullit ne kete rast nuk kishte te bente me ndonje virtyt sublim te race sone, por me shume me alegorine e SHpelles se Platos.Hijet qe na rreshqisnin para nesh, tek rrinim te lidhur me zinxhir brenda saj, i merrnin per te vetmin realitet qe njihmin dhe PRANONIM.

              Ne keto kushte, z. Aliaj nuk i falesh mefshtesia e tij. Pergjegjesia e tij ishte tejet e madh sepse ne te ishin syte e 3-4-5 miljon shqipetareve. E ai z`beri asgje ne nje situate te atille. S`levizi as gishtin me te vogel. Ne vend t`i nxirrte ne pension te gjith matufete Byrose, e lejoi Foto Camin ti tregonte plaget e luftes se famshme Shtraus-it, a si e kish emrin nje nga politikan bavarez qe i ra rruga nga ne.

              Po qe se nuk e shqetesonte apo nuk e kuptonte varferine e popullit, dhe ajo nuk e bente qe te levizte e te kerkonte te ndryshonte gjendjen, atehere ai ishte katerciperisht i paafte per punen e vet.

              Megjithese nuk eshte pune paaftesie me teper se se, sic e permend me te drejte Xhaxhai, Ramiz Alia nuk besoi kurre ne asnje gje gjithe jeten e vet. Nuk besoi madje as ne veten e vet.

          2. Sa kohë që NEP-i kishte mbështetjen teorike të leninizmit,nuk e kuptoj pse do të ishte vetëvrasje ideologjike.

            Sepse sistemi ishte Stalinist. Software ishte Marksizem Leninizem, hardware ishte Stalinizem.

            Marksizem-Leninizem = revolucion i proletariatit behet edhe aty ku s’ka prolo fare, mjafton qe te krijohet prolua gjate revolucionit.

            Stalinizem =100% shtetezim i arezave e tufezave brenda 2 vjetesh perndryshe u perjashtove nga Kominformi si Jugosllavia.

            Besoj se biem te gjithe d’accord qe Shqiperia ishte sistem stalinist. Tani, te behej ajo qe beri Ten Hsia Pingu do duheshin nga nja 10 vjet pas vdekjes te Udheheqesit. Nga gjithe keto diskutime ketu mua me duket se R.Alia fajesohet pse nuk vdiq Enveri ne 1975.

            1. Vetëm tre vjet iu deshën Hrushovit, për të dalë para Komitetit Qendror të PK të BRSS me fjalimin sekret kundër Stalinit.

              Vetëm tre vjet, në një super-shtet, që për më tepër pak kohë më parë kishte fituar Luftën II Botërore.

              Kjo u bë e mundur (1) sepse Hrushovi ishte trim dhe (2) sepse Hrushovi nuk kishte më rivalë brenda partisë së vet: Malenkovi, Berja, Bulganini, Molotovi, Zhukovi – të gjithë këta ishin neutralizuar.

              Sa për sistemin që përmend, në Shqipërinë politike nuk kishte sistem por inerci; tani mund të dalë ndonjë smart ass dhe të thotë se çdo sistem është inerci; por besoj se merremi vesh për çfarë dua them.

              Prej Ramizit nuk priste kush të ngrihej kundër Enverit (as kishte pse); por vetëm që të mos e përdorte Enverin si alibi për personalitetin e vet jo prej lideri.

            2. në Shqipërinë politike nuk kishte sistem por inerci;

              Ah, e famshmja ‘force levizese’ del ne skene(ose me sakte mungesa e saj). Gjithmone me ka pelqyer kjo shprehje qe e mbaj mend nga fjalimet e Enverit. Sidoqofte, me aq sa mund te kete force levizese Vatikani, aq mund mund te kishte edhe Shqiperia politike. Instituti per Studime Marksiste Leniniste kam pershtypjen se luante rolin e atij institucioni qe kryesonte Ratzinger-i para se ta benin Pape. Veshtire te beje coup brenda Institutit. Mbi te gjitha, Instituti e dinte shume mire se NEP-i i Leninit ishte nje kompromis i perkohshem sa per te fituar kohe qe t’i thyhej zverku katundarit. Stalini e hoqi qafe NEP-in sapo mori frenat e Partise te vet ne dore. Sistemi yne ajo kopje ishte, dhe katundarin ne fakt e kish me vete. (kujtoj nje udhetim ne fshatrat e Peshkopise ku pavaresisht skamjes lemeritese, konstatova nje mbeshtetje te regjimit. Dhe po flas per vitin 1993)

              Sidoqofte, e kuptoj pezmin tuaj pse Ramizi nuk udhehoqi, po udhevazhdoi. Fundja vete ishte d’accord me algorithmin e Institutit dhe parimin e vjeter Biblik ‘njeriu nuk mbahet vetem me buke’.

  3. Shpulla “te ngrohta e te ftohta ” kam ngrene edhe une deri ne momentin qe do te qaja , sepse ne te kunderten ato vazhdonin…Vetem lotet dhe klithmat me lutje i ndalonin …Sa per riformatimin e prones kooperativiste ,meqenese jam deshmitar i gjalle …Nga viti 1988 doli nje direktiv e e partise se asaj kohe qe kooperativat t’i copezonin pronat ne rrang fshati fillimisht , duke filluar nga toka , objektet , pasurite e tundshme , mekanika , drufrutoret , gje e gjalle , e tjere…Dhe per keto u ngriten komisione te posacme , te cilat u zhvendosen prane qendrave te koopertivave . Atehere nen ze thuhej se “po shkonim drejt vetadministrimit si ai jugosllav”… Bile dhe admistrata duke filluar nga i pari zgjidhej nga asambleja e fshatit pa asnje ndikim partiak ne personalitetin e figurave . Po kjo nuk u realizua kudo shpejt , pasi filloi pluralizmi , dhe cdo reforme kundershtohej duke gjetur “klecka ” te ndryshme nga veshtiresia praktike e realizimit… dhe keshtu ne shume vende mbeti pa u kryer . Ideja ishte qe prona te zvogelohej deri ne fis , per tu mireadmistruar duke i shtuar dhe dhembshurine per dicka tenden , dhe kryesisht per plotesimin e nevojave konsumatore e tregetimin e tepricave…Biles ne ate kohe neper qytete u hapen edhe kioskat e para ku kooperativat e zvogeluara si fshat tregetonin prodhimet e tyre te teperta me cmime qe i kishin percaktuar vet…Por etj.etj…Mbase, ngadalesia pengoi…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin