Historiani Elidor Mëhilli më dërgon, të fotografuar, dokumentin e një procesverbali të një mbledhjeje të Sekretariatit të KQ të PPSh, të mbajtur më dt. 13 shkurt 1979, në të cilin Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Hekuran Isai diskutojnë, ndër të tjera, edhe për një artikull të Ismail Kadaresë për Eposin e Kreshnikëve, botuar në gazetën “Drita.”
Ky diskutim vjen pas dy diskutimesh të tjera: njëri për revolucionin iranian dhe tjetri për deviacionin e partisë komuniste italiane marksiste-leniniste.
Nga procesverbali, merret vesh se E. Hoxha ka mbetur shumë i kënaqur me artikullin e Kadaresë. Ai e quan atë ”studim shkencor”, ndërsa autorin ”njeri të zotin jo vetëm si romancier e poet, por edhe si studiues”.
Më pas, E. Hoxha flet për arkivin e Institutit të Foklorit, i cili përmban thesare të mëdha, por ka mbetur, sipas tij, i vdekur; dhe se Kadareja ka “ka kapur një kënd të këtij thesari të madh, e duhet thënë se e ka kapur bukur […] në kuptimin e zhvillimit materialist të problemit, duke e konfrontuar me studimet e huaja që janë bërë pro dhe kundër epikës sonë.” E. Hoxhës i ka pëlqyer edhe që Kadareja, duke ecur në hullinë e çelur nga Lambertz-i, “e nxjerr eposin tonë jo vetëm të bukur, por edhe shumë më të vjetër nga ai i sllavëve dhe i boshnjakëve.”
Duket qartë se sundimtarit shqiptar nuk i intereson dhe aq eposi në vetvete, sesa fakti që ky epos shqiptar është më i vjetër sesa eposi sllav; qëndrim tipik i kombëtaristit, i cili i përdor të gjitha të dhënat dhe dijet që ndesh në jetë, për të argumentuar marrëzitë e veta; duke harruar t’i shijojë në vetvete.
Hoxhës i tërheq vëmendjen, në këtë kontekst, që Kadareja “me të drejtë theksion se duhet t’i futemi më tej […] mbrojtjes së autorësisë shqiptare të eposit të kreshnikëve.”
Më pas E. Hoxha nis të flasë për “Thesaret e kombit” (duke e pasur fjalën për “Visaret e kombit”); siç kuptohet nga ndërhyrja e R. Alisë më pas, ai nuk e di që materialet e “Visareve”, sa i takon së paku Eposit, janë botuar në vëllimin “Epika legjendare” II, të Institutit të Folklorit. Kësaj vërejtjeje, Hoxha i përgjigjet me gjakftohtësi: “në përgjithësi, ne e dimë që kemi thesare të mëdha, por duhen vënë njerëz që t’i zbulojnë.”
Më tej, duke u kthyer te artikulli i Kadaresë që e ka lënë pa gojë, ai propozon që “ky studim duhet të përkthehet dhe të botohet, të bëhet një libër i vogël, me kapak të mirë. Në shqip patjetër që duhet ta bëjmë kështu, por mendoj që kjo broshurë duhet të përkthehet edhe në serbokroatisht, në greqisht, në gjermanisht, në italisht dhe në turqisht sidomos. Tirazhi, natyrisht, të mos jetë i madh, këto duhet të jenë libra shkencore, s’ka nevojë të shpërndahen kudo.”
Dihet si përfundoi kjo punë: fjala e E. Hoxhës shkoi në vesh të Perëndisë, dhe eseja ose “studimi” i Kadaresë u botua, në një libër të vogël, me kapak të mirë; dhe me atë rast, ua dhamë një shuplakë edhe armiqve serbomëdhenj dhe gjithë të tjerëve që nuk na i donin të mirën dhe e kujtonin epikën boshnjake si më të vjetër.
E. Mëhilli ma pat dërguar këtë material me mendimin se mund ta përdorja në përpjekjet e mia me Eposin, të cilat i kam nxjerrë këto muaj në Peizazhe të Fjalës. E kisha vënë mënjanë, ndonëse edhe unë kisha bindjen se eseja e Kadaresë, sado e pjesshme dhe spekulative, ndihmoi qoftë edhe tërthorazi për ta mbajtur gjallë interesin e publikut ndaj Eposit, në një kohë kur rrëfimet e Kutelit ishin zhdukur nga libraritë.
Deri në atë kohë, folkloristët dhe studiuesit shqiptarë, me Qemal Haxhihasanin në krye, ishin përqendruar në aspektet sociologjike të Eposit dhe në mënyrën si ishin pasqyruar aty strukturat dhe konfliktet e Mesjetës, por pa i mëshuar aspektit të “ndeshjes së popujve”, ose të primatit shqiptar ndaj atij boshnjak, etj. Edhe në leksionet për lëndën e “Foklorit shqiptar” që mbante në Fakultetin Histori-Filologji, Haxhihasani i përmbahej të njëjtave linja që përvijonte edhe te parathënia e “Epikës Legjendare” (II).
Brenda kulturës shqiptare, kalimi nga Haxhihasani te Kadareja ishte edhe kalimi nga analizat sociologjike dhe marksiste të shoqërisë së pasqyruar në Epos, në analizat kombëtariste; ku lufta e klasave zëvendësohej me luftën midis popujve dhe lashtësia ia zinte vendin estetikës, në hierarkinë e vlerave.
Ndërkohë, një tjetër shkrimtar shqiptar, Fatos Arapi, po iu qasej baladave dhe eposit, nga një perspektivë e ngjashme me atë të Kadaresë. Arapi pat botuar një analizë relativisht të gjatë për këngën shqiptare të Luftës së Kosovës, më duket në revistën “Nëntori”, e cila më kishte bërë përshtypje për analizën krahasimtare të këngës shqipe me këngë të eposit serbo-kroat e më tej. Dukej qartë që Arapi, edhe pse shkrimtar dhe jo studiues i folklorit, i kishte mundësitë për të ndërmarrë krahasime të tilla, drejtpërdrejt me epikën e fqinjëve; gjë që Kadareja nuk e kishte bërë përveçse në mënyrë shumë të përgjithshme në esenë e vet, për shkak se nuk i interesonte, ose ndoshta ngaqë nuk i lexonte dot këngët në serbo-kroatishte.
Arapi kishte përgatitur, në fillim të viteve 1980, edhe një vëllim me studime për këto tema, ku përveç këngës së Luftës së Kosovës, analizohej edhe balada e “vëllait të vdekur” në versionet e veta të shumta, si dhe një numër këngësh të Ciklit të Kreshnikëve – ato më të spikaturat.
Këtë vëllim e kam tani në dorë, në një botim të vitit 2007 (nga Botimet I-T), me titullin “Këngë të moçme shqiptare.”
Më duhet të them se Arapi, në të gjitha pjesët e studimit, por veçanërisht në kapitullin kushtuar Ciklit të Kreshnikëve, ndërmerr një numër krahasimesh të gjera me versionet boshnjake dhe serbe të këngëve, të cilat nuk ia kam parë as Lambertz-it, as te Skendit, as Elsie-t. Ai e njeh mirë jo vetëm ciklin shqip, por edhe ciklet boshnjake dhe serbo-kroate, dhe literaturën përkatëse; edhe pse kujdeset që esenë e vet të mos e paraqitë si studim shkencor të mirëfilltë, por ta mbajë në kufijtë e esesë. Më tej akoma, Arapi ka përkthyer, me dorën e vet, disa prej këngëve të ciklit boshnjak dhe serbo-kroat, për ta ndihmuar lexuesin në krahasimet; në ndonjë rast duke u shtyrë edhe më tej, në versionet bullgare dhe greke të këngëve; aq sa libri i tij është me vlerë edhe për balkanologun, që interesohet për shtegtimet e motiveve dhe motërzimet e baladave në gadishull.
Ky libër më rezulton tani se është botuar për herë të parë në vitin 1986. I biri i Fatos Arapit, Toli Arapi, pati mirësinë të më japë edhe disa dokumente të cilat rrëfejnë historinë e mundimeve të autorit, për ta parë veprën e vet në raftet e librarive.
Në atë kohë, një shkrimtar i mirënjohur si Arapi vetvetiu do ta çonte librin e vet te shtëpia botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë; mirëpo ky institucion, në personin e drejtorit Thanas Leci, ia refuzoi Arapit botimin me një letër të dt. 4 prill 1985, me këtë motivacion:
Përmbledhjen me studime “Këngë të moçme shqiptare”, pasi e shqyrtuam rezultoi se nuk i përgjigjet kritereve të botimeve tona në fushën e kritikës letrare për masat e gjëra të lexuesit.
Në të përmblidhen studime për ciklin e kreshnikëve, këngën e vëllait të vdekur dhe këngën popullore shqiptare mbi luftën e Kosovës, studime ku rrihen probleme të mprehta shkencore, të cilat duhen diskutuar më parë se të botohen në rrethe të ngushta shkencore, gjë të cilën e bën Akademia e Shkencave me institucionin përkatës.
Si tillë botimi i kësaj përmbledhjeje del jashtë ko(m)petencave tona, prandaj po jua kthejmë të dy kopjet.
Meqë “Naim Frashëri” e ktheu librin mbrapsht, Arapi iu drejtua shtëpisë tjetër botuese, asaj “8 nëntori”, e cila kishte një profil më tekniko-shkencor, ose profesional, se simotra e saj. Mirëpo edhe aty Arapi nuk pati fat; përgjegjësi i redaksisë kulturore-enciklopedike, Nelson Çabej, në një letër të dt. 3 janar 1986, ia refuzoi edhe ai botimin me këtë motivacion:
Në dorëshkrimin tuaj “Këngë të moçme shqiptare” trajtohen probleme të rëndësishme të lidhjeve anëkëmbyese të disa këngëve të moçme shqiptare me këngët analoge të popujve të tjerë ballkanikë dhe evropianë dhe nxirren përfundime me interes lidhur me përkatësinë e tyre e, tërthorazi, edhe me etnogjenezën e popullit tonë.
Por dorëshkrimi juaj, si një vepër rigorozisht shkencore në përmbajtje, në formë, me metodën analitike të shqyrtimit dhe në aparatin shkencor, del jashtë kritereve të botimit të redaksisë kulturore-enciklopedike, prandaj nuk mund të botohet nga kjo agjenci.
Pse ta kenë refuzuar dy shtëpitë botuese këtë vepër të mirë? Motivacionet e sjella nga Th. Leci dhe N. Çabej nuk qëndrojnë; Leci thjesht e kalon topin në fushën e kundërshtarit, ndërsa Çabej e drejton vëmendjen gjetiu, duke përmendur deri edhe etnogjenezën, që në atë kohë ishte bërë temë “e nxehtë” për qarqet kulturore në Tiranë; përndryshe në libër nuk ka as metodë analitike të shqyrtimit, as aparat shkencor; por vetëm përpjekje për t’i mbështetur mendimet, nga ana e autorit, në referenca të njohura.
Një arsye për refuzim, në këto rrethana, do të ishte shkalla e gjerë e krahasimit, brenda në libër, me epikën sllave – edhe boshnjake, edhe serbo-kroate dhe ndonjëherë edhe bullgare – e cila nuk trajtohet asnjëherë me përbuzje, as me fryrjen tipike të kujt kërkon të imponojë, me çdo kusht e në çdo rast, epërsinë e vet imagjinare. Arapit i pëlqejnë shumë këngët e Eposit shqiptar, por njëlloj i pëlqejnë edhe disa këngë të Eposit boshnjak, sikurse i pëlqejnë edhe këngë të Eposit serbo-kroat – dhe ai nuk ngurron ta shprehë këtë admirim hapur. Unë e kam pasë ndjekur me kujdes literaturën e fushës në ato vite, më parë si student dhe më pas si studiues; dhe nuk mbaj mend të kem parë kund, në Shqipëri, një qasje të tillë krahasuese ndaj folklorit, që t’i nxirrte në plan të dytë preokupimet ideologjike kombëtariste bash aty ku pritej karshillëku maksimal ndaj të huajit, ose prova e ksenofobisë.
Arapi më në fund u ankua, lëvizi edhe ai disa gurë të vetët dhe arriti ta botojë librin në po atë vit kur iu refuzua nga “8 nëntori”, duke ia kthyer shtëpisë botuese fillestare, “Naim Frashërit”; por me një edicion të keq, me tirazh fare të ulët dhe me shkronja të vogla, që u zhduk sakaq nga qarkullimi. Me sa duket, ishte një nga ato vepra të dënuara të mbaheshin mend për mungesën e tyre, ose për faktin se nuk i kish lexuar njeri.
Përshtypja ime, sot, kur i shfletoj esetë e Arapit, është se ai libër nuk do të gjente dot vend lehtë brenda kulturës totalitare të viteve 1980; ishte “ndryshe”, po aq ndryshe sa edhe ndonjë objekt i ardhur nga ndonjë sistem tjetër. Këtë përshtypje ma jepnin, në atë kohë, edhe veprat e Kadaresë, madje edhe artikulli për eposin, të cilin E. Hoxha propozoi që ta botonin si libër “me kapak të mirë.” Një krahasim, sado i përciptë, i eseve të Arapit me ato të Kadaresë lejon megjithatë të vësh re diferencat mes tyre – këto të Arapit janë më filologjike dhe krahasuese, ato të Kadaresë më filozofike dhe përsiatëse. Mbetet për t’u parë pse politika ndaj veprave të tilla, e formuluar aq qartë nga E. Hoxha në mbledhjen e cituar më lart, nuk u zbatua ndaj Arapit njëlloj sikurse ishte zbatuar ndaj Kadaresë.
Disa mund të mendojnë se Kadareja përbënte gjithnjë një përjashtim dhe trajtohej veçan; mirëpo bash në atë kohë edhe Kadaresë vetë i kishin hapur punë, me “Gjakftohtësinë”, kritikat për “Pallatin e ëndrrave” dhe lidhjet miqësore me familjen e kryeministrit të vetëvrarë M. Shehu. Privilegji i tij, edhe pse kurrë i mohuar, mbetej i brishtë.
Të tjerë mund të mendojnë se shtëpitë botuese, veçanërisht ajo ”Naim Frashëri”, nuk donin të rrezikonin me një vepër kaq të pazakonshme në lëndë dhe në metodë, si kjo e Arapit; prandaj edhe drejtori Leci e refuzoi si të thuash ”me diplomaci”, ndërsa Çabej e nuhati problemin dhe u tërhoq edhe ai. Tek e fundit, miratimin për libërthin e Kadaresë ”me kapak të mirë” e kishte dhënë ”ai i madhi fare”; dhe duke pasur parasysh statusin e posaçëm të Kadaresë në letrat shqipe, mënyra si veprohej me të nuk duhej marrë si model dhe të zbatohej edhe me vdekëtarët e tjerë. Prandaj, nëse do të botohej apo jo një vepër ku Eposi shqiptar dhe Eposi sllav viheshin përnjimend krah për krah, si të barabartë, dhe shiheshin në marrëdhëniet mes tyre, jo si dy bejlegtarë të ndërkryer në fushën e mejdanit; pra, nëse do të botohej apo jo një vepër e tillë, për këtë miratimi duhej të vinte gjithashtu nga lart.
Gjithsesi, si në rastin e Kadaresë, ashtu edhe në atë të Arapit, ishte fjala për shkrimtarë të mirënjohur e të përkrahur, të cilëve u hapej rrugë. Bash në atë kohë, studiuesve të tjerë më fatkeqë u kalbeshin studimet në sirtare dhe nuk kishin kurrfarë shprese t’i shihnin të botuara, në Shqipërinë totalitare të E. Hoxhës. Mes tyre do përmendur, në këtë kontekst, veçanërisht Veis Sejko, studiuesi pionier i folklorit shqiptar dhe ballkanik, vepra e të cilit ”Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate” nuk u botua veçse shumë vonë (në vitin 2002), në një kohë që asaj i referoheshin edhe Kadareja dhe Arapi, në esetë e tyre; pa folur pastaj për veprën e Stavro Skendit, për të cilën ne, studentët e paktë të albanologjisë në fillim të viteve 1980, nuk dinim asgjë; ose për atë të Pipës, i cili e analizon folklorin mesjetar shqiptar (arbëror dhe arbëresh) në kontekst më të gjerë ballkanik; ose studimet e albanologëve në Kosovë. Ishim mësuar, në atë kohë, që figura qendrore të kulturës si Kadareja t’i shihnim edhe si ndërmjetës mes nesh të uriturve poshtë dhe kulturës perëndimore lart; ose si ekzorcistë të së keqes që na kërcënohej. Brenda këtij konteksti shumë specifik, madje patologjik, mund të them se një vepër si ajo e Arapit do të kish vlejtur pa masë, po të mos ishte penguar dhe sabotuar prej aparatçikëve.
S’para mbaj gjëra ndërmend, por për ato që mbaj përgjigjem. Kështu, që unë të kisha shkruar në PtF për librin e Kadaresë mbi Eposin e Kreshnikëve në gjuhë të huaja, duhet të ishte e vërtetë e jo Déjà vu. Kërkimi më çoi tek tema http://xhaxhai.wordpress.com/2010/09/20/atribuime/
ku midis atyre që kam këmbyer në komente po sjell këtë:
“Gjithë sa po ndodh të sjell ndërmend pranimin prej njerëzve të sistemit heliocentrik e mohimin e sistemit gjeocentrik. Trysnia e përditshmërisë së shkuar, malli për ata që jetuan kur njihej sistemin kadareocentrik, bëjnë që lexuesi të ketë droje për tu shprehur se universi nuk sillet rreth botës. Por ndërsa nuk e kemi këtë mohim prej lexuesit, kemi pohimin dhe pranimin prej tij të sistemit letrarocentrik.”
Kulisat e Eposit është ilustrim nga më të mirët për sa kam thënë. Nuk do të guxoja ta sillja për të kënaqur egon sikur, kërkimin tim të mos e kisha çuar me tej, tek fjala e E. Hoxhës, sjellë për publikun nga Sh. Sinani. Krahasimi midis asaj që sjell Xha Xhai të jetë thënë me atë që kish sjellë Sh. Sinani nxjerr në dritë disa mospërputhje. Këto mund ti gjeni duke lexuar këtu:
http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1046923463/titulli/Vepra-e-Kadarese-plot-mendime-dhe-terheqese
Ajo që më tërhoqi:
Sjellë nga Xha Xhai:
“Në shqip patjetër që duhet ta bëjmë kështu, por mendoj që kjo broshurë duhet të përkthehet edhe në serbokroatisht, në greqisht, në gjermanisht, në italisht dhe në turqisht sidomos. Tirazhi, natyrisht, të mos jetë i madh, këto duhet të jenë libra shkencore, s’ka nevojë të shpërndahen kudo.”
Sjellë nga Sh.Sinani(siç e gjeta në lidhjen e mësipërme):
“Ky studim duhet te perkthehet e te botohet te behet nje liber i vogel me kapake te mire ne serbo-kroatisht ne greqisht ne gjermanisht ne italisht dhe ne turqisht sidomos. Une jam i bindur se kushdo qe do ta lexoje kete liber do te habitet e do te thote qenka kjo epika shqiptare keshtu.”
Po shtoj më tej sa ka sjellë Anila Basha:
“Jam i bindur që, edhe të huajt, kur ta lexojnë këtë libër do të habiten.”
Unë habitem. Me lehtësinë me të cilën përpunohet një dokument arkivor, me përshtatjen sipas dëshirave dhe interesave dhe ofrimin pastaj publikut. Të jenë dy dokumenta të ndryshëm? Se sa më shumë kërkon aq me ndryshe të shfaqet.
Por nuk habitem me zellin e botuesve të kohës. Libri i Kadaresë u botua në gjuhët e ndryshme me letër të mirë dhe tirazh të madh.
Të huajt nuk do jenë habitur. Kopjet e mia të librit, sërbokroatisht, gjermanisht, unë i kam blerë vonë, në të perënduar të regjimit, jo se ishte mbaruar Kuteli e se më tërhiqte Eposi, por për të praktikuar gjuhët e huaja. A u botua libri në gjuhë të huaja vonë, a u shtypën e rishtypën aq shumë kopje sa nuk mund të shiteshin më, a u provua të shitej e u refuzua nga të huaj, nuk kam përgjigje se librat s’i kam me vete, dhe se … siç do të kishte thënë Brodskij: Dritë në skenë, kulisave Mugëtirë.
Kopjen e fotografuar të dokumentit origjinal mund ta shihni, të plotë, duke klikuar mbi foton në krye të tekstit.
Xhaxha, shume faleminderit ty dhe Elidorit qe na sollet kete dokument. Per mua zgjidhet me ne fund nje mister qe e kam pasur per 30 vjet. Une pata blere versionin frengjisht te librit te Kadares (“Nos chansons de geste”) dhe gjithmone vrisja mendjen: Si eshte shkruar ky liber? Ku eshte versioni shqip i tij? Librin ka 20 vjet qe e kam lexuar per here te fundit dhe e vetmja gje qe mbaja mend ne fakt ishte perparesia qe Kadareja i jepte versionit shqip te eposit ndaj versionit serb. Une as qe e mbaja mend fare qe ne ate liber flitej edhe per versionin bosniak. Por megjithate libri me ka ngelur ne mendje si nje studim i mire i Kadarese.
Jo shume njerez e dine qe pervecse shkrimtar, Kadare eshte edhe nje studiues i mire i letersise ne pergjithesi dhe te folklorit ne vecanti. Nje veper e tij ne fushen e folklorit eshte “Autobiografia e popullit tim ne vargje”. Nga fundi viteve 80 pata lexuar edhe nje shkrim shume te mire te tij ne nje gazete ku kritikonte naivitetet neper krijimet e reja folklorike te asaj kohe. Kadare per ca vite ka qene edhe pedagog i letersise se huaj ne universitetin e Tiranes. Daja im qe ishte mesues letersie i mbante leksionet e Kadarese te fshehura sic mbante ca libra te ndaluar. Sipas dajes tim, Kadareja ne ato leksione gjoja kritikonte Prustin te themi, por ne fakt ai pershkruante gjere e gjate se cfare kishte thene e shkruar Prusti dhe kjo nuk u shkonte per shtat drejtuesve te universitetit ndaj nuk e lejuan Kadarene te vazhdonte te jepte mesim per nje kohe te gjate.
Dokumenti qe keni sjelle me duket shume interesant si per nga dinamika ashtu edhe nga permbajtja. Ramiz Alia duket qe di shume me teper se Enveri per eposin por mundohet te mos e tregoje veten dhe vetem mundohet me perulje te shtoje aty kety ndonje detaj. Me siguri Ramizi e ka kthyer sugjerimin e Enverit qe libri i Ismailit te botohet ne pak kopje ne vendimin qe libri te botohej ne aq shume kopje sa rrezik edhe sot mund te gjesh ne ndonje librari origjinalin te pashitur. Hekurani eshte rrush fare e se ka idene se per çfare po flitet. Por ajo qe te ben me shume pershtypje eshte realizmi me te cilin flet Enver Hoxha. Ai e pranon qe me pare nuk kishte ditur ndonje gje te madhe per eposin por shkrimin e Kadarese duket qe e ka kuptuar mjaft mire. Ai ben vleresime te sakta per personazhe te tilla si Zihni Sako e Dhimiter Shuteriqi dhe eshte i shqetesuar per nivelin jo te larte te studimeve ne fushen e krijimtarise popullore. Duket si nje person me mend ne koke. Dhe ky diskutim behet ne te njejten dite qe diskutojne deviacionet e nje partie fantazme marksiste leniniste italiane dhe per nevojen e nje artikulli ne mbeshtetje te revolucionit iranian.
Ky diskutim behet jo shume kohe pasi ishte urdheruar shtetezimi i te gjitha bagetive te fshatareve dhe jo shume kohe para se te na tregonin perrala me kryeministrin poliagjent. Si eshte e mundur qe i njejti person ne nje situate ishte krejt realist dhe ne nje apo shume situata te tjera ishte krejt i fandaksur?
Nje permbledhje e mire e vepres kadareiane ne lidhje me baladat shqiptare, mund ta gjeni ketu – vetem per frankofonet :
http://hal.archives-ouvertes.fr/docs/00/40/03/86/PDF/de_Rapper_2008_Ismail_Kadare_et_l_ethnologie_albanaise.pdf
Ndersa per ate qe Kadare jepte mesim ne universitet duke komentuar “gjere e gjate” Proustin, ketu duhet ndalur pak hapi e jo vrapuar me trehapesh. Asnje shqiptar ska mundur ta komentoje Proustin, as gjere e gjate e as shkurt e ngushte. Arsyeja eshte se askush s’e ka lexuar “A la recherche du temps perdu”. Edhe ata qe jane rrekur ta bejne, jane thyer me dysh perballe madheshtise proustiane. Te lexosh Proustin (e jo me ta komentosh) do te thote te mbyllesh nja 10 vjet ne nje shpelle, e te dalesh qe andej me i çmendur se vete ai. Sa per dijeni, Prousti eshte me siguri shkrimtari me i madh i shekullit XX dhe mbase i shume shekujve bashke. Nuk behet fjale qe Prousti te jete zhbiriluar ne ate fare feje nga Kadareja, ne vitet per te cilat behet fjale. Per nje arsye te thjeshte : te lexosh Proustin ne origjinal, do te thote, me falni per fjalorin, ta shkerdhesh frengjishten e ta besh si nje kone te urte qe te lepihet aty tek kembet. (Kete e kam per te dyja gjinite, asnje aluzion ndaj “shkerdhimit” mashkullor). Dhe kete pune nuk e bente dot Kadareja, as atehere, e as sot. Me e shumta, Kadare duhet te kete perseritur ca gjera te pergjithshme, si tip “konspekte” te bera nga studiues franceze.
Nje nder gjerat qe me beri pershtypje ne kete dokument, eshte numri fare i pakte, rrezik asnje gabim drejtshkrimor. E habitshme kur e mendon se eshte bere me makine shkrimi shtrak-shtruk. Mua me behet se ky tekst nuk eshte teksti origjinal i degjuar apo regjistruar direkt ne vend, porse i ndrequr e i sajdisur me vone. Shkurt, nuk duket si proces-verbal mbledhjeje byroje. Nejse.
flm per kete shkrim.
Jeta intelektuale e Shqiperise ne vitet 70-80 ka qene vertet e habitshme, ne sensin qe kur lexon per te, megjithese ke jetuar ne ate vend, …habitesh….
Vertet ketu je ne Pejsazhin e Fjales padiskutim i kenaqshem!
Shiko, thellë-thellë këta nuk kanë qenë edhe aq matufë, po të marrim parasysh që Ceauşescu (Çaushesku) arriti deri aty sa të festonte 2050 vjetorin e Burebistës, “luftëtarit të lavdishëm dako-trak kundër sundimit imperialist” jo revizionist “të perandorisë romake”.