Me demokratizimin e sistemit politik të Shqipërisë pas viteve 90’ të shekullit të kaluar, edukimi politik (demokratik?) i qytetarit solli si parakusht rivlerësimin apo rishikimin e disa prej ngjarjeve apo figurave historike të historisë së Shqipërisë. Ky proces erdhi dhe u përqafua si i natyrshëm nga klasa politike dhe më pas nga akademikët. Primati i politikës, sikur edhe në periudhën e socializmit, edhe në këtë rast vendosi se cilat figura do të rehabilitoheshin dhe cilat ngjarje do të rivlerësoheshin. Të ashtuquajtur-tradhëtarë u shndërruan në hero, e tragjeditë historike të kombit i gjetën shkaqet tjetërkund.
Ky diskutim vazhdon ende sot nën didaktin e politikës, me të njëjtin vetëkuptim. Prizmi politik vazhdon të mbizotërojë vlerësimin moralist të historisë, në të këqinj e të mirë. Historia e Shqipërisë nuk ka vend për ambiguitete e figura historike ambivalente.
Përvetëm se kaq, historiografia shqiptare bazohet në një premisë konsensuale të palëkëndueshme. Në historiografinë shqiptare mbizotëron perspektiva teleologjike e shtet/komb-formimit dhe ideja se ngjarjet historike vlerësohen për nga rezultantja në lidhje me telos-in, e figurat historike për nga kontributi në këto ngjarje. Si rrjedhojë, ngjarjet historike që kanë “penguar” këtë zhvillim apo rezultante (shtetformimin) (qoftë edhe kundrafaktualisht) vlerësohen si tragjedi për shtetin/kombin (ose shtetin-komb). Konsensusi ndër akademikë është se periudha e sundimit otoman në krahinat arbërore vlerësohet si një tragjedi. Cilido studiues që e vendos këtë premisë në pikëpyetje, nuk zotëron integritet shkencor. Më këtë premisë teleologjike, aspak bashkëkohore, historiografia shqiptare dëshmon se qëndron mbrapa zhvillimeve në lëmin e historiografisë botërore.
Sërish i duhet primatit të politikës për të ndërhyrë dhe kujtuar komunitetit akademik shqiptar se ka ardhur koha të rivlerësojnë tezat dhe pohimet, sidomos në lidhje me periudhën e sundimit otoman në krahinat e banuara nga paraardhës së shqiptarëve të sotëm. Edhe pse ka pasur zëra kundër këtij këndvështrimi, ishte zëri i pushtetit, këtë radhë nga jashtë, që i ngjalli shpirtërat e vdekur të hulumtuesve tanë. Ky zhvillim nuk vjen papandehur, por është një tjetër hallkë në sekuencën e ngjarjeve të fundit në Shqipëri dhe rajon.
Komuniteti shkencor shqiptar është kapur sërish gafil. Ky komunitet vuan ende një krizë identiteti mbi vendin e tij në sistemin politiko-shoqëror të kombit: jeton të justifikojë status-quo-në apo të përbëjë pjesën më të përparuar dhe elitare të kombit? Dëshiron të vegjetojë parazitisht nëpër rreshtat e partive politike dhe të qeverisë së rradhës, apo synon të drejtojë e iluminojë ndërgjegjen e një kombi modern?
Zëri i Ministrit të Arsimit të Turqisë nuk erdhi nga ndonjë humbëtirë. Klasa politike dhe komuniteti shkencor duhet t’i kishin paraprirë këtij zhvillimi. Ata duhet të merrnin masat e duhura për akomodimin e hegjemonisë (soft power – Josef Nye) të Turqisë në planet dhe strategjitë e zhvillimeve ekonomike, të politikës së jashtme e mbi të gjitha të edukimit fetar e politik në Shqipëri. Ky diskutim sapo ka filluar haptazi në Shqipëri.
Ideja e hegjemonisë (soft power – pushtetit të butë nëpërmjet ideve, kulturës dhe fuqisë ekonomike) është prej disa vitesh pjesë e politikës së jashtme turke (emërtuar neo-otomanizëm). Turqia tashmë përfshihet në problemet rajonale e globale, pasi është një aktor i rëndësishëm rajonal. Qasja neo-otomaniste vjen si shkak i realiteteve të reja gjeo-strategjike në rajon. Kjo qasje cilësohet si një politikë e jashtme realiste bazuar mbi vlerat dhe të drejtën ndërkombëtare. Turqia nuk kërkon të rimëkëmbë Perandorinë e dikurshme Osmane. Ajo nuk ka ndonjë axhendë për islamizimin e kombeve. Turqia thjeshtë synon të normalizojë marrëdhëniet me ish-vendet e Perandorisë Osmane, përfshi edhe Shqipërinë.
Me dështimin e kemalizmit në Turqi, ndër të tjera edhe të kontrollit të fesë nga shteti laik, qeveria turke ka filluar normalizimin e marrëdhënieve me vendet e rajonit duke u kapur në vlerat e përbashkëta: besimi islam, interesat ekonomike, siguria etj. Dështimi i doktrinës saudite për hegjemoni mbi vendet me besimin islam në rajon dhe frika e perëndimit ndaj hegjemonisë iraniane, e sjellin Turqinë edhe njëherë në skenë si epiqendër të islamit në botë. Kjo epiqendër vijon tashmë të bëhet qendra e gravitetit për bashkësinë islame në Shqipëri. Është pikërisht ky fakt që e bën rivlerësimin e historisë të domosdoshëm për marrëdhëniet e mëtejshme të periferisë (bashkësia islame) me qendrën (Turqinë).
Në vitin 1923 Komuniteti Mysliman Shqiptar, asokohe “Xhamia Shqiptare”, fitoi mëvetësinë nga Shejhul Islamit i Perandorisë Osmane. Që prej asaj kohe Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH), me të këqijat e të mirat e saj, është udhëhequr nga shtetas shqiptarë pa asnjë drejtim doktrinar të përcaktuar qartë. Pas periudhës komuniste KMSH dhe bashkësia islame, u gjendën në një katrahurë doktrinare për shkak të humbjes së traditës dhe ndikimeve arabe apo iraniane.
Si edhe dëshmohet në një kabllogram të Ambasadës Amerikane (Wikileaks 06TIRANA1209), KMSH në udhëzimet e saj, ka si doktrinë zyrtare traditën e “Hanefizmit”. Por luftërat për pushtet brenda KMSH-ës kanë dëshmuar se bashkësia islame ka qenë fushë-beteja e disa përplasjeve doktrinare. Sa herë drejtuesit e KMSH janë ndjerë të rrezikuar në pozicionet e tyre drejtuese, i kanë cilësuar rivalët si “salafi” apo “vehabitë”, rryma këto të hegjemonisë saudite.
Jo pak raste në këto luftëra të brendshme janë përshirë mediat, por kryesisht palë direkt të interesuara kanë qenë edhe partitë politike PS dhe PD. Ndërhyrjet e partive politike, medias dhe interesave tregtare të lidhura me to, dëshmojnë se KMSH, më shumë se nga luftërat e ndër-doktrinare, ka vuajtur nga konflikti i interesave me pazaret e pronave të bashkësisë islame, nën administrimin e KMSH-ës. Konfliktet mbi pazaret e pronave të bashkësisë kanë shkuar deri në vrasjen e një drejtuesi të KMSH në zyrën e tij. Politikisht bashkësia islame është përdorur nga të dyja partitë për të vjelur vota (p.sh. me ndërtimin e xhamisë së re).
Në këto 20-vite ekzistencë pas periudhës socialiste, KMSH ka dëshmuar të jetë e paaftë të mbijetojë pa një qendër ideologjike dhe drejtim indoktrinar të mbështetur nga një pushtet i fortë (hard power) imun nga ndikimi i politikave të brendshme.
Në analogji, fill pas demokratizimit të sistemit politik, si Kisha Katolike edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale u lidhën direkt e menjëherë me qendrat e tyre. Vendndodhja e komuniteteve fetare katolike dhe orthodokse në periferi të sistemit të organizuar të besimit fetar (Papatit në Romë dhe Patrikanës në Stamboll) e bënte të domosdoshëm lidhjen direkte me qendrën dhe i siguroi këtyre bashkësive fetare mbijetësën, rimëkëmbjen dhe stabilizimin. Në të dyja këto bashkësi fetare, ndikimi i partive politike është thuajse zero.
E kundërta me KMSH. Pa një qendër rëndese dhe orientimi, bashkësia islame përdoret e keqpërdoret nga partitë politike dhe qeveria e rradhës. Në arenën politike bashkësia islame ndihet e papërfaqësuar denjësisht. Më parë drejtuesit e KMSH-ës përfliteshin se ishin ish-oficerë (edhe të Sigurimit të Shtetit) ose ish-magazinierë. Pronat e mëdha në administrim të KMSH-ës kanë qenë shkak kacafytjesh në mes të llojit. Ripërtëritja e një elitë brenda bashkësisë deri më parë ishte e pamundur: medresetë përgatisnin injorantë, nga vendet arabe vinin njerëz gjysëm të shkolluar apo të indoktrinuar me doktrina të epokës së gurit.
Por dështimi i kemalizmit, fitorja e AKP-ës (Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit) dhe një sistem organizativ i përsosur i lëvizjes së Fetullah Gülen, e bëjnë Turqinë edhe njëherë një qendër tërheqëse për Komunitetin Mysliman Shqiptar dhe bashkësinë islame në përgjithësi. Kjo ka filluar të ngjasë.
Lëvizja Fetullah Gülen (LFG) ka kohë që ka zenë vend në Shqipëri (dhe bari ka mbirë). Kolegjet Turke (Mehmet Akif dhe Turgut Ozal) janë shkollat më të mira në Shqipëri. Së fundmi i krijuar Universiteti Epoka, po i të njëjtës linjë të LFG-ës, cilësohet si një nga institucionet më të mira private në vend. Sot medresetë, nën administrimin e Fondacionit Sema, janë ndër shkollat më të mira në Shqipëri. Ky sukses i “shkollave turke” duket se përsëritet në shumë vende të botës. Për ripërtëritjen e elitave në bashkësinë islame dhe të doktrinës fetare, Fondacioni Sema po administron edhe universitetin e hapur rishtazi nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, Hëna e Plotë, duke synuar të marrë në dorëzim së afërmi edhe KMSH-ën. Për bekimin ndoshta të bashkësisë islame shqiptare.
Nisur pra nga ky realitet i ri i bashkësisë islame shqiptare: me një qendër rëndese dhe orientimi tashmë të përcaktuar (Turqinë) e një Komunitet Mysliman Shqiptar të rinovuar, është e domodoshme të rivlerësohet historia dhe përmbatja e doktrinës së edukimit politik/qytetar në Shqipëri.
Kapedan me gjen dakort ne gjerat qe shkruan. Grindjet ne KMSH jane paraqitur si doktrinare por nuk kane qene te tilla dhe kam shkruar me pare per kete gje.
http://www.islaminalbania.com/2010/09/konfliktet-e-islamit-shqiptar-dhe.html
Megjithate, disa gjera doja te vija ne dukje: e para une nuk besoj se punet e qendres se gravitetit ne ceshtje te autoritetit fetar funksionojne vetem sipas dinamikes se soft-power -it qe ti pershkruan. Turqia reflekton entuziazem per shume muslimane ne bote, por Turqia nuk ka nje diskurs fetar realisht konkurent mes muslimanesh sot. Disa nga arsyet mundohem t’i shpjegoj ketu
http://www.islaminalbania.com/2011/03/salafism-in-albania.html
Gjithashtu, perfaqsuesit turq te LFG duket te jene shume te ndergjegjshem per ndjenjat nacionaliste ne Shqiperi dhe kjo reflektohet edhe ne artikullin e Bekim Agait ne 2003 dhe e kam konfirmuar edhe vete ne intervista qe kam bere ne 2010.
http://www.islaminalbania.com/2011/02/gulen-movement-in-albania-new.html
Ka nder muslimanet shqiptare qe mendojne se me shume se nje rol i kerkuar nga LFG, roli prominent qe ka ne Shqiperi i eshte hedhur ne preher se duhej gjetur nje sponsor i huaj per te administruar punet e islamit ne Shqiperi pas largimit se shoqatave arabe. LFG plotesonte profilin e duhur per kohen. Ne gjithe eventet qe kam shkuar te LFG ne New York do jete ose Hillary ose Bill (ose te dy) Clinton. Raporti i 2005 i Rand Corp. bente te qarte politiken amerikane per te mbeshtetur levizje si LFG. Kjo nuk do te thote, gjithsesi, qe nuk ka pakenaqsi midis muslimanesh shqiptare per te tilla paternalizime te huaja.
http://www.islaminalbania.com/2011/03/gulen-movement-in-albania-gains-new.html
Por qe t’i kthehemi pikes ku ka nisur biseda. Sigurisht qe duhen bere revizionimet historike, por, do kish qene me mire qe ministrat e Turqise te kishin dhene ca bursa qe te shkojne studente shqiptare ne Turqi te studiojne me Halil Inalcikun apo me Edhem Eldemin e me kohe do behej edhe revizionimi i historise. Do kishim edhe historiane qe do mereshin me sixhilatet e Beratit e Manastirit.
Ngela i habitur nga ky shkrim. Nuk e kuptova mire se cili ishte filli, apo ideja baze. Megjithate, ka diçka qe mua me ben pershtypje ne diskutimet mbi fete ne Shqiperi.
Ne asnje rast, nga askush, nuk permendet karakteri spiritual i fese, dmth nuk flitet per nderlidhjen e njeriut me Zotin, si individ qe ben nje pakt me kete Zot. Por gjithmone, sa here qe keta studiuesit te flasin per fete, e bejne kete ne formen me te çuditshme te rreshtimit te taboreve, te peshes qe do te merrte çdo bashkesi fetare, te ndikimit qe do te kishte, etj. etj.
Kjo menyre te veshtruari te gjerave, eshte nje tallje e vertete me besimin e dikujt sepse nuk i le asnje hapesire vetjake qe te hyje ne lidhje me Zotin.
Islami politik, ose ndryshe islamizmi, ashtu si dhe ortodoksizmi grek apo ai rus, apo katolicizmi polak apo irlandez (pavaresisht se midis ketyre ka dallime te shumta), nuk bejne gje tjeter veçse e shohin vertet individin ne formen e para dymije e ca viteve, dmth si dele. Dhe bariu do te na ishte hoxha, prifti apo popi. Kur ne fakt, e verteta eshte se jeta ne shoqeri nuk rregullohet ndryshe perpos mbi bazen e disa ligjeve ku edhe bariu edhe delja jane ne te njejten shkalle perparesie. Nje vend nuk drejtohet me ligje fetare, koha e ka vertetuar se keto lloj regjimesh jane regjime fashiste po aq prapakthyese sa nazizmi apo komunizmi. Besimi eshte diçka thelbesisht e brendshme ndaj nje njeriu, dhe nuk e gezon aspak vetine kalimtare, nese mund te them keshtu, dmth besimi im nuk duhet te sherbeje si mase per besimin e nje tjetri. Dy sferat tona, qe une dhe tjetri kemi ndertuar rreth e rrotull vetes, ne çeshtjet e besimit nuk do te duhet te hynin ne bashkeveprim, sepse perplasja e tyre do te sillte me patjeter nje perkeqesim te jetes ne bashkesi. Ajo ku une kam nevoje per tjetrin, eshte thjesht hapesira laike ku edhe une, edhe tjetri, jemi te barabarte perpara disa ligjesh te shoqerise se ciles i perkasim. Keto ligje kuvendi, jane ligje tokesore dhe nuk pijne uje per ne qiell. Por edhe ligjet e qiellit nuk vlejne per ne toke. Toka dhe qielli, me specifikat e tyre perkatese, nuk do te duhet te priteshin me njeri-tjetrin, te pakten jo ne forma organizimesh te perbashketa. Vetem i tille si individ, une mund ta pajtoj jeten time qiellore (spiritualitetin) me jeten time tokesore (ate profane, te perditshme). Kjo behet vetem ne nivel individual, gjithkush perqafon nje moral qe nuk bie ndesh me ligjet e vendit, dhe pastaj pjesa tjeter i perket vetem individit, dhe vetem atij. Çdo nderhyrje ne hapesiren time si individ, nga ana e dikujt qe me premton diçka ne jeten e qiellit, eshte thjesht nje mashtrim, dhe madje me keq, eshte nje zaptim, nje pushtim dhe me raste dhe nje asgjesim i qenies sime.
Me pak fjale e thjeshte:
I. Motivi i shkrimit: a) perpjekja ime per te kuptuar diskursin dhe situaten e krijuar me historiografine ne Shqiperi, e posacerisht historine mbi sundimin osman; b) deshira per te gjetur lidhjet ndermjet ngjarjeve ne duke jo te nyjezuara. Kryesisht ndermjet :
(1) kerkeses turke per rivleresim te historise/terminologjise,
(2) vetebesimit te rritur turk ne politiken e jashtme,
(3) Historiografise shqiptare, rezistente ndaj metodologjive bashkekohore, por jo ndaj politikes.
(4) politikat e identitetit (te rrafshit identitar, ne kete rast atij te perkatesise fetare, islame),
(5) mungesen e perfaqesimit politik dhe identitar te bashkesise islame ne Shqiperi,
(6) problemet ne Komunitetin Mysliman Shqiptar (KMSH) si pasoje e corientimit ideologjik/doktrinar dhe korrupsionit mbi pronat,
(7) Angazhimit te nje doktrine te re turke ne Shqiperi (LFG).
(8) Deshires turke per t’u mirepritur nga komuniteti shqiptar dhe jo stigmatizuar.
II. Synimi i shkrimit: te gjej nje zgjidhje pragmatiste, e cila merr parasysh: 1. situaten e krijuar, 2. respekton pushtetin (hegjemonin turke) ne rajon, 3. merr parasysh se vetem “domosdoshmeria” politike mund t’i rris zellin historianeve shqiptare per ndryshim, 4. I ofron orientim komunitetit mysliman dhe i paraprin idese se tashme KMSH eshte periferi dhe satelit i Komunitetit Islam Turk, 5. pergatit pesimistet se ndoshta e ardhmja nuk eshte keq, ja vlen vetem te pershtatemi me realitetin e ri.
Falemnderit. Si “komentues”, desha te di, a ka ndonje paradigme te palevizshme ne boteveshtrimit tuaj ? E kam fjalen, cilat mund te jene dy-tre shtyllat e palekundshme te ketij boteveshtrimi ?
Sepse, me duket se po nje bosht te tille, nuk mund te kete nje diskutim te qarte.
Megjithate, si “komentues” perseri, po ju them se çfare pershtypje na mbetet kur lexojme tekstin tuaj : nje lloj perpjekjeje per rehabilitimin e turko-islamizmit. Qofsha i gabuar, kjo eshte pershtypja.
Jo se eshte diçka e keqe ne vetvete (kjo e merr kuptimin e vet ne kontekst), por verej se historia qe po na propozohet sot, historia Turqi-Shqiperi, eshte po aq false sa ajo e Hoxhes per LANC-in. Ju lini diku te nenkuptuar se meqe kane ndryshuar kohet, dhe meqe politika eshte tjeter (Shqiperia, Turqia, gjithçka ka ndryshuar), atehere edhe historia duhet rishikuar. Mirepo, ajo qe harrohet eshte se nuk eshte politika ajo qe komandon historine, por e kunderta, bejme politike duke u nisur nga historia. Si e tille, perpjekja per rehabilitimin e Turqise se fuqishme sot, nuk shkon me vete thelbin e punes se historianit : shqyrtimin e fakteve, gjetjen e frymes qe i lidh keto fakte, dhe paraqitjen e tyre nga shume kendveshtrime. Nuk jane historianet ata qe dalin me deklarata zulmemadhe, por jane politikanet qe i perdorin shkrimet e historianeve per qellimet e tyre. Megjithate, eshte tashme nje bindje tek une, se ne nuk zoterojme historiane te mirefillte te peshes se nje Kershaw apo Hilberg. Periudha komuniste ka shkaterruar gjithçka, absolutisht gjithçka ne keto gjerat e mendjes. Madje, po te vesh re edhe vete terminologjine qe perdorin historianet tane qe shkruajne neper gazeta, eshte e mbushur me nje kundermim te thelle sovjeto-komunist. Dhe jo vetem terminologjia, jo vetem fjalori apo leksiku, por edhe vete bashkevendosja e ketyre fjaleve ne diskutim, bie ere myku.
Per veten time, ringjalljen e shkences se historise, e shoh diku pas 20 vjetesh, kur dikush qe po shkollohet sot ne universitetet me te mira te Perendimit, me profesore te degjuar,do te kete aq shkeputje (“recul” dhe jo “détachement”) nga politikat e dites.
Ne lidhje me fuqizimin e Turqise, nuk kam shume kohe ta shtjelloj mendimin tim, por parashoh dite te keqija per ta, i ka hipur nje gomari qe nje dite do ta marre vesh ç’eshte. Dhe e dhimbshmja ne kete histori eshte se ia dua vertet te miren ketij populli, jam nje ithtar i Kemal Ataturkut dhe mendoj se, nese ka nje figure sot qe mund ta nxjerre Shqiperine nga bataku, eshte nje e llojit te Ataturk.
Mbresat qe le artikulli nuk percaktohen- ndoshta parashikohen – nga shkruesi. Varet me cfare pritshmerish e ke lexuar kete artikull, e mirepret kete teme apo menyren e trajtimit te saj.
Nese mendon idealisht se, shkrimi i historise mund te shkeputet nga ndikimi politik, atehere shkrimi nuk pretendon te kunderten, por ky pretendim ngelet normativ, se realisht asnje proces i te shkruarit nuk mund te clirohet/emancipohet nga ndikimi politik, politik: ne kete rast pushteti. Shkrimi synon te jete pragmatist: meqe nuk kemi cfare te bejme, heret a vone do te behet cfare po vjen, le te dime sesi ta kthejme kete “te paperballueshme” ne te miren tone, e te mos genjejme veten se po ndermarrim dicka per te qendruar, pasi cdo gje ndryshon.
Per rrjedhoje, une nuk po rehabilitoj askend, por po bej tellallin se heret a vone, si gjithmone, historianet shqiptare do t’i perulen diktatit te politikes dhe nese nuk do e bejne me hirin e kerkimit shkencor, do ta bejne me pahir.
Pjesa tjeter pragmatiste eshte: se meqe objektivitet ne vleresim nuk mund te kete, me shume nje konsensus kolektiv mbi vleresimin, atehere le te pershtatemi, por duke i paraprire, sesa te gjendemi jo te gatshem.
Besnik faleminderit per Informacionin. Por une besoj se islami si fe komunitare me norma te percaktuara (disi qarte), nuk mund te individualizohet e si rrjedhoje te demokratizohet (protenstatizohet, personalizohet), pervetem se kur individualizohet kalon ne misticizem apo gnosticizem.
Keshtu drejtimin e merr gjithmone nje grup elitar, te cilet vendosin mbi doktrinen dhe percaktojne dogmen fetare. Pak rendesi se kush e si jane: Nurxhinj apo Salafi. Populli, bashkesia islame, nuk ka zgjedhje. Eshte shkurt nje qasje larte-poshte. Perndryshe, nese nje grup i caktuar njerezish kane potencial per te percuar mesazhin se perjetimi i besimit eshte individual/personal dhe i personalizuar, atehere suksesi per kete doktrine nuk eshte larg. Shume mendojne se shoqerite islame po kalojne nje depresion kolektiv si pasoje e konflikteve ndermjet pritshmerive te tyre per te jetuar sipas normave komunitare islame, me mundesite per perjetime pozitive personale/individuale qe te ofron sot tregu i lire dhe kenaqesia e konsumit (seks, pazar, sport etj.) ne shoqerine globale.
Eshte padyshim nje nga ato shume pak analiza te mira ne keto dy dekada per punet e rimekembjes se Komunitetit Mysliman shqiptar – cka nuk i ul asgje faktit se edhe motivi kryesor i artikullit (rimekembja nr 2 eTurqise) eshte trajtuar ne po ate nivel te larte: dallimi eshte se ndersa per (pseudo-)neootomanizmin tashme ka mbulim ditor shtypi dhe nje biblioteke te plote botimesh ku mund te mbeshtetesh, analizat mbi KMSh tregojne vetem ekspertize personale te autorit, pasi subjekti eshte i parrahur, (pervecse ne kuptimin e keq te fjales, nga molestatore te ndryshem).
Kohëve te fundit Turqia ka nisur nje ofenzive diplomatike per ta shtrire ndikimin e vet ne te gjitha hapesirat e ish-Perandorise Osmane dhe per ta arritur kete synim, ajo po perdor Islamin si arsyetim,pra deshiron qe ta mbroje Islamin dhe trashegimine e tij ne Ballkan.Nga kush?Thjesht nga askush,por i duhet si arsyetim per te dale edhe njehere ne keto vise dhe nuk heziton qe te perdor ekonomine,politiken,fenë,madje edhe ndonje pasazh librash historik qe mund te kenë ndonje gabim shtypi!
Per fat te keq historia po perseritet.Ishte ne Mesjete, Karl Topia qe ftoi mercenaret turq ne lufte kunder Balshajve,jane politikanet tane qe sot e quajne vella kryeministrin turk ose e therrasin ne perurime rrugesh…Politikanet tane e kryen punen e tyre…Tash debati hapet tek intelektualet…Rishkrimi i historise…Çka do te vije me pas?
Do te ishte gabim fatal nese kombi shqiptar do te jetë porta e futjes se Turqise,
edhe njehere, ne Ballkan,prandaj duhet te kemi kujdes se kujt po ia hapim portën.
Edhe nje gje,Turqia dhe Islami nuk jane sinonime.Islami si fe,si kulture,nuk na pengoi fare qe ta luftonim Perandorine Osmane,nuk e pengoi as periudhen me te ndritur te historise sone:Rilindjen Kombëtare Shqiptare.