Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Kulturë

NDËRRIME SHKRONJASH

Lexoj në The Turkish Language Reform, nga Geoffrey Lewis (Oxford University Press, 1999, f. 32), se Alfabeti i Stambollit, i krijuar dhe i promovuar nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, paska ndikuar, tërthorazi, edhe në reformat që përfshinë çdo aspekt të turqishtes, në fillim të shekullit XX, me synim europianizimin e saj.

Lewis përmend, pa e specifikuar me emrin e vet si Alfabet i Stambollit, alfabetin me 36 shkronja “latine dhe greke” që sipas tij Sami Frashëri dhe vëllai i tij Abdyl Frashëri kishin krijuar, për gjuhën e tyre amtare, shqipen – një gjuhë, thotë ai, së cilës alfabeti arab i rrinte po aq keq për shtat sa edhe turqishtes.

Më 29 janar 1910, thotë Lewis, gazetari i njohur Hüseyin Cahit (Yalçın), anëtar i grupit të intelektualëve që orbitonin rreth revistës filo-Perëndimore Servet-i Fünun, dhe botues i gazetës Tanin, botoi një artikull me titullin “Arnavut Hurufâtı” (“Shkronjat shqipe”), ku lavdëronte nismën e vëllezërve Frashëri dhe shprehte mendimin se edhe turqit do të bënin mirë ta ndiqnin.

Ndërkohë, gjithnjë sipas Lewis, i cili citon këtu studiuesin turk Levend, një kërkesë nga një grup shqiptarësh për një fetva në lidhje me këtë çështje mori përgjigjen se kjo binte në kundërshtim me Islamin.

Më pas, është i njëjti Hüseyin Cahit që shkruan sërish, në 1923, në favor të reformës së alfabetit dhe adoptimin e shkronjave latine nga turqishtja. Vëren Lewis-i se, një vit më parë, në një takim me përfaqësues të shtypit në Stamboll, në shtator të vitit 1922, Mustafa Qemali i pyetur prej Cahit-it se “Pse nuk po adoptojmë shkrimin latin?” u përgjigj: “Sepse ende nuk ka ardhur koha.” Në fakt, në atë kohë pesëdhjetë anëtarë të Asamblesë së Madhe Kombëtare ishin hoxhallarë; përveç tetë shehlerëve dhe pesë të tjerëve që e kishin deklaruar profesionin e tyre si “kryetar fisi”.

Trysnia për reformën e alfabetit turqisht kish kohë që vepronte, por një nga arsyet që e mbanin të gjallë, veç nevojës për “oksidentalizim” që ndihej prej elitave laike në Stamboll, kishte të bënte edhe me mangësitë e mëdha dhe të gjithanshme të alfabetit arab, me të cilin shkruhej osmanishtja; të njëjtat mangësi që do të kenë luajtur rolin e tyre për të bindur shumë shqiptarë të fesë islame që të përqafonin shkronjën latine për shqipen.

Për ta kuptuar këtë, mjaft të kemi parasysh se ndërrimi i alfabetit të turqishtes donte të thoshte edhe se, që nga ai moment, turqit me shkollë nuk do të mund të lexonin më Kuranin; meqë, siç vëren gjithnjë Lewis, shumica e njerëzve, edhe e atyre që flasin më shumë se një gjuhë rrjedhshëm, zakonisht nuk mësojnë dot më shumë se një alfabet në jetë.

Prandaj, për Turqinë, sikurse për shqiptarët myslimanë gati gjysmë shekulli më parë, adoptimi i shkronjave latine ishte njëkohësisht edhe një hap i guximshëm përpara, drejt laicizimit të kulturës dhe, për pasojë, edhe të jetës sociale.

Në një kuptim, mund të thuhet se shqiptarët e Shoqërisë së Stambollit, e cila operonte në një mjedis kulturor osman, u treguan turqve se ishte e mundshme që një gjuhë të fillonte të shkruhej me një alfabet të sajuar posaçërisht për të, ose të krijuar në epruvetë.

Natyrisht, shumë prej intelektualëve turq, mes të cilëve edhe ata që e përshëndetën nismën e vëllezërve Frashëri dhe ua sollën bashkatdhetarëve si shembull të një reforme të suksesshme, nuk e dinin, as mund ta dinin, se shqipja në fakt e kishte një traditë të vetën të vjetër, të shkrimit me alfabetin latin – atë të shkrimtarëve të vjetër katolikë të Veriut, së bashku me atë tjetrën, jo më pak të rëndësishme, të arbëreshëve të Italisë.

Ndikimi, sado i tërthortë, i Shoqërisë së Stambollit në frymëzimin dhe suksesin e reformës alfabetike të turqishtes është për t’u vënë në dukje; sidomos në kontekstin e paralelizmave të tjera, që ende mbeten për t’u përshkruar mirë, në ecurinë e shqipes, përkatësisht turqishtes moderne, gjatë shekullit XX. Nëse ndonjë autor yni e ka përmendur tashmë këtë çështje gjëkundi, i kërkoj të falur; saktësimet si gjithnjë i mirëpres.

Pa Komente

  1. Xhaxha,

    Ne komentin qe ke bere me siper konstatova dy gafa. E para eshte kjo:

    “Trysnia për reformën e alfabetit turqisht kish kohë që vepronte, por një nga arsyet që e mbanin të gjallë…kishte të bënte edhe me mangësitë e mëdha dhe të gjithanshme të alfabetit arab, me të cilin shkruhej osmanishtja; të njëjtat mangësi që do të kenë luajtur rolin e tyre për të bindur shumë shqiptarë të fesë islame që të përqafonin shkronjën latine për shqipen.?””

    Tani une nuk e di se kush eshte autor i kesaj gafe. Ti apo Lewisi? Kushdo qe te jete nuk mund ta le pa theksuar se argumenti qe alfabeti arab kishte mangesi per te shkruar shqipen apo turqishten, eshte i pasakte sa do te ishte edhe pretendimi se japonezet nuk mund te mesojne muzike si evropjanet, meqe vine nga nje kontinent tjeter dhe hane pilaf. Alfabeti arab i cili perdoret (ej) nga shume popuj jo arabe – sic eshte sot shembulli i Pakistanit apo i Iranit i ka te gjitha germat e gjuheve jo arabe, si psh ç apo ë-ne, nepermjet te venies se zanoreve siper bashtingelloreve sic ndodh ne gjuhen shqipe me germat ç dhe ë. Ndryshimi i alfabetit nga arab ne latin, ishte pjese e kryqetazates kulturore te Perendimit i cili u ndryshoi muslimaneve qe nga Jakarta e deri ne Sarajeve jo vetem alfabetin, por edhe kalenderin, ditepushimin, sheriatin, kodet morale dhe i beri te gjithe te varurit e tij ne kulture. Argumenti i mangesise se arabishtes, eshte shume jo-inteligjent per tu permendur ende sot. Eshte nje orientalizem ala-saidian sipas shembullit te Lord Kromerit.

    E dyta gje qe nuk mund te pranoj ne shkrimin me siper eshte ky citat:

    “as mund ta dinin, se shqipja në fakt e kishte një traditë të vetën të vjetër, të shkrimit me alfabetin latin – atë të shkrimtarëve të vjetër katolikë të Veriut, së bashku me atë tjetrën, jo më pak të rëndësishme, të arbëreshëve të Italisë.”

    Tani kjo lidhja e reformatoreve kopjace muslimane me katoliket e maleve te Shqiperise, eshte si me thene se Haxhi Qamili luftoi kunder kaureve pse ishte ndikuar nga Marksi. Fiset katolike ne veri te vilajetit te Shkodres me te vertete shkruanin per hesap te kishes, ama qe te ishin keta burra kreshnike mes malesh e qe laheshin rralle per tu bere te shenjte – inspiratoret e reformizmit musliman ne Perandori, eshte shume e pamundshme. Nese lexon jetet e reformatoreve muslimane ne Perandori, fakti qe i shtyu ata te tradhetojne Kuranin per germat e kaureve, ishte magjepsja qe intelektualet osmanli me ne krye sulltan Selimin III zhvilluan per Francen monarkiste dhe republikane. NJerez qe nga Frasheri e deri te Vaso Pasha, ishin te gjithe frengjishtfoles, e me kompleksin qe kane edhe analistet tane sot ne Tirane e qe flasin nje anglishte te cale – edhe keta intelektuale te Turqise plake, donin ti ngjanin kultures rezatuese te Parisit.

    selam e tu rrite ndera’

    1. Që alfabeti arab nuk ishte i përshtatshëm për turqishten, këtë e sqaron mirë Lewis-i, i cili në veprën e cituar një kapitull ia kushton reformës së alfabetit. Unë nuk di arabisht, por kam studiuar aq gjuhësi sa ta di që arabishtja është gjuhë semitike; dhe alfabeti i saj, i përshtatshëm për një gjuhë semitike, nuk funksionon mirë me gjuhë që nuk janë semitike, duke përfshirë këtu edhe turqishten. Unë jam i prirur t’i besoj Lewis-it, natyrisht.

      Edhe për shqipen, kam lexuar që alfabeti arab nuk përshtatej mirë; aq sa transliteruesit e sotëm të poezive të bejtexhinjve hasin në vështirësi të mëdha për t’i dhënë këto saktë me alfabetin latin; sikurse hasin në vështirësi të mëdha historianët që duan të lexojnë saktë emrat e përveçëm në dokumentet e periudhës osmane. Sidoqë ta rrotullosh, arabishtja nuk bënte për shqipen, për shkak të ndryshimeve tipologjike – njëra gjuhë semite, me rrënjë konsonantike; tjetra gjuhë indo-europiane. Përndryshe, shqipja fare mirë mund të shkruhej me alfabetin grek ose cirilik, të cilët u përgjigjen gjithnjë strukturave morfo-fonologjike të gjuhëve indo-europiane.

      Ka gjuhë indo-europiane që shkruhen sot e kësaj dite me alfabetin arab; p.sh. urdu dhe persishtja. Për urdu-n, thonë ishte kaq e vështirë për t’u shtypshkruar, sa gazetat shkruheshin me dorë deri në fund të viteve 1980; nga ana tjetër, për shkak edhe të teknologjisë së Internetit, sot folësit e urdu-t po përdorin gjerësisht alfabetin latin. Vështirësitë teknike të shkrimit të urdu-t me alfabetin arab i gjen të përshkruara këtu (http://www.ukindia.com/zurdu1.htm). Vështirësi të ngjashme ka edhe persishtja; për të cilën thuhet se alfabetizimi kërkon së paku 9 vjet praktikë të përditshme – në një kohë që, për shqipen për shembull, një ose dy vjet mjaftojnë. Këto vështirësi kanë të bëjnë me natyrën e alfabetit arab; i cili bën që 34 shkronjat e persishtes të marrin 118 forma të ndryshme në shkrim; sikurse edhe me mungesën e shkronjave për zanoret e shkurtra. Për më tepër informacion (http://unipers.com/pa.htm).

      Jo rastësisht, shumë gjuhë josemitike (indo-europiane dhe joindo-europiane) që dikur përdornin vetëm alfabetin arab, e kanë ndërruar këtë me alfabete të tjera, zakonisht latin e ndonjëherë edhe cirilik: azerbaixhanishtja, kazakishtja, taxhikishtja, turkmenishtja, uzbekishtja. Arsyeja që alfabeti arab ka mbijetuar në gjuhë të tjera josemitike ka të bëjë, kryesisht, me faktin që arabishtja është gjuha e Kuranit.

      Sa për “gafën” e dytë që thua, atë kam frikë se e ke bërë ti jo unë, sepse ti nuk e ke kuptuar argumentin tim; unë them se shqipja, ndryshe nga turqishtja, nuk u shkrua për herë të parë me alfabet latin nga Shoqëria e Stambollit; ishte shkruar edhe më parë; në një kohë që me turqishten situata ishte e ndryshme. Ndoshta ka pasur orvatje të mëparshme për ta shkruar turqishten me alfabet latin, të cilat unë nuk i njoh – më ndriço.

  2. جاجة (xhaxha)

    به ط شكرواج ن ربشة قطع (po te shkruaj ne bejtexhisht ketu)

    tani nga njohurite e pakta qe une kam mbi gjuhen arabe, dhe germat qe perdorin paket, iranianet, malajet, arnautet per te shkruar vernakularet e tyre, germat arabe jane po aq te kollajta per shkrim sa jane edhe latinet. pretendimi se gjuha arabe si semite qe eshte, nuk shkon me shkrimin e gjuheve semite, eshte i pavend kur flitet per turqishten, gjuhe mongoloide e cila, nuk e di, se ku mund te gjej afri me latinishten.

    e pranoj qe shkrimi i gjuhes shqipe me germa arabe eshte me i kollajte sesa i turqishtes.

    per shqiptaret qe mesojne arabisht dhe turqisht, arabishtja, ka te njejten strukture fjalie si gjuhet indoevropjane. keshtu psh nese ne themi ne shqip:

    une do shkoj ne Nju York

    ne arabisht thuhet:

    أنا، وسوف يذهب الى نيويورك

    ku permemri, fjalia, dhe objekti kane te njejten vendosje logjike. ndryshe qendron puna me turqishten ku semitet dhe indoevropjanet behen lemsh per te kuptuar rregullin gjuhesor turk. pra nese Lewisi ka te drejte per ndertimin strukturor te fjalise, per shkrimin e gjuhes me germa arabe ja fut kot. ama per shqipen dhe shkrimin e saj me germa arabe, mendoj, se shkrimi ka qene i suksesshem. pse ne Pakistan mileti shkruante me dore deri ne vitin 1980, apo pse kur chatojne arabet dhe kinezet perdorin germa latine, ky eshte faj i Bill Gatesit dhe teknologjise evrocentriste qe kur e nxorri MS Wordin ne 1990-at e nxorri me germa latine e do duheshin vite deri sa te viheshin ne perdorim fonte te tjera qe nga arabishtja e deri te fontet e shqipes se Kong. te Lushnjes.

    po ashtu, per alfabetizimin e njerezve me gjuhen arabe ku ju thoni se duhen 9 vjet, une serisht habitem. une njoh njerez qe kane mesuar te lexojne arabisht per 1 muaj. xhamite e Shqiperise jane te mbushura me njerez me 5 klase shkolle, te cilet ndersa nuk dine te shkruajne shqip dhe nuk me lexojne dot mua dhe ty, kane mesuar te shkruajne e lexojne arabisht me hoxhen selefi…. biles njoh hoxhallare ne mes te Tiranes qe po ti futesh ne provim te gjuhes shqipe (apo kur shkruajne ne FB) ngelin ne klase, por e dine arabishten uje.

    ndoshta ne leximet e tua mund te kesh ngaterruar procesin e mesimit te gjuhes arabe – i cili eshte i ndryshem nga mesimi i te shkruarit me harfe arabe. pse shkrimi dhe leximi me germa arabe eshte po aq i thjeshte (edhe pse ne na duket gogol pse nuk e njohim kete gjuhe) sa edhe ai i germave latine. ndersa mesimi i arabisht, po, jam dakort me ty qe eshte i veshtire. sic eshte i veshtire edhe mesimi i anglishtes ne shkollat tona, ku pas 8 + 4 = 12 vitesh shkolle, femijet shqiptare nuk dine akoma si te flasin mire anglisht.

    si perfundim mendoj se argumenti i mosmundesise se arabishtes per te shkruar gjuhe jo-semitike nuk qendron. mendoj se eshte aq orientalizues sa ishte edhe pretendimi i Ataturkisteve dhe Zogisteve tane qe mendonin se duke u hequr fesin dhe qylafin dhe vene kapelen apo duke ua nderruar emrat nga Mustafa dhe Naim ne Dritero dhe Henri, do ti benin shqiptaret Dideroj e Voltera.

    Ndersa per gafen e dyte, mendoj se lidhja e shkrimin te gjuhes shqipe moderne me ate te fiseve katolike ne malet e veriut tone, eshte e sforcuar. Ne ate kohe, muslimanet e ortodokset nuk i shihnin fiset katolike si nje komb apo si vellezer, por si ca fise te humbura latinesh qe shkruanin nje dialekt i cili ishte aq i pakuptueshem, sa eshte edhe sot per ne mbishkrimi otoman ne varrin e Ethem Beut apo Kapllan Pashes ne qender te Tiranes.

    selam aleikum

    1. Një saktësim. Shkruan:

      po ashtu, per alfabetizimin e njerezve me gjuhen arabe ku ju thoni se duhen 9 vjet, une serisht habitem. une njoh njerez qe kane mesuar te lexojne arabisht per 1 muaj.

      E kisha fjalën për alfabetizimin e atyre që mësojnë të shkruajnë persishten me shkronja arabe, meqë doja të mështetet tezën se alfabeti arab nuk u përshtatet gjuhëve indo-europiane. Arabishtes, natyrisht, i përshtatet për bukuri.

    2. …”Ndersa per gafen e dyte, mendoj se lidhja e shkrimin te gjuhes shqipe moderne me ate te fiseve katolike ne malet e veriut tone, eshte e sforcuar. Ne ate kohe, muslimanet e ortodokset nuk i shihnin fiset katolike si nje komb apo si vellezer, por si ca fise te humbura latinesh qe shkruanin nje dialekt i cili ishte aq i pakuptueshem, sa eshte edhe sot per ne mbishkrimi otoman ne varrin e Ethem Beut apo Kapllan Pashes ne qender te Tiranes…”

      Mysliman? Ne Shqiperi? Ne 1550?

      1. Dialekti i pakuptueshem ketu ne fakt eshte vetem ky qe perdor Turku.
        S’po merret vesh per c’fare po perpiqet te flase njehere ?!
        Ne fillim te pasazhit, thote se katoliket ne veri nuk flisnin te njejten gjuhe me myslymanet dhe ortodokset, por me vone me sa duket nuk behet fjale per gjuhe por per dialekt, nenkupto dialekt te shqipes, qe dmth perfundimisht se flisnin ne te njejten gjuhe por ne dialekte te ndryshme?!
        A behet fjale per gjuhe, dialekt apo gjuhe moderne ? S’dihet.
        Ndersa me poshte shkruan se myslymanet dhe ortodokset nuk i shihnin fiset katolike si i njejti komb apo si vellezer!
        Me kete llogjike mund te imagjinojme situata absurde sa te duam, psh. nje myslyman ne malesi po e quajme Myslym Thaçi, qe nuk identifikohet si pjesetar i te njejtit popull me kusheririn e tij katolik ne malin perballe Kristian Thaçin, por e ruan kete afinitet per ndonje turk apo gabel myslyman me te cilin shkembehet diten e pazarit ne qyetet!
        Dhe ne te njejten kohe Myslym Thaçi dhe Kristian Berisha flasin gjuhe apo dialekte te ndryshme, por jo vetem ata. Cdo fe me sa duket ka pasur gjuhen/dialektin e saj. Nuk dihet gjithsesi nese Bektashjanet nga ana tjeter kishin edhe ata gjuhen/dialektin e tyre.
        Pervec kesaj duke pasur parasysh se tekstet apo fjalet e para ne shqip jane shkruajtur prej klerikeve katolike, nuk e dime nqs duhet te fillojme ta shohim edhe Kishen si fis katolik apo latin?

  3. Probleme te moshes dhe ora e pare e mesimit me R. Memushaj vrane cdo mundesi qe te studioja gjuhesine e keshtu qe me duhet te futem ne kete bisede duke pranuar injorancen time ne fushen qe po debatohet. Por midis perpjekjeve gjysmake me gjuhet e huaja kam dhe eksperiencen e shkurter ne mesimin e turqishtes qe mu desh ta nderpres per arsye qe nuk kane te bejne me turqishten dhe mbi tre vjet mesimi arabishte te cilat jane pak per nje gjuhe si arabishtja.me aq sa kam vene re, ka nje sasi serioze fjalesh ne turqishten e sotme, edhe pas inkuzicionit nacionalist turk, qe jane me origjine arabe dhe alfabeti latin eshte I papershtatshem per ti shkruar gjithe keto fjale qe jane pjese integrale e turqishtes se sotme. Se paku “me vesh” kapet masakra fonetike. Nese turqishtja qe doli nga divorci me osmanishten gjendet me rehat me alfabetin latin, gje per te cilen nuk di c’te them, ky adaptim alfabeti ka sjell pasoja ne menyren si shkruhet nje pjese e mire e fjaleve te sotme turke qe I mbijetuan zellit ataturkian. Kjo pa permendur ate te cilen e aludon xhaxhai dhe qe momentalisht nuk me gjenden tekstet e duhura per te cituar, ne varferimin makaber te gjuhes. Nje nga turqit me te kulturuar qe njoh me thoshte se me cfare eshte bere me turqishten, eshte e kote te vihesh te shkruash poezi. Sic thashe nuk di gje nga gjuhesia, por aq sa di nga historia, ata qe lobuan per alfabet latin nder turq e shqiptare do e kishin bere kete dhe do ja kishin dale mban edhe nese alfabeti latin do ishte komplet I papershtatshem per gjuhen shqipe (apo turke).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin