Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori / Sociologji

ÇIKAT E KRESHNIKËVE (II)

Ideologjia kombëtariste – dhe këtë e them me hidhërim – ia ka arritur ta shfytyrojë eposin e Mujit dhe të Halilit deri në atë pikë, sa të ndeshësh njerëz si kolegu në diskutimin e mëparshëm në blog, të cilët haptazi refuzojnë ta besojnë se një nga bëmat stereotipike të heronjve kreshnikë të Ciklit është të shtien në dorë një vajzë krajli a kreshniku sllav, për ta marrë nuse.

Martesa, në shumë prej këngëve, është vetëm rezultati final, por fort i dëshiruar, i një aventure ose bëme e cila nis me rrëmbimin e çikës (abduction); çka nënkupton ekzistencën e një pengese çfarëdo e cila e bën të pamundur negocimin paqësor të martesës ose të fejesës; pengesë e cila, në epos, zakonisht ka të bëjë me refuzimin e krajlit ose të kreshnikut baba të çikës. Meqë në kontekste të tilla si ato të Ciklit të Kreshnikëve vasha konsiderohet si zotërim i çmuar, ose plaçkë e lakmuar për t’u pasur, atëherë rrëmbimi është një formë e grabitjes, ose e përvetësimit të pasurisë së tjetrit. Përkundrazi, martesa është edhe një formë marrëveshjeje e cila jo vetëm e rehabiliton aktin e rrëmbimit a posteriori, por edhe lejon themelimin e aleancave horizontale me fisin e vajzës së rrëmbyer. Në këtë funksion të fundit, martesa vjen dhe i ngjan vëllamërisë ose probatinisë, një ritual i lidhjes së miqësisë që bën të mundur anashkalimin e barrierave të gjakut ose fisnore mes dy burrave që duan të besëlidhen mes tyre.

Te Orët e Mujit, Halili e ndesh Janukën e Bardhë rastësisht te kullat e Pajit Harambash; e merr si plaçkë lufte, por megjithatë, në fund të këngës martohet me vajzën (“për tri javë darsma s’ka pra.”) Njëlloj veprojnë kreshnikët edhe me çikat e Behurit – Behurin vetë e vrasin, por çikat i çojnë në Jutbinë dhe martohen me to: “ma t’mirë dazmat qi m’i kanë ba, t’mira nuset qi m’i paskan dalë.” Te Gjogu i Mujit, Muji ia prish dasmën Çoban Raspodinit, që po martohej me Rushën e Krajlit, dhe e rrëmben këtë, së bashku me një vashë tjetër, për ta çuar në Jutbinë së bashku me treqind krushq që i ka zënë rob; bën dasmën, pastaj i shkruan letër Krajlit:

T’falë me shndet ti Krajle Kapidan,
treqind shkje rob t’i kam xanë
e dy nuse t’i kam marrë
[…]
Ka qitë krajli e ka thanë:
Ma t’mirë mikun s’kam ç’e baj.

Te Zuku merr Rushën, Zuku Bajraktar u mburret agëve të Jutbinës se i ka hyrë Rushës së Krajlisë në kullë dhe ka fjetur me të tre netë. Kur këtë nuk ia besojnë, ai preket në sedër dhe zotohet “ndo po e la kryet n’Krajli/ndo po e marr Rushën e Krajlit.” Pas disa peripecish dhe pengesash, shkon Zuku natën në Krajli dhe i troket në Rushës në derë të kullës. Kjo e çon në odën e vet nalt, “ia pjek kafen me sheqer”, por Zuku kafen nuk ia pi, pa ia dhënë kjo besën e zotit. Pastaj Rusha i hipën Zukut në vithe të gjogut dhe të dy kthehen në Jutbinë.

Te Basho Jona, Mujit i duhet të luftojë me Radin, një freelancer që ia ka marrë gjënë dhe mallin plakut Basho Jona dhe që vetë Mujit ia ka vrarë “shtatë Omera”. Niset Muji të vrasë Radin, por ky i thotë:

Ndore tande, Gjeto Basho Muji!
Me ma falë ket ditë të sodit,
se shtatë Omera vetë t’i kam pre
veç t’i kam pre me grosh t’Krajlisë
e nji besë tu zoti ta kam dhanë
qi n’Jutbinë nuk po t’la me shkue,
për pa i marrë gjaqet, Muj, e me i teprue.

Për t’ia larë Mujit borxhin e gjakut, Radi shkon në Krajli dhe rrëmben Gjelinën e bardhë, të cilën e ndesh n’oborr të sarajit të Krajlit dhe vendos që t’ia çojë Halilit si tribut. Në përfundim të këngës, Muji dhe Radi bëhen vëllamë dhe “t’mira darsmat u kanë dalë.”

Te Muji e Jevrenija, kjo ua thotë hapur shoqeve se ka rënë në dashuri me Halilin dhe Krajli, kur e merr vesh këtë, vendos t’ua japë “gumanave”; vasha i lajmëron agët e Jutbinës me letër dhe këta mësyjnë kullën e Krajlit, për ta shpëtuar Jevreninë nga martesa te “gumanat e zez.” Agallarët maskohen si gumana dhe arrijnë ta marrin vashën prej Krajlit; kur ky e kupton se e kanë mashtruar, u thotë:

Udha e mbarë, krajli u ka thanë,
miq për zemër sot ju paça xanë!
Por me gojë, se hallall s’jau ka ba.

Në përgjithësi, eposi i Veriut lë të kuptohet, edhe pa e thënë haptazi, se familjet e krajlëve, nga ku rrëmbeheshin vashat, kishin status social më të lartë se agallarët e Jutbinës dhe nguronin për të vendosur lidhje familjare me ta, ndoshta edhe për shkak të dasisë fetare; edhe pse, për mendimin tim, dallimi qytet i Krajlisë/ malësi e Jutbinës vepron më fort në këto kontekste.

Martesa me rrëmbim ose vjedhja e nuses (bride theft) ka qenë e zakonshme ndër fiset sllave; për rusët, ajo dokumentohet që në shekullin XI; ndërsa në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, ku njihet me emrin otmiča, praktikohet rëndom sot e kësaj dite, edhe pse shpesh në forma të ritualizuara; sikurse ndodh edhe ndër shqiptarët, edhe pse jo në ato përmasa.

Megjithatë, jo gjithnjë ndodh që martesa në Epos të paraprihet prej rrëmbimit. Një nga këngët më të njohura të Ciklit shqip, Omeri prej Mujit, rrëfen historinë e të birit të Mujit, Omerit, i cili kish lindur e ish rritur pa baba, meqë Muji dhe Halili, që të dy, ishin të burgosur në Krajli.

Kur e merr vesh Omeri këtë, vendos të kuturiset në Krajli, për të shpëtuar të jatin dhe “migjën”; shkon atje, ulet te një krua dhe i bie sharkisë, derisa e dëgjon Rusha e Krajlit; të dy hyjnë në bisedë, dhe Omeri më në fund ia rrëfen Rushës hallin e vet (motiv i përsëritur në Cikël) dhe i kërkon këshillë, si t’i shpëtojë Kreshnikët.

Rusha e mëson si të veprojë: Krajli paska dy binjakë të vegjël, të cilët Omeri duhet t’i rrëmbejë dhe t’i çojë në Jutbinë dhe pastaj t’i kërkojë Krajlit “shkëmbimin” e pengjeve.

Krajli zihet ngushtë, nuk ka ç’të bëjë tjetër, veçse t’i lirojë Mujin dhe Halilin nga burgu. Kur marrin vesh këta si qenka puna, i kërkojnë Krajlit edhe gjëra të tjera, si dy atkina të mbështjella me cohë të kuqe, që t’u hipin këta kur të dalin prej burgut, tri mushka “plot me pare prej florinit!” dhe më në fund, Muji i thotë:

Për t’gjall s’dal, mbret, i ka thanë
Rushën djalit pa m’ia dhanë
Pa ma falë sofrën prej dukatit!
Ç’ka qitë krajli e ka folë?
Të dy sot m’u miqësue,
Rusha djalit i kjoftë për grue!

Vasha, në këtë rast, shkëmbehet si pjesë e një negociate të ndërlikuar, e cila ka për qëllim jo vetëm lirimin e Mujit dhe të Halilit prej burgut, por edhe krijimin e një aleance të lakmuar me Krajlin.

Natyrisht, të gjitha këto martesa mes agallarëve të Jutbinës dhe vajzave shkina nuk mund dhe nuk duhen analizuar si të dhëna sociologjike të drejtpërdrejta. Ne madje nuk dimë as edhe nëse ka pasur vërtet martesa të tilla mes arbërve dhe sllavëve në zonën e Bosnjes, apo mos ato duan marrë thjesht si element i eposit boshnjak që ka depërtuar edhe në eposin shqiptar duke mbetur i kufizuar, si të thuash, në universin narrativ, pa iu referuar ndonjë dukurie të spikatur në realitet.

Mirëpo vetë fakti që martesa me rrëmbim mes një heroi të ciklit – zakonisht Halilit ose Zukut Bajraktar – dhe një vashe sllave nga derë fisnike është një trop, ose klishe narrative në Ciklin shqip kërkon interpretim; sepse kjo martesë ndodh, si rregull, në fund të këngës, duke shërbyer si mbyllje e rrëfimit ose zgjidhje e konfliktit. Edhe sikur të mos thotë shumë për realitetin e marrëdhënieve midis sllavëve dhe shqiptarëve (alternativisht turqve dhe kaurëve, ose myslimanëve dhe të krishterëve), ajo shërben si dëshmi e qartë, madje elokuente, e pozicionimit etik të eposit, ose etosit të këtyre këngëve.

[Ka shumë të ngjarë që Ballkani i atyre kohëve të ketë qenë, përkundrazi, teatër i mizorive të pashembullta, prej formacioneve ushtarake dhe paraushtarake të të gjithë ngjyrave, ndaj popullsive të pambrojtura të brendësisë; përfshi këtu edhe kapjen e skllevërve, të cilët pastaj shiteshin, me përfitime të mëdha ekonomike, në portet e Dalmacisë (Zarë, Split, Raguzë), të kontrolluara fillimisht prej Bizantit dhe më pas prej Venedikut. Kapja e robërve ose e plaçkës njerëzore gjatë inkursioneve të agëve në bjeshkë ose në Krajli përmendet ndonjëherë në Ciklin sllav, por zakonisht nuk zihet shumë në gojë në atë shqiptar; madje edhe kur zihet, kjo bëhet në mënyrë eufemistike. Për shembull, te Zuku Bajraktar: Ishte çue djali n’sabah,/ […] don me dalë n’bjeshkë për me gjue./ Sa shumë bjeshkën djali e ka shetitë,/ as s’ka gjetë gje me gjue, /as s’ka gjetë ndoi shkja me e pre.” I del përpara Ora e malit dhe ia tregon se ku janë shkjetë; Zuku shkon aty dhe vret njërin prej tyre, Smilaliq Alinë, ndërsa tjetrin, Baloz Sedelinë e xen rob dhe e ndryn në kullën e vet: por nuk kuptohet pse.]

Gjithsesi, martesa me një vashë të Tjetrit, ose të “rrëmbyer” nga ana përtej kufirit, ose nga bota andej, është një gjest që bie ndesh, në thelb, me vetë natyrën e eposit si këngë kufitare (akritike ose liminale), të cilat i referohen botës delikate në kufi të dy pllakave gjeopolitike, fetare ose etnike. Duke vendosur lidhje midis dy botëve që i kundërvihen njëra-tjetrës dhe që e realizojnë këtë kundërvënie pikërisht në hapësirën e kufirit mes tyre, martesa është një mënyrë e tërthortë për ta mohuar kufirin, për ta anuluar, për të ndërtuar përmes tij një urë aleancash dhe miqësish, ose për të vendosur paqen mes palëve që janë në luftë mes tyre dhe që përftohen si të tilla pikërisht nëpërmjet konfliktit.

Për këtë arsye, mendoj unë, martesa me vashat shkina merr në Cikël një vend ndoshta më prominent se ç’ka pasur në realitet, madje edhe në realitetin e familjeve bujare, si ato të krajlit, të kapedanëve dhe të agallarëve, të kreshnikëve dhe të mercenarëve që sundonin hapësirën e ndërbotshme të kufirit; sepse realiteti social ku qarkullonte kënga, ose publiku i eposit, e kërkonte, si të thuash, një happy ending, ose një zgjidhje të konfliktit nëpërmjet vendosjes së paqes ose të miqësisë.

Analizat me frymë kombëtariste dhe etnocentrike që u kanë bërë këngëve të Ciklit autorë të ndryshëm tani vonë e kanë shtrembëruar këtë thelb, këtë etos, këtë frymë të eposit; duke e përçudnuar atë dhe duke e parë vetëm si dëshmi, si kronikë, ose si elaborim fantazmagorik të konfliktit primordial mes shqiptarëve dhe sllavëve; shumë më të ashpër jo vetëm se ç’paraqitet në narrativat e Ciklit vetë, por edhe se ç’ka qenë, para se të zinte rrënjë nacionalizmi në Ballkan, sidomos ndër sllavët. Edhe në qoftë se eposi shqiptar i Veriut u referohet konflikteve kufitare mes arbërve dhe sllavëve në mesjetën e hershme, ai e bën këtë jo në mënyrë fataliste dhe të pashpresë, por gjithnjë me shpresën uruese të llojit make love not war që, nëse nuk do të arrihej dot kurrë në realitet, së paku do të përmbushej në këngët.

Pa Komente

  1. Xhaxha, ndoshta ju flisni me natyrshmërinë më të pafajshme, të atij që është i bindur (me të drejtë, në këtë rast) në ato që thotë dhe nuk vini rè që (me, ose) padashje i hidhni vetë benzinë zjarrit të debatit… dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe, kur një artikull rreth çikave ju e filloni me hidhërimin që ju shkakton Ideologjia kombëtariste.
    Duket sikur, me apo pa dhimbje, që të bëhet një debat i pastërt, duhet me PATJETËR të përjashtohet ideologjia kombëtariste… a thua se kjo Ideologji kombëtariste na qënkërka nëna e çdo të keqeje të mundëshme të ndodhur apo që mund të ndodhë.

    Që t’i kthehem temës; po e përshkruaj, si e mendoj unë, me një shembull që e kam përjetuar vetë: në ato kohëra, sllavët, turqit, shqiptarët dhe grekërit jetonin ashtu siç kanë jetuar kosovarët me korçarët dhe me matjanët në Mamurras, kur jetonin në vendbanime të përbashkëta, apo siç kanë jetuar fushkrujsat me borizanllinjtë kur jetonin në zona të afërta.
    Vendalinjtë gjithmonë shikonin me njëfarë inferioriteti dhe zilie (ose inati) “korrqarin”… edhe pse vetë “korçari” kushedi nga ç’gërxh i Mokrës apo Skraparit kishte zbritur në Fushkrujë (apo Mamurras).
    Ashtu siç ishte e vështirë, për të mos thënë tabù, që një “korçar” të rrëmbente një “maloke” (sepse, nëse e donte, mjaft të dërgonte njerëz që ta kërkonin dhe ishte e sigurt 1000% që e kishte “çikën” ke shpija), po aq triumfuese ishte për “malokun” rrëmbimi i “korrqares”… natyrisht, nën emrin e dashurisë, por që është vështirë të mos marrim parasysh edhe “hesapet” që kishte bërë për të patur të hapura dyert e miqësisë së re, a thua se këto ishin dyert e parajsës…

    P.s: Për një gjë jam dakord me Xhaxhain. Shumkënd ideollogjia kombëtariste e ka bërë që t’i shikoje femrat serbe vetëm si armike… por për sa kam parë (dhe më ka qëlluar), nuk kam se si të mos ja u besoj mundin dhe sakrificat Mujit dhe Halilit 😛

    1. Asnjë e mirë nuk i vjen debatit nga ideologjitë, të cilat si rregull i filtrojnë faktet dhe interpretimet, për të dalë aty ku duan: te konfirmimi. Kombëtarizmi, feja, racizmi… ideologji ka plot, por unë përmend vetëm ato që më bezdisin në kontekstin konkret. Kemi këtë dokument të mrekullueshëm: eposin shqiptar të veriut, që nuk ka shok në kulturën shqiptare; dhe për të cilin janë thënë shumë të paqena dhe profka. Dua ta kuptoj më mirë dhe, nëpërmjet tij, edhe epokën që e ka pjellë. Tani, më ngrihet kombëtaristi dhe më thotë se si dhe ku duhet të qëmtoj, më.jep një LA, si të thuash, për ta akorduar unë kitarën. Arroganca e këtyre njerëzve dhe e LA-ve të tyre të stonuara! Mirëpo unë e kam ca eksperiencë në këtë fushë, kam pasur të bëj me dinosaurë dikur, që nxirrnin flakë nga goja; dhe këto hardhucat tani më shumë më irritojnë, sesa më trembin.

      1. Ti xhaxha je i sigurte qe ne shkrimet, komentet e interpretimet qe ti ben per eposin, jane te zbrazura nga cdo lloj ideologjie?

          1. Athere a nuk duket pak e padrejte ti meshosh kombetaristeve dhe ideologjise se tyre si shperfytyrues te eposit dhe filtrues faktesh e interpretimesh qe nuk sjellin asnje te mire ne nje debat per eposin?

            1. Xhaxha ajo qe dua te them eshte qe sic etiketon ti dike si kombtarist dhe akuzon kete si shperfytyrues e shtremberues te eposit, ose si te padobishem ne debat, shume lehte dikush mund te thote qe qasja jote ndaj eposit eshte kozmopolite, multikultare ose thjesht e cunguar duke e cilesuar si thelbin e tij rrembimin nga ana e kreshnikeve/kapedaneve/cubave shqiptare te vajzave sllave te krajlve per nuse.

              Me pak fjale debatit nuk i ben dobi etiketimi dhe perjashtimi i qasjes te tjerit ndaj epsosit, si qasje e pavfletshme se kjo mund te reflektoj iks apo yspsilon ideologji.

            2. Dakord – po edhe debati ynë nuk ka si të zhvillohet ndryshe, pozicionet janë të asimilueshme në pak llogore elementare. Megjithatë, unë kam edhe një argument më tepër: shumë nga këto studime dhe përfundime për eposin u kryen dhe u nxorën në një periudhë kur impostimi ideologjik nuk ishte çështje shijesh ose bindjesh vetjake, por vinte me detyrim nga lart. Kësisoj, përfundimet e të gjitha konferencave dhe simpoziumeve dhe debateve kombëtare për çështje delikate, si ajo e natyrës etnike të eposit, diheshin që para se këto konferenca dhe simpoziume dhe debate të nisnin mirë.

            3. vinte me detyrim nga lart !!!
              Këtë e merrni si të mirqënë ngaqë e thonë të gjithë, apo njihni (qoftë edhe) ndonjë rast të veçantë?
              Jam dakort që atje “lart” preferonin, stimulonin dhe mbështesnin personat apo idetë që ju vinin sipas midesë (ashtu siç siluronin pa mëshirë personat dhe idetë që ishin në kundërshtim me diktaturën e proletariatit), por që ndonjë rast të veçantë, ku të thuhet se: “Këtë argument duhet ta trajtoni kështu , se kështu i vjen mbarë historisë sonë”, të paktën mua, nuk më ka qëlluar ta ndesh.

            4. Edrus, unë kam punuar shtatë vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, dhe kam marrë pjesë në 3-4 konferenca kombëtare studimesh. Ti, që thua “mua nuk më ka qëlluar ta ndesh”, në ç’institucion ke punuar dhe cila ka qenë fusha jote e studimit?

              Imponimi nga lart bëhej fare thjesht: para konferencës, ti propozoje temën e kumtesës sate (ose të referatit, xhanëm); nëse kjo nuk ishte korrekte, këshilli shkencor nuk e miratonte.

  2. Kush thote qe ideologjia kombetariste nuk ka te beje me eposin, nderkohe qe kjo eposin e ve ne thelb te vazhdimsise iliro-shqiptare si dhe ne thelb te pretendimit se deri vone vone shqipot jane shtrire deri ne Kroaci dhe Bosnje, do te thote qe e ka pervetesuar kaq shume kete ideologji saqe as nuk arrin ta dalloje 🙂
    Sa here qe lexoj emrat e Mujit dhe Halilit, me kujtohet fytyra e habitur e informantit tim kryesor ne Sarajeve kur i thashe se ne Shqiperi e Kosove Mujin dhe Halilin i dine se jane shqiptare. Si munden me qene ata shqiptare kur mbiemrin e kane Hrnic, dhe jane boshnjake dem baba dem? 😀

    1. “Hale #1” dhe “Hale #2. Ja dhe celsat.
      -Hale?,- e pyeta, duke bere gati ti mblidhja vetullat e te picerroja syte, ne menyre qe t’i lija te kuptonte bashkebiseduesit se kish hyre ne nje “territor” per te cilen as s’kish pasaporte.
      -Po,po. Hale-ja jote, – mu pergjigj ne menyren me te zakonshme.

      “Ku na doli ky kopuk ketu, ne mes te Paqesorit,-mendova me vete. E ka marre vesh qe jemi shqiptar, dhe po tall mendern me ne. Kush e di se kush ia ka mesuar si fjale, dhe ky po nxjerr kunj tashti. Ose eshte ndonje nga ata komshinjte tane qe ka perfunduar ketu ne fund te dynjase”.

      -Hale? – e pyeta perseri. What do you mean? (se ta fus koken ne hale ta fus- vazhdova brenda vetes, pa i dhene ze mendimit.)
      -Hale… House..
      -Shpi? Plako…! Hale osht ai veni ku shko mreti m’kom.

      Mbasi u sqaruam mire e mire se i zoti i celsave nuk ishte me origjine as komshi e as gjiton, se fjala “hale” ne Hawaii eshte fjala qe perdoret per shtepine, dhe se une, me gjithe mbiemrin familjar, nuk isha me origjine nga Maui (vec n’pacin marre pirogat ne kohen e paleolitit te paret e mij nga Hawaii deri ne Adriatik), u ndame me te qeshur. Me pas, sa here shkembeheshim ai do pyeste me ze te larte, se mos po shkoja ne “hale”.
      -Po plako. M’hale po shkoj. Kom takim me mretin…

  3. S’ka dyshim se Cikli lexohet ne shekullin 21, dhe ky eshte nje fakt mjaft problematik.
    As Muji e Halili, as rapsodi qe i krijoi, nuk logjikonin me koken e shqiptarit te sotem.

    Pika me e ndijshme e moralit, ne arealin ballkanik, konsiderohej femra. Motra, nena, gruaja, mbesa.
    Nuk mund te kishte mposhtje, cnderim, cnjerezim e poshterim me te madh sesa perdhunimi i motres ose femrave te armikut.

    Ja ku i kemi perdhunimet e femrave boshnjake e shqiptare hic me larg se para 12 vjetesh ne lufterat e ish-Jugosllavise, te shkijve kunder shqiptareve e boshnjakeve. Mbi 30 000 femra shqiptare te perdhunuara prej shkijve.
    Pse?
    Poshterim. Cnjerezim. Shkaterrim te identitetit, te familjes e te individit.

    Rast tjeter, pak para luftes se Dyte Boterore, ne nje fshat te Podujeves (sot Besiana), Kosove, cetniket shkije, kalojne kufirin dhe i mesyjne familjes se Deme Ahmetit, duke i djegur shtepijat bashke me anetaret e familjes brenda. Qellimi i cetnikeve ishte edhe rrembimi i cikes se Demes – Ajetes, per ta martuar ne Serbi me nje mashkull serb.
    Krejt kjo ngjarje e vertete, e jetuar dhe e njohur per shume banore te atij vendi, dhe nga pleq qe edhe sot jetojne.

    Xha xha, respekte per penen.
    Asgje kunder kozmopolitizmit, por, te lutem, me fakte. Me fakte.

    1. Shkruan:

      Mbi 30 000 femra shqiptare te perdhunuara prej shkijve.

      Dhe ky është fakt? Më ndihmo ta rrok më mirë (më jep ndonjë burim të lutem).

      Sa për femrat në Epos, ato ndonjëherë edhe dhunohen; por zakonisht jo nga Muji dhe Halili dhe heronjtë e tjerë “tanët”, të cilët luajnë fair. Ato pak dhunime që përmenden, i kryejnë sllavët (shkijet, armiku); por nuk duhet harruar se po aq herë tradhtojnë edhe gratë shqiptare.

  4. @ bajselmani … Megjithate mendoj se blogu i Xhaxhait – ku shpesh here debatojme edhe nxehte, nuk e meriton qe ne te te perdoret emertimi fyes dhe racist SHKIJA…dhe eposi eshte nje prodhim kulturor i perbashket per popujt e Ballkanit, e perseris se ka edhe nje MUJ dhe Halil Hrnic po aq boshnjak sa edhe shqiptar, dhe fjala kreshnik vjen nga fjala Krajishnik – banor mashkull i Krajines… qe eshte shume larg nga zona shqipfolese…

  5. Xha xha,
    faktet dhe shifrat per perdhunimet jane aty ku duhet te jene (org. humanitare, nderkombetare, media). Viktimat jane gjalle.

    Eshte fyese te pretendohet qe me nje te rene lapsi e gjithe historia e raporteve e lufterave shqiptaro-serbe te asaj epoke e eposi, te shnderrohet ne fushe me lule e ne lidhje romantike me shkembime grash ndermjet armiqsh.
    Perdhunimet dhe rrembimet e femrave te armikut jane shfrytezuar si mjete lufte.Femra eshte ajo qe linde, rrite dhe edukon armikun. Ky eshte motiv i mjaftueshem per poshterimin dhe roberimin e saj ne cdo rast te mundshem.
    Martesat dhe “romancat” e atyketushme me femrat e armikut brenda Ciklit, pastaj, jane thjesht perjashtime dhe “devijime” rreptesisht te qortueshme, ashtu sic shihen martesat shqiptaro-serbe qe ndodhin edhe ne ditet e sotme.

    @ Armanda, verejtje me vend, por e tille eshte vete gjuha e Eposit te Kreshnikeve

    1. Eposin nuk e bëjmë dot vetë, ashtu siç dëshirojmë.

      Shkruan:

      Martesat dhe “romancat” e atyketushme me femrat e armikut brenda Ciklit, pastaj, jane thjesht perjashtime dhe “devijime” rreptesisht te qortueshme.

      Po ta lexosh Eposin – nuk besoj se është i vështirë për t’u gjetur – do ta vësh re se martesat e heronjve “tanë” me vajzat sllave janë rregulli, jo përjashtimet. U lodha duke e thënë këtë. Nuk është interpretim, as ekstrapolim imi, por fakt narrativ që verifikohet lehtë (1. hap librin; 2. lexo). Tani, na pëlqen apo nuk na pëlqen neve sot – kjo s’ka pikë rëndësie. Na fyen apo nuk na fyen ne sot – përsëri nuk ka pikë rëndësie për temën që diskutojmë.

      Ka ndodhur apo nuk ka ndodhur në realitet – përkundrazi, kjo duhet parë me kujdes të madh. Eposi nuk është kronikë historike, por vepër mitologjike-artistike; dhe martesat me vajzat sllave, të heronjve atje, kanë nevojë jo “të qortohen”, por të interpretohen.

      1. Xha xha,

        Qortimet ishin aty, brenda Eposit, nuk i solla une.
        Ti vete ne kete cikel shkrimesh permende faktin ku 30 agallare qortojne Halilin pse ky deshiron te martohet me nje shkine.
        Por ty me teper te ben pershtypje “akuariumi” sesa shkaku ose akti i qortimit ndaj Halilit (martesa me shkina del te kete qene akt i qortueshem).
        Njejte sic ne sot “qortojme” aktet e martesave te femrave nga shqiperia me dhendure nga serbia.

        1. Atëherë do të kesh lexuar edhe përgjigjen që u jep Halili, apo jo?

          Përgjigjen që na kujton, në mos për tjetër gjë, së paku që bota e Eposit nuk është e njëjtë me tonën.

  6. Këto poema epike janë me origjinë serbe, dhe janë miratuar nga klanet shqiptare veriore (Malësia) në shekujt 16 dhe 17.

    1. Shkja, sqaroje pak më mirë këtë që thua, të lutem. E ke nxjerrë ti vetë si përfundim me rrugë autonome, apo e ke parë gjëkundi?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin