Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

PESHQIT NË UJË

Që Cikli i Kreshnikëve është i pasur, deri në zbavitje, me anakronizma teknologjikë, këtë mund ta vërejë çdo lexues.

Aty një botë e hershme, të cilën njerëzit e ndajnë me zanat dhe orët e malit, bashkëjeton me botën e bashkëkohësisë së rapsodit, ku kreshnikët pinë kafe me sheqer e pa sheqer, dredhin duhan dhe i shkruajnë letra shoku-shokut; edhe pse në raste urgjente, kur nuk ka ndonjë qyqe rrotull, lajmin e përhap “pushka habertare.”

I njëjti kaos kronologjik sundon edhe arsenalin e armëve: kur Zuku Bajraktar niset të dalë në bjeshkë “për me gjue”:

po ma merr pushkën në dorë,
po ma merr topuzin e shpatën
e n’shpinë gjogut m’i ka hypë…

Surreale, kjo pamje e kalorësit të armatosur me pushkë, me shpatë dhe me topuz!

Gjithsesi, studiuesit përgjithësisht flasin për anakronizma në kuptimin që teknologji të periudhës kur këndohej Cikli shartohen në një botë mesjetare, më të hershme, ku nuk do të mund të ekzistonin. Në këtë kuptim, do të themi se anakronike është pushka në shoqëri me topuzin dhe shpatën; jo e kundërta. Njihet mirë, ndër të tjera, rrëfenja në prozë “Kur dul pushka s’parit”, në të cilën Halili habiten me pushkën që ia sheh njërit në rrugë dhe i kërkon ta provojë duke i shtënë në dorë, me rezultate që kuptohen (“E shikjon Halili e habitet sa mirë e shpon dorën.”)

Shkon Halili te Muji dhe i thotë: “Kish dal pushka, vlla! Tash nuk kena shka me ba jasht, por duhet me u nry mren n’dhe!”

Ndërkohë, ka edhe ndonjë shembull anakronizmi në drejtim të kundërt; ose të një teknologjie të parakohshme jo vetëm për botën e Ciklit, por edhe për botën ku riprodhohet dhe konsumohet Cikli, ose malësinë shqiptare të periudhës osmane.

Te Halili pret bajlozin edhe merr çikën e Kralit, agët mblidhen në kuvend dhe flasin për çikën e Kralit të Miskovit; kur njëri prej tyre thotë se ajo çikë “në dynja shoqen nuk e ka”, Halili zotohet:

Pa e marrë për vedi at çikë s’e la.

Këtu e merr fjalën Dizdar Osman Aga, që ka informacione të mëtejshme për çikën:

Nuk asht kollaj atë çikë me e marrë
se në roje të madhe ajo asht;
fort e bukur ajo asht qillue,
[…]
në dymbëdhetë kate kullat qillue,
n’ma të eprin kat çika asht,
nji odë të mirë ja kanë mbarue,
do uj n’odë ja kanë çue,
peshqit në te ja kanë vnue,
kur të mërzitet me i shique.

Pra e bija e Kralit të Miskovit jeton në një “odë të mirë” në katin e sipërm të një kulle me dymbëdhjetë kate, ku i kanë çuar “do uj” dhe peshq, që t’i shohë kur të mërzitet.

Nuk besoj se e teproj, po të them se ky është shembulli më i hershëm i përshkrimit të një akuariumi me peshq ornamentalë në kulturën shqipe!

Në fakt, sikurse lexoj në këtë faqe të Wikipedia-s, romakët e kishin këtë zakon që të mbanin peshq në vaska të vogla mermeri, të cilat i vinin nën krevatet e mysafirëve; më pas, këtyre vaskave ua bënin një faqe prej xhami, që të dukeshin peshqit më mirë.

Përndryshe, zakonin e të mbajturit të peshqve për bukuri, në vazo, e përsosën kinezët në Mesjetë; mbajtja e peshqve në akuariume u bë e modës vetëm gjatë shekullit XIX; dhe vetë fjala akuarium u përdor për herë të parë në vitin 1854.

Se ku e kanë parë akuariumin malësorët shqiptarë, kjo mbetet enigmë; vetë kënga ku përmendet teknologjia në fjalë mund të jetë e re, ose e sajuar gjatë shekullit XX; por fakti që ky informacion sillet në këngë vetëm për kontekst, ose për të përshkruar luksin se si jetonte e bija e “Krajlit të Miskovit” dhe përndryshe nuk luan asnjë rol në fabul, as përmendet sërish, lë të kuptohet se shtesa nuk do të ketë qenë dhe aq e vonë, pse tek e fundit nuk është e nevojshme, nga pikëpamja narrative.

Enigmë mbetet edhe si do ta kenë interpretuar këtë anakronizëm dëgjuesit, ose publiku i këngës; madje edhe rapsodi vetë. Në malësinë shqiptare akuariumi, si teknologji zbukurimi ose dëfryese, do të ketë hyrë shumë vonë, pas gjase në gjysmën e dytë të shekullit XX – po të mos marrim parasysh futjen e saj nëpërmjet këngës vetë.

Pa Komente

  1. “lë të kuptohet se shtesa nuk do të ketë qenë dhe aq e vonë, pse tek e fundit nuk është e nevojshme, nga pikëpamja narrative.”

    As pushka me lart nuk ishte e nevojshme nga pikepamja narrative, por nuk mund te kete qene aq e hershme. Hamendoj qe “gjerat shume te cuditshme” benin rrugen e vet ne cikel, pavaresisht se kur shfaqeshin dhe sa i nevojiteshin tregimit. Ne fakt ato, sic e tregon ti shume bukur, mbeten si arna ngjyre-forta ne cikel… Besoj, personaliteti e subjektiviteti i tregimtarit a rapsodit ketu ka sh rendesi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin