Kush e ka kaluar rininë në Tiranë në vitet 1970-1980, do ta mbajë mend fjalën dyrrotak, e cila thuhej se do të zëvendësonte, një ditë prej ditësh, fjalën e huaj biçikletë; se kjo punë ishte vendosur nga gjuhëtarët dhe mbikëqyrësit dhe kujdestarët e shqipes, dhe se nuk mund të zhbëhej më.
Në të vërtetë një zëvendësim i tillë nuk ndodhi, as më rezulton të jetë marrë ndonjëherë seriozisht në konsideratë nga gjuhëtarët, specialistët e kulturës së gjuhës dhe terminologët; si ndërkombëtarizëm i rrënjosur tashmë në ligjërim, fjala biçikletë nuk rrezikohej për t’u hequr nga qarkullimi. Megjithatë, qoftë edhe vetëm si kërcënim, dyrrotaku vijonte të nxirrte kokën në pellgaçet e legjendave urbane, duke bartur njëkohësisht aroma pedantizmi dhe shakaje, imponimi autoritar dhe hilariteti. Sot e kësaj dite, e ndesh ndonjëherë të përmendur, edhe në ndërhyrje publike, si shembull të një fjale shqipe që nuk “zuri” dot rrënjë në përdorim – edhe pse kjo reminishencë është, pas çdo gjase, e rreme.
Se ku e ka zanafillën ky neologjizëm, vështirë të thuhet. Në fjalorët e shqipes – ata normativët – nuk e gjen; as te i 1954-ës, as te i 1980-ës, as te i 1984-ës. Vështirë të jetë shfaqur edhe në ndonjë fjalor terminologjik, aq më tepër që fjalor terminologjik për biçikletën nuk ka pasur.
Ndoshta më tepër se fjalë, ka qenë ektoplazma e një fjale, prototipi ose gogoli didaktik i një krijimi gjuhësor të dështuar që në embrion.
Më tepër se fjalë, do të ketë qenë një kundërfjalë.
Jo se shqipërime të ngjashme nuk kishin ndodhur. Për shembull, prej dekadash shqipja përdorte fjalë të tilla si nëndetëse dhe luftanije, të dyja neologjizma; po automobilin nuk kish guxuar ta quante kush vetëlëvizës, ndoshta ngaqë fjala ishte cilësuar si ndërkombëtarizëm. Biçikletë mbijetonte për bukuri, së bashku me motoçikletë dhe triçikël; pjesë e një familjeje të vogël, edhe pse disfunksionale. Arsye praktike për ta zëvendësuar nuk kishte, me përjashtim të faktit që nuk klasifikohej dot si fjalë ndërkombëtare, ose ndërkombëtarizëm; tek e fundit, në frëngjishte i thonë edhe vélo, shkurtim i ligjërimit bisedor i fjalës librore vélocipède; në gjermanishte Fahrrad dhe Rad; në rusishte велосипед.
Në shqipe, italianizmi biçikletë madje kishte treguar një farë produktiviteti kaotik; duke dhënë biçikletaxhi (fjalë me gjak të përzier, në mos të prishur, fryt i martesës së një teme italiane me një prapashtese turke) dhe biçiklist, që u vjetërua me të shpejtë, në konkurrencë me rivalen çiklist, e cila biografinë e kishte njëlloj të keqe.
Si “fjalë” dyrrotak vërtet nuk u përdor dot kurrë me kuptimin e drejtpërdrejtë; por ajo mbijetoi, madje me sukses të admirueshëm, si përkujtesë pedagogjike e absurditetit dhe rrezikut të purizmit, që ende mbrohej nga segmente të caktuara të Akademisë në Shqipëri.
Vetë forma e saj kishte diçka qesharake, ndoshta për shkak të prapashtesës disi të pazakonshme -ak, ose të analogjisë krejtësisht fonetike (rimore) me fjalë si oturak, sapllak, sallak, kapak, kajmak, sokak, oxhak, konak, tarallak, vandak, çanak, biçak, kaçak, allçak, tokmak, tabak, varak, merak, çakmak, alabak, shumica e tyre turqizma; dhe sidomos ngjashmëria me rosak. Çuditërisht, neologjizmat e formuara me prapashtesën –ak nuk patën shumë sukses në shqipen publike: parak për të zëvendësuar primitiv; diturak për të zëvendësuar libror (savant); doracak për të zëvendësuar manual e ndonjë tjetër.
Përndryshe, nga pikëpamja morfologjike, neologjizmi dyrrotak s’kishte të sharë; të krahasohet, bie fjala, me dyrrokësh dhe dyllojësh dhe dydynymësh ose edhe dymetrósh (kjo e fundit formim popullor); ose edhe me krijime më të guximshme, si i dymysët (për bikonveks) dhe i dylugët (për bikonkav). Ishte koha kur në fjalorët terminologjikë të shqipes gjeje deri edhe fjalë si dymbëdhjetëgishtori për duodenin, gjithmishi për pankreasin, dhe kundërcjapi për antitragusin (një prej kërceve të llapës së veshit). Përballë këtyre të fundit, dyrrotak ishte shembull i përkorës dhe i shijes gjuhësore. Shto këtu edhe faktin që, për nga struktura, ai rimerrte gati besnikërisht skeletin e fjalës viktimë: bi-çikletë -> dy-rrot(a)-ak.
Siç e thashë, fjala nuk u përdor kurrë për biçikletën, as di të jetë propozuar seriozisht në ndonjë instancë akademike, as të jetë përfshirë në ndonjë listë neologjizmash të rekomandueshëm; por kjo nuk e pengoi të përhapej gjerësisht, për t’iu kundërvënë, tërthorazi dhe me qesëndi, purizmit leksikor dhe qëndrimit voluntarist ndaj fjalëve të huaja.
Sa herë që do të binte gjëkundi muhabeti për neologjizmat dhe orvatjet për t’i futur këto në ligjërim, ose për nevojën e përdorimit të një shqipeje të pastër, ose për largimin e fjalëve të huaja nga ligjërimi me po atë zell që duhej të tregonim për të larguar “shfaqjet e huaja”, ndokush do të përmendte, gjysmë me shaka, dyrrotakun, si monument të teprimit burokratik, por edhe si konfirmim të faktit që ligjërimi ynë kishte mbetur në dorë të autoriteteve. Njerëzit sikur mendonin: ky hyqymet që zëvendëson deri edhe biçikletën me dyrrotak, vërtet nuk u ndalka para asgjëje.
Sot biçikletën e shohim më tepër si një mjet transporti alternativ, të shëndetshëm, sportiv; por në Shqipërinë autarkike e kishim të vetmin mjet transporti më të shpejtë se këmbët, të cilin mund ta siguronte kushdo, pa dallim klase, feje dhe vendbanimi. Ndryshe nga gomari ose mushka, biçikletës mund t’i hipje edhe në mes të bulevardit.
Në vitet 1970 dhe 1980 Tirana ishte në mëshirë të tyre; njerëzit i përdornin për të shkuar në punë dhe në zbor, për të dalë shëtitje, për të bërë pazarin, për të transportuar listela ose tuba për antenë, për të çuar beben në çerdhe ose macen e padëshiruar te bregu i lumit, për të ndjekur vajzat. Ma jep një xhiro, i thuhej të zotit. Duke qenë biçikleta objekt kaq i afërt, kaq familjar, kaq i përditshëm, zëvendësimi i emrit të saj me një neologjizëm, për më tepër qesharak, si dyrrotaku, nuk mund të perceptohej veçse si një akt simbolik dhune falas ndaj qytetarit.
Pak rëndësi kishte, në këto rrethana, që një zëvendësim i tillë nuk ndodhi, as ishte planëzuar të kryhej. Legjenda urbane e dyrrotakut qarkullonte për t’u ofruar njerëzve një valvul shkarkimi për ankthin e shkaktuar ngaqë nuk kontrollonin dot asgjë nga jeta e tyre, madje as edhe emrin e biçikletës. Në këtë kontekst, nuk ishte aq zëvendësimi, sesa mundësia e zëvendësimit, që lëndonte.
Mbaj mend qe ne Zeri i Popullit eshte pas botuar njehere nje liste emrash te sugjeruar per te zevendesuar disa emra me origjine te huaj. Psh Plazhi, sugjerohej te quhej ranishte. Piste – vrapore, dhe makabritete te tjera si keto, qe nuk i mbaj mend.
Duket sikur eshte shqiperim i fjales bi-cycle. Dyrrethak ndoshta do kishte pasur me shume sukses, ose rrethakdy me theksin te y-ja.
Po bëja nje provë, të cilën propozoj ta bëjmë edhe bashkërisht: Ngrihuni në këmbë, qëndroni drejt dhe kujdesuni që para jush të mos ketë pengesa ose objekte që do të mund të nisnin ta luanin këtë rol (…). Fiksoni me mend një cak midis jush dhe hapësirës pa pengesa që siguruam më parë. Mbyllni sytë. Nisni e shqiptoni fillimisht ngadalë e pastaj më shpejt -por jo shumë- fjalën “RRETHAKDY”. Hapni sytë. Ka shumë mundësi që ta keni tejkaluar cakun mendor që vendoset para jush dhe gjithë kjo varet nga intensiteti i të mëshuarit përmbi rrokjen mestore të mantrës.
Dilni jashtë, shitni biçikletën, blini një kokore piloti dhe përsëritni eksperimentin, fillimisht në një fushë të hapur. Ngushtojeni hapësirën e eksperimentit dhe gradualisht hapni sytë në raport të drejtë me rrjedhshmërinë e fituar në shqiptim.
Eksperimenti nuk këshillohet për ata me marrje goje ose mendsh.
haha, e bera sot proven po me sy hapur se isha maje dyrrotakut. Rezultati: humbje e ndjesise se thellesise ne pamje, dmth pamje dydimensionale, sidomos mes k-se dhe d-se, pasuar me aksident me dhjetra te vrare e te plagosur. prove e rrezikshme.
Mire profanet qe i kemi peshqesh dje dhe sot e ua dime arsyen pse duan te cpikin,po a durohen gazetaret.analistet, ,spikerat ne tv, etj,etj se sa pak e njohin dhe u dine kuptimin fjaleve.Ruajna Zot sikur te cpiknin edhe keta!
I pyetur nga gazeta Shqip për fjalorin e ri drejtshkrimor (Dhrimo/Memushaj, “Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, Infbotues, Tiranë: 2011) bashkëautori Rahmi Memushaj, përgjigjet :
“Synimi i fjalorit është që të gjejë zgjidhje sistemore për rastet e njëjta, në mënyrë që të thjeshtohet sa më shumë të jetë e mundur drejtshkrimi. Kjo do të thotë se fjalët që kanë tregues të njëjtë gramatikor duhet t’i zgjidhim në mënyrë të njëjtë. P.sh. kuadër dhe teatër, sipas normës drejtshkrimore e kanë shumësin kuadro, teatro. Në këtë botim të ri ne kemi sugjeruar si shumës kuadra dhe teatra”.
(“Rami Memushaj: Shqipja shtohet çdo ditë me një fjalë të re
2011-06-28
http://www.gazeta-shqip.com/kulture/f8f1fc2200a8ffff91568dcda0b3c162.html)
Kuadra dhe teatra, po dolën në sipërfaqje, kam frikë se do luajnë gramatikisht rolin e “dyrrotakut”: do pasurojnë fjalorin e kritikës dhe sarkazmës (psh. imagjino pas një reportazhi mbi fesivalin teatror të Butrintit një titull gazete të tillë “Ka teatro, po ka dhe teatra” etj.)
Kërkesa për matematizim pa fund të gjuhës, për simetri (mos dil nga rreshti!) për artificializim të mëtejmë, them se e ka paralelin e vet në ndërrimtarinë e propozuar të emërvendeve. Si minimum tregon të njëjtën ndjeshmëri apo dhembshuri ndaj historisë së njerëzve me fjalët.
Duke pasur parasysh faktin se biçikleta në Shqipëri sot e ka humbur fatkeqësisht plotësisht funksionin e saj të dikurshëm dhe njerëzit qarkullojnë vetëm me automjete, pra ajo si fenomen është harruar, mbetet për t’u pritur, kur neologjizmi “dyrrotak” të ekzumohet dikur nga etimologë amatorë, entuziastë romantikë e shqipëridashur për t’u qasur me qytetin e lashtë ilir Dyrrahum dhe me pasionin e vendasve të atëhershëm për të vajtur në plazh me biçikletë.