Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

SOVIET BEST PRACTICE

Gjatë shekullit XX, Bashkimi Sovjetik ka qenë skenë e një prej orvatjeve më të bujshme dhe, në analizë të fundit, më qesharake për ndërrimin e emrave të vendeve.

Shembujt e Caricinit – Stalingradit – Vollgogradit ose të Shën Petersburgut – Petrogradit – LeningraditShën Petersburgut janë më të njohurit, teksa ilustrojnë marrëzinë e regjimit totalitar sovjetik për të shkruar historinë dhe kremtuar lavdinë e vet në hartë.

Vetëm emrin e Stalinit e gjejmë në qytete të ripagëzuara si Stalingrad (në Rusi), Stalinabad (në Taxhikistan), Staliniri (në Gjeorgji), Stalino (në Ukrainë), Stalino (në Azeirbaxhan), Stalinogorsk (në Rusi), Stalinsk (në Rusi).

Natyrisht, arsyet e këtyre riemërtimeve nuk duhen ngatërruar me argumentet që sjell sot AKZ-ja për ndërrime të ngjashme në truallin shqiptar; çka i bashkon këto ndërmarrje është, megjithatë, lehtësia me të cilën ato duan të heqin qafe emrat ekzistues të vendeve, duke i konsideruar si të huaj, të parëndësishëm, të asgjësueshëm; si dhe besimi i patundur në drejtësinë e kauzës përkatëse, e cila e përligjkësh tërësisht voluntarizmin.

Wikipedia ka një listë qytetesh në Rusi të riemërtuara gjatë periudhës sovjetike. Në këtë listë me qindra zëra, të tërheq vëmendjen numri i madh i atyre qendrave të banuara të cilat, sikurse Kuçova në Shqipëri, janë kthyer si djali plangprishës tek emri i vjetër pas një udhëtimi përrallor në qiejt e lavdisë bolshevike.

Lista përmban xhevahire nga ato të zonjave të dikurshme.

Kështu, një qytet i quajtur Aleksandrovskaja, dhe më pas Aleksandrovka (1926), u ripagëzua më pas Krasnopartizansk (1931; bukur!), pastaj Kujbishevka-Vostoçnaja (1936; më e komplikuar) dhe më në fund gjeti karar si Belogorsk (1957; kësaj do t’ia kishin gjetur anën ata të AKZ-së: Mal i Bardhë, o të keqen…).

Qyteti Birjuç, u ripagëzua si Budjoni në 1919, për nder të gjeneralit trim por kokëtrashë të kavalerisë Budjoni, mik i ngushtë i Stalinit (ai që s’u zinte besë tankeve, sa kohë që kishte kavalerinë); por më pas emri u ndryshua në Krasnogvardejskoje (“Qyteti i Gardës së Kuqe”), dhe qyteti vetë u degradua në fshat; për ta rimarrë statusin e qytetit dhe emrin Birjuç në vitin 2007 (drejtësia vonon, por nuk harron).

Qyteti Spassk, i themeluar si Bogdanovo që në 1779, u riemërtua, në 1925, si Bednodemjanovsk, për nder të “poetit më të madh proletar” Demian Bedni, për të cilin thuhej se furnizonte deri edhe Stalinin vetë me romane të verdha nga biblioteka e vet e pasur. Në 2005, qytetit ia kthyen emrin Spassk.

Qyteti Gatçina, i njohur për një rezidencë perandorake luksoze dhe i shpallur si qyteti më i mirëmbajtur i Rusisë në panairin botëror të Parisit, në 1900, u riemërtua Trock gjatë viteve 1923-1929, për nder të grushtit të hekurt të revolucionit, më pas armikut të madh të popujve dhe proletariatit, Leon Trockit. Pasi u dëbua ky i fundit nga Bashkimi Sovjetik, qyteti u riquajt Krasnogvardejsk ose “Qyteti i Gardës së Kuqe” (siç e pamë më lart) deri në 1944; pas së cilit iu kthye emri Gatçina. Ironikisht, gjatë pushtimit nazist, edhe gjermanët ia ndërruan qytetit emrin në Lindemannstadt, për nder të gjeneralit të Wehrmacht-it Georg Lindemann, si dhe për të provuar se të gjithë derrat një turi kanë.

As poeti tjetër i revolucionit nuk pati fat: Nizhni Novgorod, i ripagëzuar si Gorki në 1932, rimori emrin e vet pas vitit 1990.

Fatin më aventuresk duket ta ketë pasur qyteti Ribinsk, i njohur që në 1071 me emrin Ust-Sheksna dhe më pas i përmendur në dokumentet si Ribansk, Ribnoj dhe Ribnaja Sloboda (“fshat peshkatarësh”). Më pas, në 1946, nuk u shpëtoi dot emërndërruesve të çartun, të cilët e ripagëzuan si Shçerbakov, për nder të një shkrimtari mediokër të realizmit socialist, ndihmës i inkuizitorit Zhdanov. Meqë Shçerbakovit lavdia nuk i zgjati shumë, qytetit ia rikthyen emrin Ribinsk në 1957; por pastaj, për hir të force majeure, ia ndërruan prapë në Andropov, sipas Juri Andropovit sapo që ky ndërroi jetë në 1984. Në 1990 emri Ribinsk u rehabilitua sërish.

Më në fund, qyteti i Perm-it, në Uralet, u quajt ca kohë Molotov, për nder të një bashkëpunëtori të bindur të Stalinit (ai i paktit Molotov-Ribentrop); për t’u riquajtur Perm pas 1990-ës, sikurse shumë viktima të tjera që u rehabilituan; megjithatë, lagjet e qytetit sot e kësaj dite mbajnë emrat kuptimplotë Xherxhinski, Industrialni, Kirovski, Leninski, Motovilikinski, Orxhonikixevski dhe Sverdlovski; tek të cilët lexuesi i informuar do të njohë kokët me kokore gëzofi të liderëve bolshevikë në tribunë gjatë një parade në Sheshin e Kuq. Kruesve të fasadave dhe restoratorëve të normalitetit u mbetet ende shumë punë për të bërë.

Shumë spunto për reflektim dalin nga këto shënime – marrëzia e utopisë socialiste dhe e utopive në përgjithësi; megalomania e politikës që kërkon të vërë dorë në mënyrën si popullata i mban marrëdhëniet me gjeografinë; qëndresa e habitshme e emrit të vjetër, megjithë modestinë e tij kuptimore dhe konotative.

Shënim: të dhënat e mësipërme janë nxjerrë të gjitha nga Wikipedia. Komentet janë të miat.

Pa Komente

  1. Mund të shihen ndryshimet e toponimeve sovjetike në çdo anë që të duam, por s’kanë të bëjnë aspak me atë çka bëhet fjalë (nëse akoma vazhdohet që të bëhet fjalë) në Shqipëri.
    Natyrisht, shembuj ndërrimesh të forcuara të emërtimeve të vjetra gjejmë edhe nëpër botë… sidomos në zonat ku dygjuhësia dhe bashkëjetesa e popujve të ndryshëm është kufizuar (në kuptimin e vërtetë të fjalës kufi) me kufinj të vendosur “nga lart”.
    Po të lemë mënjanë rastin e Greqisë, sepse nuk përbën test një shtet shovinist si Greqia (ku nuk ekzistojnë pakica(!!!) dhe ku nuk njihet gjuhë tjetër përveç greqishtes), mund të shikojmë një rast mjaft interesant në Itali.

    Në Itali, zona e Trentino-s dhe Bolzano-s bëjnë pjesë në Krahinën autonome të… Alto Adige-s për italianët dhe të Südtirol-it për gjermanishtfolësit.

    Në gjuhën zyrtare, natyrisht që përdoret emërtimi italian i sanksionuar nga ligji, ligj, po ai, që i jep të drejtën gjermanishtfolësve që të përdorin emërtimet dhe senjaletikën e tyre.

    P.s: Më parë se të dërgoja komentin, vajta të kërkoja diçka rreth argumentit dhe më pëlqyen kriteret që ishin ndjekur për ndërrimin e emrave:
    – Ku është e mundur bëhet përkthimi fjalëpërfjalë (p.sh Lago Verde në vend të Grüner See)
    – Përshtatja e emërtimit gjerman sipas fonetikës italiane (nga Lengstein arrihet tek Longostagno),
    – duke i zëvendësuar me emërtimet ladine (gjuha dhe një popullsi autoktone e asaj zone) p.sh Funés per Villnöss.
    – Rikuperimi i emrave latinë nga dokumentet antike (Vipiteno per Sterzing, Cortina per Kurtinig)
    – Krijimi ex novo në bazë të kritereve gjeografikë (Colle Isarco, per Gossensass, Rio di Pusteria per Mühlbach)

    P.s2: Jo se në Itali nuk ka zëra që kundërshtojnë ndryshimin e emërtimeve… herë pas here, ndonjë mësues fshati, i mbyllur brenda nga dëbora e tepërt për 2-3 muaj rresht, gjen “argëtim” në shkrimin e ndonjë artikulli në gazetat lokale… por që gjithmonë mbetet si rast i izoluar folkloristik dhe mbas tre ditësh harrohet.

    1. Edrus:

      Mund të shihen ndryshimet e toponimeve sovjetike në çdo anë që të duam, por s’kanë të bëjnë aspak me atë çka bëhet fjalë (nëse akoma vazhdohet që të bëhet fjalë) në Shqipëri.

      Edrus, në fakt kanë të bëjnë – meqë po të mos kishin të bënin, nuk do ta kisha nxjerrë shkrimin më lart. Më beso, kur i hartoj shkrimet i mendoj më shumë e më mirë se ç’i mendon ti, kur i lexon.

      Në të dy rastet, është fjala për ndërrime të nxitura dhe të motivuara nga një elitë populiste, për qëllime politike dhe ideologjike, të cilat gjykohen si të mjaftueshme për të përligjur ndërrimin.

      Konteksti është i ndryshëm nga ai i zonave kufitare, ose kur ka një konflikt për kontrollin e territorit. E kam thënë, më parë, se edhe ndërrimet në Kosovë nuk duhen sjellë si shembull, sepse aty toponimet sllave shihen si gozhda të lëna prej serbëve, ku të varin xhaketat.

      Në Shqipëri po kërkohet ndërrimi i toponimeve sllave. Këto toponime janë të vjetra dhe, sidomos, nuk kanë lidhje me ndonjë konflikt territorial, sa kohë që as Bullgaria, as Serbia, nuk kanë ndonjë pretendim për Shqipërinë e Jugut ose zonat ku ndeshen toponimet.

      Aq më tepër, popullsia lokale nuk i njeh këto toponime si sllave dhe “të huaja”, por si po aq shqiptare sa ç’është edhe vetë.

      Pra, edhe një herë; në fushatën e tanishme të AKZ-së, është fjala për të ndërruar toponime që: (1) nuk janë kufitare, as në zona me pakica etnike, as në zona të disputuara mes shteteve në konflikt dhe (2) nuk njihen si “të huaja” nga popullsia lokale, e cila nuk di sllavisht, as ka kontakt me popullsi sllave.

      Sovjetikët ndërruan një numër të madh toponimesh edhe në Mançuri dhe në zona të tjera të Lindjes së Largme, pasi i aneksuan këto territore në fund të Luftës II Botërore; por ai ndërrim ishte i ngjashëm me çfarë ka ndodhur në Alto Adige dhe në zona të tjera kufitare ose të disputuara, prandaj nuk e kam përmendur në shkrimin më lart.

      Duke shpallur dëshirën për të ndërruar emrat e vendeve në Jug, AKZ-ja e paraqit Jugun e Shqipërisë, pa kurrfarë arsyeje historike, si zonë kufitare; duke iu përveshur një lufte imagjinare, ose donkishoteske, me pushtuesin “sllav”. Nuk do të habitesha, sikur ndonjë ta shihte këtë fushatë si transpozim ose projeksion patologjik të konfliktit shqiptaro-sllav në Kosovë edhe në një terren ku shqiptarët dhe sllavët nuk dihet të kenë luftuar mes tyre (por kjo është temë për psikanalistin, jo për publicistin).

      Unë nuk e shoh ashtu. Për mua AKZ-ja është një forcë politike e cila e përdor ideologjinë nacionaliste si ashensor që do ta ngjitë në pushtet; në një moment kur qytetari shqiptar është veçanërisht vulnerabël ndaj propagandës kombëtariste. Ndërrimi i emrave të vendeve është pjesë e kësaj fushate dhe ka për synim të demonstrojë forcën e lëvizjes.

      Edrus, tjetër herë, nëse dëshiron të futesh në këtë debat, merr parasysh çfarë kam thënë më lart, ose nuk do të të përgjigjem dot. U lodha duke përsëritur gjëra të njohura.

  2. “Në të dy rastet, është fjala për ndërrime të nxitura dhe të motivuara nga një elitë populiste, për qëllime politike dhe ideologjike, të cilat gjykohen si të mjaftueshme për të përligjur ndërrimin.”

    Nuk e di se sa mund të konsiderohet populiste elita sovietike (sepse s’besoj se u shty nga kërkesa popullore për të bërë ndryshimet e emrave), por, me gjithë populizmin që e mbështet (stadiumeve), s’më duket edhe aq elitare lëvizja e AKZ-së.
    Nëse duam të akuzojmë për populizëm, të pastërt dhe deridiku të panevojshëm, këto artikuj do të ishin dukur më bindës pas fjalëve, disa kohë më parë, të Topit apo Berishës.
    P.s: Ta them sinqerisht, po të mos ishte për “spathinë” e Thellogos-it, do ta kisha të vështirë ta sillja ndërmend menjëherë emrin (bile mbiemrin) e ati djalit të Akz…. ta them këtë që s’jam aspak i indoktrinuar nga ajo lëvizje dhe as që e ndjek se ç’bën, por që replikat e mija kishin të bënin vetëm për të pasuruar argumentin në fjalë.

    1. Nuk ka ndonjë kërkesë “popullore” për ndërrimin e emrave që kërkon të ndërrojë AKZ-ja.

  3. Ky eshte argument ‘ad Hitlerum’, ne gjithe boten ka pasur, ka e do te kete ndryshime, eshte ne ADN-ne e shoqerive njerezore qe te nderrojne emrat e vendbanimeve prandaj edhe shtetet kane ligj, si e qysh nderrohen emrat.

    Po te mos ishte ne ADN-ne e shoqerive, ky ligj nuk do ekzistonte dhe emrat do ngeleshin te perjetshem, po ja qe legjislatoret ne gjithe boten e mendojne çeshtjen ndryshe nga xha xhai.

    Rasti sovjetik nuk ka fare lidhje te drejtperdrejta me çeshtjen tone, por vetem te terthorta, meqe Petrovgrad dhe Leningrad jane te dy emra rus.
    A ndryshe do ishte sikur nen Stalinin te ishin hequr nga Rusia, Ukrahina e Bjellorusia te gjithe emrat mongolike, turq, finike, skitho-sarmatike, gjermane etj dhe te ishin vendosur emra ne sllavisht.

    Prandaj eshte ‘ad Hitlerum’, gjej ndonje krahasim te tipit hitleri ha veze, ti ha veze, ti je hitlerian.

    Ne fund te fundit vetem ad hitlerum-i i kish ngele xha xhait pa perdorur, eshte e kuptueshme.

    Persa kohe qe ligji njeh te drejten e nderrimit te emrave, te gjithe nenshtetasit e Shqiperise kane te drejte te kerkojne nderrimin e emrave te vendbanimeve te tyre, eshte nje e drejte e pamohueshme.
    Kunder kesaj te drejte te pamohueshme te dalin gjithe xha xha-llaret, le ta kontestojne me çfaredo menyre qe u do xhani, fakti ngelet fakt, e drejta ngelet e drejte, çdo qytetar ka te drejte te kerkoje nderrimin e emrit te vendbanimit te vet.

    Kush mohon kete te drejte, i ka rene mohit vete demokracise e cila nga te gjitha format e qeverisjes eshte e vetmja qe ua le realisht ne dore qytetareve kete çeshtje dhe jo parive ne pushtet, qe te jene keto ato qe vendosin nese nje emer duhet ndryshuar apo jo.

    Ky qendrim elitist, ligjmohues e antidemokratik i xha xhait, per mua eshte edhe lakmues i intolerances deri ne antikushtetuese se xha xha-llareve, kur vjen puna tek çeshtjet qe kane perzemer.

    Nuk di sa mund te perfitoje ngjizja e demokracise, kur demokratet me te paepur (ne llafe) i dalin kunder frymes demokratike atehere kur kjo bie ndesh me bindjet e tyre.

    Per mua, xha xhai po i ben publicitetin me te keq, rrymes qe perfaqeson.

    1. Hyllin, deri tani unë jam munduar ta mbroj tezën time me argumente gjuhësore dhe historike. Edhe ndërrimet e toponimeve në BS unë i shpjegova si lidhen racionalisht me argumentin tonë.

      Kam shkruar më lart:

      Natyrisht, arsyet e këtyre riemërtimeve nuk duhen ngatërruar me argumentet që sjell sot AKZ-ja për ndërrime të ngjashme në truallin shqiptar; çka i bashkon këto ndërmarrje është, megjithatë, lehtësia me të cilën ato duan të heqin qafe emrat ekzistues të vendeve, duke i konsideruar si të huaj, të parëndësishëm, të asgjësueshëm; si dhe besimi i patundur në drejtësinë e kauzës përkatëse, e cila e përligjkësh tërësisht voluntarizmin.

      Nëse ti e quan këtë Argumentum ad Hitlerum, atëherë ti nuk e paske kuptuar as arsyetimin tim, as se çfarë është Argumentum ad Hitlerum.

      Të mos kuptosh diçka nuk është turp. Turp është të mos kuptosh diçka, dhe megjithatë të prononcohesh për të.

      Tani shoh se ke zgjedhur të pozicionohesh edhe ti në mënyrë të tillë që të diskutosh jo aq temën, sesa vetë faktin që unë diskutoj.

      Ti ke pasë diskutuar më mirë në PTF dikur. Me logjikë, jo me retorikë. Nuk e kuptoj se çfarë ka kjo temë, që të ka çuar në nivelin e një karrocieri tullash.

      Thua:

      Per mua, xha xhai po i ben publicitetin me te keq, rrymes qe perfaqeson.

      Herën tjetër, nuk të ka mbetur veçse të thuash se nga kush i marr urdhrat (ose kush më paguan).

  4. Nuk pashe lidhje racionale, biles problemi yt ne kete çeshtje eshte pikerisht si ti dalesh kunder te drejtes se qytetareve per te ndryshuar emrat e vendbanimeve.

    Rasti sovjetik eshte akt i paster politik, qe lidhet me perjetesimin e figurave simbol te komunizmit, nje lidhje racionale do kish pasur sikur AKZ-ja te kerkonte qe qytetet e Shqiperise te emertoheshin ne baze te figurave historike, ta zeme Fushe-Kruja te quhej Kastriotas, Tepelena Alipashia, Berati Muzakia, Librazhdi Arianitas e keshtu me radhe.

    Ne kete rast do kishim nje aspekt politiko-ideologjik i cili do perkonte me ate politiko-ideologjik te sovjetikeve.

    Mirepo askush s’po te kerkon qe çdo figure patriotike apo historike ti ‘jepet’ nje qytet, atehere mund te bertisje sa skandaloze,qesharake,donkishoteske etj eshte kerkesa dhe ta krahasoje me rastin sovjetik.

    Nese po e perdor ad hitlerum-in nga keqvleresimi i krahasimit, kjo do ishte si i thone ‘bjere ketu’, mirepo une kam dyshime te forta se ti je gati te perdoresh çfaredo argumenti edhe poshte rripit si ky i krahasimit me rastin sovjetik, vetem per te arritur qellimin tend te denigrimit te levizjes patriotike.

    Ti i jep ‘argumenta’ paragjykimit qe ke ndaj AKZ-se, ky eshte problemi ne kete mes dhe ne kete teme problemi im eshte se krahasimi me rastin sovjetik eshte ad hominem, çka edhe ta bera te ditur me lart.

    Sa per levizjet popullore, keto nuk jane te tille sepse takohet nje bari me nje hamall dhe pasi shqyrtojne nje problem ngrihen e dalin katund me katund e qytet me qytet duke marre miratimin e popullit, keto jane te tilla sepse njerez te pergjegjshem ngrene nje problem i cili njihet si i tille nga nje pjese e mire e popullsise.

    Kur AKZ-ja shkon qytet me qytet e mbledh 40-50 mije firma, kjo do te thote qe kemi nje levizje popullore, kur legjislatori thote se me 20 mije forma mund te propozosh nje ligj ose me 50 mije per nje referendum, ketu kemi njohjen e ‘sasise’ per nje levizje popullore, pra nese ke 20 mije firma apo 50 mije firma mund te flasesh per nje levizje nga poshte ose popullore e cila mund te ndikoje drejtperdrejt ne levizshmerine politike, por pa qene parti politike, thjesht levizje popullore.

    Ti si levizje popullore me duket se ke parasysh vetem turmat e qyteteve kur s’ka buke apo kur jane vjedhe parate, mirepo ato jane vetem paraqitja e skajshme e levizjes popullore.
    Ti barazon levizjen popullore me dhunen e turmes.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin