Reklama

PËR KOLEGËT QË DËRGOJNË SHKRIME

Herë pas here kolegë dhe miq më dërgojnë shkrime për t’i botuar në blog. Kjo ndodh më rrallë se ç’do të dëshiroja unë, duke gjykuar nga potenciali që shoh në komentet.

Edhe pse nuk kemi vënë kurrë kushte të natyrës ideologjike për botimin, disa kritere ekzistojnë dhe duhen mbajtur parasysh.

Së pari, shkrimet duhet të jenë origjinale – të pabotuara gjetiu. Këtë kriter e kemi shkelur ndonjëherë në të shkuarën, por tani nuk ka arsye pse ta shkelim më. Ju lutem kolegëve të mos më dërgojnë materiale të cilat janë publikuar më parë, në çfarëdo forme. Nëse mendojnë se ideja e shkrimit ose shtjellimi janë me rëndësi të veçantë, gjithnjë mund ta parashtrojnë rishtas. Nga përvoja ime, i siguroj se shkrimi i dytë do t’u dalë më i mirë edhe se origjinali.

Së dyti, shkrimet duhet të jenë të shkruara me alfabetin e plotë të shqipes dhe mirë, me gjuhë të rrjedhshme dhe të qartë. Është qëllimi ynë, në Peizazhe të Fjalës, që t’i japim lexuesit edhe shembullin e kujdesit për shqipen, prandaj në këtë pikë kërkesat tona janë shumë më të larta sesa, bie fjala, ato të shtypit shqip online. Për fat të keq, na mungon koha dhe dëshira të merremi me redaktime.

Së treti, shkrimet duhet të jenë të përshtatshme për natyrën e blogut – ese jo më të gjata se 2000 fjalë (1000 fjalë do të ishte gjatësia ideale), jo shumë teknike, të pajisura me lidhje (links) brenda mundësive. Trajtesat teknike ose akademike (p.sh. një temë kursi) nuk i shkojnë mjedisit të blogut; as artikujt shumë të gjatë, që duhen ndarë në pjesë. Unë do t’u sugjeroja autorëve të shkrimeve të tilla që ta përdornin blogun si vetrinë, për t’u tërhequr vëmendjen lexuesve për një ide ose trajtesë me interes të veçantë, të cilën pastaj këta mund ta lexojnë tjetërkund, nëpërmjet një lidhjeje (linku).

Së katërti, do t’u lutesha kolegëve që të mos e përdorin blogun për synimet e tyre partizane, sado fisnike t’i kenë a t’ju duken. Peizazhe të Fjalës ka profilin e vet, edhe ideologjik, por këtë profil ia përcaktojnë gjithnjë pronarët dhe autorët “rezidentë” – jo kontribuesit.

Së pesti, letërsia artistike nuk është e mirëpritur. Autorëve do t’u rekomandoja t’i çonin krijimet e tyre te Peshku pa Ujë, ku edhe mjedisi është më i përshtatshëm për letërsinë.

Shpresoj që të gjitha këto të mos tingëllojnë pedante dhe ex cathedra. Peizazhe të Fjalës dhe unë si administrator kemi shumë nevojë për praninë tuaj jo vetëm si lexues por edhe si kontribues të mirëfilltë. Jemi gati t’ju ulim në krye të vendit dhe t’ju bëjmë të gjitha nderet, me kusht që të respektoni këto pak kërkesa të arsyeshme. Falemnderit.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: