Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Jurisprudencë / Sociologji

YLBERËT MBI MANHATTAN

Sot New York-u ishte në festë, pas vendimit të senatit të shtetit, të premten që shkoi, për të ligjëruar martesën mes homoseksualëve.

Se çfarë të reje i sjell jetës dhe shoqërisë New-York-eze e drejta e sapofituar e homoseksualëve për t’u martuar, është ende herët për të dhënë ndonjë gjykim.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: institucioni tradicional i martesës tani duhet riparë.

Së bashku me konceptimin e fëmijëve në epruvetë, shtatzënitë surrogato, dhurimin e vezëve dhe të spermës dhe, nesër, ndoshta edhe klonimin njerëzor, martesa mes homoseksualëve ka shumë gjasë të çojë në një riformulim të raporteve mes seksualitetit, bashkëjetesës, riprodhimit, trashëgimit të pasurisë, super-egos kolektive dhe ndoshta të krejt hierarkive sociale.

Homoseksualët përbëjnë një përqindje të vogël të popullsisë – shumë më të vogël, bie fjala, sesa përqindja e atyre që përdorin drogë. Arsyeja pse e bëj këtë krahasim, është se ligjërimi i përdorimit vetjak të drogës, në Amerikë dhe gjetiu në Perëndim, duhej të kishte përparësi ku e ku më të madhe sesa ai i martesës mes homoseksualëve.

E megjithatë, një projektligj i paraqitur tani së fundi në kongres nga Ron Paul, për ligjërimin e përdorimit vetjak të drogës, u prit me të tallura nga pundit-ët e mediave dhe nga politikanët, dhe nuk ka asnjë shans që të miratohet ndonjëherë së shpejti.

Me këtë nuk dua të them se ShBA duhet të ligjërojnë martesën mes përdoruesve të drogës, ose mes përdoruesve dhe gardianëve të burgjeve, por vetëm e vetëm të formuloj shpresën se lobi homoseksual, tradicionalisht në ballë të luftës për të drejtat civile dhe i energjizuar nga fitoret e tanishme, do të mund të ndikojë në trupin legjislativ për t’i dhënë fund ritualit barbar të një shteti modern që ende fut miliona njerëz në burg ngaqë përdorin drogë (ShBA kanë indeksin më të lartë të burgimit në botë, rreth 6 herë më të lartë se Kina; ShBA kanë më pak se 5% të popullsisë botërore, por 23% të të burgosurve; aktualisht krimet e lidhura me drogën janë shkak i burgimit për 2/3 e të burgosurve federalë në ShBA; 52% e të liruarve nga burgu përfundojnë në burg sërish).

Përndryshe, unë e shoh martesën mes homoseksualëve jo aq si një fitore të progresit, sesa si një “domestikim” të komuniteteve gay dhe lesbian; ose një zbutje të tyre, përkundrejt normave borgjeze konservatore, të jetës bashkëshortore.

Meqë jam mësuar t’i shoh këto komunitete si në rebelim të përjetshëm ndaj konvencioneve sociale dhe duke valëvitur flamujt e anti-konformizmit, martesa po më duket tani jo aq si fitore, sesa si një hap mbrapa.

Nuk di sa do të përfitojë ky komunitet nga zbutja; as sa do të përfitojnë të tjerët. Më duhet të pranoj se për mua, martesa mes dy burrave (ose mes dy grave) bie ndesh me gjithçka di unë për shoqërinë dhe institucionet e saj – por tek e fundit, nëse këta dy burra duan përnjimend të martohen, askush nuk ka të drejtë t’i pengojë.

Natyrisht, në metropole perëndimore si New York-u, bashkëjetesa mes çifteve homoseksuale nuk i tërheq më vëmendje njeriu; në një kohë që martesa e çifteve të tilla ende do të habitë dhe do të skandalizojë disa. Ndonjë skeptik, që nuk ua fal komuniteteve gay ekzibicionizmin publik, do të vërente këtu se këto komunitete edhe martesën do ta përdorin për pak glamor më tepër.

Po pastaj?

Publiku ka ardhur duke e pranuar normalitetin e këtyre çifteve; të shohim nëse martesa homoseksuale do të kontribuojë edhe më tej drejt këtij normalizimi.

Dëgjova në lajmet se rreth dy milion vetë marshuan në Manhattan, për të kremtuar fitoren. Logjikisht, në krye të këtij marshimi triumfal duhej të kishin dalë avokatët e çështjeve civile – sepse martesat homoseksuale sot duan të thonë divorce homoseksuale nesër.

Statistikat thonë se, në 2009 në ShBA, të ardhurat mesatare për një çift homoseksualësh ishin $81,500 në vit, ose 80% më shumë se të ardhurat mesatare të një familjeje mesatare.

Po ashtu, në 2009 rreth 40% e meshkujve gay dhe 36% e femrave lesbike raportuan të ardhura familjare më të larta se $100,000 në vit.

Për shqiptarët, martesa mes homoseksualëve do të sillte edhe disa vështirësi të natyrës gjuhësore; përveçse terma të tilla si i shoqi, e shoqja do të dilnin nga përdorimi, edhe vetë urimi u trashëgofshi! që i bëhet zakonisht çiftit do të problematizohej menjëherë.

Megjithatë, ndryshe nga avokatët civilë më lart, gjuhëtarët e shqipes nuk është se do të bënin dot ndonjë pará nga kjo katastrofë semantike.

Pa Komente

  1. “Meqë jam mësuar t’i shoh këto komunitete si në rebelim të përjetshëm ndaj konvencioneve sociale dhe duke valëvitur flamujt e anti-konformizmit, martesa po më duket tani jo aq si fitore, sesa si një hap mbrapa”.

    Po te pranojme se eshte anti-konfromist dhe revolucionar çdo mendim dhe akt KUNDER marteses (ne pergjithesi), eshte e llogjikshme qe martesa midis homoseksualeve te shihet “si nje hap mbrapa”.

    Por nga ana tjeter, po te shohim pasionin me te cilin dalldis njerezia ne dasma (sidomos ne vende qe sapo i kane hyre valles se “shoqerive me ekonomi liberale” si Kina, Brazili, India… ), kuptojme se sa te pakte jane ata, ne boten e sotme, qe e shohin martesen si nje konformizem borgjez, si nje alienim suplementar (ku ai kryesori, eshte padyshim puna !).
    Keshtu qe, ne nje Hiç te madh, Hiçi i vogel i homove nuk eshte hiç gje !

  2. Kjo thjesht tregon qe ky komunitet eshte I mire organizuar dhe me force te madhe terheqese. Njoh nje te ri shqiptar qe kur thote “my community” “my heritage” ka nder mend komunitetin homoseksual. Tani, cfare mind ti thuash ketij djali per vec se “u marrofsh e marrc malet”?

  3. Legjitimimi i marteses midis homoseksualeve ne gjithnje e me shume vende dhe te ardhurat e tyre me te larta se mesatarja eshte nje relacion i gjetur per te shpjeguar aprovimin apo pranimin qe shoqeria i ben ketij destrukturimi te institutionit te marteses. Shembulli i kerkeses per legalizim te droges qe nuk kaperdihet apo me keq perqeshet eshte tregues i revolucionit te vertete ne mendjet e njerezve qe homoseksualet kane arritur te kryejne. Te ardhurat e larta pjesmarrja apo edhe zoterimi i médiave manifestationet kane ndikuar ne influencimin e cuditshem te mendesive. Perse te cuditshem ? Shikoni per shembull rastin e poligamise. Perpara pak kohesh ne France u zbulua se nje magrebin bashkjetonte me 3 a 4 femra dhe u denua per kete. Shqetesim i madh ne politike, media dhe déri tek njerezit e thjeshte. E kote t’ju shpjegoje se poligamia eshte te pakten po aq natyrale sa bashkjetesa midis homoseksualeve, dhe se ka nje justifikim historik, askush nuk arinte ta kuptonte madje te shihnin edhe shtrember.

  4. Nuk ka ndonje destrukturim as te marteses as te familjes, sepse ai eshte kryer nga normalet. Perderisa martesa dhe familja del nga konceptimi pragmatik 5 mije vjeçar, atehere rrjedhimisht parimi i dashurise si i vetmi justifikon çdo lloj çifti. Edhe poligamia ka shanse te mira, ne rast se do pranohet dashuria per disa femra apo meshkuj njekohesisht.

    Ceshtja eshte se homoseksualeve nuk ka çu duhet ne praktike as martesa e as familja, gje qe edhe ata e kane vene re mire, prandaj synojne edhe adoptimin e femijeve.
    Vete normalet ndihen keq e te paplotesuar ne mungese te femijeve, hiq disa raste psiko-patologjike karrieristesh.

    Nga ana tjeter, nje grua nuk ka per ta pranuar kurre si te ngjashem mashkullin qe luan rolin e gruas tek çifti homoseksual dhe as ka per tu bere ndonjehere xheloze sesa mire ja kalon ne jeten bashkeshortore çifti homoseksual apo sa femije te mire qe kane e gjera te ngjashme .

    Esencialisht martesa e familja homoseksuale nuk ekziston, formalisht i eshte dhene mundesia.

    Eshte shume e rendesishme nga pikepamja shoqerore qe te njihet statusi prej te ngjashmeve, ashtu sikunder ta zeme ne politike eshte e rendesishme qe nje shtet i pavarur te njihet si i tille nga shtetet e tjera te pavarura.

    Ne rastin e martesave dhe familjeve, gjeja kyçe eshte njohja e barazise prej normaleve, mirepo asnje çift natyror nuk do u njohe kurre barazine, per faktin e thjeshte sepse nuk ka elemente identitare te perbashket perpos atyre ligjore.
    Nderkaq ne vende si Shqiperia njohja nuk vjen edhe aq prej ligjit sesa prej ‘marrjes ne shtepi’ pas dasmes. Kush nuk ben dasem por vetem martesen ne bashki ngel disi si i diskriminuar, biles ka raste qe per efekte dokumentesh te fejuarit jane martuar ne bashki, mirepo shoqerisht kane ngelur te fejuar sepse nuk kane vendosur ende diten e dasmes.

    Pra ka disa faktore qe ushtrojne ndikim te madh pertej anes formale, sado te injorohen ato po njesoj e rrezatojne ndikimin e tyre.

    Mbret e kishte titullin edhe Alfonsi i dymbeshjete-pa-njeçerekes, po kishte me pak njerez e fuqi sesa komandanti i nje toge.

  5. Destukturim, ne kuptimin qe nuk e kemi me strukturen, formatin tradicional nje burre dhe nje grua, kemi kaluar ne dicka tjeter, dy njerez qe duhen qofshin te sekseve te ndryshem apo te njejte..
    Pastaj eshte edhe ceshtje perceptimi, per mua koncepti tradicional i marteses eshte shkaterruar ka vdekur, eshte pak a shume si ajo kutia e thyer e votimit ku mund te fusesh e te nxjeresh c’te duash pas thyerjes, poligami, martese me nje kafshe … Tani dikush mund te kete edhe nje perceptim tjeter,psh qe kemi thjesht normalitet apo clirim, eshte edhe ceshtje opinionesh

  6. Për shqiptarët, martesa mes homoseksualëve do të sillte edhe disa vështirësi të natyrës gjuhësore; përveçse terma të tilla si i shoqi, e shoqja do të dilnin nga përdorimi, edhe vetë urimi u trashëgofshi! që i bëhet zakonisht çiftit do të problematizohej menjëherë.

    😀

    Ketyre do i thone “u biresofshi”, pastaj do ankohen femrat per diskriminim e do propozojne dicka jogjinore, e mbase do perfundoje ne “u femijerofshi.” lol

    Urimi “u trashegofshi” vertet eshte dhomethenes. Jam kurioz sa kombe/kultura te tjera kane urime te njejta/ngjashme, dmth qe qellimin apo lumturimin e marteses e shikojne (apo e kane pare) kryesisht tek femijet, pasardhesit, dhe nese mendohet se tek kjo, ky urim, ka ndikuar gje historia specifike apo eshte (ka qene) thjesht ceshtje kulturore.

    Darvini do na i perdorte kete urim martesotrashegimtaror si argument pro evolucionit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin