Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

NE, FARAONËT

Po merr formë një koncept i ri për “analistin e pavarur”, që mishërohet në pritjet e publikut, por edhe në veprimtarinë e analistit vetë.

Sipas këtij koncepti, analist i pavarur nuk është ai që shkruan, flet dhe arsyeton në mënyrë të pavarur nga partitë politike dhe grupet e mëdha të interesave, por ai që shkruan, flet dhe arsyeton sikur të ishte i pari që e ka vënë penën në pergamenë, që prej Frang Bardhit e këtej.

I pavarur jo nga partitë dhe korporatat, por nga kolegët e vet, nga njerëzit që ka rrotull, sipër dhe poshtë vetes, nga librat që lexon, nga konjaku që pi, nga dioksidi i karbonit, nga efekti serrë, nga pështymat që shkëmben me të tjerët gjatë debatesh të zjarrta.

Unë kam disa probleme me vetë termin “analist”; meqë analist është kryesisht ai që bën analiza, ndërsa disa prej ndërhyrjeve të këtyre burrave (e ndonjëherë grave) në mediat janë gjithçka, përveçse analiza. Në raste të rralla, u qëllon të jenë edhe sinteza – bie fjala. Ose deduksione. Ose hipoteza.

Lista e mundësive zgjatet përtej horizontit.

Nuk di kush ua ka mbushur mendjen anëtarëve të këtij klubi prestigjioz, që hapi i parë drejt pavarësisë është të shpërfillin kolegët e tyre.

Ndoshta ideja se mendimi i pavarur është ai mendim që lind në mënyrë të pavarur.

Kjo më kujton një rrëfenjë që tregon Herodoti, për faraonin egjiptian Psamtik I. Ky monark, që ia kish kushtuar kohën e lirë psikolinguistikës, vendosi të gjente se nga e kishin prejardhjen gjuhët, me anë të një eksperimenti. Mori dy bebe të porsalindura dhe ia dha një bariu, me porosinë që askush të mos u fliste, derisa këto të flisnin vetë – dhe bariu, me këtë rast, do të regjistronte fjalët e tyre dhe pastaj do të mund të gjendej edhe gjuha që u vinte fëmijëve “së brendshmi” (Chomsky në antikitet).

Më pas bariu, të cilit nuk i është mbajtur mend emri, raportoi se një prej fëmijëve, i uritur, kishte belbëzuar bekos, e cila në frigjishte ka kuptimin “bukë”; që këtej u arrit edhe përfundimi se frigjianët ishin më të lashtë se egjiptianët dhe se frigjishtja ishte gjuha e parë që kish folur insani.

(Pellazgologëve nuk u ka shpëtuar ngjashmëria e frigjishtes bekos me shqipen e sotme bukë. Kot nuk kanë thënë, që Thot parlava albanese…).

Në kursin e historisë së gjuhësisë së përgjithshme, më kanë shpjeguar se fëmija e kish dëgjuar fjalën “bekos” nga tregtarët frigjianë, që ndaleshin për të kaluar natën në të njëjtin han ku banonte edhe bariu me dy bebet që ia kish dhënë për të eksperimentuar Psamtiku (një bari me dy bebe në sqetull – ja një shembull i meritueshëm për mashkullin e sotëm sa metroseksual aq edhe pedofob).

Tani, për t’u kthyer tek analistët, unë sikurse të gjithë ju të tjerët rrimë dhe mbajmë frymën dhe presim që këta të thonë “bekos”.

Ndonjëherë ndonjëri ndokund guxon – duke vënë kokën në rrezik me vetëdije – dhe përmend ndonjë kolegun e vet. “Siç e tha edhe Abedin Dybeku dje, në kryeartikull…”, “siç e ka vërejtur prej kohësh kolegu im Pashk Pashmagja…”, “Nuk dua të përsërit këtu mendimin e analistes Mukadez Hirra…”

Reagimi i publikut: A-HA. Më në fund e morëm vesh për kë punon. Në cilin çanak ha, kush të paguan, kush të mban me ylefé, kujt ia lëpin sahanet, kujt ia ke nevojën, kujt ia mban anën, kujt ia mban pallton, kujt ia mban çantën me dosje dhe dokumente, kujt ia nget makinën.

Më në fund e morëm vesh nga cili varesh, o i pavarur.

Ç’të bëjë analisti i shkretë?

Vetë konteksti ku jeton dhe punon e shtyjnë t’i kërkojë burimet tutje dhe lart, atje ku ajri rrallohet dhe marrin frymë vetëm perënditë.

“Siç e ka thënë edhe Nietzsche-ja…”

E keni vënë re sa popullor është Nietzsche-ja me këta kolegë, majtas dhe djathtas, radikalë dhe të moderuar, progresivë dhe konservatorë qofshin?

“Siç e kishte zakon të shkruante Freud-i…”

Për Freud-in nuk dua të shtoj gjë; meqë Freud-i ka qenë analist vetë; ose më mirë, një nga shpikësit e fjalës bekos, që ia hap dyert sakaq pavarësisë, origjinalitetit dhe respektit.

Vijnë edhe të tjerë pas: Weber-i, Schopenhauer-i, Foucault-i, Baudrillard-i, Eco-ja, Zhizhek-u, Agamben-i…

(Nuk po i përmend këtu Althusser-in, Badiou-në, Toni Negri-n, Abercrombie & Fitch-in dhe të tjera puçrra të moshës; tek e fundit, edhe Forever 21 është një lloj utopie, sado e padëmshme.)

Ti e kalon gjithë ditën duke pirë kafe me Abedin Dybekun, ose duke u zënë në televizion me kushëririn tënd Ag Brahusha; pastaj vihesh të qëndisësh një analizë, dhe meazallah se ulesh më poshtë se Hegel-i, ose fundja edhe Kritika e arsyes së kulluar, e Kant-it (por jo e arsyes praktike – kurrsesi!).

Rezultati: kështu zbulojmë ujin e nxehtë (scopriamo l’acqua calda, thotë italiani, por unë e kam gjetur te Gramsci).

Imagjinoni një botë ideale, utopike, ku fizikanëve do t’u kërkohej – para se të lejoheshin të luanin me God’s Particle, të formulonin, nga e para, modelin heliocentrik të Kopernikut; pa e cituar këtë të fundit dhe Galileo-n bashkë me të.

“Duke vrojtuar qiellin, unë arrita në përfundimin logjik se terrae motor, solis caelique stator…”

Këta do të quheshin tash e tutje fizikanë të pavarur.

Dulcis in fundo, për ta thënë në latinisht me Kopernikun – analistët, dhe këtu nuk e përjashtoj as veten, i mbajnë mend mirë ato që kanë shkruar dhe thënë vetë.

“Siç e pata vërejtur që në vitin 1972…”; “Prej kohësh e kam thënë dhe përsëritur…”; “Në një artikull që botova në të përditshmen Dagbladet…”; “Në një konferencë ku më kishin ftuar të flisja por ku nuk fola sepse m’u vonua avioni…”

Të gjithë nuk e harrojmë dot se kur kemi thënë bekos për herë të parë.

Çfarë është pra, analisti i pavarur? Ose, për ta thënë nga një këndvështrim tjetër (origjinal doemos): kush po eksperimenton me ne?

Pa Komente

  1. “anëtarëve të këtij klubi prestigjioz” mund t’ju njohim (dhe jo domosdoshmërisht t’ua pranojmë dhe respektojmë) vetëm narçizizmin e tyre.
    Pa dashur që të hyj në stërhollime filozofike (e bëri pula vezën, apo veza pulën?), gjithmonë më ka ngacmuar pyetja: “Këta i ka njohur/quajtur ndokush si analistë, apo vetquhen të tillë?”.
    Nëse opinionist mund të jetë kushdo, analist nuk mund të jetë ndokush që nuk është specialist i argumentit në fjalë. Një analizë politike mund të bëhet prej atij që ka studiuar shkenca politike, një analizë për arkitekturën mund të bëhet prej atij që ka studiuar arkitekturë, një analizë për energjinë bërthamore mund ta bëjë dikush që ka studiuar fizikë etj etj. Vetëm kur analisti ka kompetencën e nevojshme në atë çka ka shkruajtur/thënë, mund t’ja lejojë vehtes që të mos replikojë ndaj zërave ndryshe… por kur këtë luks e marrin edhe opinionistët (ku shpesh opinioni i tyre është i një niveli mediokër), kjo është që ‘t’ja fusësh vehtes me kobure’.

    Meqë akoma nuk kam ndeshur ndonjë syresh, që të bëjë vërtet një analizë të mirfilltë të asaj ç’ka ndodh (ose më saktë; të asaj që mund të ndodhë), të gjithë “anëtarët e klubit prestigjioz” (akp) nuk janë gjë tjetër , e shumta që mund të them për ta, përveçse opinionistë.
    Pa dashur të stërzgjatem edhe se sa të vlefshme apo të pavlefshme mund t’i konsideroj unë opinionet e tyre (sepse personalisht jam partizan i tezës që gjithkush duhet të mendojë me kokën e tija), më bën përshtypje diçka tjetër. Të gjithë këta “akp” kujtohen që të flasin/”analizojnë” vetëm kur lajmi është në modë… bile edhe këtë e bëjnë me një shfazim kohor nga vetë lajmi.
    Është pikërisht ky shfazim kohor që shtyn lexuesin e kujdesshëm që të mendojë “keq”…
    sipas lexuesit të çfardoshëm, kjo vonesë në daljen e “analizës” përkundrejt lajmit, tregon që:
    – “analisti” nuk është i përgatitur që ta trajtojë lajmin që sapo del… i duhet kohë e mjaftueshme që të shikojë se ç’ka thënë ndonjë i huaj/shok/filozof/burrë shteti/wikipedia etj etj
    – “analisti” do që të shikojë reagimin e të tjerëve për të dalë me “kryeveprën” e tij të rradhës (shpesh, “kryevepra”, për të qënë në qëndër të vëmendjes dhe për të patur vizibilitet akoma më të madh dhe “analisti” të shtojë “famën”, duhet që të jetë kontrokorrente me opinionin e përgjithshëm!!!)
    – “analisti” duhet të kontrollojë, atë që ndoshta mund ta ketë hazër xhevap, se mos bije ndesh me atë se si e mendon ndokush tjetër që mund t’i hapë telashe
    – etj, etj.

    1. “analist nuk mund të jetë ndokush që nuk është specialist i argumentit në fjalë. Një analizë politike mund të bëhet prej atij që ka studiuar shkenca politike, një analizë për arkitekturën mund të bëhet prej atij që ka studiuar arkitekturë, një analizë për energjinë bërthamore mund ta bëjë dikush që ka studiuar fizikë etj etj. Vetëm kur analisti ka kompetencën e nevojshme në atë çka ka shkruajtur/thënë, mund t’ja lejojë vehtes që të mos replikojë ndaj zërave ndryshe”

      Ne fakt Edrus, ka nje problem ky lloj konceptimi. Analist nuk eshte vetem specialisti. Specialistet jane te tille vetem per sa i perket aplikimit te dijes ne zhvillimin dhe te rejat e nje fushe te caktuar, nderkohe qe mbi impaktin e nje politike ne publik, te nje ndertese te rrezuar apo te ndertuar, te nje centrali berthamor, po ne publik, nuk ka cfare thote kompetenti. Kjo eshte pjese e common-sense, ku gjithsecili eshte i afte te beje nje analize. Pervec kesaj, je i detyruar te ndash analizen politike nga keto dy te tjerat qe ke ofruar. Vetem atehere kur taksa te paguaje vetem ai qe ka studiuar shkenca politike, apo voten te kete te drejte te jete i vetmi ta hedhe, ka te drejte te jete edhe i vetmi qe te beje analize politike. Perndryshe, perderisa jemi subjekte politike te gjithe, kemi te drejte te bejme edhe analize politike te gjithe. Politika nuk eshte rocket science, por common sense.

      1. I dashur Luljan, me atë pjesë të komentit doja të sillja në vemendje ndryshimin ndërmjet analistit dhe opinionistit/komentatorit.
        Opinionist dhe komentator mund të jetë gjithkush (bile, edhe ata që nuk mund të paguajnë taksat), por analist… vështirë se mund të jesh i tillë, qoftë edhe vetëm për të folur për ndikimet sociolale/politike të ndonjë procesi/fenomeni nëse nuk njeh mirë, e shkencërisht, nga çdo anë atë proces/fenomen për të cilin flet.
        Shkurt muhabeti; analisti, kur flet me ndershëri intelektuale, flet me tru, ndërsa opinionisti/komentatori… në rastin më të mirë flet me zemër (deri tek rasti tjetër kur flet me bark/stomak).

        1. Edrus, problemi eshte se ajo lloj analize, cerebrale, per te cilen flet, nuk ekziston. Eshte e veshtire te pranohet qe jemi vetem, qe nuk ka eksperte qe te mund te na keshilloje, qe gjithe cka nje analize politike mund ofroje ne fund te fundit eshte nocioni i zgjidhjes se lire te gjithsecilit dhe pergjegjesia qe kjo nenkupton per gjithesecilin. Do ishte bukur sikur te ekzistonte, sikur te gjendej ne politike e ne krejt shkencat humane siguria qe gjendet ne ekspertizen e shkencave natyrale, sikur te kishte nje ekstert, nje kompetent, nje shkencetar qe do mund te mbartte mbi supe pergjegjesine politike qe eshte aq e rende per t’u mbajtur, por ja qe s’ka, eshte e pamundur. Gjithcka kemi eshte zemer. Le ta veme ne pune.

  2. Thot parlava albanese, Zef Catapano. – I shkreti, sikur ta kishte ditur se do bënej kaqë i njohur ndëpër forumet, s’do i a kish thënë kujt ato rastësi ngjashmërish që i kish fanitur mendja… – Po e keqja s’janë vet ata si Catapano me shokë, e keqja janë qorrat që shpërndajnë mite të rrema e thashetheme; të cilët, mbasandaj, guxojnë edhe të pështyjnë mbi gjërat shumë serioze…

  3. Ka nje ngaterrim termash me duket. Analist politik nuk eshte dikush qe shkruan komente ne gazete apo jep opinione ne televizone e radio, analist politik jane ata qe fushe te ekspertizes se tyre kane shkencat politike apo dege te shkencave sociale. Ndryshe quhen edhe “political scientists”. Keta qe ne i quajme “analiste” ne Shqiperi nuk jane gje tjeter vetem se komentatore. Per keta nuk eshte problemi qe po anojne politikisht apo shprehin nje opinion ne favor te ketij apo atij tjetrit, keta po kthehen ne propagandiste te mirefillte partiake.

  4. Nuk di eshte shkak, efekt, apo thjesht korelative me pavaresine e intelektualeve, por mua me ben pershtypje edhe pavaresia reciproke mes fjales dhe veprimit. Nje gje eshte e sigurt, media, analistet, komentatoret e elita intelektuale ne pergjithesi, ne Shqiperi gezojne liri mendimi dhe shprehjeje, e nder te tjera, ofrohet here pas here edhe ndonje analize e mirefillte, ndonje koment i sakte apo ndonje mendim i vyer. Megjithate, kjo liri shprehjeje nuk perkthehet qe nuk perkthehet ne liri veprimi, nuk jep qe nuk jep efekte praktike, mbetet gjithesesi ne nivelin e llafeve boshe, sa do te sakta qe mund te jene. Se kush e ka fajin per kete, eshte per t’u diskutuar. Ka mundesi qe mentaliteti i analisteve dhe intelektualeve shqiptare te kete pranuar faktin “ne qe flasim e ju qe beni,” e nuk perpiqen qe fjala e tyre te arrije deri aty sa te pjeke nje kore buke. Ka mundesi nga ana tjeter qe shkaktar i kesaj prerjeje mes fjales dhe veprimit te jene politikanet dhe biznesi, te cilet ndjehen te sigurt duke u leshuar analisteve nje kothere buke, duke e ditur qe fjala e tyre, sa do e lire nuk do kete impakt mbi status quo-ne. Interesant eshte gjithashtu, mahnia qe shfaqin te huajte tek kuptojne cilesine e debatit qe behet ne mediat publike. Shpesh here ky debat eshte i nje niveli jashtezakonisht te larte e te mencur. Nderkohe eshte per t’u habitur se pse nuk perkthehet ne praktika politike dhe etike qe te jene te te njejtit nivel. Ka shume mundesi gjithashtu qe faktor per kete te jete edhe mungesa totale e nje vije ideologjike te perqafuar nga secila pale. Ne kete aspekt, debate te hapura qe gjenden ne Shqiperi, veshtire t’i gjesh neper mediat publike tjeter kund, pikerisht sepse cfaredo te thuhet neper media nga analistet dhe intelektualet, nuk ka si te bjere ndesh me ndonje ideologji per shkak se ideologjite mungojne.

    Gjithsesi, qe te perseris veten, besoj se pavaresia e analisteve ne Shqiperi eshte e lidhur ngushte me pavaresine mes fjales dhe veprimit. Ne nje fare menyre, analistet Shqiptare jane te lire te lehin, nderkohe qe karvani shkon perpara. Ketu ndoshta dhe duhet marre verbatim keshilla e Berishes, e duhet te arrije nje moment kur intelektualet shqiptare te kuptojne se ne disa raste e situata duhet te ndjehen te lire edhe te kafshojne.

  5. Analiza e analistit eshte nga temat me te perhapura. Per mua ka 2 probleme, andaj ka kohe qe s’lexoj me analiza, perveçse kur tema e dites eshte teper e nxehte:

    1- politizimi i dukshem
    2- pakenaqesia e nivelit

    Une si lexues pretendoj pavaresine dhe nivelin, po keto s’japin buke ne Shqiperi dhe persa kohe qe shpesh keta analiste jane gazetare ose publiciste e s’kane nje te ardhur fikse nga ndonje profesion tjeter, as kam shpresa se do mund te ndryshoje ndonje gje. Ta zeme sikur Muçi te ishte profesor universiteti dhe te shkruante s’do thoshte dot, qe femija do buke e mbase do ishte i pavarur vertet.

    Pastaj do etike kjo pune, do ndershmeri, duhet pare si sherbim publik dhe meritat ti marresh per sherbimin publik, po kjo ne Shqiperi te le krejt ne hije.
    Po ashtu me shume rendesi sesa niveli, ka te qenit llafazan dhe me burime te sigurta te thashethemeve politike dhe prapaskenave.

    Lexuesi me pretendime mbipartiake e rreth cilesise eshte i detyruar te heqe dore nga leximi se behet derr.

    Ai stan ate bulmet ka, thote fjala e urte, edhe ne kete fushe si ne te tjerat kohet e mira pasketaj do te dijne, dmth edhe kjo pune eshte lene per ne kalendat greke.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin