Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

LOPËT E ARIZONËS

I pashë atë mëngjes janari me diell të bardhë, lopët e zeza të Arizonës, shpërndarë si të papesha nëpër kodër, ndoshta mal…  ishim goxha lart. Të paqme, të kolme, kokulura mbanin secila mbi kurriz e majë kokës mes brirëve, një cohë të trashë si shajak a shkumë që mbaronte në vija lakimesh të buta në masat trupzeza. Rrinin pa lëvizur, fare pa lëvizur në sfondin me gurë bezhë e dhè portokallì të shpëlarë, shpërndarë çrregullt nëpër kodër ndër shkurret e ulëta të shkretëtirës mbuluar vende-vende me pllanga bore.

Disa më duket se i lëvizin pak kokat; ndoshta gjejnë diçka për të mbllaçitur nën trupat e vet të ngurtësuar që bëjnë lëvizje minimale, rëndë e ngadalë, si në një ëndërr të keqe. Së paku e di që nuk kanë ngrirë krejt. Më mori disa sekonda të kuptoja se gungat e rrumbullakëta të bardhësisë mbi to, ishin dëborë, nga ajo që ra mbrëmë, kur mua nuk më pëlqente shtrati e mbulesat në hotelin ku na zuri nata, vonë pas 12-ës … në Flagstaff. Kur pashë lopët përballë, atë mëngjes pa re me qiell krejt blu, që, brenda makinës së ngrohtë ku dëgjohej kënga e Evora-s dukej se zbriste nga parajsa, m’u pështoll keq rehatllëku i makinës dhe kërkimi si kapriçoz i brigjeve të Paqësorit. Bora mbi lopë, m’i ftohu duart. Më dhembën aq fort lopët e Arizonës, të pandihma, uloke, të dorëzuara fatit, lënë jashtë tërë natën, në borë, atij mëngjesi me peshën në dukje të bukur, të pastër, por që u shpon si thikë kokat dhe kurrizin e palëvizshëm. Më dhembi fort vagina ose diku më thellë apo më cekët. Gjithmonë më sëmbon ngulshëm ashtu për një çast, sa herë shoh një plagë të hapur, qoftë edhe një njeri që pret gishtin me tehun e letrës, gjak që rrjedh, një thua fëmije të shqyer në lojë e sipër. E kush do mendonte që në Arizonën e shkretëtirave, lopët do vuanin kështu boret? Ndoshta ato e jo saguarot, meritojnë të jenë simboli i shkretëtirës së këtij shteti … përplasje kontradiktore në fakt mes pjellshmërisë së lopës dhe shterpësisë së shkretëtirës. Prapë, unë do votoja për këtë simbol ‘yoni’-k që sot më duket se e përfaqëson harrimin e harresën e shkretëtirës, peshën e natyrës mbi të dhe qeniet e saj, më fort se sa harlisja gjiganteske e saguarove ‘phall’-ikë gjemborë para të cilëve burrat e zonës ndoshta masin veten me hijen e mëngjesit. Më pëlqejnë dhe i kërkoj (aq sa edhe i kam frikë) saguarot. Lopët e Arizonës, në të kundërt, veç frikë nuk reflektojnë e as ndjellin; por shumë dashuri e vuajtje.

Do ua shkundë kush nga kurrizi dëborën, apo ajo tashmë ka ngrirë mbi to? Askush, veç perëndisë Diell, kam frikë. Është aq ftohtë sa do duhen ndoshta ditë. Pyes tim shoq çfarë dreq ‘ranchers’ janë ata që i lënë lopët tërë natën në borë e tërë ditën nën peshën e saj mbi kurriz e tru, teksa hanë ‘pancakes, and bacon and eggs’ për mëngjes. Nuk e di çfarë më thotë, sepse nuk më thotë atë që pres, dhe lopët e Arizonës nuk më duket se e prekin. Ndoshta më thotë diçka rreth mënyrës se si rriten lopët këtyre anëve. Diçka praktike. Por për mua këto lopë të vuajtura janë ndërkaq gra, dhe shoh në to shtresuar sjellje e mentalitete brezash grash pa fund, që nga Persefoni e Euridiçeja. Gjoja-heroinat e prehistorisë ishin po aq të pafuqishme dhe formësoheshin miteve po aq në varësi të burrave, tekave, dëshirimeve- e planeve të tyre (edhe kur tërboheshin dhe bënin si kryeneçe e harbuese), sa edhe heroinat e venerueshme moderne të kulturës pop, të natës së Oskarëve, të palzheve kaliforniane apo edhe të Bllokut tiranas.  Jam duke jetuar në vrulle gulçesh inati tremijëvjeçar… së paku aq, por kushedi. Lodër tjetër burrash kjo? Peizazhi ndryshon dhe kaktuset njëpëllëmbësh vijnë e rriten. Gjithmonë e kam dashur Arizonën dhe i kthehem prej shumë larg… sërish. Besoj e dua për kaktuset gjigantë, për saguarot e mrekullueshëm, për pasurinë e shkretëtirës së saj, për bukurinë e nuancave dhe formave që kanë gurët, për ajrin e thatë të dimrit me diell. Tani që shoh lopët e zeza arizonase ndihem se kam qenë e pavëmendshme. Ndoshta ato ishin aty të pagoja edhe në udhëtimin tim të para një viti. Ndoshta rrinin po kaq të heshtura e të harruara bote. Por nuk më dhembi gjësend asaj here, se ato s’qenë mbuluar nga bora, ndaj nuk i vura re fare. Me sa duket solidariteti nuk është aq jomaterial sa shpesh mendohet; edhe ai bazohet në dhimbje fizike, ndoshta dhimbje vaginash në rastet e atij femërorit. Mendja ime më parë hallakatej në pritje e kërkim të saguarove që shfaqen teksa i zbret malit drejt rrafshit të shkretëtirës aspak të shkretë. Lartësia e tyre që arrin deri në disa metra e disa bojë njeriu, shkon në përpjesëtim të zhdrejtë me lartësinë e rrafshit ku rri makina që zbret me shpejtësi drejt tyre. Thua të jetë ndonjë tërheqje mashkullore kjo e imja ndaj saguarove? Ndoshta. Pa dyshim burrat më kanë pëlqyer gjithnjë; puna është se interpretimi frojdist (në daç edhe neofrojdist) i tërheqjes ndaj saguarove është tepër mazokist për shijet dhe imagjinatën time. Perëndi…edhe ideja vetëm më bën të më dhembë prapë keqas vagina. E kësaj radhe, imazhi fizik i saguarove lidhet drejtpërdrejt, e jo tërthorazi me të.

Georgia O'Keefe, Pelvis with Moon (1943)

Por lopët nuk duket se shqetësohen për fatin e tyre. Nuk shprehin dhembje. Madje sikletin tim nuk e shtyjnë më tej, dhe sikur më luten të mos ndihem aspak fajtore që s’i paskam vënë re më parë. A janë lopë për mish a lopë për qumësht? Sa ditë apo javë do jenë pa kujdes (mos e dhëntë Zoti, muaj!), braktisur kësaj pllaje mali në mëshirë të kaktuseve xhuxhëmaxhuxhë e të çrregullt përreth? Për gjithnjë? Ndoshta i kanë harruar këndej, si gruan italiane që rebeloi për të mirën e saj në filmin “Bukë dhe tulipanë”?  Lopë të bukura e pa gojë harruar në shkretëtira të pasheshta: Nuk e di nëse jeni femra a meshkuj, por më dukeni femra, nga ato që punojnë, japin, duan, sakrifikohen, nga ato që nuk shfrytëzojnë e nuk përdorin. Gra si shumë nga ato që unë njoh e dua, apo nuk njoh e nuk dua. E vërteta është se ‘ranchers’ a kujdestarët tuaj që unë, nën peshë stereotipesh, i imagjinoj si cowboy-s që flenë me çizme e kapele, dhe sapo zgjohen duan një grua t’u bëjë kafe dhe vezë me ‘bacon’, mund të jenë fare mirë gra, si ju dhe si unë. Madje, ndër ju, sido që tek-tuk jua shoh sisët nga largësia e rrugës automobilistike, mund të ketë edhe ‘burra’ ngarkuar nga po ajo peshë dëbore, injorimi dhe harrimi total, përderisa shërbimet e të dy gjinive nuk i nevojiten imediatisht pronarit.

Nuk heq dot nga mendja një grup tjetër ‘femëror’ ku vuajtja e shfrytëzimi gjinor i mbishtresohen asaj të species: pelat në fermat që prodhojnë ‘premarin’ (pregnant mare urine), minierë ari për industritë ndërkombëtare farmaceutike që s’njohin moral veç parasë që shton. I mbarsin papushim që të prodhojnë urinë me sa më shumë estrogjen në të, u lënë vetëm pak ditë mes shtatzanive, të lidhura në një sipërfaqe nga e cila nuk lëvizin derisa ngordhin, me tuba që u vjelin papushim urinën e ngarkuar me hormone, me sasi minimale uji për të pirë që kështu të prodhojnë urinë me koncentrim hormonal sa më të lartë. Kjo në shërbim të grave të një specieje më të lartë, që në periudhat e menopauzës kanë nevojë për trajtim hormonal. Na rroftë për verë edhe solidariteti femëror! Ndoshta vërtet diferencat biologjike gjinore ushqejnë pa pushim e s’lejojnë barazitë shoqërore gjinore.  Ku është vija ndarëse mes shfrytëzimit gjinor, atij të specieve dhe atij klasorit? Është e paqartë, si materie sjelljesh njerëzore që ndryshojnë papushim formë e përmbajtje. Si formë interesante por që kërcen e lëviz për t’u riformësuar si diçka tjetër, si idetë e Wittigut dhe Butlerit.

Ende sot, muaj më pas, i shoh pa harresë fizike a emocionale lopët e Arizonës atë mëngjes janari, lënë gjithë natën jashtë, me kapuçë bore mbi pjesë të ndryshme horizontale të materialit mishtor që shumë prej nesh shijojnë drekave e darkave, ngrënë si extra-rare entrecote. Lopë që s’lëvizin. Fotoja përtej dritares së makinës gri marrë me qera, ka ngrirë. Një qiell me një blu të bukur ironike çarë e thyer nga vija të drejta të bardha e gjeometri të shthurura avionësh ultrasonikë; një ajër i kthjellët qelq nga të ftohtët me shkëlqim kristalin bën sehir lopët e rënduara nga bora që s’e ndihin dot veten e s’ka për t’i ndihur kush. Më kujtojnë gratë shqiptare? Ndoshta disa, por jo veçanërisht. Shqiptarkat duken aktive në formë dhe të forta në zë. Kujtoj fshataret në një fshat kolonjar ku kaloja zakonisht disa javë vere në vitet 70 e 80. Pipëz e kishin zërin… dhe po aq të fortë natyrën. Por jo atë lloj zëri që ka forcë e ndryshon veten dhe shoqërinë, por një zë që ka forcë të sprapsë hallet, qarjet, punën e rëndë deri nesër, por jo më tej. Madje shqiptarkat më zëplota sot, si p.sh. kryetarja e parlamentit, quhen zëforta pikërisht sepse përforcojnë të njëjtat ideologji mashkullore të violencës e njëanësisë në shoqëri të prapambetura. Shqiptareve kësaj jave, gra e burra gazetarë e aktivistë, u thonë nëse duhet të zbukurohen apo jo për burrat a veten e tyre këtë 8 Mars e ta festojnë me dreka e darka gëzimi, apo duhet të protestojnë kundër nëpërkëmbjes mashkullore dhe politike në përgjithësi. S’do kish gjë të keqe nga ftesa të tilla kësaj dite, sikur ato të bëheshin për reflektim dhe analizë nga çdo individ femër a mashkull, që pastaj vendoste për hesap të vet si dhe a festonte. Trajtimi i grave si tufë që shtyhet në një drejtim a një tjetër, qoftë edhe në drejtimin progresiv, nuk i bën ato fort të ndryshme nga lopët e Arizonës. Pa dyshim gratë hidhen e priten në diskursin publik tonin më pa respekt e pa hapësirë se burrat. Dhe kjo është vetëm pjesa e mediuar e vlerave të gjinisë femërore që njerëzit perceptojnë në grup para televizorëve apo hapësirave të rreme publike; Por realiteti shqiptar, siç tregojnë fakte mbledhur nga institucionet shqiptare dhe të huaja, jep një gamë abuzimesh aq të shumëllojshme e aq frekuente, që nga rrahjet për vdekje të femrave apo vrasja e tyre ‘për nder’ a ‘për dashuri’, deri tek mundësitë e pagesat e pabarabarta dhe përplasja me një shoqëri me makinë aktive proverbash, barceletash dhe shprehish anti-grua që formësojnë mendësi anti-grua.

Them se lopët e Arizonës kanë në trurin tim vendin simbolik në të cilin ulen pa një pa dy gratë fshatare algjeriane, protagoniste (pa protagonizëm) në filmin “Vajza e Keltoum-it” të Mehdi Charef-it – kafshë të thjeshta pune e riprodhimi pa vlerë e aftësi të tjera, që … nuk përdoren nga burrat (ah sikur!), por vetëm keqpërdoren prej tyre. Lopët e shkretëtirës së Arizonës dhe gratë e shkretëtirës algjeriane të këtij filmi ma bëjnë të prekshme frikën që ndonjëherë më del në ëndrra të këqia, se si do ish bota e grave në një shoqëri ekonomikisht të varfër, teknologjikisht të pazhvilluar,  kulturalisht të prapambetur, pa ligje për mbrojtjen e grave, madje me ligje për t’i mbajtur ato gojëkyçura, pa fytyrë, trup e dëshira, pa dallim nga kafshët, madje ndonjëherë nën to në hierarkitë praktike, dhe pa sisteme force e dhune shtetesh e institucionesh ndërkombëtare që forcojnë kur munden moslejimin e dhunës dhe abuzimit ndaj gruas. Dhe pjesa më e madhe e botës ka pikërisht karakteristikat e kësaj “toke të shëmtuar” që më del në ëndërr. Nuk jetojmë në një botë të bukur, jo: jetojmë në një botë ku e vetmja mënyrë për parandalimin e  përdorimit të forcës ndaj njerëzve, është po forca. Gruaja është e kapur në këtë qerthull shumë ngatërruar, më ngatërruar se heroinat e Arizonës.

Lopët e Arizonës nuk dinë. Nuk dinë kush është  Gifford apo Loghner, nuk e dinë kush qëlloi kë e pse, nuk e dinë nëse çështje bovinale apo të gjinisë kishin gjësend lidhje me çmenduritë e Loghnerit, e as që duan ta dinë. Ç’rëndësi ka kjo në jetën e tyre? Vendimet marrë për emigrantët e Arizonës apo jetën-ferr në të cilin gjenden pas ligjeve të reja gratë emigrante nga Amerika Latine, nëna fëmijësh, shpesh shumë fëmijësh… nuk i prekin, s’kanë lidhje me to. Nuk dinë asgjë për pelat e fermave të premarinit që vuajnë këmbëlidhura mbarsje e shurrime pafund e të forcuara, dhe pa dyshim nuk mund as ta çmojnë lirinë e vet krahasuar me to, rrethuar e mbuluar nga ftohtësia e kësaj dëbore janari. Nuk dinë se, jo vetëm pelat femra vuajnë e shtypen thjesht nga pasja e seksit femëror, por se edhe faraonit femër (s’ka fjalë femërore për faraon) Kleopatrës, iu desh të pillte me çdo perandor roman të mundshëm, që të siguronte vazhdimësi…a prapë nuk e siguroi veçse si shtojcë e gojëdhanave, legjendave dhe ideologjive të po këtyre perandorëve.Më duken lopët e Arizonës në padijën e vet, pak si gratë rrumbullake kolombiane shtrirë pa kuptim nëpër piedestale kubike të Fernando Boteros. Dhe, në këtë pike, dua të fle. Ndoshta edhe lopët po flenë nën peshën e borës. Nuk lëvizin; nuk mendojnë; por ndoshta shohin ëndrra… ëndrra me ngjyrë të bardhë. Gratë e sojit tim janë ndryshe. Gratë dinë, mësojnë, lëvizin, mbrohen. Dinë? Tkurrem në ndenjësen e makinës të cilën imshoq e drejton lehtë teposhtë malit e larg lopëve… drejt saguarove. Dua të fle, por kam frikë nga ëndrrat… ëndrra me ngjyrë të kuqe.

 

Pa Komente

  1. Nje parabole interesante ne kufijte e nje germimi psikanalitik ne nje univers te njohur e njëheri te mistershem. Them se gjithçka eshte çeshtje e pozicionit ne zinxhirin ushqimor. Natyrisht, gruaja me lart se lopa, po jo me shume se aq:-)) Bukur!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin