Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Komunikim

RAPORTI YNË ME DIJEN

nga Edmond Çata

Vërtet demokracia dhe ligjërimi politik shqiptar janë problematikë thjesht pse komunikimi mes qeverisë dhe qytetarëve funksionon vetëm në drejtimin lider-qytetar, ku lideri gjithmonë ia del t’i shpëlajë trutë qytetarit?

Vehbiu e sheh shoqërinë shqiptare si parademokratike sepse ajo vërtet aplikon votime, përfaqësim (Lubonja, Kajsiu, flasin jo për përfaqësim, por “klientokraci”), kanale pjesëmarrjeje (shoqëri civile, teknologji komunikimi masiv), por pjesëmarrja, si komunikim qeveri-qytetar, mbetet njëdrejtimshe: funksionon vetëm drejtimi lider-qytetar, por jo drejtimi qytetar-lider. Çka shpjegon pse liderët veprojnë e komunikojnë mbi shpifje e sharje; pse Berisha kryeministër quan lavire kryeprokuroren Rama.

Edhe Zaloshnja është po aq pesimist për cilësinë e demokracisë shqiptare. Ngaqë komunikim lider-qytetar influencohet ose nga inercia, imponimi, rrethanat (Milgram), ose nga mentaliteti i turmës (Asch), Zaloshnja nuk beson se ngjarjet e fundit (mostransparenca e zgjedhjeve, videoja Meta, vrasjet e 21 Janarit, gjuha e Berishës, ngjarjet në Tunizi, Egjypt, Libi) do bëjnë që votuesi të mendojë në mënyrë të edukuar si duhet të votojë.

Vehbiu thotë gjithashtu edhe se komunikimi lider-qytetar funksionon vetëm në njërin kah sepse sondazhi, ky mjet pjesëmarrjeje në qeverisje dhe baza e komunikimit qytetar-lider mungon prej mungesës së sondimeve shkencore, mosbesueshmërinë ndaj tyre, mosvështrimin e sondazhit nga shqiptarët si një formë pjesëmarrjeje në qeverisje, dhe sepse liderët, thotë Vehbiu, po të bënin si t’u kërkonin sondazhet, do t’ju duhej të përfundonin tek Gabi.

Zaloshnja nuk flet për sondazhin jo se nuk e sheh të rëndësishëm por sepse për të, në duelin lider-sondazh, ky i fundit e mbyt krejtësisht influencën dhe vlerën e sondazhit si kanal informimi e formësimi qëndrimesh.

Të dy nuk janë gabim në vlerësimet e tyre. Por vëzhgimi i Vehbiut mbi komunikimin qytetar-lider përmes sondazhit dhe i Zaloshnjës mbi komunikimin lider-qytetar si tru-shpëlarje, në fakt, nëse çohen më tej, mund të vënë gishtin mbi e nxjerrë një problem edhe më të madh të shoqërisë e demokracisë së sotme shqiptare.

Pyetja ime është: Përse as qytetari, as shkollari, as lideri politik, as qeveritari, as sipërmarrësi, as tregu, s’ia “varin” komunikimit përmes sondazheve? Përse një qeveritar shqiptar qeveris pa ia ditur fare ç’vlerësim ka qytetari për politikat dhe drejtimin nga e shpie ai shoqërinë? Ndodh kështu se s’ka as shkencëtarë sondazhesh, as sondazhe shkencore? Vështirë…

Edhe sikur të ish e vërtetë që shkolla shqiptare nuk ka “prodhuar” sondazh-bërës shkencorë siç thotë Vehbiu, prapë kjo nuk shpjegon pse shqiptarët kanë diskredituar jo vetëm sondazhet e individëve “amatorë”, por edhe të kompanive profesioniste, shkencore, të paanshme? Tjetër gjë mund të shpjegojë si këtë armiqësi ndaj praktikës sonduese, ashtu edhe suksesin e liderit qeveritar në tru-shpëlarjen e individit. Ky “gjë” është raporti problematik që ne shqiptarët, si individ a shoqëri, i qeverisur a qeverisës, shoqëri e sotme apo historike, kemi me dijen: Shqiptarët as kanë respekt, as e duan dijen. Në vënd të dijes, ne shqiptarët preferojmë të operojmë me intuitën.

Preferenca jonë për të zgjidhur problemet e grupit, komunitetit, bashkëjetesës, shoqërisë, shtetit, tregut mbi intuitën, jo mbi dijen, nuk është gjë vetëm e sotme, por historike. Por ky intuitivizëm i yni përshfaqet më qartë dhe më problematik sot për tre arsye: E para, sepse shoqëria shqiptare nuk është më një shoqëri me një popullsi të vogël, gamë të ngushtë interesash, apo probleme me natyrë të thjeshtë, ku problemet mund të zgjidhen dhe interesat të realizohen pastërtisht dhe krejtësisht vetëm mbi baza njohjeje individuale; e dyta, shoqëritë e tjera të botës përparimin e zhvillimin e tyre politik, ekonomiko-social, shkencor ka kohë që e bazojnë mbi dijen; e treta, hapja jonë ndaj botës (Ballkan, BE, apo nivele të tjera) dhe hyrja në transaksione me të, nxjerrin në dritë mënyrat dhe mentalitetet e ndryshme të operimit, dmth si operojën ata dhe si operon individi, shoqëria, qeveria, tregu shqiptar.

Si intuita, si dija, të dyja mund të përdoren për tu përballur e zgjidhur probleme. Por janë katër dallime të rëndësishme që bëjnë diferencën e madhe.

E para, ka të bëjë me natyrën e tyre: intuita mbetet një instikt i brëndëshëm individual. Dija, është produkt i një experience shoqërore dhe historike. Ajo që ndan dijen nga intuita është parimi Poperian “provo-dështo-mëso”: intuita është fikse ndërsa dija nuk është fikse por e hapur, verifikuese, akumuluese, përmirësuese, përfshirëse e fakteve të reja.

Dallimi i dytë ka të bëjë me përdorimin e tyre si mjet. Intuita mund të jetë një bazë e mirë nisëse individuale, por e pamjaftueshme për të garantuar rend, zhvillim, harmoni sociale, transaksione, qeverisje të mirë. Ndërsa dija i garanton ato pikërisht përmes aftësisë për të qënë e hapur, korrigjuese.

Lëvizja nga zgjidhja e problemeve me intuitë tek përdorimi i dijes është, thotë Veber, ajo pikërisht ajo që dallon shoqëritë tradicionale, të prapambetura nga ato modern, të zhvilluara.

Dallimi i tretë ka të bëjë me rrugën që përdorin për zgjidhjen e problemeve: Intuita, bazohet mbi instiktin si për parashikimin e rezultatit, si për zgjidhjen që i jep problemeve. Dija bazohet mbi eksperiencën e mëparshme, mësimet nga dështimet e vetes ose të tjerëve.

Dallimi i katërt ka të bëjë me efektivitetin e tyre problem-zgjidhës. Intuita mund të jetë efektive në zgjidhjen e një problemi në nivel individi, apo kontekst marrëdhëniesh të thjeshta. Por intuita të lë në baltë në zgjidhjen e problemeve në nivelin e grupit, komunitetit, shoqërisë, tregut, shtetit, rajonit, marrëdhënieve ndërshtetërore.

Nisur nga këto katër dallime, intuita dështon në dhënien e një zgjidhje optimale sepse në nivelin përtej individit, rritja e numrit të aktorëve, diversiteti i interesave e bëjnë hapësirën gjithnjë e më e vogël, marrëdhëniet dhe lojën me të komplikuar, shanset për konflikt shumë më të larta, vetë zgjidhjet mjaft të komplikuara për të arritur të jenë harmonizuese. Dija është më efektive se intuita, pikërisht pse ajo është në gjëndje të parashohë rezultat e zgjidhë problem jo vetëm në nivelin e individit por edhe në atë përtej tij.

Po të kthehemi tek kultura e sondazhit, komunikimit politik, demokracia shqiptare, çështja nëse shqiptari e vlerëson apo jo sondazhin; nëse lideri arrin apo jo t’i shpëlajë trurin individit; nëse qytetari lejon t’i bëhet shpëlarje truri sepse nuk është në gjëndje të kuptojë që po i bëhet shpëlarje trush apo sepse kështu do vetë; nëse qeverisja dhe politikë-bërja do vazhdojë të mbetet një praktikë intuite individuale apo do lëvizë drejt dijes dhe modernizimit; nëse “tregu” politik apo ekonomik, do vazhdojë të jetë apo jo ky që është; nëse jeta jonë e përditshme shpirt-marrëse e dritave, ujit, trafikut, ambjentit do vazhdojë të jetë kështu siç është sot apo do lëvizë drejt parametrave normalë, nëse cilësia e demokracisë shqiptare do mbetet kjo që është apo do përmirësohet, të gjitha këto mbeten çështje dhe të varura në faktin se ç’raport do vazhdojmë të mbajmë ne shqiptarët me dijen: do të vazhdojmë të gjejmë dhe aplikojmë intuitën si rrugën më komode, apo do tia hyjmë rrugës së vështirë por shpërblyese të asocimit tonë me dijen dhe të udhëhequrit e veprimit tonë si individ, shoqëri, qeveri, treg, shtet nga aplikimi i saj.

Cilat janë lajmet nga ky front? Sondazhi përfaqëson një formë dijeje jo vetëm pse përpiqet të parathotë një ngjarje që nuk ka ndodhur ende, por edhe sepse arritjen e kësaj gjëje nuk e bazon mbi preferencat dhe intuitën individuale por vëzhgimin dhe analizën e fakteve.

Se çfarë preferohet këtu në Shqipëri mjaftojnë dy momente për ta ilustruar: njërin ka të bëjë me vetë Zaloshnjën. E dini ç’përgjigje ka marrë një nga tentativat e tij të para tek lidershipi PD-së që sugjeronte sondimin e elektoratit për të parë masën e mbështetjes? Mesazhieri: I thoni Zaloshnjës s’na duhen sondazhet se i di me bythë ato që Zaloshnja do më thotë me numra [!]

Tjetri ka të bëjë me eksperiencën personale. Përgjigjja që kam marrë ndaj propozimit që iu kam bërë disa burimeve për të sonduar si do të sillej elektorati LSI-jan nisur nga zhvillimet e fundit, nëse do kish rrjedhje, mbetej njësoj, apo rritej, ka qënë ose “e dimë si do votojnë ata” ose “çështja është shumë e nxehtë”.

Po ashtu, çështja se si qytetari vlerëson qoftë qeverisjen, qoftë sjelljen dhe komunikimin politik që i vihet përballë, nuk është thjesht punë aftësie magjike që kanë liderët për t’i shpëlarë atij trurin.

Liderët, të gjithë, në të gjitha kohërat, sistem demokratik apo jo, gjithmonë kanë tentuar shpëlarjen e truve. Por ama, sa ia arrin kësaj lideri, s’varet edhe aq nga përpjekja e tij sesa nga shkalla e dijes dhe zhvillimit të ndërgjegjes politike, civile, e qytetare të individit. Është e vërtetë që qytetari mund t’i kapë edhe me intuitë disa elementë të abuzimit me të nga ana e politikanit dhe qeveritarit. Por kur loja, abuzimi, shpërdorimi i liderit politik bëhet më e sofistikuar, kur këtyre dhe qeveritarit i vihet në krah mekanizmi “spin-doctor” (zëra nga media, akademia, shoqatat, partitë, të cilët edhe pse e dinë si është e vërteta, në publik, dalin dhe e përdredhin atë në atë farë feje, saqë i bëjnë njerëzit të marrin për të vërtetë të kundërtën e të vërtetës; grekërit i quanin “sofistë”; tek ne, këta janë shtuar kaq shumë, saqë tmerrohesh) çfarë i mbetet qytetarit në dispozicion për të dalluan gënjeshtrën nga e vërteta, të moralshmen nga e pamoralshmja, demokratiken nga jo-demokratikja? E vetmja busullë orientuese që i mbetet është dija.

Në politikë kjo “dije” ka të bëjë me sa i ditur dhe informuar është qytetari për politikën, qeverisjen, publiken, privaten, të drejtat, detyrimet; nëse ka apo jo një metër matës me të cilin ai mund të analizojë dhe vendosë nëse ajo me të cilën përballet është demokratike apo jo, e moralshme apo e pamoralshme, e vërtetë apo e gënjeshtër, e ndëshkueshme apo për tu shpërblyer. Ku e gjen, kultivon, internalizon qytetari këtë “dije”, “metrin matës të politikës”?

Midis kanaleve që politologët rendisin si ndikues të rëndësishëm mbi formimin civil-politik, mbi mënyrën e gjykimit të ngjarjeve dhe veprimeve të qeverisë e politikanëve, ata nënvizojnë familjen, institucionet fetare, shoqatat, apo median. Por midis këtyre kanaleve, arsimi dhe shkolla mbeten nga më të rëndësishmit.

Është e vërtetë që demokracia është një proces e produkt lufte/akomodimi mes forcave e interesave sociale të ndryshme. Por vetë forcat sociale, individ a grup, komunitet a shoqëri, para ose kur veprojnë, bartin një ndërgjegjësim qoftë për pozitën/interesat  e tyre, qoftë për atë nëse qeverisja, lidership, sistemi, operojnë pro ose kundër interesave të tyre, në mënyrë demokratike apo jo? Vendi dhe kanali përmes të cilit realizohet ky ndërgjegjësim është arsimi dhe shkolla.

Po përse individi duhet të pajiset me një dije dhe ndërgjegje politiko-civile? Për tre arsye.

E para, është e vërtetë se në shoqëri, çdo individ jeton duke ushtruar një profesion të caktuar. Por ky fakt, nuk e bën individin më pak pjestar të shoqërisë politike. Asnjë individ, pavarësisht profesionit të tij, s’mund të jetë apolitik, të jetojë i izoluar dhe jashtë politikës e qeverisjes. E dyta, çdo individ siç i ofron diçka shoqërisë ashtu edhe varet nga ajo. Këtë ka parasysh Aristoteli kur e quan individin “kafshë politike”. Në një shoqëri politike, asnjë individ, pavarësisht nga profesioni, nuk i shpëton dot marrdhënieve me qeverinë, përballjes me detyrimet, të kërkuarit të të drejtave. Këtë ka parasysh Ruso kur e quan individin një “qënie civile”. E treta, çdo individ, pavarësisht profesionit, i paguan taksa qeverisë. Kjo është arsyeja përse asnjë individ s’mund të mbetet i painteresuar dhe mosvlerësues si përfaqësohen interesat e tij, si shpenzohen paratë e tij, sa demokratik apo jo janë qeverisja, politikë-bërja, komunikimi e veprimi politik, qeverisësit.

Në kontekstin e demokracisë shqiptare, çështja pra nuk është nëse individit i duhet apo jo një dije e tillë. Çështja është nëse ai e disponon një dije të tillë apo jo. Dhe po të ndalemi tek arsimi dhe shkolla, o zot, sa sterrë është situata! Politikani dhe pushtetari shqiptar e trajton qeverisjen dhe qytetarin ashtu siç e kemi parë, pikërisht pse individi shqiptar ka probleme me dijen dhe formimin e tij civil-qytetar. Formimi civil-qytetar i individit shqiptar ka mangësi pikërisht pse ai mungon në arsimin dhe shkollën shqiptare.

Arsimi dhe shkolla si qëndrat që asociohen me dijen, supozohet të pajisin individin me një model “ideal”, i cili ndihmon individin të kapërcejë e lërë pas gjykimin intuitiv dhe vlerësojë qeverisjen, komunikimin dhe veprimin politik duke e përdorur modelin si “pasqyrë”. Çdo individ që përdor si bazë gjykimi të liderit dhe qeverisjes jo intuitën e ngritur mbi subjektiven por dijen e ndërtuar mbi modelin, është një qytetar modern civil-politik.

Një shoqëri dhe demokraci që përbëhet nga individë që bartin dijen, apo e kërkojnë ta internalizojnë dijen përkatëse kur ajo mungon, është një shoqëri moderne dhe demokratike. Ai individ dhe shoqëri që mbeten tek intuita në mënyrën si operojnë, janë të destinuara të mbeten jo vetëm tradicionale, por edhe progresivisht më në prapambetje se shoqëritë e tjera.

Sa dhe si e ka bërë punën e vet arsimi dhe shkolla shqiptare në pajisjen e këtij individi me ndërgjegje civilo-politike modern dhe të zhvilluar mbetet temë e hapur. Por një gjë është e qartë: arsimi dhe shkolla shqiptare veç që të prodhojnë një individ me ndërgjegje e qytetari civilo-politike moderne, të avancuar nuk kanë bërë.

Modernizimi i politikës, përmirësimi i demokracisë shqiptare, as mund të jetë produkt i dy politikanëve të emancipuar, as i dy analistëve që mbushin përnatë Klanin apo Topin. Politika dhe demokracia shqiptrare nuk do kenë shans të përmirësohen nëse nuk përmirësohet dija që karakterizon shqiptarin në masë qoftë ai nxënës, student, dentist, inxhinjer, mësues, pensionit a i çdolloj profesioni. Shkaqet përse shkolla dhe arsimi shqiptar kanë dështuar ta pajisin individin me qytetari civilo-politike, si dje, si sot, është një çështje që do tjetër diskutim.

Këtu unë desha të them vetëm këtë gjë: Një nga arsyet përse demokracia, politika, individi shqiptar është këtu ku është vjen pikërisht ngaqë ne kemi problem me dijen. Kaq.

Shënim: Titulli është i PTF. Titulli i origjinalit: Përtej Vehbiut dhe Zaloshnjës.

Pa Komente

  1. Nuk e mora vesh se ku donte të dilte autori me këtë shkrim (kaq të gjatë)… që shkolla duhet të jetë në rolin e formimit të dijes (siç duhet të jetë) apo edhe të nxitjes së intuitës(politike)!

    Jam dakord që lidhja e politikës me masat nuk mund të quhet korrekte kur realizohet vetëm me manifestime, mitingje, takime, inaugurime, por që të jetë e shëndetshme kërkon një lidhje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të “qendrës” me bazën… ose përndrysh, mjafton të ndërtohen “shkolla partie” apo të rifillohen “format e edukimit” apo “orët e informacionit” në shkolla/fabrika/lagje.

    P.s: Mirë XH2 që ngre dhe analizon me të drejtë një aspekt që përbën shqetësim për një demokraci të vërtetë (sondazhi si urë lidhëse popull-politikë), por, këto tjerrjet e mëtejshme të argumentit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përpiqen që të tregojnë se kemi një qime në sy, ndërkohë që trau… http://informarexresistere.fr/wp-content/uploads/2011/03/11150-237×300.jpg . ku, trau janë probleme akoma më të ndjeshme për të gjithë ne, si pabarazia e thellë shoqërore, shëndetësia, arsimi, shërbimet publike etj etj etj

  2. ” Është e vërtetë që qytetari mund t’i kapë edhe me intuitë disa elementë të abuzimit me të nga ana e politikanit dhe qeveritarit. Por kur loja, abuzimi, shpërdorimi i liderit politik bëhet më e sofistikuar, kur këtyre dhe qeveritarit i vihet në krah mekanizmi “spin-doctor””

    Cfare duhet te bej “i pa dituri”?!
    Te behet dija e bllokades se dijes?
    Ne se mendojme te bejme dijen gjykates te realitetit, atehere del qe dija do perballet me dijen. Dakort, deri ketu. Nga spjegimi i ketij mekanizmi, na del qe dija e atyre qe jane jo popull po krijon problemin, pra me dije. Nuk sigurohet ajo qe shpreson shkrimi, per arsyen e vetme se ajo dije po shperdoron pushtetin mes te diturve edhe ne kete moment qe ne flasim.
    Keshtu, para se te etiketosh njeren pale te ditur, por te keqe (politikanet, intelektualet, gazetaret etj…), dhe tjetren te pa ditur (popullin, votues),

    mendoj se kemi te bejme me spekulim te c’kuptojme merolin e dijes ketu.

    As nji here ne historine e njerzimit dija nuk ka qene kaq popullore sa sot, si konkluzion, dija eshte bere pjese e pa diskutueshme e njerzeve. Problemi eshte se vetem me dije nuk realizon deshirat e perbashketa shoqerore, por me sistem drejtesie, ekzekutivi qe funksionon me gjith potencialin e vet te dijes per te lehtesuar cdo veshtiresi ne organizimin e shoqerise civile.
    Per kete ilustrim eshte mosmarrja vesh mes te diturve ne politiken e sotme shqiptare. Nje mendim fillestar ve re, se nuk ndodh gje tjeter, nga c’shohim aktivitetin mes profesionalesh te ditur, po te sjellim po kete nivel utopik dijeje edhe ne popull. Pra do shohim nje dimension me te madhe te te njejtit problem qe vezhgojme mes te diturve.
    Zgjidhja eshte te kerkohet se si perdoret dija, ajo qe eshte, dhe jo te ankohemi nga “te paditurit” e cilsuar ne shkrim. Kur ajo dije nuk mjafton per te diturit, si shpreson dikush, qe do te funksionoj kur te shtoj radhen e te diturve?! Per numer? Atehere ne jemi, atje ku pretendon shkrimi te vemi. Numri i mbane ne kembe keto sisteme, deri sa ato funksionojne, dhe vjen koha qe konsumohen, duke na krijuar numra te rinje, me dijen e kohes qe funksionojne, individuale per cdo pjesmarres.

    p.s. Shkrimi gjesdis ne shume vende pa interes, dhe krijon vorbull me te vogel se ajo qe ai realitet krijon. Humbet ne detaje njohja. Realiteti individual, social, eshte i ditur ne cdo moment pa diturie.

  3. Shkrimi i Zaloshnjes mu duk me shume tip analize, se sa propozim zgjidhjeje si c’ishte sondazhi i ofruar ne shkrimin e Vehbiut. Keshtu qe pertej njerit dhe tjetrit, me duke se nenkupton edhe nje analize me radikale, edhe nje zgjidhje me efektive. Gjithsesi, per sa i perket shkrimit te Zaloshnjes, njeri prej eksperimenteve qe ofronte Zaloshnja si shpjegim, vinte ne dukje se efekti i turmes ishte me i fuqishem se efekti i dijes ne nje te treten e rasteve. Dakord dija, por dija nuk arrin te kape kete 30 perqindsh. Te shkosh pertej Zaloshnjes ne kete pike do te thote te shpjegosh se si dija mund te ripervetesoje kete pjese. Nga ana tjeter, eksperimenti tjeter kishte rezultate edhe me te trishta. Ne pothuaj gjithe rastet ne nje situate te ndertuar ne terma hierarkike, autoriteti dilte fitimtar mbi njerezillekun. Ajo qe eshte e rendesishme ketu eshte se kjo situate hierarkike dhe besimi tek autoriteti vjen si rezultat i besimit te pergjithshem tek vete dija. Ishte pikerisht besimi tek profesori, tek autoriteti i dijes, ajo qe i bente pjesmarresit te vazhdonin torturen ndaj pjesmarresve te tjere. Dija mund te shkoje pertej ketyre objeksioneve kokforte ndaj dijes, por nuk besoj se nje dallim mes intuites dhe dijes mjafton per te shkuar pertej.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin