Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

SHEH RRUSHI RRUSHIN

Sot ishte dita kur u tha se do të largohej nga pushteti Mubaraku i Egjiptit, me dëshirën e vet; por nuk ndodhi dhe festa në sheshet e Kairos u shty për një ditë tjetër.

Veç Mubarakut, që është autokrat i njohur, edhe dy liderë të tjerë në Mesdhe i kanë pozitat disi të lëkundura: Berisha ynë në Tiranë dhe Berlusconi në Romë.

Për Berishën kemi folur shumë dhe do të flasim; seanca e djeshme e Parlamentit tregoi se PD-ja vërtet mund të ketë shumicën atje, por ai institucion nuk mund të funksionojë normalisht, prandaj duhet llogaritur edhe ai ndër të jetërsuarit prej krizës – krahas gjyqësorit, Presidentit dhe opozitës.

Megjithatë, Berisha nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe Tirana nuk është Kairoja, për shumë arsye, prej të cilave edhe që kryeministri shqiptar nuk është Mubaraku.

Një zhvillim i ri vjen nga Roma; kryeministri Berlusconi, i shumëpërfolur për jetën e tij private të shthurur dhe i hetuar nga prokuroria për krime me natyrë seksuale, ka nisur të flasë edhe ai për “grusht shteti”, ose më saktë “golpe”.

Në një intervistë me Ferrara-n e Il Foglio, kryeministri italian akuzon kundërshtarët pikërisht për “golpe bianco” ose grusht shteti të bardhë; duke specifikuar pastaj që përndjekja e tij nga ligji është shprehje e një grushti shteti moral (“golpe morale”), që sipas liderit italian, mund të krahasohet me çfarë ndodhte dikur në Gjermaninë Lindore; Berlusconi madje i referohet drejtpërdrejt filmit Jeta e të tjerëve, për të përshkruar klimën e përgjimit, nga e cila ndihet i rrethuar.

Meqë në Itali është fjala për një përplasje mes gjyqësorit dhe kryeministrit, si shprehje e një shumice parlamentare, atëherë Berlusconi sqaron edhe konceptin e tij për imunitetin parlamentar ndaj përndjekjeve gjyqësore dhe në përgjithësi, të funksionarëve të lartë politikë. Imuniteti, thotë ai shërben si “filtër ndërmjet pushteteve autonome”.

Meqë kryeministrin italian, ndryshe nga Berishën në Tiranë, e akuzojnë për zvetënim moral dhe furrëqí, ai kundërpërgjigjet se “kush predikon një republikë virtytesh, me tone puritane dhe jakobine, ka në mendje një demokraci autoritare, që është e kundërta e një sistemi të themeluar mbi lirinë dhe një ndërgjegje morale publike dhe private dhe të mirëfilltë.”

Gjithsesi, megjithë pakënaqësinë e madhe të elitave, nuk është e lehtë t’i largosh këta burra autoritarë nga pushteti, sa kohë që mungon pakënaqësia publike e shkallës së shesheve të Kairo-s. Në Tiranë protesta nuk zgjati dot më shumë se gjysmë dite, dhe kjo jo për meritë të eficiencës së forcave të ruajtjes së rendit.

Ngjashmëritë mes të dy rasteve janë të shumta: si një Romë, ashtu edhe në Tiranë, vërehen konflikte mes pushteteve, në një kohë që dy kryeministrat “mbretërojnë” falë shumicës që kanë në Parlament. Po ashtu, edhe Berlusconi edhe Berisha, secili në mënyrën e vet, janë produkte të reaksionit politik ndaj partitokracisë klasike.

Kam folur shpresh për partitokracinë në Shqipëri, duke e parë më tepër si vazhdim të sundimit të PPSh-së në jetën e vendit; por gjithnjë me proviso-n se PD-ja nuk ka kurrfarë ndikimi, as formal as moral, ndaj Berishës; përkundrazi, është një zgjatim i trupit dhe i mendjes së tij, një vegël që e lejon të ushtrojë pushtetin në mënyrë kapilare, një vulë legjitimuese që ai mban në xhep.

Prandaj partitokracia në Shqipëri shprehet nëpërmjet monopolit që kanë partitë në jetën politike, jo në marrëdhëniet me pushtetin.

Nga ana e vet, Berlusconi në Itali ka ardhur në pushtet pas shpërbërjes së një dinosauri – Partisë Demokristiane, që e qeverisi Italinë për më shumë se dyzet vjet pa ndërprerje, me bekimin e amerikanëve dhe të NATO-s.

Ishin pikërisht raportet që kishin vendosur demokristianët me pushtetin që e bënë radikalin Marco Pannella të fliste për partitokraci në Itali; ku një parti e madhe, popullore dhe e rrënjosur në qendër dhe në provincë, qeveriste vendin e patrazuar, nëpërmjet rotacionit të liderëve.

Kush i mban mend kryeministrat italianë gjatë viteve 1960-1980? Kujt i kujtohen sot Fanfani, Moro, Leone, Rumor, Colombo, Andreotti, Cossiga, Forlani, Goria, De Mita… që vinin e iknin në pushtet pa u ndier shumë, me qeveritë që rrëzoheshin dhe qeveritë e tjera që ngriheshin sërish nga hiri, si feniksi?

Këta burra shteti ishin mishërim i partitokracisë klasike – krejt të zëvendësueshëm dhe të ndërkëmbyeshëm, por njëkohësisht të pandryshkshëm në krye të punëve.

Berlusconi erdhi në pushtet, në Itali, pas një intermezzo-je kur qeveria kaloi dorë më dorë, nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas, madje edhe duke u mbajtur ca kohë prej ish-komunistëve: Spadolini, Craxi, Amato, Ciampi, Dini, Prodi, D’Alema; por të gjithë këta nuk e kishin homogjenitetin, as monolitizmin e DC-së së dikurshme dhe ishin të dënuar të kapitullonin, veç e veç si individë, por edhe si mishërime të një vullneti politik partiak tashmë të kapërcyer.

Berlusconi, njëlloj sikurse Berisha në Tiranë, sollën një stil të ri në politikat e pushtetit: atë të njeriut-parti, ose versionin soft dhe demokratik të liderit totalitar. Çfarë do të ishte PDL-ja (ose dje Forza Italia) pa Berlusconi-n; çfarë do të ishte PD-ja pa Berishën?

Të largosh sot Berlusconi-n nga pushteti është po aq e vështirë sa të largoje dje nga pushteti jo Fanfani-n, Forlani-n, Moro-n dhe Goria-n, sesa vetë Partinë Demokristiane – diçka e pamendueshme në vitet e Luftës së Ftohtë.

Natyrisht, transformimi i modelit të djeshëm monopartiak, në modelin e sotëm të njeriut-parti, sa i takon Italisë, vetëm sa e ka ndihmuar partitokracinë të përshtatet, në rrethanat e reja kur kasta e biznesit privat dhe e financës së madhe nuk ka më arsye t’u trembet komunistëve në Itali dhe gjetiu, as të marrë parasysh faktorin sindikal.

Ndërkohë, në Shqipëri, modeli i njeriut-parti i përqafuar nga PD-ja është pranuar vetvetiu, si në harmoni me antropologjinë e patriarkalizmit që ende sundon në shoqërinë shqiptare. Madje në krahasim me monizmin partiak të tridhjetë vjetëve më parë, teknologjia e komunikimit lejon tani që lideri Berisha të mikro-menaxhojë, po të dëshirojë, deri edhe vendimet e një kryetari komune në majë të malit, duke i telefonuar me celular – gjë që Enver Hoxha mund ta bënte vetëm nëpërmjet frikës, ose duke kultivuar projeksionin e vet autoritar në super-egon e çdo shqiptari.

Krahasimi mes Berlusconit dhe Berishës nxjerr në dritë edhe një aspekt tjetër domethënës të dialektikës politike, në të dy vendet, dhe pikërisht rolin që luajnë, në këtë dialektikë politike, problemet e liderit me ligjin.

Përplasjet e Berlusconi-t me prokurorët dhe gjykatësit njihen; atë e kanë akuzuar për evazion fiskal, mashtrime në kontabilitet, kontakte me mafia-n, korrupsion dhe rryshfete; disa herë, ai u ka shpëtuar dënimeve falë ligjeve ad hoc, të miratuara nga shumica e vet parlamentare. Sipas Berlusconi-t vetë, mes viteve 1994 dhe 2006, “789 prokurorë dhe gjykatës janë marrë me çështje të tijat, me synimin për të përmbysur votën e popullit italian”, çka i ka kushtuar, ndër të tjera, 174 milion euro vetëm për të paguar avokatët e shumtë (mes të cilëve dikur edhe Nicolas Sarkozy).

Aq e vërtetë është kjo, sa sot nuk mund të kuptohet më karriera politike e Berlusconi-t jashtë ballafaqimit të tij me ligjin dhe me institucionet e gjyqësorit që e hetojnë për çështje të ndryshme (skandali i tanishëm i Ruby-t, ose Qerimesë (Karima El Mahroug), është vetëm qershiza mbi një tortë të stërmadhe akuzash; ironikisht, kur doli në shesh ky skandal, u tha se, kur e patën arrestuar këtë marokene 17-vjeçare për vjedhje, Berlusconi ndërhyri drejtpërdrejt duke marrë në telefon policinë për ta liruar, me pretekstin se ajo ishte mbesa e Mubarak-ut!).

Nga ana tjetër, edhe disa nga prokurorët, hetuesit dhe gjykatësit që janë marrë, ndër të tjera, me Berlusconi-n, kanë përfunduar në politikë dhe janë zgjedhur deputetë në radhët e opozitës; në një kuptim, lufta politike sot në Itali mund të interpretohet edhe si vazhdim i përplasjeve gjyqësore me mjete të tjera; në një kohë që e djathta berlusconiane gjithnjë ka këmbëngulur se veprimet e gjyqësorit kundër Berlusconit kanë qenë gjithnjë të motivuara politikisht.

A ka ndonjë rrezik që ky kontaminim i kryqëzuar i politikës me ligjin të manifestohet edhe në Tiranë? Nuk do të habitesha sikur një gjë e tillë të ndodhte. Berishën dhe sidomos familjarë të tij dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë i kanë akuzuar për gjithfarë gjestesh dhe bëmash korruptive dhe klientelare; në qoftë se Prokuroria e Përgjithshme vendos t’i marrë këto akuza seriozisht dhe t’i ndjekë ato deri në fund, me mbështetjen edhe të ambasadës amerikane, atëherë edhe karriera politike e Berishës do të vijë duke u përcaktuar, gjithnjë e më vendimtarisht, nga strategjitë e tij për të mbrojtur nga akuzat dhe hetimet veten dhe bashkëpunëtorët; për çka atij do t’i duhet për jetë a vdekje shumica në parlament.

Edhe liderin e PS-së Rama e kanë akuzuar për lidhje me mafia-n e ndërtimit dhe korrupsion të gjithanshëm; por gjasat që ky të ndiqet nga Prokuroria janë më të pakta, siç mund të deduktohet nga akuzat që u ka bërë të dy Rama-ve Berisha tani së fundi, publikisht, për bashkëpunim në “tentativën për grusht shteti”. Nëse ndodh kështu, atëherë lufta politike në Tiranë, njëlloj si lufta politike e tanishme në Romë, rrezikon të mos jetë më midis dy ose më shumë partive, por midis një njeriu-parti, ose Berishës, dhe gjyqësorit, të përfaqësuar politikisht (në parlament) nga opozita dhe të amplifikuar nga mediat e majta.

Po i kanë vallë shteti shqiptar dhe demokracia e atjeshme, ekonomia dhe shoqëria shqiptare, këllqet që ta përballojnë këtë përçudnim të madh të politikës?

Pa Komente

  1. Vërtet sheh rrushi rrushin (kryeministrat), por presidentët nuk janë njëlloj tifozë për fara luledielli…
    Sot, ndërkohë që tifozët e Berluskonit manifestonin përballë pallatit të drejtësisë në Milano kundër gjykatësve që hetojnë ndaj tij, në Romë, Presidenti Napoletano takonte e CSM (Consiglio Superiore della Magistratura) ku u diskutua për sulmet e herëpas-herëshme që Berluskoni ju drejton gjykatësve.
    Po sot, Presidenti Napoletano thërriti në presidencë Berluskonin, për t’i dhënë një altolà manovrave të tij (Berluskonit) që shpesh shkojnë në kufinjtë e përplasjeve institucionale.

    sa do doja që edhe “rrushi” jonë ta shikonte pak se ç’bën Napoletano…

  2. Xha -xha, rrushi ne Egjypt u poq. Si e bujqesise qe jam, i bie qe ketu tek ne te piqet mbas nja 3 javesh. Prandaj duhen bere gati kazanet.

  3. lume kush te rroje, qe ta shohe zonje…. me pas?

    Dy ne dore. Tunizia dhe Egjypti.
    Tunizia shume me pasur se Egjypti dhe Shqiperia
    Egjypti njesoj me Shqiperine, por me e varfer se sa Tunizia.
    Deshirat e teoricieneve u realizuan.
    Te shohim a do te realizohen ato te miletit.

    Se kush ma ka marre ate topin e kristalte, qe e marrte veremi e marrte…

  4. Po vereja se si nje mizeri dinjitaresh te shteteve te ndryshme, qe nga Obama, Ashton, Cameron e Merkel edhe deri tek kryeministri i Kurdistanit tek shprehnin entuziazmin per renien e Mubarak-ut (ose ‘doreheqjen’ plotesisht vullnetare) duke e quajtur levizjen popullore qe e rrezoi, ne pjesen derrmuese, si levizje per “liri”, e si nje triumf te “dinjitetit njerezor”. Obama nder te tjera, levdoi ushtrine qe nuk shtiri plumba “kunder popullit te cilin u betua se do ta mbroje.” (Per mua, kjo eshte deklarate shume e forte, dhe njekohesisht thike me dy presa)
    Jam kurioze te di nese Berisha do te shprehet per ngjarjet ne Egjypt. Po te flisnim vetem per strategji politike, do te ishte nje humbje shansi nese Berisha, qe sonte, nuk do ta pershendeste me aprovim ndryshimin e regjimit ne Egjipt. Nje gjest i tille do t’i sherbente te hiqte nje vije ndarese midis vetes dhe Mubarak (per kedo qe luan me ate ekuivok dhe kunder tij), por me e rendesishmja, nje vize ndarese midis popullit egjiptian dhe demonstruesve shqiptare.

    Se dyti jam kurioze te di nese Presidenti, si kreu i shtetit, do te shprehej per ngjarjet ne Egjipt. Nese s’e ka bere akoma, thua te kete frike se nese e pershendet renien e Mubarak, kjo do te keqkuptohet nga Berisha dhe nga te tjeret?
    Deri tani qe po i shkruaj keto tre rradhe, nuk ka asnje reagim nga qeveria ose presidenca (te pakten jo ne mediat shqiptare me prani ne Internet)

  5. Po t’i lexojë ndonjë profesionist këto që shkruhen këtu, do ja hiqte dëshirën përfundimisht për t’u marrë me politikë.

    Është qesharake kur hiqen paralele ndërmjet dy liderve politikë të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një diktatori të pazgjedhur kurrë me zgjedhje të lira.

    Diktatori qe iku, nuk kishte probleme asnjëherë me prokurorë a gjykatës, për arsyen e thjeshtë se në vendin e tij nuk kishte as prokurorë e as gjykatës. Të kuptohemi drejt, këto funksione sigurisht që ekzistonin por nuk kryenin ndonjë punë tjetër perveç asaj që ju ngarkonte diktatori.

    Nëse e shikojmë nga kjo anë Mubarak ka qënë me demokrat se Berluskoni e Berisha bashkë, pasi nuk ka pasur konflikte me drejtësinë.

    Berisha dhe Berluskoni që janë politikanë e shtetarë në një sistem demokratik e pluralist, që janë te kufizuar në pushtet e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në perputhje me kornizën ligjore të vendit të tyre, por që kanë edhe konflikte me pushtetet e tjera pikërisht se ja u mundëson ky sistem janë autoritarë si Mubaraku!

    Për t’u mos u zgjatur, ky lloj subjektivizmi në gjykim nuk ka vend ku të rrijë fare.

    Edi Rama në një analizë te shkurtër del shume i rrezikshëm per demokracinë. Duke parë evoluimin politik të tij, mënyrën se si sillet me mendimin ndryshe ne PS apo jashtë saj, me gazetarët apo si qeveris dhe e ka kthyer bashkinë Tiranë, është pak ta krahasosh me Mubarak, duhet ndonjë emër tjetër, pasi edhe pushtetin e kërkon me stormtroopers megjithatë duhet respektuar pasi ka një legjitimitet aty ku është. Gjithmonë nëse i qëndron brenda sistemit.

  6. Situata është e krahasueshme për shtratin në të cilën u ngritën këto subjekte politike, si ajo e Berishës edhe ajo e Berlusconit. Për këtë të dytin nuk di shumë gjëra se çfarë ishte tamam ajo që shfrytëzoi për të bërë çka bëri.

    Ndërsa Berisha shfrytëzoi në maksimum një avantazh të madh moral dhe një dëshirë që kishin njerëzit për ndryshim. Njerëzit donin ndryshimin në fillim vitet 90′, më shumë se vetë Berishën. Dhe ky i fundit e shpërdoroi avantazhin në krye të 6 viteve që ishte në pushtet, pasi e çoi vendin në kolaps financiar dhe social.

    Pastaj Nano shfrytëzoi harbutërinë e Berishës për të demonstruar arrogancën shpërfillëse të vetën, Berisha shfrytëzoi këtë të fundit, për të ardhur përsëri në pushtet. Nëse do shihej kështu, kemi qënë duke kryer rrathë viciozë nga vesi në ves.

    Unë nuk besoj se do jetë situatë e tejzgjatur kjo ku ndodhet sot Berisha. Për vetë faktin që ka disa gjëra fatale në këtë mes. Janë ca gjëra kaq të thella e të forta, sa ose do ketë triumf të drejtësisë, ose do nënshkruhet pakt me djallin.

    Nuk arrij të imagjinoj dot një rrugë normale nëpërmjet të cilës të shkëputet Berisha prej aty ku është futur. Sikur të ndiqej vetëm prej akuzave verbale që ka lëshuar gjithë këto ditë, ndaj titullarëve të institucioneve, fundin politik e ka të sigurt.

    Presidenti, Prokuroria, gazetarët e përfshirë, deputetë të opozitës, kreu i SHISH etj nëse do i drejtoheshin gjykatës dhe ta akuzonin për shpifje, atij do t’i duhej të paguante fatura politike shumë serioze.

    Ndër të tjera dhe përveç këtyre më lart, mban përgjegjësi për implikimin e Metës meqënëse e kishte vartës në qeveri dhe mbi të gjitha, është i implikuar qoftë në mënyrë të tërthortë për katër vrasjet e 21 Janarit. Pengim të hetimeve më tej, shantazh ndaj prokurorisë, cënim të pavarësisë së institucioneve etj.

    Si do dalë Berisha nga kjo gropë ku është futur? Qoftë edhe ndonjë skenar imagjinar alternativ nga dikush tjetër, do të më vinte në ndihmë. Qoftë prej berishistit më të flaktë.

  7. Ikja e diktatorëve të Tunizisë dhe Egjiptit mund të sjellë edhe ndryshime ne qasjen e këtyre shteteve ndaj njohjes së Kosovës. Algjeria dhe Libia gjithashtu nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
    Rrëzimi i Gadafit, këtij miku të përjetshëm të serbëve, do të më gëzonte veçanërisht:

    http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,18,47522

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin