Në raport me republikën e tyre, banorët e Shqipërisë janë njëkohësisht edhe qytetarë edhe shtetas, një tension që me kohë ka depërtuar dhe është natyralizuar në hapësirat e shqipes burokratike.
Të dy termat shënjojnë, në mënyra të ndryshme, raportet e individit subjekt me shtetin, ose anëtarësinë e subjektit në shtet; në Fjalor, edhe shtetasi edhe qytetari përkufizohen si pjesëtarë të popullsisë së përhershme të një shteti, të cilët gëzojnë të gjitha të drejtat dhe detyrat e përcaktuara me ligj”, edhe pse, për nga forma, shtetasi i referohet shtetit, ndërsa qytetari i referohet qytetit – dallim ky që mund të jetë i rëndësishëm.
Të dy termat përcaktohen edhe nëpërmjet raportet që vendosin me terma të afërta; shtetasit i duhet të merret vesh me nënshtetasin, i cili teknikisht shënjon “shtetasin e një mbretërie a të një perandorie”, ndryshe nga shtetasi, që si rregull i referohet republikës – dallim ky që është i rëndësishëm, por krejt artificial, meqë çdo republikë është shtet, por jo çdo shtet është republikë; më anë tjetër, qytetari shënjon jo vetëm individin në raport anëtarësie me shtetin përkatës, por edhe banorin e një qyteti, duke iu kundërvënë kështu fshatarit, ose sipas rastit katundarit dhe ndonjëherë malokut.
Të vërehet këtu edhe dallimi me termit shtetësi, i cili shënjon ftohtësisht marrëdhënien juridike të individit subjekt me një shtet të caktuar, dhe qytetari, i cili përdoret, me parapëlqim, për të shënjuar në mënyrë abstrakte tërësinë e virtyteve të një njeriu të kulturuar, në zotërim të të drejtave dhe në njohje të detyrave të veta; në kuptimin që, brenda kësaj sinonimie, qytetaria paraqitet si vetëdijesim i shtetësisë.
Si institucion, qytetarin dhe qytetarinë, në kuptimet e mësipërme, i krijoi revolucioni frëng i fundshekullit XVIII, duke i themeluar mbi konceptet e lirisë, barazisë dhe të vëllazërisë. Qytetarët e Francës së dalë nga revolucioni ishin jo vetëm të baraslarguar nga ligji, por edhe të barabartë në privilegjet që u njihte shteti – ose të drejtat politike; çka ishte qartësisht e huazuar nga tradita klasike e qytetit-shtet, e reflektuar edhe në qytetin e Rilindjes Italiane në Mesjetën e vonë. Kësisoj, të qenit qytetar nënkuptonte, para së gjithash, të qenit njeri i lirë.
Kjo solli në disa gjuhë, duke filluar nga frëngjishtja, edhe një tension të ri sinonimik-antonimik, nëpërmjet kontrastit mes termave citoyen dhe monsieur, duke e zëvendësuar të dytën me të parën, sa kohë që monsieur nënkuptonte një raport vertikal nënshtrimi, ndërsa citoyen e zëvendësonte këtë raport me përkatësi të lirë dhe të barabartë në të njëjtën bashkësi të rregulluar me ligj.
Në shqipen e shekullit XX, fjala qytetar shënjoi për një kohë të gjatë banorin e qytetit; meqë raportet e individit subjekt me shtetin i shprehte termi nënshtetas.
Ndikimin çlirues në status të Revolucionit Francez e përcolli, në Shqipëri, kultura ruse-bolshevike; në të cilën fjala гражданин (graždanin) “qytetar” ishte përdorur, pas Revolucionit të Tetorit, për të zëvendësuar titullin господин/госпожа [gospodin/gospoža], “zoti/zonja…” të Pararevolucionit; por gjithnjë në konkurrencë me formën proletare-politike товарищ [tovarišč] “shok; Kamerad; compagno” (p.sh. “tovarish Lenin”), e cila e shënjonte individin subjekt jo vetëm në raport me republikën, por edhe si të angazhuar politikisht me çështjen, ose në raport horizontal me “shokët” e tjerë. Të njëjtat dallime dhe ngjashmëri semantike i gjejmë, natyrisht, edhe në shqipen e periudhës komuniste; ky “qytetar” i referohet një individi tashmë të çliruar nga shfrytëzimi kapitalist, por ndoshta ende jo plotësisht të përfshirë në ndërtimin e socializmit dhe revolucionarizimin e jetës së vendit. Brenda këtij konteksti, qytetar i ruajti gjithnjë disa tipare tepër formale.
Në shqipe fjala qytet është huazim i vjetër nga latinishtja civitatem (e njëjta që ka dhënë frëngjishten cité, italishten città, etj.), por qytetar është neologjizëm, që ndjek (kalkon) modelin neolatin dhe lejon importimin e kuptimeve, mes të cilave edhe ato që u zhvilluan kryesisht gjatë Revolucionit Frëng mbi bazën e nocionit klasik të qytetarisë në lashtësi.
Sa për fjalën shtetas, kjo ka ndjekur një rrugë tjetër për t’u rrënjosur në shqipe, meqë formalisht nuk ka paralele në gjuhët neolatine; ndërkohë që ngjashmëria formale dhe kuptimore me gjermanishten Staatsbürger sugjeron një ndikim prej andej (nuk më duket se është vendi për krahasime me πολίτης dhe πολιτεία të greqishtes).
Për t’u shënuar, këtu, se gjermanishtja përdor të njëjtën fjalë për qytetarin dhe për borgjezin: Bürger.
Gjithsesi, dhe pavarësisht nga prejardhja e saj, shtetas zuri vend në shqipen burokratike në ballafaqim me nënshtetas nga njëra anë dhe qytetar nga ana tjetër; me të parën e ndante atributi i anëtarësisë në një republikë, ndërsa me të dytën theksimi, sado i pavendosur, i detyrave të individit, përkundrejt lirive dhe të drejtave që priret të konotojë termi qytetar.
Nga kjo pikëpamje, merret vesh vetvetiu se individët janë qytetarë sa kohë që protestojnë, por përfundojnë në shtetas kur shoqërohen në polici!
Që në shqipen e sotme librore dhe burokratike tensioni mes shtetas dhe qytetar është ruajtur, falë dallimit intuitiv por në thelb të rremë midis shtetasit si trupëzim detyrash dhe qytetarit si trupëzim të drejtash, kjo nuk duhet marrë si një huq leksikor i pafajshëm, ose leksikalizim i ndonjë diference të qenësishme. Në fakt, nuk janë të rralla rastet kur diskursi institucional themelohet mbi diferenca të tilla, duke mënjanuar përdorimin e termit qytetar, me shpresë se ashtu do të lihen në hije të drejtat e pajetërsueshme të individit në raport me shtetin. Ka pushtetarë sot që kur shqiptojnë fjalën shtetas nënkuptojnë nënshtetasin (ndonjëherë po ata që kur shqiptojnë fjalën shtet, nënkuptojnë pushtetin), ose një individ çfarëdo me të cilin janë në marrëdhënie vertikale pushteti ose sundimi; çka bie ndesh me vetë konceptin modern të shtetit dhe të republikës.
Meqë legjislacioni shqiptar i pas 1990-ës, duke përfshirë edhe Kushtetutën, është marrë nga vendet perëndimore, ia vlen të kujtohet se ligjërimi juridik në këto vende përdor një term unik për të shënjuar konceptin: citizen, në anglishte; citoyen në frëngjishte; Staatsbürger në gjermanishte, e kështu me radhë, ndoshta me përjashtim të anglishtes national, që përdoret ndonjëherë me atë kuptim.
Nga ana tjetër, fjalën shtetas në shqipe duket se e mban gjallë edhe përdorimi unik i termit shtetësia për të shënuar një prej gjeneraliteteve, ose të dhënave të gjendjes civile të individit – meqë qytetari nuk konkurron në këtë kontekst. Në diskursin demografik, shtetësisë i duhet të përkufizohet jo vetëm në raport me shtetin, por edhe në marrëdhëniet horizontale me terma të tillë si kombësi dhe etnicitet/etni, dhe në marrëdhënie sinonimike/semantike me nënshtetësi.
Kështu, fusha leksikore e termave shtet, shtetas, nënshtetas, shtetësi, nënshtetësi duket si më e disiplinuar semantikisht; në një kohë që fusha tjetër leksikore, e termave qytet, qytetar, qytetari është semantikisht e ngarkuar, edhe pse në koncept afrohet më shumë me konceptin perëndimor të të drejtave dhe të lirive të Perëndimit. Veç kësaj, në shqipe mbiemri qytetar është semantikisht i mbingarkuar, meqë detyrohet të mbulojë, sipas kontekstit, të njëjtat koncepte që në një gjuhë si anglishtja shprehen me tre-katër fjalë të ndryshme: civil, civic, urban e ndonjë tjetër.
Pyetja që mund dhe duhet bërë, në këtë fazë, është nëse dikotomia shtetas/qytetar i sjell më shumë të mira apo ngatërresa shqipes burokratike dhe diskursit juridik/kushtetues. Duke marrë parasysh specifikën shqiptare, ose trashëgiminë e rëndë që kemi nga shekuj sistemesh politike dhe sociale autoritare ku të drejtat e individit janë nëpërkëmbur rregullisht dhe në rastin më të parë, besoj se është mirë t’i japim përparësi, në të gjitha herët, termit qytetar, i cili jo vetëm denoton një marrëdhënie juridike, por edhe konoton një dinjitet që termi shtetas nuk e ka. Hë për hë, shqiptarëve u duhet të fillojnë të mësohen me idenë aq themelore se të drejtat dhe liritë e tyre nuk burojnë nga marrëdhëniet që ata vendosin me shtetin, por vetëm sa u garantohen nga ky i fundit.
Meqe u fol per Revolucionin Francez, ne Kontraten Sociale qe kam une, Penguin Classics, (anglisht) Rousseau percakton Subjektin si shtetas, dhe Qyetarin si qytetar. Pasi sqaron se trupi politik, ne gjendje pasive eshte shteti, e ne gjendje aktive eshte sovrani, duke percaktuar si qytetar ate individ qe merr pjese ne pushtetin sovran, e si shtetas ate individ qe vendos veten nen ligjet e shtetit, ne Librin III, Kapitulli 9, mbi Shenjat e Qeverisjes se Mire, thote:
“Shtetasit cmojne qetesine publike; qytetaret lirine e individit – te paret preferojne sigurine e prones, te dytet sigurine e personit; shtetasit mendojne se qeverisja me e mire eshte ajo me e rrepta, qytetaret ajo me e buta; te paret duan qe krimet te ndeshkohen, te dytet duan qe te parandalohen; shtetasit mendojne eshte mire te te kete frike fqinji, qytetaret preferojne te lihen rehat prej tyre; te paret jane te kenaqur per sa kohe paraja qarkullon, te dytet kerkojne qe njerezit te kene te hane. Por edhe sikur te binin dakord mbi keto dhe mbi pika te tilla, a do ishim edhe me te zhvilluar? Dimensionet morale nuk kane standarde precize matjeje; edhe sikur te binim dakord mbi shenjat, si mund te biem dakord mbi vlerat e tyre?”
E aplikuar ne kushtet e Shqiperise, eshte interesant vlera numerike qe jep Rousseau ne kete pike. Numri i popullates. Duke pasur parasysh faktin qe keto 20 vjet, me gjithe rritjen biologjike te numrit te shqiptareve ne total, numri i te emigruarve eshte i tille qe mund te barazohet me numrin e popullates brenda territorit te Republikes se Shqiperise, pra duke pas parasysh faktin qe ende sot e kesaj dite prokuroria jep mesazhe te tilla si “ikni sa me pare nga ky vend,” tregon se gjithecka mund te jete kjo qeverisje, pervcse nje qeverisje e mire.
Ne gjermanishte borgjezi quhet “der Bourgeois”. Ketu perfshihet se paku ajo pjese e kuptimit qe dallon pjesetaret e klases borgjeze nga te tjeret.
Ina, hidhi një sy kësaj faqeje të fjalorit ndoshta më të mirë të gjermanishtes online:
http://dict.tu-chemnitz.de/deutsch-englisch/B%fcrger.html
Madje edhe komedia e famshme e Molière-it, Le bourgeois gentilhomme është përkthyer, në gjermanishte, si Der Bürger als Edelmann…
Ja cka shkruan ne Duden (jo online):
Duden Deutsches Universalwörterbuch
Bour|geois, der; – […a(s), …(:s)], – […a(:)s; frz. bourgeois = Bürger, zu: bourg = Burg, Marktflecken, aus dem Germ., verw. mit → Burg] (bildungsspr. abwertend): Angehöriger der Bourgeoisie.
Une me qellim e theksova qe fjala mbulon vetem nje pjese te domethenies se ‘borgjezit’.
OK, nuk ka problem.
Sa për gjermanisht, ka të drejtë xhaxhai. Për borgjezin në gjermanisht thuhet der Bürger! Sa për fjalorin, unë e përdor gjithmonë leo.org dhe jam shumë i kënaqur.
http://dict.leo.org/ende?lp=ende&lang=de&searchLoc=0&cmpType=relaxed§Hdr=on&spellToler=&search=b%C3%BCrger