Ditët e fundit të 2010-s doli në qarkullim numri 26-27 i revistës “Përpjekja”, i cili këtë herë i kushtohet mërgimit shqiptar pas vitit 1990.
Numrin e ka përgatitur Eda Derhemi, si guest editor; në të ka shkrime nga Fatos Lubonja, Eda Derhemi, Russell King, Rando Devole, Filippo Davoli, Niko Gogonas, Gazmend Kapllani, Romeo Çollaku, Luan Xhuli, Zana Vathi, Albana Rexhepaj, Albana Shala, Juli Vullnetari, Erin Smith, Giuseppina Demetra Schiro’, Stephanie Schwandner-Sievers dhe Nick Mai.
Me këtë rast, edhe unë kam shqipëruar një kapitull të gjatë të librit La Scoperta dell’Albania, që kam shkruar me bashkautor Rando Devolen dhe botuar në Itali (Edizioni Paoline, Milano 1995; deri më sot, i papërkthyer shqip). Kapitulli i kushtohet trajtimit që ua rezervuan mediat e shkruara italiane dyndjeve të shqiptarëve në prill dhe në gusht të vitit 1991, duke përfaqësuar një përpjekje për t’ia zbuluar rrënjët imazhit stereotipik të refugjatit shqiptar, që dominoi pastaj mass mediat italiane gjatë viteve 1990 dhe më tej. Kam botuar gjithashtu edhe një shkrim timin të veçantë për kampet e refugjatëve ku i mbyllën shqiptarët e mërguar pas valës mërgimtare të prillit 1990 dhe efektet e këtij trajtimi në kriminalitetin shqiptar në Itali të viteve më pas.
Revistën, e cila u botua me ndihmën bujare të ambasadës norvegjeze në Prishtinë, do ta gjeni në libraritë kryesore në Tiranë.
Tryeza e lëndës për numrin mund të konsultohet këtu.
Duket numër interesant dhe do të interesohem të gjej një kopje. Edhe pse sot të bashkëpunoj me shtypi shqiptar më duket sikur paguaj një takse të madhe, për ketë tematikë nuk do të refuzoja, po të më kishin ftuar.
Në mos gaboj nga Tirana duhet të kem qenë i pari, por mundet edhe i vetmi gazetar që i ndoqa valët e refugjatëve në Itali për të shkruajtur një seri reportazhesh. Shënimet e para i mora nga kampet e refugjateve që nga tetori 1990. I pashë tek flinin në skela, tek i qëllonin si kafshë, i ndoqa në ato kampet e improvizuara të jugut që u ngritën me çadra prej cohe katarmi, të cilave shqiptarët u vinin zjarrin kollaj për inat të njëri tjetrit e për të djegur gjallë njëri tjetrin. I pashë tek ecnin si zombi nëpër rrugët e qyteteve italiane, si vinin dorën në zemër kur dikush u afrohej t’u jepte ndonjë cigare a u hidhnin gjësendi nga dritarja, fëmijët italianë që u afroheshin për t’u dhënë qese plastike me ushqime, pashe shenjat që të ikurit u bënin vajzave sepse ishin të bindur se në Itali ca gjëra janë tepër të thjeshta dhe se italianet janë mjaft të hapura, pashë të rinj të dëshpëruar që nuk flisnin ende italisht dhe që më ftonin në kampet a kishat ku i kishin strehuar që tu flisja pritësve të tyre cilët ishin shqiptarët, sepse e ndjenin se ata i identifikonin me gjendjen ku ishin katandisur. E mua më vinte të qaja me dëshpërimin e tyre. Dhe pse nuk e duroja formimin tepër të njëanshëm dhe formatin e atyre ish studentëve të seminareve fetare, pranoja tu flisja për t’u treguar se ata të rinj fatkeqë dinin për Italinë më shumë se sa ata priftërinj për Shqipërinë. Kujtoj të rinj që më tregonin se sapo kishin zbritur mjaft njerëz i shihnin nga pas (më vonë u shpjegonin se kishin dëgjuar se shqiptarët janë njerëz me bisht dhe meqë ishte rasti shpresonin të shihnin ndonjë copë të vogël, që u dilte refugjatëve nga pantallonat ).
Pastaj përplasja e tmerrshme e kulturave.Kujtoj mobilizimin e një numri arbëreshësh dhe moskuptimin e tyre kur shqiptarët ishin inatosur si dreqër kur ata u kishin propozuar ndonjë punë. (Ideja ishte: pse ore, nuk mjafton ça kemi punuar andej matanë!).
Burra që dilnin nga kampet për të prostituuar edhe fëmijët e tyre, grupet e homoseksualëve që hungëronin rrotull kampeve të shqiptarëve të uritur më fort seksualisht se sa nga të pangrënët, pasioni me të cilin u dhënë pas praktikave të reja me të cilat në një ditë fitonin as sa fitonin në Shqipëri me një vit pune.
Në një rast lashë hotelin tim në Romë, afër sheshit Navona dhe kalova një natë të pa harruar me refugjatët e stacionit Termini, duke u hequr si të isha njëri prej tyre. Karitasi që vinte të shpërndante sandviçë të mbështjella me varak, grumbullimi në rresht pranë kabinave telefonike, të cilat shqiptarët i trafikonin me marifet dhe flisnin pa paguar me Shqipërinë, shoqëria e prostitutave rumune ( të vetmet që na afroheshin) kujtoj natën e kaluar në vagonët e një treni diku në një stacion jo larg Terminit, mësymjen e policisë, diku në të gdhirë, frikën se mos vagonin e merrte ndonjë lokomotivë e kushedi se ku përfundonim, vrapi në mesnatë, tmerri që ndjeva kur më ra përtokë dokumenti i gazetarit dhe frika se nuk do të kisha asnjë dokument për të zbuluar identitetin dhe misionin tim në rast se më kapnin.
Të gjitha këto janë të hedhura në një seri reportazhesh me besnikërinë më të madhe dhe kujtoj ende edhe reagimet nga më të çuditshmet, shumë herë të dhunshme në Tiranë, se askush nuk besonte se ishin gjëra që po ndodhnin vërtet me të afërmit e tyre, vetëm njëqind e pesëdhjetë km. larg.
Nuk e di nëse kanë ndonjë interes sot, por refugjatët zgjatnin kokën kur merrja shënime dhe më shqiptonin me kujdes emrin e tyre me shpresë se po u dërgonin ndonjë sinjal jete të afërmeve në Shqipëri…
Pa asnjë mëdyshje, sipas meje.
X2
Lyss, nuk e di pse nuk i keni botuar dikund akoma keto reportazhe, nese nuk i keni botuar.
Do te ishin mjaft interesante.
Sidomos nese ndokush do kishte materiale vizive.
Xhibi, me sa di filmime të asaj kohe ka por janë të palës italiane dhe krejt të njëanshme, merren vetem me zbarkimin e valëve të emigrantëve në brigjet italiane. Kjo njëanshmëri vazhdon edhe me tej, me kronikat shqetësuese të pasojave të kristalizimit të individëve a grupeve kriminale që u formuan në pastokën italiane, pra shqiptaret i gjen vetem ne kronikat e zeza.
Kjo varferi imazhesh shpjegohet me mungesën e tv-private. Kurrë nuk e kam kuptuar përse një deputet, shef i komisionit të kulturës në Parlament vononte kalimin e ligji që u përgatit për një gjë të tillë.
Gjithsesi, nuk duhet harruar se diçka më parë ndonjë gazetar shqiptar u punësua nga tv-të lokale të Jugut të Italisë. Ata mund të kenë dokumente interesante. Por për mua në një farë mënyrë, këtu merr fund parahistoria, ngjarjet e mëpasme zhvillohen në prani të vrojtuesve, analizuesve, studiuesve e gazetarëve me përgatitje të mirë.
Personalisht kam vështirësi të botoj edhe ato që shkruaj sot e as që bëhet fjalë për gjëra të shkuara
Me gjith respektin që kam për disa nga autorët e këtij numri të Përpjekje-s, kur dëgjoj që është botuar me “ndihmë bujare”, më duket si një supë e ftohtë… dhe e mjerë.
Fakti qe “Lyss”, asokohe pasKerka (kujdes paskajorja!) patur qene ne nje hotel komod ne Rome, me ndermend filmin e Gjergj Xhuvanit: “Lindje-Perendim-Lindje”.
Si ka mundesi qe nuk te haruan dhe ty si ata sportistet?
Nuk e njoh kete film (dhe ne pergjithsi me vjen keq qe nuk e njoh mire krijimtarine e Xhuvanit), por nuk kam pasur asnje lidhje me autoritetet shqiptare apo italiane. Udhetimi im financohej nga revista Europa ritrovata, si bashkepuntor i saj ne Tirane qe isha. Gjithsesi vlersoj humorin tuaj.
Jshm, perfitoj nga rasti te shpreh dyshimin tim te forte per interesin ne fjale. Askush nuk ka qejf t’i kujtosh te kaluaren prehistorike.
Lyss,
Individualisht, askujt nuk mund t’i vijë mirë kur i përkujtojnë të shkuarën e dyshimtë.
Është shumëfish më e rëndë bile, kur individi është distancuar prej saj dhe i është dhënë me sa mundet një jete të më të shëndetshme.
Këtu, sidoqoftë, ju jeni treguar qibar, nuk keni përmendur emra. Nëse dikush pra, do të gjejë veten në këto rradhë, përballja me të shkuarën e tij do të kryhet të paktën në intimitet, pa bujë, pa publik dhe lumturisht, pa gjykatës.
Sidoqoftë, edhe pse në rrafshin individual kjo përballje premton të jetë e dhimbshme, në rrafshin shoqëror përballja është e domosdoshme.
Nuk është fjala këtu për të përkujtuar thjesht disa ngjarje ngjethëse, prej të cilave shqoqëria shqiptare lipset të nxjerrë mësime të vlefshme.
Por edhe sikur të bëhej fjalë vetëm për kaq, ndërmarrja për ta parë veten në sy, sidomos në ditën më të zezë, është kurative.
Fjala, megjithatë, është tjetërkund.
Tragjedia e shoqërisë shqiptare, një prej akteve të së cilës ju e përshkruani kaq mirë, përbëhet sigurisht prej shumë aktesh, secili prej së cilëve bart vlerën tij në krejtësinë e ngjarjeve.
E megjithatë, shoqëria shqiptare nuk e sheh në sy tragjedinë e saj. Aq më pak sheh ajo në sy autorët e kësaj tragjedie, të cilët vazhdojnë të rrijnë ulur këmbëkryq mu në mesin e kësaj shoqërie, bashkë me krimet e tyre ngjethëse.
Fjala është pra, se autorët e tragjedisë me shumë akte dhe nivele të shqiptarëve janë gjallë, rrijnë ngrohtë ose freskët, kanë të ushqehen, dinë të shprehen, munden të udhëtojnë, ruajnë pronën, kanë taraf – salltanete këto që ua mohuan një morie të tërë shqiptarësh.
Për aq kohë sa këta artitektë të tragjedisë shqiptare të vazhdojnë të gjallojnë të pandëshkuar, gjithë duke pasur në dispozicion hapësirën e nevojshme për të kuruar imazhin e tyre të dikurshëm nëpërmjet protagonizmit të sotëm, më e pakta që mund të bëjmë është t’u prishim qetësinë.
Fytyrat e zgarvërta të emigrantëve shqiptarëve nga të paushqyerit dhe morali i tyre i munguar vetjak, familjar dhe shoqëror, pasojë e mbizotërimit të skajshëm dhe mizor të vrasjes, egërisë, dhunës, vjedhjes, fyerjes, shtypjes, izolimit, autarkisë, mungesës së mëshirës, gjërësisë, të vërtetës, dijes, të drejtës, dinjitetit – kanë autorësi të pakontestueshme.
I kthehem sërish fillimit. Nëse dikush e njeh veten në rreshtat e mësipërm, mirë është të kuptojë se tragjedia e tij ka autorë. Ky fakt nuk i ul aspak përgjegjësitë individuale, por i vendos ato në kontekstin e tyre të vërtetë.
Më e rëndësishmja ndërkaq është që këto rrëfime të dalin dhe shumëfishohen, në mënyrë që të lëvrohen, të trajtohen dhe të studjohen.
Dikur, dikush faturën e gjatë të krimeve ndaj shqiptarëve do ta paguajë. Pagesat mund të vonojnë, por gropat dhe borxhet që lënë pas nuk e mundësojnë harresën e faturave të tilla.