Futja masive e kompjuterit si mjet shkrues, për të zëvendësuar penën, stilografin, stilolapsin dhe makinën e shkrimit ndër shqiptarët, solli një efekt anësor të menjëhershëm: gjymtimin e alfabetit shqip.
Edhe pse ekzistojnë tastiera të modeluara enkas për gjuhën tonë (si harduer dhe softuer), këto mbeten një kuriozitet, sepse nuk kam parë t’i përdorë kush; më anë tjetër, shqipen mund ta shkruash lehtë edhe me tastierën e frëngjishtes, por për arsye të vetëkuptueshme, shqipshkruesit përdorin zakonisht tastiera standard të anglishtes.
Që këtej, gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit është përftuar një sasi jashtëzakonisht e madhe tekstesh të shkruara, të cilat përdorin një formë të thjeshtuar të alfabetit të shqipes.
Natyrisht, alfabeti i shqipes mbetet, tek e fundit, një marrëveshje dhe mund të ndryshohet në rast se lind vërtet nevoja, për të përmirësuar komunikimin ose shmangur vështirësi të ndryshme në të shkruar. Çfarë nuk duhej lejuar të ndodhë është, përkundrazi, që ky ndryshim i alfabetit të imponohej nga rrethana rastësore, që nuk kanë ndonjë lidhje me shqipen dhe teknikën e shkrimit të saj: konfigurimi i tastierës anglishte.
Në vitet 2000, mjeteve shkruese iu shtua edhe një i ri, sa i kudogjendur aq edhe kokëtrashë: telefoni celular. Telefoni celular nuk është mjet i përshtatshëm për të shkruar; por njerëzit e përdorin sepse ashtu komunikimi me shkrim u integrohet me forma të tjera të komunikimit, si bisedat zanore ose shkëmbimi i fotove, pa përmendur pastaj portabilitetin. Gjithsesi, shqipja e shkruar me celular rezulton edhe më e gjymtuar se ajo e shkruar me tastierë kompjuteri; e dyta mund ta ruajë integritetin, me pak kujdes nga përdoruesi, e para është e dënuar të mbetet cung.
Natyrisht, komunikimi me mesazhe shkrimore ose tekst nuk sjell si pasojë vetëm thjeshtimin e alfabetit; përdoruesit kanë zhvilluar, me kohë, një numër konvencionesh shkurtuese, të cilat tashmë janë pothuajse standardizuar (flm për falemnderit, etj.). Shenja të tilla janë pseudo-hieroglifike; nëse shkrimi normal i fjalës falemnderit ndjek pak a shumë besnikërisht ndërtimin e saj fonetik, flm është një formë grafike që duhet mësuar së bashku me fjalën.
Vitet e fundit, tekstet e shkruara me mini-tastierën e telefonit celular po depërtojnë gjithnjë e më shpesh në mjedise të tjera – p.sh. në forume interneti, ndonjëherë edhe në faqe mediash online, deri edhe në gazetën e shtypur.
Unë i përkas një brezi që Internetin e ka përjetuar pasi e kishte kompletuar alfabetizimin me rrugë tradicionale, ose nëpërmjet shkrimit me penë dhe më pas leximit të teksteve të shtypura në letër. Për të gjithë ne, teksti i shkruar në Internet nuk është veçse një formë e modernizuar ose hi-tech e tekstit të shtypur në letër – më praktike, më fleksibël, më mirë e integruar me media të tjera; por teksti i shtypur tradicionalisht për ne mbetet bazë dhe pikënisje për çdo lloj komunikimi me shkrim.
Problemi kryesisht ka të bëjë – nëse mund të flitet për problem – me brezat që po alfabetizohen nëpërmjet kompjuterit, Internetit dhe mini-tastierës së celularit. Çfarë efektesh mund të ketë cungimi i alfabetit shqip, për arsye jashtë-gjuhësore, në këta përdorues të rinj dhe në gjuhën e përdorur prej tyre?
Mjaft të shfletosh forume shqiptarësh online, për të vënë re se pakkush bezdiset nga përdorimi i alfabetit shqip me 34 shkronja (në vend të 36 shkronjave tradicionale); pakkush ankohet dhe kërkon të ndiqet norma e pranuar prej së paku një shekulli. Të gjithë këta përdorues, kanë sakrifikuar saktësinë për hir të prakticitetit dhe kursimit të kohës.
Po t’i pyesësh, do të të thonë: nuk ka asnjë problem, ne e kuptojmë fare mirë shqipen e shkruar me 34 shkronja, ë-të dhe ç-të e munguara nuk na pengojnë aspak.
Kështu mund të jetë vërtet. Fjalia:
Çdo ëndërr është zhgjëndërr e shmangur
Do të kuptohej edhe po të shkruhej kështu:
Cdo enderr eshte zhgjenderr e shmangur
Pas gjithë gjasave, interpretimi i drejtë i thënies së dytë kërkon nga lexuesi pak më shumë energji mendore (ndoshta pikërisht aq sa ka kursyer shkruesi, kur i ka lënë jashtë shkronjat e vështira për t’u përftuar). Për një fjali të vetme, kjo diferencë në energji mendore është e papërfillshme; por për një korpus miliona tekstesh, duhet marrë në konsideratë.
Pse e kemi të lehtë ta lexojmë shqipen e shkruar me alfabet të cunguar?
Kjo lidhet me dy faktorë. Së pari, me teprinë e kodit (redondancën), e cila është karakteristikë përcaktuese e gjuhëve natyrore dhe që na bën ta kuptojmë fjalën pavarësi edhe kur e shohim të shkruar si pavarasi, ose pavarsi. Së dyti, dhe kjo është më e rëndësishme, me faktin që ne, si përdorues, e dimë si shkruhen këto fjalë me 36 shkronja dhe i rindërtojmë format e tyre me mendje – që këtej edhe energjia e shpenzuar ekstra, gjatë dekodimit.
Nga kjo pikëpamje, tekstet e shkruara me alfabet të gjymtuar ne, të alfabetizuarit me rrugë tradicionale, i lexojmë si të ishin lehtësisht stenografike.
Vite më parë, në Romë, profesori im i glotologjisë, Walter Belardi, nga më të mëdhenjtë në Itali, kur fliste për redondancën e sistemit fonologjik të gjuhës, sillte si shembull që të gjithë ne jemi në gjendje të kuptojmë pëshpërimat, ose thëniet e shqiptuara dhe të shkëmbyera pa pjesëmarrjen e kordave vokale (teknikisht, pëshpërimat e anulojnë kundërvënien e zëshme/e pazëshme nga sistemi fonologjik). Për të qenë i sinqertë, unë Belardin s’e kam besuar as atëherë as tani; pëshpërimat ne i kuptojmë vërtet, por vetëm ngaqë jemi mësuar me format e shqiptuara normalisht, të cilat i rindërtojmë njëfarësoj në mendje.
Gjithsesi, mekanizmat që ceka më lart veprojnë për të gjithë ata përdorues të gjuhës të cilëve instrumente shkrimi si tastiera e kompjuterit (me alfabet të cunguar) dhe ajo e celularit u janë ofruar pas alfabetizimit tradicional.
Përkundrazi, brezat e rinj sot u ekspozohen këtyre mjeteve, gjithnjë e më shpesh, gjatë alfabetizimit – jo pas tij, si ne më të vjetrit. Për të gjithë këta, shqipja me 34 shkronja dhe konvencionet e tekstimit me celular (SMS) janë pjesë e edukimit gjuhësor, ose e stërvitjes për t’i formuluar mendimet e tyre me shkrim.
Shqipja e përdorur rëndom në Internet ka edhe karakteristika të tjera, të cilat nuk kufizohen vetëm me aspektin grafematik, ose të alfabetit. Kështu, gjithnjë e më shumë përdorues u falen emotikoneve, duke hequr dorë nga çdo përpjekje për t’i përcjellë emocionet me rrugë tradicionale – ose nëpërmjet fjalës së saktë, strukturës së frazës, figurave retorike dhe shenjave tradicionale të pikësimit. Emotikonet vërtet e pasurojnë komunikimin me shkrim duke kompensuar për mungesën e kontekstit paragjuhësor (mimika, toni i zërit, gjestet, etj.), por e zhveshin thënien nga retorika dhe ia dobësojnë gjuhës funksionin shprehës.
Po ashtu, siç dihet, komunikimi online privilegjon shkurtësinë dhe batutën, në dëm të arsyetimit dhe racionalitetit. Më në fund, forumet zakonisht sundohen nga çfarë disa gjuhëtarë e kanë quajtur funksion fatik i gjuhës, i cili ka të bëjë me përdorimin e gjuhës jo për të komunikuar, por për të riprodhuar komunitetin folës.
I përmenda të gjitha këto për të vënë në dukje që thjeshtimi i alfabetit të shqipes në komunikimin kompjuterik (Internet, celular, etj.) është vetëm një nga aspektet, edhe pse ndoshta më përfaqësuesi, i thjeshtimit të përgjithshëm që ka sjellë teknologjia në komunikimin me shkrim.
A përfaqëson kjo ndonjë rrezik për zhvillimin mendor dhe kognitiv të brezave të rinj, të cilët e kryejnë alfabetizimin krahas përvetësimit të teknologjive të reja të komunikimit?
Për këtë duhen bërë studime. Nuk kam parë gjëkundi të jetë studiuar, bie fjala, se çfarë kostoje i sjell shqipes së shkruar thjeshtimi i dy shkronjave nga alfabeti. Për të krijuar një ide për natyrën e dëmit, mjaft të përmend, shpejt e shpejt, pështjellimin që mungesa e ë-së në shkrim sjell në funksionimin e rasave për emrat femërorë të tipit vajzë, duke rrafshuar dallimin midis emërore-kallëzores nga njëra anë, dhe dhanore-rrjedhores së pashquar nga ana tjetër (meqë kundërvënia vajzë/vajze do të zhduket). Po ashtu, në shumësin e emrave, dallimi midis prapashtesës –ë dhe prapashtesës –e (khs: shoferë, male) luan rol të rëndësishëm në sintaksën e përcaktorëve, sa kohë që shumësat me –e kërkojnë rregullisht përcaktorë të gjinisë femërore. Edhe dallimet mes nyjës të dhe parafjalës te, ose nyjës së dhe lidhëzës se janë për t’u veçuar si themelore nga pikëpamja funksionale.
Dukuri të tilla penguese nuk veprojnë veçse në brezat që alfabetizohen në kontekste ku ë-ja dhe ç-ja konsiderohen si shenja ekzotike, ose relike po aq kureshtare sa edhe pena dhe kallamari i shkollarëve të dikurshëm; por dëmtimi i funksionalitetit gramatikor të gjuhës duhet marrë seriozisht dhe, për ta thënë edhe një herë, nuk mund të lihet të ndodhë për shkaqe krejtësisht triviale, siç mund të jetë imponimi komercial i tastierës së anglishtes ose i celularëve që nuk e kanë shqipen si opsion shkrimi.
Alfabetizimi i shqiptarëve do mbajtur si një nga arritjet absolute të shekullit që shkoi; dhe si bazë e kulturës shqiptare moderne. Nëse teknologjitë e reja, në aleancë me indiferencën institucionale, e dëmtojnë këtë alfabetizim dhe ndikojnë në formimin kulturor të cunguar të brezave të rinj, të paktën sa i përket komunikimit të tyre në shqip, atëherë adoptimi i këtyre teknologjive nuk mund të lihet jashtë vëmendjes së studiuesve dhe, tek e fundit, të autoriteteve publike.
[Botuar fillimisht në ResPublica]
Zoti Kac tha se, ashtu si pickimi, rregjimi i vlerave le shenje
Kjo fjali, jashtë një teksti të caktuar, e shkruajtur kështu, le vend për shumë interpretime.
Jam i sigurt që, ata që merren me italishten si gjuhë të dytë, sapo të shohin fjalën “pickim” do e fusin mendjen automatikisht (duke patur parasysh edhe kryefjalën), në binarët e leximit të diçkaje humoristike apo porno… ndërkohë që, Zoti Kaç po fliste për rrëgjimin e vlerave …
Unë kam vite që përdor tastierën e modelit shqip ku është shumë e lehtë të shkruash ë, Ë, ç dhe Ç.