(Ajo kthen në ar gjithçka që prek)
Në ditë grevash je fort më i fituar të ndjekësh rubrikat e jetës sindikale nëpër gazeta se sa gjësendi tjetër që të intereson më nga afër. Pavëmendja më e vogël mund të ketë si pasojë që metroja të frenojë diku në stacionin e fundit të një kantoni, që ti vetëm sa i ke dëgjuar emrin apo tramvaji vendos të mos lëvizë më në një udhëkryq, ku nuk të mbetet veçse të numërosh yjet për gjithë natën…
Por meqenëse është e vështirë të ndërrosh menjëherë regjistër sytë shkojë edhe gjetiu. Te programi i teatrove p.sh.. E tamam duke kaluar në atë anë të faqes së një gazete lokale ndesha në programin e një festivali xhazi që po zhvillohej ato ditë në një qytet që nuk e njihja fort mirë, në Tourcoing. Është një qytet që shtrihet në portat e Flandrës franceze dhe që bënte pjesë te trojet e fundit që Luigji i XIV-të u mori spanjollëve dhe ia bashkoi Francës. Por edhe pse qe fjala për një festival ndërkombëtar, nuk kishte asnjë shans që ai të tërhiqte më shumë se aq vëmendjen time në atë atmosferë të tendosur grevash, sikur të mos gjeja aty emrin e Elina Dunit dhe kuartetit që mban emrin e saj, të cilët ishin ftuar të vinin nga Zvicra. Diçka kisha dëgjuar për atë artiste të re, prindërit e së cilës i kisha të njohur të mi në Tiranën e shumë viteve më parë. Edhe atë e mbaja mend disi, sepse në përfundim të mësimit na qëllonte shpesh ti prisnim fëmijët te porta e së njëjtës shkollë, diku pranë rrugës së Dibrës.
Pak më tutje, në të njëjtën gazetë, rubrikat e tjera njoftonin funksionin normal të trenave, metrove e të të gjithë sistemit të transportit qytetës e ndërqytetës, gjë që ishte dhuratë dhe garanci e vërtetë se jo vetëm do të mbaja premtimin tim me inspiracion ekologjik për të mos përdorur makinën gjatë javës, por edhe se do të arrija pa asnjë problem në Tourcoing, atë mbrëmje të ftohtë të atij 21 tetori. Ndjeva pak keqardhje që atë zbulim e kisha bërë ndërkohë që pjesa tjetër e tribusë sime kishte prerë me kohë biletat për një koncert të ONL, të cilën Michael Stern kishte ardhur ta drejtonte nga Amerika.
Koncerti i Elinës jepej në sallën e këndshme të një ndërtese që njihet me emrin Hospice d’Havré, e cila ishte ndërtuar më shumë se tetëqind vjet më parë nga kontesha e Flandrës dhe që së fundi bashkia e qytetit e kishte shndërruar në qendër shfaqjesh e veprimtarish artistike me një programacion tepër të ngjeshur dhe interesant. Më tej do të marr vesh se ky ishte koncerti i parë i saj në Francë. Pas tij ajo do të nisej në Paris e më tej turneu do të vazhdonte nëpër Ballkan, para se të shfaqej para një publiku tjetër në Gjermani, Norvegji etj., për tu kthyer përsëri në Zvicër.
Salla nuk ishte e një madhësie të jashtëzakonshme, por kishte një intimitet dhe akustikë të pashoqe. Para se të hyj aty vërejta një shënim që thoshte se në përfundim të shfaqjes do të kishte një seancë firmosjeje disqesh nga ana e artistes. Midis spektatorëve vura re mjaft muzikantë të njohur dhe në përgjithësi dukej një publik i interesuar të dëgjonte tonalitetet të panjohura xhazi.
Sapo u ulën pak dritat, një nga organizatorët e festivalit doli në skenë dhe bëri paraqitjen e grupit duke na premtuar se do të gjendeshim para një zbulimi mbresëlënës. Janë muzikantë helvetikë,tha ai, që shoqërojnë një këngëtare me origjinë shqiptare. Te të gjithë dukej kureshtja që ndjenin. Për ndonjë, madje edhe për mua, qe e vështirë të kuptonim mbi çfarë baze do të qe realizuar martesa e atyre muzikave kaq të ndryshme.
Elina nuk vonoi të shfaqet në skenë. Për pak çaste heshtja u bë më e thellë, sikur të gjithë kishin nevojë të perceptonin më qartë imazhin krejt të veçantë që ajo përcolli menjëherë në sallë. Një vajzë me shtat mesatar, me flokë të gjatë, fustan të kuq që zgjatej deri te kyçet e këmbëve dhe me një buzëqeshje të ndrojtur e të sinqertë. Mu duk se u turbullua pak, por atë çast salla kuptoi se heshtja kishte zgjatur disa sekonda më shumë se sa duhej dhe shpërtheu në duartrokitje.
Ajo vështroi nga galeria duke falënderuar dhe pastaj si punë e parë, hoqi këpucët dhe këmbëzbathur e me sytë përdhé, mori mikrofonin në dorë.
Më pas mësova se heqja e këpucëve ishte një rit i saj vetjak, por që nuk pengonte askënd ta interpretonte. Unë, me sa kuptova, isha i vetmi në atë sallë i pozicionuar diçka më mirë për një interpretim pak më ndryshe. Në atmosferën aq intime të një kënge popullore shqiptare që sapo filloi, veprimi saj më kujtoi se të njëjtën gjë e kisha parë te këngëtarë e rapsodë të njohur, që rasti e kishte sjellë të regjistroja në viset më të humbura të vendit, e që bënin pikërisht të njëjtën gjë. Para se të shkelnin në qilimat e varfër të ndonjë vatre të vogël kulture, që ngrohej me drutë që sillte secili vetë, këngëtarët hiqnin këpucët dhe i afroheshin mikrofonit me gjunjë pak të përthyera e duke buzëqeshur me një sinqeritet hutues. Skenat e prozhektorët ishin gjësendi e re, në shekuj ata kishin kënduar pranë vatrës, ku ishin ulur pasi kishin hequr këpucët. Se kënga, si çdo punë tjetër e mirë, duhej marrë shtruar dhe shenja e parë se nuk ke ndërmend të mbarosh punë shpejt e shpejt e të çash të ikësh është që të lësh këpucët te dera. Ndoshta e gjitha kjo nuk kishte të bënte fare me atë që po shihja në atë qytet, gati tremijë km. larg Shqipërisë, por deri sa ndokush të më provonte të kundërtën…
Koncerti mbështetej në këngët e diskut të saj të parë, por nuk mungonin edhe një seri krijimesh të diskut më të ri, që ajo kishte regjistruar pak kohë më parë. Ndërkohë që Elina paraqiste përmbajtjen e “Këngës së bareshës”, nuk i bëra ballë tundimit, që në mënyrë diskrete të përpiqem të lexoj diçka në fytyrat e spektatorëve, të atyre spektatorëve që me siguri i vë në pozitë të vështirë po tu kërkosh të gjejnë vendndodhjen e Shqipërisë në hartë. Pikasa veçse vëmendje dhe kureshtje të dukshme, si ajo e fëmijëve që presin të njohin përmbajtjen e përrallës. Dhe gjithçka vërtet filloi si në atmosferën e mistershme të një përralle…
Pa dyshim që ajo e kishte të sigurt suksesin te unë, por duartrokitjet e përsëritura të sallës ishin një arsye më shumë ta admiroja atë artiste të re, që jashtë çdo lloj kompleksi paraqiste këngë të maleve të Ballkanit, si krijime që qëndronin me dinjitet krahas melosit më të zgjedhur të krijimtarisë botërore. Duartrokitjet e gjata dhe shprehjet e urimit që dëgjoheshin nga salla do të provonin edhe një herë se ai repertor shqiptar e ballkanas shpesh herë i konsumuar në mënyrë abuzive shfaqej si një thesar delikat që jo gjithnjë i njohim vlerën. Në muzikën e saj nuk kishte asgjë nga ritmet tërheqëse e interesante, por të shtyrë deri në ekstrem e gati psikedelikë të grupit të G. Bregoviçit apo atij të E. Kusturicës me të birin, të cilët ishin, me sa kisha parë, të vetmit muzikantë që shkelnin aty nga Ballkani.
Ajo vinte e e propozonte atë muzikë me një gjuhë krejt të ndryshme.
Spektatorët e pranishëm mbase dinin diçka më shumë që i shtynte t’i vlerësonin pa asnjë rezervë të tilla krijime të pakohë e që tani shfaqeshin edhe si të pakufizuara në hapësirë. Ata ishin banorë të një metropoli , që shndërrimet e tanishme të Shqipërisë i kishin njohur rreth dy shekuj më parë me revolucionin industrial e për pasojë ajo lloj krijimtarie qe tkurrur së bashku me botën rurale.
Në Shqipëri ajo u konservua si pasojë e një mënyrë të caktuar jetese, ndonëse vonesa e zhvillimit social e ekonomik ishte një çmim që me mendje të ftohtë askush nuk do të deshte ta paguante. Megjithatë ka një realitet të cilin duhet ta marrësh ashtu siç është. Ato këngë janë aty dhe presin të bien në duar të artistëve si Elina, që me talentin e saj ka aftësinë e rrallë ta kthejë në ar gjithçka që prek. Por, nuk duhet harruar se pasues ato bëjnë edhe gjetiu. Dikur kam dëgjuar një grup të rinjsh francezë nga Marseja që mburren me motivet shqiptare të repertorit të tyre.
Këngën e bareshës Elina e këndoi në dy variante, në atë jugor dhe versionin tjetër (version për nga subjekti sepse bëhet fjalë për krijime të mirëfillta) që kemi patur rast ta dëgjojmë nga një këngëtare e madhe si N. Pagarusha. Në një komunikim tepër familjar me publikun ajo shpjegon disa ide të sajat përse në mesin e një populli malorësh siç ishin kryesisht shqiptarët, gjendeshin aq këngë për bareshën, dha interpretimin e saj për njeriun e lirë që ajo simbolizonte në imazhin kolektiv, por që nuk përjashtonte edhe idenë e fantazmimit rreth një gruaje fillikate në mal.
Më tej vazhduan këngë greke, bullgare e rumune, midis të cilave ajo e titulluar Lume, lume (Botë, botë) u duartrokit gjatë, për tu shfaqur përsëri me këngë të tjera shqiptare si Qiparisi, Zemra, Kënga e Qamiles etj.
Tamam në ato rrethana vëren se artistët që i hyjnë një ndërmarrjeje të tillë rrezikojnë deri në çmenduri. E gjithë kjo muzikë ballkanase përcillet te të pranishmit e veshur me ritmet e tensionuara të muzikës së xhazit, megjithëse të thuash “e veshur” mbase nuk është termi i saktë. Ka diçka më shumë se kaq. Këto dy gjuhë muzikore detyrohen të hyjnë në sinergji e të shkrihen me njëra tjetrën, ndryshe, po qe se bie në sy se qepja është bërë me penj të bardhë, kjo nuk ka si të mos zhgënjejë spektatorët, të cilët në fund të fundit nuk janë të lidhur me hekura në karrigen e tyre në sallë… Dhe është me të vërtetë prekëse kur vëren nga kënga në këngë se këto dy etnose muzikorë janë në komunion absolut me njëri tjetrin, sa jam i sigurt, se asnjë prej spektatorëve të asaj salle mund të përfytyrojë se ajo muzikë ballkanase ka edhe në lloj tjetër ekzistence.
Me njohjen dhe sensibilitetin e saj ndaj xhazit, me formimin e plotë muzikor, Elina ka mundur të afrojë si miq të vjetër L. Armstrongun dhe Isuf Myzyrin apo Miles Davis dhe xhazin e tij modal me krijuesin anonim të këngës “Do marr çiften” etj., etj..
E ndjen këtë në çdo pasazh muzikor, por mbi te gjitha edhe te ato figura muzikore që njihen me emrin skat e që zëvendësojnë fjalët e këngës me rrokje a thirrje onomatope, të cilat i japin theksin e saj të papërsëritshëm shpirtit të muzikës së xhazit
Xhazi është njohur si një migrim drejt perëndimit,thoshte një kritik muzike, një migrim nga Afrika e Evropa në Amerikë dhe ja ku një grup helveto – shqiptar po e sjell atë nga Lindja.
Vërtet, ku ishte aty prania helvete? Duket qartë se ajo nuk kufizohet te kombësia e atyre tre muzikantëve të talentuar që shoqërojnë Elinën, të Kolin Vallon (në piano e që atë natë dukej pak i nervozuar se diçka nuk shkonte në instrumentin e tij), te Banz Oester (kontrabas) dhe Norbert Pfammater (në bateri). Aty ndjen diçka më shumë se kaq. Dhe mbi të gjitha këtë e ndjen tek imazhet plot kontraste e ngjyra të veçanta që përcjell zëri i saj i thellë (shpesh herë në pasazhe të gjata a capella), te intonacionet fluide e të ngazëllyera të një jehone të largët, por edhe te një kordë e tensionuar që fsheh ankthin njerëzor, te gëzimi shpërthyes i një dite të re që fillon, por edhe te disa çaste atmosfere pikëllimi e vajtimi në vetmi.
Pyes veten se ky ndahen e ku është emëruesi i tyre i përbashkët? Këtë është e vështirë ta thuash. E shumta mund të njohim atë që i bashkon këto etnose. Dhe këtu nuk mund të mos jemi në një mendje një njohës të tillë të xhazit si Guillaume Lagrée, që thotë se pika e përbashkët që lidh Zvicrën dhe Shqipërinë te Elina, janë malet. Mbase jo çdo çast kujtohemi për to, jo gjithnjë e ndjejmë praninë e tyre, por ato janë aty, brenda nesh, për të na sfilitur e ndarë nga bota, por edhe për të na ngritur ta shohim atë. Të paktën së largu.
Ndërsa shkruaj këto rreshta, më tërheq vëmendjen edhe një konstatim jo i pasaktë i kritikut Jean-François Picaut, të cilit introduksionet e gjata a capella të Elinës i thërrasin në kujtesë vajet e Azisë së Vogël, me një atmosferë të ngjashme të këngëve të sufive, që ai i ndesh te kënga Nënoçkë (albumi i dytë), ku thotë se vëren një zë që të mbërthen, i fuqishëm e i thellë, por i aftë të bëhet edhe i lehtë, madje ajror.
Jemi para një konstatimi profesionalisht të rëndësishëm, sidomos kur ai specifikon muzikën sufi, që kushdo mund ta vërë re se është versanti më i njohur e dominant i muzikës osmane në Shqipëri, por që nuk shpjegon gjithçka. Të paktën nuk mund të jetë i vetmi shpjegim. Në të vërtetë kur vëren se në të njëjtën kohë, bëhet fjalë për një udhëkryq të tillë kulturash si Shqipëria, atëherë edhe pse është e vështirë të gjesh se ku fillon e mbaron elementi autokton (madje nuk e di nëse është e nevojshme dhe domosdoshme një gjë të tillë) ai megjithatë është aty, por duhet pranuar se nuk mund të zhvillohej larg e përkundër trashëgimisë muzikore edhe të fqinjëve tanë historikë. Në fund të fundit aftësia përthithëse e asimiluese në vetvete është shenjë vitaliteti dhe origjinaliteti që jep rezultate befasuese.
Në kushte të tilla, në çastet më sublime të këngëve, atëherë kur asnjë instrument nuk mund të shkojë atje ku shkon zëri i Elinës, kur të duket se hyn në një lloj gjendjeje levitacioni shpirtëror, vëren se ka diçka tjetër përtej konstatimit të Jean-François Picaut, zbulohen shtresa të tjera, sheh aty diçka nga thellësia e vetë muzikës së shenjtë e profane që u përftua mbase në kushtet e një osmoze të përkrahur kulturash kryq e tërthor trojeve të hapura të botës bizantine. Kjo me sa duket ishte ajo që ndikonte për harmoninë e brendshme të koncertit, ku kufijtë etnomuzikorë të atyre këngëve ballkanike ishin të dukshëm, por jo të mbyllur.
Është pastaj edhe ajo shenja e veçantë që lë çdo artist dhe që te Elina e vëreja jo vetëm te aftësia e zërit të saj për të të tërhequr në thellësitë e fshehta e të harruara të fëminisë, por edhe te një element tjetër në dukje i rëndomtë, te lëvizja e dorës. Ajo nuk fillon menjëherë te çdo këngë, madje te asnjë këngë. Lëvizja e dorës vjen vetëm pasi mbarojnë efektet e jashtme të muzikës, pasi mbyllet ana e saj paraqitëse e festive dhe fillon shfaqja e shpirtit të artistit. Shenja më e sigurt e ardhjes së këtij çasti është fillimi i lëvizjes së dorës, një lëvizje e pandjeshme, mistike, që fillon me një notë të caktuar, por që ndjek një ritëm tjetër, ata të fluturimit në një mjedis shpirtëror, që ngrihet lart e që i bën jehonë harmonisë së botës.
Koha kalon dhe duartrokitjet më kthejnë përsëri në sallë. Që gjithçka po kalonte mrekullisht këtë e vërej edhe nga britmat e keqardhjes që u dëgjuan në çastin që Elina njoftoi se kënga që po fillonte ishte e parafundit e atij koncerti. Pastaj vjen edhe kënga e fundit. Zyrtarisht koncerti përfundon, por spektatorët këmbëngulin dhe Elina kthehet përsëri në skenë. Dhe ajo mbrëmje aq e veçantë do të zgjasë edhe disa çaste. Por çdo gjë e ka një fund dhe çastet e bukura e kanë më të shpejtë se të tjerat…
Në hollin e sallës nuk na u desh të prisnim gjatë. Elina erdhi aty duke falënderuar dhe shtrënguar duar që zgjateshin drejt saj dhe shkoi të ulet në tavolinën e sjellë për atë rast, ku nisi të firmosë disqet që spektatorët i blinin te një dyqan i improvizuar. Kur erdhi radha ime e urova në shqip dhe i thashë se kishte qenë e mrekullueshme. Ajo pati një çast hutimi, pastaj qeshi e duke kërkuar fjalët tha se nuk e dinte se kishte një shqiptar në sallë. Për të mirë a për të keq, një do të gjendet gjithmonë, i thashë duke qeshur. U gjallërua menjëherë dhe pas pyetjeve të mia nisi të më flasë për atë turne të rëndësishëm që sapo kishte filluar dhe për prindërit e saj.
Minutat kalonin shumë shpejt dhe unë u ndjeva pak në siklet, se pas meje kishte plot të tjerë që po prisnin me cd-të në dorë.
Kur mora të largohem ajo u ngrit dhe erdhi të më përcjellë deri te dera e jashtme e teatrit. U përqafuam fort si të njohur të vjetër dhe para se të drejtohesha nga gryka e metrosë, ku u ndie frenimi i një treni të nëndheshëm, ktheva sytë ta përshëndes edhe një herë të fundit. Ajo ngriti dorën nga larg dhe mua mu shfaq fare e vogël, tek vraponte me çantë në ajër përmes oborrit të shkollës, për tu hedhur në krahët e nënës së saj, që e po priste së bashku me ne të tjerët, te porta e jashtme…
Botë, botë, pëshpërita me vete fjalët e një kënge që sapo kisha dëgjuar prej saj.
Lyss
Ne mos gaboj, kohe me pare, na u puqen shijet rreth Einaudit. Akoma edhe me mire me vjen qe serish na perputhen rreth Elines, te ciles une prej kohesh ja shijoj kenget. Do duhej te prisnim tetorin gjerman ( ne fakt tetor i thencin, se behet fjale per ne dhjetor ) qe ta shihnim nje here Elinen live ne Shqiperi. Mezi po pres 🙂
P., nuk gabohesh aspak, veçse kam pershtypjen se ne rastin e Elines kemi te bejme me eksperimentin e pare te suksesshem (nuk di te tjere) qe beri te mundur nxjerrjen e muzikes tradicionale nga ritmet e saj te njohura dhe ia paraqsiti nje publiku krejt jo shqiptar.
Me beri pershtypje se veç ndonje interviste te sajen, ne shtypin shqiptar nuk pashe kushedi se çfare popullarizimi.
Ashtu vertet, shume pak e lakuar eshte ne Shqiperi, dicka me teper ne Kosove ( gjithsesi paperfillshem ) ; jo shume per etno-jazzin e saj sesa per bashkepunimin ne dy albumet me djemte e Retrovizorja : http://www.youtube.com/watch?v=DYH-Va7ZvMQ
E megjithate, deri diku kjo eshte e kuptueshme. E para per shkak te rrymes, e paperputhshme me pop artin dhe tallavane qe katapultohet mediave. Ashtu edhe per natyren diskrete te vete Elines.
Nga ana tjeter, sikurse e ceka shume pak edhe ne komentin me lart, mefshtesia e qarqeve artistike te ketushme eshte shqetesuese. Nuk ka perse te presim tetorin gjerman per ti pare artistet tane.
Nuk eshte i vetmi eksperimentim i suksesshem, dhe nuk di te jete as i pari. Hidhi nje sy ketyre, (sidomos tek e dyta sintetizimi eshte shume i fuqishem) njera arrin te sintetizoje motivet shqiptare me rokun dhe tjetra me bluzin.
http://www.youtube.com/watch?v=pBdTl-CcjCU
http://www.youtube.com/watch?v=MsyOu-1UN9E
p.s. Pse te ben pershtypje qe ne shtypin shqiptar nuk ka ndonje kushedi se cfare popullarizimi? Vete e pranon qe muzika e saj, edhe pse me nje kembe ne traditat shqiptare del nga keto tradita per tiu paraqitur nje publiku krejt jo shqiptar.