Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

REPORTAZH NË PLAZH (II)

Kamerieri

Në plazhin shqiptar figura profesionale e kamerierit nuk ekziston, ose mund të haset shumë rrallë, por kjo është çështje fati.

Roli i kamerierit është gjithnjë thelbësor. Restorant, bar, klub, disko, hotel, cilado strukturë qoftë, ka nevojë për një ndërfaqe të aftë me klientin. Ky i fundit, jo rrallë, e njëjtëson strukturën e shërbimit me imazhin që jep kamerieri. Madje edhe vetë cilësia e mallrave të shërbyera kushtëzohet nga cilësia e shërbimit të kamerierit. Gjellët e restorantit mund të jenë bërë në kushte higjienike të përkryera, me pastërtinë e sallës së operacionit, por kur mënga e kamerierit është zhul, atëherë çdo gjë zhvleftësohet në sytë e klientit.

Një kamerier profesionist shërben me mirësjellje, është i pastër e i veshur hijshëm, punon me shpejtësi, e më e rëndësishmja, e ka vështrimin e vëmendjen gjithnjë nga klienti dhe kërkesat e tij. Një të tillë desha në plazhin shqiptar këtë vit. Kam mëtime të tepërta? Ndoshta. Por nuk po i kërkoj as gjuhë të huaja, as pamje topmodeli, as elegancë në derdhjen e shampanjës, as kopsa të praruara, as thonj të lëmuar e të llakuar. Po kërkoj karakteristikat bazë të një kamerieri për plazhistët shqiptarë.

“Harroje!”, do të më thoshte shoku im tiranas, sipas një fjale që është bërë e modës në Shqipërinë e sotme. Harroje, mirësjelljen e kamerierit të dikurshëm që e kishte mësuar zanatin në Shqipërinë totalitare dhe shërbente tek “Dajti” ose tek “Pallati i Kulturës”. Harroje buzëqeshjen, fjalët e bukura, tabakanë e mbajtur me kujdes, lënien me elegancë të pijeve në tryezë, përshëndetjen e ëmbël, falënderimin e përsëritur. Harroje! Dakord, e kam harruar prej kohësh, edhe për faktin se nuk mëtoj të më shërbejë kamerieri/ja i/e dikurshëm/me syvigjilent/e, që njihte gjuhë të huaja e kishte gjuhë nepërke; që u shërbente klientëve dhe shërbimeve njëkohësisht; që buzëqeshjen e kishte më misterioze se “Gioconda” vetë; që dëgjonin me vëmendje magnetofoni të gjitha fjalët e tua, jo vetëm porositë. Ata ishin kamerierë ekspertë, përnjimend, që nuk i bën më nana, por nuk më ka zënë malli për të më shërbyer.

Dy faza kalon plazhisti me kamerierin e restorantit/barit ku shkon zakonisht. Faza e parë është ajo e konfliktit, ku kamerieri bëhet objekt i zemëratës tënde dhe pret të gjitha rrufetë e tua. Kjo fazë përcaktohet kryesisht nga qëndrimi i tij, por më shumë nga pritja jote. Pra kemi të bëjmë me keqkuptime kulturore. Ti kërkon që ai ta pastrojë shpejt tryezën, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë brenda konceptit tënd të “shpejtësisë”. Ai e pastron shpejt, por shpejt sipas tij. Kur të vjen për të marrë porosinë ti pret automatikisht që të të thotë mirëmëngjes, por kjo nuk hyn në detyrat e kamerierit i cili, sipas një këshille prindërore që në fëmijëri, nuk i përshëndet njerëzit e panjohur. Ti kujton se kafja të derdhet po të hidhet me forcë filxhani nga tabakaja mbi tryezë, por dy pika jashtë nuk përbëjnë derdhje, edhe kjo është çështje perceptimi.

Faza e dytë është ajo e pajtimit dhe e justifikimit. Kjo verifikohet pasi e njeh më mirë kamerierin dhe strukturën hotelore nga e cila ai varet. Në këtë fazë ti nuk nxehesh me të për mishin e fortë, as për tavën e kosit të miellzuar. Kur gjella ose makiato vonohen faji i mbetet kuzhinës, jo kamerierit, të cilin e mbron edhe përballë shokëve të tryezës, si viktimë të dyfishtë, si mish për top mes dy zjarresh. Bakshishi për të cilin ishe betuar se nuk do t’ia lije kurrë, fillon e të del vetë nga xhepi. Pse vallë? Sepse krejt rastësisht merr vesh se porsa ka mbaruar nëntëvjeçaren, se vjen nga fshati, se merr vetëm 12 mijë lekë të reja në muaj, se nuk i paguhen sigurimet shoqërore, se është hera e parë që merr tabaka në dorë.

Kur e njeh më mirë e kupton se këmishën deri dje ia lante dhe ia hekuroste e ëma ose motra e madhe, se nuk përshëndet nga turpi, se nuk i di hiletë e zanatit, se nuk e ka idenë e punës në grup. Edhe ai vetë e kupton se nuk është kamerier, por pjatambajtës, pjataprurës, filxhanëmarrës, tabakaheqës. E vuan këtë gjendje? Ndoshta, por do t’i shërbejë për të ardhmen. Një gjë është e sigurtë, klienti vuan më shumë, sepse paratë i paguan por shërbimin nuk e ka.

Jo të gjithë plazhistët e kanë këtë fat. Ka edhe nga ata që shërbehen nga kameriere të reja që kanë gabuar profesion, ose thjesht po bëjnë nxehmje për të kaluar mbi kub, ose diçka tjetër. Buzëqeshje tërheqëse, shikim magnetik, lëvizje vithesh, ledhatim flokësh, të çara fundesh, të hapura këmishësh, minifunde marramendëse. Por këtu flasim për plazhistë vdekëtarë, pa benz-in e fundit, pa fuori stradën fuori serie.

Ndoshta është faji i kripës, por marrëdhëniet midis kamerierit dhe pushuesit në plazhin shqiptar vendosen sipas ndjesive epidermike. Disa herë kamerieri të shkakton alergji: ja nga shërbimi, ja nga pamja, ja nga sjellja. Disa herë të krijon simpati: ja nga shërbimi, ja nga pamja, ja nga sjellja. Unë u përpoqa për një rrugë të mesme, siç ndodh rëndom jashtë shtetit, që fillon me respektin e ndërsjellë dhe mbaron me kënaqësinë e njohjes njerëzore, midis qytetarësh që pushojnë e punojnë. Por kjo rruga e mesme qenka e vështirë të gjendet në plazhin shqiptar. Apo jo vetëm në plazh?

P.S. Fotografitë janë të miat.

Pa Komente

  1. Ngjarje e vertete ne Vlore:

    Klienti – Te lutem ma shiko pak kete goten, duket e palare, me buzekuq..
    Kamarieri – (nuk flet, e merr dhe largohet)

    Klienti – A mund te me sillni nje peshk tjeter, ky duket shume i papjekur…
    Kamerieri – Ore ti, ke ardhur per qejf apo per sherr?!

    1. …”Kamerieri – Ore ti, ke ardhur per qejf apo per sherr?!…”

      Tek e lexoja, me shpertheu kafja nga hundet prej te qeshurit. Keta ne zyre me pyesin se cfare ke, por s`di si tua spjegoj me te perkthyer…
      LOLOLOL

      S`ka edhe filma me skena te tilla qe keta ta kuptojne… 🙂

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin