Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi / Totalitarizëm

JETË TË IMAGJINUARA

Me autobiografinë institucionale Arbër Shtëmbari ka gjetur një temë studimi sa tërheqëse, aq edhe pjellore – s’më mbetet veçse t’i uroj vështrim të shumanshëm.

Edhe tekst edhe akt

Mua vetë më ngacmoi ideja e këtij dokumenti, të ngjashëm sa me rrëfimin katolik, aq edhe me deponimin në hetuesi dhe autokritikën; por edhe funksionalisht të ndryshëm prej tyre.

Autobiografia institucionale është njëkohësisht tekst dhe akt; dhe ashtu ndoshta duhet parë nga të gjithë të interesuarit për të kuptuar funksionimin e totalitarizmit në nivel burokratik.

Me pak përjashtime, edhe pse domethënëse, pakkush e lexonte me vëmendje; përtej autorit vetë, familjarëve dhe këshilltarëve të ndryshëm. Ndoshta i hidhte një sy shefi i kuadrit a ndonjë punonjës partie i specializuar me dokumentet; përndryshe, vlera e tij konsistonte kryesisht në faktin që ekzistonte, zakonisht i kyçur në ndonjë kasafortë ose arkiv.

Siç e ka shpjeguar edhe Shtëmbari, autobiografia është edhe kondensat i të shkuarës ose i historisë individuale dhe familjare, edhe version i saj i papërsëritshëm, i rrëfyer nga pozitat e personit që e ka shkruar.

Arbitrariteti në këtë version futet në momentin e zgjedhjes midis alternativave: çfarë të futim e çfarë të lëmë jashtë? Kemi një kushëri të arratisur: do ta përmendim? Po atë tjetrin, që ka punuar te shoku Enver? E kështu me radhë.

Në këtë kuptim, autobiografia vjen e i ngjan jetës vetë: shpesh, në momentet më kritike të kësaj të fundit, veprojmë duke zgjedhur mes alternativave – arratisem nga Shqipëria ose jo; vendos të studioj për agronomi apo për gazetari; martohem tani, apo pas dhjetë vjetësh; etj.

Si zgjedhje mes alternativave, por tashmë në nivel jo të realitetit por të relevancës, autobiografia bëhet si një jetë e jetuar për së dyti. Vetvetiu, disa nga këto zgjedhje sjellin me vete një ngjyrë ose timbër të caktuar; ti që shkruan vjen e shndërrohesh në personazh, dhe sa vjen dhe i largohesh vetvetes.

Për ta thënë me Lacan-in: A është subjekti për të cilin flas, kur flas, i njëjtë me subjektin që flet?

Si akt, si hartim, si composition, autobiografia ka për qëllim edhe ta përftojë subjektin, duke i ofruar një model; dhe jo një model çfarëdo, por modelin e lakmuar. Ja, ky je ti, njeri i përkushtuar ndaj çështjes dhe Partisë, punëtor i palodhur, hero i heshtur. Tani meritoji këto atribute të qenies.

Kujt i drejtohej autobiografia? Për kë shkruhej? Si letër, në adresë të kujt postohej?

Askush nga autorët nuk ulej të trajtonte, me shkrim, çështje nga më delikatet e jetës së vet, me vetëdijen se po ia rrëfente, bie fjala, shefit të kuadrit, që në rastin më të mirë përfytyrohej në rolin e rojes, ose postierit të glorifikuar.

Autobiografia i drejtohej, si rregull, Enverit.

Kjo nuk do të thotë se unë, autori, vërtet shpresoja se Enveri do të begeniste të më lexonte; as se Enveri mund të më lexonte ndonjë ditë.

Enveri i adresuar i tekstit autobiografik nuk është shefi real i totalitarizmit shqiptar, as sekretari i parë i PPSh-së; por projektimi i këtyre në tekst, i mishëruar si parim organizues i ligjëratës, ose tërësi rregullash dhe supozimesh të leximit.

Për ta thënë me Eco-n, Enveri ishte lector in fabula i çdo autobiografie institucionale; dhe imponohej në këtë rol jo thjesht me autoritetin e tij dhe arbitraritetin, por më tepër me prerogativën e të qenit jashtë sistemit, prandaj edhe i vetmi gjykatës i gjyqit të fundit.

I jetuari i thoshte Enverit: ky jam unë, gjykomë.

Një akt i thjeshtë administrativ-burokratik partiak shndërrohej në një parodi të Gjyqit të Fundit; edhe pse një parodi të mbajtur pezull, në arkivat e zyrave të kuadrit, jashtë hapësirës dhe kohës normale, të vdekëtarëve.

Për t’u vënë re edhe paralelizmi midis dy familjeve: asaj biologjike, të autorit, bëmat e së cilës organizoheshin në rrjedha narrative-logjike; dhe familjes tjetër, komuniste-spirituale, ku i jetuari ishte fëmija i Enverit baba dhe Partisë nënë.

Nga familja te klasa

Simptomatike edhe vëmendja që i kushtohet në autobiografi familjes: renditjes së xhaxhallarëve, kushërinjve, njerëzve të vdekur e të harruar prej kohësh. Dikush paskësh qenë përjashtuar nga Partia dikur diku: por vetëm përkohësisht. Ta përmendim?

Familja merrte, në këtë moment, një funksion tjetër: atë të burimit të pashmangshmërisë. Ti mund të jesh zemërmirë, besnik, i drejtë, i ndershëm, sypatrembur, por këtë nuk e vërteton dot; përkundrazi, dajës kulak nuk ke çfarë t’i bësh.

Si dokument, autobiografia i bindet parimit konstitutiv të prejardhjes; prejardhja është absolute, e shkuara e komandon të tashmen dyfish – drejtpërdrejt, dhe nëpërmjet fantazmës së saj.

E shkuara është materja, e tashmja vetëdija.

Edhe një paralelizëm tjetër i shënueshëm: autobiografia sanksionon, më një anë, pushtetin e së shkuarës mbi të tashmen e më anë tjetër pushtetin e familjes mbi individin.

Kur më është dashur të shkruaj dikur një autobiografi, nuk di për ç’arsye, nuk arrija dot të kuptoja pse po më popullohej e shkuara nga gjithfarë emrash familjarësh e të afërmish që përndryshe nuk ngrinin aq peshë në jetën time; në një kohë që kurrsesi nuk mund të përmendja aty të dashurën ose shokët, me të cilët ndaja, praktikisht, gjithçka.

Ende nuk isha stërvitur mirë në artin e të dalluarit midis imanencës së të përditshmes dhe transhendencës së gjakut.

Me fjalë të tjera, ende nuk isha në gjendje të kuptoja se jeta ime, ashtu siç e perceptoja me shpengim rinor, shtjellohej e tëra sipas sipërfaqes, sado shumëngjyrëshe, të një flluske sapuni.

Përndryshe, kur shkruanin autobiografitë, njerëzit sikur çmalleshin një çikëz me fisin e tyre – takonin të vdekurit, të largëtit, të dëbuarit, ose ata të tjerët, që ishin ngjitur shumë lart për t’u konsideruar njëlloj me vdekëtarët e tjerë.

Autobiografia funksiononte kështu si një farë versioni tekstual i dasmave, fejesave, kësolleve: ritual i mirëmbajtjes së lidhjeve të gjakut.

Sot fjala gjak nuk di pse më kujton menjëherë kanunin; edhe pse në kanun gjaku ishte i ndërkëmbyeshëm me vdekjen, ose përcillej nga një aktor social në tjetrin, sipas një ceremoniali që trashëgonte shumëçka edhe nga teatri edhe nga tregu.

Përkundrazi, sistemi totalitar i përkufizimit të individit, në bazë të “prejardhjes familjare”, ishte i papërshkueshëm nga çdo formë shkëmbimi ose barazvlere.

Gjaku, brenda konceptit burokratik partiak, shërben si parim organizues i fillesës klasore; dhe siguron, kësisoj, kalimin nga antropologjia në sociologji, nga patriarkalizmi në marksizëm.

Në autobiografinë e vet, im atë shënonte gjithnjë: “me origjinë nga një familje e mesme qytetare”; cilësimi e mesme gjithnjë më ka ngacmuar imagjinatën, madje duke më dhënë një si marrje mendsh. Nuk di pse këtë familje të mesme qytetare e përfytyroja si një alpinist që e kish llogaritur keq gjatësinë e litarit, për të mbetur i varur pezull nga muret e kalasë së Gjirokastrës.

Por ky klasifikim klasash e shtresash: familje e pasur, familje e lidhur me Luftën, familje zanatçinjsh të varfër, familje fshatarësh të patokë, familje kulakësh që kanë ndihmuar Lëvizjen, etj., vinte dhe i ngjante klasifikimeve baroke të specieve, taksonomive të një Carl Linnaeus-i, të spërkatura me darwinismin e nevojshëm.

Kësisoj, autobiografia u kujtonte të gjithëve se mbeteshin, volens nolens, bartës të mëkatit; dhe se vetë ekzistenca e tyre, sado triumfale, i detyrohej, në thelb, një akti faljeje (klemence) të konsumuar në krye të Partisë dhe të shtetit.

Ndryshoret dhe konstantet

Nga pikëpamja narratologjike autobiografia, ky rrëfim pak a shumë imagjinar i jetës nga i jetuari (term më i saktë se jetuesi në kontekst), nyjëtohet sipas një vargu konstantesh dhe ndryshoresh, si të ishte diçka algjebrike.

Konstante janë doemos elementet prozaike të kalendarit: datat kur filloi dhe mbaroi diçka, kronologjia vetë – si fatalitet, ku ditët javët dhe muajt shërbejnë herë si akumulatorë, herë si katalizatorë të suksesit, ose, sipas rastit, të katastrofës.

Ndryshoret janë, përkundrazi, të gjallët; të cilët, brenda universit të thjeshtuar të autobiografisë, mund të përkufizohen edhe si të gabueshëm. Një vëlla punon vërtet për organet e Sigurimit të Shtetit; por nesër mund të gabojë dhe të marrë rrokullimën. Një kushëri është hequr nga Tirana dhe degdisur në Selenicë ose në Nkoll – por, çudi çudi, nuk e paskan hequr nga Partia, vetëm e kanë degraduar nga anëtar në kandidat.

Ndryshoret kërkojnë rishikim të autobiografisë; p.sh., pas vitit 1982, fraza “im gjysh i ka dhënë një napë djathi Mehmet Shehut, në vitin 1943” duhet mënjanuar; jo sepse është më pak e vërtetë ose më pak e gënjeshtërt; por sepse Mehmet Shehu i tanishëm, heroi i djeshëm i shndërruar në armik poliagjent, nuk kishte më nevojë për djathë në 1943.

Kontaktin mes konstanteve dhe ndryshoreve e siguron jo vetëm subjekti vetë, sado lakanian dhe i dyzuar; por edhe vdekja. Një familjar i rëndësishëm, por i vdekur e ka kryer tashmë kalimin nga kaosi në rregullsi, nga balta në kristal, nga dheu në qiell.

Ti mund ta organizoje krejt autobiografinë, bie fjala, rreth vëllait tënd dëshmor; ose më mirë, vëllait tënd të njohur si dëshmor, të shpallur si dëshmor, të përfshirë si dëshmor në kalendarin partiak. Forcën këtij personazhi të vdekur ia jepte vdekja vetë; sepse një dëshmor nuk mund të gabojë më.

Përkundrazi, një familjar i pushkatuar e përjashtonte çdo mundësi rehabilitimi; njolla mund të përthahej, të pudrosej, të mbulohej me gjithfarë maskash dhe strehësh – por për t’u shlyer nuk mund të shlyhej.

Nëpërmjet ndryshoreve të kthyera në konstante, ose të vdekurve si referenca kuptimi, e shkuara komandonte të sotmen sovranisht; sepse i vdekuri i përket së shkuarës me përkufizim, nuk nxirret dot më që andej, as kthehet dot sërish, për të gabuar.

Një i burgosur mund të lirohej; një i përjashtuar nga Partia mund të pranohej sërish; një i arratisur mund të kthehej, të kërkonte falje, të pendohej; atij tjetrit mund t’i jepej dora edhe një herë; Partia e kishte zemrën të gjerë; populli, si princat qëmoti, dinte të falte.

Njëlloj, një zyrtar i lartë mund të merrte tatëpjetën; dhe të rrëzohej duke tërhequr me vete jo vetëm biografinë e vet të lavdishme, por edhe të gjithë ata të tjerët, që e kishin pranuar dhe integruar si personazh në autobiografitë e tyre; njëlloj sikur të shuhej, papritur e pakujtuar, një yll i rëndësishëm në firmament.

E gjithë kjo i jepte një kuptim të ri, sociologjikisht të ngarkuar, klanit; çka mund të përkufizohej, tash e tutje, si tërësi autobiografish të bashkëlidhura e të kryq-referencuara në të ardhmen: meqë nuk duhet harruar se, ndryshe nga konstantja që përshëndet gjithnjë nga e shkuara, ndryshorja i ka rrënjët në ditët që vijnë, ose atje ku do të marrë sakaq vlerën e re, të papritur, ndoshta të paparashikuar dhe fatale.

Pa Komente

  1. Absurde, sic ishte gjithshka ne sistemin parti-shtet te asaj kohe. Pak rendesi kishte sa vlente 1, familja, fshati, krahina, po. Sidoqofte une mendoj se teknika e autobiografise se qemoti nuk ishte hic e rafinuar. Po ishe pjese e klanit jeto, nese jo vdis. E veshtire ishte kur kishe nje gjysh partizan nje dajo ballist. Ketu po duhet te te punonte radakja, se per te genjyer harroje.

    E rafinuar eshte kjo e sotmja. Nga intervistat qe kam dhene kam mesuar se sa me shume te genjesh aq me i suksesshem je. Asnjehere se kam kuptuar pse paneli i pranon aq me kenqesi genjeshtrat. Pjesa me e bukur eshte kur te pyesin per pikat e tua te dobta dhe ti edhe ketu do te nxjerresh ne pah fortesite e tua (te tipit jam punetor i palodhur, mendjehapur, me humor te mire, qe pranon diversitetin, qe pelqen punen ne grup, qe nuk krijon konflikte, etj., etj.) Menjefjale po te genjesh e te llafosesh bukur je fituar, perndryshe gishtin ne goje dhe gremisu. Kjo s’me rakordon. Gjithmone kam patur bindjen qe te rralle jane njerezit qe edhe dine te flasin bukur edhe dine te punojne bukur.

  2. Veshtrimi psikosocial qe hedh 2xh e ben ende me te dukshem ate fenomen aq unikal e absurd sa me te vertete te ben te besosh se ai i kalon se tepermi kufijte e fiksionit.

    Kujtoj se objekt diskutimi ishte edhe problemi se deri në çfarë niveli a brezi duhej hapur rrethi i personave që kishin nderin te ishin te pranishem në dokumentin e famshëm.

    Kjo, jo pa qëllim (tha) nuk është sqaruar asnjëherë, por teorikisht thuhej se në autobiografi duhej të përfshihej rrethi i ngushtë familjar, megjithëse kur donin të të bënin keq ta gjenin « kleçkën » deri në shtatë breza. Të paktën për familjen time ky “zgjerim” përbënte problem të madh, se përveç asaj « rrjedh nga një familje e mesme qytetare » ne na mungonte qoftë edhe një komunist i vetëm në rrethin e afërt familjar (ç’është e vërteta as edhe ndonjë antikomunist, që mund të na prishte punë).

    Por nje komunist ne na duhej dhe kjo nevoje u be uleritese kur ne kalamajtë u rritëm e duhej të kërkonin të drejtë studimi. Këtu filloi një hetim i vërtetë. Më kujtohet se plaku u përgjigjej me nervozizëm pyetjeve të mia e mbyllte çdo shteg, por kjo gjë që nuk më pengoi të bëja një hetim të pavarur e të gjeja një kushëri të tij, që kishte qenë “i ri komunist” e ishte vrarë në “përpjekje me armikun”, diku në qendër të Tiranës. Kjo na e ekuilibroi disi moralin, edhe pse « ishte i largët ».

    Në të vërtetë historinë e tij babai ma tregoi më vonë.
    Nuk kishte asgjë të pasaktë në implikimin e atij kushëririt me rininë komuniste,por motivet shtytëse nuk përputheshin fort me teorinë e revolucionit. Kushëriri im ishte ngarkuar një ditë nga ai ati t’ i dërgonte një shumë të mirë napolonash floriri një tregtari që furnizonte dyqanin e tij. I tunduar nga ajo shumë kushoja ia hipi vaporit e kaloi ca javë të mira në Bari të Italisë, ku me sa duket frekuentoi ca lokale luksoze e të dyshimta, e për pasoj napolonat u shkrinë shpejt e ai duhej të kthehej, që të mos lypte rrugëve. Kthehet dhe nga frika e të atit, nuk shkon fare në shtëpi, por i bashkëngjitet atyre grupeve guerile, që fshiheshin edhe pa i kërkuar njeri. Kështu siguroi mënyrën se si të flinte e hante, pa patur nevojë të shkonte e t’i jepte llogari të atit, i cili nga ana e tij e bëri hasha, thonë tiransit, e mohoi.

    Diçka më vonë ai seç pati një shqetësim të brendshëm ndërgjegjeje dhe tinës niset të takojë tregtarin në fjalë e ti thotë se babai ia kishte dhënë paratë, por ishte faji i tij që … Veçse ndodhi që nuk e gjeti tregtarin në shtëpi, sepse ishte nisur në Trieste për të sjellë një anije mallrash dhe takon vetëm të shoqen, një greke mjaft e bukur e mjaft e re. Ishin pothuaj në një moshë. Ja që këtu na filloi një idil, pavarësisht se teorikisht të dy përfaqësonin ideologji të kundërta…

    Sa herë që tregtari nisej me shërbim, kushoja nisi te njoftonte komandantin e tij se do të ndërronte bazën ilegale dhe shkonte e flinte te grekja. Kjo histori me sa duket zgjati disa muaj, deri sa ndodhi ajo ngjarja që ka ndodhur të paktën që prej kohëve mitologjike (thonë se edhe Efesi një ditë doli të shkojë në punë duke lënë në shtëpi të shoqen Afërditën, por ndodhi që farka ishte prishur dhe ai u kthye diçka më herët në shtëpi e gjeti aty… Apolonin, më duket…) pra për shkak të një bombardimi aleat, tregtari ynë, pasi priti gjithë ditën në Durrës, vendosi të mos ikte me anije atë natë dhe kthehet në darkë në vatrën e ngrohtë të familjare…

    Më pas plaku më thoshte se tregtari në fjalë (burrë i mençur) e pa e mirë kushon si u hodh nga dritarja duke lidhur rripin e pantallonave, por nuk tha asgjë. U nis përsëri të nesërmen, por vetëm pasi kishte paguar nja dy persona të njohur, që kishin krijuar një SHPK dhe afronin shërbime vrasjeje me çmim të arsyeshëm.

    Kushoja tetëmbëdhjetë vjeçar njofton komandantin e njësit se do të ndërronte edhe një herë bazën e fjetjes (se dyshonte se ndiqej !) dhe niset te grekja e bukur.

    Tregtari i kishte llogaritur të gjitha. Porosia ishte që vrasja të mos bëhej në asnjë mënyrë pranë shtëpisë së tij.
    Dhe kështu ndodhi që kushoja ra në krye të detyrës. Të nesërmen doli edhe një komunikatë nga ana e Qarkorit të Tiranës, por edhe nga ana e autoriteteve, të cilët folën për vrasjen e një terroristi dhe si provë përmendej një armë që iu gjet në brez…

    Ju e merrni me mend se sa inat më erdhi, që edhe me kete sakrifice te madhe familjare, megjithe kete flijim per revolucionin, mua nuk ma nxorën shkollën për një degë qe me pëlqente, por për gjeologji-miniera…

  3. Nuk e di nèse mund tè bèhet paralelizèm me kurrikulat e emigrantève qè kanè ardhur nè mèrgim me tituj studimi dhe veprimtarie tè realizuara fillimisht nè Shqipèri. Njoh me dhjetra raste kur deklarohen aktivitete tè pakryera (nè fushèn e artit) turne interpretèsht nèpèr vènde tè botès tè parealizuara, (ndoshta vetèm nè ambiente shtèpijake), ekspozita tè parealizuara kurrè, artikuj dhe libra qè nuk egzistojnè.
    Cili rast èshtè mè i qortueshèm: Biografia e imponuar e dikurshme apo kurrikula e fantazuar?
    miqèsisht

    1. Jo vetëm kurikulat, por sa e sa “biografi” i bëjmë vehtes kur regjistrohemi në forume të ndryshme virtuale… mirë neve, që na e kanë lënë komunistët këtë trashëgimi, po të huajt ç’dreqin i shtyn që të tregojnë biografinë?

  4. Ne pamje te pare CV-ja (curriculum vitae) e biografia e kohes komuniste shqiptare, duken te jene komplet te ndryshme. CV-ja qe dorezon kur kerkon pune nuk te kerkon asnje informate per bindjet politike te gjyshit, apo tezes, nderkohe qe biografia kerkon garanci per gjak te paster prokomunisti. Ne kete kendveshtrim biografia e dikurshme perqaset me shume me kerkesat e Gestapos, e mania per gjak te fisme me ato te oborreve mbreterore. Fenomeni ne vija te trasha nuk eshte i ri, c’ka te re menyra shqiptaro-komuniste nuk e shikoj ende te shpaloset ne diskutimet.
    Zbukurimi i CV-ve nuk me duket t’u perkase vetem shqiptareve ish-perpilues biografish. Nuk eshte vetem shqiptari qe do te habise me te kaluaren e tij te lavdishme, nuk eshte vetem shqiptari krah pune per t’u shitur. Historikisht njerezori eshte ne kerkim te nje kaluare e te ardhme. Nqs gjyshi e tezja s’i interesojne punemarresit modest, shtepise se diqeve, bie fjala, biografite u interesojne shume. Nje pjese e mire e yjeve me nje te kaluar prej te varfri deri ne palce, kane adhinamine e turmes gratis, pa filluar te nxjerrin tingull nga goja. Shikoni se sa qindra revista e paparazze rrojne me histori bigrafish qe s’kane te bejne fare me kontributin qe personi ne fjale i ofron shoqerise. Nuk di pse jemi kaq te tentuar te mendojme qe ajo qe ndodhi e ndodh ne Shqiperi ishte e ndare nga cdo pjese e historise e shoqerise boterore. Te jete trilli imagjinates qe kerkon te veje ne dukje nje egzistence kaq speciale te species shqiptare ? Te mahnitesh nga kerthiza jote i thone kesaj.

    1. Duket që s’ju ka rënë rasti të lexoni ndonjë “kërkesë” të asaj kohe.
      Në kërkesën e asaj kohe (studime, vend pune etj), NUK FLITEJ vetëm për biografinë. Natyrisht që flitej për prejardhjen, por në kërkesë kishte dhe elementët e tjerë: studimet e kryera (si dhe rezultatet), eksperiencat e mëparëshme (nëse kishe mardhënie pune) si dhe referencat si dhe, vetë kërkesa.

      Vërini të gjithë këto elementë në një faqe fletoreje 4 lekshe dhe do shihni se sa biografi ka patur aty

  5. Ky lloj leximi mund te shkoj edhe me tej. Brenda referencave:

    “E pandergjegjshmja eshte kapitulli i historise sime qe shenohet nga faqja bosh apo qe mbushet me nje genjeshter: eshte kapitulli i censuruar. Por e verteta mund te gjendet; me shpesh eshte shkruar qe me pare diku tjeter.”

    Marre nga Funksioni dhe Fusha e te Folurit dhe Gjuhes ne Psikoanalize. (Perkthim i lire nga anglishtja).

    Edhe pse mund te jete e vertete qe autobiografite nuk lexoheshin, mbetet i rendesishem fakti qe shkruheshin. Ndjese per pedantizmin, por me shume se sa ceshtje ne lidhje me diakronine e subjektit, kjo ka te beje me objektivitetin e deshiruar prej tij. Nuk kerkon ndonje guxim te jashtezakonshem te lexosh Nepunesin e Pallatit te Endrrave si metafore mbi praktiken e autobiografise. Adresimi i autobiografise ndaj Superegos kolektive, Enver Hoxhes, qe ve ne dukje Xhaxhai, me kujton Bashendrren, ate enderr qe perzgjidhej te lexohej nga Sulltani, e qe cdo enderr kishte per qellim te ishte. Mirepo njekohesisht, Pallati i Endrrave, ky institucion i te pandergjegjshmes, cilesohet ne gojen e njerit prej personazheve si thelbi i vete Shtetit, pikerisht fale objektivitetit qe ky institucion mbart. Nuk do te ishte e tepert te theksohej ketu se autobiografia institucionale tenton pikerisht kete objektivizim te subjektit, gje qe me te drejte Lakani do e quante pseudoshkence. E kam llafin qe, nese autobiografine institucionale do e quanim objektivizim te subjektit, vete institucionin e autobiografise do e quanim shkence te shtetit.

  6. Ne nje liber shume interesant, me titullin “Biseda tavoline te Hitlerit”, Hitleri ne nje moment thote se “komunizmi eshte pjelle e krishterimit”.
    Dhe ne fakt po ta shohesh, ngjashmeria midis tyre shtrihen nga doktrina deri ne strukture administrative.
    Pagabueshmeria e Librit
    Pagabueshmeria e Partise
    Fjala e Librit
    Fjala e Partise

    Papa- perfaqesuesi i Zotit ne toke
    Sekretari i Pare i Partise – perfaqesuesi misherues i idese komuniste ne shtetin e vet.

    Nenshtrimi i plote ndaj doktrines se fese
    Neshtrimi i plote ndaj doktrines se partise

    Ne kohen kur komunizmi u formua si praktike, mendoj se ata ndoqen blueprintin e organizimit te shoqerise ne menyre te ngjashme me ate kur kisha e krishtere ishte pushteti i vetem, si shpirteror ashtu edhe material (spiritual dhe temporal). Dhe kjo ndodhi ose ngaqe ata kete njihnin me mire, ose ata , ne menyre te sakte, mendonin se ajo ishte rruga me e lehte per te realizuar fitimin dhe mbajtjen e pushtetit, do t

    Autobiografia nuk i kerkohesh kujdo. Ketij procesi i nenshtroheshin vetem ata qe donin, kerkonin ose u duhesh,per cfaredolloj aresyeje, te hynin ne “gjirin e partise”. Mua me duket e ngajshme me gjithe ritet fetare si kungimi, rrefimi etj etj.

    Une s`kam bere as te paren dhe as te dyten ndonjehere ( kungimi, rrefimi ne kishe ), por te aferm te mij e kane bere. Kur kam pyetur se cfare the ne rrefim, pergjigja ka qene se eshte “vetem midis meje dhe Zotit, e jo per ty”. Kjo pergjigje vinte nga nje moshe shume e re. Dhe jam i bindur se edhe ne rrethana shtrenguese do te kisha marre nje pergjigje te ngjashme, ose nje pergjigje evazive e te pergjithshme. Ketu per mua dilet nga realmi i racionales dhe hyhet ne ate te mistikes.
    Misticizmi ka nje lloj “apeli” ne mendjen e njeriut, nje lloj “magjie” qe ne rrethana te duhura eshte ne gjendje te nenshtroje edhe mendjet me racionale (The Guardian kishte para disa muajsh nje shkrim mbi masen teje te madhe te shkrimeve te pabotuar me natyre metafizike te Isak Newton. Me vendim te Akademise Britanike, asnje nga keto nuk do te botohet, me arsyen qe nuk ishte e qarte se pse)

    Shprehja “Midis meje dhe Partise”, per nga vlera, efekti, konteksti, pesha, gjendja qe krijon ose percjell, e gjej qe te kete te njejten ekuivalent ne shprehjen “midis meje dhe Zotit”. Duke qene se komunizmi ishte nje levizje krejtesisht e re, e pashenjuar akoma nga difekte strukturale apo “vese” inherente, ne nje pjese te mire te periudhes se fillimit te saj, dedikimi i shumices se atyre qe i nenshtroheshin procesit te berjes komunist, ku autobiografia ishte nje nga mekanizmat per te arritur ne “finite product”, duhet marre si i sinqerte. Po te lexosh historine e shtrirjes se krishterimit ne fillimet e saj, eshte zor te kuptosh se si deri dhe shtresat me te pasura iu bashkangjiten kesaj levizje barazitare, ose se si vejushate e pasura ua kalonin gjithe pasurine e tyre kishave apo manastireve, kjo me vullnet te lire.

    Ne nje teme te meparshme, me duket ne lidhje me organizaten baze te Partise, Xhaxhai nxjerr ne pah dhe permend se celula komuniste me dekalogun e vet, me shume se me cdo gje tjeter ngjan me nje organizate fetare.
    Zoterimi i shpirtit te njeriut eshte rruga me i sigurte per ta bere ate hero ose skllav.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin