Te faqja në Internet e Universitetit të Tiranës shkova sepse m’u desh të verifikoja diçka në programet e Katedrës së Gjuhësisë, ose Departamentit, siç i thonë tani.
Për fat të keq, kërkimi më dhuroi këtë ekran:
Nga i cili mora vesh vetëm emrin e përgjegjëses Aljula Jubani, adresën e saj të e-mail-it, dhe faktin e rëndësishëm se kjo faqe është “under construction”.
Nuk u habita, meqë në Shqipëri e sidomos në Tiranë pak a shumë gjithçka është “under construction”.
Faqja më ngacmoi të eksploroja më tej, prandaj edhe klikova në butonin e Hyrjes, për të parë si e prezantonte veten universiteti ku, tek e fundit, kam studiuar edhe unë.
I pamëshirshëm, Interneti më dhuroi këtë pamje:
Imazhet ndërruese në faqen e mirëseardhjes nuk ishin veçse pamje të vizatuara të projektit të Kampusit të ri të Universitetit!
Çfarë i thotë vizitorit kjo zgjidhje grafike?
Unë besoj se, para së gjithash, i thotë se Universiteti i Tiranës, për momentin nuk ekziston – sa kohë që jo vetëm faqet e departamenteve, por edhe ndërtesat vetë janë “under construction”.
Madje më keq akoma: ndërtimi ende nuk paska nisur…
Por të paktën vizatimi ka përfunduar, dhe kjo përbën një sukses të mjaftueshëm; sikurse të gëzon lajmi se këtë kampus do ta financojë, ndër të tjera, Arabia Saudite.
Sipas planit urbanistik, ky kampus Studentor i UT-së që do të ndërtohet pranë fushës aktuale të “Qytetit Studenti” do të jetë me 5 kate, me një sipërfaqe ndërtimi prej 32.536 m2, ku zona sportive do të zërë një sipërfaqe prej 13.150 m2. Kampusi mendohet të ketë një palestër (1 890m2), fushë minifutbolli (1 600m2), fushë tenisi (1 040m2), fushë basketbolli (1 260 m2) dhe pistë vrapimi (1 540m2).
Natyrisht, Shekulli ka harruar të vërejë se ky kampus “me pesë kate” është ndërtuar tashmë në realitetin virtual të UT-së në Internet, madje pamjet e tij përdoren për të ilustruar faqet e mrëseardhjes.
Peshku në det, tigani në pajë, do t’i thoshte kësaj një mik imi dhe bashkëpunëtor i këtij blogu.
Megjithatë, entuziazmi për të paktën paraqitjen vizuale të sajtit m’u shtua sërish, kur më vajtën sytë te ky imazh i çuditshëm:
Që në të vërtetë paraqet një kuti poste, por që mua më kujtoi një shapkë lëkure të tim gjyshi, ndjesë pastë (“Për çdo ankesë të ngritur kundrejt stafit mësimor dhe jomësimor të Universitetit të Tiranës, jeni të lutur ta qëlloni simbolikisht stafin me këtë shapkë tradicionale urbane.”)
Ndërkohë, te një “box” në të majtë të faqes së mirëseardhjes, përcilleshin tranzit lajme njëri pas tjetrit e njëri më i vjetër se tjetri, mes të cilëve shkëlqente një njoftim ankandi për shitje automjetesh “në pronësi të universitetit”.
Faqet e departamenteve mund të jenë vërtet të paplota, informacioni për programet e lëndëve vërtet mund të mungojë, por ama vizitori i faqes nuk largohet pa marrë vesh se cilat automjete shiten, targat dhe markat e tyre, si dhe vendi ku ndodhen në këtë moment (një Toyota Land Cruiser e vitit 1993, me numër shasie PZJ750003905, që më pëlqeu mua, ndodhej, për shembull, te Kopshti Botanik…
Sigurisht që problemet që vihen re në këtë shkrim janë aq madhorë sa nuk lejojnë vend për kritikë ndaj detajesh luksoze si, fjala bie, drejtshkrimi i gjuhës shqipe.
Mbetet, sidoqoftë se, nëse Universiteti i Tiranës i lejon vetes luksin ta shkruajë shqipen në formën e mëposhtëme, nuk kuptohet më fare se për çfarë po diskutojmë.
“Per çdo Ankesë të ngritur kundrejt Stafit Mësimor dhe Jo Mësimor të Universitetit të Tiranës, jeni të lutur ti drejtoheni kutisë tonë postare të ankesave.”
Mos u ankoni shume… Shikoni kete perle ne Newsweek:
http://www.newsweek.com/photo/2010/08/15/best-countries-in-the-world.html
Kllikoni ne faqen 5 te albumit. Qeveria shqiptare besoj se do te jete shume e lumtur nga kjo arritje.
Nuk e di se sa seriozish mund te merret nje reviste qe u shit para disa javesh per $1 [http://www.pastemagazine.com/articles/2010/08/newsweek-sold-for-one-dollar.html].