Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori / Sociologji / Totalitarizëm

PAS VDEKJES

Nëse varrimi është, në mënyrën e vet, sanksionim dhe vulosje e vdekjes, atëherë zhvarrimi e ruan një lidhje me ringjalljen; madje edhe kur trupit që ringjallet mund t’i ketë humbur tashmë shpirti. Tek e fundit, edhe të vdekurin prandaj e kallin në dhé, që të mos ngrihet më, të mos dalë me thonj e me dhëmbë në sipërfaqe, të mos kërkojë më të kthehet, si pa të keq, mes të gjallëve.

[. . .]

Para pak ditëve, trupin e ish-diktatorit rumun Çaushesku, së bashku me trupin e të shoqes Elena, i zhvarrosën një mëngjes herët, në varrezën ushtarake të Ghencea-s, afër Bukureshtit, për hir të nuk di ç’hetimi ose dyshimi ose teorie konspirative për fatin e tyre. Një ekip mjekësh patologë dhe varrimtarësh profesionistë i nxorën arkivolet prej varreve, i hapën, morën prej andej disa mostra ADN-je, dhe i mbuluan pastaj arkivolet me dhé përsëri; thuase i thirrën këta të dy nga qendra klimaterike ku kishin shkuar të pushonin, për t’u konsultuar me ta për punë të mëdha të shtetit; një farë versioni prozaik i spiritizmit, në epokën e saktësisë molekulare.

[. . .]

Një nga makthet që përshkon obsesivisht prozën e Edgar Poe-s ka të bëjë me frikën e të varrosurit për së gjalli, që në mjekësi njihet si tafofobia. E kundërta e kësaj frike do të ishte frika se mos, kur i hapet dikujt varri, arkivoli do të jetë bosh. Gjithfarë përfytyrimesh i shoqërohen kësaj mungese të të vdekurit – që nga vjedhja e kufomës, deri te vdekja e gënjeshtërt ose, më keq akoma, ringjallja e të vdekurit, i cili pastaj ka gjetur rrugën drejt sipërfaqes, për t’u kthyer. Këto dy makthe i bashkon gjithnjë ideja e ringjalljes, ose e vdekjes së mohuar.

[. . .]

Mes rumunëve qarkullonte prej vitesh një teori komploti, sipas së cilës varret e bashkëshortëve Çaushesku ishin, në të vërtetë, bosh;–monumente të rreme të një gënjeshtre të nevojshme. Imazhi i një varri të gënjeshtërt, që fsheh në gji një arkivol të virgjër, si krevat të pafjetur nga askush, e përmbys në thelb idenë dhe vetë realizimin e cenotafit, varr i zbrazët, ngritur si përmendore për kujtim të dikujt që, përndryshe, e ka varrin gjetiu. Cenotafi gjithnjë e pret, me krahët hapur, bujtësin e vet; ia ka bërë gati të gjitha: emrin dhe lavdinë; ia ka shtruar shtratin, freskuar dhomën, marrë pluhurat. Varri i rremë, përkundrazi, përpiqet të mbulojë të pathënshmen, ose që i vdekuri i ka ikur – ndoshta pa paguar.

[. . .]

Një tjetër të madhi ia hapën varrin këto ditë: ish kampionit të botës në shah, amerikanit Bobby Fischer, vdekur në Islandë para dy vjetësh dhe të varrosur po atje, afër qytetit të Selfoss-it. Zhvarrimin e urdhëroi Gjykata e Lartë e Islandës, për të zgjidhur një çështje atësie të ngritur nga një Jinky Young, një filipinase, bijë e një të dashure të ish kampionit. Edhe këtë herë, synimi i zhvarruesve ishte të merrnin një mostër ADN-je, për ta krahasuar me mostrën e dhuruar nga Jinky; duke pasur parasysh se këtu nuk është aq fjala për të konfirmuar një linjë familjare të lavdishme, sesa për të pasur pjesë nga torta 2-milion dollarëshe e pasurive që ka lënë Bobby. Që ADN-ja e të vdekurve tani mund të shfrytëzohet ose së paku të lexohet për identifikime atësie, të bën të mendosh se Fischer-i, së bashku me miliona të tjerë më pak të famshëm, ka mbetur ende një çikë i gjallë, sado minimalisht; ndoshta shkenca dhe teknologjia një ditë do të lejojnë klonimin e tij, si të dinozaurëve në Jurassic Park. Të paktën ashtu do të konfirmohet sërish, sikur të kishte vërtet nevojë, lidhja mistike mes zhvarrimit dhe ringjalljes.

[. . .]

Në ndonjë rast tjetër, zhvarrimi bëhet vetëm e vetëm në emër të rivarrimit; sa kohë që varri më tepër sesa gropë ose dhomë hoteli e vogël por komode, është një koordinatë gjeografike precize, atëherë vendndodhja merr domethënie, në raport me kufijtë shtetërorë, afërsitë dhe largësitë, përkatësitë dhe rivendikimet. Dikur ne, shqiptarët, mburreshim se armiqtë, të gjithë armiqtë, kishin lënë kockat në tokën tonë; tani është dita kur pasardhësit e armiqve të djeshëm kanë ardhur t’i kërkojnë këto kocka. Anembanë Shqipërisë rrëmohet shumë – për të zbuluar kockat e djeshme, që tashmë janë shndërruar në eshtra. Familje viktimash të komunizmit kërkojnë edhe ato eshtrat e të dashurve të tyre, të mbetur pa varre; sikurse të tjera familje që ende janë në kërkim të vdekjeve të të afërmve të persekutuar vetë, të cilat s’ua ka konfirmuar kurrë njeri. Gjetiu të vdekurit zhvendosen, për t’u bërë vend të vdekurve të tjerë; forcat politike nuk merren dot vesh për vendet e varreve, ndoshta nesër nuk do të merren dot vesh as edhe për vdekjet. Ka njerëz që po specializohen në kërkim eshtrash me emra historikë anembanë botës, për t’ua rrasur në dorë një biletë avioni falas drejt Tiranës. Tek e fundit, të mëdhenjtë e shqiptarëve e kanë zakon të udhëtojnë shumë pas vdekjes.

[. . .]

Një tjetër zhvarrim i bujshëm u shënua këto ditë në Caracas, kur presidenti venezuelan Hugo Chavez dha urdhër të zhvarrosej heroi kombëtar Simon Bolivar, çlirimtari i shumë kombeve latino-amerikane nga sundimi i Spanjës. Arsyeja e këtij gjesti: t’i jepej mundësi laboratorit kriminalistik shtetëror të vërtetonte nëse Bolivari kish vdekur vërtet nga tuberkulozi, apo mos e kish helmuar një rival i veti kolumbian, gjeneral Francisco de Paula Santander. Televizioni shtetëror venezuelan transmetoi pamje të një truproje nderi të veshur me kostume të bardha të mbrojtjes biologjike, maska dhe doreza të kaltra, që nxorën nga arkivoli një arkë më të vogël, të mbështjellë me një flamur të vjetër të Venezuelës. “Çfarë momentesh të mrekullueshme përjetuam sonte,” shkroi Chavez-i në Twitter (@chavezcandanga), duke shtuar se e kishte ndier drejtpërdrejt praninë e mësuesit të madh.

[. . .]

Vëzhguesit kanë vënë re prej kohësh obsesionin e Chavez-it me kolegun e vet të vdekur; në 1999 ai ia ndërroi emrin shtetit në Republika Bolivariane e Venezuelës, pastaj premtoi se do të ngrejë një monument për nder të Bolivarit në malet përreth Caracas-it; ndonjëherë, kur del në publik, ai vringëllon një shpatë të Bolivarit, prej ari masiv të zbukuruar me 1,000 diamante, rubinë dhe gurë të tjerë të çmuar. Edhe pse zyrtarisht, zhvarrimi i tanishëm u përligj me nevojën për të mësuar të vërtetën për vdekjen, ose edhe për të vërtetuar identitetin e eshtrave në varr, nuk duhet shumë fantazi e imagjinatë për të marrë me mend se Chavez-i e “ringjalli” simbolikisht Bolivar-in, për ta vënë në shërbim të projekteve të veta e për t’u dhënë atyre legjitimitetin e duhur. Tek e fundit, një Bolivar edhe i vdekur edhe i gjallë është po aq ornamental sa shpata prej floriri e heroit.

[. . .]

Një mallkim duket sikur i ndjek figura të këtij kalibri, të cilat për motive politike ngecin në një limbo mes jetës dhe vdekjes, mbitokës dhe nëntokës, dritës dhe errësirës. Perënditë ktonike të komunizmit planetar, Lenini dhe Maoja, ruhen sot e kësaj dite të balsamuar, në një gjendje vdekjeje të pezulluar, të pasanksionuar, të refuzuar nga vullneti kushtetues; si monumente të pavdekësisë së tyre. Edhe Stalini kaloi ca kohë në këtë limbo, mes viteve 1953 dhe 1961, për të përfunduar pastaj i varrosur në muret e Kremlinit. Sa për Maon, dihet se këtë e balsamuan me teknologji vietnameze; në një kohë që vietnamezët vetë e kishin mësuar artin e vështirë të pezullimit të trupit nga sovjetikët, pasi u vdiq udhëheqësi Ho Chi Minh dhe iu desh edhe atyre ta balsamonin. Bullgari Dimitrov “jetoi” i balsamuar që nga viti 1949 deri në 1990, kur u varros në Varrezën Qendrore të Sofjes. Ka edhe të tjerë shokë komunistë që janë marinuar: Klement Gottwald-i i Çekosllovakisë, Agostinho Neto i Angolës dhe Kim Il Sung-u i Koresë së Veriut; thuhet se për këtë të fundit, ekipi i balsamuesve rusë u kërkoi koreanëve një honorar prej 1 milion dollarësh, çka shpjegon deri diku edhe tatëpjetën ekonomike të atij vendi fatzi kohët e fundit. Ironikisht, veç udhëheqësve të mëdhenj të revolucionit dhe të komunizmit botëror, këtë metodë përpunimi po e preferojnë tani kryesisht mafiozët rusë.

[. . .]

Ndryshe nga zhvarrimi ceremonial, i cili e shpenzon ngarkesën mistike të ringjalljes brenda pak orësh, balsamimi mund të përfytyrohet si një lloj zhvarrimi statik, permanent; madje i tillë që ta bëjë të vdekurin edhe më të fortë e të paepur se i gjalli, meqë mishi i marinuar i një kufome nuk është më në gjendje të ndërrojë mendim, opinion, të evoluojë, të rishikojë, të përshtatet; çka i volet veçanërisht regjimeve komuniste, të cilat gjithnjë kanë ditur ta vlerësojnë virtytin e vdekjes së mendimit. Teknologjia e balsamimit, gjithsesi, mbetet ende sekret i vyer.

[. . .]

Thuhet se Leninin dhe Maon i balsamuan pa i përfillur amanetet që këta kishin lënë; tek e fundit, ruajtja e një amaneti bie erë idealizëm të krimbur, ndërsa balsamimi i trupit, sikur ky t’i përkiste një shpendi gjahu ose peshku të rrallë të thellësive, frymëzohet nga parimi materialist që trupi përcakton mendjen, njëlloj si qenia shoqërore ndërgjegjen shoqërore. Ndonjëherë mendoj se frika se mos ia balsamonin trupin do ta ketë munduar edhe Enver Hoxhën; jo sepse ky preferonte vërtet varrimin ose çfarëdo lloj tjetër ekzekutimi të kufomës, por për shkak të dyshimit çapëlyes se mjekët shqiptarë, frëngj ose vietnamezë nuk do ta balsamonin dot mirë, sikurse nuk bëhej dot mirë asnjë gjë në Shqipërinë që ky po ia linte trashëgim Ramizit dhe ne të tjerëve. Gjithsesi, sikur të vendoste Byroja Politike për balsamim, kjo mund të kish shërbyer edhe si pretekst për të rindërtuar urat e miqësisë me Bashkimin e Madh Sovjetik… dhe ndoshta edhe kolapsi i madh i Lindjes në fund të viteve 1980, ku i dihet, mund të ishte shmangur.

[. . .]

Varret, zhvarrimet dhe manipulimet e kufomave janë mënyra si të vdekurit e ruajnë pushtetin e tyre mbi të gjallët. Ne shqiptarët e mësojmë këtë që të vegjël, kur lexojmë si osmanët e hapën varrin e Skënderbeut në Lezhë, për t’ia marrë eshtrat dhe për t’i mbajtur varur në qafë si hajmali. Më duhet ta pranoj se, për një kohë në fëmini, fakti i pamohueshëm që Shqipërisë i ishte privuar luksi i të paturit varrin e heroit të vet kombëtar, më shqetësonte pa masë. Gjithsesi, po të ishte ruajtur ai varr, sot nuk do të kish mbetur legjislaturë pa e rivarrosur heroin, me nderimet përkatëse – ndoshta edhe mu në mes të parlamentit, ose të kësaj katedraleje ende të përdhosur të shtetit shqiptar modern; madje edhe NATO-ja do të kishte kërkuar ndonjë falangë ose vertebër çfarëdo të pararendësit të vet.

[. . .]

Nuk i normalizojmë dot raportet me të vdekurit; ndonjëherë i nderojmë me tepri, si t’ua kemi frikën, atyre ose ndëshkimit për mëkatet që kemi bërë me ta kur kanë qenë gjallë; ndonjëherë duam t’i harrojmë krejt, t’ua hedhim eshtrat në lumë, t’ua dinamitojmë varret, si për t’i zhdukur deri në fund, ose për t’i shtyrë përtej distancës nga ku mund të ktheheshin prapë. Ndonjëherë më duket edhe sikur nderimi paroksistik që u bëjmë në fjalime, në monumente, në pllaka përkujtimore, në art, në emra institucionesh lidhet gjithnjë me frikën instinktive, të pavetëdijshme që kemi se mos na kthehen një ditë sërish, plot energji të ftohtë për të rifituar kohën e humbur. Kjo do të ofronte një shpjegim a interpretim çuditërisht të kënaqshëm për modën e balsamimit, aq të parapëlqyer nga diktaturat komuniste të Lindjes: nëse për disa udhëheqësi i marinuar dhe i ekspozuar ditë e natë në xham mund të mos ketë vdekur kurrë; për disa të tjerë kufoma konfirmon, pa u lodhur, se despoti tashmë ka vdekur…

[. . .]

Nëse zhvarrimi është, në mënyrën e vet, sanksionim dhe vulosje e vdekjes, atëherë varrimi e ruan një lidhje me ringjalljen; madje edhe kur trupit që ringjallet mund t’i ketë humbur tashmë shpirti. Tek e fundit, edhe të vdekurin prandaj e kallin në dhé, që ta ruajnë për ditën kur do të ngrihet sërish, të dalë me thonj e me dhëmbë në sipërfaqe, të kërkojë si pa të keq që të kthehet mes të gjallëve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin