Ka një fije të padukshme që e lidh romanin “Ujdhesa e askujt”, të shkrimtarit Mehmet Elezi, me veprën e fundit të tij “Adn-ja e korbave”. Fija kalon nga natyra e njeriut, herë dramatike, herë tragjikomike, për t’u ndalur në fund në kundërshtitë e saj të thella, ku paradoksi fatal nuk gjen shpjegim as tek instinktet kafshore.
Romani i fundit i Elezit të katapulton befas në një fshat malësie, ku krisma e pushkës në një pragmbrëmje asnjë zog nuk ngriti, ndërsa menefregizmi i tymit që “shkalafitej i lodhur duke përbiruar nëpër tymtarët e kullave” dëshmonte se ai vend kishte parë aq gjëra në historinë e vet sa vështirë ta kthente kokën për vogëlsira. Ai vend po, por jo Prelë Keqani, që diçka kishte parashikuar duke parë shenjat në shpatullën e berrit, si magjistari i zotë para sferës së kristaltë.
Kështu fillon historia e “Adn-së së korbave” (Enti botues Gjergj Fishta, 2009), në një fshat ku ngjarjet kishin kohë që nuk ndodhnin më, madje as në kohë luftërash, kur ngjarje ka me bollëk. Banorët e atyre viseve e kuptojnë gjithsesi se diçka thelbësore po ndryshon edhe në ato male pakohë. Jemi në vitet e para të regjimit totalitar, që me rregullat e veta të panatyrshme prish ekuilibrin e maleve hijerëndë. Lajmprurësi është vetë “gazi” i degës, që bashkë me njerëz të diskutueshëm sjellin edhe doke të reja, të papara në këto anë.
Ngjarjet e romanit duket sikur zhvillohen rreth vdekjes së malësorit Çun Gurra, i vrarë në zall të lumit, por tregimi i Elezit ka një shumëqendërsi që e sfidon linearitetin tradicional të romanit. Personazhet herë janë në funksion të narrativës, herë të ambientit, herë të miteve. Kështu, personazhe si vajza që vajton Çun Gurrën, nga një anë duket si motra e tij, me ndërlidhjet e pashmangshme me traditën mitike shqiptare, që i kanë pasur gjithnjë në qendër marrëdhëniet motër-vëlla, nga ana tjetër ngjan si e dashur apo si zanë mali. Fakt është se personazhe të tilla jetojnë pothuajse në një univers paralel, të gatshme të ndërmarrin udhëtim të veçantë në rrëfim, por pa i këputur fijet me të, të ndriçuar nga drita e projektorit narrativ, por pa errësuar skenën kryesore. Kjo realizohet edhe për arsyen se personazhi i “vajzës vajtuese” është përvijuar shumëkuptimshëm, ku interpretimi mund të luhatet lirisht brenda feminilitetit, diku erotik, diku mitik, diku sinonim i dashurisë.
Ka një personazh tejet interesant romani “Adn-ja e korbave”. Lekë Fuqia, një malësor picirruk e thumbahedhës, që hyn e del si hije në rrëfim, por që mishëron inteligjencën e panënshtruar, atë që fshihet pas maskës së lolos për të treguar të vërteta të mëdha. Me të qeshurën e tij tipike “Hi-hi”, me mbrapshtinë batutore, ia fiton shpejt simpatinë e lexuesit, i cili duket sikur e ka njohur diku, madje me siguri e ka takuar diku, në trajtën e fshatarit a malësorit mendjemprehtë. Ndoshta për këtë arsye lexuesi pyet me keqardhje vallë përse autori nuk e ka zhvilluar këtë personazh më tej, ose përse nuk i ka dhuruar më shumë hapësirë në roman.
Që romani zhvillohet në eposin e rrëfimtarisë epike të veriut lexuesi e kupton që në faqe të parë. Madje që në përkushtimin fillestar për nder të At Zef Pllumit: “Fjalia e parë e këtij libri u shkruar nën dritën e Qiriut të mbramë të asaj kishe të moçme; At Zefit edhe kur iu sos dylli, flaka nuk iu dridh”. Mirëpo kumti i romanit shkon përtej maleve të Shqipërisë veriore, madje këto duket sikur i shërbejnë mësëmiri për të nxjerrë në pah universalitetin e tij.
At Zef Pllumin, lexuesi do ta gjejë në romanin e Elezit në shumë forma. Do ta gjejë si semë narrative frymëzuese (historia e ujkut), do ta gjejë në figurën të mistershme të priftit të shumëkërkuar françeskan, do ta gjejë në gjuhë. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Mehmet Elezi është mjeshtër i gjuhës shqipe, në kuptimin e përdoruesit (si shkrimtar), por edhe i studiuesit (si gjuhëtar). Stili i tij dhe nuancat gjuhësore janë pararendëse të veprës së At Zefit, në kuptimin që janë realizuar edhe në vepra të shkruara shumë vite më parë. As mund të diskutohet individualiteti i fortë dhe i dallueshëm i prozës së Elezit, sikurse pasuria leksikore marramendëse. Pikëtakimi i tyre duhet parë tashmë tek diskrecioni e maturia e përdorimit të trajtave gege, që shndërrohet vetvetiu në muzikalitet, gjithnjë brenda simfonisë së gjuhës shqipe, gjithnjë në harmoni të plotë. Kjo e bën gjuhën e Elezit “të asimilueshme” e “të dëgjueshme” edhe për veshët më të pamësuar me traditën letrare veriore. Madje do të guxoja të thosha se i shtyn lexuesit të zbulojnë gurra ku nuk e kanë shuar kurrë etjen për shqipen.
Gjuha pra, e lëvruar shkëlqyer, do të ishte një nga motivet kryesore për t’iu qasur romanit të M. Elezit. Ndryshe nga ç’thuhet në parathënie, shkruar nga Ardian Marashi, personalisht vërej një ekuilibër të përsosur midis formave gegnishte dhe standardit, madje një shkrirje të balancuar e funksionale, duke pasur parasysh edhe realitetin që duhet të përshkruajë autori. Lexuesit të vëmendshëm nuk mund t’i shpëtojë fakti se pena e Elezit në këtë roman i fut trajtat e gegnishtes më me maturi, e me përkujdesjen e atij që ua njeh mirë vlerat të dyjave, sikurse forcën e përbashkimit, ndaj edhe nuk don t’ua prishë paqën. Maturia gjuhësore e Elezit duhet parë edhe në prizmin e autorit të “Gjuha shqipe në bunker” dhe të “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, pra në vetëdijen e atij që i eksperimenton format letrare e gjuhësore pa dalë jashtë nga tradita, por duke punuar në mënyrë propozitive brenda saj.
Droja e shkrimtarit në këtë roman, mund të shihet në ndonjë shpjegim të tepërt gjuhësor, dhënë rrallë herë nëpërmjet sinonimisë; çka është e kuptueshme për kë vë në provë kufij të rinj të prozës letrare, edhe pse brenda kornizës tradicionale. Shqipja e romanit “Adn-ja e korbave” mbetet në thelb standardi, porse i pasuruar me prurjet e ndryshme të gegënishtes më të pasur.
Motorin narrativ të romanit do ta gjeni në figurën e Ujkut ose më mirë në aleancën e tij me Njeriun. Dialogu i ujkut me Çun Gurrën ndoshta mëkaton me tonet evidente, por kemi të bëjmë gjithsesi më një “transkriptim”, meqë dialogu i njëmendtë midis bishës e njeriut bëhet në thelb me vështrime.
– Ti vrave një qenie, o ujk. Vrave ftujakun. Dhe preke gjënë e huaj. Pse kështu?
– Unë vras vetëm me jetue. Kështu më ka bërë Zoti: jetoj duke gjuajtur. Pa gjuajtur vdes. Hup fara ime.
– Megjithatë vret.
– Në t’u duktë e padrejtë, kërkoji llogari Zotit që më ka krijuar kështu. Ose më thuaj si mund të mbijetoj ndryshe.
– Po, o ujk. Ndoshta ke të drejtë.
– Fli atëherë, natën e mirë.
– Natën e mirë, o ujk. Po Mëhillin pse e vranë? Për të mbijetuar vetë e vranë?
– Ishte qingj ky Mëhilli?
– Qingj e shkuar qingjit. Ëngjëll në daç. Nuk ia prishte kujt tymin e duhanit. I kishte shërbyer nënës së vet si shenjëtor.
– Për vrasjet e njerëzve e dini ju. Ne ujqit jemi racë më e ulët. Ata që e vranë Mëhillin nuk mund të jetonin pa vrarë?
– Mund të jetonin, ndoshta edhe më mirë. E vranë për politikë.
– Ne ujqit nuk bëjmë politikë […] Dhe njëri tjetrin s’e vrasim kurrë. Rrimë e cofim ùni e mish ujku s’vemë në gojë. Ke parë e dëgjuar ndonjëherë ti që e hëngri ujku ujkun?
Kush kujton se kemi të bëjmë me autopsinë e regjimit totalitar shqiptar, e egërsisë vllavrastare për arsye pushtetore, them se gabon. Në mesazhin qendror të librit, vetë regjimi kthehet në një mjet për të parë më larg. Më tutje, drejt natyrës njerëzore. Perspektivën e gjerë, autori ia siguron kumtit të vet edhe nëpërmjet akohësisë së eposit shqiptar, ose ajo çka eposi evokon në mendjen e shqiptarit, duke i ofruar orvatjes antropologjike një shtysë e shtrat të përsosur.
Fjalët e të vrarit pa varr, “Nuk e kisha kuptuar thelbin. Ose më mirë nuk doja me e besue: te ujku kisha gjetur njeriun, te njeriu sërish do të gjeja… ujkun”, dëshmojnë, midis të tjerash, edhe dhimbjen e atyre që u zhgënjyen nga regjimi. Dhimbje e përzier me pesimizëm? Ndoshta. Apo duhet parë një fije optimizmi, përderisa tek ujku gjendet njeriu? Fakti është se kapitulli i nderimit që viktima e çnjerëzimit i bën mikut ujk është me të vërtetë mallëngjyes. Ritualin, zakonet, vajin, të gjitha sikur të ishte njeri. Ah, harrova ujku ishte Njeri, bile më njerëzori mes bishave që diktatura, ose më mirë, E keqja polli.
Tek e fundit, romani “Adn-ja e korbave” na vë përballë pyetjeve që prekin ekzistencën tonë, na bën të ngremë kokën drejt përse-ve që na lëkunden si shpata të Damokleut, na detyron të reflektojmë për siguritë tona të përhershme. Ndërkohë soliditeti i proverbave më të lashta, si “homo homini lupus”, plasaritet nga kundërshtitë e kohës, kurse silueta e ujkut vjen e tretet në muzgun e shpirtit njerëzor.