Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

$UISSE, $CHWEIZ, $VIZZERA

Ditët që kalova në Zvicër fluturuan mes habisë e admirimit. Kudo që vajta ngela me gojë hapur, çka do të thotë shumë për njerëz të dalë si puna ime. Si të thuash, pasaportën nuk e kam të virgjër, e kam plot viza e vula hyrje-daljesh. Pra jam i bredhur.

Ditët e para zvicerane më shkuan duke shqyer sytë:  si para natyrës së mrekullueshme, ashtu  edhe çmimeve të hatashme. Por, e ndjeja se, ndërsa e para mund t’ua prekte telat vendasve, të dytat, për shkak të nivelin të lartë të jetesës, nuk besoj se ua lëvizte qerpikët. I mahnitur nga gjithçka që më rrethonte, duke vizituar në rend qytete, qyteza e fshatra, vendosa të bëj të kundërtën e asaj që bën një turist i zakonshëm. Vendosa t’i gjej të metat e mëkatet këtij vendi sa të vogël, aq edhe të famshëm alpin.

Mision i pamundur. Orvatjen e parë e bëra në Bernë, ku strehohesha ëmbëlsisht tek të afërm mikpritës. Kryeqyteti i vogël zviceran ishte si bonbone. Marka e çokollatës nuk ka rëndësi, por mendja të shkon detyrimisht tek Lindt. Pavarësisht nga kjo, Berna ta jepte mirëseardhjen nëpërmjet arinjve lozonjarë që jetonin në gropën mu në hyrje të qytetit. Në breg të lumit Aare, arushat loznin hareshëm, duke u ngacmuar ndërsjelltazi, të bindur se jetonin jo vetëm në shtëpi  të vet, por edhe në një qytet që mbante emrin e tyre. Në fakt, thuhet se duka Monokolao, themeluesi i qytetit, ia vuri emrin për nder të një ariu që kishte vrarë në gjah. Por që nga ajo kohë, shumë ujë ka rrjedhur nën urën Nydegg aty afër: tani respekti për kafshët është maksimal, në vend të pushkëve ose balestrave merrnin nishan teleobjektiva adhurues.

Ura t’i lehtësonte hapat, sikurse panorama shikimin. Në atë pikë e kuptoje, se ishte Berna ajo që të jepte leje t’ia përkëdhelje hijeshitë e shatërvanëve dhe të portikëve poshtë ndërtesave, pikërisht atje ku e ndjeje veten të mbrojtur nga klima e nga shikimet kureshtare. Atje e prekje ngjashmërinë e Bernës me femrën e fisme, krenare, hirplotë, por jo sqimatare. Koherent me përbetimin absurd për t’i gjetur të metat, kërkova me insistim diçka degraduese, prej lavireje të thekur: letra përtokë, paketa cigaresh shuk në cepa rrugësh, lëkura bananesh të nxira, qese pazari të shqyera. Nuk gjeta asgjë. Pastërti e plotë. Akull. Xham. Për ta lëpirë me gjuhë, do të thoshte komshiu im.

Iu qepa ndërtesave, por këto ishin si karamele. Diku si “Zana”-t e dikurshme, diku si modernet me shije frutash. Të bukura si kujtimet e fëmijërisë, të hirshme si ëndrrat e adoleshencës, biologjike si dëshirat e të rriturve. Vila të heshtura në bukurinë e vet, rrethuar nga pëshpërima e luleve shumëngjyrëshe. Vallë ishte gjelbërimi që i respektonte ndërtesat, apo këto që ulnin kokën përballë natyrës?  Nuk pashë asnjë rrugë pa pemë e asnjë pemë të braktisur. Asnjë arkitekturë pornografike, asnjë hapësirë e dhunuar, asnjë person të oprimuar.

Atëherë e kapa me njerëzit. Por çdo përplasje shndërrohej në takim, çdo dyshim në mirëbesim, çdo njohje në vlerësim. Edhe në qytete të tjera, pashë vetëm fëmijë të edukuar, prindër të matur, të rinj të matur. Pata dëgjuar për ftohtësinë e tyre të supozuar, për egoizmin prej të pasurish, për indiferentizmin e mirëqenies. Po mendoja pranë udhëkryqit, duke fiksuar ashtu kot shpejtësinë e automjeteve, semaforët me sinjalistikë moderne, nxitimin në rresht të kalimtarëve. Respekt për rregullat e për veten, dakord, por ama janë të ftohtë. “Keni nevojë për ndihmë, zotëri?”, u dëgjua zëri i një gruaje syëmbël, që shtynte krahëlehtë karrocën e foshnjës sykaltër. “Jo – i thashë. Faleminderit. Përgjigjen e mora”. Nuk shtangu, as dha shenja habitjeje. Vijoi ta shtynte karrocën e fëmijës (së vet apo të dikujt tjetër), duke i folur plot dashuri. Që në atë çast fillova të mos çuditesha nga përshëndetjet e herëpashershme të atyre që hasja në shëtitjet e mia nëpër sheshe periferike e pyje rrethinash.

E di. Jo gjithkund nëpër Zvicër ishte kështu, por gjithkund anonte të ishte kështu. Në breg të liqenit Leman të Gjenevës, ndoshta harronin të të përshëndesnin, porse është e pritshme në një qytet  kufitar, ku gëlojnë zyra të OKB-së. Tek e fundit, përjashtimet konfirmojnë rregullin, ajo dihet. A thua vallë gjeta parajsën në tokë? Nuk besoj, s’ma lejon teoria, s’ma lejon bonsensi. Pashë kudo njerëz që nxitonin për punë në pikë të mëngjesit, makina respektuese që ndalonin tek vijat e bardha, plehra të padukshme që diferencoheshin me zell milingonash, rregulla që respektoheshin me ngulm kapterësh. Gjithsesi, nuk mund të mjaftohem, duhet të vazhdoj hulumtimin.

Në një botë ku përsosmëria nuk ekziston, realiteti i përsosur e ka një cen brenda. Ku është hileja, pra? Zvicra është pa të meta? Vendi ideal për t’u jetuar? Vendi ideal për të lindur? Apo thjesht iluzion i turistit ksenofil e naiv njëkohësisht. Ku është hileja e një vendi me zhvillim të mbajtshëm, me mirëqenie të konsoliduar, me qytetërim të shtresëzuar, me shumëkulturorësi të ekuilibruar, me autonomi të balancuar, me demokraci funksionale? Ku është kleçka? Vallë këtu punon çdo gjë si sahat? Zviceran?

Dikush mund të mendojë se problemi qëndron tek emri latin i Parlamentit: “Curia Confoederationis Helveticae”. Duket qartë se kanë parapëlqyer neutralitetin e gjuhës së vdekur për të mos çekuilibruar të gjallat. Por paqja mes kantoneve, të përfaqësuara aq bukur nga shatërvanët ujëpërpjetë përballë foltores kombëtare, ta përgënjeshtron lehtë. E pakuptimtë të evokohet historia e regjisorit Roman Polanski, i cili gjeti strehë në këtë vend për t’i shpëtuar dënimit. E pakuptimtë të përmenden centralet bërthamore në livadhet e gjelbërta, e pakuptimtë të citohet indiferenca si sinonim i neutralitetit, e pakuptimtë të flitet për traditë ushtarake në një vend paqësor, e pakuptimtë të kërkosh detin në një vend malor. Ndoshta.

E pakuptimtë, thotë dikush tjetër, por jo nëse vlen për të na kujtuar se Zvicra është vendi i bankave, ku anonimësia siguron edhe të dyshimtin, ku paraja lan edhe të palarin, ku pasuria zbukuron edhe bishën. Përndryshe si shpjegohet që shumë vende, e jo vetëm evropiane, janë irrituar për politikën e bankave zvicerane? Këto, thuhet, pranojnë çdolloj pareje, me çdolloj prejardhjeje, me çdolloj ere, mjafton të jenë me thasë. Ka edhe nga ata që e përfytyrojnë arin shqiptar, ose valutën e nxjerrë në diktaturë, të përkthyer me kode numerike në bankat hijerëndë helvetike.

Mos vallë qëndron tek etika e pasurisë kleçka e parajsës në tokë? Mos shkëlqimi verbues vjen nga dritat e pragmatizmit amoral? Mos është prej hipokrizie tisi që na vesh sytë? Shpresoj të mos jetë e vërtetë për dy arsye: do t’i hiqte fjalët poezisë e tingujt këngës, që ndërkohë kam thurur në mendje për këtë vend mahnitës. Pastaj, tek të tjerët, nuk duhen parë vetëm të metat. Sikur ne jemi pa mëkate…

P.S. Fotografitë janë të miat.

Pa Komente

  1. Dhe kjo parajsë në tokë as nuk është anëtare e BE. Gjithashtu deri para pak vitesh nuk ishte as anëtare e OKB.
    Zvicra është një vend i mrekullueshëm. Berna më pëlqen shumë, shkoj shpesh atje, sepse daja i shoqës sime jeton në këtë qytet. Unë jetoj në Gjermani, shumë afër kufirit me Zvicrën. Buzë lumit Rhaina. Ky lum e ndan përgjysmë qytetin Rheinfelden, dhe shënon kufirin mes këtyre dy shteteve. Unë jetoj në pjesën gjermane të këtij qyteti. Rheinfelden – Bern gjithsejt 90 kilometra. Një orë udhëtim me makinë.

    Ku është kleçka?

    Thoshin se Zvicra është kështu, sepse nuk ka përjetuar luftëra një kohë shumë të gjatë. Gjatë dy luftërave botërore, nuk ishte prekur për shkak të neutralitetit. Disa thonë për shkak të bankave, më saktë, për shkak të anonimitetit të klientëve të këtyre bankave. Për këtë shkak, paratë nga e gjithë bota derdhen në bankat zvicerane. Dikush thotë për shkak të demokracisë (por, të drejtën e votimit,në disa kantone, deri në vitet e 70-ta, nuk e kishin gratë). Disa thonë, për shkak të të gjitha këtyre arsyeve bashkë, etj.
    Ku ta dimë? Ndoshta zvicëranët e fshehin formulën e suksesit, sikurse që fshehet formula e pijës magjike coca-cola?
    Eureka! Duhet ta lëshojmë nga SHISH-ja një 007, që ta zbulojë këtë sekretin e suksesit zvicëran.

  2. Sic do te thoshte Hitchcock “Eshte teper qete, per te qene normale”.

  3. http://www.swissinfo.ch/eng/More_die_from_suicide_than_wars_and_murders.html?cid=985144

    http://www.who.int/mental_health/media/swit.pdf

    http://www.narconon.org/drug-information/switzerland-drug-addiction.html

    linqet e mesiperme jane disa llokume velitese nga realiteti zviceran ku tregohet se si nje pjese e gjore e banoreve te kesaj quazi parajse rreken te mbushin boshllekun ekzistencial .
    Ndersa persa i perket oprimimit po ju rrefej nje pasazh te shkurter nga biseda qe pata me nje zhongler zviceran( ama puro zyrigas frankofon) ne nje bujtine torineze.
    Ky i shkreti si pasoje e ndaleses qe i kane bere ne Zvicer ketij profesioni pasi kinse potencion rrezikshmeri te larte per shkak te performances neper kryqezimet me te trafikuara te qyteteve ( kur ndizet e kuqja tek semafori) ishe detyruar te kerkonte strehim ekonomik ne vende me te rrumpalleshme si fjalal vjen: Italia, Greqia, Spanja etj. Madje sipas analizes qe ai i bente tregut keto vende me te ngrohta e me qeflije jo vetem qe i siguronin pune pergjate gjithe vitit( po te kemi parasysh te ftohtin qe te ofron evropa qendrore gjate dimrit) por madje e benin qe te ndihej me i çliruar dhe te gjente vetveten.

    p.s. Human brain can not bear too much reality !

  4. Pishak me pelqeu jashtezakonisht shkrimi per Zvicren si edhe fotografite. Ne Berne gjendem te pakten 3 here ne jave prej vitesh e akoma s’kam mabrur se shijuari. M’u duk shume i goditur krahasimi me bonbonen. Per hir te rimes e perafrimit vizual (catite e ndertesave) do te shtoja ama dhe si toblerone.
    Mrekullia e gropes se arinjve me duket se qendron ne faktin qe megjithqe 100% turistike respekton indigjenin : e para se ve ne qender te vemendjes simbolin e qytetit (me te drejta te garantuara) dhe e le te admirohet nga te ardhurit, e dyta se i famshmi Altestramdepot, (lokali me i afert i gropes) sherben pa dallim si turistin dhe vendaliun me shume respekt, pa shumfishuar cmimet nga vendi special ku ndodhet me nje guzhine lokale pa chichi turistike. Me nje fjale do te thoshja se nje nga pikat me turistike te vendit sillet sikur nuk e di se sa vlen, ne menyre modeste e teper diskrete. Gje te cilen nuk e gjej ne Gjeneve bie fjala. Per mua vlera kryesore e ketij vendi eshte modestia, diskrecioni dhe mund te them se Naimi mund te vertetonte ketu thenien :pune, pune, nate e dite, qe te shome pakez drite.
    Klecka ka plot, sic kemi te gjithe, por a s’eshte imperfeksioni qe jep lezetin ? Paraja e bankave, pa dallim origjine, eshte trajtuar me shume zgjuaresi e me nje seriozitet e profesionalizem te larte. Doemos qe origjina nuk perben nje krenari, por perdorimit s’ke c’i thua.
    Tjeter klecke, me e rendesishmja per egzistencen time modeste, eshte maredhenia direkte midis nivelit te larte te profesionalizmit dhe mungeses se humorit. p.sh. ne Zvicren gjermane, ku hasen shume me shpesh specialistet me te mire te nje fushe te dhene (kjo sigurisht ne perpjestim te drejte edhe me nr. e banoreve) eshte pothuaj mekate te hedhesh nje shakacke ne mes te nje ligjerate profesionale. Te bien mbi supe nje bresheri shikimesh te habitura e pak te zena ngushte nga propozimi per buzeqeshje instantanée, por mbi te gjitha nuk ua ngre dot cepin e buzeve deri ne mbarim te bisedes. Ke tentuar te ulesh perqindjen e efikasitetit duke harxhuar nje fraksion te minutes me shperqendrim! Nuk tolerohet. Pas mbledhjes po, pasi eshte folur per marken e fundit te bicikletes qe hypen skerka duke te shkaterruar gallganet, shkoqur disa vertebra e te ka lumteruar ne menyren zvicerane gjithe weekendin, mund te qeshesh sa te duash, por shakate jane larg se qeni vertet te tilla.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin